Botërori për rekord, FIFA ul çmimin e biletave/ “Tifozët besnikë” do të përfitojnë ulje të madhe
Botërori i vitit 2026 pritet të jetë më i madhi në histori, me 48 kombëtare pjesëmarrëse dhe me ndeshje që do të zhvillohen njëkohësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
Përtej këtyre risive, një nga temat që ka ndezur më shumë debat mes tifozëve janë çmimet e biletave, të cilat konsiderohen ndjeshëm më të larta krahasuar me Botërorin e fundit në Katar.
PLAY OFF- Shqipëria ende nuk e ka siguruar pjesëmarrjen në finalet e Botërorit, pasi më 26 mars do të luajë ndeshjen e parë të “Play-Off”-it ndaj Polonisë. Megjithatë, në shortin e fazës së grupeve të hedhur më 5 dhjetor, Kuqezinjtë janë parashikuar si “Play-Off B” në një grup me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë. Në rast se Shqipëria do të arrijë të kualifikohet, tifozët që dëshirojnë të ndjekin nga afër të tre ndeshjet e fazës së grupeve do të duhet të përballen me kosto të konsiderueshme vetëm për biletat e stadiumit.
BILETAT- Sipas çmimeve zyrtare të FIFA-s, për secilën ndeshje janë në dispozicion dy kategori biletash. Ndeshja e parë e Shqipërisë, ajo ndaj Tunizisë, që do të zhvillohet në Monterrey të Meksikës, ka një çmim prej 450 dollarësh për biletën e Kategorisë së Parë, ndërsa Kategoria e Dytë kushton 380 dollarë. Takimi i dytë, përballja me Holandën në Houston të SHBA-së, rezulton edhe më i shtrenjtë. Biletat e Kategorisë së Parë arrijnë në 600 dollarë, ndërsa ato të Kategorisë së Dytë kushtojnë 430 dollarë. Ndeshja e tretë dhe e fundit e fazës së grupeve, ajo kundër
Japonisë që luhet në Dallas, ka një çmim prej 500 dollarësh për Kategorinë e Parë dhe 400 dollarë për Kategorinë e Dytë. Në total, një tifoz shqiptar që dëshiron të ndjekë të tre ndeshjet e Shqipërisë në fazën e grupeve do të duhet të paguajë 1.550 dollarë për biletat e Kategorisë së Parë, ose 1.210 dollarë në variantin më të lirë, pa përfshirë këtu shpenzimet për udhëtim, akomodim apo shërbime të tjera.
Natyrisht, përpara se të mendohet për koston e një aventure të tillë, Shqipëria duhet fillimisht të fitojë të drejtën për të qenë pjesë e këtij Botërori historik. Në të kundërt, të gjitha këto mbeten vetëm një skenar i mundshëm për tifozët kuqezi.
POLEMIKAT- Ndërkohë, pas reagimeve të forta dhe kritikave nga tifozë në mbarë botën, FIFA ka bërë një tërheqje të pjesshme nga politikat fillestare të çmimeve. Organizatori ka njoftuar krijimin e një kategorie të re biletash me çmim 60 dollarë, të quajtur “Kategoria e veçantë për tifozët besnikë”, të cilat do të jenë të disponueshme për çdo ndeshje të Botërorit, përfshirë edhe finalen. Këto bileta do t’u kalojnë federatave kombëtare të ekipeve pjesëmarrëse, të cilat më pas do t’i shpërndajnë për tifozët më besnikë, kryesisht ata që kanë ndjekur ekipin e tyre në ndeshje brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë, numri i këtyre biletave do të jetë i kufizuar, vetëm disa qindra për ndeshje, çka do të thotë se shumica e tifozëve do të vazhdojnë të përballen me çmime të larta, pavarësisht këtij lehtësimi simbolik.
BOTËRORI I KATARIT– Botërori i FIFA-s 2022, i zhvilluar në Katar, u shoqërua me çmime biletash që ndryshonin ndjeshëm në varësi të fazës së kompeticionit dhe kategorisë së ulëseve në stadium. FIFA aplikoi një sistem me disa kategori, ku vendet më të lira ishin më larg fushës, ndërsa ato më të shtrenjta ofronin pamje më të mirë dhe akses më të privilegjuar. Në fazën e grupeve, çmimet për tifozët ndërkombëtarë nisnin nga rreth 250 rialë katarian (afërsisht 69 dollarë amerikanë) për kategorinë më të lirë, ndërsa biletat e kategorisë më të shtrenjtë arrinin deri në rreth 800 rialë (220 dollarë). Me avancimin e turneut, çmimet u rritën gradualisht.
Për ndeshjet e raundit të 16-s, biletat varionin nga rreth 96 deri në 275 dollarë. Në çerekfinale, çmimet shkonin nga rreth 205 dollarë për kategorinë më të lirë deri në rreth 425 dollarë për kategorinë më të shtrenjtë. Gjysmëfinalet ishin edhe më të kushtueshme, me bileta që nisnin nga rreth 357 dollarë dhe arrinin deri në afro 955 dollarë. Finalja e madhe e Botërorit 2022 ishte ndeshja me biletat më të shtrenjta.
Çmimet për tifozët ndërkombëtarë fillonin nga rreth 605 dollarë për kategorinë më të lirë dhe shkonin mbi 1,600 dollarë për vendet e kategorisë së parë. Ndërkohë, për banorët e Katarit dhe personat me rezidencë lokale, FIFA ofroi edhe një kategori të veçantë me çmime dukshëm më të ulëta, e cila nuk ishte e disponueshme për tifozët e huaj. Në përgjithësi, Botërori i Katarit u konsiderua një nga turnet me çmimet më të larta për fazat finale, veçanërisht për finalen, krahasuar me edicionet e mëparshme të Kupës së Botës. Nëse një tifoz do të donte të ndiqte të gjitha ndeshjet e një përfaqësueseje deri në finale (7 ndeshje), kostoja vetëm për bileta do të ishte e konsiderueshme.
Duke llogaritur çmimet mesatare për fazën e grupeve dhe rritjen graduale në fazat me eliminim, shpenzimi total për bileta do të varionte afërsisht nga 2,000 deri në mbi 5,000 dollarë, në varësi të kategorisë së vendeve të zgjedhura. Nëse përfshihej edhe finalja me bileta të kategorisë së lartë, shuma mund të rritej edhe më shumë. Këtyre kostove u shtoheshin edhe shpenzimet për udhëtim, akomodim dhe ushqim, duke e bërë ndjekjen e plotë të Botërorit një investim të madh financiar për tifozët.
The post Botërori për rekord, FIFA ul çmimin e biletave/ “Tifozët besnikë” do të përfitojnë ulje të madhe appeared first on Albeu.com.
