Verifikimi i pronave në Has dhe Kukës, publikohet regjistri fillestar
TIRANË, 24 janar/ATSH/ Faza e afishimit publik për regjistrimin fillestar të pronave po zhvillohet aktualisht në disa fshatra të qarqeve Has dhe Kukës, në kuadër të procesit të formalizimit dhe garantimit të të drejtës së pronësisë.
Për një periudhë 45-ditore, qytetarëve u janë vënë në dispozicion listat e pronave me sipërfaqet përkatëse dhe emrat e pronarëve të identifikuar, si edhe hartat kadastrale të zonave ku po kryhet regjistrimi.
Në këtë faze janë përfshirë fshati Kryemadh, zona kadastrale 2290, në bashkinë Kukës, njësia administrative Malzi, si edhe fshatrat Qarr, Cahan, Peraj dhe Metaliaj në Bashkinë Has, përkatësisht në zonat kadastrale 3085, 1349, 2910 dhe 2674, në njësitë administrative Golaj, Krumë dhe Fajzë.
Gjatë fazës së parë të regjistrimit fillestar, në bashkëpunim me banorët e zonave të përfshira, janë mbledhur dokumentet e disponueshme, është kryer evidentimi në terren dhe janë përpunuar materialet ligjore dhe hartografike, me qëllim garantimin e një procesi të drejtë, transparent dhe të besueshëm.
Kadastra fton banorët e zonave të përfshira të verifikojnë të dhënat e publikuara dhe, për çdo paqartësi, pretendim apo kërkesë për saktësim, të paraqesin kërkesë me shkrim pranë zyrave ku është kryer afishimi publik ose pranë Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Kukës.
Afishimi publik është vendosur në godinat e njësive administrative përkatëse, konkretisht në njësinë administrative Malzi në Shemri për zonën kadastrale Kryemadh, si dhe në godinat e njësive administrative Golaj, Krumë dhe Fajzë në bashkinë Has për zonat e tjera të përfshira në proces.
Pas përfundimit të regjistrimit fillestar, qytetarët do të kenë mundësi të regjistrojnë pronën dhe të pajisen me dokumentacionin përkatës përmes portalit zyrtar “e-Albania”.
/r.e/
The post Verifikimi i pronave në Has dhe Kukës, publikohet regjistri fillestar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
