Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 January 2026Main stream

Shqipëria në Bordin e Paqes, Balla: Konfirmon partneritetin strategjik me ShBA

22 January 2026 at 10:24

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Në urdhrin për thirrjen e seancës nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, thuhet se marrëveshja kërkon shumicë absolute votash për miratim.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në fjalën e tij se Kuvendi i Shqipërisë thirret për të marrë një vendim me një peshë tepër të veçantë politike dhe historike, që shkon përtej rendit të zakonshëm të ditës dhe lidhet drejtpërdrejt me rolin e ri të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Sipas Ballës, Shqipëria është ftuar të marrë pjesë në këtë organizëm si Vend Anëtar Themelues, një ftesë që, sipas tij, përfaqëson një vlerësim të drejtpërdrejtë ndërkombëtar për rolin konstruktiv dhe të besueshëm të vendit në arenën ndërkombëtare.

“Shqipëria nuk ftohet si vëzhguese, por si bashkarkitekte në ndërtimin e një mekanizmi të ri ndërkombëtar për paqen”, u shpreh Balla, duke theksuar se ky zhvillim e vendos vendin nga periferia e diskutimeve globale, në qendër të vendimmarrjes ndërkombëtare.

Ai bëri me dije se, sipas Kartës së Bordit të Paqes, pjesëmarrja e shteteve anëtare nuk cenon sovranitetin kombëtar, ndërsa angazhimi në misione dhe financimi janë vullnetare. Po ashtu, çdo shtet anëtar gëzon të drejtë të barabartë vote dhe rol aktiv në drejtimin strategjik të organizmit.

Duke iu referuar letrës zyrtare drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Balla tha se Presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka cilësuar nismën si një përpjekje historike për ndërtimin e paqes, e bazuar në një qasje pragmatike dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Sipas Ballës, ftesa për anëtarësim konfirmon forcën e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pasqyron besimin ndaj politikës së jashtme shqiptare si të qëndrueshme dhe të përgjegjshme.

Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes. Këshilli i Ministrave e ka miratuar në parim marrëveshjen më 21 janar.

Marrëveshja synon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare, me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme dhe të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.

Bordi i Paqes do të ndërmarrë funksione të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira të mundshme për t’u zbatuar nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.

Seanca plenare u kërkua pasditen e djeshme nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, përmes një shkrese zyrtare, për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Seanca Plenare për Bordin e Paqes
1 nga 3
Seanca plenare për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes - Foto: Florian Abazaj
Taulant Balla, Kryetar i Grupit Parlamentar të PS - Foto: Andrin Hoxha

/gj.m/a.f/r.e/

The post Shqipëria në Bordin e Paqes, Balla: Konfirmon partneritetin strategjik me ShBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Jemi pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes, por të respektohet Kushtetuta

22 January 2026 at 10:20

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi në Kuvend ndaj fjalës së kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke deklaruar se qytetarët shqiptarë nuk dëgjuan asnjë argument se ku qëndron nxitimi për ta përmbyllur sot procesin e ratifikimit të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes.

“Besoj se në 10 minuta fjalë nuk u shpjegua se për çfarë arsyeje dhe ku qëndron urgjenca e shqyrtimit të këtij projektligji me rëndësi historike. U tha se 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet ta votojnë brenda 12 orësh nga momenti që ka mbërritur nga Këshilli i Ministrave. Dëgjuat ndonjë argument për këtë?”, u shpreh Bardhi.

Ai shtoi se çdo shqiptar priste një ndjesë publike nga mazhoranca për qëndrimet e mëparshme ndaj Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Çdo shqiptar mendoi se kolegu do të ngrihej këtu dhe do ta niste fjalën duke kërkuar ndjesë në emër të mazhorancës suaj, pasi ai që keni në krye e ka konsideruar Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njeriun që sot po vendos paqe kudo në botë, si ‘turpin e njerëzimit’. Ka qenë Edi Rama i vetmi lider botëror që i është drejtuar Presidentit të SHBA-së me këtë term”, deklaroi Bardhi.

Sa i përket procedurës, Bardhi theksoi se grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar kërkesën për procedurë të përshpejtuar përpara se projektligji të propozohej nga Këshilli i Ministrave.

Duke iu drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Bardhi tha se ekzistojnë dy kërkesa që duhen shqyrtuar.

“Së pari, është kërkesa e Këshillit të Ministrave, e cila sipas rregullit duhet të depozitohej përpara kërkesës së grupit parlamentar të PS-së. Ata nuk mund të kërkojnë procedurë të përshpejtuar për një projektligj që ende nuk ka ardhur në Kuvend. Pikërisht kjo ka ndodhur: kërkesa është dorëzuar përpara se projektligji të propozohej nga Këshilli i Ministrave”, u shpreh ai.

Bardhi theksoi gjithashtu se Kuvendi mund të ndjekë një procedurë tjetër që do ta bënte marrëveshjen edhe më shpejt efektive.

“Kuvendi merr kohën që ia ngarkon Kushtetuta, pra e miraton një javë pasi ka nisur shqyrtimi. Ne jemi pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes dhe i kërkojmë autorizim Presidentit të Republikës, në përputhje me Nenin 84 të Kushtetutës, që të japë miratimin për hyrjen e menjëhershme në fuqi të këtij projektligji. Kështu zgjidhim ngërçin kushtetues, respektojmë Kushtetutën dhe arrijmë qëllimin të paktën pesë herë më shpejt nga sa propozoni ju”, tha Bardhi.

Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Në urdhrin për thirrjen e seancës nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, thuhet se marrëveshja kërkon shumicë absolute votash për miratim.

Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes. Këshilli i Ministrave e ka miratuar në parim marrëveshjen më 21 janar.

Marrëveshja synon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare, me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme dhe të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.

Bordi i Paqes do të ndërmarrë funksione të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira për t’u zbatuar nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.

Seanca plenare u kërkua pasditen e djeshme nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, përmes një shkrese zyrtare, për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Bardhi: Jemi pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes, por të respektohet Kushtetuta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 21 January 2026Main stream

Ndryshimet në ligjin për narkotikët, Balla: Shqipëria në krah të SHBA-së në luftën globale kundër fentanilit

21 January 2026 at 16:07

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme miratoi sot ndryshimet ligjore të propzouara nga qeveria në ligjin “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, si dhe ndryshimet ligjore në ligjin për “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope”.

Deputetja e Partisë Socialiste, nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, në fjalën e saj tha se përparësia e këtij projektligji është krijimi i një mekanizmi më të fortë dhe të efektshëm ligjor për të kontrolluar lëndët narkotike dhe psikotrope, në përputhje me standardet ndërkombëtare e në funksion të rritjes së sigurisë publike.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini, në fjalën e saj, duke prezantuar ndryshimet ligjore në ligjin “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope”,  tha se ky përmirësim, vjen si nevojë për përputhje me legjislacionin ndërkombëtar dhe atë të Bashkimit Evropian, si dhe për forcimin e mekanizmave të parandalimit e të kontrollit, në kuadër të luftës kundër trafikut të paligjshëm të drogës. Objektivi specifik, që synohet të arrihet me këtë projektligj, është përditësimi i listës së lëndëve që përdoren në mënyrë të paligjshme për prodhimin e lëndëve narkotike dhe psikotrope.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fjalën e tij në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, gjatë diskutimit për projektligjin që lidhet me barnat narkotike dhe lëndët psikotrope, me fokus të veçantë luftën kundër opioideve sintetike, përfshirë fentanilin deklaroi se Shqipëria është përkrah presidentit të SHBA, Donald Trump në luftën kundër drogave.

Ai theksoi se përveç fentanilit, në listën që po miratohet janë përfshirë edhe katër opioidë të tjerë sintetikë edhe më të fortë se fentanili, duke i cilësuar si jashtëzakonisht të rrezikshëm për jetën e njeriut.

Në fjalën e tij, Balla solli shifra tronditëse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e quajtur fentanilin një kërcënim global.

“Nga 1 janari 2021 deri më 31 dhjetor 2024, në SHBA kanë humbur jetën 262 mijë persona për shkaqe të lidhura me përdorimin e fentanilit. Më shumë amerikanë kanë vdekur nga fentanili sesa nga Lufta e Dytë Botërore, në vetëm katër vite.”

Sipas tij, edhe për vitin 2025 priten shifra shumë të larta, rreth 76 mijë viktima, çka justifikon qëndrimin e fortë të presidentit Trump ndaj kësaj çështjeje.

Balla rikujtoi se më 14 mars 2024 Shqipëria u anëtarësua në Koalicionin Global Kundër Drogave Sintetike, një iniciativë e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Drogat sintetike, dhe në mënyrë të veçantë fentanili, janë armë të shkatërrimit në masë që vrasin dhjetëra-mijëra njerëz çdo vit”, theksoi ai, duke paralajmëruar se Europa ende nuk është plotësisht e vetëdijshme për rrezikun që ky fenomen përbën.

Sipas Ballës, një sasi më e vogël se një kokërr kripe e fentanilit mund të marrë jetën e një njeriu, duke nënvizuar se kjo është pasojë e rrjeteve kriminale të organizuara, kufijve të dobët dhe zbatimit të pamjaftueshëm të ligjit.

“Kufijtë e fortë shpëtojnë jetë”, deklaroi ai, duke shtuar se Shqipëria duhet të rrisë kontrollet kufitare dhe të forcojë politikat e sigurisë në shkolla për të parandaluar që fëmijët dhe të rinjtë të bien pre e shpërndarësve të drogës.

Në përmbyllje, Taulant Balla vlerësoi qasjen proaktive të qeverisë shqiptare për përditësimin e listës së lëndëve narkotike dhe kërkoi më shumë vëmendje për qendrat e rehabilitimit dhe trajtimit të personave me varësi.

“Detyra e shtetit është jo vetëm të parandalojë përdorimin e drogës, por edhe të kujdeset që viktimat e saj të shpëtojnë nga varësia”, tha Balla, duke bërë thirrje që edhe opozita të mbështesë projektligjin dhe ai të miratohet sa më shpejt në seancë plenare.

Në fund të punimeve, komsioni miratoi në parim, Nen për Nen dhe në tërësi ndryshimet ligjore, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike nuk morën pjesë në votim.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Ndryshimet në ligjin për narkotikët, Balla: Shqipëria në krah të SHBA-së në luftën globale kundër fentanilit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj përkujton Ibrahim Rugovën: Vizionari i Kosovës së lirë dhe evropiane

21 January 2026 at 12:42

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përkujtuar sot Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën, duke e cilësuar atë si një figurë vizionare që projektoi Kosovën e pavarur dhe të lirë mbi parimet e urtësisë, durimit dhe mençurisë politike.

Në një postim në rrjetin social X, Kreu i Shtetit thekson se Presidenti Rugova e konceptoi të ardhmen e Kosovës të lidhur ngushtë me vlerat evropiane, si demokracia, të drejtat e njeriut, pluralizmi dhe shteti i së drejtës.

Presidenti Begaj nënvizon se vizioni i Rugovës është sot një realitet, ndërsa trashëgimia e tij politike mbetet një dëshmi e qartë se paqja, dialogu dhe orientimi drejt Evropës janë gurthemeli i shtetndërtimit dhe i një të ardhmeje të qëndrueshme për Kosovën.

/gj.m/a.f/

The post Begaj përkujton Ibrahim Rugovën: Vizionari i Kosovës së lirë dhe evropiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kombëtarja U-21 sfidon Japoninë më 27 mars në Antalia

21 January 2026 at 12:27

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Kombëtarja shqiptare U-21 do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndërkombëtare më 27 mars 2026 ndaj Japonisë U-21.

Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur marrëveshjen me Federatën Japoneze të Futbollit që kjo përballje të luhet në Antalia, Turqi, ndërsa orari dhe stadiumi ku do të zhvillohet takimi do të bëhen të ditura në ditët në vijim.

FSHF vijon gjithashtu bisedimet për të siguruar edhe një tjetër ndeshje miqësore për Kombëtaren U-21 gjatë muajit mars.

Deri në Kampionatin Europian U-21 2027, Kombëtarja U-21 do të angazhohet vetëm në ndeshje miqësore, pasi Shqipëria është kualifikuar automatikisht në këtë turne si një nga vendet organizatore.

Këto teste miqësore kanë rëndësi të veçantë për trajnerin Alban Bushi dhe stafin teknik, duke ofruar mundësinë për të vlerësuar nga afër gjendjen e lojtarëve, për të konsoliduar grupin dhe për të testuar elementë të rinj në funksion të Europianit U-21 2027.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Kombëtarja U-21 sfidon Japoninë më 27 mars në Antalia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

EBA presin “Open Masters Games Abu Dhabi 2026”, një nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë

21 January 2026 at 10:57

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Emiratet e Bashkuara Arabe po përgatiten të presin “Open Masters Games Abu Dhabi 2026”, një nga ngjarjet më të mëdha shumë-sportëshe ndërkombëtare në botë, e cila do të zhvillohet nga 6 deri më 15 shkurt 2026, duke mbledhur sportistë 30 vjeç e lart nga mbarë globi nën moton “United by Sports, Active for Life”.

Sipas programit zyrtar, ceremonia hapëse do të mbahet më 6 shkurt në Zayed Sports City, ndërsa garat do të zhvillohen në Abu Dhabi, Al Ain dhe Al Dhafra, në një rrjet prej 22 impiantesh sportive të standardeve botërore. Mes tyre përfshihen Hazza Bin Zayed Stadium, Abu Dhabi Cricket and Sports Hub, Hudayriyat Island, ADNEC, Khalifa International Bowling Centre, Marina Al Mirfa, Al Wathba Race Track, Abu Dhabi Marine Sports Club, Al Ain Equestrian, Shooting & Golf Club, Abu Dhabi Golf Club, Yas Acres Golf Club, Yas Links Golf Club, Mubadala Arena, Al Ain Adventure, Abu Dhabi Padel Kingdom, Abu Dhabi Aquatics Club dhe Fatima Bint Mubarak Ladies Academy, duke reflektuar përmasat dhe shtrirjen gjeografike të eventit.

Programi kryesor i Lojërave do të zhvillohet nga 7 deri më 14 shkurt, me gara në më shumë se 30 sporte, përfshirë atletikë, basketboll, futboll, not, tenis, çiklizëm, triathlon, golf, xhudo, karate, jiu-jitsu, volejboll, peshëngritje, kriket, shah, sporte ujore, sporte luftarake dhe disiplina të tjera, duke krijuar një ritëm të pandërprerë aktivitetesh sportive gjatë gjithë eventit.

Një element dallues i “Open Masters Games Abu Dhabi 2026” do të jenë sportet tradicionale të Emirateve, të cilat përbëjnë një shtyllë të rëndësishme të programit. Garat Al Tabaa do të zhvillohen më 13–14 shkurt në Al Ain, garat me deve më 14 shkurt në Al Wathba, lundrimi tradicional me dhoë dhe zhytja tradicionale më 7–8 shkurt në Marina Al Mirfa, garat e qëndrueshmërisë në hipizëm nga 7 deri më 14 shkurt, si dhe garat e skifterisë (falconry) më 13–14 shkurt në Al Falah Falconry Club, duke i dhënë eventit një dimension autentik kulturor.

Lojërat do të përfshijnë gjithashtu kategori vetëm për gra në sporte si atletikë, volejboll në sallë, basketboll, paddle dhe futboll 7-a-side, të cilat do të zhvillohen në Fatima Bint Mubarak Ladies Academy, duke reflektuar angazhimin për zgjerimin e pjesëmarrjes femërore dhe krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës konkurrues.

Komiteti Organizues ka konfirmuar se regjistrimet do të qëndrojnë të hapura deri më 15 janar 2026, duke u mundësuar sportistëve dhe skuadrave të planifikojnë pjesëmarrjen dhe udhëtimin e tyre në kohë.

Me mbi 25,000 pjesëmarrës të pritur nga e gjithë bota, përfshirë gjashtë sporte tradicionale emirate dhe 18 disiplina të hapura për Personat me Aftësi të Kufizuara, “Open Masters Games Abu Dhabi 2026” pritet të shndërrojnë Abu Dhabin, Al Ain dhe Al Dhafran në qendra dinamike të sportit, kulturës dhe komunitetit, duke forcuar më tej pozitën e Emirateve të Bashkuara Arabe si një destinacion kryesor për evente sportive ndërkombëtare dhe stile jetese aktive.

/gj.m/a.f/

The post EBA presin “Open Masters Games Abu Dhabi 2026”, një nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani pjesë e Bordit të Paqes, Rama: Gjest domethënës i presidentit Trump ndaj Kosovës

21 January 2026 at 10:51

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka uruar sot Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes nga presidenti i Shteteve të bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Rama shprehet në një postim në rrjetin social X se, ky është një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës.

“Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë”, shkruan Rama.

Rama u shpreh se beson se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA

“Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e  për rolin tënd ndërkombëtarisht”, shkruan kryeministri Rama.

/gj.m/a.f/

The post Osmani pjesë e Bordit të Paqes, Rama: Gjest domethënës i presidentit Trump ndaj Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohen viktimat e “21 Janarit”, homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

21 January 2026 at 10:46

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Sot shënohen 15 vite nga 21 anari 2011, kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, u vranë katër protestues nga Garda e Republikës.

Gjatë protestës u vranë Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën Dëshmorë të Atdheut.

Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ministra të kabinetit qeveritar së bashku me familjarë të katër protestuesve dhe deputetë të PS-së, kryen homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë vendit ku më 21 Janar 2011 u vranë 4 protestues.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në ceremoninë e përkujtimit të 4 viktimave të 21 Janarit se, pas 15 vitesh ende nuk është bërë drejtësi për 21 Janarin.

Duke folur përpara familjarëve të 4 viktimave të “21 Janarit”: Aleks Nikës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës, Rama u shpreh se, “vetëm Zoti e di se me çfarë guri në zemër unë vij për në këtë godinë kur del drita e ditës së 21 janarit”.

“15 vjet pa drejtësi për 21 Janarin janë 15 vjetët e një padrejtësie të madhe, jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe mbi popullin shqiptar”, u shpreh Rama.

Në korrik të vitit 2024 Prokuroria e Posaçme (SPAK) rinisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.

Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Përkujtohen viktimat e “21 Janarit”, homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Pavarësimi i gjyqësorit nuk zhduku hijen e padrejtësisë mbi “21 janarin”

21 January 2026 at 10:32

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në ceremoninë e përkujtimit të 4 viktimave të 21 janarit se, pas 15 vitesh ende nuk është bërë drejtësi për ngjarjen e 21 Janarit.

Duke folur përpara familajrëve të 4 viktimave të “21 Janarit” Aleks Nikës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës, Rama u shpreh se, “vetëm Zoti e di se me çfarë guri në zemër unë vij për në këtë godinë kur del drita e ditës së “21 Janarit””.

“Është një gur që bëhet gjithnjë e më i madh dhe që më tregon përmes një sëkëlldije të madhe se sa më i madh bëhet në çdo 21 janar zhgënjimi juaj të dashur familjarë të 4 Dëshmorëve, hidhërimi juaj, pengu juaj  për mosardhjen e drejtësisë”, tha Rama.

“15 vjet pa drejtësi për “21 Janarin” janë 15 vjetët e një padrejtësie të madhe, jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe mbi popullin shqiptar”, u shpreh Rama.

“Ndërsa, për ju familjarët e Dëshmorëve të “21 Janarit”, 15 vjetët e këtij boshllëku të pangushëllueshëm janë sa një jetë e tërë e jetuar në ankth, dëshpërim dhe poshtërim”, iu drejtua Rama familjarëve të viktimave.

“Atyre ndër ju që ishin gjyshër iu ka ardhur koha për t’u bërë stërgjyshër. Atyre që ishin fëmijë iu ka ardhur koha për t’u bërë prindër, ndërsa atyre 4 pjesëve të shpirtit tuaj të cilave u janë tretur trupat në dhe’, nuk u ka ardhur koha ende të prehen të qetë sepse as përmbysja e sistemit të vjetër të drejtësisë, as pavarësimi i pushtetit gjyqësor dhe as rënia e kultit të pandëshkueshmërisë së individëve të veshur me pushtet politik nuk kanë mjaftuar deri më sot për ta zhdukur hijen e padrejtësisë mbi “21 Janarin””, tha Rama.

Sot shënohen 15 vite nga 21 janari 2011, kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, u vranë katër protestues.

Gjatë protestës u vranë Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën Dëshmorë të Atdheut.

Në korrik të vitit 2024 Prokuroria e Posaçme (SPAK) rinisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.

Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.

/gj.m/a.f/

 

The post Rama: Pavarësimi i gjyqësorit nuk zhduku hijen e padrejtësisë mbi “21 janarin” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot shënohen 15 vite nga “21 Janari”, çështja në rihetim nga SPAK

21 January 2026 at 08:38

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Sot shënohen 15 vite nga 21 janari 2011, kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, u vranë katër protestues.

Gjatë protestës u vranë Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën Dëshmorë të Atdheut.

Në korrik të vitit 2024 Prokuroria e Posaçme (SPAK) rinisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.

Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.

Drejtues të Partisë Socialiste kanë kërkuar zbatimin e vendimit të GJEDNJ-së për ngjarjen e “21 janarit”. Disa ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, kreu i grupit Taulant Balla vuri në dukje se presin nga drejtësia, veçanërisht nga Prokuroria e Posaçme, zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së dhe Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, lidhur me plot aspekte të asaj ngjarjeje.

“Ne nuk kemi hyrë asnjëherë në meritën apo përmbajtjen e dosjeve penale, por Kuvendi i Shqipërisë ka përgjegjësi në kontrollin e zbatimit të vendimeve të GJEDNJ-së bashkë me Ministrinë e Drejtësisë”, theksoi Balla.

/gj.m/j.p/

The post Sot shënohen 15 vite nga “21 Janari”, çështja në rihetim nga SPAK appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Balla: Shqiptarët dhe familjet e të rënëve të 21 Janarit duan drejtësi

20 January 2026 at 22:51

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Nesër shënohen 15 vite nga 21 janari 2011, kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, u vranë katër protestues nga Garda e Republikës.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste , Taulant Balla u shpreh sot se, shqiptarët dhe familjet e të rënëve të 21 Janarit duan drejtësi.

“Gjykata e Lartë, në dritën e vendimit historik të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, ka konkluduar me emra të përveçëm”, theksoi Balla duke sjellë vendimin e gjykatës.

“Asnjëherë nuk është tentuar për të shtrirë hetimet – lidhur me “ngjarjen e 21 janarit” – ku mbeten të vrarë katër demostrues dhe të plagosur dhjetëra të tjerë – nga zjarri i armëve të përdorura nga efektive të Gardës…, përtej nivelit të mirëfilltë ekzekutues të krimit (krimeve) – të sipërcituar (efektivë dhe drejtues të Gardës) – por edhe të paballafaquar minimalisht (në të njëjtën kohë) me indiciet individualizuese – evidentuese të implikimit të nivelit më të lartë drejtues shtetëror – përfshirë Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm të kohës – përtej atij të mirëfillte ekzekutues – të vëna në dispozicion të organit të procedimit”, thuhet në vendim.

Gjatë protestës së 21 Janarit 2011 u vranë Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën Dëshmorë të Atdheut.

Në korrik të vitit 2024 Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.

Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.

/gj.m/j.p/

The post Balla: Shqiptarët dhe familjet e të rënëve të 21 Janarit duan drejtësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KLGJ: Nuk kemi ende shkresën zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme për gjyqtaren Irena Gjoka

20 January 2026 at 21:28

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Këshilli i Lartë Gjyqësor bëri sot me dije se, deri në orën 20:30 në adresë të tij nuk ka mbërritur asnjë dokument zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me njoftimin e sotëm për miratimin e rezultateve të verifikimit të thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit për gjyqtaren në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka (Shpata, Maneku).

Sipas njoftimit, sapo shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme të mbërrijë zyrtarisht, ajo do të administrohet nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës pranë KLGJ-së dhe më pas do të ndiqet procedura përkatëse ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi sot se ka përfunduar verifikimet brenda dhe jashtë vendit për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka.

Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se ka miratuar rezultatet e procesit të verifikimit dhe e ka përcjellë vendimin në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Prokuroria e Përgjithshme nisi verifikimin për gjyqtaren Irena Gjoka pas një shkrimi të publikuar në mediet greke se është dënuar në vendin fqinj për falsifikim dokumentesh.

Irena Gjoka ështe edhe gjyqtarja paraprake e dosjes “Partizani”, në të cilën është marrë i pandehur ish-kryeministri Sali Berisha.

/gj.m/j.p/

 

The post KLGJ: Nuk kemi ende shkresën zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme për gjyqtaren Irena Gjoka appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zhupa: PD do votojë për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes

20 January 2026 at 20:34

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa deklaroi sot se opozita do të votojë pro pjesëmarrjes së Shqipërisë në nismën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në Bordin e Paqes për Gazën.

Në një intervistë televizive për A2CNN, Zhupa deklaroi se opozita do ta votojë pa asnjë diskutim nismën e Donald Trump për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.

“PD-ja ka qenë, është dhe do të jetë një parti proamerikane dhe proeuropiane dhe i shikon si partner strategjik SHBA-të”, tha Zhupa.

“Fakti që Presidenti amerikan po ndërton një bord me të gjitha shtetet, ku Shqipëria nuk mund të bënte përjashtim, pasi aty gjen Rusinë, Bjellorusinë etj, pra nuk është privilegj për Ramën, por thjesht je një shtet që do të jesh pjesë e një bordi me mbi 100 shtete”, theksoi Zhupa.

“Sa i përket PD-së, jo vetëm jemi parti proamerikane, por kemi mbajtur edhe qëndrim publik në mbështetje të Presidentit Donald Trump”, tha deputetja demokrate.

“Mbështesim çdo iniciativë të paqes dhe Trumpit dhe nuk do jemi kurrë kundër vendimeve të marra nga administrata amerikane”, tha Zhupa.

“Kjo nuk është as çështje për diskutim në PD. Është në statutin tonë dhe në idealin tonë. Tentativa e Edi Ramës për ta shitur ftesën si një miqësi personale, si sukses apo lider i përzgjedhur, ishte propagandë sepse nuk ka lidhje me ndonjë arritje të mazhorancës. Është diçka protokollare dhe PD-ja nuk i ngatërron qëndrimet e saj ndaj mazhorancës me raportin që ka me SHBA-në”, theksoi Zhupa.

/gj.m/j.p/

The post Zhupa: PD do votojë për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD i kërkon KLGJ dhe ILD të konfirmojnë mbarimin e statusit të gjyqtares Irena Gjoka

20 January 2026 at 19:52

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar sot Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të konstatojnë mbarimin e statusit të gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka si magjistrate dhe largimin nga detyra, pasi sipas Prokurorisë së Përgjithshme rezulton e dënuar në shtetin grek dhe këtë e ka fshehur në formularët e vetdeklarimit.

Në shkresën e firmosur në emër të opozitës, nga kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, theksohet se, “përmes këtij konfirmimi të autoriteteve përgjegjëse rezulton se gjyqtarja Irena Gjoka, ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin kushtetues të gjyqtarit si dhe ka falsifikuar aktet, duke kryer një tjetër krim, në mënyrë të përsëritur, për shkak të mosdeklarimit të urdhërdëbimeve dhe vendimit gjyqësor të dënimit penal”.

“Ky fakt ka krijuar një gjendje paligjshmërie  dhe antikushtetutshmërie në sistemin gjyqësor”, thuhet në dokument.

Deputetët e opozitës shprehin shqetësim për vonesën e veprimeve nga KLGJ dhe ILD, duke theksuar se kjo mund të ketë pasoja të rëndësishme për sistemin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve tek institucionet e pavarura.

Bardhi thekson se “ky konstatim duhet të kishte ndodhur brenda dy javëve nga marrja e njoftimit për shkakun e pazgjedhshmërisë/papajtueshmërisë, por deri më tani nuk ka pasur veprime nga autoritetet përgjegjëse, edhe pse fakti i dënimit është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet greke”.

Në përfundim, opozita kërkon nga KLGJ dhe ILD që të veprojnë menjëherë për të zbatuar detyrimet kushtetuese dhe ligjore për mbarimin e statusit të magjistratit të gjyqtares Gjoka, duke respektuar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe parimin e ndarjes së pushteteve.

Sipas grupit të PD, çdo vonesë mund të ketë pasoja të rëndësishme për interesin publik, besimin e qytetarëve dhe funksionimin e sistemit gjyqësor.

/gj.m/j.p/

The post PD i kërkon KLGJ dhe ILD të konfirmojnë mbarimin e statusit të gjyqtares Irena Gjoka appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

105 vjet Batalioni i Xhenios, Vengu: Forca që përgjigjet gjithnjë e para

20 January 2026 at 18:30

TIRANË, 20 janar /ATSH/ U shënua sot me ceremoni solemne 105-vjetori i themelimit të Batalionit të Xhenios, një nga armët më të rëndësishme dhe më të specializuara të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Në aktivitet mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, së bashku me drejtues të lartë ushtarakë, ish-komandantë të forcës xheniere, ushtarakë në rezervë dhe në lirim.

Në fjalën e tij, ministri Vengu vlerësoi kontributin historik dhe aktual të Batalionit të Xhenios në mbështetje të sigurisë kombëtare, zhvillimit të infrastrukturës dhe përballimit të emergjencave civile.

Ai theksoi se përvjetori nuk është vetëm një moment festiv, por edhe një reflektim mbi nevojën për rritje të vazhdueshme të kapaciteteve profesionale dhe teknike të kësaj force.

“Thelbi i këtij përvjetori ka të bëjë me nevojën e një force gjithmonë për t’u specializuar gjithnjë e më shumë dhe për të treguar jo vetëm aftësi luftimi, por edhe aftësi administrimi të rrezikut në kushte paqeje dhe në detyra civile”, u shpreh ministri Vengu.

Ministri theksoi se reparti xhenier ka qenë dhe mbetet një nga komponentët më të angazhuar të Forcave të Armatosura, i pranishëm në vijën e parë si në misionet ndërkombëtare, ashtu edhe në situata emergjente brenda vendit, duke dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë për komunitetet.

“Reparti xhenier është gjithnjë ai që përgjigjet i pari, asnjëherë nuk thotë jo dhe shkon aty ku e kërkon detyra dhe atdheu, veçanërisht në emergjencat civile, ku profesionalizmi dhe përkushtimi juaj janë vlerësuar nga të gjithë”,  deklaroi ministri i Mbrojtjes.

Duke u ndalur te perspektiva e së ardhmes, ministri Vengu nënvizoi se forcimi i repartit xhenier me mjete, pajisje dhe teknologji moderne mbetet një objektiv i qartë i Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe qeverisë shqiptare, në funksion të rritjes së sigurisë së komuniteteve dhe qëndrueshmërisë së vendit.

Batalioni i Xhenios mbetet sot një element kyç i një ushtrie moderne, ku kapaciteti teknik dhe aftësitë inxhinierike janë po aq të rëndësishme sa aftësitë luftarake, duke i dhënë Forcave të Armatosura një dimension të qartë rindërtimi dhe ripërtëritjeje në shërbim të Shqipërisë.

Gjithashtu sot në ambientet e repartit të Regjimentit të Mbështetjes me Luftim, me rastin e 105-vjetori të krijimit të Armës së Artilerisë Tokësore, u mbajt një ceremoni zyrtare për të kujtuar historinë, profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj misionit luftarak të kësaj arme.

Ceremonia dhe Dita e Hapur dëshmuan se kjo armë mbetet një shtyllë e sigurisë, duke bashkuar traditën me modernizimin, përmes kapaciteteve të reja dhe vizionit për të ardhmen.

Artileria Tokësore ka qenë dhe mbetet garanci e fuqisë, gatishmërisë dhe mbështetjes vendimtare për Forcën Tokësore sot, nesër dhe për brezat që vijnë.

/gj.m/j.p/

The post 105 vjet Batalioni i Xhenios, Vengu: Forca që përgjigjet gjithnjë e para appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Indeksi Normandy: Shqipëria histori suksesi në Ballkan, përparim, stabilitet dhe integrim europian

20 January 2026 at 18:00

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Shqipëria renditet në vendin e 20-të në botë për nivelin më të ulët të kërcënimeve strategjike ndaj paqes dhe demokracisë, sipas Indeksit Normandy për vitin 2025, të përgatitur nga European Parliamentary Research Service.

Krahasuar me vitin 2024, vendi ynë ka shënuar progres të dukshëm, duke u ngjitur me gjashtë pikë në renditjen globale.

Në këtë raport, vendi ka reflektuar rrugëtimin e qëndrueshëm drejt konsolidimit politik, ekonomik dhe institucional.

Prej fillimit të të viteve ’90, vendi ka ndërmarrë reforma të thella që kanë transformuar shoqërinë dhe shtetin.

Hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian në mars të vitit 2020 është një ndër dëshmitë më kuptimplota të përpjekjes së qeverisë shqiptare duke shënuar progres në agjendën europiane.

Shqipëria spikat gjithashtu si një model i tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, thekson raporti, një vlerë e rrallë dhe e çmuar në rajon, e cila kontribuon në stabilitetin social dhe politik të vendit.

Paralelisht, ekonomia ka shënuar përmirësime të dukshme: rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 2,1 % në vitin 2019 në 3,9 % në vitin 2024, si dhe ulja e borxhit publik nga 74,1 % në vitin 2021 në 54,7 % në vitin 2024, tregojnë një menaxhim më të qëndrueshëm financiar dhe perspektivë pozitive zhvillimi.

Në fushën e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, Shqipëria ka forcuar ndjeshëm partneritetet e saj. Bashkëpunimi me Eurojust, ku Shqipëria është një nga 11 vendet joanëtare të BE-së me prokuror ndërlidhës, nënvizon angazhimin serioz të institucioneve shqiptare në luftën kundër krimit dhe në forcimin e drejtësisë.

Proceset zgjedhore dhe demokratike kanë shënuar përmirësime të vazhdueshme. Zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 u vlerësuan si të administruara mirë, ndërsa zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 u cilësuan si konkurruese dhe të menaxhuara profesionalisht. Këto zhvillime tregojnë pjekuri institucionale dhe një angazhim të vazhdueshëm për përmirësimin e standardeve demokratike.

Në raportin e progresit për vitin 2025, Komisioni Europian vlerësoi qartë përkushtimin politik të autoriteteve shqiptare ndaj objektivit strategjik të integrimit në BE. Po ashtu, u përshëndet përputhja e plotë e Shqipërisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, përfshirë qëndrimet dhe sanksionet ndaj Rusisë, duke e pozicionuar vendin si një partner të besueshëm dhe të përgjegjshëm.

Hapja zyrtare e negociatave të anëtarësimit në vitin 2022 dhe avancimi i tyre përmes konferencave ndërqeveritare shënojnë hapa historikë në rrugën europiane të Shqipërisë. Si përfituesja më e madhe e asistencës financiare nga BE-ja në rajon, Shqipëria po shfrytëzon këtë mbështetje për të forcuar institucionet, ekonominë dhe sundimin e ligjit.

Sot, Shqipëria paraqitet si një vend me vizion të qartë europian, me stabilitet të rritur dhe me potencial të madh zhvillimi. Rrugëtimi i saj është një shembull pozitiv në Ballkan.

Megjithatë, raporti evidenton se vendi vijon të përballet me sfida ekonomike dhe demokratike. Sipas Indeksit Normandy, rreziku më i madh për Shqipërinë lidhet me vetë proceset demokratike si pasojë e një klime të polarizuar politike.

Pas proceseve demokratike, krizat ekonomike renditen si rreziku i dytë më i madh për vendin, të ndjekura siguria kibernetike dhe ndryshimet klimatike.

Indeksi Normandy është një instrument vlerësimi që analizon nivelin e kërcënimeve strategjike ndaj paqes dhe demokracisë në vende të ndryshme të botës, duke u fokusuar në stabilitetin politik, sigurinë, demokracinë dhe ndikimet e brendshme e të jashtme.

“Normandy Index” synon të masë nivelin e konfliktit në botë. Ai u prezantua për herë të parë me rastin e Forumit Global të Paqes në Normandi, në qershor 2019, si rezultat i partneritetit ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Rajonit të Normandisë.

/gj.m/j.p/

The post Indeksi Normandy: Shqipëria histori suksesi në Ballkan, përparim, stabilitet dhe integrim europian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tatimet thirrje bizneseve të ndërtimit: Deklaroni me korrektësi punonjësit dhe pagat reale

20 January 2026 at 17:55

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Administrata Tatimore ka nisur zbatimin e Planit Sektorial të Ndërtimit me synim forcimin e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore, uljen e informalitetit dhe rritjen e transparencës në sektorin e ndërtimit.

Në kuadër të këtij plani, Administrata Tatimore njoftoi sot se disponon dhe analizon të dhëna të siguruara nga burime të ndryshme, përfshirë informacione të marra nga palë të treta publike dhe private, të dhëna nga sistemi elektronik i faturimit CPCM, si dhe vetëdeklarimet e tatimpaguesve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e ndërtimit apo në zinxhirin e tij të furnizimit.

Këto burime përdoren për analiza të thelluara të riskut, me qëllim identifikimin e mospërputhjeve, devijimeve nga treguesit referencë dhe sjelljeve që sinjalizojnë shmangie tatimore.

Administrata Tatimore u bën thirrje tatimpaguesve të këtij sektori të përmbushin me korrektësi dhe në kohë detyrimet ligjore, veçanërisht për deklarimin e punonjësve, deklarimin real të pagave në përputhje me profesionin dhe kushtet e tregut të punës, si dhe lëshimin e faturave të fiskalizuara për çdo shitje apo transaksion, përfshirë edhe parapagimet.

Gjithashtu, Administrata Tatimore thekson rëndësinë e kryerjes së blerjeve vetëm me faturë të rregullt tatimore, deklarimit të saktë të të dhënave në Regjistrin e Tatimpaguesit, deklarimit korrekt të kontratave të qiramarrjes dhe përdorimit të softuerëve të certifikuar për fiskalizim, sipas legjislacionit në fuqi.

Administrata Tatimore bën me dije se mosrespektimi i detyrimeve ligjore dhe çdo sjellje që synon shmangien tatimore, e konstatuar përmes analizave të riskut, e kategorizon tatimpaguesin si subjekt me risk.

Në këto raste, do të ndërmerren masa verifikuese dhe monitoruese, në përputhje me kompetencat ligjore, përfshirë kontrolle, monitorime, hetime tatimore dhe masa administrative.

Qëllimi i masave të ndërmarra është garantimi i një tregu të ndershëm, rritja e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore, sigurimi i konkurrencës së drejtë dhe forcimi i drejtësisë sociale për punonjësit në sektorin e ndërtimit.

Administrata Tatimore thekson se mbetet e angazhuar për të ofruar asistencë dhe informacion për tatimpaguesit, duke synuar bashkëpunim të vazhdueshëm dhe respektim të ndërsjellë të detyrimeve ligjore.

/gj.m/j.p/

 

The post Tatimet thirrje bizneseve të ndërtimit: Deklaroni me korrektësi punonjësit dhe pagat reale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tarran takon Brahon: OSBE mbështet institucionet e drejtësisë në Shqipëri

20 January 2026 at 17:55

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, u takua sot me drejtuesin  e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Brahon.

Ambasadori Tarran e përgëzoi Brahon për zgjedhjen në detyrë dhe i uroi suksese në marrjen e këtij roli të rëndësishëm dhe sfidues.

Ambasadori Tarran ripohoi mbështetjen e fortë të Prezencës së OSBE-së për SPAK-un dhe rolin e tij kyç në procesin e reformës në drejtësi në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e këtij institucioni në forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e besimit të publikut tek institucionet demokratike të Shqipërisë.

Gjatë takimit, Tarran dhe Braho diskutuan bashkëpunimin aktual dhe të ardhshëm ndërmjet Prezencës së OSBE-së dhe SPAK-ut, përfshirë mbështetjen përmes veprimtarive të rritjes së kapaciteteve, këshillimit për politika dhe shkëmbimit të praktikave më të mira ndërkombëtare.

Kryetari i Prezencës ritheksoi angazhimin e vijueshëm të Prezencës së OSBE-së për të mbështetur institucionet e drejtësisë në Shqipëri dhe mirëpriti pikëpamjet e Brahos mbi mënyrat se si bashkëpunimi mund të forcohet më tej për të adresuar në mënyrë efektive korrupsionin dhe krimin e organizuar.

/gj.m/j.p/

The post Tarran takon Brahon: OSBE mbështet institucionet e drejtësisë në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama kritikon kërkesën e gjyqtarëve për rritje pagash: “Farsë e shëmtuar që cenon piramidën shtetërore të pagave”

20 January 2026 at 18:23

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me seancën që po zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese mbi kërkesën e dy shoqatave të gjyqtarëve për rritjen e pagave.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama e cilësoi procesin si një “farsë të shëmtuar”, duke theksuar se kjo çështje, sipas tij, rrezikon të thyejë piramidën shtetërore të pagave dhe të cenojë kompetencat kushtetuese të qeverisë dhe parlamentit në politikën e pagave.

“Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartëpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor!”, shkroi Rama.

Kryeministri theksoi se, gjyqtarët duan që Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave.

“Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave – ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrsesi të kthehet në një turp kombëtar”, theksoi Rama.

Kryeministri vlerësoi Prokurorinë e Posaçme që nuk i është bashkuar kësaj nisme.

“Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit”, përfundoi Rama.

/gj.m/j.p/

The post Rama kritikon kërkesën e gjyqtarëve për rritje pagash: “Farsë e shëmtuar që cenon piramidën shtetërore të pagave” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Stadiumi i ri i Valiasit në fazë të avancuar punimesh

20 January 2026 at 16:34

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Federata e Futbollit po vijon punën për modernizimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin, duke ndërtuar stadiume dhe fusha të reja si edhe duke rikonstruktuar impiante ekzistuese me qëllim krijimin e kushteve dinjitoze për zhvillimin e futbollit shqiptar.

Një nga projektet më të rëndësishme në proces është ndërtimi i stadiumit të ri në Valias të Kamzës. Punimet kanë nisur në muajin shtator dhe po ecin me ritme të shpejta.

Përfaqësues të FSHF-së, të angazhuar në ndjekjen e të gjitha fazave të projektit zhvilluan së fundmi një inspektim në kantier për të ndjekur nga afër ecurinë e punimeve.

Deri më tani ka përfunduar karabinaja e stadiumit, ndërsa puna ka avancuar edhe në shtresat e bazamentit të fushës. Stadiumi do të jetë i Kategorisë së 1-rë dhe do të ketë një kapacitet prej rreth 1400 vendesh për tifozët.

Federata e Futbollit ka marrë përsipër shtrimin e fushës me tapet artificial, vendosjen e portave, si edhe pajisjen me makineri të posaçme për mirëmbajtjen e saj, duke garantuar standarde të larta dhe kushte optimale për aktivitetet sportive që do të zhvillohen në këtë impiant të ri.

1 nga 4

/gj.m/j.p/

The post Stadiumi i ri i Valiasit në fazë të avancuar punimesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌