Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Banorët e Rrjollit përpara SPAK: “Kërkojmë pronat tona”

5 February 2026 at 15:41

Pas tre ditësh përplasje të dhunshme me policinë kundër zhvillimit të resortit “Blue Borgo” në zonën mes Shëngjinit dhe Velipojës, banorët e Rrjollit u mblodhën sot para Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ku kërkuan ndërhyrjen e drejtësisë për të zgjidhur konfliktin e pronësisë së tokave ku po zhvillohet projekti.

Njësoj si rreth një vit më parë ata protestuan me pankarta para së njëjtës godinë, me të njëjtën kërkesë: Pezullimin e punimeve dhe hetimin e dokumentacionit që i kaloi pronësinë kompanisë “Gener 2”, të cilin ata e konsiderojnë të bërë me falsifikime.

Një vit më pas, sipas banorëve dhe avokatëve të tyre, nuk ka asnjë informacion nëse janë kryer veprime konkrete hetimore. Pas protestës së sotme, avokati Ndue Pjetra tha se SPAK ia ka deleguar çështjen Gjykatës dhe Prokurorisë së Shkodrës.

“Proces i zvarritur qëllimisht”

Avokati i banorëve, Ndue Pjetra, i tha Citizens.al se zvarritja e deritanishme e procesit ka qenë e qëllimshme. Sipas tij, kjo i jep kohë Fatmir Shpellzës, të dyshuar për falsifikim dokumentesh pronësie, “të rregullojë aktet”.

Pjetra kërkoi përfshirjen e Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), për të verifikuar nëse kompania “Gener 2”, që po punon në terren, po vepron në përputhje me ligjin.

“Nëse rezulton se gjithçka është në rregull, banorët do të tërhiqen nga kauza,” tha ai teksa shtoi se ata kanë depozituar një padi civile në Gjykatën e Shkodrës për prishje të pronësisë dhe njohje të saj në favor të banorëve, të cilët pretendojnë se e zotërojnë prej rreth 100 vitesh.

Prek Molla, banor i zonës, tha se të hënën, më 9 shkurt, ata do të paraqiten në institucionet e drejtësisë në Shkodër me qëllim që të kërkohet pezullimi i punimeve deri në një vendimmarrje përfundimtare.

Avokati Klodian Reçi ngriti shqetësimin për mungesën e kontrolleve institucionale. Ai paralelizoi reagimin e shpejtë të IKMT-së ndaj ndërtimeve të vogla dhe private me mungesën e verifikimeve për një projekt që shtrihet në rreth 146 hektarë nga një investitor strategjik “nuk shkon as për verifikime”.

Protesta u mbështet edhe nga përfaqësues të partive opozitare, përfshirë “Lëvizja Bashkë” dhe “Mundësia”. Ata ishin të pranishëm edhe në protestën e zhvilluar një ditë më parë në Rrjoll, ku pati edhe një person të lënduar.

“Me firmën e saj, Belinda Balluku po u shkatërron jetën njerëzve,” deklaroi Redi Muçi para SPAK-ut duke e cilësuar konfliktin si pjesë të një problemi të zgjatur 35-vjeçar të pronësisë në Shqipëri.

Barbara Doda nga partia “Mundësia”, shprehu mbështetjen për banorët.

Projekti i “Gener 2” parashikon një investim prej 280 milionë eurosh për ngritjen e 33 strukturave akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, përfshirë struktura hoteliere dhe sociale-kulturore.

Zona e zhvillimit parashikohet në rreth 146 hektarë me distancë rreth 2 kilometra larg monumentit natyror “Rana e Hedhun”. Ajo bën pjesë në nënzonën 1b të “Peizazhit të mbrojtur Lumi i Bunës-Velipojë”.

Në këtë nënzonë zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes mjedisore, e cila synon ruajtjen e biodiversitetit, duke lejuar aktivitete tradicionale, ekonomike dhe turistike, për sa kohë nuk cenojnë objektivat e mbrojtjes.

Me ndryshimet e Ligjit për Zonat e Mbrojtura, në vitin 2024, u përfshi edhe koncepti i “turizmit të ekselencës” i cili parashikon struktura akomoduese me standarde të larta arkitektonike dhe mjedisore.

Kështu, sipas nenit 33 të ligjit të rishikuar, tashmë lejohet zhvillimi i strukturave turistike 5-yje dhe infrastrukturës mbështetëse, edhe brenda zonave të mbrojtura.

Vendndodhja e projektit brenda zonës së mbrojtur “Lumi i Bunës-Velipoje”/Citizens.al

Në këtë kontekst, një vlerësim i bërë nga AKM ka dalë në përfundimin se projekti “Blue Borgo” nuk bie në kundërshtim me legjislacionin për zonat e mbrojtura.

Në një reagim publik më 5 shkurt, kompania “Gener 2” deklaroi se projekti “Blue Borgo”, i zhvilluar nga kompania tjetër pjesë e grupit “Aba Blue Borgo” (Aba Holding), është në përputhje të plotë me të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Sipas kompanisë, nga faza e konceptimit deri në marrjen e lejes përfundimtare të ndërtimit në dhjetor 2025, janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore. “Gener 2” thotë se janë zhvilluar dëgjesa publike dhe se nuk është cenuar asnjë e drejtë pronësie.

Kompania i cilëson të pabazuara dhe dezinformuese pretendimet për paligjshmëri. Ajo shprehet e vendosur ta vijojë projektin brenda afateve, duke e konsideruar projektin një stacion të rëndësishëm turistik për zonën.

Prej më shumë se një viti, konflikti mes banorëve që pretendojnë pronësinë e tokave dhe kompanisë që ka marrë lejen e ndërtimit mbetet pezull. Asnjë institucion i drejtësisë nuk ka dhënë ende një vendim përfundimtar.

“Kur do t’u vijë radha këtyre çështjeve?” pyeti avokati Reçi, “Kur të kenë vdekur dhe ato që kanë qenë para tyre, apo vetëm pasi resortet të jenë ndërtuar dhe të mos zhbëhen më?”

Lexoni gjithashtu:

The post Banorët e Rrjollit përpara SPAK: “Kërkojmë pronat tona” appeared first on Citizens.al.

Pse ligatinat janë jetike për biodiversitetin dhe klimën në Shqipëri?

2 February 2026 at 17:39

Me rastin e Ditës Botërore të Ligatinave, që shënohet çdo 2 shkurt, Citizens.al publikon këtë opinion shkencor të profesor Aleko Mihos, pedagog dhe studiues i ekosistemeve pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.

Në këtë analizë, Prof. Miho ndalet te roli jetik i ligatinave për biodiversitetin, klimën dhe zhvillimin njerëzor, duke ofruar një pasqyrë historike dhe shkencore mbi gjendjen e tyre në Shqipëri.

Ai sjell të dhëna mbi tkurrjen e këtyre ekosistemeve, shërbimet ekologjike që ofrojnë dhe presionet gjithnjë në rritje nga aktiviteti njerëzor.

Artikulli vjen si një thirrje për reflektim dhe përgjegjësi institucionale, në një kontekst ku mbrojtja dhe menaxhimi i qëndrueshëm i ligatinave mbetet një nga sfidat kryesore mjedisore në vend.

Autor: Prof. Aleko Miho | Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.

Çfarё janё ekosistemet ligatinore dhe sa tё pёrfaqёsuara janё ato nё vendin tonё?

Dy shkurti është Dita Botërore e Ligatinave (Wetlands), e cila përkon me datën e miratimit të Konventës për Ligatinat në 1971, ose Konventës RAMSAR, si njihet ajo sot rëndom, për faktin se miratimi u bë në qytetin iranian Ramsar në brigjet e Detit Kaspik.

Në kuptimin e ngushtë të fjalës, ligatinat, tokat e lagëta, ose si njihen ato shpesh, kënetat, janë hapësira që përmbyten rregullisht nga uji, qoftë dhe përkohësisht. Përmbytja bën që fundi i këtyre ekosistemeve të dallohet për mungesën e oksigjenit, dhe për proceset anaerobe.

Lexo: Një vështrim i shkurtër i arsimit të lartë në Shqipëri

Në këto kushte bimësia është e veçantë, e përshtatur në sasinë e madhe të ujit, por në kushtet e mungesës së oksigjenit. Por në kuptimin e gjerë, me termin ligatina nënkuptohen edhe gjithë hapësirat ujore që ndikojnë drejtpërdrejt në formimin, ushqimin dhe mbajtjen gjallë të zonave kënetore, si hapësirat lumore, liqenore, burimet dhe ujëmbledhësit.

Kuptimi i dytë është ai që lidhet shumë sot me rëndësinë e këtyre ekosistemeve në mbarë botën, por dhe me masat e ruajtjes, ripërtëritjes, dhe shfrytëzimit të qëndrueshëm të tyre.

Para viteve ’60, ligatinat mbulonin më shumë se 2,300 km2, e barabartë me rreth 8% të territorit shqiptar, kjo falë pasurive të shumta ujore, reshjeve, klimës, relievit të sheshtë etj.

Vlen të kujtojmë këtu hapësirat kënetore të Maliqit (Korçë), përgjatë gjithë Ultësirës Bregdetare deri në Vurg (Sarandë) etj. Mbi gjysma e kësaj hapësire kënetore u thá në vitet 1960-1970 dhe u kthye në tokë bujqësore.

U sistemuan gjithashtu gjithë rrjedhjet e lumenjve që ushqenin këto hapësira; një rrjet i gjerë kanalesh kulluese, dhe shumë stacione pompimi (hidrovorë) mbajnë edhe sot këto toka në gjendje të tharë dhe i mbrojnë ato nga përmbytja.

Megjithatë, hapësirat e lagëta në Shqipëri mbulojnë rreth 970 km2, ose rreth 3% të gjithë territorit të vendit (400 km2 në zonën bregdetare). Pjesën më të madhe të tyre e zënë liqenet, lagunat bregdetare dhe ujëmbledhësit.

Bëhet fjalë për mbi 1300 zona kënetore të shpërndara në të gjithë vendin, ku bëjnë pjesë komplekset lagunore bregdetare dhe deltat lumore; shumë zona kënetore gjenden gjithashtu përgjatë brigjeve lumore, liqenore, ujëmbledhësve, burimeve etj.

Shёrbimet ekologjike që ofrojnё ligatinat dhe rёndёsia pёr ruajtjen e larmisë biologjike

Kushdo që i njeh nga afër këto lloj mjedisesh, vëren menjëherë se në to jeta gëlon.

Prodhimtaria bimore neto e këtyre ekosistemeve është ndër më të lartat në planet, duke u renditur pas pyllit tropikal të shiut.

Lexo: Ku jemi me botimin e teksteve mësimore universitare?

Prodhimtaria në zonat kënetore shkon deri në 2 kg/m2/vit (200 kv/ha/vit); kujtoj se prodhmtaria në tokat bujqësore të kujdesura mirë nga njeriu është mesatarisht më pak se 3 herë (rreth 650 g/m2/vit ose 65 kv/ha/vit).

Përveç përvetimit të bollshëm të dyoksidit të karbonit, ato ndihmojnë edhe në qarkullimin e lëndëve të tjera ushqyese (sidomos në reduktimin e azotit); për rrjedhojë këta ekosisteme ndihmojnë dukshëm edhe në zbutjen e klimës dhe të ngrohjes globale.

Pamje ajrore të Deltës së Vjosës Prill 2024 (©Joshua D. Lim) (https://fshn.edu.al/Info/delta-vjose).

Ato strehojnë habitate të pasura dhe të mbrojtura për biodiversitetin, duke ruajtur brenda një hapësire shumë të kufizuar lloje të shumta të ujërave të ëmbla, por dhe të ujërave detare dhe të njelmëta.

Si hapësira shumë prodhuese, mundësojnë ushqim të bollshëm dhe mbrojtje për popullata të dendura shpendësh, me shumë rëndësi gjatë rrugëve migratore. Ligatinat janë vendet ku shumohen shumë lloje peshqish dhe molusqesh – të rëndësishme për peshkimin dhe akuakulturën.

Ekosistemet kënetore janë të rëndësishme për funksionin normal të biosferës dhe kontrollin e erozionit bregdetar dhe zbutjen nga përmbytjet; janë veçanërisht të dobishme për parandalimin e humbjeve të jetës dhe pronës duke zbutur përmbytjet dhe duke mbrojtur tokën nga stuhitë.

Lexo: IUCN kërkon që Shqipëria të rishikojë ligjin për Zonat e Mbrojtura

Ligatinat janë gjithmonë zona tranzitore mes rrjedhës ujore të një lumi dhe brigjeve të tij, apo ndërmjet pasqyrës ujore të një liqeni apo deti dhe brigjeve të tyre, me një lidhje të ndërsjelltë mes tyre; si të tilla ndihmojnë në formimin, ruajtjen dhe shëndoshjen e vijës bregore të këtyre ekosistemeve; ato ndihmojnë në mbajtjen e ujit, dhe zbutjen hovit nga përmbytjet.

Ligatinat janë të vetmet mjedise ku lëndët e azotuara reduktohen në azot molekular, i cili rikthehet përsëri në atmosferë, duke ndihmuar kështu në ruajtjen e përbërjes atmosferike gjatë 400-500 milion viteve të fundit.

Ligatinat gjithashtu formojnë ujëmbledhës natyrorë dhe ndihmojnë në ruajtjen e cilësisë së dëshirueshme të ujit. Këto mjedise ndihmojnë në filtrimin e prurjeve me ujëra të ëmbla, duke mbrojtur mjedisin bregdetar dhe jetën detare.

Ndihmojnë shumë edhe në pastrimin e ujit nga lëndët ndotëse, metale të rëndë, lëndë organike etj. Kjo dukuri e njohur si fitopastrim, përdoret sot në botën e zhvilluar në pastrimin e ujërave nëpërmjet ndërtimit të kënetave artificiale.

Qytetërimi është zhvilluar shpesh në afërsi të këtyre mjediseve ujore. Për bollëkun që ato ofrojnë, njeriu gjithmonë ka ndërtuar vendbanimet e veta pranë këtyre zonave, kujtojmë këtu qytetet antike të Butrintit, Orikut, Apollonisë, Lezhës, Shkodrës, etj.

Këto zona mbeten gjithmonë si vende të tërheqëse dhe çlodhëse për shumë vizitorë vendas dhe të huaj, mjedise me rëndësi për turizmin natyror, por edhe për turizmin kulturor, në kërkim të gjurmëve të hershme të zhvillimit njerëzor.

Ndikimi i njeriut në ekosistemet ligationre

Nga ana tjetër, ekosistemet ligatinore janë sot nën ndikimin e turizmit, peshkimit dhe akuakulturës, përftimit të kripës, industrisë, veprimtarisë portuale dhe transportit detar, urbanizimit dhe bujqësisë.

Jo rrallë këto shkaktojnë ndryshime në mjedisin fizik, përfshirë dhe në gjeomorfologji ose kripësi, në vlerat e oksigjenit të tretur, etj.; sëbashku, këto mund të shkaktojnë varfërimin e biodiversitetit dhe të shërbimeve të të ekosistemit, nga  shqetësime në vijën bregdetare e deri te pakësimi i prodhimeve të detit.

Lexo: “Jo fluturime në Nartë”, rikthehen protestat kundër Aeroportit të Vlorës

Kjo është arsyea që zonat kënetore kanë qënë dhe mbeten ekosisteme shumë dobishme për botën e gjallë në përgjithësi, por edhe për vetë mbijetesën e njeriut. Si të tilla ato janë vende ushqimi, riprodhimi dhe strehë për një botë të pasur shtazore, veçanërisht për peshqit dhe shpendët ujorë dimërues ose migrues, disa prej tyre të rrezikuar globalisht.

Edhe shumë organizma të tjerë shtazorë që shpesh jemi mësuar t’i shohim në steré, pra larg ujit, në një mënyrë ose tjetër janë të detyruar të shkojnë pranë këtyre zonave për të përmbushur ndonjërën ose disa prej këtyre kërkesave.

Kuptimi i shkaqeve dhe pasojave të këtyre presioneve antropogjene ndihmon në përcaktimin e strategjive efektive të menaxhimit që minimizojnë pasojat negative dhe promovojnë përdorimin e qëndrueshëm të burimeve të vlefshme.

Për këtë njohja, dhe më tej shfrytëzimi si duhet, ruajtja dhe mbrojtja e tyre shihet me përparësi nga legjislacioni kombëtar dhe konventat ndërkombëtare, përfshirë këtu dhe Direktivën Kuadër Ujit (WFD, 60/2000), Konventën Ramsar, Konventën e Bernës, Konventën e Barcelonës, IUCN, WWF etj.

Qasja ligjore pёr mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm tё ligatinave nё vendin tonё?

Ligatinat dallohen për larmi habitatesh me vlera natyrore dhe biologjike; por ato janë ekosisteme mjaft të ndërlikuara dhe njëkohësisht të brishta ndaj ndikimit të njeriut.

Kjo është arsyeja që ato janë në vëmendje të veçantë në Direktivën Kuadër të Ujërave (WFD, 60/2000).

Një pjesë e mirë e tyre në Shqipëri kanë sot një status mbrojtje, si Park Kombëtar (Butrinti, Divjakë-Karavasta, Prespa, Lura, Vjosa, Dajti, Thethi etj.), si Rezervate Natyrore (Kune-Vaini, Patok-Fushëkuqe,  etj.), si Peizazh i Ujor/Tokësor (Pogradeci, Rrushkulli, Pishë-Poro, Shkodra-Buna-Velipoja, Orikumi, etj.).

Lexo: Projektligji për mbetjet, mes transparencës së kufizuar dhe rrezikut për interesa private

Shqipëria ka sot 4 zona të mëdha që bëjnë pjesë në listën e Konventës Ramsar: Butrinti-Çuka-Stillo (Sarandë), Karavasta-Divjaka (Lushnjë) dhe Liqeni i Shkodrës-Lumi Buna-Velipoja (Shkodër) dhe Prespa.

Në tërësi, njohja e gjithë përbërësve biologjikë të ekosistemeve ujorë ndihmon më mirë pushtetin vendor dhe qendror në vend në shfrytëzimin e qëndrueshëm të pasurive ujore, në ruajtjen e ekosistemeve me habitate të pasura në lloje, me lloje të rralla dhe endemike, me habitate të brishta etj.

Kjo mund të ndihmojë për të shmangur shfrytëzimin e skajshëm, pa kriter, drejt një shfrytëzimi të qëndrueshëm, në sektorë të tillë si peshkimi dhe akuakultura, gjuetia, në urbanizimin e skajshëm, në vjeljen e bimëve aromatiko-mjekësore dhe produkteve të tjera, në ndërtimin e HEC-eve në lumenj etj.

Por dhe në masa mbrojtëse për të shmangur ndotjen nga urbanizimi dhe turizmi i pakontrolluar, nga përdorimi i keq i tokës dhe shpyllëzimet, nga bujqësia dhe blegtoria e pa kontrolluar, nga industria, nga trafiku dhe portet, etj.

Gjithë këto kërkesa burojnë që nga vetë Kushtetuta jonë, legjislacioni mjedisor vendas, por dhe nga shumë detyrime ndaj konventave ndërkombëtare, si dhe kërkesave të BE të miratuara nga Shqipëria.

The post Pse ligatinat janë jetike për biodiversitetin dhe klimën në Shqipëri? appeared first on Citizens.al.

“SOS! Po grabitemi!”: Aktivistët kundër resorteve turistike në Zvërnec dhe Sazan

2 February 2026 at 17:28

“Ta shijojmë Sazanin pa na e marrë Ivanka!” është kthyer në një batutë të përhapur tashmë mes atyre që udhëtojnë drejt jugut të Shqipërisë. Ironia, megjithatë, pasqyron një shqetësim real për planet e zhvillimit turistik të lidhura me familjen Trump në zonat e mbrojtura të bregdetit shqiptar.

Postimet e Ivanka Trump, vajzës së Presidentit Amerikan në rrjetet sociale, shoqëruar me këngë tradicionale shqiptare, u komentuan gjerësisht në media gjatë fundit të muajit janar. Por përtej debatit mediatik dhe atij online me reagime emocionale, aksionet konkrete në terren kanë qenë të pakta.

Pikërisht, për të thyer heshtjen, një grup aktivistësh dhe artistësh udhëtuan të shtunën drejt Zvërnecit. Në rërën pranë lagunës së Nartës, ata u kujdesën për disa orë që të shpalosnin një mesazh artistik me mbishkrimin “SOS, po grabitemi!”, të shoqëruar me vizatime shpendësh dhe gjallesash karakteristike të zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë dhe Karaburun-Sazan.

Lexo: Nga vizitor në investitor strategjik, si e siguroi Sazanin Jared Kushner

Aksioni simbolik, që u ndoq nga Citizens.al, u zhvillua pranë Manastirit të Zvërnecit, në një territor ku biodiversiteti ishte i dukshëm me sy të lirë. Flamingot, çafkat e bardha dhe shpendë të tjerë migratorë e bëjnë zonën një nga pikat më të rëndësishme ekologjike në vend, mjaft të frekuentuar nga turistët e natyrës dhe ata që udhëtojnë për kamping.

Elsa Paja, një nga aktivistet, na tregoi se ideja lindi nga frika për pasojat e projekteve të paralajmëruara. Sipas saj, bashkimi i artistëve dhe aktivistëve ishte një reagim i drejtpërdrejtë ndaj ndjenjës së përjashtimit nga vendimmarrja.

“Dikush vjen nga jashtë dhe të grabit tokën! Arsyet pse kjo nuk duhet të ndodhë janë të shumta, sa na lindi nevoja për të bërë diçka,” rrëfeu ajo për Citizens.al

Komuniteti lokal: “Jemi kundër”

Por, në Zvërnec, kundërshtimi nuk vjen vetëm nga aktivistët. Blendon Mërtiri, peshkatar prej mbi 30 vitesh në Grykën e Dajlanit, e sheh zhvillimin e paralajmëruar si kërcënim për mënyrën e jetesës.

Lexo: Darka e Sazanit: Si u vu pasuria publike në tryezë

Prej një viti ai dhe peshkatarët e tjerë të zonës janë pa leje peshkimi, të pezulluara nga Ministria e Bujqësisë. Megjithatë, ai çdo ditë gjendet pranë varkave të ankoruara në lagunë.

“Me Zotin dhe me Trumpin nuk merremi. Por nëse na thonë të ikim se është investim strategjik, çfarë bëhet me ne?!” pyet ai me ironi.

Sipas Mërtirit, turistët vijnë në këtë zonë për natyrën e egër, jo për resorte luksoze të parashikuara për t’u ngritur nga propozimi i paraqitur prej dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner.

Mërtiri ngre gjithashtu shqetësimin për pronësinë e tokës, duke theksuar se shumë parcela të zonës së Zvërnecit janë të ndara sipas ligjit “7501” dhe disa të papajisura me dokumente pronësie. Shqetësimi kryesor mbetet te mënyra e shpronësimit. Ai thotë se deri më sot nuk ka pasur asnjë informacion.

“Edhe Aeroport (Aeroporti i Vlorës në Akërni), edhe resort… do na vijë e mira në derë, mirëqenie e madhe…” ironizoi Blendoni.

Një tjetër banore, Rita Xhaho, tha për Citizens.al se lajmin për ndërtimet e mundshme të resorteve në Zvërnec dhe Sazan e kishte mësuar nga televizioni. Për të, ndryshimi i peizazhit mjedisor do të thotë humbje e kujtimeve dhe e lidhjes personale me zonën.

Lexo: Kur natyra përballet me betonin: Çmimi i lartë i Aeroportit të Vlorës

“Nga televizioni e morëm vesh, që do bëhen, ndërtimet, që do ti bej ajo, vajza e Trumpit,” theksoi Rita.

Zonat e Mbrojtura nën rrezik

Marina Xhaho, nga “Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri” (PPNEA), e cila ishte pjesë e grupit të aktivistëve, paralajmëron se çdo ndërhyrje me ndërtime rrezikon shkatërrimin e habitateve ku folezojnë specie të mbrojtura.

Sipas saj, zona e mbrojtur Vjosë-Nartë strehon flamingot, pelikanët kaçurrelë, sqepbizët, kalorësit, pulëbardhat dhe dhjetëra lloje të tjera shpendësh ujorë.

Më 22 shkurt 2024, Kuvendi miratoi me votat e shumicës socialiste ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke hapur rrugën për zhvillime turistike dhe investime në zona që më parë ishin të paprekshme. Përpjekjet për shfuqizimin e ligjit u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese.

Planet e propozuara nga kryeministri Rama në bashkëpunim me Kushner për Sazanin dhe Zvërnecin kanë hasur kundërshtim të gjerë: 41 organizata mjedisore nga 28 shtete i kërkuan publikisht qeverisë shqiptare pezullimin e këtyre nismave.

PPNEA ka paralajmëruar se rreth 14 kilometra vijë e egër bregdetare, aktualisht zonë e mbrojtur, rrezikon të shndërrohet në rrugë asfalti, ndriçim artificial dhe ndërtesa luksoze.

Sipas mjedisorëve, rreziku nuk kufizohet vetëm në jug. Ndryshimet ligjore dhe nisma si “Paketa e Maleve” e zgjerojnë logjikën e ndërhyrjes edhe në zona të tjera të mbrojtura në vend, duke vënë në pikëpyetje vetë konceptin e mbrojtjes së aseteve natyrore.

Lexoni gjithashtu:

The post “SOS! Po grabitemi!”: Aktivistët kundër resorteve turistike në Zvërnec dhe Sazan appeared first on Citizens.al.

Darka e Sazanit: Si u vu pasuria publike në tryezë

22 January 2026 at 17:44

Ardhja e Ivanka Trump dhe bashkëshortit Jared Kushner në Vlorë të mërkurën, shoqëruar me pritje protokollare dhe një darkë private me kryeministrin Edi Rama, u paraqit publikisht si një vizitë e jashtëzakonshme.

Por, në thelb, vizita e Trump dhe Kushner – të cilët prej vitit 2023 e kanë vizituar shpesh Shqipërinë – ekspozon një model të konsoliduar të vendimmarrjeve të qeverisë Rama: përqendrim të pasurive publike në pak duar, të lidhura me pushtetin politik dhe financiar, tashmë edhe ndërkombëtar, përmes negociatash direkte, pa transparencë, pa garë dhe pa llogaridhënie.

Ky model nuk është i panjohur as në profilin publik të vetë Jared Kushner. Në SHBA dhe Lindjen e Mesme, ai është përballur me kritika të vazhdueshme për ndërtimin e karrierës së tij si sipërmarrës duke përfituar nga pozicioni politik i vjehrrit, Donald Trump, veçanërisht për marrëveshje të mëdha investimi që u realizuan pas përfundimit të mandatit presidencial. 

Kritikët kanë ngritur pikëpyetje mbi konfliktet e mundshme të interesit dhe mungesën e ndarjes mes rolit publik dhe përfitimit privat, një debat që sot gjen jehonë edhe në Shqipëri.

Sazani e Zvërneci si “plaçka për t’u falur”

Projekti i propozuar nga Kushner për ndërtimin e resorteve luksoze në Sazan dhe Zvërnec po përparon përmes një formule që shmang parimet bazë të konkurrencës, aq shumë të kërkuara dhe lavdëruara nga BE për integrimin.

Erdhi si propozim i pakërkuar. Vijoi pa diskutim publik dhe pa tender të hapur ndërkombëtar. Askush nuk di të thotë: A është oferta e Kushnerit më e mira e mundshme dhe a po shihet mundësia që të lejohen investitorë të tjerë në Sazan?

Prej janarit 2025, kur mori statusin e investitorit strategjik, qeveria po negocion drejtpërdrejt me kompaninë “Affinity Partners” (zotëruese e “Atlantic Incubation Partners LLC”) të Kushnerit, e cila pritet të jetë ortake, në kuota shumice, me ndërmarrjen qeveritare “Albanian State Development & Real Estate” (ASDRE), e cila u krijua në qershor.

Grupi negociator përbëhet nga përfaqësues të administratës së Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e vetmja ende në detyrë pas ndryshimeve qeveritare të zgjedhjeve të fundit, ministrisë së Financave, Mjedisit dhe Turizmit. 

Paralelisht grupi është përbërë edhe nga përfaqësues të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), dhe Korporatës së Investimeve Shqiptare (AIC). Kjo e fundit e ka përfshirë në hartën e projekteve që synon të zhvillojë.

Pikërisht AIC kontraktoi në shkurt 2025 për rreth 300 mijë euro zyrat ligjore “Tonucci & Partners” dhe “Nexia Consulting” për të forcuar “pozitën e shtetit shqiptar në këtë investim” përmes një “ekspertize ligjore, financiare, teknike dhe mjedisore”.

Nga kjo qasje, kuptohet se qeveria ia dha statusin e investitorit Kushnerit, pa qenë e sigurt për pozitën e saj në propozimin e pakërkuar. Pra, pa e ditur saktë impaktin financiar dhe mjedisor.

Pikërisht për impaktin mjedisor Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe organizata të tjera mjedisore kanë apeluar disa herë shqetësimin se propozimi i Kushnerit prek zona të mbrojtura, veçanërisht Zvërnecin. 

Në një reagim të mërkurën PPNEA theksoi se “rreth 14 kilometra vijë të egër bregdetare që është zonë e mbrojtur, […] planifikohet të shndërrohet në rruge asfalti, drita të forta dhe pallate luksoze, të cilat nuk kanë vend për natyrën e egër dhe komunitetet”.

Ky zhvillim po ndodh teksa Komisioni Evropian i ka vënë kusht Shqipërisë për integrimin mbylljen e kapitullit të mjedisit me ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura, i cili i pati hapur rrugë investimeve të tilla në parqet natyrore.

Sidoqoftë, vlen të thuhet se për rastin konkret BE ka qendruar e heshtur, pak a shumë si në rastin e Aeroportit të Vlorës, që pritet të ndikojë tejmase në rrjetin e zonave të mbrojtura Vjosë-Nartë.

Citizens.al iu drejtuar të gjitha strukturave të grupi negociator për të marrë informacion për takimet, pozitën aktuale të bisedimeve dhe nëse ka pasur interes nga sipërmarrës të tjerë, veçanërisht kompani shqiptare.

Deri në momentin e botimit të këtij shkrimi, vetëm AIDA dhe AIC dhanë përgjigje duke u kufizuar te theksimi se Affinity Partners mbetet e interesuar ta vijojë projektin dhe se ASDRE nuk po shqyrton asnjë projekt-propozim tjetër në Sazan*.

Nga e gjithë kjo tablo duket qartë se qeveria po e trajton Sazanin dhe Zvërnecin thjeshtë si plaçka për t’u falur, dhe jo si pasuri publike të parikuperueshme që nevojiten të menaxhohen me rregulla.

Zyrtarisht theksi për rastin e Kushnerit vihet te statusi “investitor strategjik”, një etiketë që në praktikë ka shërbyer si çelës për të anashkaluar procedurat standarde, parlamentin, debatin publik mbi kostot, përfitimet dhe rreziqet.

Modeli që përsëritet

Sazani dhe Zvërneci nuk qëndrojnë vetëm. Qeveria Rama ka vepruar ngjashëm duke trajtuar si plaçkë edhe Portin e Durrësit, Portin e Vlorës dhe zonën e mbrojtur përreth Aeroportit të Vlorës.

Porti i Durrësit iu dha sipërmarrësit nga Emiratet, Mohamed Ali Alabbar. Në rastin e tij u bë me ligj të posaçëm, procedurë të përshpejtuar në Kuvend dhe partneritet të paracaktuar në darkën e famshme të qeverisë në restorantin e Nusret Gökçe (njohur si Salt Bae) në Dubai (2021). 

Kështu, projekti “Durrës Yachts & Marina” me grupin e Emirateve “Eagle Hills” pati zero debat publik dhe zero konkurrencë. Formula e ktheu Kuvendin në “noter” të një marrëveshjeje të negociuar dhe dakordësuar larg institucioneve dhe vëmendjes publike.

Për Portin e Vlorës, raportimet kanë treguar se qeveria përdori një kombinim të ligjit të investimeve strategjike, formulën “Shqipëria 1 euro” dhe VKM të posaçme, duke lënë pa sqaruar mënyrën sesi u shmang dhe minimizua pjesëmarrja reale e shtetit në projektin e “Marina di Valona”.

Ngjashëm zero debat publik, zero konkurrencë.

Në rastin e Aeroportit të Vlorës, qeveria tregoi se kur do dhe ka vullnet, mund të ndjekë dhe aplikojë procedurat konkurruese të një gare me tender ndërkombëtar pas një ofertë të pakërkuar. 

Sigurisht, tjetër gjë se kjo procedurë ishte formale – fillimisht aeroporti iu premtua konsorciumit turk Cengiz-Kalyon-Kolin Constr. më pas me procedura të dyshimta iu dha ortakërisë “Mabetex-2A Group” të Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit.

Rastet tregojnë qartë sesi qeveria nuk e mat interesin publik me garë dhe kushte të qarta, por me negocime dhe vendime që merren nëpër tavolina jashtë institucioneve. Për më tepër nga investimet në fjalë qeveria merr përsipër detyrimet për të siguruar infrastrukturën mbështetëse.

Në këtë kuptim Sazani e Zvërneci – historikisht të paurbanizuara, pa furnizimin me ujë dhe energji elektrike – janë thjesht plaçkat e radhës, pasi në rastin e tyre nuk po ndiqet as formalisht procedura e një tenderi apo konkursi ndërkombëtar

Nga renderët 3D te “negociimi” me arkitektët e qeverisë

Për Sazanin dhe Zvërnecin jo vetëm që nuk po duket të ketë garë, por tani duket se vetë projekti arkitektonik po riformatohet, me takime të raportuara mes Ivanka Trump, përfaqësuesve të qeverisë dhe “50-60 arkitektë” që nuk dihet se nga dolën dhe u shfaqën në Vlorë.

Foto e rrjedhur në media nga resorti ku u prit Ivanka Trump, 21 janar 2026.

Mes tyre, nga disa foto që qarkulluan në rrjet, spikati arkitekti japonez Kengo Kuma, i njohur ndërkombëtarisht për stilin modernist. Kuma ishte i ftuar në Shqipëri për festivalin e arkitekturës “Bread and Heart” dhe është projektues i Parkut të Vizitorëve në Butrint.

Nga fotot, duket të ketë qenë e pranishme edhe Adelajda Roka, drejtuesja e Agjencisë së Zhvillimit te Territorit (AZHT), e cila nuk është pjesë e grupit negociator. 

Nga kjo dhe prezenca e Kumës, mund të kuptojmë se grupi i arkitektëve në fjalë mund të jetë organizuar nga AZHT.

Prej tetorit 2025, AZHT dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) kanë riorganizuar festivalin “Bread and Heart” në një fondacion. Citizens.al ka kërkuar qartësi për objektivin, arsyet dhe mënyrën e këtij tranzicioni.

Por dukshëm, ky riorganizim që ka bërë bashkë arkitektët e preferuar të qeverisë, po merr rol domethënës. Takimi me arkitektët u raportua se kishte në fokus projektet në Sazan e Zvërnec. Kjo nënkupton se tanimë diskutimet kanë kaluar te “si do të bëhet” projekti, jo më thjesht “a do të bëhet”.

Nëse propozimi fillestar i vitit 2024 ishte një “vizion” (render 3D), takimet me arkitektë nënkuptojnë se tani po negociohet përmbajtja e investimit: volumet, ndërhyrjet, infrastruktura, fazat si edhe lehtësitë fiskale.

Por nëse projekti “po rikonceptohet” gjatë negociimit, atëherë justifikimi për “ofertë të pakërkuar” bie, sepse nuk kemi më një ofertë të përcaktuar që vetëm vlerësohet dhe trajtohet, por realisht kemi një bashkë-projektim pa transparencë.

Qeveria shqiptare, edhe pas kërkesave të përsëritura për transparencë, ende nuk ka zbardhur një sërë detajesh: Çfarë do të ndërtohet realisht në në Sazan dhe Zvërnec? Çfarë po ofron realisht qeveria shqiptare: truallin, infrastrukturën, trajtim preferencial apo ekskluzivitet? Çfarë kanë premtuar investitorët dhe e në fund, çfarë përfitojnë qytetarët Shqiptarë?

*Artikulli u përditësua me përgjigjen nga AIC për Sazanin.

The post Darka e Sazanit: Si u vu pasuria publike në tryezë appeared first on Citizens.al.

Hidrocentrale pa kufi: Ballkani “hambar” i HEC-eve të vogla

11 December 2025 at 17:10

Hidrocentralet konsiderohen “burim i gjelbër” energjie për shkak të emetimeve të ulëta të karbonit, por ndikimet e tyre në natyrë dhe komunitetet lokale janë kthyer në shqetësime serioze.

Rritja e projekteve në Ballkan

Ballkani, me burime ujore të shumta, është kthyer në një “hambar” hidrocentralesh të vogla, zakonisht me kapacitete deri në 2MW.

Sipas një monitorimi të organizatave mjedisore EuroNatur dhe RiverWatch, numri i hidrocentraleve është rritur ndjeshëm në Ballkan. Kështu deri në vitin 2024 numëroheshin mbi 5,000 projekte hidrocentralesh.

Nga numri i përgjithshëm, 1,836 janë në punë, 94 në ndërtim dhe pjesa tjetër: 3,188 ende në letër.

Rreth 92% e hidrocentraleve janë më të vogla se 10MW, që prodhojnë energji minimale, por shkaktojnë dëme të pakthyeshme në lumenj dhe komunitete lokale”.

Organizatat mjedisore thonë se gati gjysma e projekteve ndodhen brenda zonave të mbrojtura, duke qenë në kundërshti me qëllimin pse këto zona janë të mbrojtura.

Që nga viti 2022, 110 hidrocentrale të reja kanë nisur punë, duke shkatërruar rreth 1,100 kilometra rrjedhë lumenjsh.

Vendet më të prekura nga “shkatërrimi”

Sipas raportit të EuroNatur dhe RiverWatch, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria dhe Serbia janë “pikat e nxehta” të ndërtimit të digave. Greqia dhe Kroacia duket se po zgjerojnë gjithashtu projektet.

Në Shqipëri, numërohen 27 kantiere dhe 346 projekte në fazë planifikimi. Disa nga më shqetësueset gjenden përgjatë lumit Shkumbin “pa asnjë degë të mbetur pa digë” dhe në Parkun Kombëtar të Shebenikut.

Po aq shqetësues mbetet lumi Devoll. Digat e Banjës dhe Moglicës e kanë transformuar pjesën e sipërme të lumit në një seri rezervuarësh, duke prishur lidhjen gjatësore dhe ekosistemin e rrjedhës poshtë.

Kapaciteti i instaluar i hidrocentraleve në Shqipëri arrin rreth 1,450 MW dhe përbën mbi 90% të energjisë së vendit, duke u mbështetur kryesisht në kaskadat e lumenjve.

Në Bosnjë e Hercegovinë, digat të shumta kërcënojnë lumenjtë kryesorë, si Neretva dhe Drina e Sipërme.

“Më shumë se 50 HEC-e, në shkallë të vogël dhe të madhe, kërcënojnë të gjithë rrjetin lumor – Neretvën dhe çdo degë të saj”, thuhet në raport.

Krahasim i përgjithshëm midis viteve (2012-2024) Burimi: EuroNatur/River Watch


Kosova raportohet të ketë 83 hidrocentrale të planifikuara dhe 8 në proces ndërtimi. Disa HEC-e janë mbyllur për shkak të problemeve me licencimet.

“Shqetësim i madh është zonimi i Parkut Kombëtar të Malit të Sharrit për shkak të përjashtimit të luginave të mëdha të lumenjve, siç është lumi Lepenc”, thuhet në raport.

Serbia raportohet të ketë 803 projekte të planifikuara dhe 22 në ndërtim, ajo konsiderohet e dyta për nga numri i lartë i projekteve, ndërsa Maqedonia e Veriut 165 projekte të planifikuara dhe 7 në ndërtim.

Sipas raportit, ndërtimi i hidrocentraleve të vogla dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut janë të ngadalta, mirëpo ka projekte të shumta dhe të qëndrueshme.

Në Mal të Zi janë 93 projekte të planifikuara dhe 2 në ndërtim. Shumë HEC-e gjenden brenda zonave të mbrojtura, përfshirë parqet kombëtare dhe vendet Natura 2000.

Raporti thekson se në vendet ballkanike të BE-së ku përfshihet Greqia, Bullgaria, Kroacia dhe Sllovenia, thuajse gjysma e projekteve (1,611; 49%) janë planifikuar ose ndërtuar brenda zonave të mbrojtura ekzistuese (242 në Parqe Kombëtare; 569 në zona Natura 2000).

HEC-et në zona të mbrojtura Burimi: EuroNatur/River Watch

Hidrocentralet dhe lufta e komuniteteve në Shqipëri

Në Shqipëri, sipas të dhënave të mbledhura edhe nga EuroNatur dhe Riverwatch, projektet e hidrocentraleve kanë shkaktuar përplasje midis komuniteteve dhe ndërtuesve.

Në 2019 dhe 2020, Kryeministri Edi Rama pranoi se HEC-et e vogla shpesh janë të padobishme dhe dëmtojnë komunitetet sikurse dhe ekosistemin.

“Ato funksionojnë si shushunja që thithin gjakun e organizmit të vendit, duke lënë toka pa ujë dhe komunitete pa mundësi të punojnë tokën,” do të shprehej Rama.

Megjithatë, ndërtimet vazhduan, duke evidentuar tensionet midis energjisë së gjelbër dhe mbrojtjes së lumenjve dhe jetës lokale.

Raste të shpeshta të raportuara nga Citizens.al kanë dëshmuar për përplasje dhe qëndresë nga komunitetet lokale.

Shembull konkret mbeten zona si ajo e Zall-Gjoçajt në Lurë, Kaçinarit në Mirditë dhe Kurdarisë në Mat, ku banorët janë organizuar në protesta duke kundërshtuar prej vitesh ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve.

Lexo gjithashtu:

The post Hidrocentrale pa kufi: Ballkani “hambar” i HEC-eve të vogla appeared first on Citizens.al.

“Mbrojtës” që kërkojnë zhvillim!

6 December 2025 at 19:15

Dje, në një prej kthinave të brendshme të Piramidës së rijetëzuar të Tiranës, një bashkësi e vogël miqsh e donatorësh, mes tyre burokratë e profesorë, të ftuar nga Ministria e Mjedisit, u mblodhën për të festuar (pa shumë entuziazëm) 10-vjetorin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM). Nivelin ceremonial të jubileut, nën titullin elegjiak “Për ty natyrë”, e ngriti prania e Kryeministrit, ndonëse ai vetë nuk qëndroi deri në fund.

Daniel Pirushi, drejtore ekzekutive e kësaj agjencie e mbajti fjalën e para; më pas, ministri Sofjani dhe në fund, Kryeministri Rama. Aktiviteti u përcoll live në Facebook, në kanalin e kryeministrit, me mbi një milion e gjysmë ndjekës.

Pak prej çka u tha ia vlen ta trajtojmë, shkurtimisht, këtu. Në përpjekje për të promovuar vizionin e Ramës, mbi projektet e rijetëzimit të zonave të urbane, Pirushi  pranoi se të tilla projekte mund të shërbenin si modele të replikueshme në rrjetin e zonave të mbrojtura, duke konkluduar, dhe fjala është për rejxhërsat e rrjetit kombëtar të këtyre zonave, se këta nuk janë rojtarë, por dashamirës të natyrës.

Me të drejtë lind pyetja. Nëse nuk është administrata e zonave të mbrojtura që i ruan, kush i ruan parqet tona? Në 3 vjet e gjysmë, që prej emërimit në krye të AKZM, Pirushi ka mësuar t’u shmanget përgjegjësive. I njëjti model shmangieje është përhapur edhe poshtë në strukturat e varësisë. Ndoshta kjo u shërben më mirë interesave individuale për të mbrojtur vendin e punës, pasi mbrojtja e parqeve u rrezikon shpesh karrierën. Sido që të jetë, komunikimet përmes stërhollimeve të gjuhës nuk mund t’u mbivendosen përgjegjësive ligjore që i takojnë administratës së zonave të mbrojtura. Mohimi deklarativ i figurës së rojtarit përkrah keqbërësit dhe banditët që grabisin dhe shkatërrojnë parqet kombëtare. Ndërkohë që në ndihmë të shmangies ekzagjerohet edhe përkrahja ndaj të ashtuquajturit “edukim mjedisor”, duke e mbivlerësuar rolin e tij. Fakti është se rojet nuk janë edukatorë; as nuk janë mësues biologjie. Kjo është një tjetër metodë për të mbuluar përgjegjësitë, për të trushplarë opinionin mbi dobinë dhe efikasitetin e administratës së zonave të mbrojtura. Burokratët e shndërruar në edukatorë janë hipokritë. Administrata nuk është shkollë, as kishë, por organ ligjzbatues.

Vetë Rama shkoi edhe më tej. Në fund të fjalës, kur iu drejtua përfaqësuesve të organizatave mjedisore, ai ironizoi përpjekjet e tyre në drejtim të mjedisit, duke nënkuptuar se e mbrojnë atë për të siguruar jetesën. Nuk është agresioni i parë që ndërmerr ndaj tyre. Në 2022, i quajti “mbrojtës të bezdisshëm”, ndërsa gjatë kohës kur liberalizoi ndërtimin e hoteleve turistike brenda parqeve kombëtare (me ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura), në përpjekje për të paralizuar reagimin e tyre, u përpoq t’i frikësojë me këto fjalë: “na respektoni nëse doni që t’ju respektojmë…”.

Sido që këtë radhë u përpoq të tregohej disi më i moderuar, maska e dashamirësisë nuk arriti të mbulonte agresionin dhe cinizmin kronik për shoqërinë civile. Pavarësisht se të tilla qëndrime nuk janë vetëm opinionale dhe politike, pavarësisht se edhe e ashtuquajtura shoqëri civile vuan simptoma serioze, hipokrizia e një shoqërie nuk e rëndon ndërgjegjen e kryeministrit, por “përkushtimi” i kryeministrit për mjedisin natyror përbën një hipokrizi më vete që dëmton shoqërinë. Është i njëjti veprim, siç tentoi të bënte më parë Pirushi, që synon trasferimin e përgjegjësisë te tjetri; e njëjta taktikë sulmi që synon diskreditimin e kundërshtarit politik, për të zhveshur nga morali përpjekjen për mbrojtjen e natyrës në sytë e publikut.

Falë kësaj mendësie, ndonëse janë shtuar në hektarë, në dhjetë vite zonat e mbrojtura janë varfëruar në biodiversitet. Dy prej zonave me mbrojtjen më të lartë (Zonë Strikte), Pyjet e Gashit (Tropojë) dhe Bredhi i Kardhiqit (Gjirokastër) e kanë humbur statusin e mëparshëm. Impiantet e prodhimit të energjisë së rinovueshme janë lejuar të ndërtohen brenda Peizazhit të mbrojtur Pishë-Poro-Nartë, aty ku ndërtohet edhe i shumë kundërshtuari: Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës. Hotele turistike, krahas veprave të tjera infrastrukturore kanë siguruar mbështetje ligjore për t’u ndërtuar brenda parqeve kombëtare. Qindra hektarë habitatesh pishash mesdhetare, përgjatë vijës bregore, janë shkrumbuar nga zjarret. Vjosa që propagandohet si lumi i fundit i egër në Evropë, por që në të vërtetë është parku kombëtar i vetëm në letër në Evropë, përcjell çdo ditë, përmes shtratin të tij të gjerë të gjitha fekalet e Shqipërisë Jugore drejt Adriatikut.

Nuk ka të ardhme në këtë dhjetëvjetor për zonat e mbrojtura. Vitin e shkuar ndryshoi ligji për të lejuar zhvillimin. Sot kërkohet largimi i rojtarëve.

Një gjë është e sigurtë: zonat e mbrojtura mbrohen, nuk rivitalizohen; kanë nevojë për roje, jo për arkitektët e oborrit të kryeministrit dhe për burokratët e planifikimit urban. Shpesh, “rivitalizimet” e trashëgimisë na kushtojnë më shumë sesa të ardhurat që mund të fitohen.

Por jo të gjithë e kuptojnë këtë…

The post “Mbrojtës” që kërkojnë zhvillim! appeared first on Citizens.al.

Hidrocentrale të tjera në horizont, shqetësime shtesë për komunitetet

4 December 2025 at 15:25

Raportimet dhe të dhënat e mbledhura nga Citizens.al ekspozojnë një panoramë të ngarkuar me kontradikta dhe përplasje me komunitetet sa i përket shfrytëzimit të burimeve ujore për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri: hidrocentrale joefiçente, leje të dhëna pa konsultime publike dhe mungesë raportesh për ndikimin e tyre mjedisor.

Citizens sjell një hartë të plotë të shpërndarjes së 99 hidrocentraleve në gjithë Shqipërinë, të cilët pritet t’i shtohen listës së 158 hidrocentraleve të tjera që u ndërtuan në periudhën 2013-2024.

Kush fiton dhe kush humbet nga ndërtimet e tyre? Përvoja me rastet e shkuara tregon se komunitetet përreth nuk fitojnë gjë, përkundrazi.

Qasja e pandryshuar me hidrocentralet

Ndërsa qeveria e Kryeministrit Edi Rama – në pushtet prej vitit 2013 – vazhdon ta paraqesë zhvillimin e hidrocentraleve si politikë të qëndrueshme energjetike, bilanci real mbetet i paqartë.

Pasi mori pushtetin, Rama e konsideroi “korrupsion shkatërrimtar” prirjen e qeverisë së shkuar të drejtuar nga Sali Berisha (2005-2013) për dhënien e lejeve të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura. 

Ai tha se në këto zona ishin dhënë 113 leje, prej të cilave ai theksoi se 55 prej tyre “nuk kanë për të filluar punë” si zotim i tij se politika me hidrocentralet do të ndryshonte.

Sipas raportit të vitit 2013 të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), Shqipëria kishte asokohe 80 hidrocentrale private me kapacitet të përgjithshëm prej rreth 240 megavat (MW).

Qeveria Rama shqyrtoi 103 kontrata koncesionare në një proces, pas së cilit në vitin 2019 deklaroi anulimin e 27 prej tyre, që parashikonin ndërtimin e 80 HEC-eve.

Sipas raportit të ERE-s për vitin 2019, Shqipëria kishte 197 hidrocentrale private me fuqi 827 MW.

Qeveria doli me gjykimin e përgjithshëm se hidrocentralet e vegjël ishin të padobishëm në aspektin energjetik dhe të dëmshëm në raport me mjedisin dhe komunitetet.

“Nuk do ketë më në Shqipëri, leje për asnjë HEC nën 2 MW dhe nuk do lejohet më kurrë që në emër të prodhimit të energjisë të preken zona me rëndësi nga pikëpamja natyrore dhe turistike, apo komunitete, duke arritur deri në pikën që tubat e HEC-it të futen në burimin e ujit,” u zotua Rama asokohe.

Por koha tregoi se ky zotim nuk u mbajt nga qeveria, e cila vijoi me dhënien e lejeve për HEC-et e vegjël, madje ajo ndërhyri edhe në ligjin e zonave të mbrotjura duke i tkurrur edhe territoret e parqeve kombëtare në favor të dhënies së burimeve ujore për HEC-e.

Rastet konkrete janë HEC-et në Zall-Gjoçaj apo dhe në Kurdari ku për shembull “HEC Doma” po ndërtohet pavarësisht kontestimeve të komunitetit dhe faktit se ka një kapacitet prej më pak se 2 MW.

ERE raportoi në vitin 2024 për 238 hidrocentrale private të prodhimit të energjisë. Një rritje me 17.2% (41 HEC-e) krahasuar me vitin 2019 kur qeveria u zotua për qasje të kontrolluar dhe 66.3% (158 HEC-e) prej vitit 2013 kur socialistët morën pushtetin.

Më shumë se gjysma e këtyre impianteve (58%; 138 HEC-e) prodhojnë energji minimale (me kapacitete 2 ose më pak se 2 MW), dhe janë ndërtuar pavarësisht dëmeve ndaj mjedisit, burimeve ujore dhe komuniteteve.

Të dhënat e siguruara nga Citizens.al prej Agjencisë Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) dhe 61 bashkitë e vendit, tregojnë se zyrtarisht janë edhe 177 HEC-e që pritet t’i shtohen vendit: 25 HEC-e janë në ndërtim, 152 në procedura për të marrë lejet.

Sipas të dhënave të AKBN-së përpos premtimeve për të mos dhënë më leje për ndërtimin e hidrocentraleve numri i tyre ka ardhur në rritje.


Nga hidrocentralet që janë në ndërtim e sipër, kontratat janë lidhur në periudha të ndryshme, duke nisur prej vitit 2013 e deri më 2025.

Përkatësisht, kemi 1 kontratë të lidhur në 2013-ën, katër në 2015-ën, pesë në vitin 2017, shtatë në vitin 2018, një në vitin 2019, tre në vitin 2021, dy në vitin 2023 dhe dy të tjera në vitin 2025.


Kontratat për 152 hidrocentralet që janë në procedura për të nisur nga puna, ngjashëm ndahen në periudha të ndryshme duke nisur nga viti 2010, të cilat ende nuk janë finalizuar edhe më sot.


Kështu, në 2010 janë lidhur shtatë kontrata, në 2011 tetë të tilla, në 2012 nëntë kontrata, në 2013 pesë kontrata, në 2015 katër kontrata, në 2016 10 të tilla, në 2017 16 kontrata, në 2018, 22 kontrata, në 2019 gjashtë kontrata, në 2020, dy të tilla, në 2021 katër kontrata, në 2022 një kontratë, në 2023 pesë kontrata, në 2024 tre kontrata.


Sipas të dhënave të AKBN-së edhe për hidrocentralet që kanë hyrë në prodhim në 15 vitet e fundit, 131 të tilla, viti kur janë lidhur më shumë kontrata është 2013, me 41 të tilla.

Më pas vjen viti 2017 me 31 të tilla, viti 2018 me 18, vitit 2011 me 17, 2012 me 14, vitit 2010 me 5 kontrata, vitit 2019 me dy të tilla, dhe viti 2015 dhe 2016 me nga një kontratë secili.

Në mungesë të një strategjie të re për energjinë e rinovueshme, Shqipëria vazhdon të mbështetet kryesisht te lumenjtë – burime që po shterojnë përveç ndikimit të ndryshimeve klimatike, edhe prej presionit të investimeve private dhe mungesës së kontrollit publik.

Thuajse gjysma e prodhimit (41.7%) tashmë vjen nga centralet private. Numri fotovoltaikëve është shtuar ndjeshëm (21), por shpesh edhe këto janë shoqëruar me probleme në ndikimin në mjedis dhe komunitete.

Prej vitit 2013 pesha e kapaciteteve prodhuese të hidrocentraleve private është pesëfishuar nga 240 MW në 1,222 MW (45.8% e totalit).

Ndërkohë mungojnë të dhënat e përgjithshme për efektet që ky zgjerim i madh ka bërë në natyrë dhe komunitete.

Ku do të ndërtohen hidrocentralet?


Nga 25 hidrocentralet që janë në ndërtim, dy prej tyre janë në Elbasan, pesë në Gramsh, një në Çorovodë, katër në Maliq, një në Pukë, dy në Fushë Arrëz, dy në Bulqizë, një në Burrel, katër në Peshkopi, një në Klos, një në Kaçinar (Rrëshen) dhe një në Hekal të Tiranës.


Ndërsa nga 152 hidrocentrale që janë në procedura, ndarja është e tillë:


Dy në Elbasan
Tetë në Librazhd
Dy në Përrenjas
Nëntë në Gramsh
Një në Belsh
10 në Çorovodë
Katër në Korçë
Tre në Ersekë
Dy në Pogradec
12 në Devoll
15 në Kukës
10 në Bajram Curr
Tetë në Koplik
10 në Fushë Arrëz
Tetë në Pukë
Tre në Shkodër
Gjashtë në Bulqizë
Tetë në Burrel
Një në Peshkopi
Nëntë në Klos
Katër në Rrëshen
Dy në Kurbin, Finiq dhe Tepelenë
Një në Poçem të Fierit, Himarë dhe Memaliaj
Tetë në Selenicë

Kaçinari: “Uji në tuba” dhe një komunitet në revoltë

Në Kaçinar të Mirditës, tensioni i mbledhur ndër vite shpërtheu në fundin e muajit mars në një protestë të mirëfilltë. Qindra banorë nga fshatrat përreth, por dhe diaspora u mblodhën për të kundërshtuar ndërtimin e katër hidrocentraleve të koncesionarit “Shpërdhaza-Energji”.

Banorët e konsiderojnë cenim kryesor për jetën e tyre futjen në tuba e disa prej përrenjve malorë, të cilët historikisht janë përdorur nga fshatrat.

Rruga e vështirë drejt Qafës së Vorres – rreth 40 minuta larg nga Rrësheni – ku u zhvillua protesta, tregonte njëkohësisht degradimin e territorit dhe tensionin e autoriteteve: postblloqe policore, kontrolle makinash dhe prezencë e pajustifikuar efektivësh.

“Këtu këtë popull e kanë grabitur,” përshkroi revoltën Arben Gega, një prej protestuesve, “por kur s’na ka bërë turku të ikim, këta jo se jo, nuk do t’ia arrijnë!”.

Gjok Beqiri, nga fshati Simon, tregoi se projekti prek shtatë fshatra me mbi 3,000 familje.

Kabina e rojeve dhe kamerat e sigurisë të vendosura përreth kantierit kishin krijuar një ambient të denjë për zonë ushtarake, ndërsa banorët, në mungesë informacioni dhe të vënë përballë faktit të kryer, ngritën dyshimet se dokumentacioni i kompanisë nuk është i rregullt.

Këtë shqetësim ndanë për Citizens.al disa prej tyre, të cilët thanë se nuk ishin njoftuar kurrë për dëgjesa publike, pavarësisht pretendimeve të kompanisë.

Në muajin prill, makineritë e kompanisë “Shpërdhaza-Energji” hynë në pyllin aty pranë, një zonë me një peizazh të larmishëm buzë rrugës, për të cilën banorët druajnë se mund të vuajë pasoja nga hidrocentralet.

Pasi konstatuan pemët e para të rrëzuara nga punimet ata organizuan protesta të tjera, një prej së cilës edhe në Tiranë, para ministrisë së Infrastrukturës.

Kryetari i fshatit Simon, Gjergj Deda, ngriti dyshimet se punimet po kryheshin pa lejet e nevojshme “sepse kërkonin dhe shoqëroheshin nga policia çdo ditë”.

Për komunitetin, uji është thelbi i jetesës: mullinjtë, tokat dhe historinë e tyre. “Vllaut s’ia fal, jo më të huajit,” kanë theksuar disa prej tyre.

Ndaj ata i janë drejtuar drejtësisë. Në shtator, Gjykata e Lezhës vendosi t’ia kalojë çështjen Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) duke shpallur moskompetencë.

Kurdaria: Një verë e nxehtë kundër HEC-it “Doma”

Në Kurdari të Matit, vera shënoi nisjen e punimeve për HEC-in “Doma”, një projekt i “Global Interprise Group” që pritet të shfrytëzojë lumin e Lusës dhe të hapë një trase të re rruge prej 4.4 km.

Për banorët, ky projekt vjen në një kohë kur ata vuajnë për ujë, pavarësisht investimeve në ujësjellës.

Erind Saliaj, administrator i Njësisë Administrative Suç, shpjegoi për Citizens.al se pesë fshatrat e zonës – Kurdari, Skënderaj, Kurqelaj, Suç dhe Kujtim – nuk kanë furnizim të rregullt dhe se ndërtimi i një hidrocentrali është “absurd” në këto kushte.

Tregues për situatën ishte gjendja në kafenenë më popullore të fshatit, e cila shërbente vetëm ujë të ambalazhuar, teksa çezma e oborrit të saj ishte tharë.

Procesi i dëgjesave publike ka qenë pika kryesore e tensioneve në këtë çështje, e cila është shoqëruar me protesta dhe përplasje me kompaninë.

Një ekskavator dhe furgon me gomë të çarë qëndronin të braktisur në fund të trasesë së hapur si dëshmi e përplasjeve. Ato ruheshin nga një kamerë, e cila për ironi furnizohej me panel diellor.

Sipas banorëve, dëgjesa e parë, e vitit 2018, tregoi se shumica ishin kundër hidrocentraleve, por ndryshe, në procesverbal u paraqit si shprehje dakordësie.

Rexhep Kuleni, një nga zërat më të fortë të komunitetit, tha se ky veprim përbën shkelje penale, për të cilën duhet gjetur përgjegjësia.

Ai kujton dëgjesën e dytë të mbajtur në vitin 2020, kur rreth 500 banorë u mblodhën dhe kërkuan që përfaqësuesi i kompanisë që interesohej për hidrocentralin të largohej.

Por pavarësisht kundërshtive dhe premtimeve se nuk do të rikthehej në zonë, koncesionari u shfaq sërish, duke marrë firma në mënyrë të veçuar, pa pjesëmarrje lajmëruar të komunitetit apo autoriteteve.

“Marrin ca firma në mënyrë abuzive, ku një pjesë e madhe nuk e dinë çfarë kanë firmosur,” tha Kuleni, sipas së cilit në këto dëgjesa nuk ka pasur përfaqësues të bashkisë.

Banorët thonë se mungon transparenca, të dhënat, dhe mbi të gjitha mungon uji. Për ta, hidrocentrali është kërcënim ekzistencial dhe social, jo një projekt energjetik.

Zona, e njohur dhe si “hambari i Matit” për prodhimet bujqësore është zotuar se nuk do ta lërë projektin e hidrocentralit që të zbatohet duke vijuar ndalimin e makinerive t’i bashkohen kantierit.

“Nuk do ta lëmë, me firma të vjedhura, me firma të blera, populli nuk pranon,” theksoi Enver Dava, tokat e të cilit bien krah trasesë së hidrocentralit.

Paralelisht, banorët e kanë adresuar kundërshtinë e tyre edhe në rrugë gjyqësore. Në tetor, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë nuk i ndali punimet deri në një vendim në themel të çështjes, por pavarësisht kësaj banorët mbeten me shpresë për një vendim të drejtë.

Zall-Gjoçaj: HEC-et u ndërtuan, por beteja kundër tyre vazhdon

Në Zall-Gjoçaj, hidrocentralet “Sekë” dhe “Zais” morën formë mes polemikave, por qëndresa e komunitetit atje vijon prej më shumë se shtatë vitesh.

Reportazhet e emisionit “Opinion” nga Blendi Fevziu dhe portali Lexo.al nga Flogert Muça, promovuan me kërshëri gjatë muajve shtator-tetor investimet në hidrocentralet e Zall-Gjoçajt.

Materialet u përpoqën t’i jepnin një dimension tjetër investimit privat të sipërmarrësit italian Fabio Scuero. Sipas tyre tre HEC-et e ngritura në basenin e Urakës me kapacitet 30 MW, janë shoqëruar me investime për një rrjet ujësjellësi për 17 fshatra dhe rreth 90 km rrugë.

Por reportazhet ngjallën zemëratën e banorëve të Zall-Gjoçajt, të cilët prej vitit 2018 kanë protestuar kundër HEC-eve.

Në një deklaratë të përbashkët aktivistët e cilësuan atë reklamë duke kujtuar se Zall-Gjoçaj është bërë simbol rezistence pikërisht sepse HEC-et u ndërtuan brenda Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, një zonë e mbrojtur që u tkurr me një vendim të qeverisë në vitin 2022 për t’i hapur rrugë projektit të HEC-it “Zais”.

Prej vitesh, banorë si Abdi Toçi, Dhimitër Koleci dhe Adem Gjokolaj kanë protestuar, kallëzuar zyrtarë publikë dhe kanë çuar çështjen e Zall-Gjoçajt në disa procese gjyqësore.

Në tetor, Gjykata Administrative e Apelit la në fuqi vendimin që legjitimonte ndërtimin e HEC-eve, duke rrëzuar padinë për shfuqizimin e kontratave dhe akteve administrative.

Avokati i tyre, Franc Terihati, tha për Citizens.al se çështja do të shkojë në Gjykatën e Lartë, ndërsa Koleci tha se një padi tjetër po hetohet nga SPAK, dhe një padi penale mbetet e hapur për dëmet e shkaktuara gjatë punimeve, nga prishja e kanalit të ujit e deri te hedhja e inertëve në varreza.

Ndërkohë, kompania ka paditur vetë aktivistë e banorë për shpifje, gjë që komuniteti e sheh si formë presioni për të heshtur rezistencën.

Në terren, pasojat sipas banorëve janë të prekshme: uji është i gjithi në tuba, burimet e fshatit janë shteruar dhe lumi nuk ka më prurjen e mëparshme. Banorët thonë se gjatë verës nuk kishin ujë as për të fikur zjarret, ndërsa bagëtia dhe bletët kanë pësuar dëme të pakthyeshme.

Për Zall-Gjoçajn, beteja nuk ka të bëjë vetëm me një projekt energjetik, por me të drejtën për të ekzistuar brenda peizazhit të tyre.

Edhe pse hidrocentralet u ndërtuan, çështjet ligjore, pasojat mjedisore dhe mosbesimi ndaj institucioneve vazhdojnë ta mbajnë fshatin në një konflikt të hapur me modelin kombëtar të zhvillimit hidroenergjetik.

Lufaj njësoj si Zall-Gjoçajt përballë thatësirës

Në Lufaj të Mirditës, banorët përballen me të njëjtin model të ndërtimit të hidrocentraleve – devijim burimesh ujore pa transparencë dhe pa dëgjesa me komunitetin.

Në korrik ata protestuan kundër kompanisë “Seka Hydropower”, me pretendimin se ajo nuk respektonte kontratën e shfrytëzimit të burimeve ujore të zonës duke mos lëshuar rrjedhë për nevojat e tyre.

Zona me një peizazh të mrekullueshëm, nuk ndihmohej aspak nga rruga, e cila ishte në gjendje të amortizuar. Devijimi i prurjeve kishte ulur ndjeshëm burimet duke detyruar disa familje të merrnin ujë gjetkë me mjete të improvizuara.

Banorët thanë për Citizens.al se ata kishin qenë kundër ndërtimit të HEC-ve që para vitit 2017, por që zëri i tyre nuk ishte dëgjuar.

“As nuk na ka pyetur njeri, as nuk kemi qenë dakord,” tha Agron Kaçarri, banor.

Lufaj e lidh drejtpërdrejt fatin e saj me Zall-Gjoçajt, ku hidrocentralet u ndërtuan brenda Parkut Kombëtar të Lurës dhe Malit të Dejës, duke sjellë konflikt të gjatë me komunitetin, ndërhyrje policore dhe pasoja të pakthyera në ekosistem.

“Energji e gjelbër” me kosto të errët

Modeli i hidrocentraleve në Shqipëri është shitur si “një model i gjelbër”, por në realitet ka sjellë dëme të pakthyeshme ekologjike dhe ekonomike në nivele lokale, por edhe kombëtare.

Biologu Olsi Nika, i cili drejton organizatën mjedisore “Eco Albania”, thekson për Citizens.al se shumë projekte hidroenergjetike janë miratuar mbi leje të diskutueshme dhe pa analiza të plota të ndikimit, duke krijuar një zinxhir pasojash që shkon nga shpyllëzimi te shkatërrimi i habitateve ujore.

Sipas tij, devijimi i ujërave, rezervuarët e mëdhenj, ndotja, ndryshimi i temperaturës dhe oksigjenit kanë çuar në humbje speciesh, eutrofikim dhe homogjenizim të biodiversitetit – një proces që shumë zona nuk e rikuperojnë kurrë.

Rast konkret përmendet trofta apo dhe peshq të tjerë migratorë, të cilët nuk arrijnë zonat e shumimit për shkak të devijimeve të lumit apo dhe vetë impianteve hidroenergjetike.

Raporti për Zall-Gjoçajn i biologut Melitjan Nezaj nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) e konkretizon problemin.

Me lënien e një sasie minimale të ujit ekologjik, shtrati i lumit thahet pak qindra metra larg veprave të marrjes.

“Në shtratin tashmë pa ujë kanë nisur të shfaqen bimë të mjediseve të thata, një shenjë e qartë e mungesës afatgjatë të ujit,” thekson Nezaj.

Kjo ka zhdukur faunën nënujore, ka degraduar bimësinë dhe ka goditur bujqësinë e banorëve, të cilët varen nga uji për prodhim dhe blegtori.

Ndërtimet kanë lënë pas inertë, kanale të dëmtuara dhe masa rehabilituese të dështuara, shpesh me bimësi jovendase dhe vendkalime peshqish që nuk funksionojnë.

Të dy ekspertët vlerësojnë se këto dëme nuk janë thjesht teknike, por strukturore: një model zhvillimi që shpërfill ligjin dhe zonat e mbrojtura, mungesën e konsultimeve, ndikimet afatgjata dhe transparencën.

“Shumë komunitete,” thekson Nika, “mësuan për projektet e HEC-eve vetëm kur kishin nisur punimet”.

Konfliktet për ujërat janë bërë tipike – nga Rapuni te Kaçinari, Kurdaria, Zall-Gjoçaj e Lufaj – duke treguar se përfitimet i shkojnë pak aktorëve, ndërsa kostoja bie mbi komunitete dhe ekosisteme të cenueshme. 

Ata që fitojnë nga ky model mbeten disa kompani, disa prej të cilave me kapitale të huaja. Ndërsa komunitetet humbasin të tjera burime dhe mundësi zhvillimi duke pasur një arsye më shumë për t’u larguar.

Në plan më të gjerë, ekspertët argumentojnë se hidrocentralet e vogla me fuqi të ulët kanë efikasitet të diskutueshëm dhe shpesh gjurmë të larta karboni, përfshirë prodhimin e metanit nga rezervuarët.

Për biologun Nika, energjia hidroelektrike në Shqipëri duhet parë si “me karbon të ulët, por me ndikim të lartë”, ndërsa zhvillimi i qëndrueshëm kërkon orientim te burimet që nuk fragmentojnë lumenjtë: kryesisht energjia diellore dhe ajo e erës.

The post Hidrocentrale të tjera në horizont, shqetësime shtesë për komunitetet appeared first on Citizens.al.

Apeli kthen për shqyrtim ligjshmërinë e Aeroportit të Vlorës

25 November 2025 at 17:21

Pas dy vitesh në vendnumëro shqyrtimi i ligjshmërisë së ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë ka marrë një zhvillim të rëndësishëm.

Gjykata Administrative e Apelit ka legjitimuar organizatat mjedisore si palë në çështje dhe ka vendosur ta kthejë atë për gjykim në shkallën e parë. Ajo e ka mbështetur arsyetimin e paraqitur nga paditësit e përfaqësuar nga avokatët e qendrës “Res Publica” dhe studios ligjore “Mecci”.

Vendimi i Apelit erdhi pas dy seancash përgatitore në të cilat ftoi palët t’u përgjigjeshin një grupi pyetjesh të ngritura më herët nga Gjykata e Lartë, kjo e fundit pati ndërhyrë duke i kërkuar Apelit të korrigjonte mangësitë proceduriale.

Kjo ndërhyrje bëri që çështja të mbetej pezull prej rreth dy vitesh teksa pyetjet e ngritura u konsideruan nga pala paditëse si të njëanshme pasi thelbi i çështjes nuk ishte legjitimiteti i palëve por i ndërhyrjes në një zonë të mbrojtur.

Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit nuk është zbardhur ende. Ai pritet të apelohet gjithashtu nga qeveria, kompanitë zbatuese dhe vetë Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës si operator ekonomik.

Për Joni Vorpsin nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) vonesat në proceset gjyqësore për çështje që lidhen me mjedisin janë zhgënjyese.

Duke komentuar rastin ai u shpreh mosbesues për Citizens.al, kjo nisur nga përvoja e shqyrtimeve gjyqësore pa masa parandaluese për dëmet e mundshme në mjedis siç mund të ishte një masë pezullimi punimesh.

“Ka pak shpresë që mbrojtja e burimeve natyrore të ketë sukses në gjykata dhe deri në fillimin e debateve gjyqësore, i gjithë rrjeti i zonave të mbrojtura bregdetare do të jetë shkatërruar në emër të zhvillimit,” tha ai.

Ndërtimi i aeroportit, një proces i zvarritur

Padia e PPNEA-së dhe Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë (AOS) u dorëzua zyrtarisht më 23 nëntor 2022.

Ai argumentonte se projekti shkelte legjislacionin e mjedisit, përfshirë Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM), ruajtjen e biodiversitetit dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura. Gjithashtu evidentoheshin mangësi në proceset e konsultimit publik dhe dhënies së lejeve të ndërtimit.

Mirëpo, gjykatat kanë shtyrë afatet e shqyrtimit, duke krijuar një zinxhir vonesash procedurale dhe konflikt juridiksioni për kërkesat për masa paraprake.

Dy kërkesa për pezullimin e ndërtimit u refuzuan nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Apeli dhe më pas nga Gjykata e Lartë. Edhe ankimi i dytë, i paraqitur në qershor 2025, u refuzua në korrik.

Avokatët e “Res Publica” kanë dokumentuar një sërë transferimesh të vonuara të dosjes, moskoordim mes shkallëve gjyqësore dhe konflikt kompetencash që kanë zvarritur procesin.

“Duke diskutuar legjitimitetin e organizatave mjedisore për të kundërshtuar projekte shkatërruese brenda zonave të mbrojtura, gjykatat kanë refuzuar edhe sigurimin e padisë, pasi kanë vonuar dhe atë jashtë çdo afati të arsyeshëm”, tha Vorpsi për Citizens.al.

Sipas Vorpsit, aeroporti nisi ndërtimin pa leje dhe vazhdoi pavarësisht thirrjeve të Konventës së Bernës dhe Parlamentit Evropian për pezullim. Ndërkohë gjykatat shqiptare nuk i kanë konsideruar këto si arsye për sigurimin e padisë.

Në këtë kontekst procesi gjyqësor i Aeroportit të Vlorës është kthyer në një lloj shembulli të pengesave në çështjet mjedisore.

Vonesat, konfliktet e kompetencës dhe mungesa e vendimmarrjes së shpejtë kanë lejuar vijimin e një projekti që prek drejtpërdrejt një zonë të mbrojtur me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.

Paralelisht Aeroporti i Vlorës po hetohet nga SPAK për procedurat se si u dha koncesioni i ndërtimit të tij nga qeveria. Dyshohet se procedurat ishin të paracaktuara, teksa ndërtimi i tij vazhdon.

Ndërkohë, sipas avokatëve të organizatave mjedisore kanë dërguar një ankim në Gjykatën Kushtetuese duke sfiduar vendimin e Gjykatës së Lartë që refuzoi kërkesën e parë për masë paraprake. Çështja është në pritje për shqyrtim.

Lexoni gjithashtu:

The post Apeli kthen për shqyrtim ligjshmërinë e Aeroportit të Vlorës appeared first on Citizens.al.

Mjedisorët: mbrojtja e mjedisit duhet të jetë kusht për anëtarësimin në BE

5 November 2025 at 17:10

Progres-raporti i Bashkimit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili u publikua më 4 nëntor, tërhoqi vëmendjen për mangësitë serioze të gjashtë vendeve të rajonit, veçanërisht në ruajtjen e zonave të mbrojtura, mbrojtjen e specieve dhe vlerësimin e ndikimit të projekteve në mjedis. Raporti i BE-së nënvizoi më tej se këto mangësi kanë sjellë […]

The post Mjedisorët: mbrojtja e mjedisit duhet të jetë kusht për anëtarësimin në BE appeared first on Reporter.al.

Shqipëria mbetet pas në mbrojtjen e mjedisit, BE kërkon veprime konkrete

5 November 2025 at 16:53

Komisioni Evropian i kërkon Shqipërisë përmirësim të legjislacionit mjedisor dhe forcim të institucioneve që zbatojnë ligjin.

Në raportin e progresit për vitin 2025, BE vëren mungesë përparimi në kapitullin 27 për mjedisin, duke theksuar dobësi serioze në planifikim, investime dhe transparencë publike.

Raporti thekson se kapaciteti institucional për planifikim, investim dhe koordinim strategjik në çështjet mjedisore mbetet i dobët.

Vlerësimet e ndikimit në mjedis konsiderohen me cilësi të ulët dhe se rekomandimet e institucioneve rrallë zbatohen ose monitorohen. Pjesëmarrja publike në vendimmarrje cilësohet minimale, ndërsa ligji mjedisor zbatohet vetëm pjesërisht.

Lexo: Peizazhet e Mbrojtura u dorëzohen investitorëve

Ndryshimet në ligjin për “Zonat e Mbrojtura” shihen me shqetësim për situatën mjedisore. Sipas raportit ato çuan në shkatërrimin e zonave të habitateve natyrore dhe dobësim të kapaciteteve inspektuese për krimet mjedisore.

Si shembull, Komisioni përmend ndërtimin e një resorti në Peizazhin e Mbrojtur Bunë-Velipojë, pavarësisht protestave lokale dhe listimit të zonës për t’u bërë pjesë e rrjetit Natura 2000.

Raporti kritikon zgjatjen e ligjit për Investimet Strategjike deri në vitin 2027, duke e lidhur atë me rritjen e presionit mbi zonat e mbrojtura. Në të theksohet gjithashtu ndërtimi i Aeroportit të Vlorës në zonën Pishë Poro-Nartë, pavarësisht kërkesave të përsëritura të Konventës së Bernës për pezullimin e punimeve.

“Pavarësisht kërkesës së Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës në dhjetor 2023 dhe dhjetor 2024 për të pezulluar punimet deri sa të kryhet një procedurë e re dhe e mjaftueshme VNM-je,” theksohet në raport.

Lexo: Kur natyra përballet me betonin: Çmimi i lartë i Aeroportit të Vlorës

Sipas Komisionit, fondet e kufizuara, shkarkimet e shpeshta të stafit dhe mungesa e ekspertizës kanë dobësuar administratën qendrore.

Hetimet për inceneratorin e Tiranës dhe çështja e mbetjeve të rrezikshme të kthyera nga Tajlanda mbeten sipas Komisionit shembuj të krizës së besueshmërisë në menaxhimin mjedisor.

“Një hetim mbi 102 kontenierë me mbetje të dyshuara toksike të kthyer nga Tajlanda në tetor 2024 është ende në vazhdim”, thuhet në raport.

Pikat e tjera shqetësuese për mjedisin

Paketa e maleve cilësohet si ligj që rrezikon pyjet dhe kullotat, duke hapur rrugë për ndërtime në shkallë të gjerë. Prerjet dhe gjuetia e paligjshme, sipas raportit, janë shtuar edhe brenda zonave të mbrojtura.

Shqipëria nuk ka ndaluar ende plastikën njëpërdorimshe, ndërsa projektet për ndarjen e mbetjeve mbeten të kufizuara me vetëm një projekt pilot në Berat.

Lexo: Një vit heshtje për kontrabandën me mbetje të rrezikshme

Raporti thotë se duhet veprim urgjent kundër hedhjes së mbetjeve.

Edhe menaxhimi i ujërave paraqet probleme. Sipas raportit, nga shtatë planet e baseneve lumore, vetëm pesë janë zbatuar (Drini-Buna, Semani, Ishmi, Erzeni dhe Mati), ndërsa dy (Shkumbini dhe Vjosa) janë ende në pritje.

Sipas Komisionit, Shqipëria nuk ka pasur përparime sa i përket cilësisë së ajrit.

Lexo: “Paketa e Maleve”, një tjetër ligj klientelist

Sistemi i monitorimit të cilësisë rekomandohet të zgjerohet dhe përmirësohet, pasi aktualisht ka vetëm shtatë stacione automatike në të gjithë vendin dhe shumica janë jashtë funksionit.

Nga ana tjetër, raporti vëren se Shqipëria nuk ka përgatitur ende harta strategjike për zhurmat dhe nuk ka të dhëna të aksesueshme për publikun.

Në fushën e kimikateve, raporti thekson mungesën e një kuadri rregullator të përshtatur për regjistrimin, vlerësimin dhe kufizimin e tyre.

Lexo: Menaxhimi i mbetjeve dështoi. Le të rinisim nga e para!

Ngjashëm, përshtatja me normat e BE-së sa i përket klimës, mbetet e kufizuar pa ndonjë zhvillim të veçantë.

Raporti shënon se ligji për klimën duhet përditësuar për të përputhur objektivin e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050, ndërsa vendimi për ndërtimin e një termocentrali të ri në mars 2025 rrezikon përmbushjen e këtyre qëllimeve.

Sipas Komisionit, Shqipëria duhet të zhvillojë një strategji të zhvillimit me karbon të ulët dhe të integrojë ndryshimet klimatike në politikat sektoriale. Për momentin, vetëm tetë bashki kanë përgatitur planet lokale të adaptimit.

Lexoni gjithashtu:

The post Shqipëria mbetet pas në mbrojtjen e mjedisit, BE kërkon veprime konkrete appeared first on Citizens.al.

Apeli lë në fuqi ndërtimin e HEC-eve në Zall-Gjoçaj; Banorët: Do t’i drejtohemi Gjykatës së Lartë

28 October 2025 at 18:09

Gjykata Administrative e Apelit vendosi sot të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që i dha të drejtë ndërtimit të hidrocentraleve Sekë dhe Zajs në Zall-Gjoçaj, duke rrëzuar kështu padinë e banorëve për shfuqizimin e kontratës dhe akteve administrative që miratuan projektet.

Sipas avokatit të banorëve, Franc Terihati, vendimi u mor me shumicë votash “dy me një” në favor të kompanisë koncesionare.

“Do ta ndjekim në Gjykatën e Lartë me rekurs,” deklaroi ai për Citizens.al, duke shtuar se zbardhja e vendimit mund të zgjasë më shumë se një muaj.

Sipas Terihatit shqyrtimi nga gjykata mund të kërkojë kohë në varësi të qasjes që ata do të kenë me çështjen “nga dy muaj deri në pesë vite”.

Banorët e zonës, që prej vitesh kundërshtojnë ndërtimin e HEC-eve në Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, e pritën me zhgënjim vendimin.

“Ky nuk është një vendim i drejtë, absolutisht, pasi faktet tregojnë shkelje të mëdha procedurale që nga nisja e procedurave e deri në ndërtim,” u shpreh Fidane Hoxha, aktiviste nga “Grupi ATA”, i cili ka ndjekur prej fillimit çështjen e Zall-Gjoçajt.

Sipas saj, gjendja faktike në terren tregon dëmtimin e parkut, por gjykata “zgjodhi të mbrojë interesat e investitorëve strategjikë.” Për këtë, aktivistët thonë se do ta çojnë çështjen në çdo instancë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Procesi në Apel kishte nisur në shtator 2024, ndërsa ankimi ishte depozituar katër vite më parë.

Banorët e konsideruan rihapjen e çështjes si shpresë për drejtësi, por vendimi i fundit i zhgënjeu. Procedurat për në Gjykatën e Lartë nuk japin shumë garanci për mjedisin në rast të një vendimi pozitiv, pasi deri sa kjo gjykatë të shprehet do të kërkojë tjetër kohë.

Një betejë gjyqësore që zgjat prej pesë vitesh

Padia e banorëve kundërshtonte vendimin e vitit 2020 të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila refuzoi kërkesën për ndalimin e ndërtimit të HEC-eve brenda Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”.

Që prej vitit 2018, komuniteti lokal ka zhvilluar protesta dhe procese gjyqësore kundër tyre.

Banorët kanë kërkuar pavlefshmërinë e deklaratës mjedisore, lejes së ndërtimit, lejes së përdorimit të ujërave dhe urdhrit të ish-Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që zvogëloi fondin pyjor me 6,180 m², duke hapur rrugë për ndërtimet.

Ata kanë theksuar se, sipas ligjit nr. 81/2017 për Zonat e Mbrojtura, ndërtimi i impianteve energjetike nuk lejohet në zona të kategorisë “II” të mbrojtjes.

Përveç kompanisë “Seka Hydropower”, banorët kishin paditur edhe disa institucione shtetërore, përfshirë Ministrinë e Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Këshillin Kombëtar të Territorit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkinë Mat.

Në vitin 2018, Zall-Gjoçaj u bashkua me Lurën për të formuar një nga parqet kombëtare më të mëdha në vend. Por në janar 2022, qeveria ndryshoi kufijtë e parkut duke përjashtuar zonën ku tashmë është ngritur diga e HEC-it “Zajs” – një vendim që banorët e kanë cilësuar si “përpjekje për të legalizuar shkeljet.”

Lexo gjithashtu:

The post Apeli lë në fuqi ndërtimin e HEC-eve në Zall-Gjoçaj; Banorët: Do t’i drejtohemi Gjykatës së Lartë appeared first on Citizens.al.

Jaupaj: 4,8 milionë vizitorë frekuentuan zonat e mbrojtura deri në shtator

23 October 2025 at 18:13

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj bëri të ditur sot se 4,8 milionë vizitorë frekuentuan zonat e mbrojtura natyrore gjatë periudhës janar-shtator 2025.

Sipas ministrit, bëhet fjalë për 300 mijë vizitorë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Konkretisht, në periudhën janar-shtator 2024 në zonat e mbrojtura u regjistruan 4,5 milionë vizitorë, ndërsa për të njëjtën periudhë të këtij viti rezultojnë 4,8 milionë.

“Zonat e mbrojtura si kartolina e gjelbër e biodiversitetit tonë, janë kthyer në habitatin natyror të ekoturizmit dhe edukimit mjedisor. 4,8 milionë vizitorë, ose 300 mijë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar, kanë vizituar parqet kombëtare e natyrore, monumentet e natyrës, peizazhet e mbrojtura duke eksploruar përvoja të qëndrueshme dhe në harmoni me mjedisin si ecjet nëpër shtigje, sportet natyrore, vëzhgimi i shpendëve e turizmi lokal”, bëri të ditur Jaupaj.

Zonat e mbrojtura janë kthyer në destinacione turistike mjaft të vizituara për shkak të bukurive natyrore dhe relievit të larmishëm, i cili është i përshtatshëm për turistët, që nga ata që duan të shijojnë natyrën, deri tek turistët aventurierë të cilët mund ta eksplorojnë zonën duke bërë hiking nëpër shtigje të ndryshme.

Përveç ecjeve në shtigjet e zonave të mbrojtura vitet e fundit vizitorët po tregojnë interes edhe për turizmin e vëzhgimit të shpendëve, sidomos të atyre ujorë, si në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, lagunën e Nartës, lagunën e Kune-Vainit, liqenin e Shkodrës, liqenin e Pogradecit, etj.

Zgjerimi i zonave të mbrojtura në Shqipëri synon të rrisë integritetin e këtyre zonave, për gjendjen e paprekur të tyre, krahasuar me zona të tjera të vendit, për biodiversitetin e lartë dhe për habitatet e rralla që bartin.

/m.m/r.e/a.f/

The post Jaupaj: 4,8 milionë vizitorë frekuentuan zonat e mbrojtura deri në shtator appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IUCN kërkon që Shqipëria të rishikojë ligjin për Zonat e Mbrojtura

3 October 2025 at 14:27


Një mocion i miratuar nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) ka vënë Shqipërinë në qendër të kritikave ndërkombëtare për ligjin e kontestuar që lejon ndërtime në Zona të Mbrojtura. IUCN kërkon rishikime për të mos lejuar ndërhyrjet në territore me biodiversitet të lartë.

Mocioni Nr. 130 i IUCN-së, i propozuar nga organizata shqiptare “Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri” (PPNEA) dhe i mbështetur nga 14 organizata partnere, u miratua me 98% të votave.

Drejtuesi i PPNEA, Aleksandër Trajçe, tha për Citizens.al se iniciativa u nxit nga shqetësimet për ndryshimet ligjore në Shqipëri. Sipas tij, qeveria shqiptare i ka prezantuar ndryshimet e ligjit për Zonat e Mbrotjura, si të harmonizuar me standardet e IUCN-së, por që mocioni i miratuar së fundmi e kundërshton qartazi këtë interpretim.

“Ministrja Kumbaro, asaj kohe, e propagandoi fort që ligji u ndryshua në përputhje me standardet e IUCN-së,” tregoi Trajçe, i cili theksoi se për këtë narrativë u përdor aplikimi i qeverisë për t’u bërë anëtare e IUCN-së.

“Ishte një farsë, se procesi i anëtarësimit nuk lidhet me procesin e ndryshimit të ligjit. Domethënë, anëtar mund të bëhet pothuajse kushdo nëse tregon ato parimet bazë dhe plotëson ato pikat bazë”, argumentoi Trajçe.

Edhe pse mocioni nuk ka fuqi detyruese për qeverinë shqiptare, Trajçe thotë se ka vlerë të lartë politike dhe reputacioni.

Sipas PPNEA-s, votimi ekspozon problematikat dhe e vendos Shqipërinë nën vëzhgim ndërkombëtar duke dërguar një mesazh të qartë komunitetit ndërkombëtar: ligji shqiptar bie ndesh me angazhimet për ruajtjen e natyrës.

“Nëse i vihet gishti kokës, ky presion mund të sjellë ndryshime konkrete në terma afatmesëm apo dhe afatgjatë,” shtoi Trajçe.

Mocioni i IUCN-së sfidon kështu retorikën e qeverisë shqiptare për përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare dhe nxjerr në pah përplasjen midis zhvillimit të pakontrolluar dhe ruajtjes së natyrës.

Shembulli më konkret i kësaj përplasjeje është Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë strehë e qindra llojeve të shpendëve, përfshirë pelikanin kaçurrel dhe flamingon. Por, në vend që të forcoheshin, mbrojtjet ligjore për këtë zonë u zhbënë për t’i hapur rrugë Aeroportit të Vlorës dhe një kompleksi masiv turistik – një precedent që sfidon çdo parim të ruajtjes së biodiversitetit.

Një mungesë reflektimi nga ana e qeverisë përballë mocionit të IUCN-së, mund të sjellë dëmtim të reputacionit të shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare sa i takon çështjeve të mjedisit.

Në korrik 2025, Gjykata Kushtetuese refuzoi të shfuqizojë ligjin nr. 21/2024, që ndryshoi kuadrin ligjor për Zonat e Mbrojtura. Kjo vendimmarrje rrëzoi kërkesën e një të pestës së deputetëve dhe të disa organizatave mjedisore, përfshirë AOS dhe EcoAlbania, që e konsideronin ligjin antikushtetues.

Aktivistët e kanë quajtur vendimin goditje të rëndë ndaj natyrës dhe biodiversitetit si dhe sinjal politik i dorëzimit të shtetit përballë interesave të ndërtuesve.


Lexo gjithashtu:

The post IUCN kërkon që Shqipëria të rishikojë ligjin për Zonat e Mbrojtura appeared first on Citizens.al.

Unioni për Ruajtjen e Natyrës i bën thirrje Qeverisë që të ndalë ndërtimet në zonat e mbrojtura

30 September 2025 at 19:00

Kongresi i Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, IUCN votoi në favor të mbrojtjes së natyrës në Shqipëri, duke e quajtur të pajustifikueshme sakrifikimin e zonave të mbrojtura për projekte në shërbim të turizmit masiv. Organizata për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA njoftoi se Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës ka […]

The post Unioni për Ruajtjen e Natyrës i bën thirrje Qeverisë që të ndalë ndërtimet në zonat e mbrojtura appeared first on BoldNews.al.

Unioni i bën thirrje Shqipërisë të ndalë turizmin masiv në zonat e mbrojtura

30 September 2025 at 18:43

Organizata për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA njoftoi se Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës ka votuar në favor të ruajtjes së mjedisit në Shqipëri, ndërsa i bën thirrje qeverisë shqiptare që të kufizojë ndërtimet në zonat e mbrojtura. “Në Kongresin Botëror të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës u votua […]

The post Unioni i bën thirrje Shqipërisë të ndalë turizmin masiv në zonat e mbrojtura appeared first on Reporter.al.

“Zëra”, Episodi 5: Taulant Bino kritikon ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

4 September 2025 at 16:26

Në episodin e pestë të sezonit të katërt të podcastit “Zëra”, i ftuar ishte Taulant Bino, ekspert i mjedisit dhe drejtues i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare (AOS).

Bino komentoi për gazetaren Erisa Kryeziu zhvillimet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila më 31 korrik legjitimoi ndryshimet ligjore që lejojnë ndërtime brenda zonave të mbrojtura.

Sipas Binos, kjo është një goditje e rëndë për mbrojtjen e biodiversitetit dhe një sinjal politik për dorëzim të shtetit përballë interesave të ndërtuesve.

Ndryshimet ligjore u prezantuan si nismë e deputetëve, por sipas Binos procesi ishte farsë. Ai thotë se propozimet nuk ishin as spontane dhe as të sinqerta.

Ai përmendi një rast ku një prej deputetëve firmëtarë, i pyetur, deklaroi se nuk kishte dijeni për propozimin.

“Ai ndoshta ka firmosur një letër të bardhë duke besuar qeverinë”, shtoi Bino pa i përmendur emrin, duke e cilësuar këtë si një mashtrim institucional të publikut.

Podcastin mund ta ndiqni dhe në Spotify:

Një pjesë tjetër e rëndësishme e bisedës ishte analiza e mënyrës se si është shitur për publikun ideja e “zhvillimit të qëndrueshëm” apo “investimeve strategjike”.

“Ligji për zonat e mbrojtura nuk ka qenë kurrë pengesë për zhvillimin”, theksoi Bino. Sipas tij, këto narrativa përdoren politikisht për të justifikuar ndërhyrjet, duke i paraqitur si të nevojshme për ekonominë lokale apo turizmin elitar.

Ndërkohë, projektet e vërteta që aplikohen, shpesh janë të vogla, private dhe me ndikim të madh negativ mbi natyrën.

“Nuk shohim më asnjë kufizim ligjor që investitori ‘X’ të vijë dhe të thotë që dua të ndërtoj një hotel me pesë yje, pikërisht në dunën ranore të Divjakë-Karavastasë. Dhe jo vetëm kaq, por të thotë që më duhet edhe rrugë, edhe aeroport, edhe impiant trajtimi. Pra, gjithë infrastruktura shoqëruese,” theksoi ai.

Për Binon, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është thjesht një precedent.

“Ky vendim praktikisht hapi të gjitha portat. Nuk ka më pengesa ligjore”, vijoi ai.

Por, a do të ketë reagime? Eksperti vlerëson se shoqëria civile dhe organizatat mjedisore do të mbeten mbrojtësit kryesorë, pasi komunitetet shpesh janë të pambrojtura përballë fushatave propagandistike që iu shesin projekte me retorikë zhvillimi.

Ai solli shembullin e aeroportit të Vlorës, që është paraqitur si sukses kombëtar, por pak kush diskuton ndikimin afatgjatë mbi komunitetin përreth apo mjedisin.

Në përmbyllje, Taulant Bino thekson rëndësinë e reagimit të organizuar dhe të informuar për të mbrojtur zonat e mbrojtura, jo vetëm si pasuri natyrore, por edhe si të drejtë kolektive që rrezikon të cungohet për hir të interesave të ngushta private.

Ndiq gjithashtu podcastet e tjera:

The post “Zëra”, Episodi 5: Taulant Bino kritikon ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese appeared first on Citizens.al.

Rama betonizon parqet kombëtare/ Nga Gent Sula te Hamit Mustafa, kujt ia dha 4 tendera Pirushi i AKZM-së

10 August 2025 at 14:32

Edi Rama, në skenë zbavit popullin me aksionet e përditshme të “çlirimit të hapësirave”, në prapaskenë thur zaptimin me ndërtime të Zonave Natyrore të Mbrojtura. Në vitin 2022, kur e komandoi drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Edi Rama nuk zgjodhi ndonjë biolog, agronom, inxhinier pyjesh apo mjedisi. Ai e dërgoi zonjën Daniel […]

The post Rama betonizon parqet kombëtare/ Nga Gent Sula te Hamit Mustafa, kujt ia dha 4 tendera Pirushi i AKZM-së appeared first on BoldNews.al.

Shembja e kabinave për turistët lë pas zemërimin në Theth

5 August 2025 at 10:20

Në luginën e Thethit në veriun e Shqipërisë, e rrethuar nga maja të larta, turistët fotografojnë një kishë fshati të ndërtuar në fund të shekullit XIX, një strukturë e bukur prej guri që shpesh shfaqet në broshurat që tërheqin turistët në rajon. Vetëm pak metra më tej, grumbuj druri dhe bazamente prej betoni janë gjithçka […]

The post Shembja e kabinave për turistët lë pas zemërimin në Theth appeared first on Reporter.al.

Vendimi i Kushtetueses për Zonat e Mbrojtura, Zhupa: Do t’i drejtohemi Strasburgut

TIRANË, 1 gusht/ATSH/- Deputetja e PD-së, Ina Zhupa ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi ligjin për zonat e mbrojtura, duke rrëzuar kërkesën e opozitës për shpalljen e tij antikushtetues.

Zhupa, e cila ka qenë nismëtarja e ankimimit shprehet në një postim në rrjetet sociale se “dredhitë e Gjykatës Kushtetuese për të larë duart nga shkatërrimi që pret zonat e mbrojtura në Shqipëri nuk na ndalojnë”.

Ajo bën të ditur se do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut për të gjetur të drejtën e mohuar nga drejtësia shqiptare.

“Ndarja 4 me 4, ku 4 gjyqtarët pranojnë që ka shkelje kushtetuese dhe 4 gjyqtarë mendojnë se nuk ka, çon në rrëzimin e kërkesën dhe pse nuk ndajnë dot nëse është apo jo antikushtetues. Kjo barazi është përdor dhe në raste të tjera si dredhi për të vendosur pa vendosur, për të ruajtur status quo e qeverisë duke bërë sehir. Kjo praktikë dënohet nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ku në çështjen Marini kundër Shqipërisë, 2007 shprehet se “ del në përfundimin se parashikimi për ndarjen e votave në mënyrë të barabartë nuk i shërben sigurisë juridike dhe mund të privojë ankuesin nga e drejta efektive për një vendim përfundimtar për kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese”. Nuk mund të fshihen pas ligjit, ku s’ka asnjë arsye juridike dhe morale se përse katërshja që mendon se nuk ka shkelje duhet të prevaloj mbi katërshen që argumenton se ka shkelje?!”, shprehet Zhupa.

Deputetja e PD-së shton se “është fatkeqësi për vendin që lënë në fuqi një ligj antikushtetues dhe dështim për Gjykatën Kushtetuese. Turpi i ngelet gjykatës, ne rrëzohemi pa u rrëzuar me dredhi që nuk respektojnë as standardet europiane”.

“Pavarësisht kësaj dua të falenderoj edhe organizatat mjedisore për pjesëmarrje në çdo pjesë të procesit dhe që kanë pajisur me materiale gjykatën mbi standardet europiane të mbrojtura dhe nga konventat që bën pjesë Shqipëria. Gjithashtu falenderoj për punën e tyre dy avokatët e nderuar Marash Logu dhe Franci Nuri. Zonat e mbrojtura do mbrohen, sepse i mbron kushtetuta dhe se ja kemi detyrim brezave të ardhshëm për ti lënë një Shqipëri më të mirë se sot dhe jo të betonizuar dhe të shkatërruar nga babëzia e klientëve të pushtetit”, përfundon reagimin e saj deputetja Zhupa.

The post Vendimi i Kushtetueses për Zonat e Mbrojtura, Zhupa: Do t’i drejtohemi Strasburgut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kushtetuesja rrëzoi këkesën për ligjin për zonat e mbrojtura, Zhupa: Në Strasburg për mbrojtjen e vendit

By: M C
31 July 2025 at 20:10

Deputetja demokrate Ina Zhupa, e cila ka ndjekur nga fillimi cështjen e zonave të mbrojtura ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për lënien në fuqi të ligjit për zonat e mbrojtura. Zhupa shprehet se dredhitë për të larë duart nga shkatërrimi që pret zonat e mbrojtura në Shqipëri nuk i ndalojnë.

Ajo thekson se do të vijohet në Strasburg për të gjetur të drejtën e mohuar nga drejtësia shqiptare. Zhupa thotë se zonat e mbrojtura do mbrohen, sepse i mbron kushtetuta dhe se është detyrim ndaj brezave të ardhshëm për t’i lënë një Shqipëri më të mirë se sot dhe jo të betonizuar dhe të shkatërruar nga babëzia e klientëve të pushtetit.

Reagimi i plotë:

Dredhitë e Gjykatës Kushtetuese për të larë duart nga shkatërrimi që pret zonat e mbrojtura në Shqipëri nuk na ndalojnë!

Në Strasburg për mbrojtjen e vendit! Nga sot nuk kemi më zona të mbrojtura!

Ndarja 4 me 4, ku 4 gjyqtarët pranojnë që ka shkelje kushtetuese dhe 4 gjyqtarë mendojnë se nuk ka, con në rrëzimin e kërkesën dhe pse nuk ndajnë dot nëse është apo jo antikushtetues. Kjo barazi është përdor dhe në raste të tjera si dredhi për të vendosur pa vendosur, për të ruajtur status quo e qeverisë duke bërë sehir.

Kjo praktikë dënohet nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ku në çështjen Marini kundër Shqipërise, 2007 shprehet se “ del në përfundimin se parashikimi për ndarjen e votave në mënyrë të barabartë nuk i shërben sigurisë juridike dhe mund të privojë ankuesin nga e drejta efektive për një vendim përfundimtar për kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese”. Nuk mund të fshihen pas ligjit, ku ska asnjë arsye juridike dhe morale se përse katërshja që mendon se nuk ka shkelje duhet të prevaloj mbi katërshen që argumenton se ka shkelje?!

Për sa më lart do shkohet në Strasburg për të gjetur të drejtën e mohuar nga drejtësia shqiptare.

Është fatkeqësi për vendin që lënë në fuqi një ligj antikushtetues dhe dështim për Gjykatën Kushtetuese. Turpi i ngelet gjykatës, ne rrëzohemi pa u rrëzuar me dredhi që nuk respektojnë as standartet europiane.

Pavarësisht kësaj dua të falenderoj edhe organizatat mjedisore për pjesmarrje në çdo pjesë të procesit dhe që kanë pajisur me materiale gjykatën mbi standartet europiane të mbrojtura dhe nga konventat që bën pjesë Shqipëria. Gjithashtu falenderoj për punën e tyre dy avokatët e nderuar Marash Logu dhe Franci Nuri.

Zonat e mbrojtura do mbrohen, sepse i mbron kushtetuta dhe se ja kemi detyrim brezave të ardhshëm për ti lënë një Shqipëri më të mirë se sot dhe jo të betonizuar dhe të shkatërruar nga babëzia e klientëve të pushtetit.

The post Kushtetuesja rrëzoi këkesën për ligjin për zonat e mbrojtura, Zhupa: Në Strasburg për mbrojtjen e vendit appeared first on Albeu.com.

❌
❌