670 aplikues për Paketën e Maleve në bashkinë e Shkodrës
TIRANË, 22 janar /ATSh/ Bashkia Shkodër, informon se janë 670 aplikues në total që kanë shprehur interes për t’u përfshirë në Paketën e Maleve në territorin e kësaj bashkie, një proces që synon nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave malore.
Shifrat janë bërë publike nga drejtori i përgjithshëm i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në bashkinë Shkodër, Mikel Kopsaj, gjatë një interviste për mediet.
Sipas të dhënave të publikuara, zonat që kanë regjistruar numrin më të lartë të aplikimeve janë Theth-Ndërlysaj me 274 aplikime dhe Rragam-Sheldi me 51 aplikime.
Bashkia Shkodër ka hapur thirrjen publike për aplikuesit e interesuar, të cilët duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës përmes portalit “e-Albania”, me qëllim nisjen e procedurës së njohjes si posedues jopronar.
Sipas bashkisë Shkodër, Paketa e Maleve do të krijojë mundësi konkrete për investime, duke ndikuar në zhvillimin ekonomik lokal, rritjen e turizmit malor dhe forcimin e qëndrueshmërisë së zonave prioritare.
Bashkia e Shkodrës njofton se duke marrë parasysh potencialin e lartë zhvillimor dhe interesin e shprehur edhe në zona të tjera, është dërguar kërkesë për shpalljen si zona prioritare edhe për fshatra të njësive administrative Shalë, Pult, Shosh dhe Postribë.
/e.i/a.f/r.e/
The post 670 aplikues për Paketën e Maleve në bashkinë e Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.