Sadushi: Besimi i qytetarit tek shteti nis në sallën e gjyqit
TIRANË, 26 janar/ATSH/ Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi u shpreh sot, se drejtësia duhet të jetë e pavarur në vendimmarrje dhe e denjë në raport me qytetarin.
Në deklaratën e bërë këtë të hënë, gjatë ceremonisë së hapjes së vitit të ri gjyqësor, Sadushi tha se “drejtësia nuk është vetëm vendimmarrje”.
“Ajo është edhe standard dhe orientim për sistemin dhe shoqërinë. Prandaj, kjo sallë nuk i përket vetëm këtij institucioni. Në thelb ajo u përket qytetarëve, çdo individi që hyn këtu me shpresën se do të dëgjohet dhe do të trajtohet me dinjitet, barazi dhe paanësi”, tha Sadushi.
“Kjo ditë nuk shënon vetëm nisjen e vitit gjyqësor, por themelimin e një tradite institucionale, që i jep drejtësisë një moment të përvitshëm reflektimi dhe përgjegjësie publike. Për këtë arsye, kjo ceremoni ka rëndësi të veçantë. Është një moment kur sistemi i drejtësisë shpreh me maturi dhe vetëdije publike rolin e tij, në shërbim të qytetarit dhe të shtetit të së drejtës, jo me retorikë, por me standard dhe përgjegjësi”, vijoi ai.
Kreu i Gjykatës së Lartë, theksoi se “drejtësia duhet të jetë e pavarur në vendimmarrje, e përgjegjshme në standarde dhe e denjë në raport me qytetarin”.
“Këto nuk janë fjalë për t’u thënë një herë në vit, por janë parime që duhen respektuar çdo ditë, në mënyrën se si e ushtrojmë drejtësinë. Ato janë busulla, me të cilën qytetarët matin drejtësinë dhe njëkohësisht drejtësia duhet ta masë veten. Prania sot këtu e Presidentit të Republikës, drejtuesve të institucioneve kushtetuese, ambasadorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, si edhe e gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve, përçon një mesazh të rëndësishëm se drejtësia nuk është çështje e një institucioni të vetëm apo e një pushteti të vetëm. Ajo është një shtyllë e shtetit të së drejtës dhe përgjegjësinë për të duhet ta mbajmë të gjithë”, tha Sadushi.
“Në një shtet demokratik, ndarja dhe balanca e pushteteve nuk është thjesht parim abstrakt, por një mekanizëm sigurie për liritë dhe të drejtat, ku drejtësia ka një rol të pazëvendësueshëm, që të garantojë paanësinë dhe mbrojtjen efektive të të drejtave. Vlera e këtij mekanizmi kuptohet më qartë pikërisht në përvojën e përditshme të qytetarit me drejtësinë”, cilësoi ai.
“Besimi i qytetarit tek shteti, rrallë nis me deklarata. Zakonisht nis në sallën e gjyqit, kur një person sjell një konflikt dhe pret të dëgjohet me paanësi, brenda një kohe të arsyeshme dhe me dinjitet. Në këtë kuptim, gjykatat jo vetëm zbatojnë ligjin, por tregojnë nëse të drejtat mbrohen, nëse abuzimet korrigjohen dhe nëse ligjshmëria është më shumë se një aspiratë. Për shumicën e qytetarëve, drejtësia është kontakti më i drejtpërdrejtë me shtetin. Aty besimi forcohet ose dobësohet. Kjo varet, mbi të gjitha, nga profesionalizmi, etika dhe standardi i punës së përditshme në drejtësi”, shtoi Sadushi.
Ai theksoi se “kur flasim për pavarësinë, duhet ta kuptojmë drejt se ajo nuk është privilegj, por garancia që qytetari të ketë një gjykim të paanshëm dhe të drejtë, i mbrojtur nga presionet dhe ndikimet”.
“Pavarësia kërkon integritet, kurajo, profesionalizëm dhe etikë, që e bëjnë gjyqtarin të lirë në vendimmarrje dhe të fortë në arsyetim. Megjithatë, pavarësia kërkon edhe kapacitet institucional. Drejtësia duhet të jetë e arritshme për qytetarin, brenda një kohe të arsyeshme dhe me dinjitet. Kur sistemi mbingarkohet dhe qytetari nuk arrin dot në kohë te drejtësia, pavarësia zbehet në efektin e saj më thelbësor, mbrojtjen reale të të drejtave”, tha Sadushi.
Kreu i Gjykatës së Lartë, shtoi se nëse pavarësia është kushti që drejtësia të jetë e paanshme, përgjegjësia është kushti që ajo të jetë e besueshme.
“Pavarësia pa përgjegjësi rrezikon të perceptohet nga qytetari si distancë nga nevojat e tij ose si mungesë llogaridhënieje. Përgjegjësia nuk është ndërhyrje në vendimmarrje. Ajo është cilësi e vendimmarrjes, seriozitet në punë, respekt në sallën e gjykimit, disiplinë profesionale dhe kujdes për kohën e arsyeshme. Mbi të gjitha, përgjegjësia kërkon arsyetim të qartë, sepse arsyetimi është ura më e forte, që lidh gjykatën me qytetarin. Qytetari mund të mos pajtohet me vendimin, por nuk duhet të mbetet pa e kuptuar atë”, tha ai, ndërsa shtoi se mbështetja ndaj gjyqësorit është detyrim kushtetues, jo zgjedhje, as trajtim i privilegjuar.
“Në këtë kuadër, Gjykata e Lartë ka një rol të veçantë që të kontribuojë në koherencën dhe parashikueshmërinë e interpretimit të ligjit dhe të shërbejë si model i standardit të arsyetimit. Nëse ky rol ushtrohet me qëndrueshmëri, besimi i publikut forcohet gradualisht dhe siguria juridike bëhet më e prekshme”, tha Sadushi.
/e.i/j.p/
The post Sadushi: Besimi i qytetarit tek shteti nis në sallën e gjyqit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.