TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin që përcakton procedurat dhe kriteret për financimin e aktiviteteve sportive me karakter ndërkombëtar, të cilat kanë impakt social, kulturor, ekonomik dhe turistik, kur zhvillohen në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Sipas vendimit, për të përfituar financim, subjektet aplikante duhet të jenë të regjistruara ligjërisht, të kenë njohje zyrtare nga federatat ndërkombëtare përkatëse dhe të dëshmojnë eksperiencë dhe kapacitete organizative në organizimin e ngjarjeve sportive ndërkombëtare.
Aktivitetet e propozuara duhet gjithashtu të kenë ndikim të dukshëm ekonomik, turistik dhe mediatik, përfshirë numrin e pjesëmarrësve ndërkombëtarë, delegacioneve dhe ekspozimin ndërkombëtar të Republikës së Shqipërisë.
Procedurat e aplikimit parashikojnë paraqitjen e kërkesës gjatë gjithë vitit buxhetor pranë ministrisë përgjegjëse për sportin, duke përfshirë dokumentacion të detajuar për programin, planin teknik dhe financiar të aktivitetit. Një komision ad hoc vlerëson aplikimet dhe brenda 30 ditësh propozon miratimin ose mosmiratimin e financimit, ndërsa vendimi përfundimtar merret nga ministri përkatës.
Pas lidhjes së kontratës, pagesat realizohen sipas planit financiar dhe faturave të paraqitura nga subjekti aplikues, duke përfshirë edhe tarifat e pjesëmarrjes, kur parashikohen në kontratë. Për monitorimin e zbatimit të aktiviteteve ndërkombëtare ngrihet një grup monitorimi prej tre anëtarësh të caktuar nga ministri përgjegjës.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit është ngarkuar për zbatimin e tij.
TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ “Piter Pan” titullohet premiera e re e Cirkut Kombëtar, që po shfaqet në skenën e ArTurbina në kryeqytet, një udhëtim magjik mes fantazisë, guximit dhe ëndrrave që nuk shuhen kurrë.
Kjo shfaqje bazohet në fabulën e Piter Panit dhe sjell plot surpriza për fëmijët e vegjël, që nga skenografia e kostumografia, deri te numrat e lartësive.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo shfaqje, me fluturime akrobatike, numra sfidues dhe çaste magjike.
Shfaqja me drejtuese artistike, regji, libret dhe koreografi nga Olta Ahmetaj, u realizua me pjesëmarrjen speciale të Trupës Profesioniste të Cirkut Kombëtar: Silvana Dumi, Fitnete Duro, Brunilda Demollari, Xhejms Kodra, Alketa Haxhiu, Eris Hoxha dhe Mario Elezi.
Ideja, grafikat dhe realizimi janë nga Andi Kotri, muzika nga Sajmir Çili dhe Alfons Zgjana, kostumografia në shfaqje është përgatitur nga Burbuqe Çoçka, skenografia nga Lirim Lila dhe efektet speciale nga Ilir Karaj.
“Piter Pan dhe aventurat në ishullin e Kurrkundit” vjen si një shfaqje e ndërtuar me përkushtim artistik, kushtuar fëmijëve, prindërve dhe gjithë familjes. Një rrëfim skenik, që ndërthur teatrin, muzikën, koreografinë dhe elementët e artit të cirkut, duke krijuar një përvojë kulturore të plotë, edukative dhe frymëzuese për publikun e të gjitha moshave.
“Piter Pan” u shfaq premierë më 26 dhjetor, ndërkohë që do të vijojë deri më 30 dhjetor në ArtTurbina.
TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Teatri i ri Kombëtar do të kthehet jo vetëm në një hapësirë moderne për artin skenik, por edhe në një simbol të identitetit kulturor të kryeqytetit dhe të gjithë vendit.
Punimet në këtë kantier kanë avancuar, ndërkohë që godina e re do të jetë jo vetëm një hapësirë për artistët, por edhe një pikë e rëndësishme e jetës urbane dhe sociale të Tiranës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i Teatrit të ri Kombëtar, vepër e një prej arkitektëve më të shquar bashkëkohorë, Bjarke Ingels dhe studios daneze BIG.
Kryeministri theksoi se pas përfundimit të fazës komplekse të punimeve nëntokësore, projekti ka hyrë në etapën e realizimit ndërtimor, duke marrë formë një hapësirë ikonike për artin dhe kulturën.
Projekti parashikon salla bashkëkohore për shfaqje teatrore, ambiente multifunksionale për aktivitete kulturore, si dhe infrastrukturë teknologjike të standardeve europiane.
Teatri i ri do të ketë disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Më konkretisht, do të ketë një hapësirë prej 750 metrash katrorë auditor dhe me mbi 600 vende, me ballkon. Gjithashtu do të ketë një skenë teatri prej 630 metrash katrorë dhe dy salla Black Box prej 200 metrash katrorë secila.
Për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metrash katrorë që do të përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katrorë, tualete dhe dushe, si dhe një dhomë të gjelbër.
Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha lehtësirat për publikun.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i Teatrit të ri Kombëtar, i cili po merr formë dita-ditës. “Kantieri i Teatrit të Ri Kombëtar, vepër e një prej arkitektëve më të shquar bashkëkohorë, Bjarke Ingels dhe studios daneze BIG. Pas përfundimit të fazës komplekse të punimeve nëntokësore, projekti ka hyrë në etapën e realizimit ndërtimor, duke marrë formë një hapësirë ikonike për artin…
Teatri Kombëtar rikthehet në vëmendje pas një mungese të gjatë nga fejsbukët zyrtarë të qeverisë. Këtë herë, përmes një video-performance me “drone drop” mbi një kantier ndërtimi, i cili nuk dallon shumë nga qindra të tjerë në qytet.
Pamja promovohet si reklamë e një “pune” të premtuar që po kryhet – pra një lloj raportimi, në mungesë të llogaridhënies, – ndërsa qyteti vazhdon të ndërtohet dhe qindra leje të reja miratohen, pa pyetur askënd tjetër përveç pushtetit.
Nuk ishte një njoftim ndërtimor, por një akt simbolik: Një rikthim i kontrolluar i çështjes së Teatrit Kombëtar në ekranet e pushtetit.
Me dashje ose pa dashje, Kryeministri – dhe më pas ministri i Kulturës, e pas tyre i gjithë tabori i pushtetit, – na përsërisin prej kohësh të njëjtin mesazh: The show must go on! (Spektakli duhet të vijojë!), për sa kohë ata janë aktorët kryesorë në skenën e pambaruar të teatrit.
Në fakt, e gjithë qeverisja Rama 1, 2 dhe 3 ka funksionuar si skenë e madhe teatrale, ku vetë teatri u shndërrua në njësi marketingu, ndërsa “star-arkitektët” në kukullat e teatrit prej letre.
Faksimile e videos së qeverisë, ku dallohet kantieri i Pixel Tower në të majtë.
Kjo ndodhi pikërisht në mungesë të teatrit si zhanër kritik, si kundër-forcë e pushtetit. Kur teatri real u zhduk, u fshi, u shemb, spektakli institucional zuri vendin e tij.
Tre vjet më parë, më 21 dhjetor 2022, Rama dhe Veliaj – të shoqëruar nga taborët e administratave përkatëse – vendosën atë që e quajtën “gurin e parë të themelit”.
“Baballarët e kombit” në themel të Teatrit të Ri Kombëtar, “më të bukurit dhe më përfaqësues të ndërtuar në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”, sipas logjikës patriarkale të pushtetit: njësoj si kryefamiljari që vendos gurin e parë të shtëpisë.
Tradita, megjithatë, e thotë qartë: Që themeli të qëndrojë, duhet edhe një kurban, përndryshe muret, si ato të Rozafës, bien.
Kurbani i kësaj dysheje, që ka qeverisur Tiranën për 21, nga 35 vitet e tranzicionit shqiptar, ishte ndërtesa historike e Teatrit Kombëtar, të cilën e shembën natën.
Ndërsa e shembën, u kujdesën ta kthenin aktin në spektakël: Një mizanskenë dramatike në teatrin e madh të pushtetit, ku ndërthuren korrupsioni, krimi i organizuar dhe pastrimi i parave.
Por akti final nuk ishte vetë shkatërrimi i teatrit; ai duhej edhe legjitimuar estetikisht.
Shembja, në vetvete, nuk mjaftonte. Duhej një imazh i ri, një formë e re, një premtim arkitektonik që ta zhvendoste vëmendjen nga dhuna mbi trashëgiminë drejt admirimit për spektaklin.
Faksimile e videos së qeverisë, ku dallohet kantieri i Pixel Tower anës Teatrit Kombëtar.
Duhej shembur teatri, që spektakli i kullave të merrte skenën. Për shembull, kulla që duhej ta zëvendësonte atë – dhe që do t’i merrte tokën, hapësirën dhe kujtesën, – sot ngrihet 33 kate lart(Pixel Tower, projekt nga Bjarke Ingels për Fusha shpk), deri në kufijtë e pronës, praktikisht ngjitur me të.
Teatri u zhduk që ky spektakël të shtrihej pa pengesë në çdo cep të Tiranës: Një profeci e artikuluar qartë nga protesta 27-mujore e Teatrit, e cila u tall si nostalgji, por rezultoi lexim politik i saktë i së ardhmes urbane.
Kulla ngrihet e qetë, duke na vështruar nga lart me cinizëm pedagogjik, sikur të na thotë: “Kot bëtë zhurmë. Nuk ju mora asnjë metër truall. Ju lashë madje dhuratë projektin më të bukur në Evropë që nga viti 1945. Të ma dini për nder!”
Kjo është arkitekturë disonante: Një formë pushteti që prodhon konflikt me kujtesën urbane, mohon dhunën mbi trashëgiminë përmes estetikës dhe e “ribrendon” shkatërrimin si bujari institucionale – ndërsa publiku ftohet, edhe një herë, të duartrokasë.
Sepse kur pushteti merr rolin e regjisorit, qyteti mbetet skenë, kujtesa dekor dhe qytetarët spektatorë të një shfaqjeje ku humbja prezantohet si fitore.
TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Në Muzeun Historik Kombëtar po vijon puna për transformimin e tij në një institucion modern dhe të denjë për ruajtjen dhe paraqitjen e trashëgimisë historike të vendit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i rilindjes së Muzeut Historik Kombëtar, duke e cilësuar atë si një thesar i rëndësishëm i turizmit kulturor.
Pas një kohe të gjatë sfidash dhe dëmtimesh, përfshirë tërmetin e 2019-të, Muzeu Historik Kombëtar është në fazë restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi.
Kjo është ndërhyrja më e rëndësishme që po realizohet në këtë institucion simbol, në kuadër të programit EU4Culture, nën drejtimin e UNOPS, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe MEKI.
Në fazën e parë, punimet përfshijnë: paketim dhe evakuim të artefakteve, konsolidim dhe përforcim strukturor, rinovim të fasadave dhe izolimin e çatisë, instalimin e sistemit të monitorimit CAM, restaurimin e fasadës me teknologji moderne (fibra karboni dhe xhaketim kolonash).
Ndërkohë, faza e dytë e punimeve vijon me transformimin rrënjësor, që do të përfshijë: shtesa nëntokësore me laboratorë e hapësira teknike; fasadën e brendshme “Oculus” prej xhami dhe mbulesën ikonike; sisteme moderne MEP, mbrojtje nga zjarri, muzeologji bashkëkohore dhe mobilim tërësor.
Muzeu Historik Kombëtar është një ndër muzeumet më të vizituara në Shqipëri. Projekti për restaurimin e tij është një operacion i jashtëzakonshëm, i udhëhequr nga “Casanova & Hernandez Architects”, Hollandë, mbështetur në analizën e një skuadre profesionistësh të shkencave albanologjike.
TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Teatri i ri Kombëtar do të jetë më i bukuri në të gjithë Ballkanin dhe do të jetë një nga teatrot më të bukur të të gjithë Europës.
I pyetur gjatë podkastit “Flasim – episodi 11, sezoni 5”, se si do të funksionojë Teatri i ri Kombëtar si strukturë apo proces artistik, Rama u shpreh se kjo është çështje e komunitetit artistik.
“Ajo që mund të them është që do të jetë Teatri më i bukur Kombëtar, apo qoftë edhe jo kombëtar, nuk ka rëndësi se ka dhe teatro të bukura që tjera që nuk janë teatri Kombëtar, por do të jetë më i bukuri në të gjithë Ballkanin padiskutim dhe do të jetë një nga teatrot më të bukur të të gjithë Europës. Pastaj se çfarë do të jetë në aspektin përmbajtësor kjo i takon komunitetit”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se, “shumë mirë që do të kemi një super teatër nga pikëpamja e infrastrukturës, por ta bësh atë teatër të jetojë në mënyrë të përditshme me kualitet është sfida e sfidave”.
Ajo që ka rëndësi, theksoi Rama, “është që ai teatër do të jetë në gjendje të mikpresë edhe trupa të huaja, do të jetë në gjendje të mikpresë patjetër edhe trupa dhe aktorë nga territoret shqipfolëse, do të jetë në gjendje të ofrojë shumë, nga pikëpamja e infrastrukturës”.
Pastaj, shtoi kreu i qeverisë, “nga pikëpamje menaxhimit ne nuk jemi ende në një fazë të zhvillimit tonë që të kemi kapacitete menaxhimi të institucioneve kulturore që të jenë të atilla që ta çojnë institucionin në një nivel tjetër dhe që të bëjnë diferencën, flas në tërësi. Patjetër që tek tuk jemi dhe menaxher shumë të mirë”.
Kryeministri foli gjithashtu edhe për projekte të tjera në kulturë që po zhvillohen paralelisht.
“Ne po bëjmë Galerinë e re Kombëtare, po transformojmë Muzeun Kombëtar. Kemi një program shumë ambicioz për këtë mandat që të bëjmë disa muze më të vegjël në Tiranë. Po bëjmë, besoj me shumë sukses një Muze të Historisë së hebrenjve të Shqipërisë në Vlorë. Po përgatitetmi të fillojmë punë për Muzeun “Besa” këtu në Tiranë. Për Muzeun e Artit Islamik. Kemi një sërë gjërash që po shkojnë paralelisht”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se, “pikëpyetja për të gjithë këto investime është niveli i menaxhimit në lartësinë e arkitekturës, në lartësinë e kësaj infrastrukture të re, por hap pas hapi”.
Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 50 mijë euro ndihmë financiare për veprimtarin e çështjes kombëtare në mërgatë, Hafiz Gagica, i cili po përballet me një sëmundje të rëndë që kërkon trajtim të kushtueshëm mjekësor.
Vendimi u miratua në mbledhjen e Qeverisë, ku kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi se Gagica ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në vitet ’90 në organizimin politik të diasporës shqiptare dhe në mbështetjen e institucioneve të pavarura të Kosovës. Sipas Kurtit, gjendja shëndetësore e tij kërkon kujdes të veçantë dhe shpenzime që familja nuk ka mundësi t’i përballojë.
Në mbështetje të këtij vendimi, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, vlerësoi rolin jetik të Hafiz Gagicës në proceset që çuan drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ajo theksoi se Gagica “ka të drejtë të presë solidaritetin e institucioneve të Kosovës, të njëjtin solidaritet që ai e tregoi pa hezitim për Kosovën në kohën e kërcënimit më të madh”.
Gërvalla rikujtoi se gjatë viteve ’90-ta, Gagica ishte një nga figurat kyçe në organizimin dhe forcimin e sistemit paralel të Kosovës në arsim, shëndetësi dhe furnizim ushqimor, në kohën e represionit të ushtruar nga Serbia. Sipas saj, ai ishte bartës kryesor i organizimit të mërgatës shqiptare në Gjermani dhe Evropë, duke shërbyer si urë lidhëse mes Kosovës dhe shteteve evropiane.
Një rol i veçantë, sipas Gërvallës, ishte edhe organizimi i vizitave dhe udhëtimeve të ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe delegacioneve të tjera kosovare në Gjermani, Zvicër, SHBA dhe vende të tjera evropiane, përmes qendrës së veprimtarisë që Gagica drejtonte në Shtutgart.
Ajo përmendi gjithashtu angazhimin e tij në organizimin e protestave dhe demonstratave të shqiptarëve në Gjermani, duke veçuar tubimin e vitit 1998 në Bonn, ku rreth 100 mijë pjesëmarrës kërkuan lirinë e Kosovës dhe ndaljen e shtypjes serbe, një nga protestat më të mëdha të organizuara ndonjëherë nga një komunitet jo-gjerman në Republikën Federale të Gjermanisë.
Hafiz Gagica ka shërbyer si kryetar i LDK-së për diasporë dhe ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. /Telegrafi/
TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar se kjo forcë politike ka marrë vendimin për nisjen e revoltave opozitare, duke theksuar se në radhët e demokratëve ka një nivel të lartë gatishmërie dhe vendosmërie.
“Diskutuam për të startuar revoltat e PD-së”, të cilat u shpreh Berisha, do t’i japin përgjigjen përfundimtare situatës aktuale në vend, duke shtuar se sipas tij problematikat kryesore lidhen me korrupsionin dhe kriminalitetin.
Ai theksoi se vendimi është marrë në një linjë të përbashkët nga forumet drejtuese të partisë.
“Kjo është mbledhja e tretë e forumeve të PD-së kryesia, grupi parlamentar dhe Këshilli Kombëtar, që shkojnë në një linjë dhe shënojnë vendimin e kësaj force politike për fillimin e revoltave, të cilat do të ndërpriten vetëm kur, sipas nesh, ky regjim të marrë fund”, deklaroi Berisha.
I pyetur për gatishmërinë e demokratëve për protesta, kreu i PD-së tha se ajo është shumë e lartë.
“Me aq sa pashë sot, jashtë mase. Një gatishmëri dhe një vendosmëri që kjo parti nuk e ka pasur më parë,” u shpreh ai, duke e cilësuar këtë si një zhvillim dhe ndërgjegjësim të rëndësishëm brenda partisë.
Berisha foli edhe për situatën politike në vend, duke deklaruar se, sipas tij, qeveria ndodhet në vështirësi dhe se opozita synon ndryshim përmes presionit qytetar.
Në lidhje me debatet e brendshme në PD dhe akuzat për bashkëpunim me krimin, Berisha theksoi se qëndrimi i tij është i pandryshuar.
“Gjithçka kam pasur për këtë çështje, e kam shprehur si kryetar i Partisë Demokratike dhe atë nuk e ndryshoj”, tha ai.
Sa i përket mundësisë së përjashtimit të Ervin Salianjit, Berisha nënvizoi se vija e kuqe mbetet e qartë.
“Qëndrimi absolut i kësaj force politike është se bashkëpunimi me bandat dhe krimin është i papranueshëm”, deklaroi ai, duke shtuar se çdo veprim do të bëhet në përputhje me statutin e PD-së.
Në lidhje me aksionin opozitar, Berisha u shpreh se do të ketë revolta, duke theksuar se detajet mbi mënyrën e organizimit do të bëhen të ditura në vijim.
“Ato do t’i mësoni të gjitha në kohën e duhur”, përfundoi Berisha.
TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD se për shkak të situatës emergjente politike, agjenda e parashikuar për mbledhjen do të shtyhet për një takim tjetër të afërt.
“Për shkak të situatës emergjente do të shtyjmë agjendën e sotme! Tani jemi në provën më të madhe para vetes dhe vendit,” tha Berisha, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti për PD dhe për demokracinë në vend.
Ai nënvizoi se Partia Demokratike do të vazhdojë të përgatitet për reagimin politik ndaj sfidave aktuale.
“PD qëndroi, qëndron dhe do të qëndrojë fuqishëm. Për këtë arsye, detyrohemi të shtyjmë diskutimet e planifikuara dhe të përqendrohemi të gjithë në përgatitjen e përgjigjes politike që duhet t’i japim situatës aktuale”, tha ai.
Berisha shtoi se përpjekjet e opozitës kanë qenë të vazhdueshme, por sipas tij, është e nevojshme një mobilizim i mëtejshëm.
“Kemi bërë protesta dhe lëvizje politike, por nuk kanë qenë ende të mjaftueshme për të sjellë ndryshimin. Ndryshimi vjen nga një lëvizje e qëndrueshme dhe e koordinuar me forma të ndryshme reagimi qytetar”, tha Berisha
Ai theksoi se besimi i qytetarëve mbetet një element kyç për veprimet e opozitës.
“Besimi i shqiptarëve është tek ne, se nëse nuk do të na besonin, nuk do të na votonin. Por tani duhet të bëjmë hapin e fundit me përgjegjësi dhe sakrifica”, shtoi Berisha.
Kreu i PD ftoi anëtarët e Këshillit Kombëtar të angazhohen në takime intensive me qytetarët dhe të përfshihen në forma të ndryshme të mobilizimit.
“Është koha e guximtarëve. Çdo njëri duhet të japë shembull personal dhe të angazhohet në protesta dhe lëvizje qytetare, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Agjenda jonë duhet të jetë protestë, protestë dhe vetëm protestë”, deklaroi ai.
Berisha theksoi se Partia Demokratike ka mbështetjen e disa rezolutave ndërkombëtare për mbrojtjen e pluralizmit politik dhe se kjo mbështetje duhet të shoqërohet me veprime konkrete.
“Natyrisht, mbështetjet ndërkombëtare janë të rëndësishme, por ato janë të pamjaftueshme nëse ne nuk ngrihemi”, tha ai.
Në përfundim, Berisha theksoi se Partia Demokratike do të vazhdojë të organizojë protesta dhe mobilizime të koordinuara, duke synuar të ruajë dhe të forcojë të drejtën e qytetarëve për pjesëmarrje dhe kontroll në proceset demokratike.
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dritan Burgia, është larguar nga salla ku po zhvillohet me dyer të mbyllura mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së. Raportohet se Burgia është larguar pasi në mbledhje janë ndaluar diskutimet për çështje të tjera, duke u kufizuar vetëm te protesta e paralajmëruar. Ai ka kundërshtuar këtë vendim, duke theksuar […]
TIRANË- Partia Demokratike ka mbledhur Këshillin Kombëtar. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzon anëtarin e kryesisë se organizoi foltoren e të martës në Elbasan, me ndihmën e kriminelit te kërkuar Suel Çela. Berisha tha hapur se individë të tillë nuk kanë vend në Partinë Demokratike.
Gazetari i ABC News, Andon Kello, raporton se Ervin Salianji nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar me pretendimi se ka takime.
“Jam në një takim, nuk arrij dot. Nuk do të shkoj në mbledhjen e Këshillin Kombëtar të PD, tryeza ku merren më shumë me mua se me çështje të tjera”, tha ai.
Megjithatë, Këshilli Kombëtar nuk ka në rend dite përjashtimin e Ervin Salianjit, por është vetëm deklaratë e Berishës. Ndërkaq, anëtarët e kryesisë së PD caktohen apo ndryshohen nga Këshilli Kombëtar, i cili u mblodh pasdite në selinë blu.
Ish-deputeti i PD, Qani Xhafa ka sfiduar publikisht Sali Berishën ku i kërkon të nxjerrë fakte mbi akuzat që takimi i Ervin Salianjit ditë e djeshme në Elbasan është bërë nga Suela Çela.
Sipas tij, nëse kjo provohet, ai do të jetë i parë që do largohet, por nëse e vërteta është krejt tjetër, ish-deputeti i kërkon Berishës të hapë krahun për të rinjtë.
Reagimi i Qani Xhafa:
Sqarim për opinionin publik në lidhje me takimin e z.Ervin Salianji në Elbasan datë 16 Dhjetor ora 18 00!
Të nderuar demokratë, anëtarë, simpatizantë të PD dhe mbarë opinionit publik, ju bëj me dije se dje pjesë e takimit me demokratët e Qarkut të Elbasanit isha dhe unë si një demokrat që nga viti 2005 ku kemi ndarë me ta të mirat dhe të këqijat e kësaj force politike!
Unë nuk jam detyruar nga askush që të marr pjesë në këtë takim por e pashë të arsyeshme se PD prej disa muajsh pas zgjedhjeve të 11 Majit 2025 ra në një gjumë letargjik që po e dëmtonte akoma më shumë!
Po kështu më gjeni një person anëtar partie, simpatizant apo çfardo, që ishte apo jo në takim, të prononcohet që ka qenë i detyruar nga dikush të marr pjesë, madje të brohorasë!
Ju bëj me dije se më janë zemëruar shumë demokratë që pse sna njoftove por koha ishte shumë e shkurtër vetëm dy ditë dhe e lamë në rrjedhë të lirë pjesmarrjen dhe për mendimin tim ishte takim shumë i mirë pasi kishte dhe shumë demokratë të rinj në forume drejtuese që janë e ardhmja e PD!
Për vetë profesionin që kam si Ing. mekanik i them Dr.Berishës nëse më bind me fakte që ai takim është bërë nga Suel Çela jam unë i pari që tërhiqem nëse është e kundërta duhet që të rinjtë të ecin përpara për të mundur regjimin e Edi Ramës!
Në atë takim u fol ndër të tjera edhe për protestën e 22 Dhjetorit që të jetë sa më e fuqishme për rrëzimin e kësaj qeverie!
Ju lutem të dëgjojmë zërin e çdokujt për të mirën e PDSH dhe për të mirën e Shqipërisë!
Partia Demokratike ka mbledhur këtë të martë Këshillin Kombëtar. Sipas rendit të ditës, pika kryesore e diskutimit do të jetë organizimi dhe zhvillimi i protestës kombëtare të paralajmëruar për 22 dhjetor. Kjo mbledhje shënon gjithashtu takimin e parë të Këshillit Kombëtar pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Burime nga PD bëjnë me dije se, përveç […]
Në janar të vitit 2025, dhunoi rëndë bashkëjetuesen e tij shtatzënë, lokalizohet dhe kapet në Serbi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 24-vjeçari.
Në vijim të bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe specialistëve të Interpol Beogradit, u arrestua provizorisht në Serbi, në vijim të operacionit “The Wanted”, shtetasi shqiptar, K. M., 24 vjeç.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në muajin mars 2025, Gjykata e Dibrës i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
24-vjeçari akuzohet se në muajin janar 2025, dhunoi rëndë bashkëjetuesen e tij shtatzënë.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet strukturave policore, me qëllim ekstradimin e 24-vjeçarit, në Shqipëri./abcnews.al
Partia Demokratike do të zhvillojë mbledhjen e Këshillit Kombëtar më 17 dhjetor në orën 17:00. Mbledhja është vendosur gjatë takimi të një ditë më parë të Kryesisë, ndërsa diskutimet do të fokusohen te situata politike, qëndrimet e PD dhe protesta e 22 dhjetorit e demokratëve që u njoftua më herët. Ndërkohë, mbledhja e një ditë […]
“Paqja fiskale” parashikon që bizneset mund të deklarojnë fitimet e mbajtura jashtë bilanceve financiare, kundrejt një tatimi që varion nga 5 deri në 15 përqind. Nismat u kontestuan gjërësisht nga opozita, Komisioni Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, duke i konsideruar ato si një rikthim tek ideja e vjetër e ‘amnistisë fiskale’, […]
Parku Kombëtar i Lurës, i vendosur në zemër të Dibrës në veri të Shqipërisë, është transformuar në një destinacion të mrekullueshëm dimëror duke tërhequr vizitorë nga e gjithë bota që kërkojnë të eksplorojnë një nga peizazhet dimërore më të bukura dhe më të qeta të vendit, sipas ‘Travel and Tour World’. Liqenet akullnajore, pyjet e dendura dhe terreni malor të mbuluara me dëborë…
Dje, në një prej kthinave të brendshme të Piramidës së rijetëzuar të Tiranës, një bashkësi e vogël miqsh e donatorësh, mes tyre burokratë e profesorë, të ftuar nga Ministria e Mjedisit, u mblodhën për të festuar (pa shumë entuziazëm) 10-vjetorin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM). Nivelin ceremonial të jubileut, nën titullin elegjiak “Për ty natyrë”, e ngriti prania e Kryeministrit, ndonëse ai vetë nuk qëndroi deri në fund.
Daniel Pirushi, drejtore ekzekutive e kësaj agjencie e mbajti fjalën e para; më pas, ministri Sofjani dhe në fund, Kryeministri Rama. Aktiviteti u përcoll live në Facebook, në kanalin e kryeministrit, me mbi një milion e gjysmë ndjekës.
Pak prej çka u tha ia vlen ta trajtojmë, shkurtimisht, këtu. Në përpjekje për të promovuar vizionin e Ramës, mbi projektet e rijetëzimit të zonave të urbane, Pirushi pranoi se të tilla projekte mund të shërbenin si modele të replikueshme në rrjetin e zonave të mbrojtura, duke konkluduar, dhe fjala është për rejxhërsat e rrjetit kombëtar të këtyre zonave, se këta nuk janë rojtarë, por dashamirës të natyrës.
Me të drejtë lind pyetja. Nëse nuk është administrata e zonave të mbrojtura që i ruan, kush i ruan parqet tona? Në 3 vjet e gjysmë, që prej emërimit në krye të AKZM, Pirushi ka mësuar t’u shmanget përgjegjësive. I njëjti model shmangieje është përhapur edhe poshtë në strukturat e varësisë. Ndoshta kjo u shërben më mirë interesave individuale për të mbrojtur vendin e punës, pasi mbrojtja e parqeve u rrezikon shpesh karrierën. Sido që të jetë, komunikimet përmes stërhollimeve të gjuhës nuk mund t’u mbivendosen përgjegjësive ligjore që i takojnë administratës së zonave të mbrojtura. Mohimi deklarativ i figurës së rojtarit përkrah keqbërësit dhe banditët që grabisin dhe shkatërrojnë parqet kombëtare. Ndërkohë që në ndihmë të shmangies ekzagjerohet edhe përkrahja ndaj të ashtuquajturit “edukim mjedisor”, duke e mbivlerësuar rolin e tij. Fakti është se rojet nuk janë edukatorë; as nuk janë mësues biologjie. Kjo është një tjetër metodë për të mbuluar përgjegjësitë, për të trushplarë opinionin mbi dobinë dhe efikasitetin e administratës së zonave të mbrojtura. Burokratët e shndërruar në edukatorë janë hipokritë. Administrata nuk është shkollë, as kishë, por organ ligjzbatues.
Vetë Rama shkoi edhe më tej. Në fund të fjalës, kur iu drejtua përfaqësuesve të organizatave mjedisore, ai ironizoi përpjekjet e tyre në drejtim të mjedisit, duke nënkuptuar se e mbrojnë atë për të siguruar jetesën. Nuk është agresioni i parë që ndërmerr ndaj tyre. Në 2022, i quajti “mbrojtës të bezdisshëm”, ndërsa gjatë kohës kur liberalizoi ndërtimin e hoteleve turistike brenda parqeve kombëtare (me ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura), në përpjekje për të paralizuar reagimin e tyre, u përpoq t’i frikësojë me këto fjalë: “na respektoni nëse doni që t’ju respektojmë…”.
Sido që këtë radhë u përpoq të tregohej disi më i moderuar, maska e dashamirësisë nuk arriti të mbulonte agresionin dhe cinizmin kronik për shoqërinë civile. Pavarësisht se të tilla qëndrime nuk janë vetëm opinionale dhe politike, pavarësisht se edhe e ashtuquajtura shoqëri civile vuan simptoma serioze, hipokrizia e një shoqërie nuk e rëndon ndërgjegjen e kryeministrit, por “përkushtimi” i kryeministrit për mjedisin natyror përbën një hipokrizi më vete që dëmton shoqërinë. Është i njëjti veprim, siç tentoi të bënte më parë Pirushi, që synon trasferimin e përgjegjësisë te tjetri; e njëjta taktikë sulmi që synon diskreditimin e kundërshtarit politik, për të zhveshur nga morali përpjekjen për mbrojtjen e natyrës në sytë e publikut.
Falë kësaj mendësie, ndonëse janë shtuar në hektarë, në dhjetë vite zonat e mbrojtura janë varfëruar në biodiversitet. Dy prej zonave me mbrojtjen më të lartë (Zonë Strikte), Pyjet e Gashit (Tropojë) dhe Bredhi i Kardhiqit (Gjirokastër) e kanë humbur statusin e mëparshëm. Impiantet e prodhimit të energjisë së rinovueshme janë lejuar të ndërtohen brenda Peizazhit të mbrojtur Pishë-Poro-Nartë, aty ku ndërtohet edhe i shumë kundërshtuari: Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës. Hotele turistike, krahas veprave të tjera infrastrukturore kanë siguruar mbështetje ligjore për t’u ndërtuar brenda parqeve kombëtare. Qindra hektarë habitatesh pishash mesdhetare, përgjatë vijës bregore, janë shkrumbuar nga zjarret. Vjosa që propagandohet si lumi i fundit i egër në Evropë, por që në të vërtetë është parku kombëtar i vetëm në letër në Evropë, përcjell çdo ditë, përmes shtratin të tij të gjerë të gjitha fekalet e Shqipërisë Jugore drejt Adriatikut.
Nuk ka të ardhme në këtë dhjetëvjetor për zonat e mbrojtura. Vitin e shkuar ndryshoi ligji për të lejuar zhvillimin. Sot kërkohet largimi i rojtarëve.
Një gjë është e sigurtë: zonat e mbrojtura mbrohen, nuk rivitalizohen; kanë nevojë për roje, jo për arkitektët e oborrit të kryeministrit dhe për burokratët e planifikimit urban. Shpesh, “rivitalizimet” e trashëgimisë na kushtojnë më shumë sesa të ardhurat që mund të fitohen.
Analisti politik, Sadri Ramabaja, vlerëson se procesi i bashkimit kombëtar Kosovë-Shqipëri do të përmbyllet në 10 vjetët e ardhshme.
“Gjasat reale janë që ky proces të përmbyllet brenda 10 vjetëshit që do të vjen. Në këtë drejtim jam shumë optimist”, u shpreh Ramabaja.
Ramabaja, në “Debat Plus” në Tv Dukagjini, u shpreh se bashkimi kombëtar nuk mund të shihet si përrallë, por si proces historik që do të ndodh.
“Bashkimin kombëtar më nuk mund ta shohim si përrallë, por duhet ta shohim si proces historik dhe bëhet çdo ditë nëse ne arrijmë ta forcojmë sigurinë, unitetin shpirtëror të kombit dhe objektivin për realizimin në një mënyrë a tjetër të këtij bashkimi kombëtar. Konsideroj se hapi i parë në këtë drejtim tashmë është hedhur – ndërtimi i rrugës së kombit është njëri ndër proceset me të rëndësishëm strategjike e ushtarake, e dyta komunikimi i denjë e i përditshëm i gjithë hapësirës shqiptare dhe përafrimit me njëri-tjetrin, abetarja e përbashkët dhe krijimi i paralajmëruar i njësisë ushtarake të dy republikave tona”, u shpreh Ramabaja.
Ramabaja, mes tjerash, u shpreh se nuk ka forcë politike që mund ta shmang nga vëmendja dhe interesi i kombit.
Tutje, ai u shpreh se tashmë janë bërë hapa konkret drejt bashkimit kombëtar.
“Çështja e bashkimit kombëtar nuk ka forcë politike që mund ta shmangë nga vëmendja dhe interesi i kombit. Por, as nuk ka individ që mund ta refuzojë, varësisht nga rrethanat politike ka mundur të ndryshojë konceptimin e atyre që kanë luftuar për këtë ideal ose strategjinë e këtij ideali. Por, mbetet ideal për aq kohë sa nuk arrihet dot ndërkaq procesi i shtet formimit komb shqiptar prej vitit 1912 deri në vitin 1925 ka kaluar disa faza dhe nëse i referohemi mendimit politik të Ukshin Hotit – Republika e Kosovës është një hap drejtë bashkimit kombëtar”.
“Çështja është se si të shkohet tutje, unë jam përpjekur që në një studim të gjatë federata shqiptare si kohezion në Unionin Evropian ta shoh si proces historik që do të mund të realizohej përmes funksionalizimit të plotë të Republikës së Kosovës. Po besoj shumë që në këto 3-4 vitet e fundit janë bërë hapa të mëdhenj në drejtim të realizimit të 2-3 hapave të rëndësishëm që e bëjnë një shtet solid dhe të njohur ndërkombëtarisht dhe solid – shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë hapësirën territoriale të tij dhe ruajtjen e integritet territorial të tij. Ajo që ka ndodhur me veriun e Kosovës është ndoshta hapi më historik pas vitit 2008 kur është shpall pavarësia e Kosovës – pasi është rrumbullakuar funksionalizimi i sigurisë së Republikës së Kosovës”, u shpreh Ramabaja.
Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se edicioni i tretë i Festivalit të Teatrit Shqiptar “MOISIU” po zhvillohet në Prishtinë nga data 22 deri më 27 nëntor.
Festivali, tashmë i konsoliduar si një nga ngjarjet më të rëndësishme teatrore në hapësirën shqiptare, mbledh në një skenë të vetme trupa dhe artistë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Ky edicion sjell një program të pasur artistik, ku prezantohen shfaqje, interpretime dhe krijime që reflektojnë nivel të lartë profesionalizmi dhe thellim të bashkëpunimit kulturor ndërmjet teatrove shqiptare, përcjell Telegrafi.
Organizatorët theksojnë se “MOISIU” synon të krijojë një platformë të qëndrueshme për shkëmbim artistik, zhvillim të praktikave teatrale dhe ngritje të standardeve në skenën kombëtare.
Teatri Kombëtar ka ftuar mediat që të ndjekin nga afër aktivitetet e festivalit, përfshirë shfaqjet, panelet, takimet me artistë dhe të gjitha ngjarjet shoqëruese, duke vlerësuar se prezenca e tyre është thelbësore për promovimin e artit dhe kulturës në vend.
Përveç programit zyrtar, organizatorët njoftojnë se çdo ditë nga ora 12:00, në bifenë e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, do të mbahen diskutime dhe kritika teatrore mbi shfaqjet konkurruese të edicionit të tretë të Festivalit “MOISIU”. /Telegrafi/