Ndreu: Situata e shkaktuar nga reshjet në Lezhë është në përmirësim të ndjeshëm
TIRANË, 7 janar/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu bëri të ditur sot se situata e shkaktuar nga reshjet në Lezhë është në përmirësim të ndjeshëm.
Sipas Ndreut, autoritetet vendore mbeten në mbikëqyrje të problematikave të ndryshme.
“Lezha ka përjetuar një situatë të rënduar në disa zona dhe jo në gjithë territorin, por jo jashtë kontrollit”, theksoi Ndreu.
Sipas tij, problematika që krijohet në vazhdimësi në lagjen “Besëlidhja” në Lezhë, është drejt zgjidhjes pasi një projekt i KfW-së është në zbatim e sipër.
“Kjo do të thotë që së shpejti nuk do përballemi më me të tilla situata! S’ka vend për panik, as për shprehje mediatike ‘Lezha nën ujë’, sepse 20% e qytetit e ka këtë problem, as për fërkim duarsh nga ‘madhështorë’ e kushdo tjetër, pasi i kemi dalë për zot kësaj pune ashtu siç duhet”, u shpreh Ndreu.
Në zonat rurale, sipas tij, “ka pasur problematikë në 10% të territorit në toka bujqësore në Pllanë, Spiten, Grash, Zojs, Torovicë, Blinisht, Gocaj”.
“Fluksi i pashembullt i reshjeve është përballuar me kompetencë nga punonjësit e bashkisë Lezhë, që kanë qenë kudo ku iu është kërkuar, në ndihmë të banorëve dhe në përmirësim të situatës”, tha Ndreu.
Sistemi i kanaleve kulluese prej 730 km të hapura në këto 6 vite, sipas kryebashkiakut Ndreu ka bërë që të amortizohen në maksimum pasojat.
“Sot as që bëhet fjalë për javë të tëra me prezencë uji. Puna jonë ka dhënë efektet e duhura. Gjithsesi nuk ka vend për t’u vetëkënaqur, por përgjegjësi për të vazhduar me vendosmëri në përmirësimin më tej të problematikave të evidentuara”, tha Ndreu.
Çdo banor i Lezhës, sipas tij, “duhet të jetë i sigurt se përtej helmit që e kanë gati disa detashmentë që s’kanë punë tjetër, ne gjithmonë e në çdo rast do jemi në shërbim të komunitetit. Asnjëherë më parë s’ka ndodhur një komunikim dhe bashkërendim i tillë, ku qytetari ka një derë ku qan hallet dhe gjen një përgjigje të shpejtë”.
/m.m/a.f/r.e/
The post Ndreu: Situata e shkaktuar nga reshjet në Lezhë është në përmirësim të ndjeshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.