Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 January 2026Main stream

Qipro merr presidencën e BE/ Integrimi i Ballkanit, prioritet strategjik i gjashtëmujorit qipriot

By: Re Nato
1 January 2026 at 12:35

Qipro nis këtë të enjte presidencën e Bashkimit Europian nën sloganin “Për një Europë që qëndron më e fortë dhe më e guximshme në një botë të trazuar dhe në ndryshim”.

Prioritet i këtij gjashtë mujori mbetet siguria në kontinetin e vjetër dhe zgjerimi, si një domosdoshmëri gjeostrategjike dhe një investim për të ardhmen e Europës.

Qipro angazhohet të punojë për ribashkimin e Europës dhe përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen europiane. Sepse për të, një union i zgjeruar është një union më i fortë, më i sigurt dhe më I qëndrueshëm.

Ky gjashtë mujor mbetet i rëndësishëm për Shqipërinë, e cila hyn në këtë vit të ri, me të gjithë grupkapitujt e negociatave të hapura, me objektivin për të nisur sa më parë mbylljen e tyre, që procesi teknik të përfundojë brenda 2027, sipas një plani të dakortësuar mes qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian.

Në mesazhin e Urimit për homologun qipriot, presidenti Bajram Begaj, shpreh bindjen se presidenca qipriote do të jetë e fokusuar në procesin e integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perendimor, duke e konsideruar këtë një prioritet strategjik. Ndërsa më herët kryeministri Rama rikonfirmoi angazhimin për arritjen e këtij objektivi kombëtare përgjatë këtij mandati.

“Unë dhe të zgjedhurit tuaj do të bëjmë për Shqipërinë, në katër vitet e ardhshme, gjithçka duhet që ta ngremë flamurin tonë kombëtar, në oborrin e Shtëpisë së Bashkimit Europian.”/abcnews.al

BRUKSEL – Hungaria humbet të drejtën për ndihmë nga BE-ja me vlerë mbi 1 miliard euro

1 January 2026 at 12:06

BRUKSEL, 1 janar /ATSH-DPA/- Hungaria ka humbur të drejtën e saj për ndihmë të konsiderueshme nga BE-ja për shkak të shkeljeve të shtetit të së drejtës, pasi reformat duhej të kryheshin deri në fund të vitit 2025.

Sipas Komisionit Evropian, fondet e humbura arrijnë në më shumë se 1 miliard euro.

Për të liruar fondet, Hungaria duhej të zbatonte reforma të mjaftueshme deri në fund të vitit 2025, duke përfshirë ndryshimin e ligjeve për të parandaluar konfliktet e interesit dhe për të luftuar korrupsionin.

Fondet, të destinuara nga programet për të mbështetur zonat strukturisht të dobëta dhe të planifikuara fillimisht për vitin 2023, u ngrinë pasi një analizë e Komisionit Evropian arriti në përfundimin se Hungaria kishte shpërfillur disa standarde dhe vlera themelore të BE-së.

Humbje të mëtejshme priten

Nëse Hungaria vazhdon të dështojë në zbatimin e reformave të mjaftueshme, ajo përballet me humbjen e fondeve të mëtejshme që arrijnë në miliarda euro në të ardhmen.

Legjislacioni i BE-së i quajtur “Rregullorja e Kushtëzimit të Shtetit të së Drejtës” hyri në fuqi në vitin 2021, duke i dhënë BE-së mjete shtesë financiare dhe buxhetore për të kontrolluar shtetin e së drejtës në shtetet anëtare.

Shtetet e BE-së ranë dakord të ngrijnë rreth 6,3 miliardë euro fonde të caktuara për Hungarinë nga buxheti shumëvjeçar i bllokut për vitet 2021-2027 në fund të vitit 2022 përmes mekanizmit.

Këstit të parë, gjithashtu pak më shumë se 1 miliard euro, i përfundoi afati në fund të vitit 2024 pasi Budapesti nuk arriti të zbatonte reformat e nevojshme.

Miliarda euro të tjera për vendin janë bllokuar gjithashtu pjesërisht nga rregullore të tjera.

Sipas komisionit, një total prej rreth 17 miliardë eurosh u ngrinë së fundmi. Prodhimi ekonomik i Hungarisë në vitin 2024 ishte rreth 205 miliardë euro. //a.i/

The post BRUKSEL – Hungaria humbet të drejtën për ndihmë nga BE-ja me vlerë mbi 1 miliard euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj: Të mbyllim kapitujt e parë të negociatave gjatë presidencës qipriote të BE

1 January 2026 at 10:39

TIRANË, 1 janar/ATSH. Presidenti Bajram Begaj i uroi sot suksese dhe arritje sa më të mira presidencës qipriote të Bashkimit Evropian për gjysmën e parë të vitit 2026.

Begaj vlerësoi se Qipro merr presidencën e BE-së, në këto momente shumë të rëndësishme për Evropën dhe për mbarë botën.

Presidenti shprehu bindjen se presidenca qipriote e BE-së do të jetë e përqendruar në procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Shpresojmë që Shqipëria të nisë mbylljen e kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

/m.m/a.f/

The post Begaj: Të mbyllim kapitujt e parë të negociatave gjatë presidencës qipriote të BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Viti 2026: Drejtësia do të jetë sërish kryefjala

1 January 2026 at 10:09

Viti 2026 po e gjen Shqipërinë në një udhëkryq të ri sa i përket raporteve të politikës me drejtësinë, ndërkohë që vendi pret të avancojë në rrugën e përmbushjes së kushteve për anëtarësim në Bashkimin Europian me sundimin e ligjit si gurthemeli në këtë proces. Ndryshe nga ç’kishte premtuar, kryeministri Edi Rama e mbylli vitin […]

The post Viti 2026: Drejtësia do të jetë sërish kryefjala appeared first on Reporter.al.

FOKUS – Qiproja merr presidencën e radhës të BE-së

1 January 2026 at 07:27

BRUKSEL, 1 janar /ATSH/ – Qiproja merr sot zyrtarisht Presidencën e Këshillit të BE-së për herë të dytë që nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, në vitin 2004.

Presidenca e Qipros do të fillojë mes sfidave në rritje për Evropën si paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme, lufta e Rusisë kundër Ukrainës që po i afrohet vitit të katërt, kërcënimet ndaj sigurisë në rritje, uniteti transatlantik nën presion dhe një BE që synon të forcojë konkurrencën në një mjedis gjeo-ekonomik gjithnjë e më kërkues.

Duke u bazuar në punën e presidencës daneze në largim dhe duke iu përgjigjur këtyre presioneve, siguria dhe mbrojtja pritet të mbeten lart në agjendën e BE-së.

Avancimi i zgjerimit, arritja e konsensusit mbi politikën e migracionit dhe drejtimi i negociatave të vështira mbi Kornizën e ardhshme Financiare Shumëvjeçare (MFF) do të kërkojnë gjithashtu vëmendje të madhe, veçanërisht ndërsa kushtet fiskale të Evropës po përkeqësohen dhe modeli evropian po vihet nën presion nga fragmentimi i tregtisë globale./ a.jor.

The post FOKUS – Qiproja merr presidencën e radhës të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Edhe pse janë aleatë, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara përplasen për Jemenin

1 January 2026 at 08:30


Arabia Saudite ka kërkuar që Emiratet të tërheqin trupat e tyre nga Jemeni dhe të ndalojnë mbështetjen ndaj separatistëve jugorë.

Forcat separatiste të lidhura me EBA morën shpejt nën kontroll zona të mëdha në jug të Jemenit në muajin dhjetor, përfshirë rajonin e pasur me naftë Hadhramaut.

Hadhramaut është jashtëzakonisht i ndjeshëm për Arabinë Saudite: kufizohet me mbretërinë dhe humbja e ndikimit aty dobëson kontrollin saudit.

Rijadi i sheh veprimet e EBA-së si kërcënim për sigurinë e saj dhe tashmë ka bombarduar pajisje ushtarake që raportohet se Abu Dabi i ka furnizuar separatistëve.

Emiratet duan të rivendosin një shtet të pavarur në jug - Jemeni Jugor - gjë që kërkon kontroll mbi naftën dhe portet kyçe tregtare.

Arabia Saudite, nga ana tjetër, synon të mbajë Jemenin të bashkuar.

Nëse tensionet nuk ulen, luftimet mund të shpërthejnë së shpejti jo vetëm midis fraksioneve lokale, por edhe midis fuqive rajonale që i mbështesin ato - Arabia Saudite dhe EBA.

Kjo do të ringjallë luftën në Lindjen e Mesme me forcë të re. /Telegrafi/

Yesterday — 31 December 2025Main stream

Shqipëria përgatitet për heqjen e tarifave Roaming me BE-në

By: M C
31 December 2025 at 22:48

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë në konsultim publik disa ndryshime në ligjin “Për Komunikimet Elektronike”, me qëllim përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet europiane për regjimin “Roaming Like At Home”.

Qëllimi është që brenda vitit 2026, qytetarët shqiptarë të përdorin telefonin në vendet e Bashkimit Europian pa pagesa shtesë për minuta, mesazhe ose internet, ashtu si në vendin tonë. Po të njëjtat përfitime do të kenë edhe qytetarët europianë që vizitojnë Shqipërinë.

Ligji parashikon gjithashtu uljen e kostove teknike mes operatorëve, për të siguruar që përfitimet të shkojnë direkt tek përdoruesit. Një risi tjetër është vendosja e gjobave për operatorët që nuk respektojnë rregullat e reja të Roaming.

The post Shqipëria përgatitet për heqjen e tarifave Roaming me BE-në appeared first on Albeu.com.

U sanksionua për shkak të pronësisë ruse, SHBA i jep leje të përkohshme kompanisë serbe të naftës që të vazhdojë veprimtarinë deri më 23 janar

By: M C
31 December 2025 at 21:56

Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një leje të përkohshme kompanisë serbe të naftës NIS, e cila kontrollohet nga kompani ruse dhe është nën sanksione amerikane, që të mund të rifillojë prodhimin deri më 23 janar.

Lajmin e dha mbrëmjen e sotme ministrja serbe e Energjisë, Dubravka Đedović Handanović.

“Kompanisë NIS i është dhënë leje nga OFAC (Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja pranë Departamentit të Thesarit të SHBA-së) që i lejon të vazhdojë aktivitetin deri më 23 janar. Kjo do të thotë se rafineria e Pançevos do të mund të rifillojë funksionimin pas 36 ditësh,” shkroi ministrja në Instagram.

Pas nëntë muajsh shtyrjesh të njëpasnjëshme, më 9 tetor, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj NIS, duke e akuzuar se financon pushtimin rus në Ukrainë, pasi kontrollohet 56% nga kompanitë ruse Gazprom Neft dhe Intelligence.

Rafineria e saj në Pançevo, pranë Beogradit, që mbulon rreth 80% të tregut serb, u detyrua të ndalojë aktivitetin në fillim të dhjetorit, pasi Uashingtoni nuk i dha NIS leje të veçantë për importin e lëndëve të para.

The post U sanksionua për shkak të pronësisë ruse, SHBA i jep leje të përkohshme kompanisë serbe të naftës që të vazhdojë veprimtarinë deri më 23 janar appeared first on Albeu.com.

FOKUS – Vendet e rajonit në vitin 2025: Kriza politike, zgjedhje dhe rruga drejt anëtarësimit në BE

31 December 2025 at 15:30

TIRANE, 31 dhjetor /ATSH-AA/ – Vendet e Ballkanit gjatë vitit 2025 dëshmuan turbulenca politike, zgjedhje, procese gjyqësore, protesta, sanksione dhe përparim drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).

Gjatë vitit 2025, përderisa në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare, në Maqedoninë e Veriut zgjedhjet lokale, e në Kroaci zgjedhjet presidenciale, Kosova ishte dëshmitare e tri proceseve të ndryshme zgjedhore.

Vendet e rajonit, përveç zgjedhjeve, ndërmorën edhe hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE, me ç’rast nga liderët e BE-së morën mesazhe se e ardhmja e rajonit qëndron në BE.

Derisa deklaratat separatiste në entitetin serb të Bosnjë e Hercegovinës (Republika Sërpska) vazhduan gjatë gjithë vitit, në Serbi u mbajtën protesta kundër qeverisë në shumë qytete. Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, nga ana tjetër, më 18 mars nënshkruan deklaratë të përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, gjë që shkaktoi reagime nga Serbia.

Ja disa nga zhvillimet e rëndësishme të vitit 2025 në vendet e rajonit.

– Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian u mbajt në Tiranë

Shqipëria e nisi vitin me zgjedhje të përgjithshme të mbajtura në maj, në të cilat kryeministri Edi Rama shpalli fitore historike, ndërsa në kryeqytetin Tiranë u mbajt Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian me pjesëmarrje të nivelit të lartë, ku mori pjesë edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Protestat kundër qeverisë vazhduan gjatë gjithë vitit në Shqipëri, ndërsa vendi bëri hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE, hapi grupkapituj të rinj dhe shpalli se synimi është anëtarësimi në BE deri në vitin 2030.

Shqipëria tërhoqi vëmendjen me ndalimin e përkohshëm të TikTok-ut, ndërsa me emërimin e ministres së parë për inteligjencë artificiale në rajon, Diellës, tregoi edhe një hap drejt botës moderne.

– Kosova gjatë vitit 2025 pati tri zgjedhje

Kosova e nisi vitin me zgjedhjet e përgjithshme më 9 shkurt. Vetëvendosje shpalli fitoren, por nuk arriti të formojë qeverinë, gjë që shkaktoi krizë të gjatë politike.

Ndërkohë u mbajtën zgjedhjet lokale, të cilat kaluan në një atmosferë më të qetë. Për shkak të pamundësisë për formimin e qeverisë, parlamenti u shpërnda dhe më 28 dhjetor u mbajtën zgjedhje të parakohshme, në të cilat Albin Kurti shënoi fitore “historike”.

Krizat me Serbinë vazhduan gjatë gjithë vitit ndërsa Kosova mbylli institucionet paralele në komunat me shumicë serbe. Veriu i vendit ishte skenë tensionesh, gjë që çoi në pezullimin e përkohshëm të dialogut strategjik nga ana e SHBA-së. Gjatë vitit 2025, Kosovën e njohën katër shtete, përfshirë edhe Sirinë.

Kosova gjithashtu tërhoqi vëmendjen me nënshkrimin e deklaratës së përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shqipërinë dhe Kroacinë më 18 mars.

– Nga zjarri në Koçan deri te zgjedhjet lokale, viti 2025 në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia e Veriut në mars u trondit nga një zjarr në një klub nate në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe më shumë se 200 u plagosën.

Vendi e vazhdoi vitin me zgjedhjet lokale, në të cilat VMRO-DPMNE shpalli fitoren, duke hapur një fazë të re politike. Kriza me Bullgarinë fqinje, e cila bllokon procesin e anëtarësimit në BE, vazhdoi gjatë gjithë vitit 2025.

– Deklaratat separatiste në entitetin serb

Në entitetin serb të Bosnje e Hercegovinës (Republika Sërpska), retorika separatiste vazhdoi edhe gjatë vitit 2025.

Lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili shpesh gjendet në fokus për shkak të deklaratave të tilla, njoftoi se nuk e njeh Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) dhe as përfaqësuesin e lartë Christian Schmidt, institucionet e vendosura me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës në periudhën 1992-1995.

Gjykata e BeH-së e dënoi Dodikun me një vit burg dhe ndalim gjashtëvjeçar për mbajtjen e posteve politike në shkurt 2025 për kundërshtimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë.

Për shkak të nevojës për të caktuar pasardhësin e tij, në entitet u mbajtën zgjedhje të parakohshme, në të cilat fitoi Sinisha Karan.

– Nga hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE deri te vendosja e regjimit të vizave për shtetasit turq në Mal të Zi

Mali i Zi, ndër vendet e rajonit, bëri hapat më të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në BE dhe njoftoi se synon ta përfundojë këtë proces deri në vitin 2028.

Ashtu si vendet e tjera të Ballkanit, Mali i Zi mori mbështetje të plotë nga liderët e BE-së në rrugën drejt anëtarësimit.

Megjithatë, në tetor vendi u bë fokus i opinionit publik pasi një shtetas malazez u godit me thikë, ndërsa autoritetet fillimisht për këtë sulm fajësuan dy shtetas turq. Më vonë u vërtetua se këta persona nuk ndodheshin fare në vendin e ngjarjes.

Në atë periudhë Mali i Zi vendosi regjim vizash për shtetasit turq, por ky vendim u tërhoq në fund të dhjetorit dhe detyrimi i vizave u hoq sërish.

– Protesta kundër qeverisë në Serbi

Serbia në fillim të vitit 2025 ishte skenë e protestave masive që u përhapën në mbarë vendin, pas tragjedisë në fund të vitit 2024 në Novi Sad, kur si pasojë e shembjes së çatisë në stacionin hekurudhor humbën jetën 11 persona.

Gjatë protestave pati përplasje mes policisë dhe demonstruesve ndërsa kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq dha dorëheqje pas valës së pakënaqësisë publike të shkaktuar nga aksidenti në të cilin humbën jetën më shumë persona.

Në prill u formua qeveria e re në krye me Gjuro Macut ndërsa kabineti mori besimin e Kuvendit Popullor.

Përveç vazhdimit të tensioneve me Kosovën, Serbia reagoi edhe ndaj deklaratës së përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, të cilën në mars e nënshkruan Kosova, Kroacia dhe Shqipëria.

– Kroacia, anëtare e BE-së, nënshkroi deklaratë të përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shqipërinë dhe Kosovën

Kroacia, si anëtare e BE-së në rajon, në janar mbajti zgjedhjet presidenciale. Në zgjedhje, presidenti aktual Zoran Millanoviq fitoi më shumë se 70 për qind të votave dhe sërish shpalli fitoren.

Në mars, Kroacia nënshkroi deklaratën e përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shqipërinë dhe Kosovën, gjë që shkaktoi reagime nga Serbia fqinje.

Gjatë vitit 2025, Kroacia, ashtu si edhe vitet e mëparshme, dëshmoi përplasje politike mes presidentit Zoran Millanoviq dhe kryeministrit Andrej Plenkoviq.   /os/

The post FOKUS – Vendet e rajonit në vitin 2025: Kriza politike, zgjedhje dhe rruga drejt anëtarësimit në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Banorët e Postribës çojnë në SPAK Ballukun: Na është ndotur uji nga gurorja

By: Elva
31 December 2025 at 13:00

Një tjetër kallëzim është depozituar në SPAK ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Këtë herë, padia është ngritur nga banorët e njësisë administrative Postribë, në qarkun e Shkodrës, të cilët e akuzojnë për ndotjen e burimeve ujore nga aktiviteti i një guroreje në zonë. Sipas kallëzimit, banorët pretendojnë se prej vitesh uji i […]

The post Banorët e Postribës çojnë në SPAK Ballukun: Na është ndotur uji nga gurorja appeared first on BoldNews.al.

Përplasja mes Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara është lajm i keq për të gjithë botën

31 December 2025 at 10:08


Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Kryeministria britanike [Downing Street] është tërësisht e preokupuar me stuhinë e brendshme të krijuar nga mikpritja e një nxitësi trazirash nga Lindja e Mesme [Alaa Abd el-Fattah], prandaj nuk ka asgjë për të thënë - e aq më pak për të kontribuar në qetësimin e krizës - teksa dy partnerët kryesorë të Britanisë në Gjirin Persik janë papritur në përplasje të hapur mes vete.

Vendimi i Arabisë Saudite për të bombarduar atë që ajo pretendoi se ishte një ngarkesë armësh për kryengritësit jemenas, dërguar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, nxori në pah tensionin e rrezikshëm mes shteteve kryesore sunite të pasura me naftë në Lindjen e Mesme.

Vetëm kohët e fundit, princat e kurorës që qeverisin Arabinë Saudite dhe Emiratet - Mohammed bin Salman [MBS] në Riad dhe Mohammed bin Zayed [MBZ] në Abu Dabi - dukeshin si vëllezër gjaku në aleancën kundër Lëvizjes Huti të mbështetur nga Irani në Jemen. Por, në fakt, ndërhyrja e tyre e përbashkët dhe e dështuar kundër hutëve në Jemen - e braktisur nga Emiratet në vitin 2019 - helmoj marrëdhëniet e tyre.

Emiratet nuk u tërhoqën plotësisht nga Jemeni, por konsoliduan praninë e tyre në jugun e vendit të përçarë nga fraksionet - aty ku ndodhet nafta. Dominimi i Jugut të pasur me energji dhe vijës bregdetare që ndjek rrugën drejt Kanalit të Suezit dhe një kufi të gjatë me Arabinë Saudite, ia japin Emirateve mundësinë për kërcënim të mundshëm të drejtpërdrejtë të territorit saudit nga Jugu.

Dikur gjithçka ishte ndryshe, kur MBS-ja dukej sikur donte ta kthente Arabinë Saudite në një version gjigant të Emirateve. Sauditët ishin gati të ndiqnin modelin e tyre për të inkurajuar të huajt nga vendet jomyslimane, si Britania, që të sillnin aftësitë e tyre të biznesit dhe paratë për të investuar në Dubai, ndërkohë që linin pas politikën e tyre demokratike perëndimore. Tani, qendra multi-miliardë dollarëshe turistike e planifikuar nga MBS-ja në Neom, në Detin e Kuq, mund të jetë objektiv në një luftë të armatosur. Hutët ngacmues kanë pretenduar se Emiratet u ofruan atyre miliona dollarë që të ndalnin sulmet e tyre me dronë mbi anijet në Detin e Kuq, që shkojnë drejt Kanalit të Suezit dhe portit izraelit në Eilat, dhe në vend të tyre të godisnin punimet ndërtimore në Neom!

Emiratet janë të vogla krahasuar me Arabinë Saudite, por pasuria e tyre për frymë është shumë më e madhe. Emiratet kanë një popullsi të bindur, të mbajtur nën kontroll nga suksesi ekonomik dhe nga një polici vigjilente. Ushtria e tyre, e përbërë nga shumë mercenarë, ka performuar më mirë në ndërhyrjet rajonale sesa forcat e Mbretërisë.

Popullsia shumë më e madhe e Arabisë Saudite ka përjetuar rënie të standardeve të jetesës, pasi çmimet e energjisë nuk kanë ndjekur ritmin e rritjes demografike. Ndërsa MBZ-ja ka para për të financuar aventurat e tij gjeopolitike në një brez territori që shkon nga Jugu i Jemenit përtej Detit të Kuq e thellë në shtete të shkatërruara nga lufta, si Sudani dhe Libia, Arabia Saudite e MBS-së ka deficit buxhetor dhe po përpiqet të tërheqë investime në bregdetin e saj të Detit të Kuq. Sauditët kanë nevojë për qetësi te fqinjët si Sudani, që të mos trembin turistët dhe investitorët e mundshëm.

Kaosi nga Sudani në Libi dhe Mali ka lënë vakume të mbushura me ar dhe gurë të çmuar të eksportuar nën sytë vigjilentë të mercenarëve emiratas për të furnizuar bursat e Dubait. E njëjta rrëmujë e ndjek MBS-në dhe planet e tij për një Arabi të re Saudite.

Shkaqet klasike të konflikteve në Lindjen e Mesme, si qëndrimet ndaj Izraelit, janë aspekt i vogël i kësaj krize të re. Po, Emiratet kanë marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe sauditët kanë marrë nën mbrojtje çështjen e shtetësisë palestineze, por antagonizmi mes princave të kurorës bazohet në pretendimet e klaneve rivale për epërsi në Arabinë.

Por, një konflikt lokal midis dy shteteve që qëndrojnë në zemër të furnizimit botëror me energji dhe shtrihen mbi rrugë kryesore tregtare, nuk do të mbetet lokal për shumë kohë.

Për fat të keq, roli historik i Britanisë në rajon tani ndodhet në duart e princit të kurorës të vet Laburistëve të Ri - ministrit të Jashtëm për Lindjen e Mesme, Hamish Falconer, djali i Charlie Falconerit, këshilltarit veteran të Tony Blairit dhe ish-Lord Kancelarit - kështu që kush beson se Sir Keir Starmer do t’i kushtojë kësaj krize vëmendjen që e shpërdoroi për një delinkuent egjiptian [Alaa Abd el-Fattah]? Të paktën brezat e mëparshëm të arabistëve të përçmuar të Qeverisë [Whitehall] do të kishin ditur se ku qëndronin prioritetet e vërteta të Britanisë.

Amerika ka ende rëndësi, por Donald Trumpit është joshur nga të gjithë despotët e Gjirit dhe mund ta ketë të vështirë të ndërmjetësojë pa armiqësuar njërin ose të gjithë.

Irani do të gëzohet duke parë fqinjët e tij sunitë që përplasen mes vete. Nëse ShBA-ja dhe aleatët e saj evropianë marrin anë - duke supozuar se marrin të njëjtën anë (që nuk është e garantuar për Francën e Macronit) - edhe Rusia do të jetë e lumtur të mbështesë cilëndo monarki të Gjirit që përjashtohet nga Uashingtoni dhe të tjerët.

Kina është e shqetësuar për paqen në rajon, ku ka interesa të mëdha tregtare dhe i nevojitet për rrugë të sigurta tregtare drejt Evropës për eksportet e saj dhe për të kthyer energjinë në Kinë. Pekini ka arsyet e veta për të hedhur “vaj mbi ujërat e trazuara” në Gjirin Persik. Por, siç paralajmëroi dikur ministri i Jashtëm veteran i Mao Zedongut, Zhou Enlai, “Ujërat e largëta nuk shuajnë zjarret lokale”.

Viti 2025 ka qenë një vit krizash dramatike të politikës së jashtme, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Fatkeqësisht, viti 2026 duket se do të nisë me ngatërrimin më të keq deri tani. Një konflikt saudo-emirat që përhapet në rajon dhe thellohet në Afrikë do të godasë rëndë ekonominë botërore - pa marrë parasysh se kush do të triumfojë. /Telegrafi/

Emiratet e Bashkuara Arabe thonë se do të tërhiqen nga Jemeni pas sulmit saudit në portin e mbajtur nga separatistët

30 December 2025 at 23:09


Emiratet e Bashkuara Arabe kanë thënë se do të tërheqin forcat e tyre të mbetura nga Jemeni, pasi Arabia Saudite mbështeti një kërkesë nga këshilli presidencial i Jemenit që ata të largoheshin brenda 24 orëve.

Njoftimi i Emirateve pasoi një sulm ajror nga një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite, ndaj asaj që u quajt një dërgesë armësh për forcat separatiste të mbështetura nga Emiratet e Bashkuara Arabe në portin jugor të Mukallës.

Emiratet e Bashkuara Arabe mohuan se dërgesa përmbante armë dhe shprehën "keqardhje të thellë" për akuzat saudite, transmeton Telegrafi.

Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë aleatë në luftën kundër lëvizjes Huthi të mbështetur nga Irani në Jemen gjatë dekadës së fundit, por lufta e brendshme midis fraksioneve rivale që ata mbështesin ka thelluar një përçarje midis tyre.

Arabia Saudite gjithashtu akuzoi Emiratet e Bashkuara Arabe për "shtypje" ndaj separatistëve për të sulmuar forcat qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite në dy provinca lindore dhe paralajmëroi se do të merrte masa për t'u përballur me veprime të tilla "shumë të rrezikshme".

Të martën pasdite, ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe publikoi një deklaratë duke njoftuar "përfundimin e personelit të mbetur kundër terrorizmit në Jemen me vullnetin e saj", gjashtë vjet pasi forcat e armatosura të Emirateve të Bashkuara Arabe kishin "përfunduar" praninë e tyre.

Ministria shpjegoi se vendimi për tërheqjen e tyre u mor "në dritën e zhvillimeve të fundit dhe implikimeve të tyre të mundshme për sigurinë dhe efektivitetin e misioneve kundër terrorizmit", pa përmendur sulmin e koalicionit apo paralajmërimin saudit.

Deklarata me fjalë të forta e lëshuar nga ministria e jashtme e Arabisë Saudite të martën në mëngjes tha se po punonte për të "përmbajtur hapat përshkallëzues" të ndërmarrë së fundmi nga Këshilli Kalimtar Jugor (STC), i cili kërkon pavarësi për Jemenin jugor.

Ajo akuzoi Emiratet e Bashkuara Arabe për "shtypje" ndaj STC-së për të kryer ofensiva në provincat lindore të Hadramawt dhe al-Mahra, të cilat, sipas saj, përbënin "një kërcënim për sigurinë kombëtare të mbretërisë dhe sigurinë dhe stabilitetin e Republikës së Jemenit dhe rajonit".

Gjithashtu paralajmëroi se Arabia Saudite do të merrte masa për t'u përballur me veprime të tilla "shumë të rrezikshme".

Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe denoncoi akuzat se "ka ushtruar presion mbi, ose ka lëshuar direktiva ndaj, çdo pale jemenase për të ndërmarrë operacione ushtarake që do të minonin sigurinë e Mbretërisë së Arabisë Saudite ose do të synonin kufijtë e saj".

Ajo gjithashtu këmbënguli se Emiratet e Bashkuara Arabe ishin "përqendruar në përmbajtjen e situatës, mbështetjen e përpjekjeve për çtensionim dhe promovimin e mirëkuptimeve për të kontribuar në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit" që nga fillimi i ofensivave të STC-së.

Kreu i këshillit presidencial prej tetë anëtarësh të Jemenit - që përfshin përfaqësues të STC-së - njoftoi më parë se po anulonte një pakt të përbashkët mbrojtjeje me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe po urdhëronte forcat e saj të largoheshin brenda 24 orëve "në interes të ruajtjes së sigurisë së të gjithë qytetarëve, duke pohuar angazhimin ndaj unitetit, sovranitetit, stabilitetit dhe integritetit territorial të Jemenit".

Rashad al-Alimi gjithashtu shpalli një gjendje të jashtëzakonshme për një periudhë prej 90 ditësh, të cilën ai e tha se ishte e nevojshme për t'u përballur me Huthit dhe atë që ai e përshkroi si "konflikti i brendshëm i udhëhequr nga elementë ushtarakë rebelë që morën urdhra nga Emiratet e Bashkuara Arabe".

Udhëheqësit e STC-së thanë se ultimatumi për tërheqjen e Emirateve të Bashkuara Arabe ishte i njëanshëm dhe nuk kishte bazë ligjore, dhe këmbëngulën se Emiratet e Bashkuara Arabe do të mbeten një "partner kryesor" në betejën kundër Huthëve. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

OSBE vlerëson profesionalizmin e KQZ-së, PZAP-së dhe Policisë në organizimin e zgjedhjeve

30 December 2025 at 21:19


Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, ka vlerësuar si të rëndësishme dhe profesionale punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe të Policisë së Kosovës në organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në një postim në rrjetin “X”, ambasadori McGurk tha se këto institucione punuan në mënyrë profesionale, efikase dhe të sigurt.

“Ndërsa procesi i numërimit është ende në vazhdim, puna e tyre mbetet thelbësore për qëndrueshmërinë demokratike të Kosovës dhe besimin e publikut”- ka shkruar ai.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e votave të kandidatëve për deputetë si dhe verifikimin e votave për partitë politike në gjashtë Qendra Komunale të Numërimit.

KQZ më 30.12.2025 ka procesuar 100 për qind të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, vota të numëruara në vendvotime.

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, fituese e zgjedhjeve të së dielës është Lëvizja Vetëvendosje me 433 mijë e 394 vota.

Partia Demokratike e Kosovës radhitet e dyta me 184 mijë e 318 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës nga ana tjetër ka siguruar 119 mijë e 201 vota.

Teksa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marr gjithsej 49 mijë e 698 vota.

Pjesëmarrja në zgjedhje sipas KQZ ka qenë 45.03% apo 900 mijë e 330 votues nga 1 milion e 999 mijë e 204 votues në Listën Votuese.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë ishte 1,999,204 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 77,086

Shqipëria drejt heqjes së tarifave roaming me BE-në

By: redi
30 December 2025 at 19:24

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë sot për konsultim publik projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për komunikimet elektronike”, i cili synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë evropian për zbatimin e regjimit “Roaming Like At Home” (RLAH). Kjo nismë ligjore vjen në kuadër të procesit të integrimit të përshpejtuar të Shqipërisë në tregun unik digjital…

Source

Gjadri, simbol i dështimit në politikën me migracionin

30 December 2025 at 11:00

Kur qeveritë e Shqipërisë dhe Italisë nënshkruan në vitin 2023 marrëveshjen për kampin e Gjadrit, projekti u promovua si “zgjidhje inovative” për menaxhimin e krizës së migracionit në Mesdhe.

Premtimi nga Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ishte i qartë: mijëra azilkërkues, të cilët do të kapeshin në det do të silleshin në Shqipëri, për t’u trajtuar dhe riatdhesuar me procedura të shpejtuara.

Ndryshe, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, theksonte se vendi ynë nuk do të kishte asnjë kosto, përkundrazi do të përfitohej mbështetje politike.

Rreth dy vite më vonë, tabloja e kësaj marrëveshjeje shfaqet komplekse: numër i papërfillshëm transferimesh, kosto në rritje, kritika të forta ndërkombëtare dhe heshtje e zgjatur nga Brukseli.

Në mes qëndron vetë kampi, thuajse bosh, i kthyer tashmë në “patate të nxehtë” për Melonin sa herë shfaqen kriza të pushtetit të saj në Itali.

Nisja e tjetërsimit të “projektit Gjadër”

Fillimi i vitit 2025 e gjeti Gjadrin thuajse bosh. Organizata italiane që menaxhonte disa pjesë të procesit pezulloi shërbimet duke pushuar një numër të konsiderueshëm punonjësish.

Ky ishte një sinjal se struktura nuk po funksiononte sipas planit fillestar.

Prej vjeshtës 2024 në Gjadër ishin sjellë rreth 80 refugjatë, shumica prej të cilëve të kthyer mbrapsht në Itali pasi gjykatat lokale kundërshtuan procedurat e shpejtuara të azilit dhe vendimin e qeverisë Meloni për të njohur si vende të sigurta disa shtete që nga Bashkimi Evropian (BE) nuk konsiderohen të tilla.

Në të njëjtën kohë, ish-kryeministri Matteo Renzi, i cili vizitoi kampin, kritikoi publikisht projektin, duke folur për “rreth 1 miliard euro të humbura kot”.

Në fund të marsit, qeveria italiane ndryshoi qasje. Nga Italia u njoftua se Gjadri do të përdorej gjithnjë e më shumë si qendër deportimesh (CPR) për emigrantët pa dokumente në Itali, e jo më si pikë pritjeje dhe verifikimi të shpejtuar të kërkesave për azil nga refugjatët që kapeshin në detin Mesdhe.

Ndryshimi i strategjisë nënkuptonte, praktikisht, pranimin indirekt se modeli i parë i planifikuar në marrëveshjen “Rama-Meloni” kishte dështuar.

Në të njëjtën kohë, raportimet nga qendrat migratore italiane evidentuan se emigrantëve u thuhej se Do t’i çonin në Shqipëri nëse nuk bashkëpunonin, duke e përdorur kështu Gjadrin si mjet presioni. Kjo ngre pyetje serioze për shkeljen e të drejtave të njeriut.

Kritikat në rritje kundër kampit

Në fund të muajit maj, aktivistë shqiptarë u mblodhën jashtë kampit të Gjadrit për të kujtuar Hamid Badoui, emigrantin maroken që u vetëvra në një qendër në Itali, pasi kishte shprehur frikë nga transferimi drejt Shqipërisë.

Në Gjadër asokohe qenë raportuar për mbi 40 incidente që përfshinin mungesë garancish ligjore, kushte degraduese dhe vetëlëndime.

Në qershor, në Gjadër u soll kontingjenti i katërt i emigrantëve që pas ndryshimit të funksionit të kampit. Në total u sollën 15 persona me numrin e përgjithshëm të tre prurjeve të shkuara: 125.

Projekti që premtonte 3 mijë persona në muaj po operonte në kufijtë më minimalë të mundshëm.

Organizata ndërkombëtare si Human Rights Watch (HRW) kritikoi planet e BE-së për ta përdorur Evropën si “magazinë për emigrantët“.

Megjithatë, teksa legjitimiteti i kampit mbetej i paqartë dhe nën kritika, Kryeministri Edi Rama e mbrojti sërish duke e cilësuar marrëveshjen me Melonin unike dhe të veçantë. Ndryshe, kërkesën britanike për ta replikuar atë, Rama e cilësoi si “kërkesë për të hedhur emigrantët në një vend tjetër”.

Por në gusht, Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) vuri edhe më shumë në pikëpyetje marrëveshjen në fjalë. Me një vendim që pritej prej vitit 2024, ajo sqaroi se shtetet nuk mund të përdorin listat “formale” të cilësimeve “vendeve të sigurta” për të shmangur vlerësimet individuale për azil.

Mesazhi ishte i qartë: deportimi automatik është i paligjshëm. Vendimi e dobësoi politikisht projektin e Melonit, dhe me të, edhe funksionin e Gjadrit.

Por ndikimi real i vendimit të GJED-së do të shihet pas shtrirjes së funksionimit të rregullores së re të BE-së për emigracionin.

Rikthimi i protestave dhe cilësimit të Gjadrit si dështim

Nëntori riktheu protestat. Në dyvjetorin e marrëveshjes Rama-Meloni, aktivistë shqiptarë dhe italianë marshuan kundër planit, duke kërkuar shfuqizimin e kampit dhe politikave të saj lidhur me migracionin.

Banderolat kundërshtonin praktikën e qendrave migratore si “ilegjitime” dhe “kriminale”.

Pak ditë më vonë, në një analizë të Citizens.al shpjeguam se përkundër investimit rreth 100 milionë euro dhe kapacitetit për të pritur 3,000 refugjatë në muaj, kampi mbante vetëm rreth 20 persona në pritje të procedurave për deportim ose riatdhesim.

Analiza, e cila u shoqërua me një video-shpjegim, nënvizoi se modeli i Gjadrit u ndryshua dhe humbi qëllimin e tij fillestar.

Por në fund të vitit 2025, presioni u shtua. Komiteti i OKB-së kundër Torturës konstatoi mungesë transparence, hetimesh dhe mekanizmash mbikëqyrës për rastet e keqtrajtimeve dhe dhunës.

Në kritika ishte dhe Shqipëria, së cilës i theksohej se nuk ofronte të dhëna të besueshme. Qëndrimi i qeverisë shqitpare se kampi ishte nën juridiksionin italian, u cilësua i pajustifikueshëm në këtë drejtim.

Kërkesa ishte e prerë: të sigurohet akses i plotë, hetime të pavarura, ndjekje penale dhe dëmshpërblime për viktimat e mundshme.

Në të njëjtën kohë, ActionAid denoncoi parregullsi financiare duke argumentuar se fondet për projektin u rritën nga 39.2 milionë në 65 milionë euro. Ndërkohë që 61 milionë u disbursuan kryesisht me procedura të mbyllura, duke ngritur dyshime për tenderë të manipuluar dhe shpenzime të fryra.

Sipas organizatës, kampi ishte shfrytëzuar vetëm 39% deri në mars 2025, ndërsa kostoja për çdo person ishte gati trefishi i qendrave italiane.

Sot kampi i Gjadrit funksionon si pikë riatdhesimi, por me flukse minimale. Anijet nuk vijnë më rregullisht, ndërsa kritikat shtohen.

Opozita italiane e ka quajtur “obsesion ideologjik”, ndërsa kritikët në Shqipëri e shohin si precedent të rrezikshëm: një territor i dhënë hua për politikat shtrënguese të një vendi tjetër.

Në një klimë ku emigracioni mbetet temë qendrore politike për shumë vende të BE-së, viti 2025 tregoi se bashkëpunimi ndërkombëtar pa mekanizma llogaridhënieje dhe mbikëqyrjeje serioze mund të prodhojë më shumë probleme sesa zgjidhje.

Në mungesë të transparencës së plotë dhe rezultatesh të matshme nga autoritetet e të dyja palëve, Gjadri mbetet në diskutim si një model që funksionon dhe ia vlen të zgjerohet, apo një model që duhet thënë zyrtarisht që dështoi dhe të mos përsëritet më.

The post Gjadri, simbol i dështimit në politikën me migracionin appeared first on Citizens.al.

Kurti: E ardhmja e Kosovës e orientuar fort drejt BE-së

By: e xh
29 December 2025 at 21:10

Një ditë pas zgjedhjeve që e shpallën fituese partinë e tij, kreu i Vetvendosjes Albin Kurti, ka reaguar në platformën X. Ndër të tjera ai është shprehur se e ardhmja e Kosovës është e orientuar fuqishëm drejt Bashkimit Evropian.

“Dje, populli i Kosovës na dha përsëri një mandat të fuqishëm. Është gjithmonë një nder të fitosh besimin e popullit, veçanërisht kur vjen pas kryerjes së mandatit të parë të plotë në historinë e vendit. Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë ata që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, si dhe të gjithë ata që kontribuan për të siguruar që procesi zgjedhor të ishte i lirë, i drejtë dhe i zhvilluar pa incidente. Jemi mirënjohës për mbështetjen ndërkombëtare gjatë gjithë këtij procesi, nga Bashkimi Evropian, shtetet e ndryshme dhe organizatat ndërkombëtare, të cilat vazhdojnë të mbështesin përparimin demokratik të Kosovës. Një falënderim i veçantë për partitë tona simotra dhe lëvizjen më të gjerë progresive, ndërsa ne angazhohemi për të ndërtuar shoqëri ku dinjiteti dhe mirëqenia e popullit janë në qendër. E ardhmja e Kosovës është e begatë dhe e orientuar fort drejt Bashkimit Evropian”, shkruan Kurti.

BRUKSEL – BE: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi e vetmja mënyrë që palët të përparojnë në rrugën evropiane

29 December 2025 at 20:00

SHKUP, 29 dhjetor /ATSH-AA/ – Pas zgjedhjeve të djeshme të mbajtura në Kosovë, Bashkimi Evropian ka përshëndetur zhvillimin e tyre dhe ka kërkuar formimin e shpejtë të institucioneve në vend dhe përshpejtimin e reformave evropiane.

Në një deklarate të përbashkët, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas dhe komisionerja për zgjerimin, Marta Kos, përshëndetën pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve dhe partive të tyre politike në zgjedhje.

Kallas dhe Kos theksuan se procesi zgjedhor tregoi një “angazhim të fortë ndaj parimeve demokratike”.

“Pas ngërçit politik pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025, ne presim me padurim formimin e shpejtë të Kuvendit dhe qeverisë së re dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet. Qeveria e re duhet të dyfishojë përpjekjet e saj për reformat shumë të nevojshme që kanë të bëjnë me BE-në”, theksuan përfaqësueset e BE-së.

Ato gjithashtu i bënë thirrje Kuvendit që sapo të formohet të ratifikojë marrëveshjet që lidhen me Planin e Rritjes, përkatësisht instrumentin e BE-së për Ballkanin Perëndimor me afat të kufizuar, i miratuar për periudhën 2024-2027, në mënyrë që të shfrytëzohen plotësisht të gjitha mundësitë që ofron ky plan, në dobi të popullatës së saj.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, vazhdon të mbetet e vetmja mënyrë që të dyja palët të arrijnë përparim në rrugët e tyre evropiane”, theksuan më tej, duke u shprehur që të gjitha obligimet që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Dialogut, të zbatohen pa vonesa apo parakushte të mëtejshme

Po ashtu ato rikujtuan se BE-ja po ecën përpara me heqjen e masave ndaj Kosovës, duke përmendur se 216 milionë euro ndihmë financiare tashmë janë disbursuar pas transferimit të rregullt të qeverisjes lokale pas zgjedhjeve të fundit lokale dhe synimin për të disbursuar edhe 205 milionë euro shtesë në fillim të vitit të ardhshëm./  /Ad.Ab./

The post BRUKSEL – BE: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi e vetmja mënyrë që palët të përparojnë në rrugën evropiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PZAP gjobit Listën Serbe me 45 mijë euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës

29 December 2025 at 20:22


Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur subjektin politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicë të Veriut, me 45,000 euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

Vendimi është marrë pas ankesës së parashtruar nga subjekti politik Kosovski Savez, me seli në Leposaviq, e cila u vlerësua si e bazuar nga PZAP.

Sipas vendimit, Lista Serbe është shpallur përgjegjëse për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët gjatë fushatës zgjedhore.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se për këto shkelje Listës Serbe i është shqiptuar dënim me gjobë në vlerë prej 45 mijë euro.

PZAP ka njoftuar gjithashtu se Lista Serbe është e obliguar që gjobën e shqiptuar ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 28 dhjetor 2025, ndërsa PZAP ka trajtuar disa ankesa që lidhen me mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore./Telegrafi.

Pas zgjedhjeve, BE mesazh Kosovës: Presim formim të shpejtë të institucioneve të reja! Të ratifikohet marrëveshja për Planin e Rritjes

By: M C
29 December 2025 at 17:54

Bashkimi Evropian pret konstituimin e shpejtë të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës për të vazhduar angazhimin me autoritetet kosovare pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Kështu thuhet në një deklaratë të përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, dhe komisionares për Zgjerim, Marta Kos, një ditë pasi Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme, të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.

“Qeveria e re duhet të dyfishojë përpjekjet e saj për reformat shumë të nevojshme që lidhen me BE-në”, u tha në deklaratën e dy zyrtareve evropiane.

BE-ja mirëpriti pjesëmarrjen e partive nga të gjitha komunitetet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke thënë se ky proces tregoi “përkushtim të fortë për parimet demokratike”.

“I bëjmë thirrje Kuvendit që sapo të formohet të ratifikojë marrëveshjet që lidhen me Planin e Rritjes”, u tha në deklaratë.

Kurti, pas fitores në zgjedhje, tha se pret bashkëpunim me partitë në opozitë për marrëveshjet prej mbi 800 milionë eurosh që lidhen me Planin e Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, që në total pak vlerën e 6 miliardë eurove.

Kallas dhe Kos tha se ratifikimi i marrëveshjeve që lidhen me Planin e Rritjes janë në interesin e Kosovës dhe kjo, sipas tyre, duhet të ndodhë sa më shpejtë në mënyrë që popullata të përfitojë nga ky plan.

Dy zyrtaret evropiane në deklaratën e përbashkët përmendën edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga blloku evropian, duke theksuar se ai mbetet rruga e vetme për të dyja vendet për të bërë përparim drejt BE-së.

“Ne presim që të gjitha obligimet që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut, të zbatohen pa vonesa apo parakushte të mëtejshme. BE-ja është e gatshme të organizojë një takim të nivelit të lartë sapo kushtet ta lejojnë”, u tha në deklaratë.

Kosova dhe Serbia e arritën këtë marrëveshje më 2023, dhe pavarësisht se pakti nuk është nënshkruar, ajo konsiderohet obligative për palët nga Brukseli.

Kjo marrëveshje, me 11 nene, veç tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut./rel

The post Pas zgjedhjeve, BE mesazh Kosovës: Presim formim të shpejtë të institucioneve të reja! Të ratifikohet marrëveshja për Planin e Rritjes appeared first on Albeu.com.

Pas zgjedhjeve, BE mesazh Kosovës: Presim formim të shpejtë të institucioneve të reja!

By: armand
29 December 2025 at 17:56

Bashkimi Evropian pret konstituimin e shpejtë të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës për të vazhduar angazhimin me autoritetet kosovare pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Kështu thuhet në një deklaratë të përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, dhe komisionares për Zgjerim, Marta Kos, një ditë pasi Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme, […]

The post Pas zgjedhjeve, BE mesazh Kosovës: Presim formim të shpejtë të institucioneve të reja! appeared first on BoldNews.al.

❌
❌