Të mërkurën, 17 Dhjetor Kuvendi i ka mohuar anëtarëve të Këshillit të Mandateve dosjen e plotë të prokurorisë për Zv. Kryeministren Belinda Balluku. Ekspertët e cilësojnë një vendim absurd, pasi “sekreti hetimor” nënkupton që dosja të mos bëhet publike, por jo t’i mohoet Këshillit të Mandatave që do shqyrtojë kërkesën për heqjen e imunitetit.
SPAK-ut iu mohua “masa e zbutur” ndaj Ballukut, çfarë ndodh më pas?
SPAK (Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë një kërkesë zyrtare për heqjen e imunitetit të zv. Kryeministres Belinda Balluku me qëllim që të autorizohet masa e ndalimit.
Avokati dhe drejtuesi i qendrës ligjore “ResPublica”, Dorian Matlija shpjegon për Citizens se arresti është hapi fundit që duhet konsumuar, pasi fillimisht duhet të procedohet me masa më të zbutura, që të arrihet qëllimi. Ai sjell në vëmendje njëjtë edhe rastin e ish – kryeministrit Berisha ku e njëjta nuk u procedua me arrest.
“Ka qenë i kritikueshëm arresti që në fillim, si me Veliajn ose me Metën. Ka njerëz që po shkojnë në gjyq në gjendje të lirë, si Fatmir Mediu, nuk është fare me masë sigurie” – analizon Matlija.
Vendimi i SPAK vjen menjëherë pas atij të datës 12 Dhjetor, ku Gjykata Kushtetuese me shumicë votash vendosi të pranojë ankimin e Kryeministrit Rama duke rikthyer, të paktën përkohësisht, në detyrë zëvendës kryeministren Belinda Balluku.
Matlija pohon se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është në mosdakordësi me atë të SPAK. Sipas tij Prokuroria kërkoi një masë më të butë, siç ishte pezullimi fillimisht, pro ngaqë kjo masë u hodh poshtë nga Gjykata, atëherë ju desh të kërkonte një masë të dytë, heqjen e imunitetit.
“Nëse nuk do ndërhynte Gjykata Kushtetuese ata nuk do kërkonin masë tjetër. Fakti që janë pa masë fare dhe pezullimin nga detyra nuk e marrin dot, mund të procedojnë me arrestin e shtëpisë përshembull” – thotë Matlija.
Edi Rama sulmoi drejtësinë e re duke e cilësuar vendimin e SPAK, i cili mban firmën e ish – drejtuesit të SPAK Altin Dumanit, si një “fakt i turpshëm, pa asnjë lidhje me standardet demokratike evropiane”.
Në kuadër të procedimit penal nr.136 Balluku, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë, po hetohet për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” për Tunelin e Llogarasë. Gjithashtu ajo po hetohet për të njëjtën vepër penale për manipulime një sërë tenderash në disa lote të Unazës së Madhe.
Mohimi i informacionit
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin teorikisht duhet të shqyrtojë kërkesën e SPAK më 19 dhjetor 2025 përpara se çështja të shkojë për votim në seancë plenare të Kuvendit. Ky këshill nuk voton, por brenda dy javësh përgatit një raport këshillues ku rekomandon miratimin ose rrëzimin e kërkesës së SPAK për arrest në burg ose në shtëpi për Belinda Ballukun, dhe këtë raport ia dërgon Kuvendit, i cili vendos me votim të hapur në seancë plenare.
Por të mërkurën, 17 Dhjetor kreyparlamentari Niko Peleshi nuk u dha anëtarëve të Këshillit të Mandateve materialet e SPAK për Belinda Ballukun, pasi e ka cilësuar informacion si “sekret hetimor”.
“Bëjnë keqkuptime me qëllim! Siç e merr kryetari i Kuvendit, nuk publikohet, por ja kalon Komisionit përkatës, që përgatit edhe raportin. Pa u informuar nga ky material si do e vlerësoj Komisioni përkatës?” – analizon Matlija
Ndërkohë, të enjten në Gjykatën e Posaçme të Apelit pritet të zhvillohet një seancë ku do të shqyrtohet kërkesa e Belinda Ballukut, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi për të hequr në mënyrë të përhershme masat e sigurisë që u janë vendosur më parë nga Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë në kuadër të procedimit penal ndaj tyre.
Ndërsa vetë zv. kryeministria Balluku nuk ka bërë asnjë postim në rrjetet e saj sociale që prej datës 19 Nëntor. Më 31 Tetor 2025, pas daljes nga zyrat e SPAK vetë Balluku komentoi se ishte shpresëplotë se procesi do të jetë i bazuar mbi transparencë dhe mbi parimet e drejtësisë tek e cila beson.
Balluku dhe disa ish-drejtues të ARRSH-së u akuzuan se kanë manipuluar dy tendera të mëdhenj (Tuneli i Llogarasë dhe Unaza e Jashtme e Tiranës), me vlerë 210 milionë euro, për të favorizuar kompani të caktuara, dhe për këtë arsye GJKKO e pezulloi atë nga detyra më 20 nëntor.
Lexoni gjithashtu:
The post “Sekret hetimor” apo bllokim politik? Kuvendi mohon dosjen e SPAK për Ballukun appeared first on Citizens.al.