TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Projektligji i ri “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje” synon të modernizojë kuadrin ligjor dhe të adresojë format e reja të dhunës me bazë gjinore, duke kaluar nga një qasje e kufizuar te dhuna brenda familjes, drejt një sistemi gjithëpërfshirës parandalimi, mbrojtjeje dhe ndërhyrjeje.
Etleva Sheshi, drejtoreshë për Barazinë Gjinore pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, shprehet në një intervistë për ATSh-në se “ligji aktual i vitit 2006 vlerësohet si një hap i rëndësishëm që krijoi mekanizma bazë, si urdhrat e mbrojtjes dhe ndërhyrjen e shtetit, por zhvillimet e dy dekadave të fundit kanë nxjerrë në pah nevojën për një kuadër të ri më të gjerë dhe më efektiv”.
“Ligji “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje” lidhet direkt me Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021-2030, Programin e Qeverisë 2025-2030 si dhe me zbatimin e rekomandimeve që Komitetet e ekspertëve të Konventave CEDAW dhe Konventës së Stambollit kanë dhënë për shtetin shqiptar. Ligji i ri shënon një ndryshim thelbësor në trajtimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, duke kaluar nga një qasje e kufizuar te dhuna brenda familjes, në një kuadër gjithëpërfshirës për parandalimin, mbrojtjen dhe eliminimin e të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore, në sferën private, publike dhe në mjedisin digjital”, tha Sheshi.
Sipas Sheshit, për herë të parë, dhuna ndaj grave njihet si shkelje e të drejtave të njeriut dhe formë diskriminimi, e lidhur me pabarazitë strukturore gjinore.
“Ligji vendos në qendër mbrojtjen e menjëhershme të viktimës, me fokus të veçantë te gratë, vajzat, fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara. Ky kuadër i ri ligjor synon jo vetëm reagimin ndaj dhunës, por parandalimin e saj dhe ndërtimin e një sistemi të integruar mbrojtjeje, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe realitetin bashkëkohor”, vijoi ajo.
Ligji vendos në qendër mbrojtjen e menjëhershme të viktimës dhe parashikon risi procedurale që e bëjnë mbrojtjen më të aksesueshme. Ndër to, Sheshi shprehet se dallon krijimi i urdhrit paraprak të Policisë, i cili mundëson masa të menjëhershme, si largimin e autorit nga banesa, ndalimin e kontaktit, strehimin emergjent dhe sekuestrim të armëve. Gjithashtu, vendoset një proces i vazhdueshëm vlerësimi të rrezikut, që udhëheq vendimmarrjen e gjykatave dhe përditësimin e masave mbrojtëse.
“Një risi thelbësore është institucionalizimi i një procesi të strukturuar të vlerësimit të rrezikut dhe indikatorëve të rrezikut të lartë, të cilët përdoren për të orientuar vendimmarrjen e gjykatës (p.sh. përsëritja, përdorimi i armëve, kontrolli ekstrem, përndjekja, abuzimi me autoritetin, rreziqet për fëmijët, varësia ekonomike, shtatzënia, aftësia e kufizuar). Ky vlerësim nuk është formal, ai rishikohet në vijimësi dhe shërben për përditësimin e masave mbrojtëse”, theksoi Sheshi.
Drejtoresha për Barazinë Gjinore pranë MShMS-së, nënvizon se ligji rikoncepton qasjen në drejtësi duke krijuar një sistem më të shpejtë dhe më efektiv të urdhrave të mbrojtjes.
“Për herë të parë, masat mbrojtëse nuk kufizohen vetëm te dhuna në familje, por zbatohen edhe për dhunën e lehtësuar nga teknologjia, dhunën ndaj grave në politikë dhe proceset zgjedhore, si dhe dhunën dhe ngacmimin seksual”, cilëson ajo.
Sipas Sheshit, ligji përcakton se autoriteti kryesor përgjegjës për zbatimin e ligjit është Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
“Autoriteti kryesor përgjegjës ushtron rol drejtues, koordinues dhe monitorues në bashkërendim me autoritetet përgjegjëse të linjës: Të gjitha ministritë dhe institucionet e tjetra të administratës publike në nivel qendror sipas kompetencave dhe fushës së përgjegjësisë dhe institucionet e tyre të varësisë; njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe subjekte me rëndësi në zbatimin e këtij ligji janë Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokati i Popullit, organizatat jofitimprurëse të cilat ushtrojnë veprimtari në fushën e luftës ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje; profesionet e lira dhe urdhrat e psikologut dhe të punojësit social, media dhe subjektet private sipas detyrave të përcaktuara për zbatimin e këtij ligji”, tha Sheshi.
Ndër sfidat e zbatimit të këtij ligji, Sheshi konsideron parandalimin dhe luftën ndaj formave të dhunës së lehtësuar nga teknologjia.
“Kjo jo vetëm se për herë të parë përfshihet si formë e re dhune, por gjithashtu kërkon ngritje dhe forcim të mekanizmave të specializuar për ta ndjekur, por edhe përgjigje sa më të shpejtë ndaj saj për vetë faktin se pasojat që kjo lloj dhune lë, janë më afatgjata”, pohoi ajo.
Në perspektivë afatgjatë, projektligji synon të forcojë sigurinë, dinjitetin dhe rolin e grave në shoqërinë shqiptare, duke vendosur themele të forta për një shoqëri ku dhuna nuk tolerohet dhe mbrojtja e viktimave garantohet përmes mekanizmave konkretë ligjorë dhe institucionalë.
/e.i/r.e/
The post Sheshi për ATSH: Ligji i ri, mbrojtje ndaj të gjitha formave të dhunës gjinore, sistem më efektiv i urdhrave të mbrojtjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.