Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

FFK bashkëpunon me OKB-në për zhvillim të qëndrueshëm përmes futbollit

11 December 2025 at 22:40


Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm strategjik duke u bashkuar zyrtarisht me iniciativën globale të OKB-së “Football for the Goals”.

Kjo platformë ndërkombëtare synon të mobilizojë botën e futbollit, nga federatat dhe klubet, te lojtarët dhe komunitetet, për t’i përkrahur objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm (SDG) dhe për të përdorur popullaritetin dhe ndikimin e këtij sporti si forcë pozitive për shoqërinë.

Me aderimin në këtë iniciativë, FFK merr përsipër të promovojë parime kyçe si barazia gjinore, respektimi i të drejtave të njeriut, përfshirja sociale dhe mbrojtja e mjedisit.

Përmes projekteve konkrete, fushatave dhe aktiviteteve komunitare, futbolli pritet të shndërrohet në një platformë edukimi dhe ndërgjegjësimi, ku vlerat shoqërore të kultivohen paralelisht me zhvillimin sportiv.

Ky hap i ri krijon mundësi të gjera bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare, institucione vendore dhe partnerë të tjerë të rëndësishëm.

Ai gjithashtu e vendos Kosovën në mesin e vendeve që e shohin sportin si motor të progresit shoqëror, duke e forcuar rolin e futbollit si urë lidhëse mes komuniteteve dhe si mjet transformues për brezat e rinj.

Pritet që përmes kësaj nisme të ndërmerren programe të reja edukative, aktivitete për mbrojtjen e mjedisit, si dhe fushata që nxisin barazinë dhe përfshirjen në futboll, duke krijuar ndikim të drejtpërdrejtë dhe të qëndrueshëm në shoqërinë kosovare./Telegrafi/

Agim Ademi zbulon nisjen e projektit “FIFA Arena” në Prishtinë: Dy fusha të reja moderne për fëmijët dhe komunitetin

8 December 2025 at 16:45


Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë të ditur se projekti i rëndësishëm “FIFA Arena”, një donacion i çmuar nga FIFA me synimin për të masovizuar futbollin dhe për të krijuar më shumë mundësi për fëmijët, ka nisur zbatimin në Komunën e Prishtinës.

Dy shkollat e para të përzgjedhura për të përfituar nga ky projekt janë “Gjergj Fishta” dhe “Hasan Prishtina” në kryeqytet.

Fushat e reja moderne do t’i shërbejnë jo vetëm nxënësve, por edhe komunitetit përreth, duke krijuar hapësira të reja cilësore për lojë, aktivitet fizik dhe zhvillim të talentit të ri.

Sipas Ademit, fushat janë donacion i FIFA-s, ndërsa instalimi i tyre po realizohet në bashkëpunim të plotë me Komunën e Prishtinës. E gjithë procedura e furnizimit dhe montimit po menaxhohet drejtpërdrejt nga FIFA. Njëra prej fushave tashmë është përfunduar, ndërsa tjetra pritet të jetë gati brenda kësaj jave.

“Në emër të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe komunitetit të futbollit, falënderoj sinqerisht FIFA-n për këtë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit në Kosovë”, ka deklaruar Ademi.

Projekti “FIFA Arena” do të shtrihet edhe në shtatë regjionet tjera të vendit, me synim krijimin e më shumë hapësirave ku fëmijët dhe komuniteti mund të luajnë futboll, të zhvillohen dhe të zbulojnë talentin e tyre.

Trajnerët e FFK-së do të jenë të pranishëm në këto fusha me qëllim identifikimin dhe orientimin e talenteve të rinj drejt klubeve dhe shkollave të futbollit.


Ky projekt është pjesë e strategjisë së FFK-së për masovizimin e futbollit dhe krijimin e kushteve sa më të mira për gjeneratat e reja.

“Bashkë për futbollin!”, ka përmbyllur Ademi. /Telegrafi/

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi: Nëse kualifikohemi, ky do të ishte shorti që do të kishim dashur

5 December 2025 at 23:27


Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka folur pas hedhjes së shortit për Kupën e Botës.

I pari i FFK-së ka deklaruar se ky ishte një short më i veçantë se sa herët e kaluara, teksa respektoi kundërshtarët me të cilët Kosova do të përballet në rast se ia del ta sigurojë kualifikimin.

Ai gjithashtu tha se nëse Kosova arrin në fund që të kualifikohet, ky do të ishte grupi që ata kanë dashur, kryesisht për shkak të lidhjes së ngushtë që ka vendi ynë me SHBA-të.

“Një short i jashtëzakonshëm krejtësisht ndryshe nga shortet tjera, special me njerëz që tërheqën ekipet dhe shortin, tre presidentët e tri shteteve organizative është diçka e jashtëzakonshme çfarë ka ndodhur kështu që i jap komplimente FIFA-s dhe moderatorin e fillimit Gianni Infantino i cili e bëri këtë gjë mjaft atraktive”.

“Pra, tri shtete, tri kombëtare të respektueshme, ne fillimisht duhet t’i kalojmë edhe dy hapat tonë që shpresoj që do t’i kalojmë këta hapa me Sllovakinë dhe pas Sllovakisë është hapi tjetër me Turqinë ose Rumaninë”.

“Shpresoj që ne do t’i kalojmë këta hapa do të ecim drejt këtij Kampionati dhe po i kaluam këta hapa në këtë grup që jemi ndoshta do të ishte grupi që do e kishim dashtë”.

“Një arsye më shumë pse po them grupi që do kishim dashtë është për faktin që ne kemi punuar me SHBA-në të cilët realisht janë shteti që na kanë ndihmuar, na ka organizuar dhe Kosovën e ka ndihmuar në të gjitha aspektet”.

“Kështu që sigurisht shpresoj të jemi komplet të mos kemi ndonjë futbollist të lënduar dhe të shkojmë para në këtë Kampionat, i uroj ‘Dardanëve’ të gjitha të mirat e mundshme dhe shumë suksese në këtë kampionat”./Telegrafi/

Agim Ademi dhe Franco Foda mbërrijnë në Amerikë për shortin e Kupës së Botës 2026

4 December 2025 at 18:39


Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Agim Ademi dhe përzgjedhësi i ‘Dardanëve’, Franco Foda, kanë mbërritur në Amerikë para hedhjes së shortit për Kupën e Botës 2026.

Shorti për Kupën e Botës 2026 do të mbahet nesër (e premte) në Uashington me fillim nga ora 18:00.

Kujtojmë se Kosova tashmë ka siguruar kualifikimin historik në ‘play-off’-in që do të zhvillohet gjatë muajit mars, ku si kundërshtar do ta ketë fillimisht Sllovakinë dhe nëse e kalon atë, fituesin e ndeshjes Turqi/Rumani në finale.

Njoftimi i plotë nga Agim Ademi:

Në Washington D.C. pranë Shtëpisë së Bardhë

Së bashku me përzgjedhësin Franco Foda, realizuam këtë fotografi në afërsi të Shtëpisë së Bardhë, një simbol i demokracisë dhe mbështetjes historike për popullin e Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

Në Washington D.C. ndodhemi për shortin e Kupës së Botës 2026, ku Kosova për herë të parë bëhet pjesë e shortit. Një moment historik për futbollin dhe për vendin tonë.

Jemi të vetëdijshëm se para nesh janë edhe dy sfida të vështira në “play-off” që ta bëjmë realitet ëndrrën e kualifikimit, por besimi dhe përkushtimi ynë janë të palëkundur.

Të bashkuar për sukses, me besim në Dardanët tanë!

Kasami, Destani, Duka, Ademi dhe Omeragiç inspektojnë punimet në stadiumin e Tetovës – projekti hyn në fazën vendimtare

1 December 2025 at 14:47


Punimet në stadiumin e ri të Tetovës po avancojnë me ritëm të shpejtë, ndërsa sot kompleksin sportiv e inspektuan kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, biznesmeni dhe filantropi Lazim Destani, presidenti i FSHF-së Armand Duka, presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe nikoqiri, presidentini FFM-s, Masar Omeragiç, njofton Telegrafi.

Gjatë vizitës, kryetari Kasami theksoi se Tetova po i afrohet një prej projekteve më të rëndësishme sportive të viteve të fundit:

"Ne besojmë që në momentin më të shpejtë të përfundojë stadiumi dhe Tetova do të jetë qendër e futbollit pas Shkupit."

Edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, vlerësoi progresin në kantier, duke nënvizuar ndryshimin e madh që po merr arena e qytetit: "Ka qenë një stadium në gjendje të mjerueshme, por tani është një projekt i bukur dhe shpresoj të përfundojë sa më shpejt."

Duka nuk erdhi duarbosh në Tetovë. Ai i dhuroi nga një fanellë të personalizuar të Kombëtares shqiptare Lazim Destanit, Masar Omeragiçit dhe Bilall Kasamit, si shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e tyre ndaj futbollit shqiptar.

Nga ana e tij, biznesmeni Lazim Destani u shpreh se ky projekt përmbush një ëndërr të kahershme si të qytetarëve, ashtu edhe të tifozëve tetovarë: "Ëndrra e të gjithë neve dhe veçanarisht e tifozëve është duke u realizuar. Për stadiumin kam pasur vetëm dy dëshira, e para tani më është realizuar pra ta fillojmë nga zero dhe e dyta është ti shpejtojmë punët, që ta përfundojmë projektin para afatit."

Ndërkohë, Masar Omeragiç theksoi se punimet po ecin sipas planit dhe se stadiumi do t’i japë Tetovës standardet moderne që i ka munguar prej dekadash. “Kisha kënaqësinë, së bashku me pronarin e grupacionit ‘Ecolog’, filantropin Lazim Destani, t’i presim tre presidentët e federatave: presidentin e FFM-së, Masar Omeragiç, presidentin e FSHF-së dhe nënkryetarin e UEFA-s, Armand Duka, si dhe presidentin e FFK-së, Agim Ademi.”

Me përfundimin e projektit, Tetova pritet të marrë vendin e merituar në hartën sportive të vendit, duke sjellë ndeshje të nivelit të lartë dhe një infrastrukturë bashkëkohore për futbollin e vendit dhe rajonit. Stadiumi i ri dhe modern i Tetovës pritet të jetë i kategorisë 4 dhe do të ketë 10.000 ulëse. /Telegrafi//

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbanë mbledhjen e radhës - diskutime dhe vlerësime për futbollin kosovar dhe Kombëtaren e Kosovës

24 November 2025 at 15:19


Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën janë diskutuar çështje të rëndësishme që lidhen me zhvillimin e futbollit kosovar dhe performancën e ekipeve kombëtare.

Mbledhja, e udhëhequr nga presidenti Agim Ademi, u fokusua në analizimin e garave, shqyrtimin e kërkesave të klubeve dhe përcaktimin e prioriteteve për fazën e ardhshme të punës.

Në një periudhë ku futbolli i Kosovës po përballet me sfida, por edhe me mundësi të rëndësishme, veçanërisht pas kualifikimit të Kombëtares A në “play-off”-in e Botërorit 2026, KE vlerësoi nevojën për organizim të qëndrueshëm, investime të vazhdueshme dhe fokus të shtuar në përgatitjet për ndeshjet vendimtare që e presin ekipin kombëtar.

Gjatë takimit u morën disa vendime me peshë strategjike, të cilat synojnë të forcojnë futbollin vendor, të përmirësojnë kushtet infrastrukturore dhe të sigurojnë mbarëvajtjen e aktiviteteve të planifikuara për vitin e ardhshëm.

Njoftimi i plotë nga FFK për mbledhjen e KE:

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi.

Gjatë këtij takimi u analizua rrjedha e garave në të gjitha rangjet dhe u shqyrtuan një sërë kërkesash dhe propozimesh të paraqitura nga klubet e futbollit, me synim analizimin e sfidave, nevojave dhe prioriteteve të tyre për vazhdimin e punës dhe zhvillimin e garave.

Po ashtu, KE diskutoi dhe vlerësoi paraqitjet e ekipeve kombëtare, veçanërisht të Kombëtares A, duke konstatuar se kualifikimi në “play-off” të Botërorit 2026 përbën një arritje tejet të rëndësishme për futbollin e Kosovës dhe për progresin e kombëtares sonë. U theksua se fokusi në vijim duhet të jetë tek dy ndeshjet e “play-off”-it, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë organizativ.

KE miratoi gjithashtu vazhdimin e investimeve kapitale në infrastrukturë në të gjitha rajonet e vendit, me qëllim përmirësimin e kushteve dhe avancimin e mëtejshëm të futbollit vendor.

Në fund, Komiteti Ekzekutiv vendosi për grupin punues të ceremonisë tradicionale të shpalljes së më të mirëve “Laureatët e vitit 2025".

Shorti i Play-off, Ademi: Nëse japim 100% e kalojmë këtë hap

20 November 2025 at 20:17

PRISHTINË, 20 nëntor /ATSH/ Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dhënë deklaratën e parë pas shortit të hedhur sot në Zyrih, ku Kosova ka mësuar kundërshtarin e gjysmëfinales së “Play-Off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Dardanët në gjysmëfinale do të përballen me Sllovakinë në Bratislavë.

Lidhur me këtë, Ademi theksoi se në këtë fazë çdo ndeshje është si finale, duke pasur parasysh nivelin dhe forcën e ekipeve pjesëmarrëse, por ka shprehur optimizëm për sukses.

“Të gjitha ndeshjet në këtë fazë janë si finale, sepse të gjitha ekipet janë të forta. Nuk e shoh si favorit, por e shoh në faktin se nëse japim 100 përqindshin ne e kalojmë këtë hap për të shkuar deri te finalja, e cila do të luhet në Prishtinë me Turqinë apo Rumaninë. E përsëris, po të japim 100 përqindshin me këta futbollistë që i kemi dhe nëse ata të janë mirë e pa ndonjë lëndim, sigurisht se do ta arrijmë më të mirën”, tha Ademi.

Tutje i pari i futbollit të Kosovës shprehu besimin se Dardanët do ta kalojnë hapin e parë për të siguruar biletën e finales së madhe të “Play-Off”-it, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër fituesit të çiftit Turqi–Rumani.

“Besoj se hapin e parë do ta kalojmë”, ka nënvizuar Ademi.

Kosova ndeshjen kundër Sllovakisë do ta zhvillojë më 26 mars 2026 në Bratislavë, kurse finalen eventuale më 31 mars 2026 në Prishtinë. /KosovaPress/

The post Shorti i Play-off, Ademi: Nëse japim 100% e kalojmë këtë hap appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ademi flet pas shortit të hedhur: Besoj se do të kalojmë hapin e parë

20 November 2025 at 15:22


Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dhënë deklaratën e parë pas shortit të hedhur sot në Cyrih, ku Kosova ka mësuar kundërshtarin e gjysmëfinales së “Play-Off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Dardanët në gjysmëfinale do të përballen me Sllovakinë në Bratislavë.

Lidhur me këtë, Ademi theksoi se në këtë fazë çdo ndeshje është si finale, duke pasur parasysh nivelin dhe forcën e ekipeve pjesëmarrëse, por ka shprehur optimizëm për sukses.

“Të gjitha ndeshjet në këtë fazë janë si finale, sepse të gjitha ekipet janë të forta. Nuk e shoh si favorit, por e shoh në faktin se nëse japim 100 përqindshin ne e kalojmë këtë hap për të shkuar deri te finalja, e cila do të luhet në Prishtinë me Turqinë apo Rumaninë".



"E përsëris, po të japim 100 përqindshin me këta futbollistë që i kemi dhe nëse ata të janë mirë e pa ndonjë lëndim, sigurisht se do ta arrijmë më të mirën”, tha Ademi.

Tutje i pari i futbollit të Kosovës shprehu besimin se Dardanët do ta kalojnë hapin e parë për të siguruar biletën e finales së madhe të “Play-Off”-it, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër fituesit të çiftit Turqi–Rumani.

“Besoj se hapin e parë do ta kalojmë”, ka nënvizuar Ademi.

Kosova ndeshjen kundër Sllovakisë do ta zhvillojë më 26 mars 2026 në Bratislavë, kurse finalen eventuale më 31 mars 2026 në Prishtinë. /Telegrafi/

Kosova është në 'play-off' – Agim Ademi reagim të fortë kundër urrejtjes, mbrojtje për Xhakën dhe lavdi për djemtë e Dardanisë

19 November 2025 at 14:46


Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi reagon fuqishëm pas kualifikimit historik të Kosovës në Play-Off, duke goditur propagandën, shpifjet dhe narrativat e rreme që tentuan të errësojnë suksesin e kombëtares. Ai mbron djemtë e Dardanisë, Granit Xhakën dhe kontributin e diasporës, duke theksuar se realiteti është vetëm një: Kosova po shkruan histori.

Agim Ademi, ka publikuar një reagim të ashpër dhe emocional pas ndeshjes ndaj Zvicrës, ku Dardanët siguruan për herë të parë ‘Play-Off’-in për Kupën e Botës.

Në këtë adresim publik, ai shpreh krenari për paraqitjen e ekipit dhe zhgënjim për përpjekjet e disa mediave e individëve që, sipas tij, tentuan të devijojnë vëmendjen nga suksesi historik.

I pari i FFK-së denoncon propagandën, shpifjet dhe negativitetin që rrethuan ndeshjen, duke i cilësuar ato si përpjekje të kota për të errësuar arritjet e Kombëtares.

Ai mbron fuqishëm kontributin e futbollistëve, përfshirë Granit Xhakën dhe diasporën shqiptare, dhe rikujton se Kosova, pavarësisht kritikave, po ecën me hapa të sigurt drejt ëndrrës së Botërorit.

Postimi pa ndërhyrje i Agim Ademit

Të nderuar dashamirës të futbollit, tifozë dhe qytetarë të Kosovës,

Mbrëmë ishim dëshmitarë të një paraqitjeje tjetër heroike dhe me shpirt të madh nga futbollistët tanë dardanë. Një lojë e shkëlqyer që solli një tjetër rezultat pozitiv në rrugëtimin tonë drejt ëndrrës së madhe.

Pavarësisht se nuk arritëm fitoren kundër Zvicrës (1:1), ne jemi kualifikuar për herë të parë në ‘Play-Off’ dhe kjo pa dyshim është një arritje historike e Kombëtares së Kosovës në vetëm 9 vjet të pranimit në UEFA e FIFA, për çka edhe u festua nga të gjithë ne.

Është për të ardhur keq që nga televizione e portale të caktuara dhe analistë që më së paku kanë të bëjnë me futbollin, suksesi dhe arritja historike e Kosovës u la në hije. Për fat të keq, vëmendja u zhvendos tek gjërat që s'kanë lidhje me futbollin dhe tek të pavërtetat, duke lënë mënjanë paraqitjen e mirë të Kombëtares sonë.

Mbizotëroi propaganda e urrejtja e atyre që nuk e duan ose iu dhemb suksesi i Kosovës, duke u marrë me pesimizëm dhe negativitet, e duke anashkaluar thelbin: futbollin dhe arritjet tona kulmore!

U krijuan narrativa të pavërteta, se ndeshja nuk do të zhvillohet, se gjendja e fushës është e keqe, por pikërisht ndeshja e mbrëmshme e vërtetoi se fusha u ndërtua në nivelin më të lartë, duke e përballuar me plot sukses shiun e pandërprerë të dy ditëve.

Mos mendoni se kritikat e njerëzve që s’kanë asnjë lidhje me futbollin dhe që nuk ia duan të mirën sportit tonë kanë peshë.

Përkundrazi, raste të tilla vetëm sa e zbulojnë nivelin e ulët dhe keqdashjen e atyre që përpiqen të errësojnë sukseset tona.


Prandaj, ju bëjmë thirrje të gjithëve: Kthehuni njëherë e përgjithmonë tek realiteti! Mos shtini shpifje, defetizëm dhe urrejtje mes popullit e mes shteteve tona mike. Këta djem, gladiatorët e Dardanisë, janë krenaria dhe e ardhmja e Kosovës!

KOSOVA, miq e armiq, është në ‘Play-Off”! Realiteti po ndodh dhe ne jemi në mesin e ekipeve që kërkojnë një biletë për në Kampionatin Botëror deshët apo s’deshët ju.

Për dikë jemi shtet i vogël, por në fakt jemi komb i madh! Së bashku me bashkatdhetarët tanë kudo që veprojnë ne vazhdojmë të bëjmë krenar vendin tonë.

Gjithmonë kemi theksuar se individët si Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri janë aset kombëtar dhe ambasadorët më të mirë të popullit tonë, ashtu si Dua Lipa, Rita Ora, Ramë Lahaj e shumë të tjerë.

Graniti ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i mirëpritur në atdheun e tij. Ai kudo që të jetë është djali i Ragip Xhakës, një familje atdhetare që jeton e vepron në Prishtinë, prandaj ne i jemi gëzuar gjithmonë sukseseve dhe karrierës së tij të bujshme.

Disa po harrojnë një të vërtetë të madhe: Shumë prej rilindasve tanë kanë jetuar dhe vepruar në vende të ndryshme, por kontribuan për kombin në forma të ndryshme. Nga Jeronim De Rada, Pashko Vasa, Isa Boletini, Sami e Naim Frashëri e shumë të tjerë që dhanë shpirtin dhe mendjen për çështjen kombëtare, e deri te patriotë të tjerë që jetuan jashtë vendit por punuan për të ardhmen e shqiptarëve. Ashtu siç ata kontribuuan nga diaspora, edhe sportistët tanë e bëjnë sot një gjë të tillë me punë, sakrificë dhe dinjitet.

Ne i gjykojmë fishkëllimat që ndodhën, edhe pse ato nuk erdhën nga e gjithë masa dhe as nga tifogrupi 'Dardanët', por gjërat negative ndonjëherë janë të pashmangshme në stadiume. Ato kanë qenë të panevojshme dhe të paarsyeshme dhe i gjykojmë, sikurse i gjykojmë edhe deklaratat e atyre që vjellin vrerë edhe kur Kosova shënon rezultate kulmore.

Në fund dua të shpreh një falënderim të veçantë për publikun e mrekullueshëm që përkundër propagandës së madhe për moszhvillim të ndeshjes dhe përkundër rrebeshit të shiut erdhi në stadium dhe nuk u ndal në asnjë moment së përkrahuri djemtë tanë.

Ju jeni zemra e suksesit tonë!

Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi drejt ëndrrës sonë,

Forca Kosova!

/Telegrafi/

Agim Ademi e konfirmon se ndeshja do të zhvillohet: Gjithçka është gati

18 November 2025 at 15:44


Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka konfirmuar se ndeshja e sotme mes Kosovës dhe Zvicrës do të zhvillohet sipas planit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi njoftoi se përgatitjet kanë përfunduar dhe çdo detaj është vendosur në mënyrën më profesionale.

Sipas tij, ekipi organizativ ka qenë aktiv që nga orët e para të mëngjesit, duke siguruar që gjithçka të jetë gati për pritjen e tifozëve dhe zhvillimin e ndeshjes.



Përkundër se gjatë ditës së sotme ka rënë shi pa ndërprerë, fusha është e gatshme.

Njoftimi i plotë nga Agim Ademi:

“Gjithçka është gati për ndeshjen e sotme. Ekipi organizativ ka punuar me përkushtim që nga orët e para të mëngjesit dhe çdo detaj është vënë në vend".

"Fusha na pret, tribunat janë gati të mbushen me emocion, zëra e brohorima. Tani është momenti ynë, është koha e ekipit dhe tifozëve! Shihemi në stadium", ka shkruar Ademi. /Telegrafi/

Agim Ademi e përcjell nga afër derbin Hoffenheim – Heidenheim: Shpresoj t’i shohim të pesë yjet e Kosovës me një uniformë

25 October 2025 at 20:06


Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Agim Ademi ka qenë i pranishëm në derbin gjerman mes Hoffenheim dhe Heidenheim.

Në sfidën ku luajtën pesë lojtarë me prejardhje nga Kosova, pra Fisnik Asllani, Albian Hajdari, Leon Avdullahu, Diant Ramaj dhe Arijon Ibrahimovic, fitues dolën vendasit me rezultat 3-1, ku një nga golat e shënoi Asllani.

Ademi ka paralajmëruar një “afrim” të mundshëm të dyshes së Heidenheim, pasi si Ramaj edhe Ibrahimovic aktualisht përfaqësojnë Gjermaninë në nivelin ndërkombëtar.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

“Sot pata kënaqësinë të jem mysafir i Hoffenheimit në ndeshjen kundër Heidenheimit në Bundesligë, ku në formacionet startuese ishin plot pesë futbollistë kosovarë.

Asllani, Hajdari e Abdullahu luajtën për Hoffenheimin kundër Heidenheimin të portierit Diant Ramaj dhe Arijon Ibrahimovicit.

Vërtet ishte kënaqësi t’i shihje pesë futbollistë kosovarë në dy ekipe të Bundesligës.

Uroj që shumë shpejt t’i shohim të gjithë me të njëjtën uniformë!”, shkroi ai.



Kujtojmë, Kosova në muajin nëntor rikthehet në “aksion” si mysafir i Sllovenisë, e pastaj e pret Zvicrën në “Fadil Vokrri” për t’i mbyllur kualifikueset e Kupës së Botës 2026./Telegrafi/

Zyrtare: Franco Foda rinovon kontratën me Kosovën

17 October 2025 at 10:33


Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se kanë arritur formalisht marrëveshje me përzgjedhësin Franco Foda për të vazhduar bashkëpunimin edhe për 2 vite.

Kontrata që konfirmon qëndrimin e Fodas në krye të ekipit kombëtar është nënshkruar zyrtarisht nga Presidenti Agim Ademi dhe përzgjedhësi Franco Foda, ditën e parë të grumbullimit të ekipit kombëtar në muajin tetor, përkatësisht me datën 6, duke formalizuar edhe në mënyrë zyrtare marrëveshjen e arritur paraprakisht.

Me marrëveshjen e re, Foda do t’ i prijë kombëtares së Kosovës deri në fund të vitit 2027, me mundësi vazhdimi automatikisht në rast të kualifikimit në Kampionatin Evropian të vitit 2028.

Franco Foda ka marrë drejtimin e ekipit kombëtar me 17 shkurt të vitit të kaluar, dhe që nga ajo periudhë ka udhëhequr kombëtarën tonë në 17 ndeshje deri tani.

Rekordi i teknikut gjerman qëndron 11 fitore, 2 barazime (përfshirë atë me Rumaninë 0-0) dhe ka pësuar 4 humbje./Telegrafi/

Ademi: Treguam se fitorja në Prishtinë nuk ishte rastësi, vazhdojmë ëndrrën e Botërorit

14 October 2025 at 08:48


Agim Ademi ka uruar gjithë Kosovën dhe tifozët shqiptarë për fitoren e madhe të Dardanëve në Goteborg të Suedisë.

I pari i futbollit kosovar ka thënë se fitorja në Goteborg e Kosovës 0-1 ndaj Suedisë ka treguar se nuk ishte rastësi fitorja 2-0 në Prishtinë një muaj më parë.

Ademi ka falënderuar edhe tifozët Dardanët dhe gjithë bashkëatdhetarët për një atmosferë fantastike të krijuar në Ullevi Stadium.

Postimi i plotë nga Agim Ademi:

"Urime fitorja e madhe Kosovë. Çfarë fitore, çfarë emocioni, çfarë krenarie.... E mposhtim sërish Suedinë dhe e blindojmë pozitën e dytë në grup".

"Këta djelmosha thjesht të lënë pa fjalë dhe na japin krenari të pashterrshme me talentin dhe shpirtin e tyre luftarak. Fitorja e një muaji më parë në “Fadil Vokrri”, sonte, në Göteborg u dëshmua se nuk ishte e rastësishme, por konfirmim i rritjes së madhe të Kombëtares sonë dardane".


"Goli i Fisnik Asllanit në stadiumin “Ullevi” na dha emocione të papërshkrueshme, ndërsa angazhimi deri në atomin e fundit i secilit futbollist për ta mbrojtur epërsinë ishte i pashoq. Urime Kosova ime për këtë fitore të madhe. Vazhdojmë me përkushtim dhe besim drejt ëndrrës së madhe, kualifikimit në Kupën e Botës 2026".

"Falënderim nga zemra për secilin futbollist, përzgjedhësin Franco Foda dhe stafin e tij për punën e shkëlqyer, si dhe për çdo pjesëtar të stafit të Kombëtares për përkushtimin e treguar në vazhdimësi. Mirënjohje të veçantë për tifo-grupin “Dardanët” dhe bashkatdhetarët tanë nga Suedia, Evropa dhe mbarë bota që ishin sonte në numër të madh përkrah ekipit tonë. Sonte le të festojë çdo shqiptar kudo që jeton e vepron", ka shkruar Ademi.

Arbër Zeneli i pranishëm në Goteborg për ta mbështetur Kosovën ndaj Suedisë

13 October 2025 at 19:46


Anësori i krahut Arbër Zeneli është i pranishëm në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja mes Suedisë dhe Kosovës për të mbështetur “Dardanët”.

Zeneli që rregulloi tërë ‘konfliktin’ me FFK-në ishte një nga opsionet e Kosovës, megjithatë përzgjedhësi Franco Foda preferoi lojtarë të tjerë këtë muaj.

Kryetari i FFK-së Agim Ademi ka postuar një foto me Zenelin në fushë dhe përzgjedhësin Franco Foda, ku konfirmoi se ylli i Elfsborgut ka ardhur për ta mbështetur Kosovën.

“Kombëtarja jonë është ndërtuar mbi talentin dhe përkushtimin e futbollistëve si Arbër Zeneli”.

“Kënaqësi që ai sonte është pranë ekipit për ta përkrahur nga tribunat. Gjithmonë me zemër për Kosovën, brenda dhe jashtë fushës”.

“Shpresojmë që sonte ta kemi edhe fatin në anën tonë”, shkroi ai ndër të tjera.



Kujtojmë, përballja do të nis me fillim nga ora 20:45, kurse Kosova ka hyrë me sistemin 3-5-2./Telegrafi/


Duka: Futbolli kosovar ka fituar dinjitet dhe peshë në arenën ndërkombëtare

9 October 2025 at 09:37


Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka marrë pjesë në një ceremoni të veçantë në Prishtinë, organizuar për të nderuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kreu i FFK-së, Agim Ademi, duke dëshmuar forcimin e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë mes institucioneve të futbollit të të dy vendeve.

Duka e ka cilësuar këtë moment si një dëshmi të peshës që ka fituar futbolli kosovar në arenën ndërkombëtare dhe ka përsëritur përkushtimin e FSHF-së për ta mbështetur Kosovën në çdo hap të këtij rrugëtimi të përbashkët.



“Në Prishtinë, për të nderuar Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino – një mik i vërtetë i Kosovës dhe i futbollit tonë. Një ceremoni domethënëse, nën kujdesin e Presidentes Vjosa Osmani dhe mikut tim, President Agim Ademi, që tregoi sa dinjitet dhe peshë ka fituar futbolli i Kosovës në arenën ndërkombëtare."

"Unë dhe Federata Shqiptare e Futbollit do të jemi gjithmonë pranë Kosovës në këtë rrugëtim të përbashkët”, ka shkruar Duka. /Telegrafi/

Pamje të momenteve më interesante të vizitës së dytë të Gianni Infantinos në Kosovë ku u nderua me "Medaljen e Nderin"

8 October 2025 at 21:00


Kreu i FIFA-s, Gianni Infantino, vizitoi për herë të dytë Kosovën, një vend me të cilin ka një lidhje të veçantë që nga 13 maji i vitit 2016, kur Kosova u pranua si anëtare e FIFA-s gjatë Kongresit të tij të parë si president. Këtë herë, vizita e tij pati karakter nderi, pasi Infantino u dekorua me “Medaljen e Nderit” nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, Infantino u prit ngrohtësisht nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, bashkë me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv dhe një grup fëmijësh të programit “Grassroots”.

Ademi e cilësoi Kosovën si shtëpinë e Infantinos, ndërsa presidenti i FIFA-s u shpreh se ndihej si në shtëpi, duke vlerësuar simpatinë dhe respektin që populli i Kosovës gëzon për të.

Ceremonia solemne në Prishtinë mbajti pranë përfaqësues të institucioneve shtetërore, zv/presidentin e UEFA-s, presidentin e FSHF-së Armand Duka, ambasadorë, futbollistë të Kombëtares, legjenda të futbollit dhe drejtues të klubeve.

Infantino u shpreh i thellësisht i nderuar dhe emocionuar për vlerësimin, ndërsa presidentja Osmani theksoi rolin e futbollit në mbajtjen gjallë të shpresës dhe ëndrrave të shumë fëmijëve që nga lufta e vitit 1999.

Në fjalën e tij, Infantino kujtoi momentet e para të përfshirjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe theksoi se futbolli bashkon popujt dhe i bën vajzat e djemtë të ëndërrojnë për të ardhmen.

Ai gjithashtu e dedikoi medaljen ish-presidentit të ndjerë të FFK-së, Fadil Vokrri, duke vlerësuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në afirmimin e futbollit kosovar në skenën ndërkombëtare.

telegrafi.com

“Do të doja t’ia dedikoja këtë medalje Fadil Vokrrit dhe gjithë popullit të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit. E kam takuar shpesh Fadilin dhe që në ato takime të para e kuptova forcën, rezistencën dhe guximin e popullit të Kosovës për të arritur qëllimet e veta”, deklaroi Infantino në kulmin e fjalimit të tij.

Në fund të ceremonisë, Infantino ftoi në skenë ekipin e Kombëtares së Kosovës, duke inkurajuar të gjithë të investojnë në brezat e rinj të futbollistëve dhe të besojnë në potencialin e tyre.

Kjo vizitë e dytë, pas asaj të shtatorit 2022, e forcon edhe më shumë lidhjen e FIFA-s me Kosovën dhe demonstron mbështetjen e vazhdueshme të Infantos për zhvillimin e futbollit në vend. /Telegrafi/

Infantino zbarkon sot në Kosovë, FFK: Ditë e madhe për vendin tonë

8 October 2025 at 09:31


Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino do të zbarkojë gjatë ditës së sotme në vendin tonë me ftesë të presidentes Vjosa Osmani.

I pari i futbollit botërorë do të ketë takime të shumta në Kosovë, derisa do të dekorohet nga presidentja Osmani me një çmim të veçantë.

Federata e Futbollit të Kosovës ka lëshuar një deklaratë ku ka shkruar se sot për Kosovën është një ditë e veçantë.

Njoftimi i plotë nga FFK:

Sot është një ditë e veçantë për futbollin dhe për vendin tonë.

Kemi nderin dhe kënaqësinë të mirëpresim në Kosovë për herë të dytë mikun tonë të madh, liderin që i ka dhënë dimension të ri zhvillimit të futbollit global, Shkëlqesinë e Tij, Gianni Infantino.

Vizita e Presidentit Infantino është dëshmi e qartë e mbështetjes që FIFA i kushton Kosovës dhe Federatës sonë. Kosova gëzon respekt dhe simpati të madhe tek Presidenti Infantino, edhe për faktin që në Kongresin e tij të parë si President, në vitin 2016, FFK u pranua si anëtarja më e re e FIFA-s, një moment ky historik për vendin tonë por i veçantë edhe për z. Infantino.Që nga atëherë, futbolli ynë ka përjetuar një zhvillim të jashtëzakonshëm.

Falë përkushtimit të institucioneve, donatorëve, klubeve, trajnerëve, lojtarëve dhe mbështetjes së FIFA-s dhe UEFA-s, Kosova ka marrë vendin që meriton në arenën ndërkombëtare.

Programi “FIFA Forward” ka ofruar mbështetje të madhe për FFK-në, duke ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e futbollit të femrave, akademitë e të rinjve dhe ngritjen e standardeve profesionale. Vizita e tij e dytë dhe dekorimi nga Presidentja Vjosa Osmani nuk është vetëm një simbol nderimi, por edhe frymëzim për gjeneratat e reja. Kjo na kujton se përmes sportit mund të bashkojmë njerëz, të ndërtojmë ura miqësie dhe të promovojmë respektin dhe barazinë. Kosova është një vend i ri, por me zemër të madhe sportive.

Djemtë dhe vajzat tona ëndërrojnë të luajnë në skenat më të mëdha të futbollit botëror dhe me mbështetjen e FIFA-s dhe Presidentit Infantino, këto ëndrra shpresojmë të shndërrohen së shpejti në realitet.Në emër të gjithë komunitetit të futbollit kosovar dhe qytetarëve tanë, i shpreh mirënjohjen më të sinqertë Presidentit Infantino për besimin dhe përkrahjen që i jep Kosovës.

Si President i FFK-së e siguroj se do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim, profesionalizëm dhe transparencë për zhvillimin e futbollit në çdo nivel, duke ndjekur parimet dhe vlerat që përfaqëson FIFA.

Mirë se vjen sërish në Kosovë, President Infantino! Kosova është shtëpia juaj!Me respekt e mirënjohje,Agim Ademi, president i FFK-së

Presidenti Agim Ademi zgjedhet anëtar i Komitetit për Marrëdhënie Institucionale të FIFA-s

7 October 2025 at 19:32


Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është zgjedhur anëtar i Komitetit për Marrëdhënie Institucionale të FIFA-s, një prej komiteteve më të rëndësishme të kësaj organizate globale.

Ky emërim përfaqëson një sukses të madh për futbollin kosovar dhe është pa dyshim një njohje ndërkombëtare e kontributit të vazhdueshëm të presidentit Ademi në zhvillimin dhe avancimin e futbollit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në skenën ndërkombëtare.

Komiteti për Marrëdhënie Institucionale ka një rol kyç brenda strukturave të FIFA-s. Ai këshillon dhe ndihmon FIFA-n në ndërtimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve me institucionet më të larta ndërkombëtare, si: Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Kombet e Bashkuara (OKB) dhe agjencitë e saj si UNESCO e UNICEF, organizatat qeveritare dhe joqeveritare në mbarë botën, si dhe shoqata të tjera ndërkombëtare të sportit.

Përmes këtij komiteti, FIFA ndërton ura bashkëpunimi për të promovuar vlerat e futbollit, si: përfshirja, barazia, paqja dhe zhvillimi i qëndrueshëm nëpërmjet sportit.

Përzgjedhja e presidentit Agim Ademi si anëtar i këtij komiteti është një dëshmi e rritjes së peshës së Kosovës në futbollin ndërkombëtar dhe një hap përpara drejt integrimit dhe diplomacisë sportive të mëtejshme të institucioneve të sportit kosovar në strukturat më të larta botërore.

Pas zgjedhjes në këtë komitet, presidenti Ademi ka deklaruar se ky emërim është një nder dhe përgjegjësi e madhe për të personalisht, por edhe për FFK-në si institucion.

"Jam i nderuar që do të kontribuoj në një komitet kaq të rëndësishëm të FIFA-s. Ky është një sukses për gjithë futbollin kosovar dhe një dëshmi se puna jonë po vlerësohet në nivelet më të larta ndërkombëtare".

Ky rol i ri i presidentit të FFK-së pritet të forcojë më tej pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe të sjellë mundësi të reja për bashkëpunime dhe projekte zhvillimore në të ardhmen.

Të rikujtojmë se presidenti Ademi është edhe anëtar i Komitetit HatTrick të UEFA-s, që po ashtu është njëri prej organeve më të rëndësishme të UEFA-s./Telegrafi/

UEFA e miraton projektin, stadiumet e Kosovës do të bëhen me reflektorë

2 October 2025 at 22:56


Shtëpia e futbollit UEFA e ka miratuar projektin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) që të gjitha stadiumet të bëhen me reflektorë, kështu shkruan kryetari Agim Ademi.

Ademi në rrjetin social “Facebook” ka njoftuar se vendimi u miratuar në mbledhjen e Komitetit UEFA Hat-Trick, cila u zhvillua në Kaunas të Lituanisë.

“Mbledhja e radhës e Komitetit UEFA HatTrick u mbajt në Kaunas

Në këtë takim miratuam projekte të rëndësishme për federatat anëtare, mes tyre edhe projektin për instalimin e reflektorëve në stadiumet e Kosovës.

Ky investim do t’i mundësojë Superligës sonë zhvillimin e ndeshjeve edhe në orët e mbrëmjes, duke rritur shikueshmërinë, atmosferën por edhe standardet e garës.

Krenar që projektet e FFK-së po marrin mbështetjen e plotë të UEFA-s dhe që futbolli ynë po ecën drejt kushteve gjithnjë e më moderne.

Bashkë për futbollin!”, shkroi Ademi.



Synimi i FFK-së mbetet që ndeshjet e elitës së futbollit kosovar të zhvillohen në mbrëmje./Telegrafi/

Agim Ademi flet pas ardhjes së Albian Hajdarit te Kosova: Guri i rëndë peshon në vend të vet, çdo muaj do të ketë prurje te Dardanët

29 September 2025 at 12:58


Albian Hajdari është futbollisti më i ri i Kombëtares së Kosovës dhe ai do të grumbullohet në muajin tetor, ku Dardanët do të luajnë ndaj Sllovenisë dhe Suedisë.

Qendërmbrojtësi i ri kosovar ka zgjedhur Kosovën duke u larguar nga Kombëtarja A e Zvicrës me të cilën ka zhvilluar një ndeshje miqësore.

Ishte fillimisht mediumi zviceran Blick që ka lajmëruar për zgjedhjen e Hajdarit dhe tani edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka konfirmuar për Telegrafin e tij.

"Është një punë shumë e mirë që është bërë. Dua ta falënderojë Albianin për këtë vendim që është i natyrshëm, pasi ka zgjedhur vendin e vet, ka zgjedhur vendlindjen e prindërve të vet dhe fundi i fundit guri i rëndë peshon në të vet. Dua t'i falënderojë prindërit e Albianit që e kanë rritur me atdhedashuri djalin e tyre".

"Albiani është një lojtar që ka të ardhme të ndritur dhe të gjithë jemi të lumtur që e kemi në radhët tona. Sigurisht thash që meritën më të madhe e kanë prindërit e tij dhe gjithë baballarët, nënat e familjarët e këtyre futbollistëve që i rrisin fëmijët me ndjenja patriotike për vendin e tyre", tha Ademi për Telegrafin.

Blick: Albian Hajdari e lë Zvicrën për Kosovën telegrafi.com

Javë më parë Ademi qëndroi në Hoffenheim, për të parë një ndeshje nga afër ku postoi një fotografi së bashku me Albian Hajdarin, Leon Avdullahun dhe Fisnik Asllanin.

Ai thotë se prej kohësh ka qenë në kontakt me babanë e Albionit, por ndikim kanë edhe dyshja Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu që janë shok të ngushtë me Albionin.

"Ne prej kohësh kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me babanë e Albionit. Gjatë asaj vizite që e kemi pasur në Hoffenheim i kemi prezantuar projektin tonë Albionit dhe sigurisht që ai është pjesë e rëndësishme e atij projekti dhe i ka pëlqyer. Gjithsesi punë të madhe kanë bërë edhe Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu që janë shok skuadre me Albionin dhe që të tre janë pjesë e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës", vazhdoi tutje Ademi.

Ademi thotë se Hoffenheim tani është skuadra që pëlqehet më së shumti në Gjermani nga tifozët kosovarë.

"I kemi tre futbollistë tanë në Hoffenheim, por aty kemi biznesmenë kosovarë që janë sponsor te kjo skuadër. Sigurisht që gjithë tifozët kosovarë tani e përkrahin Hoffenheimin në Gjermani. Është një klub që kemi marrëdhënie të shkëlqyera si Federatë dhe jemi të lumtur që futbollistët tanë po lënë gjurmë aty", vazhdoi tutje Ademi.

Krejt në fund i pari i futbollit kosovar tha se prurjet te Kosova do të vazhdojnë çdo muaj.

"Fatmirësisht kemi talente të mëdha nëpër gjithë Evropën. Jo vetëm Leoni e Albiani, por prurjet do të vazhdojnë çdo muaj te Kombëtarja A e Kosovës. Gjatë gjithë kohës kemi prurje të reja jo vetëm te Kombëtarja A, por edhe te grupmoshat dhe Kombëtarja e femrave. Kosova është në rrugën e duhur dhe urojmë që këta futbollistë të talentuar të shkëlqejnë me Kombëtaren tonë edhe në ndonjë Kampionat Botërorë ose Evropian", përfundoi Ademi. /Telegrafi/

❌
❌