Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 20 January 2026Main stream

Konkursi kombëtar i verifikimit të fakteve “Fatos Baxhaku”

By: FAKTOJE
20 January 2026 at 17:06

Faktoje hap thirrjen për konkursin kombëtar të verifkimit e fakteve. Një mundësi për gazetarët që duan të kontribuojnë në kërkim të së vërtetës dhe, të nderojnë kujtimin e gazetarit të shquar Fatos Baxhaku. 

Si të Aplikoni:

Plotësoni formularin dhe më pas dërgojeni së bashku me CV-në tuaj në info@faktoje.al
Afati: 10 Shkurt 2026!

Kush mund të aplikojë?

Gazetarë të apasionuar pas verifikimit dhe raportimeve të bazuara në fakte për të promovuar mendimin
kritik mbi çështje me rëndësi publike. Ne po kërkojmë produktet më të mira nga gazetarë që përdorin teknikat më efektive të kontrollit të
fakteve dhe shfaqin kërkime që përfshijnë analizën e të dhënave, përmbajtje me të dhëna të hapura dhe të tjera burime inovative.


Mos e humbisni mundësinë për të faktuar të vërtetën!

The post Konkursi kombëtar i verifikimit të fakteve “Fatos Baxhaku” appeared first on Faktoje.al.

Before yesterdayMain stream

Shpalosja e flamurit kombëtar shqiptar shkakton tensione në protestën e Novi-Sadit

18 January 2026 at 00:37


Aktivisti politik në Serbi, Miodrag Kapor, ka nxitur tensione gjatë protestës së mbajtur të shtunën në Novi-Sad, pasi ka shpalosur flamurin kombëtar shqiptar mes turmës së protestuesve.

Sapo flamuri u pa nga pjesëmarrësit në protestë, situata u tensionua, duke rezultuar në shtyrje dhe fyerje verbale ndaj Kaporit, i cili më pas u nxor me dhunë nga turma.

“Ai e solli flamurin shqiptar këtu për t’u tallur me ne”, citohet të ketë thënë një nga protestuesit.

Pas incidentit, Kapor ka deklaruar se ka dhënë dëshmi në Polici, duke sqaruar se me vete kishte pasur edhe një flamur kroat.

“I solla një flamur të Shqipërisë dhe një të Kroacisë. Dua të jem i qartë: këta flamuj janë simbole zyrtare të njohura nga Këshillat e Komuniteteve në Serbi. I solla sepse studentët kanë thënë se këta janë flamujt që mund të sillen në protesta”, ka deklaruar Kapor.

Ai shtoi se qëllimi i tij ishte rritja e tolerancës dhe unitetit mes protestuesve.

“Siç e kemi parë edhe më herët, flamuri boshnjak shfaqet rregullisht në protesta. I sollëm këta dy flamuj për të promovuar tolerancën, në mënyrë që të gjithë të jemi bashkë në këtë luftë”, theksoi ai.

Protesta në Novi-Sad u mbajt nga studentët dhe qytetarët që vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vdekjen e 16 personave, të cilët humbën jetën vitin e kaluar si pasojë e shembjes së një strehe në stacionin e trenit.

Demonstratat janë shndërruar në simbol të pakënaqësisë qytetare ndaj institucioneve, duke kërkuar përgjegjësi dhe transparencë për ngjarjen tragjike.


Përkujtohet në Lezhë 558-vjetori i ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu

17 January 2026 at 18:56

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Bashkia e Lezhës ka përkujtuar sot 558-vjetorin e ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke nderuar figurën e prijësit legjendar të shqiptarëve.

Drejtues të Bashkisë së Lezhës zhvilluan homazhe në varrin e Heroit Kombëtar.

Në një mesazh në rrjetet sociale, Bashkia e Lezhës shpreh respekt dhe mirënjohje për Skënderbeun, i cili me trimëri, mençuri dhe sakrificë mbrojti lirinë, identitetin dhe dinjitetin e kombit shqiptar, duke u shndërruar në simbol të qëndresës dhe unitetit kombëtar.

Sipas Bashkisë, trashëgimia e Gjergj Kastriotit mbetet një burim i përhershëm frymëzimi për brezat, si dhe një thirrje për atdhedashuri, bashkim dhe përgjegjësi ndaj së ardhmes së vendit.

Sot shënohen 558 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-17 janar 1468).

Përkujtimi i kësaj date historike vlerësohet si një moment reflektimi dhe nderimi për figurën më përfaqësuese të historisë kombëtare shqiptare.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu hyri në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet për kohën.

Gjergj Kastrioti ndaloi ekspansionin osman drejt Evropës, duke fituar mirënjohjen e shteteve evropiane dhe të Papatit të Romës, që kur qe gjallë, dhe shumë më tepër pas vdekjes.

/gj.m/a.f/

The post Përkujtohet në Lezhë 558-vjetori i ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MEPJ: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, busull e përhershme për brezat

17 January 2026 at 10:57

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Sot shënohen 558 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-17 janar 1468).

Gjergj Kastrioti Skënderbeu hyri në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet për kohën.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përkujtoi sot Heroin Kombëtar të shqiptarëve. Në postimin në rrjetet sociale, thuhet se “në historinë shqiptare, figura e tij mbetet një busull e përhershme për brezat”.

MEPJ cilëson se kryeheroi që ndriçoi ndërgjegjen kombëtare, frymëzoi rilindësit dhe u shndërrua në simbol të pavdekshëm të qëndresës, lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

“Trashëgimia e tij vijon të na udhëheqë drejt bashkimit, përparimit dhe vizionit europian. Lavdi e përjetshme”, thuhet në postim.

Gjergj Kastrioti ndaloi ekspansionin osman drejt Evropës, duke fituar mirënjohjen e shteteve evropiane dhe të Papatit të Romës, që kur qe gjallë, dhe shumë më tepër pas vdekjes.

/e.i/j.p/

The post MEPJ: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, busull e përhershme për brezat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti bisedon me ndërkombëtarët për zbatimin e ligjeve për automjetet dhe të huajt

16 January 2026 at 15:54

PRISHTINË, 16 janar/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, janë takuar me diplomatët e akredituar në Kosovë, të cilët i kanë informuar për zbatimin e Ligjit për të huajt dhe atë për trafikun.

Nga sot, në Kosovë kanë hyrë në fuqi këto dy ligje dhe autoritetet kanë thënë se zbatimit do t’i paraprijë një afat informues deri më 15 mars.

Zbatimi i plotë i këtyre dy ligjeve do të prekë komunitetin serb që jeton në Kosovë, i cili deri më tani ka drejtuar automjete me targa të qyteteve në Serbi, me autorizim, ose persona që nuk kanë dokumente kosovare.

“Kjo fazë do të zgjasë deri më datën 15 mars të këtij viti, kur fillon zbatimi i plotë. Zbatimi i Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet synon lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kurtit.

Kurti, sipas njoftimit, i informoi përfaqësuesit ndërkombëtar mbi “domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate”.

“Kryeministri tha se ky proces integrues do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë merren në konsideratë”, u tha në njoftim.

Në Mitrovicë të Veriut funksionon një universitet që punon brenda sistemit të Serbisë, ku studiojnë ose punojnë shtetas të Serbisë. Po ashtu, punonjës nga Serbia ka edhe në institucionet shëndetësore në mjediset me shumicë serbe dhe në disa institucione kulturore.

Autoritetet e Kosovës nuk i njohin këto organe serbe dhe kanë mbyllur shumicën e tyre, përveç institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë.

Të punësuarit në këto institucione, veçanërisht profesorët dhe studentët në Universitetin në Mitrovicën e Veriut, mund të përballen me probleme sapo të nisë zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt, pasi ai parashikon posedimin e një leje pune ose licence për ushtrimin e veprimtarisë, për të cilën kërkesa paraqitet pranë Agjencisë së Punësimit të Kosovës.

Në praktikë, kjo do të thotë se institucionet arsimore dhe shëndetësore të sistemit serb do të duhet të pajisen me licenca nga institucionet e Kosovës.

Për qëllime studimi, bashkimi familjar, arsye humanitare, kërkime shkencore dhe rrethana të tjera të parashikuara me ligj, është e nevojshme të posedojë një leje të përkohshme qëndrimi dhe të plotësohen kushtet e tjera të përcaktuara me ligj, në varësi të qëllimit të qëndrimit.

Deri më tani, rregullimi i sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit është përmendur në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin Kosova dhe Serbia janë marrë vesh që në vitin 2013. Ky Asociacion, ndër të tjera, ishte paraparë të rregullonte funksionimin e institucioneve serbe, si dhe pagat dhe financimin e tyre nga buxheti i Serbisë.

Kosova dhe Serbia, edhe në vitin 2023, e kanë pranuar në parim Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, e cila, ndër të tjera, parashikon formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, respektivisht ofrimin e një niveli të caktuar të vetëmenaxhimit për komunitetin serb.

Një ditë më parë, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se deklaratat për integrimin e sistemit të arsmit dhe shëndetësisë shihen si “kërcënuese” dhe mund të vënë në rrezik dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova publikon rregullat dhe ndëshkimet për shtetasit e huaj dhe për rregullat në trafik

Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar dokumente udhëzuese për Ligjin për të huajt dhe të për automjete, pas hyrjes në fuqi të këtyre dy ligjeve.

Sipas dokumentit udhëzues lidhur me Ligjin për të huajt, shtetasit e huaj fillimisht duhet të kenë dokumente udhëtimi të vlefshme, ose vizë kur kërkohet, dhe të lajmërojnë adresën e qëndrimit brenda tri ditësh në stacionin më të afërt policor.

Nëse një i huaj synon të qëndrojë në Kosovë në periudhë afatshkurtër, ai mund ta bëjë këtë deri në 90 ditë dhe gjatë kësaj periudhe nuk i lejohet të punojë pa pasur leje pune. Nëse kalohet kjo periudhë, i huaji duhet të aplikojë për leje qëndrim.

Nëse një i huaj qëndron në Kosovë me qëllim të punës, atëherë ai duhet të ketë leje të përkohshme për punë, po ashtu kërkohet licencim paraprak në rast të aplikimit për leje pune për profesionin që kërkon licencë. Rregullat parashohin ndalim të punës, nëse një shtetas i huaj nuk ka leje për të.

Ndërkaq në rast të qëndrimit për arsye të tjera, sikurse studimi, kërkohet pajisja me leje qëndrim.

Në rast se nuk respektohen këto rregulla, atëherë autoritetet mund të aplikojnë masa që mund të përfshijnë anulimin e lejes së qëndrimit, shqiptimin e gjobave, largimin nga vendi dhe ndalimin në territorin e Kosovës.

“Zbatimi i plotë fillon nga data 15 mars 2026. Çdo hyrje pas kësaj date që rezulton me mosparaqitje sipas rregullave të listuara brenda këtij udhëzuesi, do rezultojë me ndalim hyrje në Republikën e Kosovës”, tha MPB-ja.

Ndërkaq, në dokumentin udhëzues sa i përket Ligjit për automjetet, thuhet se një makinë e regjistruar në vend të huaj dhe që është në pronësi të një shtetasi të huaj, mund të qarkullojë në Kosovë deri në tre muaj.

Sipas rregullave, një automjet i regjistruar jashtë Kosovës nuk mund të drejtohet nga një shtetas i Kosovës pa praninë e pronarit e as të autorizohet që të qarkullojë më Kosovë.

Rregullat parashohin se një shtetas i huaj që ka qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë apo një shtetas i Kosovës që kthehet nga shtetet e huaja, mund ta drejtojë një automjet me patentë shoferë të huaj të vlefshëm deri në 1 vit nga dita e hyrjes në Kosovë.

Në rast se nuk respektohen rregullat,, MPB tha se do të merren masa në përputhje me legjislacionin në fuqi. /rel/

The post Kurti bisedon me ndërkombëtarët për zbatimin e ligjeve për automjetet dhe të huajt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Media ndërkombëtare: Basti i madh i Trumpit mbi naftën venezueliane dhe kompanitë amerikane

By: M C
5 January 2026 at 17:50

Vizioni i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që kompanitë amerikane të naftës të rindërtojnë sektorin e shkatërruar të naftës në Venezuelë, përbën provën më të madhe deri më tani për qëndrueshmërinë e industrisë amerikane ndaj rrezikut.

Faqja e internetit ‘Axios’ shkruan se kjo është një çështje e madhe, pasi Trump dhe zyrtarë të tjerë të administratës nuk e kanë mbajtur sekret faktin se rezervat e mëdha të naftës në Venezuelë janë një arsye kryesore për rrëzimin e Nicolas Maduros.

“Nuk mund t’i kesh rezervat më të mëdha të naftës në botë nën kontrollin e kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara… pa u sjellë dobi popullit të këtij vendi”, tha Sekretari i Shtetit Marco Rubio në emisionin “Zëri i Amerikës” të NBC të dielën.

Megjithatë, pamja e përgjithshme është se gatishmëria e kompanive amerikane për të investuar në infrastrukturën e braktisur të Venezuelës nuk është e dhënë, paralajmërojnë shumë analistë, pavarësisht sigurisë së shprehur nga zyrtarët amerikanë.

“Aftësia e Venezuelës për të rritur prodhimin varet nga kapitali, i cili nga ana tjetër kërkon stabilitet politik dhe ndoshta garanci nga qeveria e SHBA-së”, shkruan analistët në Jefferies Global Research & Strategy në një shënim të dielën.

“Kompanitë amerikane do të jenë të kujdesshme të përfshihen pa një mjedis të qëndrueshëm sigurie dhe kushte shumë të favorshme që zvogëlojnë rrezikun – veçanërisht me tregjet e mbifurnizuara dhe çmimet e ulëta në afat të shkurtër”, thotë analisti i Eurasia Group, Gregory Brew.

Është interesante se mbeten shumë pyetje rreth asaj se si SHBA-të mund të krijojnë kushte të favorshme për miliarda dollarë investime, megjithëse Rubio tha në përgjithësi në CBS të dielën se kompanitë do të kishin nevojë për garanci dhe kushte specifike. Ai tha gjithashtu se “karantina” e cisternave nën sanksione krijon leva për ndryshime në këtë fushë.

Siç komenton Axios, kjo nuk është hera e parë që Trump u ka kërkuar kompanive të naftës të dalin nga zona e tyre e rehatisë në ndjekje të përfitimeve të mëdha me rreziqe të mëdha. Departamenti i Brendshëm po shqyrton dhënien e të drejtave të shpimit në ujërat e Arktikut pranë Alaskës, por edhe në Paqësor.

Kompanitë duken entuziaste për intensifikimin e qirave në Gjirin e Amerikës (i riemëruar nga Gjiri i Meksikës). Por interesi në zona të tjera në det të hapur – dhe kostot, betejat ligjore dhe dhimbjet e kokës së komunikimit që vijnë me to – mbetet i vakët. ‘Chevron’ mbetet e vetmja kompani e madhe amerikane që ende operon në Venezuelë.

Kompani të tjera veçanërisht ‘Exxon’ dhe ‘ConocoPhillips’ u larguan nga sektori i shtetëzuar rreth dy dekada më parë pasi u grindën me regjimin e Hugo Chavez. Atyre u detyrohen miliarda dollarë në vendime arbitrazhi për asetet e shpronësuara. Luisa Palacios, një studiuese në Institutin e Energjisë të Universitetit të Kolumbias, shkroi të dielën se një skenar optimist, por realist, mund të shihte rritjen e prodhimit me 500,000 deri në 1 milion fuçi në ditë brenda dy viteve.

Kjo do të vinte nga një kombinim i qeverisjes më të mirë dhe heqjes së sanksioneve të mbetura të SHBA-së. Ajo sheh potencial për kompanitë ndërkombëtare që tashmë operojnë atje të tilla si Chevron, Repsol dhe ENI për të rritur prodhimin bazuar në licencat ekzistuese. Dhe, me shumë rezerva, ajo sheh një mundësi për një kthim në nivelet historikisht të larta të prodhimit prej 3.5 milion fuçi në ditë brenda shtatë deri në 10 vjetësh.

Çfarë po shohim, sipas Axios?: Shenjat e para, ende të kufizuara, të interesit nga industria. Deri më tani, kompanitë e mëdha amerikane kanë heshtur. Rubio i tha ABC se do të kishte “interes të jashtëzakonshëm nëse gjërat do të bëheshin në mënyrën e duhur”.

Sekretari i Energjisë Chris Wright dhe Sekretari i Brendshëm Doug Bergham së shpejti “do të jenë në procesin e vlerësimit dhe diskutimeve me disa nga këto kompani”, shtoi a

The post Media ndërkombëtare: Basti i madh i Trumpit mbi naftën venezueliane dhe kompanitë amerikane appeared first on Albeu.com.

Përcaktohen kriteret dhe procedurat për financimin e aktiviteteve sportive ndërkombëtare në Shqipëri

30 December 2025 at 22:02

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin që përcakton procedurat dhe kriteret për financimin e aktiviteteve sportive me karakter ndërkombëtar, të cilat kanë impakt social, kulturor, ekonomik dhe turistik, kur zhvillohen në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Sipas vendimit, për të përfituar financim, subjektet aplikante duhet të jenë të regjistruara ligjërisht, të kenë njohje zyrtare nga federatat ndërkombëtare përkatëse dhe të dëshmojnë eksperiencë dhe kapacitete organizative në organizimin e ngjarjeve sportive ndërkombëtare.

Aktivitetet e propozuara duhet gjithashtu të kenë ndikim të dukshëm ekonomik, turistik dhe mediatik, përfshirë numrin e pjesëmarrësve ndërkombëtarë, delegacioneve dhe ekspozimin ndërkombëtar të Republikës së Shqipërisë.

Procedurat e aplikimit parashikojnë paraqitjen e kërkesës gjatë gjithë vitit buxhetor pranë ministrisë përgjegjëse për sportin, duke përfshirë dokumentacion të detajuar për programin, planin teknik dhe financiar të aktivitetit. Një komision ad hoc vlerëson aplikimet dhe brenda 30 ditësh propozon miratimin ose mosmiratimin e financimit, ndërsa vendimi përfundimtar merret nga ministri përkatës.

Pas lidhjes së kontratës, pagesat realizohen sipas planit financiar dhe faturave të paraqitura nga subjekti aplikues, duke përfshirë edhe tarifat e pjesëmarrjes, kur parashikohen në kontratë. Për monitorimin e zbatimit të aktiviteteve ndërkombëtare ngrihet një grup monitorimi prej tre anëtarësh të caktuar nga ministri përgjegjës.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit është ngarkuar për zbatimin e tij.

Lexo të plotë vendimin

/m.q/a.f/

The post Përcaktohen kriteret dhe procedurat për financimin e aktiviteteve sportive ndërkombëtare në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fluturime akrobatike dhe çaste magjike në shfaqjen “Piter Pan” të Cirkut Kombëtar

28 December 2025 at 14:06

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ “Piter Pan” titullohet premiera e re e Cirkut Kombëtar, që po shfaqet në skenën e ArTurbina në kryeqytet, një udhëtim magjik mes fantazisë, guximit dhe ëndrrave që nuk shuhen kurrë.

Kjo shfaqje bazohet në fabulën e Piter Panit dhe sjell plot surpriza për fëmijët e vegjël, që nga skenografia e kostumografia, deri te numrat e lartësive.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo shfaqje, me fluturime akrobatike, numra sfidues dhe çaste magjike.

Shfaqja me drejtuese artistike, regji, libret dhe koreografi nga Olta Ahmetaj, u realizua me 
pjesëmarrjen speciale të Trupës Profesioniste të Cirkut Kombëtar: Silvana Dumi, Fitnete Duro, Brunilda Demollari, Xhejms Kodra, Alketa Haxhiu, Eris Hoxha dhe Mario Elezi.

Ideja, grafikat dhe realizimi janë nga Andi Kotri, muzika nga Sajmir Çili dhe Alfons Zgjana, kostumografia në shfaqje është përgatitur nga Burbuqe Çoçka, skenografia nga Lirim Lila dhe efektet speciale nga Ilir Karaj.

“Piter Pan dhe aventurat në ishullin e Kurrkundit” vjen si një shfaqje e ndërtuar me përkushtim artistik, kushtuar fëmijëve, prindërve dhe gjithë familjes. Një rrëfim skenik, që ndërthur teatrin, muzikën, koreografinë dhe elementët e artit të cirkut, duke krijuar një përvojë kulturore të plotë, edukative dhe frymëzuese për publikun e të gjitha moshave.

“Piter Pan” u shfaq premierë më 26 dhjetor, ndërkohë që do të vijojë deri më 30 dhjetor në ArtTurbina.

/k.s/r.e/

The post Fluturime akrobatike dhe çaste magjike në shfaqjen “Piter Pan” të Cirkut Kombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Nis të marrë formë Teatri i ri Kombëtar, hapësirë ikonike për artin dhe kulturën

26 December 2025 at 12:50


TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Teatri i ri Kombëtar do të kthehet jo vetëm në një hapësirë moderne për artin skenik, por edhe në një simbol të identitetit kulturor të kryeqytetit dhe të gjithë vendit.

Punimet në këtë kantier kanë avancuar, ndërkohë që godina e re do të jetë jo vetëm një hapësirë për artistët, por edhe një pikë e rëndësishme e jetës urbane dhe sociale të Tiranës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i Teatrit të ri Kombëtar, vepër e një prej arkitektëve më të shquar bashkëkohorë, Bjarke Ingels dhe studios daneze BIG.

Kryeministri theksoi se pas përfundimit të fazës komplekse të punimeve nëntokësore, projekti ka hyrë në etapën e realizimit ndërtimor, duke marrë formë një hapësirë ikonike për artin dhe kulturën.

Projekti parashikon salla bashkëkohore për shfaqje teatrore, ambiente multifunksionale për aktivitete kulturore, si dhe infrastrukturë teknologjike të standardeve europiane.

Teatri i ri do të ketë disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Më konkretisht, do të ketë një hapësirë prej 750 metrash katrorë auditor dhe me mbi 600 vende, me ballkon. Gjithashtu do të ketë një skenë teatri prej 630 metrash katrorë dhe dy salla Black Box prej 200 metrash katrorë secila.

Për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metrash katrorë që do të përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katrorë, tualete dhe dushe, si dhe një dhomë të gjelbër.

Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha lehtësirat për publikun.

/m.m/r.e/a.f/

The post Rama: Nis të marrë formë Teatri i ri Kombëtar, hapësirë ikonike për artin dhe kulturën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Hapësirë ikonike për artin dhe kulturën”, Rama: Nis të marrë formë Teatri i ri Kombëtar

By: lindita
26 December 2025 at 13:11

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i Teatrit të ri Kombëtar, i cili po merr formë dita-ditës. “Kantieri i Teatrit të Ri Kombëtar, vepër e një prej arkitektëve më të shquar bashkëkohorë, Bjarke Ingels dhe studios daneze BIG. Pas përfundimit të fazës komplekse të punimeve nëntokësore, projekti ka hyrë në etapën e realizimit ndërtimor, duke marrë formë një hapësirë ikonike për artin…

Source

Teatri u shemb, spektakli vazhdon

25 December 2025 at 13:19

Teatri Kombëtar rikthehet në vëmendje pas një mungese të gjatë nga fejsbukët zyrtarë të qeverisë. Këtë herë, përmes një video-performance me “drone drop” mbi një kantier ndërtimi, i cili nuk dallon shumë nga qindra të tjerë në qytet.

Pamja promovohet si reklamë e një “pune” të premtuar që po kryhet – pra një lloj raportimi, në mungesë të llogaridhënies, – ndërsa qyteti vazhdon të ndërtohet dhe qindra leje të reja miratohen, pa pyetur askënd tjetër përveç pushtetit.

Nuk ishte një njoftim ndërtimor, por një akt simbolik: Një rikthim i kontrolluar i çështjes së Teatrit Kombëtar në ekranet e pushtetit.

Me dashje ose pa dashje, Kryeministri – dhe më pas ministri i Kulturës, e pas tyre i gjithë tabori i pushtetit, – na përsërisin prej kohësh të njëjtin mesazh: The show must go on! (Spektakli duhet të vijojë!), për sa kohë ata janë aktorët kryesorë në skenën e pambaruar të teatrit.

Në fakt, e gjithë qeverisja Rama 1, 2 dhe 3 ka funksionuar si skenë e madhe teatrale, ku vetë teatri u shndërrua në njësi marketingu, ndërsa “star-arkitektët” në kukullat e teatrit prej letre.

Faksimile e videos së qeverisë, ku dallohet kantieri i Pixel Tower në të majtë.

Kjo ndodhi pikërisht në mungesë të teatrit si zhanër kritik, si kundër-forcë e pushtetit. Kur teatri real u zhduk, u fshi, u shemb, spektakli institucional zuri vendin e tij.

Tre vjet më parë, më 21 dhjetor 2022, Rama dhe Veliaj – të shoqëruar nga taborët e administratave përkatëse – vendosën atë që e quajtën “gurin e parë të themelit”.

“Baballarët e kombit” në themel të Teatrit të Ri Kombëtar, “më të bukurit dhe më përfaqësues të ndërtuar në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”, sipas logjikës patriarkale të pushtetit: njësoj si kryefamiljari që vendos gurin e parë të shtëpisë.

Tradita, megjithatë, e thotë qartë: Që themeli të qëndrojë, duhet edhe një kurban, përndryshe muret, si ato të Rozafës, bien.

Kurbani i kësaj dysheje, që ka qeverisur Tiranën për 21, nga 35 vitet e tranzicionit shqiptar, ishte ndërtesa historike e Teatrit Kombëtar, të cilën e shembën natën.

Ndërsa e shembën, u kujdesën ta kthenin aktin në spektakël: Një mizanskenë dramatike në teatrin e madh të pushtetit, ku ndërthuren korrupsioni, krimi i organizuar dhe pastrimi i parave.

Por akti final nuk ishte vetë shkatërrimi i teatrit; ai duhej edhe legjitimuar estetikisht.

Shembja, në vetvete, nuk mjaftonte. Duhej një imazh i ri, një formë e re, një premtim arkitektonik që ta zhvendoste vëmendjen nga dhuna mbi trashëgiminë drejt admirimit për spektaklin.

Faksimile e videos së qeverisë, ku dallohet kantieri i Pixel Tower anës Teatrit Kombëtar.

Duhej shembur teatri, që spektakli i kullave të merrte skenën. Për shembull, kulla që duhej ta zëvendësonte atë – dhe që do t’i merrte tokën, hapësirën dhe kujtesën, – sot ngrihet 33 kate lart (Pixel Tower, projekt nga Bjarke Ingels për Fusha shpk), deri në kufijtë e pronës, praktikisht ngjitur me të.

Teatri u zhduk që ky spektakël të shtrihej pa pengesë në çdo cep të Tiranës: Një profeci e artikuluar qartë nga protesta 27-mujore e Teatrit, e cila u tall si nostalgji, por rezultoi lexim politik i saktë i së ardhmes urbane.

Kulla ngrihet e qetë, duke na vështruar nga lart me cinizëm pedagogjik, sikur të na thotë: “Kot bëtë zhurmë. Nuk ju mora asnjë metër truall. Ju lashë madje dhuratë projektin më të bukur në Evropë që nga viti 1945. Të ma dini për nder!”

Kjo është arkitekturë disonante: Një formë pushteti që prodhon konflikt me kujtesën urbane, mohon dhunën mbi trashëgiminë përmes estetikës dhe e “ribrendon” shkatërrimin si bujari institucionale – ndërsa publiku ftohet, edhe një herë, të duartrokasë.

Sepse kur pushteti merr rolin e regjisorit, qyteti mbetet skenë, kujtesa dekor dhe qytetarët spektatorë të një shfaqjeje ku humbja prezantohet si fitore.

Lexoni gjithashtu:

The post Teatri u shemb, spektakli vazhdon appeared first on Citizens.al.

Vijon puna për modernizimin e Muzeut Historik Kombëtar

24 December 2025 at 09:38

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Në Muzeun Historik Kombëtar po vijon puna për transformimin e tij në një institucion modern dhe të denjë për ruajtjen dhe paraqitjen e trashëgimisë historike të vendit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i rilindjes së Muzeut Historik Kombëtar, duke e cilësuar atë si një thesar i rëndësishëm i turizmit kulturor.

Pas një kohe të gjatë sfidash dhe dëmtimesh, përfshirë tërmetin e 2019-të, Muzeu Historik Kombëtar është në fazë restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi.

Kjo është ndërhyrja më e rëndësishme që po realizohet në këtë institucion simbol, në kuadër të programit EU4Culture, nën drejtimin e UNOPS, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe MEKI.

Në fazën e parë, punimet përfshijnë: paketim dhe evakuim të artefakteve, konsolidim dhe përforcim strukturor, rinovim të fasadave dhe izolimin e çatisë, instalimin e sistemit të monitorimit CAM, restaurimin e fasadës me teknologji moderne (fibra karboni dhe xhaketim kolonash).

Ndërkohë, faza e dytë e punimeve vijon me transformimin rrënjësor, që do të përfshijë: shtesa nëntokësore me laboratorë e hapësira teknike; fasadën e brendshme “Oculus” prej xhami dhe mbulesën ikonike; sisteme moderne MEP, mbrojtje nga zjarri, muzeologji bashkëkohore dhe mobilim tërësor.

Muzeu Historik Kombëtar është një ndër muzeumet më të vizituara në Shqipëri. Projekti për restaurimin e tij është një operacion i jashtëzakonshëm, i udhëhequr nga “Casanova & Hernandez Architects”, Hollandë, mbështetur në analizën e një skuadre profesionistësh të shkencave albanologjike.

/m.m/a.f/

 

The post Vijon puna për modernizimin e Muzeut Historik Kombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Teatri i ri Kombëtar, më i bukuri në Ballkan

21 December 2025 at 10:47

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Teatri i ri Kombëtar do të jetë më i bukuri në të gjithë Ballkanin dhe do të jetë një nga teatrot më të bukur të të gjithë Europës.

I pyetur gjatë podkastit “Flasim – episodi 11, sezoni 5”, se si do të funksionojë Teatri i ri Kombëtar si strukturë apo proces artistik, Rama u shpreh se kjo është çështje e komunitetit artistik.

“Ajo që mund të them është që do të jetë Teatri më i bukur Kombëtar, apo qoftë edhe jo kombëtar, nuk ka rëndësi se ka dhe teatro të bukura që tjera që nuk janë teatri Kombëtar, por do të jetë më i bukuri në të gjithë Ballkanin padiskutim dhe do të jetë një nga teatrot më të bukur të të gjithë Europës. Pastaj se çfarë do të jetë në aspektin përmbajtësor kjo i takon komunitetit”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se, “shumë mirë që do të kemi një super teatër nga pikëpamja e infrastrukturës, por ta bësh atë teatër të jetojë në mënyrë të përditshme me kualitet është sfida e sfidave”.

Ajo që ka rëndësi, theksoi Rama, “është që ai teatër do të jetë në gjendje të mikpresë edhe trupa të huaja, do të jetë në gjendje të mikpresë patjetër edhe trupa dhe aktorë nga territoret shqipfolëse, do të jetë në gjendje të ofrojë shumë, nga pikëpamja e infrastrukturës”.

Pastaj, shtoi kreu i qeverisë, “nga pikëpamje menaxhimit ne nuk jemi ende në një fazë të zhvillimit tonë që të kemi kapacitete menaxhimi të institucioneve kulturore që të jenë të atilla që ta çojnë institucionin në një nivel tjetër dhe që të bëjnë diferencën, flas në tërësi. Patjetër që tek tuk jemi dhe menaxher shumë të mirë”.

Kryeministri foli gjithashtu edhe për projekte të tjera në kulturë që po zhvillohen paralelisht.

“Ne po bëjmë Galerinë e re Kombëtare, po transformojmë Muzeun Kombëtar. Kemi një program shumë ambicioz për këtë mandat që të bëjmë disa muze më të vegjël në Tiranë. Po bëjmë, besoj me shumë sukses një Muze të Historisë së hebrenjve të Shqipërisë në Vlorë. Po përgatitetmi të fillojmë punë për Muzeun “Besa” këtu në Tiranë. Për Muzeun e Artit Islamik. Kemi një sërë gjërash që po shkojnë paralelisht”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, “pikëpyetja për të gjithë këto investime është niveli i menaxhimit në lartësinë e arkitekturës, në lartësinë e kësaj infrastrukture të re, por hap pas hapi”.

/gj.m/

j.p/

The post Rama: Teatri i ri Kombëtar, më i bukuri në Ballkan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria ndan 50 mijë euro ndihmë për veprimtarin Hafiz Gagica

19 December 2025 at 13:25


Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 50 mijë euro ndihmë financiare për veprimtarin e çështjes kombëtare në mërgatë, Hafiz Gagica, i cili po përballet me një sëmundje të rëndë që kërkon trajtim të kushtueshëm mjekësor.

Vendimi u miratua në mbledhjen e Qeverisë, ku kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi se Gagica ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në vitet ’90 në organizimin politik të diasporës shqiptare dhe në mbështetjen e institucioneve të pavarura të Kosovës. Sipas Kurtit, gjendja shëndetësore e tij kërkon kujdes të veçantë dhe shpenzime që familja nuk ka mundësi t’i përballojë.

Në mbështetje të këtij vendimi, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, vlerësoi rolin jetik të Hafiz Gagicës në proceset që çuan drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ajo theksoi se Gagica “ka të drejtë të presë solidaritetin e institucioneve të Kosovës, të njëjtin solidaritet që ai e tregoi pa hezitim për Kosovën në kohën e kërcënimit më të madh”.

Gërvalla rikujtoi se gjatë viteve ’90-ta, Gagica ishte një nga figurat kyçe në organizimin dhe forcimin e sistemit paralel të Kosovës në arsim, shëndetësi dhe furnizim ushqimor, në kohën e represionit të ushtruar nga Serbia. Sipas saj, ai ishte bartës kryesor i organizimit të mërgatës shqiptare në Gjermani dhe Evropë, duke shërbyer si urë lidhëse mes Kosovës dhe shteteve evropiane.

Një rol i veçantë, sipas Gërvallës, ishte edhe organizimi i vizitave dhe udhëtimeve të ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe delegacioneve të tjera kosovare në Gjermani, Zvicër, SHBA dhe vende të tjera evropiane, përmes qendrës së veprimtarisë që Gagica drejtonte në Shtutgart.

Ajo përmendi gjithashtu angazhimin e tij në organizimin e protestave dhe demonstratave të shqiptarëve në Gjermani, duke veçuar tubimin e vitit 1998 në Bonn, ku rreth 100 mijë pjesëmarrës kërkuan lirinë e Kosovës dhe ndaljen e shtypjes serbe, një nga protestat më të mëdha të organizuara ndonjëherë nga një komunitet jo-gjerman në Republikën Federale të Gjermanisë.

Hafiz Gagica ka shërbyer si kryetar i LDK-së për diasporë dhe ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. /Telegrafi/

- YouTube youtu.be

Berisha: Nisim revoltat, gatishmëria e demokratëve shumë e lartë

17 December 2025 at 20:35

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar se kjo forcë politike ka marrë vendimin për nisjen e revoltave opozitare, duke theksuar se në radhët e demokratëve ka një nivel të lartë gatishmërie dhe vendosmërie.

“Diskutuam për të startuar revoltat e PD-së”, të cilat u shpreh Berisha, do t’i japin përgjigjen përfundimtare situatës aktuale në vend, duke shtuar se sipas tij problematikat kryesore lidhen me korrupsionin dhe kriminalitetin.

Ai theksoi se vendimi është marrë në një linjë të përbashkët nga forumet drejtuese të partisë.

“Kjo është mbledhja e tretë e forumeve të PD-së  kryesia, grupi parlamentar dhe Këshilli Kombëtar, që shkojnë në një linjë dhe shënojnë vendimin e kësaj force politike për fillimin e revoltave, të cilat do të ndërpriten vetëm kur, sipas nesh, ky regjim të marrë fund”, deklaroi Berisha.

I pyetur për gatishmërinë e demokratëve për protesta, kreu i PD-së tha se ajo është shumë e lartë.

“Me aq sa pashë sot, jashtë mase. Një gatishmëri dhe një vendosmëri që kjo parti nuk e ka pasur më parë,” u shpreh ai, duke e cilësuar këtë si një zhvillim dhe ndërgjegjësim të rëndësishëm brenda partisë.

Berisha foli edhe për situatën politike në vend, duke deklaruar se, sipas tij, qeveria ndodhet në vështirësi dhe se opozita synon ndryshim përmes presionit qytetar.

Në lidhje me debatet e brendshme në PD dhe akuzat për bashkëpunim me krimin, Berisha theksoi se qëndrimi i tij është i pandryshuar.

“Gjithçka kam pasur për këtë çështje, e kam shprehur si kryetar i Partisë Demokratike dhe atë nuk e ndryshoj”, tha ai.

Sa i përket mundësisë së përjashtimit të Ervin Salianjit, Berisha nënvizoi se vija e kuqe mbetet e qartë.

“Qëndrimi absolut i kësaj force politike është se bashkëpunimi me bandat dhe krimin është i papranueshëm”, deklaroi ai, duke shtuar se çdo veprim do të bëhet në përputhje me statutin e PD-së.

Në lidhje me aksionin opozitar, Berisha u shpreh se do të ketë revolta, duke theksuar se detajet mbi mënyrën e organizimit do të bëhen të ditura në vijim.

“Ato do t’i mësoni të gjitha në kohën e duhur”, përfundoi Berisha.

/gj.m/a.f/

The post Berisha: Nisim revoltat, gatishmëria e demokratëve shumë e lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Do e shtyjmë analizën për zgjedhjet, asgjë s’na ndal pa rikthyer votën e lirë

17 December 2025 at 19:10

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD se për shkak të situatës emergjente politike, agjenda e parashikuar për mbledhjen do të shtyhet për një takim tjetër të afërt.

“Për shkak të situatës emergjente do të shtyjmë agjendën e sotme! Tani jemi në provën më të madhe para vetes dhe vendit,” tha Berisha, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti për PD dhe për demokracinë në vend.

Ai nënvizoi se Partia Demokratike do të vazhdojë të përgatitet për reagimin politik ndaj sfidave aktuale.

“PD qëndroi, qëndron dhe do të qëndrojë fuqishëm. Për këtë arsye, detyrohemi të shtyjmë diskutimet e planifikuara dhe të përqendrohemi të gjithë në përgatitjen e përgjigjes politike që duhet t’i japim situatës aktuale”, tha ai.

Berisha shtoi se përpjekjet e opozitës kanë qenë të vazhdueshme, por sipas tij, është e nevojshme një mobilizim i mëtejshëm.

“Kemi bërë protesta dhe lëvizje politike, por nuk kanë qenë ende të mjaftueshme për të sjellë ndryshimin. Ndryshimi vjen nga një lëvizje e qëndrueshme dhe e koordinuar me forma të ndryshme reagimi qytetar”, tha Berisha

Ai theksoi se besimi i qytetarëve mbetet një element kyç për veprimet e opozitës.

“Besimi i shqiptarëve është tek ne, se nëse nuk do të na besonin, nuk do të na votonin. Por tani duhet të bëjmë hapin e fundit me përgjegjësi dhe sakrifica”, shtoi Berisha.

Kreu i PD ftoi anëtarët e Këshillit Kombëtar të angazhohen në takime intensive me qytetarët dhe të përfshihen në forma të ndryshme të mobilizimit.

“Është koha e guximtarëve. Çdo njëri duhet të japë shembull personal dhe të angazhohet në protesta dhe lëvizje qytetare, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Agjenda jonë duhet të jetë protestë, protestë dhe vetëm protestë”, deklaroi ai.

Berisha theksoi se Partia Demokratike ka mbështetjen e disa rezolutave ndërkombëtare për mbrojtjen e pluralizmit politik dhe se kjo mbështetje duhet të shoqërohet me veprime konkrete.

“Natyrisht, mbështetjet ndërkombëtare janë të rëndësishme, por ato janë të pamjaftueshme nëse ne nuk ngrihemi”, tha ai.

Në përfundim, Berisha theksoi se Partia Demokratike do të vazhdojë të organizojë protesta dhe mobilizime të koordinuara, duke synuar të ruajë dhe të forcojë të drejtën e qytetarëve për pjesëmarrje dhe kontroll në proceset demokratike.

/gj.m/a.f/

The post Berisha: Do e shtyjmë analizën për zgjedhjet, asgjë s’na ndal pa rikthyer votën e lirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Debate në Këshillin Kombëtar të PD-së/ Anëtari i Kryesisë largohet nga mbledhja

By: Elva
17 December 2025 at 19:19

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dritan Burgia, është larguar nga salla ku po zhvillohet me dyer të mbyllura mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së. Raportohet se Burgia është larguar pasi në mbledhje janë ndaluar diskutimet për çështje të tjera, duke u kufizuar vetëm te protesta e paralajmëruar. Ai ka kundërshtuar këtë vendim, duke theksuar […]

The post Debate në Këshillin Kombëtar të PD-së/ Anëtari i Kryesisë largohet nga mbledhja appeared first on BoldNews.al.

Mblidhet Këshilli Kombëtar i PD/ Priten vendime, Berisha ka paralajmëruar përjashtimin e Salianjit

17 December 2025 at 17:08

TIRANË- Partia Demokratike ka mbledhur Këshillin Kombëtar. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzon anëtarin e kryesisë se organizoi foltoren e të martës në Elbasan, me ndihmën e kriminelit te kërkuar Suel Çela. Berisha tha hapur se individë të tillë nuk kanë vend në Partinë Demokratike.

Gazetari i ABC News, Andon Kello, raporton se Ervin Salianji nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar me pretendimi se ka takime.

“Jam në një takim, nuk arrij dot. Nuk do të shkoj në mbledhjen e Këshillin Kombëtar të PD, tryeza ku merren më shumë me mua se me çështje të tjera”, tha ai.

Megjithatë, Këshilli Kombëtar nuk ka në rend dite përjashtimin e Ervin Salianjit, por është vetëm deklaratë e Berishës. Ndërkaq, anëtarët e kryesisë së PD caktohen apo ndryshohen nga Këshilli Kombëtar, i cili u mblodh pasdite në selinë blu.

Ish-deputeti i PD, Qani Xhafa ka sfiduar publikisht Sali Berishën ku i kërkon të nxjerrë fakte mbi akuzat që takimi i Ervin Salianjit ditë e djeshme në Elbasan është bërë nga Suela Çela.

Sipas tij, nëse kjo provohet, ai do të jetë i parë që do largohet, por nëse e vërteta është krejt tjetër, ish-deputeti i kërkon Berishës të hapë krahun për të rinjtë.

Reagimi i Qani Xhafa: 

Sqarim për opinionin publik në lidhje me takimin e z.Ervin Salianji në Elbasan datë 16 Dhjetor ora 18 00!
Të nderuar demokratë, anëtarë, simpatizantë të PD dhe mbarë opinionit publik, ju bëj me dije se dje pjesë e takimit me demokratët e Qarkut të Elbasanit isha dhe unë si një demokrat që nga viti 2005 ku kemi ndarë me ta të mirat dhe të këqijat e kësaj force politike!
Unë nuk jam detyruar nga askush që të marr pjesë në këtë takim por e pashë të arsyeshme se PD prej disa muajsh pas zgjedhjeve të 11 Majit 2025 ra në një gjumë letargjik që po e dëmtonte akoma më shumë!
Po kështu më gjeni një person anëtar partie, simpatizant apo çfardo, që ishte apo jo në takim, të prononcohet që ka qenë i detyruar nga dikush të marr pjesë, madje të brohorasë!
Ju bëj me dije se më janë zemëruar shumë demokratë që pse sna njoftove por koha ishte shumë e shkurtër vetëm dy ditë dhe e lamë në rrjedhë të lirë pjesmarrjen dhe për mendimin tim ishte takim shumë i mirë pasi kishte dhe shumë demokratë të rinj në forume drejtuese që janë e ardhmja e PD!
Për vetë profesionin që kam si Ing. mekanik i them Dr.Berishës nëse më bind me fakte që ai takim është bërë nga Suel Çela jam unë i pari që tërhiqem nëse është e kundërta duhet që të rinjtë të ecin përpara për të mundur regjimin e Edi Ramës!
Në atë takim u fol ndër të tjera edhe për protestën e 22 Dhjetorit që të jetë sa më e fuqishme për rrëzimin e kësaj qeverie!
Ju lutem të dëgjojmë zërin e çdokujt për të mirën e PDSH dhe për të mirën e Shqipërisë!
Me shumë respekt dhe mirënjohje Qani Xhafa!

Nga protesta te përplasjet brenda partisë, PD mbledh Këshillin Kombëtar

By: Elva
17 December 2025 at 17:29

Partia Demokratike ka mbledhur këtë të martë Këshillin Kombëtar. Sipas rendit të ditës, pika kryesore e diskutimit do të jetë organizimi dhe zhvillimi i protestës kombëtare të paralajmëruar për 22 dhjetor. Kjo mbledhje shënon gjithashtu takimin e parë të Këshillit Kombëtar pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Burime nga PD bëjnë me dije se, përveç […]

The post Nga protesta te përplasjet brenda partisë, PD mbledh Këshillin Kombëtar appeared first on BoldNews.al.

Pranga shqiptarit në Serbi/ I riu nga Dibra ishte në kërkim për dhunë ndaj gruas shtatzënë

By: Rovena
17 December 2025 at 10:52

Në janar të vitit 2025, dhunoi rëndë bashkëjetuesen e tij shtatzënë, lokalizohet dhe kapet në Serbi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 24-vjeçari.

Në vijim të bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe specialistëve të Interpol Beogradit, u arrestua provizorisht në Serbi, në vijim të operacionit “The Wanted”, shtetasi shqiptar, K. M., 24 vjeç.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në muajin mars 2025, Gjykata e Dibrës i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

24-vjeçari akuzohet se në muajin janar 2025, dhunoi rëndë bashkëjetuesen e tij shtatzënë.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet strukturave policore, me qëllim ekstradimin e 24-vjeçarit, në Shqipëri./abcnews.al

❌
❌