VARSHAVË – Hungaria i jep azil ish-ministrit polak mes hetimit për abuzim me pushtetin
VARSHAVË, 12 janar /ATSH-DPA/- Ish-ministri polak i Drejtësisë Zbigniew Ziobro, nga partia nacionaliste konservatore “Ligj dhe Drejtësi” (PiS) – i cili përballet me akuza për korrupsion – njoftoi sot në X se autoritetet hungareze i kishin dhënë mbrojtje.
Ziobro pretendoN se ishte bërë shënjestër e një “hakmarrjeje personale” nga kryeministri i qendrës së majtë, Donald Tusk.
“Unë zgjedh të luftoj kundër banditizmit politik dhe paligjshmërisë. Unë i rezistoj diktaturës në progres”, tha Ziobro.
“Shteti i së drejtës është në krizë në Poloni dhe shumë njerëz po përballen me persekutim politik. Në Hungari, personave të persekutuar politikisht u jepet azil në përputhje me ligjin e BE-së”, tha Ministria e Jashtme në Hungari për faqen e lajmeve online “Telex”.
Ish-ministri i Drejtësisë akuzohet gjithashtu për devijim fondesh nga fondi i viktimave të krimit për të blerë programin spiun izraelit “Pegasus”.
Kundërshtarët politikë akuzojnë ish-qeverinë e PiS për përdorimin e “Pegasus” për të spiunuar kundërshtarët politikë.
“Pegasus” shfrytëzon dobësitë e sigurisë në telefonat inteligjentë për të fituar akses të gjerë në të dhëna. Ai gjithashtu mundëson përgjimin e bisedave.
PiS qeverisi Poloninë nga viti 2015 deri në vitin 2023. Gjatë kësaj kohe, ajo ristrukturoi ndjeshëm sistemin e drejtësisë, duke çuar në përballje me Komisionin Evropian.
Në tetor 2023, PiS humbi zgjedhjet parlamentare dhe që atëherë ka qenë partia më e madhe opozitare në vend.
Koalicioni i qendrës së majtë i Tusk që atëherë ka punuar për të përmbysur reformat gjyqësore të diskutueshme të qeverisë së PiS. //a.i/
The post VARSHAVË – Hungaria i jep azil ish-ministrit polak mes hetimit për abuzim me pushtetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.