Nga sharkia te trafikimi me substanca narkotike: Ky është Pren Berisha që u kap me rreth 7kg marihuanë
Një aksion i Policisë së Kosovës ka rezultuar me arrestimin e një personi në pikën kufitare të Merdarit, ku janë sekuestruar rreth 7 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, e cila dyshohet se ishte nisur drejt Serbisë.
Siç raportoi më herët Sinjali, rreth orës 06:00 të mëngjesit, zyrtarët policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë kanë ndaluar një veturë të tipit Skoda, të cilën po e drejtonte i dyshuari Pren Berisha.
Gjatë kontrollit, në rezervuarin e automjetit janë gjetur 24 pako me marihuanë, me peshë totale rreth 7 kilogramë, vlera e së cilës arrin rreth 35 mijë euro.
Pas arrestimit në Merdare, policia ka realizuar bastisje edhe në shtëpinë e të dyshuarit në Prizren, ku janë sekuestruar katër automjete, një telefon mobil, qese plastike, aparate për vakum dhe peshore digjitale.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, Berisha është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë rast.
Ndërkohë, në rrjete sociale po qarkullon edhe një video në të cilën i dyshuari shihet duke kënduar me sharki, pamje që datojnë para arrestimit të tij dhe që tregojnë një anë tjetër të personit tashmë nën hetim për trafikim me substanca narkotike.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
The post Nga sharkia te trafikimi me substanca narkotike: Ky është Pren Berisha që u kap me rreth 7kg marihuanë appeared first on Sinjali.
