Braho: Misioni i SPAK shkon përtej mandateve individuale
TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Klodian Braho mori sot zyrtarisht detyrën si drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Braho me një mandat tre vjeçar, zëvendëson në këtë detyrë Altin Dumanin.
Kreu i ri i SPAK, Klodian Braho nënvizoi se marrja e detyrës është një angazhim për të respektuar Kushtetutën, për të mbrojtur pavarësinë e SPAK dhe për të forcuar besimin e qytetarëve. Braho tha se “falë mbështetjes së ndërkombëtarëve, SPAK po përforcohet”.
“Falënderoj paraardhësin në detyrë z. Kraja për vendosjen e gurëve të parë në institucion për të marrë formën që ka sot si dhe z. Dumani për guximin dhe integritetin duke përforcuar figurën e SPAK. Fokusi im do të mbetet forcimin i funksionimit të brendshëm. Institucioni do të vazhdojë të komunikojë në mënyrë të qartë me median dhe publikun brenda kornizave ligjore. Misioni i SPAK shkon përtej mandateve individuale. Unë besoj se jemi një skuadër dhe duhet të punojmë krah për krah me përkushtim për zotimin tonë për respektimin Kushtetutës”, tha Braho.
Klodian Braho u zgjodh me drejtues i ri i SPAK, duke marrë 7 vota nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Përpara dorëzimit të stafetës te Braho, ish-kreu i SPAK, Dumani tha se sot mbyllet një kapitull që ka qenë ndër më sfiduesit në karrierën e tij 26 vjeçare si prokuror.
“Drejtimi i Prokurorisë së Posçame ka qenë një privilegj i madh, por edhe përgjegjësi e jashtëzakonshme. Në rrugën tonë jemi ndeshur me vendime të vështira, sfida institucionale dhe presione të mëdha. Në çdo hap kemi punuar me integritet, profesionalizëm dhe vendosmëri. Sot, e them me bindje se SPAK është më i fortë, më i konsoliduar dhe më i besueshëm se më parë”, tha Dumani.
“Këto arritje janë rezultat i punës së palodhur të të gjithëve, prokurorëve, oficerëve të BKH-së, hetuesve financiarë, ekspertëve, stafit administrativ, kabinetit dhe çdo punonjësi që ka kontribuar me ndershmëri dhe kurajo.
Ju falënderoj për përkushtimin dhe sakrificat. Ju shpreh mirënjohjen partnerëve tanë ndërkombëtare, të cilët kanë qenë krah nesh në çdo etapë me ekspertizë të pakushtëzuar. Kontributi i tyre ka qenë i çmuar për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe ndërtimin e standardeve që kemi sot. Një falënderim i veçantë për publikun shqiptar, besimi i tij ka qenë forca jonë më e madhe. I uroj shumë suksese z. Braho në detyrën e re dhe kam bindjen se ai do të mbështetet mbi trashëgiminë 6-vjeçare duke e çuar përpara misionin e SPAK me integritet e vendosmëri”, tha Dumani.
/e.i/a.f/
The post Braho: Misioni i SPAK shkon përtej mandateve individuale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.