BRUKSEL – Komisioneri evropian i Italisë nën kritika për pjesëmarrjen në një aktivitet zgjedhor në Slloveni
BRUKSEL, 5 shkurt /ATSH/- Komisioneri Evropian i Italisë, Raffaele Fitto, po përballet me kritika për pjesëmarrjen në një aktivitet fushate për udhëheqësin e opozitës sllovene, Janez Janša, në Slloveni, sipas “Euractiv”.
Fitto, një nënkryetar ekzekutiv i Komisionit Europian, qëndroi përkrah Janšas në Lubjanë në një aktivitet të organizuar nga Partia Popullore Evropiane – forca dominuese e qendrës së djathtë – që kontrollon pjesën më të madhe të hartimit të politikave të BE-së – dhe në të cilën partia e Janšas është anëtare.
Janša po bën fushatë për t’u rikthyer në pushtet përpara zgjedhjeve të Sllovenisë më 22 mars.
Eurodeputetët nga grupe të ndryshme politike kanë mbërritur në Lubjanë këtë javë – për të treguar mbështetjeje politike për aleatët e tyre përkatës përpara votimit.
Fitto mbikëqyr financimin rajonal të BE-së dhe është anëtar i partisë kombëtare konservatore të Giorgia Meloni, “Fratelli d’Italia” – pjesë e familjes politike ECR dhe për këtë arsye e dallueshme nga PPE-ja.
“Ne konsiderojmë se kjo është në shkelje të plotë të kodit të sjelljes së komisionerëve”, tha Catherine Martens-Preiss, zëdhënëse e eurodeputetes kryesore të grupit politik liberal, pro-evropian, “Renew Europe”, Valérie Hayer.
Andrius Kubilius, komisioneri i Lituanisë, portofoli i të cilit në BE mbulon mbrojtjen dhe hapësirën, gjithashtu mori pjesë në eventin e PPE-së.
“Ekziston rreziku i minimit të besueshmërisë së Komisionit si një institucion neutral dhe i paanshëm që i shërben interesave të Bashkimit në tërësi”, tha një zëdhënës i S&D. //a.i/
The post BRUKSEL – Komisioneri evropian i Italisë nën kritika për pjesëmarrjen në një aktivitet zgjedhor në Slloveni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.