Luarasi: Paketa e medias synon krijimin e kushteve për liri dhe përgjegjësi
TIRANË, 16 janar/ATSh/ Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Iris Luarasi tha sot se të drejtat nuk janë një sektor, por një dimension që prek çdo fushë të qeverisjes.
Gjatë fjalës së saj, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, Luarasi tha se më parë kjo përgjegjësi shpërndahej në komisione të ndryshme, por ishte pa një fokus të qartë. Rezultati sipas saj ishte fragmentim, mbivendosje kompetencash dhe mungesë përgjegjësie e qartë.
“Media dhe informimi publik, të dyja si çështje po kalojnë një transformim rrënjësor. Modelet tradicionale të mediave po shkrihen, dezinformimi është ai që po bëhet kërcënim real për demokracinë, platformat digjitale po ndryshojnë mënyrën se si qytetarët e marrin sot informacionin dhe për këto arsye komisioni nuk ishte luks, por një nevojë institucionale”, tha ajo.
“Në një parlament modern, të drejtat e njeriut dhe mediat nuk mund të jenë një shënim anësor që shpërndahen në komisione të ndryshme, por janë shtylla që mbajnë gjithë ndërtesën. Komisioni ynë gjatë këtyre tre muajve ka pasur një mandat të qartë, të ndjek çështjen e të drejtave dhe lirive themelore, veprimtarinë e mediave audiovizive dhe informimit si dhe garantimin e lirisë së shprehjes”, tha Luarasi.
Luarasi theksoi se Shqipëria është në rrugën e integrimit evropian, por kjo nuk është një çështje që ka lidhje vetëm me tregun e përbashkët, apo me infrastrukturën, është mbi të gjitha një vlerë që ka lidhje me demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
“Avokati i Popullit, komisionet për mbrojtjen nga diskriminimi, komisioni për të drejtën e informimit nuk janë dekorative, janë institucione kryesore të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve. Paketa e medias për të cilën po punon një grup i komisionit nuk synon që të kontrollojë median, por synon që të krijojë kushtet që media të jetë e lirë, profesionale dhe përgjegjëse”, pohoi Luarasi.
/e.i/j.p/
The post Luarasi: Paketa e medias synon krijimin e kushteve për liri dhe përgjegjësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.