Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Si votuan Franco Foda dhe Amir Rrahmani për “The Best FIFA 2025”

16 December 2025 at 20:39


Franco Foda dhe Amir Rrahmani kanë dhënë votat e tij për çmimet “The Best FIFA 2025”, për “Lojtarin më të mirë”, “Trajnerin më të mirë” dhe “Portierin më të mirë”.

Osumane Dembélé u shpall “Futbollisti më i mirë”, Luis Enrique u shpall “Trajneri më i mirë”, ndërsa Gianluigi Donnarumma u shpall “Portieri më i mirë”.

Timonieri ynë, Franco Foda për “Lojtarin më të mirë”, i ka dhënë pikët maksimale, 5 pikë, sulmuesit të PSG-së, Ousmane Dembélé. Me 3 pikë është votuar Lamine Yamal, ndërsa një pikë ka shkuar për Harry Kane.

Sa i përket homologëve të tij, Foda me 5 pikë e ka vlerësuar Luis Enriquen. Hansi Flick ka marrë 3 pikë, ndërsa Mikel Arteta ka marrë 1 pikë.

Foda ka votuar edhe për “Portierin e Vitit”, ku Gianluigi Donnarumma ka marrë 5 pikë nga ai. Manuel Neuer ka marrë 3 pikë, ndërsa Thibaut Courtois ka marrë 1 pikë.

Edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka dhënë votat e tij për çmimet “The Best FIFA 2025”, për “Lojtarin më të mirë”, “Trajnerin më të mirë” dhe “Portierin më të mirë”.

Sa i përket votave për “Lojtarin më të mirë”, mbrojtësi i Napolit i ka dhënë 5 pikë Ousmane Dembélé, ndërsa 3 pikë kanë shkuar për Kylian Mbappé. Me 1 pikë është votuar Lamine Yamal.

Nga ana tjetër, për votat për “Trajnerin më të mirë”, Amir Rrahmani pikët maksimale (5) ia ka dhënë Luis Enriques. Për Hansi Flick kanë shkuar 3 pikë, ndërsa për Enzo Maresca ka shkuar 1 pikë.

Sa i përket çmimit për “Portierin e vitit”, Rrahmani me pikët maksimale e ka vlerësuar Thibaut Courtois. Gianluigi Donnarumma ka marrë 3 pikë, ndërsa Manuel Neuer ka marrë 1 pikë.

Sa i përket gazetarëve, këtë vit nga Kosova ka votuar gazetari i Telegrafit, Lavdim Pireva.

Në çmimet “The Best” u shpallën edhe fitues të tjerë, të cilët mund t’i gjeni këtu. /Telegrafi/

A është Fisnik Asllani i gatshëm të luajë te Bayern Munich dhe Borussia Dortmund - përzgjedhësi Franco Foda jep mendimin e tij

4 December 2025 at 23:32


Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka zhvilluar një intervistë për Sky Sports përpara Shtëpisë së Bardhë, ku të premten nga ora 18:00 do të mbahet ceremonia e shortit për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Ai u pyet për Fisnik Asllanin, ku përzgjedhësi ynë theksoi se talenti i tij meriton të luajë në një nga klubet më të mëdha gjermane, si Bayern Munich ose Borussia Dortmund.

“Ka shumë klube për verën e ardhshme. Ai mund të largohet nga Hoffenheimi për shkak të klauzolës së lirimit dhe tashmë ka raportime për interesimin e Bayernit dhe Dortmundit. Ai duhet ta vlerësojë vetë, por për mua ai është një lojtar shumë i rëndësishëm”.

“Ka cilësi të jashtëzakonshme në zonë, në hapësira të ngushta dhe është shumë inteligjent. Ai i shfrytëzon shpejt hapësirat në zonën e penalltisë dhe shënon gola. Ai është teknikisht shumë i aftë dhe mbi të gjitha shumë i rëndësishëm për një ekip”.

“Ai absolutisht duhet të jetë në njërin prej atyre klubeve. Nuk i di diskutimet e tij, por di vetëm cilësitë e tij dhe për këtë arsye ishte kaq i rëndësishëm ta bindnim se duhej të luante për Kosovën”, ka thënë Foda.

Asllani ka tërhequr edhe vëmendjen e shumë klubeve të mëdha, në mesin e tyre edhe Barcelonës. /Telegrafi/

“Kosova ka gjasat e saj, por duhet të luajmë dy ndeshje të forta” - Franco Foda flet nga SHBA-të para shortit

4 December 2025 at 21:27


Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka zhvilluar një intervistë të gjatë të enjten për Sky Sports përpara Shtëpisë së Bardhë në Washington, ku të premten nga ora 18:00 do të mbahet ceremonia e shortit për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Tekniku gjerman ka folur fillimisht për prezencën e tij në SHBA, duke theksuar se Kosova dhe ekipet e tjera pjesëmarrëse në play-off për kualifikim kanë ende mundësi reale për të arritur në Kampionatin Botëror.

Foda ka shtuar se pjesëmarrja në short jep një ndjesi të veçantë, sikur të ishe tashmë pjesë e turneut, por ka pranuar se Kosova ka ende rrugë për të bërë për t’u kualifikuar historikisht.

Kombëtarja e Kosovës do të luajë në gjysmëfinale të play-offit, më 26 mars, kundër Sllovakisë në Bratislavë.

Nëse fitojnë, më 31 mars do të presin fituesin e duelit Turqi – Rumani. Një fitore edhe në atë ndeshje do t’i çonte “Dardanët” për herë të parë në Kupën e Botës.

“Kur je pjesëmarrës në një short ke ndjesinë se je në Kupën e Botës, edhe pse nuk jemi zyrtarisht ende, duhet të luajmë dy ndeshje kualifikuese, por a mund t’i fitojmë ato? Nëse kualifikohemi do të ishte e mrekullueshme”, tha Foda.

Trajneri gjerman do të jetë i pranishëm në short së bashku me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Foda ka theksuar se Kosova ka zhvilluar një kampanjë kualifikuese të mirë dhe ka përmendur rëndësinë e disa lojtarëve të rinj si Fisnik Asllani dhe Albian Hajdari, të cilët kanë kontribuar ndjeshëm në ngritjen e nivelit të ekipit.

“Kemi disa prurje të reja në muajt e fundit. Nuk duhet ta harrojmë Fisnik Asllanin dhe gjithashtu Albian Hajdarin, që janë lojtarë të Hoffenheimit. Ata pa dyshim e kanë bërë ekipin tonë shumë më të mirë. Dhe, po, kemi ekuilibër të mirë ndërmjet lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë. Kemi punuar shumë në muajt e fundit, kemi një strukturë të mirë brenda ekipit dhe do të thosha se kemi mposhtur disa shtete të mira si Suedia, Sllovenia dhe Islanda. Jemi në rrugën e duhur dhe tani na duhet të bëjmë dy hapat e fundit për t’u kualifikuar në Botëror”, shtoi Foda.

Ai shprehet i bindur se Kosova ka pjekuri dhe vetëbesim për t’u përballur me këto sfida, por me respekt ndaj rivalëve.

“Në të dyja ndeshjet mendoj se gjasat janë të barabarta, 50 me 50. Ndeshjen e parë e luajmë jashtë fushës kundër Sllovakisë, e cila fitoi në shtëpi ndaj Gjermanisë 2-0. Sigurisht që nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por nëse duam të shkojmë në Kupën e Botës, duhet t’i fitojmë të dyja ndeshjet. Nëse mposhtim Sllovakinë, për fat të mirë do të kemi një ndeshje në shtëpi dhe pastaj do të përballemi ose me Turqinë ose me Rumaninë, gjithashtu jo ndeshje e lehtë. Por siç thashë, jemi në formë të mirë për momentin, kemi shumë më tepër vetëbesim dhe sigurisht që jemi të bindur se mund t’i mposhtim këto ekipe dhe të kualifikohemi për ngjarjen më të madhe të futbollit”, deklaroi timonieri i Kosovës.

Foda gjithashtu shprehu kënaqësinë për kualifikimin e Austrisë në Botëror, ekip që ai ka drejtuar me sukses nga viti 2017 deri në 2022, duke marrë pjesë edhe në Kampionatin Evropian 2021.

Tekniku gjerman foli edhe për favoritët për të fituar Botërorin, duke përmendur Spanjën, Argjentinën, Gjermaninë dhe Anglinë, si ekipe që luftojnë gjithmonë deri në fund. /Telegrafi/

Agim Ademi dhe Franco Foda mbërrijnë në Amerikë për shortin e Kupës së Botës 2026

4 December 2025 at 18:39


Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Agim Ademi dhe përzgjedhësi i ‘Dardanëve’, Franco Foda, kanë mbërritur në Amerikë para hedhjes së shortit për Kupën e Botës 2026.

Shorti për Kupën e Botës 2026 do të mbahet nesër (e premte) në Uashington me fillim nga ora 18:00.

Kujtojmë se Kosova tashmë ka siguruar kualifikimin historik në ‘play-off’-in që do të zhvillohet gjatë muajit mars, ku si kundërshtar do ta ketë fillimisht Sllovakinë dhe nëse e kalon atë, fituesin e ndeshjes Turqi/Rumani në finale.

Njoftimi i plotë nga Agim Ademi:

Në Washington D.C. pranë Shtëpisë së Bardhë

Së bashku me përzgjedhësin Franco Foda, realizuam këtë fotografi në afërsi të Shtëpisë së Bardhë, një simbol i demokracisë dhe mbështetjes historike për popullin e Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

Në Washington D.C. ndodhemi për shortin e Kupës së Botës 2026, ku Kosova për herë të parë bëhet pjesë e shortit. Një moment historik për futbollin dhe për vendin tonë.

Jemi të vetëdijshëm se para nesh janë edhe dy sfida të vështira në “play-off” që ta bëjmë realitet ëndrrën e kualifikimit, por besimi dhe përkushtimi ynë janë të palëkundur.

Të bashkuar për sukses, me besim në Dardanët tanë!

“Do të luani apo të largoheni nga fusha”, përzgjedhësi i Rumanisë tregon si e provokoi Franco Fodan

21 November 2025 at 20:08


Përzgjedhësi i Rumanisë Mircea Lucescu thotë se e ka pyetur Franco Fodan nëse Kosova do të luajë deri në fund, në rast që dy kombëtaret përballen për finalen e play-offit të Kampionatit Botëror 2026.

Rumania është mysafir i Turqisë në gjysmëfinale, ndërsa Kosova do të udhëtojë për përballjen me Sllovakinë, që lë të hapur mundësinë e një ndeshje tjetër në “Fadil Vokrri”.

Pas tërheqjes së shortit, Lucescu deklaroi se Foda i ka uruar suksese e ndër të tjera i ka treguar se i preferon ata para Turqisë në Prishtinë.

“Foda më uroi sukses dhe më tha se do të donte që ne të kualifikohemi dhe të luajmë në finale me ta, në Kosovë”.

“I thashë kështu: “Shpresoj që do të luani deri në fund kësaj here. Ose, a do të largoheni nga fusha sërish? Ai nuk më tha asgjë, dukej thjesht i argëtuar”, deklaroi ai, raporton “golazo.ro”.

Lucescu iu ka referuar ndeshjes së famshme të 24 nëntorit, ku Kosova u largua nga fusha shkaku i thirrjeve të shumta “Serbia, Serbia”. FIFA pastaj i dha të drejtë rumunëve, duke i dhënë fitore në tavolinë me rezultat 3-0./Telegrafi

“Play-off”-i Botërorit, trajneri i Kosovës: Ekipi ka fituar vetëbesim

20 November 2025 at 20:25

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda, ka komentuar shortin e fazës së “play-off”-it për kualifikimin në Kupën e Botës 2026, ku Dardanët më 26 mars do të përballen me Sllovakinë në Bratislavë.

Foda ka vlerësuar lart kundërshtarin, por thekson se Kosova tashmë ka fituar vetëbesim dhe është gati për sfidën.

“Ndeshja e parë është si mysafir i Sllovakisë. Sllovakia ka një ekip shumë të mirë. Ata fituan kundër Gjermanisë (2-0), por bazuar në rezultatet tona, kemi fituar si mysafirë në Suedi, Slloveni dhe gjithashtu kundër Islandës. Ekipi tani ka shumë vetëbesim dhe do të jetë një ndeshje e barabartë”, u shpreh Foda.

Ai shtoi se fokusimi maksimal duhet të jetë në sfidën e parë.

“Nëse fitojmë këtë ndeshje, pastaj kemi një ndeshje në shtëpi ku mund të vendosim gjithçka, por siç e thashë, ndeshja më e rëndësishme është ndeshja e parë në Sllovaki, dhe pastaj të shohim më tej”, shtoi Foda.

Në rast fitoreje ndaj Sllovakisë, Kosova do të luajë finalen e “play-off”-it në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku kundërshtari do të jetë fituesi i takimit Turqi-Rumani./rtsh/

The post “Play-off”-i Botërorit, trajneri i Kosovës: Ekipi ka fituar vetëbesim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova në playoff përballë Sllovakisë, tranjeri Foda: Sfidë e barabartë

By: redi
20 November 2025 at 20:21

Kosova në gjysmëfinalen e playoffit për Botërorin 2026 do të luajë ndaj Sllovakisë dhe nëse do të fitojë këtë ndeshje në finale do të luajë me fituesen e sfidës Turqi-Rumani. Trajneri Franco Foda për kanalet zyrtar të Federatës së Futbollit të Kosovës foli për këtë përballje duke e cilësuar të barabartë. ”Ndeshja e parë është në transfertë ndaj Sllovakisë-tha Foda-Sllovakia është një skuadër…

Source

“Do të jetë e barabartë”, Franco Foda optimist para përballjes me Sllovakinë

20 November 2025 at 15:54


Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës Franco Foda është shprehur optimist para përballjes me Sllovakinë.

Kosova do të jetë myasfir i Sllovakisë në play-offin e Kampionatit Botëror 2026, ndërsa në finale do të takohet me fituesin e takimit Turqi – Rumani.

Për faqen zyrtare të FFK-së, Foda deklaroi se do të jetë sfidë shumë e barabartë.

“Ndeshja e parë është si mysafir i Sllovakisë. Sllovakia ka një ekip shumë të mirë. Fituan ndaj Gjermanisë në shtëpi me rezultat 2-0”.

“Por, barazuar në rezultatet e fundit, shënuam fitore në Suedi dhe Slloveni edhe gjithashtu kundër Islandës si mysafir. Ekipi tani ka shumë vetëbesim dhe do të jetë ndeshje shumë e barabartë”.

Foda ndër të tjera shtoi se tërë fokusi do të jetë Sllovakia e pastaj mund të fokusohen për finalen që mund të zhvillohet në Prishtinë.

“Nëse e fitojmë këtë ndeshje, pastaj kemi një ndeshje në shtëpi ku mund të vendosim gjithçka. Por, siç e thashë ndeshja më e rëndësishme është e para në Sllovaki dhe pastaj të shohim më tej”, deklaroi ai.

Kujtojmë, përballja e parë mes Sllovakisë dhe Kosovës zhvillohet më 26 nëntor, ndërsa më 31 dhjetor finalja e madhe gjithnjë nëse “Dardanët” mbërrijnë aty./Telegrafi/

Franco Foda, përzgjedhësi i Kosovës, që dy herë arriti objektivat – tani ëndrra, shihemi në mars

19 November 2025 at 01:24


Që nga ardhja e tij në krye të Kombëtares së Kosovës më 17 shkurt 2024, Franco Foda ka arritur dy objektiva të rëndësishme me Dardanët.

Së pari, ai e ngjiti Kosovën nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve, duke udhëhequr skuadrën në një ecuri fantastike me gjashtë fitore dhe dy humbje në tetë ndeshje zyrtare (njëra me rezultat zyrtar, pasi deri në minutën e 90-të ishte 0-0).

Dardanët mposhtën dy herë Qipron, dy herë Lituaninë dhe dy herë Islandën (play-off), ndërsa humbjet ndaj Rumanisë, e para e rëndë, pasi u gjunjëzuam 3-0 në shtë, pastaj ajo zyrtare, pasi në fushë Kosova dominoi.

 telegrafi.com

Me 15 gola të shënuar dhe vetëm 6 të pranuar, Kosova tregoi forcë dhe konsistencë nën drejtimin e trajnerit gjerman Foda, duke u ngjitur pas fitoreve spektkolare ndaj Islandës në Ligën B.

Standings provided by Sofascore


Objektivi i dytë i Fodas erdhi në kualifikimet për Kampionatin Botëror. Dardanët ishin në një grup shumë të vështirë me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.

Kosova përfundoi vendin e dytë në grup, duke siguruar biletën për play-off. Në gjashtë ndeshjet e zhvilluara, Dardanët regjistruan tre fitore, dy barazime dhe një humbje, duke arritur 11 pikë të mjaftueshme për të vazhduar rrugën drejt Botërorit.

Foda telegrafi.com

Rezultatet më të spikatura përfshijnë fitoret ndaj Suedisë 2-0 në Prishtinë dhe 0-1 në Stokholm, si dhe 0-2 si mysafire ndaj Sllovenisë. Barazimi pa gola në Prishtinë kundër Sllovenisë dhe barazimi 1-1 ndaj Zvicrës treguan stabilitet dhe organizim të fortë të skuadrës.

Standings provided by Sofascore

Foda e ka fituar një herë play-offin dhe tani synon të përsërisë suksesin në mars, me besim të plotë te ekipi i tij. Nën drejtimin e tij, Kosova ka treguar një rrugë të qartë përpara dhe aspirata për Kupa e Botës mbetet ëndrra më e madhe.

Ai ka 9 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje (një në tavolinë) në ndeshjet zyrtare, rezultate fantastike deri tani.

Me një trajner që di të udhëheqë skuadrën drejt objektivave, Dardanët mbeten të gatshëm për sfidat e ardhshme dhe për të treguar se ky ekip vetëm po ecën përpara. /Telegrafi/

Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Zvicrës – Foda me disa ndryshime të detyrueshme

18 November 2025 at 12:50


Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, pritet t’i bëjë së paku tri ndryshime në formacion në ndeshjen ndaj Zvicrës, për dallim nga ekipi që luajti në fitoren e madhe kundër Sllovenisë.

Dardanët janë nikoqir të Helvetikëve në takimin e fundit të Grupit B, i cili pritet të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri nga ora 20:45.

Ekipi i Fodas ka mundësi kualifikimi nëse fiton me gjashtë gola dallim, por një gjë duket e pamundur së paku në letër.

Kështu, trajneri gjerman ka vendosur t’i “ruajë” disa futbollistë që rrezikojnë të ndëshkohet me karton të verdhë dhe të mungojnë në ndeshjet e ‘play-off’-it.

Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu janë dy lojtarët që do t’i mungojnë Kosovës në këtë ndeshje pasi janë lënë në tribunë, teksa edhe Lumbardh Dellova pritet të fillojë ndeshjen nga bankina shkaku i rrezikut për t’u ndëshkuar.

Telegrafi mëson se këta lojtarë pritet të përbejnë tri ndryshimet e vetme në formacionin e Kosovës ndaj Zvicrës, me përzgjedhësin Foda që pritet t’i besojë përsëri rreshtimit dhe skemave të tij.

Në vendin e Hajdarit pritet ta marrë Fidan Aliti, ndërsa vendin e Dellovës pritet ta marrë Ilir Krasniqi, i cili gjithashtu ka luajtur disa ndeshje të mira në këto kualifikuese.

Krasniqi dhe Aliti nga minuta e parë

Në anën tjetër, në vend të Avdullahut pritet të luajë Veldin Hoxha përsëri nga minuta e parë, pasi shihet në avantazh ndaj Valon Berishës për partner të Elvis Rexhbecajt.

Në porta nga minuta e parë do të rikthehet Arijanet Muric, i cili do ta marrë vendin e Amir Saipit, teksa përveç Krasniqit dhe Alitit, në mbrojtje do të jenë edhe kapiteni Amir Rrahmanit në qendër dhe Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni nga krahët.

Në mesfushë përveç dyshes Hoxha-Rexhbecaj do të jetë edhe Florent Muslija, ndërsa dyshja e sulmit nuk pritet të ndryshohet dhe të jetë ajo me Vedat Muriqin dhe Fisnik Asllanin.

Formacioni i mundshëm i Kosovës

Muric; Vojvoda, Krasniqi, Rrahmani, Aliti, Gallapeni; Hoxha, Rexhbecaj, Muslija; Muriqi, Asllani;

/Telegrafi/

Lista e ndeshjes ndaj Zvicrës, Foda lë dy yjet e mëdhenj në tribunë

18 November 2025 at 09:18


Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka zgjedhur 23 futbollistët që do të jenë në protokoll për ndeshjen e sotme (e martë) ndaj Zvicrës.

Dardanët janë nikoqir të Helvetikëve në takimin e fundit të Grupit B, i cili pritet të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri nga ora 20:45.

Ekipi i Fodas ka mundësi kualifikimi nëse fiton me rezultat të thellë 6-0, por një gjë duket e pamundur së paku në letër.

Kështu, trajneri gjerman ka vendosur t’i “ruajë” disa futbollistë që rrezikojnë të ndëshkohet me karton të verdhë dhe të mungojnë në ndeshjet e ‘play-off’-it.

Sipas përditësimit të fundit nga faqja zyrtare e UEFA-s, dy yjet titullarë si Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari nuk janë në listën e ndeshjes ndaj Zvicrës dhe arsyeja e vetme është që rrezikojnë të mungojnë nëse marrin edhe një karton.

Në vend të këtyre dy lojtarëve në listë janë rikthyer Lindon Emërllahu dhe Baton Zabërgja, të cilët nuk ishin në ndeshjen ndaj Sllovenisë.

Përveç Avdullahut dhe Hajdarit, edhe tre tjerë nuk janë pjesë e listës. Faton Maloku ia lë vendin Arijanet Muricit të rikthyer nga suspendimi, teksa Leard Sadriu dhe Meriton Korenica mbesin në tribunë edhe për këtë ndeshje. /Telegrafi/




Katër yje rrezikojnë ta humbasin gjysmëfinalen e play-offit nëse ndëshkohen ndaj Zvicrës

17 November 2025 at 19:25


Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë përballjen e vështirë ndaj Zvicrës në shtëpi të martën, në kuadër të ndeshjes së fundit kualifikuese për Kupën e Botës.

“Dardanët” e kanë siguruar tashmë vendin për play-offin e Botërorit, mirëpo mund të kualifikohen direkt nëse ndodhë ndonjë mrekulli, pra një fitore me gjashtë gola diferencë.

Sidoqoftë, përzgjedhësi Franco Foda duhet të ketë kujdes pasi mund të mbetet pa disa nga yjet kryesorë në play-off, meqenëse katër lojtarë kanë nga një karton të verdhë në këto kualifikuese dhe nëse ‘zverdhën’ nesër atëherë do ta humbasin së paku gjysmëfinalen.

Bëhet fjalë për dy qendërmbrojtësit Lumbardh Dellova dhe Albian Hajdari, si dhe mesfushorët Muharrem Jashari dhe Leon Avdullahu.

Franco Foda

Dellova u ndëshkua me karton të verdhë ndaj Sllovenisë, kurse Albian Hajdari gjatë fitores 0-1 te Suedia. Avdullahu e ka kartonin e verdhë në barazimin 0-0 të Sllovenisë, derisa Jashari në triumfin 2-0 kundër suedezëve në Prishtinë.

Tre nga këta katër yje luajnë titullarë në formacionin e Franco Fodas, prandaj nëse ndodhë më e keqja, atëherë do të jenë mungesë jashtëzakonisht e madhe për “Dardanët”.

Faktikisht edhe Foda po e konsideron ndryshimin e formacionit fitues shkaku i kësaj situate.

“Sot e kemi seancën stërvitore, do të flas me disa lojtarë dhe ndoshta do të kemi disa ndryshime në formacion”, kishte deklaruar Foda.

Përndryshe, mbetet të shihet në çfarë mënyrë do t’i qaset Kosova përballjes me Zvicrën./Telegrafi/

Foda: Duhet të festojmë vetëm nëse fitojmë ndeshjet e Play-Off-it

17 November 2025 at 13:26


Franco Foda ka thënë se Kosova nuk do të ndryshojë sistemin e lojës as ndaj Zvicrës.

Përzgjedhësi i Dardanëve është deklaruar se mund të ketë edhe ndonjë ndryshim, por që nuk ka zbuluar më shumë detaje.

"Sigurisht që edhe me Zvicrën do të mbajmë sistemin tonë të lojës. Do të kemi lojë aktive dhe me presion, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndonjë ndryshim. Gjithsesi do të shohim deri nesër kemi kohë", tha Foda.

Më tej trajneri gjerman ka thënë se euforia në Kosovë është e lartë, por duhet të festojmë vetëm pasi t'i fitojmë ndeshjet në Play-Off.

“Jemi para publikut tonë, euforia është e lartë, ndeshjet e Play-off duhet t’i fitojmë dhe të tregojmë cilësinë tonë, nëse fitojmë ndeshjet në play-off atëherë duhet të festojmë”, tha Foda.

Kosova dhe Zvicra takohen të martën mbrëma në stadiumin 'Fadil Vokrri' me fillim nga ora 20:45. /Telegrafi/

Foda para ndeshjes me Zvicrën: Matematikisht jemi në garë, por 6-0 është e vështirë

17 November 2025 at 13:05


Përzgjedhësi Franco Foda ka dalë në konferencë për shtyp para përballjes Kosovë - Zvicër.

Dardanët do të luajnë ndaj helvetikëve të martën mbrëma në stadiumin 'Fadil Vokrri' me fillim nga ora 20:45.

Diferenca në pikë është vetëm tri, me Zvicrën që kryeson me 13 pikë dhe Kosova që ka 10 pikë.

Kualifikimi direkt për Kosovën mund të bëhet realitet vetëm nëse arrihet fitore 6-0, që për përzgjedhësin Foda është shumë e vështirë.

foda Franco Foda konfirmon një mungesë të madhe në mbrojtje për ndeshjen ndaj Sllovenisë 2024/05/foda.jpg

"Në ndeshjen e parë ndaj Zvicrës nuk e treguam fytyrën tonë të vërtetë. Matematikisht jemi ende në garë për vendin e parë, por realisht fitorja 6-0 është shumë e vështirë", tha Foda.

Tutje përzgjedhësi Franco Foda foli edhe për situatën Edon Zhegrovës, duke thënë se ai mbetet shumë i rëndësishëm.

"Nuk kam thënë se i garantoj minuta Edon Zhegrovës. Megjithatë ne e dimë situatën e tij, ai është i qetë dhe shumë i rëndësishëm për ne", tha Foda. /Telegrafi/

Franco Foda – trajneri që riktheu disiplinën, qetësinë dhe besimin te Kosova

16 November 2025 at 10:57


Kur Federata e Futbollit të Kosovës njoftoi emërimin e Franco Fodës si përzgjedhës të ri, reagimet ishin të përziera: një pjesë e opinionit sportiv e priti me skepticizëm, të tjerë me shpresë.

Por ajo që ndodhi në muajt e mëvonshëm dëshmoi se Kosova kishte bërë një nga zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e saj futbollistike.

Fillimi – Kosova kishte nevojë për rikthimin e strukturës

Në momentin që Foda mori drejtimin, kombëtarja po kalonte periudhë të paqëndrueshme – rezultate të luhatshme, mungesë identiteti të qartë dhe presion të vazhdueshëm nga publiku.

Foda e nisi punën në mënyrën e tij tipike gjermane: qetë, me analiza të thella dhe me vëmendje maksimale në organizim.

Ai bëri ristrukturimin e plotë të qasjes taktike.

Vendosi rregulla të qarta të disiplinës.

Kërkoi qartësi në rolet e lojtarëve dhe përgjegjësi maksimale në çdo minutë loje.

Sipas stafit dhe lojtarëve, ndryshimi u ndje që në muajt e parë – më shumë profesionalizëm, më shumë fokus, dhe mbi të gjitha: një ambient pune pa zhurmë, pa drama dhe me qartësi absolute.



Ndërmjet rrugës – ngritja e mentalitetit fitues

Foda solli diçka që Kosova e kishte kërkuar prej kohësh: mentalitetin e qetë gjerman, atë lloj qasjeje që nuk luhatet në bazë të kritkave, emocioneve apo presionit të jashtëm.

Në tribunë, ai shpesh shihet i pandryshueshëm – i ftohtë, analitik, i fokusuar vetëm në lojë.

Në stërvitje, është krejt e kundërta: i zëshëm, kërkues, i pandalshëm.

Ndryshimet e tij të guximshme në formacion shpesh u kritikuan në publik, por rezultatet treguan se vendimet ishin pjesë e një plani të menduar mirë.

Foda ndërtoi një sistem loje më të disiplinuar, më të balancuar dhe më pak të varur nga emocionet e momentit.

Rezultatet – statistikat që flasin vetë

Nën drejtimin e tij, Kosova është transformuar në një ekip më stabil dhe shumë më konkurrues: 18 ndeshje, 12 fitore, 1 barazim dhe 5 humbje

Këto statistika e pozicionojnë Fodën si një nga trajnerët më efikas që ka pasur Kosova ndonjëherë, me përqindje mbresëlënëse të fitoreve.

Franco Foda

Sot – Kosova në play-off për Botërorin

Arritja në fazën play-off për Kampionatin Botëror nuk është rastësi.

Ajo është produkt i: disiplinës së rikthyer, organizimit të brendshëm, analizave të detajuara, punës së qetë, pa deklarata të panevojshme dhe vendimeve të guximshme taktike.

Për Fodën, Kosova nuk është thjesht një projekt sportiv – por një mision ku ai po tenton t’i dhurojë vendit tonë një ëndërr historike: pjesëmarrjen në Botëror.

Ndjenja që ka krijuar – besim dhe seriozitet

Tifozët janë rikthyer në stadium me më shumë shpresë. Lojtarët flasin për një trajner që i ka rritur profesionalisht. Federata e sheh si një aset afatgjatë.

Foda nuk flet shumë – por punon shumë. Dhe kjo po shihet në fushë.

Përfundimi – drejt ëndrrës së madhe

Kosova në Botëror do të ishte dhurata më e bukur që ky vend ka ëndërruar ndonjëherë.

Dhe nëse kjo ndodh, një ndër emrat që do të shkruhet me germa të mëdha do të jetë padyshim Franco Foda./Telegrafi/

"Jam i lumtur për ekipin, për lojtarët - falënderim i veçantë për tifozë tanë" - Foda flet pas fitores ndaj Sllovenisë

15 November 2025 at 23:28


Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, është shprehur jashtëzakonisht i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij në fitoren historike 2-0 ndaj Sllovenisë në “Stozice”, një rezultat që i siguroi Kosovës pjesëmarrjen në paly-off për Kupën e Botës 2026 – sukses ky i arritur për herë të parë në histori.

Dardanët zhbllokuan takimin herët, me golin e Fisnik Asllanit në minutën e 6-të. Në pjesën e dytë, Kosova e dyfishoi epërsinë falë autogolit të Zan Karnicnik.

Pas ndeshjes, Foda theksoi se ekipi i tij ka luajtur pikërisht ashtu siç ishte përgatitur.

FOTO: Sefer Aliçkaj telegrafi.com

"Jam i lumtur për ekipin, për lojtarët. Kanë luajtur shumë mirë, të bashkuar. Do të përgatitemi për ndeshjen me Zvicrën. Shpresoj se do të fitojmë. Djemtë kanë luajtur ashtu siç jemi përgatitur".

Ai komentoi edhe atmosferën e zjarrtë në Lubjanë, ku mijëra tifozë kosovarë krijuan një mjedis të jashtëzakonshëm.

“Nuk mund të them se atmosfera ishte më e mirë se në Prishtinë. Por atmosfera ishte fantastike. Jam falënderues për të gjithë që ishin të pranishëm. Unë dhe të gjithë në Federatën e Futbollit të Kosovës jemi falënderues dhe krenar për tifozët që i kemi pasur kudo që kemi luajtur. Jemi të lumtur që ata janë krenar me ekipin kombëtar”, ka thënë tutje ai.

Kosova, me këtë fitore të tretë në grup, ngjitet në kuotën e 10 pikëve, duke e siguruar matematikisht play-offin, ndërsa Zvicra kryeson me 13 pikë. Sllovenia mbetet me 3 pikë dhe Suedia me vetëm 1 pikë.


Tani gjithë fokusin, Foda dhe djemtë e tij e kanë te sfida e radhës – dueli ndaj Zvicrës, që mund të vendosë edhe për pozitën finale në grup. /Telegrafi/

Ndihmësi i Fodas, Robert Ibertsberger: Kosova tani është në të njëjtën kategori me Austrinë, objektiv Kampionati Botëror

15 November 2025 at 15:07


Pas daljes së tij të parakohshme në pension nga futbolli profesionist, Robert Ibertsberger punoi në akademitë e të rinjve të FC Red Bull Salzburg dhe Austria Vienna, ndër të tjera. Sot, ish-lojtari i kombëtares austriake është në stolin e ekipit kombëtar të Kosovës së bashku me Franco Fodan dhe synon të bëjë histori sportive duke e udhëhequr vendin drejt kualifikimit të parë në Kupën e Botës.

Robert Ibertsberger dikur shkaktoi sensacion si lojtar: tetë paraqitje për ekipin kombëtar austriak, 200 ndeshje zyrtare dhe dy tituj në Bundesligë. Megjithatë, një dëmtim i rëndë në gju i dha fund karrierës së tij në moshën e re 27-vjeçare. Sot, ish-mbrojtësi i djathtë ia përcjell me sukses ekspertizën e tij ekipit kombëtar të Kosovës si ndihmës trajner i Franco Fodës.

Shteti ballkanik së fundmi u kualifikua në Grupin B të Ligës së Kombeve të UEFA-s, pavarësisht faktit se "Bardhë e Kaltër" u bënë anëtarë të UEFA-s dhe FIFA-s vetëm në maj 2016 dhe për këtë arsye kanë marrë pjesë vetëm në gara zyrtare dhe kualifikuese për nëntë vjet. Me këtë vrull pas tyre, Ibertsberger dhe Foda po ndjekin një qëllim të madh: pjesëmarrjen e parë të Kosovës në Kupën e Botës 2026 në Kanada, Meksikë dhe SHBA.

Si pjesë e një leksioni në kursin universitar mbi gazetarinë sportive, Ibertsberger ka folur ekskluzivisht për sportbusinessmagazin.com për bashkëpunimin me Franco Fodën, rastin Donis Avdijaj, strukturat e vjetruara dhe synimet e tij personale si trajner.

Z. Ibertsberger, si ndodhi përfshirja juaj në Kosovë dhe a jeni ambientuar ende?

Kur erdhi oferta, mendova me vete, "Kosova?" Por për mua ishte e qartë se ishte një projekt shumë emocionues. Franco Foda më kontaktoi dhe më pyeti nëse doja ta bëja me të. Për mua, çdo periudhë jashtë vendit është vërtet interesante - qoftë si trajner kryesor apo asistent. Është gjithashtu një sfidë që e emocionon Francon. Kur sheh se me cilat klube lojtarët tanë kanë kontratë dhe nivelin që sjellin, është diçka e veçantë të punosh me ta.

Si funksionon bashkëpunimi midis jush dhe Franco Fodës – duke pasur parasysh edhe faktin që e njihni njëri-tjetrin që nga ditët tuaja si lojtar?

E ndoqa kohën e tij si trajner i ekipit kombëtar austriak dhe fitimin e kampionatit me Sturm Graz. E pashë nga afër se si punon me ekipet e tij. Ai është jashtëzakonisht i vendosur dhe kërkon shumë – por kjo nuk është problem për mua sepse më pëlqen të punoj shumë dhe të jap gjithçka nga vetja.

Franco është zhvilluar më tej në një nivel njerëzor dhe shoqëror. Ai flet shumë me lojtarët dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme në Kosovë. Ne e dimë që duhet t'i trajtojmë me shumë respekt sepse janë personalitete të ndryshme. Në të njëjtën kohë, ata duhet të ndiejnë se ne nuk duam vetëm të argëtohemi, por edhe të kemi sukses. Kjo kërkon disiplinë.


Si arritët të vendosnit disiplinë në ekip?

Kjo ishte një sfidë e vërtetë. Kosova flet shumë për dëshirën për të qenë e suksesshme - dhe Franco bën një punë të shkëlqyer për të ngulitur këtë ambicie në ekip. Mund të shihni se ai ka gjetur një mënyrë të mirë për t'u lidhur me lojtarët. E njëjta gjë vlen edhe për ne në stafin e trajnerëve. Ai na përfshin plotësisht dhe na beson detyra që ne më pas i zbatojmë me ekipin. Kjo është një përvojë e paçmuar në këtë nivel.

Donis Avdijaj, një sulmues që përbën një kërcënim të madh për golin, luan në Bundesligën austriake. Pse nuk është pjesë e ekipit kombëtar?

Kjo është një histori tjetër. Ai është i mirë dhe do të ishte një opsion në parim, por për fat të keq, ka lënë shumë rrëmujë pas. Ai ka luajtur tashmë gjashtë ndeshje për ekipin kombëtar - por gjatë një periudhe nuk mendonte qartë dhe i mungonte disiplina. Ai ia ka mbyllur derën vetes. Ne do të donim ta ftonim, por federata i ka dhënë fund kësaj.


Po alternativat?

Ne kemi disa lojtarë vërtet të mirë që luajnë në ligat dhe klubet më të mira. Lojtarë të rinj ende po dalin - për shembull, lojtarë zviceranë, gjermanë ose norvegjezë me prejardhje nga Kosova. Kjo hap mundësi shtesë për ne për t'i rekrutuar ata për ekipin kombëtar. Konkurrenca për këta lojtarë i bën gjërat edhe më emocionuese sepse ata mund të jenë ende opsione për ne.

Me ekipin tuaj të trajnerëve, ju keni nisur një epokë të suksesshme në Kosovë: ngjitjen në Ligën e Kombeve dhe tani qëllimi është kualifikimi i parë i Kosovës në Kupën e Botës. Si e shpjegoni këtë sukses?

Lojtarët tanë janë vërtet të mirë dhe rezultatet e tregojnë këtë. Ne e mundëm Islandën me rezultatin e përgjithshëm 5-2 dhe u ngjitëm në Ligën B. Federata është lejuar të marrë pjesë vetëm në Ligën e Kombeve, Kampionatin Evropian dhe kualifikueset e Kupës së Botës që nga viti 2016 - dhe tani ata janë në të njëjtën ligë me Austrinë. Ky është një sukses i madh për Kosovën, edhe pse ne trajnerët shohim edhe më shumë potencial. Në kualifikueset e Kupës së Botës, ne duam të luajmë në një mënyrë që na lejon të përfundojmë të dytët dhe të kualifikohemi për turneun.


Si ndryshojnë strukturat në Federatën e Futbollit të Kosovës nga ato në Federatën e Futbollit të Austrisë (ÖFB)?

Struktura shpjegohet lehtë: ka një president që dikton gjithçka. Është ndryshe në Federatën Austriake të Futbollit (ÖFB), ku vendimet merren nga komitetet. Ky është një sistem i vjetruar që në të vërtetë nuk duhet të ekzistojë më, por na është dashur të mësojmë se gjërat funksionojnë pak më ndryshe në Kosovë. Funksionon, edhe nëse nuk është gjithmonë e lehtë. Kemi pasur shumë sukses për më shumë se një vit tani. Do të jetë interesante të shohim se si reagojnë njerëzit kur nuk funksionon. Dhe ai moment do të vijë përfundimisht.

Si është atmosfera në vend?

Populli i Kosovës është jashtëzakonisht i përkushtuar, edhe pse ende ka shumë për të bërë para se Kosova të konsiderohet një vend evropian. Ne duam të kontribuojmë përmes sportit, duke u dhënë njerëzve diçka për të cilën të presin me padurim. Një sasi e konsiderueshme parash po investohet në futboll, megjithëse gjërat shpesh zgjasin më shumë atje sesa këtu, thjesht sepse është e pamundur të bëhet ndryshe. Kërkohet durim.

Cilat janë objektivat tuaja personale, përveç kualifikimit për në Kupën e Botës?

Qëllimi i menjëhershëm është kualifikimi në Kupën e Botës, por kurrë nuk e di se çfarë mund të ndodhë në biznesin e trajnerëve. Sigurisht, do të tundohesha të merrja drejtimin e një ekipi si trajner kryesor. Megjithatë, mund ta imagjinoj edhe vazhdimin e punës me Francon. Nëse ke sukses, mund të bëhesh shpejt tërheqës për klube ose kombe të tjera. Por ne duam të përqendrohemi në planin afatgjatë në Kosovë sepse shohim se ka ende shumë lojtarë në sfond që mund të na bëjnë edhe më të mirë si ekip.


Çfarë perspektive shihni për veten tuaj si trajner - si në lidhje me rolin tuaj aktual ashtu edhe me mundësitë e mundshme në të ardhmen?

Si trajner, ke një ekip të caktuar menaxhimi pas teje, i cili kërkon vazhdimisht mundësi. Kërkesat vijnë gjatë gjithë kohës dhe ti mendon me vete: "Kjo do të ishte interesante" ose "Kjo nuk do të ishte interesante". Kjo ndodh çdo ditë në këtë biznes. Por tani për tani, nuk mund ta imagjinoj të largohem sepse e kam bërë të qartë se dua të punoj me Francon deri në skadimin e kontratës sonë në vitin 2027.

Çfarë duhet të ndodhë që të largoheni nga Kosova?

Nuk ka të bëjë me klubin apo kombin në vetvete, por me gjithçka që qëndron pas tij. Për mua, pyetjet thelbësore janë: "Ku dëshiron të shkojë klubi ose federata? Cilat janë objektivat e saj? A ka një filozofi të qartë dhe a mund të identifikohem me të? A është drejtori sportiv 100 për qind pas saj?" Këto ishin pikat ku gjërat dështonin vazhdimisht në Austri. Shpesh, drejtori sportiv ishte aty i pari - dhe në fund, ai e detyronte veten. Dhe kjo është e papranueshme. Në Kosovë, këto kushte janë aktualisht të përshtatshme dhe kjo është arsyeja pse ndiej se do të vazhdoj të ndihem si në shtëpi këtu.

/Telegrafi/

Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Sllovenisë – Foda me disa ndryshime

15 November 2025 at 10:17


Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka ndarë tashmë mendjen për formacionin që do ta vendos për ndeshjen e sotme (e shtunë) ndaj Sllovenisë, në kuadër të kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Kosova do të luajë si mysafir i Sllovenisë në ndeshjen e parafundit të Grupit B, e cila pritet të zhvillohet në stadiumin “Stozice” të Lubjanës me fillim nga ora 20:45.

Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të dyja kombëtaret, por sidomos për Kosovën, e cila me një barazim siguron pozitën e dytë apo ‘play-off’-in për kualifikim në Kampionatin Botëror.

Kështu, trajneri gjerman, Foda, ka vendosur tashmë për formacionin që pritet të luajë në ndeshjen jetike ndaj Sllovenisë.

Sipas burimeve të Telegrafit, Foda do të vazhdojë t’i besojë rreshtimit 3-5-2, i cili në mbrojtje transformohet në 5-3-2, ku pjesë e tij do të jenë disa ndryshime të domosdoshme.

Ndryshimi i parë do të jetë në portë, ku Amir Saipi do ta marrë vendin e Arijanet Muric, i cili mungon shkaku i kartonëve.

Kapiteni Amir Rrahmani pritet të kthehet në ekip pas lëndimit dhe do të marr vendin e tij nga minuta e parë.

Përveç Rrahmanit, në treshen e mbrojtjes pritet të luajnë edhe Albian Hajdari dhe Lumbardh Dellova, i cili shihet si i favorizuar ndaj Fidan Alitit, ndërsa krahët do t’i mbulojnë Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni.

Mesfusha do të përbëhet nga Leon Avdullahu, Elvis Rexhbeçaj dhe Florent Muslija, teksa në sulm dyshja Vedat Muriqi dhe Fisnik Asllani.

Milot Rashica dhe Edon Zhegrova pritet të marrin minutat e tyre gjatë pjesës së dytë. /Telegrafi/

Franco Foda e konfirmon se Amir Rrahmani luan ndaj Sllovenisë, flet edhe për Edon Zhegrovën

14 November 2025 at 18:45


Përzgjedhësi i Kosovës Franco Foda e ka konfirmuar se qendërmbrojtësi Amir Rrahmani do të luajë titullar ndaj Sllovenisë, ndërsa nuk e tha të njëjtën për Edon Zhegrovën.

Rrahmani nuk ka qenë fare pjesë e “Dardanëve” në muajin tetor shkaku që ishte i lënduar, ndërsa Zhegrova zhvilloi shumë pak minuta.

Në konferencë për shtyp, Foda konfirmoi se Rrahmani do të jetë gati pasi edhe ka luajtur tre ndeshje me Napolin para se t’i bashkohej ekipit kombëtar.

“Po, Amiri tashmë i ka zhvilluar tre ndeshje të plota me Napolin. Është pak i ngarkuar, por pritet të jetë gati nesër”.

Kurse, sa i përket yllit të Juventusit, Foda shtoi:

“Zhegrova? Do të shohim nesër. Në ndeshjen e fundit zhvilloi 30 minuta, ka qenë në formë, të shohim se çfarë do të ndodhë. Në bazë të nevojave të kombëtares, do të marrim vendimin”.

Kujtojmë, përballja mes Sllovenisë dhe Kosovës do të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 20:45.

Telegrafi me ekipin e pranishëm në Lublanë, me dyshen Romak Zeqiri dhe Bardh Maxhuni do të ju mbajë të informuar për çdo gjë rreth Kosovës. Udhëtimi i ekipi tonë është mundësuar nga ELBAU./Telegrafi/

“Synimi është fitorja, i kemi analizuar mirë”, Foda optimist para përballjes me Slloveninë

14 November 2025 at 18:38


Përzgjedhësi i Kosovës Franco Foda është shprehur optimist para përballjes me Slloveninë.

Tekniku gjerman në konferencë për media tha se pret prapë një përballje të njëjtë si në Prishtinë, ku këtë herë detajet mund ta bëjnë dallimin.

“Në ndeshjen e parë të dyja skuadrat kanë luajtur mirë dhe kujdesshëm. Asnjëra nuk i shfrytëzuan rastet, pres njëjtë edhe nesër dhe detajet ta bëjnë dallimin”.

Ai gjithashtu shtoi se i kanë analizuar ndeshjet e Sllovenisë, kurse syninmi i vetëm është fitorja.

“E kemi analizuar Slloveninë, jo vetëm ndeshjen direkte por edhe ato që i kanë luajtur me kombëtare tjera. Synimi ynë është absolutisht fitorja dhe shpresoj përmes analizave që kemi bërë të arrijmë këtë”.

Kujtojmë, me një fitore në Lubjanë, Kosova do të hynte fuqishëm në garë për kualifikim direkt megjithatë njëkohësisht edhe Zvicra duhet të ndalet nga Suedia.

Telegrafi me ekipin e pranishëm në Lublanë, me dyshen Romak Zeqiri dhe Bardh Maxhuni do të ju mbajë të informuar për çdo gjë rreth Kosovës. Udhëtimi i ekipi tonë është mundësuar nga ELBAU./Telegrafi/

❌
❌