Gjyqtarët duan rritje page, Rama i kundërshton, Lala: Nuk kërkojnë rritje, por…
Nëpërmjet një video në “Facebook”, kryeministri Edi Rama këtë të hënë rikthehu përsëri në vëmendje kërkesën e gjyqtarëve për të rritur pagat e tyre.
Lidhur me pagat e gjyqtarëve ka folur në emisionin “Opinion”, gazetarja Klodiana Lala e cila sqaroi pretendimet e aktorëve të drejtësisë lidhur me çështjen e pagave të tyre.
Lala shprehet se bazuar në një vendim të vitit 2016, paga e gjyqtarëve do të bazohej në rrogën e Drejtorit të Departamentit pranë Këshillit të Ministrave, shifër kjo që indeksohet.
“Në vitin 2016, sipas ligjit të kohës, qeveria shqiptare, më saktë Parlamenti, miratoi këtë ligj dhe referonte pagën e gjyqtarit tek Drejtori i Departamentit pranë Këshillit të Ministrave. Pra, thënë ndryshe për opinionin publik, do të referohej rroga e një gjyqtari tek rroga e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, zotit Engjëll Agaçi. Do të referohej aty, se pagat referohen, më pas indeksohen”, tha ajo.
Sakaq, gazetarja shprehet se në vitin 2023, ky vendim ndryshon, pasi referimi i pagave të gjyqtarëve bazohet tek ajo e Presidentit të Republikës.
“Çfarë ndodhi? Qeveria në vitin 2023 e ndryshoi referimin. Pra, i hoqi gjyqtarët nga referimi tek kjo pagë, të Drejtorit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, por i referoi me një kleçkë ligjore tek paga e Presidentit të Republikës, e cila në fakt në hierarkinë e pagave në Republikën e Shqipërisë, ëhstë paga më e lartë pas Guvernatorit të Shqipërisë”, tha ajo.
Por, edhe pse Presidenti i Republikës ka pagën më të lartë në shtet, ajo qëndron e pandryshueshme, gjë që ndikon tek rrogat e gjyqtarëve. Nga ana tjetër, Lala shprehet se gjyqtarët nuk kërkojnë rritje rroge, por referimin e pagës së tyre tek ajo e Sekretarit të Këshillit të Ministrave.
“Në pamje të parë, Presidenti i Republikës ka një pagë më të lartë se sa ajo që merr sot Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Por, e di çfarë ndodh në rastin e pagës së Presidentit? Paga e Presidentit nuk ndryshon, çka do të thotë se përgjithmonë paga e gjyqtarit të Republikës së Shqipërisë nuk ndryshon.
Gjyqtarët nuk kërkojnë rritje rroge, por i thonë qeverisë do na kthesh, të naa referosh tek ajo që në fakt ti vetë e ke miratuar”, u shpreh Lala.




