Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 January 2026Main stream

Luarasi: Paketa e medias synon krijimin e kushteve për liri dhe përgjegjësi

16 January 2026 at 15:43

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Iris Luarasi tha sot se të drejtat nuk janë një sektor, por një dimension që prek çdo fushë të qeverisjes.

Gjatë fjalës së saj, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, Luarasi tha se më parë kjo përgjegjësi shpërndahej në komisione të ndryshme, por ishte pa një fokus të qartë. Rezultati sipas saj ishte fragmentim, mbivendosje kompetencash dhe mungesë përgjegjësie e qartë.

“Media dhe informimi publik, të dyja si çështje po kalojnë një transformim rrënjësor. Modelet tradicionale të mediave po shkrihen, dezinformimi është ai që po bëhet kërcënim real për demokracinë, platformat digjitale po ndryshojnë mënyrën se si qytetarët e marrin sot informacionin dhe për këto arsye komisioni nuk ishte luks, por një nevojë institucionale”, tha ajo.

“Në një parlament modern, të drejtat e njeriut dhe mediat nuk mund të jenë një shënim anësor që shpërndahen në komisione të ndryshme, por janë shtylla që mbajnë gjithë ndërtesën. Komisioni ynë gjatë këtyre tre muajve ka pasur një mandat të qartë, të ndjek çështjen e të drejtave dhe lirive themelore, veprimtarinë e mediave audiovizive dhe informimit si dhe garantimin e lirisë së shprehjes”, tha Luarasi.

Luarasi theksoi se Shqipëria është në rrugën e integrimit evropian, por kjo nuk është një çështje që ka lidhje vetëm me tregun e përbashkët, apo me infrastrukturën, është mbi të gjitha një vlerë që ka lidhje me demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

“Avokati i Popullit, komisionet për mbrojtjen nga diskriminimi, komisioni për të drejtën e informimit nuk janë dekorative, janë institucione kryesore të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve. Paketa e medias për të cilën po punon një grup i komisionit nuk synon që të kontrollojë median, por synon që të krijojë kushtet që media të jetë e lirë, profesionale dhe përgjegjëse”, pohoi Luarasi.

/e.i/j.p/

The post Luarasi: Paketa e medias synon krijimin e kushteve për liri dhe përgjegjësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj dekreton kundëradmiral Arsen Mullajn komandant të Forcës Detare

16 January 2026 at 14:26

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Presidenti Bajram Begaj firmosi sot disa dekrete që lidhen me ndryshime dhe emërime në strukturat drejtuese të Forcave të Armatosura.

Kreu i Shtetit dekretoi lirimin e Nënadmiral Adnand Dëfrim Agastra nga detyra e Komandantit të Forcës Detare. Po sot, Begaj dekretoi Kundëradmiral Arsen Burhan Mullaj në detyrën e Komandantit të Forcës Detare.

Presidenti Begaj firmosi edhe dhënien e gradave madhore për disa drejtues të Forcave të Armatosura. Kështu, Presidenti gradoi me gradën “Gjeneral Brigade”, Kolonel Razije Kadri Mehmeti, e cila mban detyrën e drejtores në Drejtorinë e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak J-9 në Shtabin e Përgjithshëm të FA.

Koloneli Fatmir Sadri Neziraj, drejtor në Drejtorinë e Operacioneve dhe Stërvitjes J-3/7 në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, është graduar me gradën madhore “Gjeneral Brigade”.

Gjithashtu, Presidenti Begaj dekretoi me gradën “Gjeneral Brigade” Kolonel Edmond Abaz Vocin, Komandant i Qendrës së Kontroll Raportimit në Forcën Ajrore.

/e.i/j.p/

The post Begaj dekreton kundëradmiral Arsen Mullajn komandant të Forcës Detare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rikonstruksioni i stadiumit “Myslim Koçi” në Gramsh, Duka: Futbolli duhet të zhvillohet në çdo qytet

16 January 2026 at 12:56

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Federata e Futbollit, në bashkëpunim me Bashkinë Gramsh, ka nisur punimet për rikonstruksionin e stadiumit “Myslim Koçi”, një tjetër investim i rëndësishëm në funksion të përmirësimit të infrastrukturës sportive dhe zhvillimit të futbollit në të gjithë vendin.

Ky projekt synon krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e aktiviteteve sportive, veçanërisht për ekipet vendase dhe moshat e reja.

Me nisjen zyrtare të punimeve, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, inspektoi nga afër procesin e rikonstruksionit gjatë një vizite në Gramsh, ku u prit nga Kryetari i Bashkisë, Besion Ajazi. Gjatë inspektimit, Presidenti Duka u njoh në detaje me projektin, i cili parashikon rikonstruksionin e dhomave të zhveshjes, ndërtimin e tribunës së re, modernizimin e ambienteve ndihmëse, si edhe instalimin e tapetit me bar artificial në fushën e stadiumit “Myslim Koçi”, duke e përshtatur atë me standardet bashkëkohore për zhvillimin e ndeshjeve dhe stërvitjeve.

Presidenti Duka vlerësoi projektin për stadiumin e Gramshit, duke e cilësuar si një impiant modest, por modern, që plotëson standardet për zhvillimin e ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare të nivelit të dytë.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar falënderoi Bashkinë Gramsh për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e futbollit, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të futbollit në çdo qytet të Shqipërisë.

“Kënaqësi për mua të jem sot në Gramsh bashkë me Kryetarin e Bashkisë për të inspektuar punimet e ndërtimit të këtij stadiumi, modest por modern, i bukur, i cili plotëson të gjitha kushtet për organizimin e ndeshjeve jo vetëm të kampionatit kombëtar shqiptar, por edhe internacionale deri në një lloj niveli, pra një stadium i kategorisë së dytë”, tha ai.

“Dua ta falënderoj kryetarin e bashkisë për bashkëpunimin në ndërtimin e stadiumit, por jo vetëm kaq, por për të gjithë bashkëpunimin në zhvillimin e futbollit edhe në këto anë, sepse futbolli nuk luhet vetëm në Tiranë, Durrës apo në qendrat e mëdha urbane, por duhet të luhet në çdo cep të Shqipërisë, në çdo cep të globit”, cilësoi Duka.

Kënaqësi që ju keni 250 fëmijë që luajnë futboll në zonën e Gramshit, keni një ekip vajzash që është nga më kualitativët në kampionatin kombëtar shqiptar dhe uroj që të kemi edhe me djemtë të njëjtin sukses që keni edhe me vajzat. Jam shumë i sigurt që stadiumi i ri dhe fusha tjetër që do të bëhet për stërvitje pas stadiumit, do t’i shërbejë jo vetëm ekipit të vajzave, por edhe ekipit të djemve për të shkuar akoma më përpara.

Kryetari i Bashkisë Gramsh, Besion Ajazi falënderoi Presidentin Duka dhe FSHF-në për mbështetjen e dhënë për zhvillimin e futbollit në Gramsh, duke e cilësuar stadiumin e ri si një investim shumë të rëndësishëm për qytetin, ekipet dhe moshat e reja.

Ai theksoi se impianti do të jetë modern dhe i kompletuar me të gjitha ambientet e nevojshme, duke u shndërruar në një vlerë të shtuar për komunitetin dhe brezat e rinj.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka gjatë inspektimit të punimeve të stadiumit në Gramsh
1 nga 4
default

/e.i/j.p/

The post Rikonstruksioni i stadiumit “Myslim Koçi” në Gramsh, Duka: Futbolli duhet të zhvillohet në çdo qytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Deputetët, të mikpritur të kontribuojnë në fazën përmbyllëse të negociatave

16 January 2026 at 12:48

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar u ndal te rëndësia e fazës përpara përmbylljes së negociatave duke kërkuar kontributin e sa më shumë përfaqësuesve.

Rama tha se edhe më herët e ka theksuar gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare në nisje të mandatit, që faza informuese duhet të jetë shumë më tepër në vëmendjen e grupit parlamentar dhe të Qeverisë, dhe këtu Rama përfshiu edhe drejtuesit e grupit të PS dhe dy ministret që drejtojnë negociatat.

“Kjo është pjesa që lidhet me fazën përpara përmbylljes së negociatave mbi cilindo tekst. Duhet shumë më tepër punë për t’u shpjeguar me grupin dhe për t’u dëgjuar nga grupi. Duhet shumë më tepër informacion i ndërsjellë në mënyrë që të gjithë deputetët, të cilët për shkak të përkatësisë në komisione apo për shkak të ekspertizës së tyre mund të kontribuojnë në një proces draftimi, të jenë të informuar dhe të mikpritur të kontribuojnë”, tha Rama.

“Kështu që këtë format të sotëm, që është një format i domosdoshëm për më tutje, natyrisht jo me të gjithë ngarkesën e sotme, por me pika specifike dhe me një pikë gjithmonë të përbashkët për procesin e negociatave për draftet që janë në proces, për draftet që vijnë më pas, do ta zhvillojmë çdo muaj”, pohoi Rama duke iu referuar mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar të PS-së.

/e.i/j.p/

The post Rama: Deputetët, të mikpritur të kontribuojnë në fazën përmbyllëse të negociatave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bie niveli i ujërave në tokat e përmbytura në qarkun e Shkodrës

16 January 2026 at 09:25

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Situata në territorin e qarkut Shkodër, paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim gradual.

Në përditësimin e situatës, Prefektura Shkodër njofton se në zonën e Dajçit vërehet rënie e nivelit të ujit, ndërsa te “Urrelat e Shirqit” nuk ka më prani uji. Aksi rrugor i Obotit vijon të ketë prezencë uji rreth 20–30 cm, por me tendencë rënieje të vazhdueshme.

Prefektura e qarkut Shkodër informoi se transporti i banorëve në zonat e prekura vijon të realizohet nga Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut, me një automjet me kalueshmëri të lartë dhe 5 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në territorin e bashkisë Vau Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Nuk raportohen problematika apo situata emergjente.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nivelet e ujit në pikat monitoruese vijojnë të jenë nën kuotat kritike. Niveli i lumit Drin në Bahçallëk është në kuotën 7.2 m, ndërsa lumi Buna regjistrohet në kuotën 8.30 m në Pazar dhe 6.40 m në Dajç. Hidrovoret e Velipojës vijojnë të funksionojnë normalisht në kuotën -1.90 m dhe punojnë në kapacitet të plotë, duke garantuar menaxhimin e prurjeve.

Nga DRV Shkodër raportohet se nuk ka probleme me qarkullimin rrugor. Në akset malore rekomandohet qarkullimi me goma dimërore dhe/ose zinxhirë.

Sipas Prefekturës Shkodër, kontraktorët e mirëmbajtjes rrugore shprehen se qarkullimi në akset Qafë Mali – Fierzë dhe K/Hadroj – Q/Bënë kryhet me goma dimërore/zinxhirë.

Akset rrugore Dedaj–Razëm, Bogë–Qafë Thore-Theth dhe Hani Hotit-Vermosh janë të kalueshme, por kërkohet respektim rigoroz i rregullave të qarkullimit, sinjalistikës dhe përdorimi i gomave dimërore ose zinxhirëve.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, vijon të jetë në terren, duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën.

/e.i/j.p/

The post Bie niveli i ujërave në tokat e përmbytura në qarkun e Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 15 January 2026Main stream

Hoxha: Arsimi i lartë rrugëton bashkë me Shqipërinë drejt BE

15 January 2026 at 15:17

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha tha sot, arsimi i lartë duhet të konsiderohet një investim dhe jo barrë për administratën shtetërore, pasi është një faktor i rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes evropiane.

Hoxha e bëri këtë deklaratë gjatë Konferencës së Rektorëve, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro dhe 40 rektorët e universiteteve publike dhe private.

Në aktivitetin e organizuar si një bisedë e hapur për cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, Hoxha tha se kjo konferencë është kthyer në një organizëm aktiv që ndikon në përditshmërinë e punës së secilit.

“Kësaj konference i është bashkangjitur me iniciativën e Kryeministrit edhe Komiteti i Politikave të arsimit të lartë, si një strukturë akademike dhe përfaqësim i institucioneve publike dhe jopublike të arsimit të lartë për një bashkëbisedim më afër të Qeverisë me nevojat, sfidat dhe kërkesat reciproke midis arsimit të lartë dhe këshillit të ministrave”, tha Hoxha.

Rektori Hoxha shtoi se procesi i transformimit të arsimit të lartë lidhet edhe me një pikë tjetër të rëndësishme që kalon nga vendi ynë dhe që është ajo e perspektivës dhe afërsisë së dukshme të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Arsimi i lartë është porta hyrëse që duhet të konsiderohet si një investim dhe jo si një barrë për administratën shtetërore. Arsimi është një faktor i rëndësishëm që rrugëton bashkë me Shqipërinë drejt BE dhe hapësirës evropiane të arsimit të lartë”, përfundoi Hoxha.

/e.i/j.p/

The post Hoxha: Arsimi i lartë rrugëton bashkë me Shqipërinë drejt BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pastrim i vijës bregdetare në Velipojë nga mbetjet e ardhura nga vërshimi i lumenjve

15 January 2026 at 13:48

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Punonjës të shërbimeve publike janë angazhuar për largimin e mbetjeve në plazhin e Velipojës.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci ndau foto nga ky aksion në bregdetin e Velipojës, ndërsa tha se fundjava do e gjejë këtë plazh gati për pushuesit edhe në dimër.

Për shkak të motit të keq të ditëve të fundit dhe si pasojë e vërshimit të lumenjve, në bregdetin e Velipojës kanë dalë mbetje të ndryshme. Ndaj, punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të bashkisë Shkodër, janë angazhuar për pastrimin e këtij bregdeti dhe rikthimin në gjendjen e duhur.

Aksionet për pastrimin dhe mbajtjen pastër të vijës bregdetare do të intensifikohen gjatë muajve në vijim, në prag të sezonit veror, për të garantuar një vijë bregdetare të pastër dhe mikpritëse për qytetarët vendas dhe turistët e huaj.


/e.i/

The post Pastrim i vijës bregdetare në Velipojë nga mbetjet e ardhura nga vërshimi i lumenjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

9% raste pozitive me COVID 19 nga 20 mijë testime të shpejta gjatë 2025-ës

15 January 2026 at 11:23

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Virusi i Covid 19 vijon të qarkullojë në vend, vite pas përfundimit të pandemisë që solli emergjencë shëndetësore në të gjithë botën dhe ndryshoi mënyrën e jetesës.

Kështu, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor informoi se gjatë vitit 2025 për periudhën janar-dhjetor, janë kryer 20,048 testime të shpejta (RT) për COVID-19, nga të cilat rreth 1,793 kanë rezultuar pozitive, që përbëjnë rreth 9% të totalit.

Testet e shpejta për Covid 19 vijojnë të mbeten një nga mjetet kryesore për identifikimin e hershëm të infeksionit me SARS-CoV-2.

Ndërsa në vend qarkullojnë virozat stinore, ka ende të prekur nga Covid 19.

Testimi i hershëm mbetet një nga mënyrat më të rëndësishme për të frenuar përhapjen e COVID-19 dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

Testet e shpejta për Covid 19 dallohen për lehtësinë e përdorimit dhe përgjigjen e shpejtë, zakonisht brenda 15–20 minutash. Ato janë të përshtatshme për përdorim në kushte shtëpie, qendra shëndetësore apo institucione, duke ofruar një orientim të shpejtë mbi gjendjen shëndetësore të personit të testuar.

/e.i/j.p/

The post 9% raste pozitive me COVID 19 nga 20 mijë testime të shpejta gjatë 2025-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

590 hektarë tokë bujqësore me prezencë uji në Shkodër

15 January 2026 at 09:01

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Prefektura e qarkut Shkodër bëri sot një përditësim të situatës pas reshjeve të dendura dhe motit të keq të ditëve të fillimjanarit.

Nga monitorimi i vazhdueshëm gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, Prefektura Shkodër cilëson se situata hidrologjike paraqitet e përmirësuar, me reduktim të ndjeshëm të sipërfaqes së tokës bujqësore me prezencë uji.

Sipas njoftimit, nga rreth 760 hektarë me prezencë uji ditën e djeshme, sot sipërfaqja ka arritur në 590 hektarë, si rezultat i tërheqjes së niveleve të ujit në zonat e prekura.

Sipas matjeve të realizuara sot në orën 06:30, nivelet e ujit janë në rënie, Buna – Ura e Pazarit: 8.40 m, Drini – Bahçallëk: 7.80 m dhe Buna – Dajç: 6.38 m.

Në njoftim thuhet se në fshatin Obot dhe Njësinë Administrative Dajç është konstatuar ulje e nivelit të ujit rreth 20 cm, krahasuar me ditën e djeshme. Po ashtu, vihet re zbritje e nivelit edhe në liqen, duke ndikuar pozitivisht në normalizimin e situatës.

Në rrugën drejt fshatit Obot, qarkullimi sot realizohet me mjete të ushtrisë, duke garantuar lëvizjen dhe aksesin për banorët dhe shërbimet.

Prefektura Shkodër cilëson se sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji është në Bërdicë rreth 10 hektarë, në Velipojë rreth 90 hektarë, në Dajç rreth 70 hektarë dhe Ana e Malit rreth 420 hektarë, totali llogaritet në 590 hektarë.

Reduktimi i sipërfaqes së përmbytur konfirmon trendin pozitiv dhe stabilizimin gradual të situatës.

Mjetet dhe strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në terren dhe në gatishmëri, ndërsa monitorimi i situatës hidrologjike vazhdon pa ndërprerje.

/e.i/j.p/

The post 590 hektarë tokë bujqësore me prezencë uji në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pas përmbytjeve, rruga e Gjatit në Gjirokastër e kalueshme

14 January 2026 at 22:50

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Reshjet intensive të ditëve të fundit janë ndërprerë, ndërsa puna për sistemimin e dëmeve vijon pa ndërprerje edhe në Gjirokastër, si në të gjithë vendin.

Kryebashkiaku Flamur Golemi deklaron se strukturat bashkiake janë të angazhuara maksimalisht për rikthimin e normalitetit në zonat e prekura.

Sipas tij, ndërhyrjet po kryhen me durim dhe përkushtim, duke përdorur të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike, kudo ku ka nevojë. “Reshjet intensive ikën, por ne s’e ndalim punën për të sistemuar gjithçka të dëmtuar. Me durim e përkushtim e me të gjitha kapacitetet që kemi po ndërhyjmë kudo ku ka nevojë. Lajm i mirë që sot bëmë të kalueshme edhe rrugën e Gjatit”, shprehet Golemi.

Bashkia Gjirokastër garanton se monitorimi i situatës do të jetë i vazhdueshëm dhe çdo problematikë do të trajtohet në kohë.

/e.i/a.f/r.e/

The post Pas përmbytjeve, rruga e Gjatit në Gjirokastër e kalueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mesfushori Qëndrim Ismajli firmos për KF Teuta

14 January 2026 at 22:25

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Qëndrim Ismajli është bashkuar me skuadrën e Teutës. Ky lajm është bërë i ditur nga klubi, nëpërmjet një njoftimi për mediet.

Klubi i Futbollit Teuta njofton se mesfushori Qëndrim Ismajli është zyrtarisht futbollisti më i ri i kësaj skuadre.

Sipas njoftimit, 26-vjeçari i bashkohet Teutës nga KF Tirana, ku me paraqitjet e tij ka spikatur si një nga lojtarët më të dalluar të kampionatit, duke treguar cilësi, eksperiencë dhe stabilitet në repartin e mesfushës.

Ismajli ka luajtur me ekipe si Gjilani, KF Dardana dhe Flamurtari. Eksperienca me Tiranën ka qenë aventura e parë në Shqipëri, ndërsa tani është bashkuar me fanellën e “Teutës”.

/e.i/a.f/r.e/

The post Mesfushori Qëndrim Ismajli firmos për KF Teuta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

ARrSh: Rruga e Thethit e hapur për qarkullim, pas mbylljes për shkak të ortekëve

14 January 2026 at 20:35

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Rruga e Thethit është aktualisht e hapur për qarkullimin e mjeteve, pas një mbylljeje të përkohshme për shkak të rrezikut nga ortekët.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARrSh) bën me dije se ky aks është tashmë i kalueshëm për automjetet.

ARrSh njoftoi sot se pas reshjeve të dendura të borës, në një segment me gjatësi rreth 550 metra, ishte prezent rreziku i ortekëve nga lartësitë e shpateve. Ky rrezik shtohet gjatë orëve të mesditës me diell, kur fillon procesi i shkrirjes së borës.

Për këtë arsye, gjatë ditëve me mot të kthjellët dhe për arsye sigurie, ARrSh thekson se do të ketë mbyllje provizore të qarkullimit deri në orët kur temperaturat ulen dhe bora ngrin sërish.

Sipas ARrSh-së, qarkullimi gjatë intervaleve me rrezik do të realizohet me asistencën e punonjësve të kompanisë së mirëmbajtjes, e cila është e pranishme në terren në çdo moment.

Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e vazhdueshëm të situatës dhe do të informojnë qytetarët për çdo zhvillim të mëtejshëm.

/e.i/r.e/a.f/

The post ARrSh: Rruga e Thethit e hapur për qarkullim, pas mbylljes për shkak të ortekëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Superliga, Vllaznia mund Egnatian, barazim mes Elbasanit e Flamurtarit

14 January 2026 at 19:54

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Dy ndeshjet e tjera të luajtura sot të vlefshme për Javën e 19-të të Superiores, janë mbyllur njëra në barazim dhe tjetra me triumfin e skuadrës së Vllaznisë.

Elbasani-Flamurtari u luajt në “Elbasan Arena” dhe u mbyll me rezultatin barazim 1-1.

Elbasani dominoi ndeshjen deri në minutën e 80-të. Goli i verdhebluve erdhi nga penalltia me Diallon në minutën e 73-të, ndërsa në minutën e 80-të Oshafi vendosi baraspeshën për vlonjatët.

Në përfundim të 19 javëve, Elbasani mban vendin e dytë me 3 pikë më pak se Egnatia kryesuese. Flamurtari ndërkohë renditet i parafundit, teksa numëron 4 pikë më pak se Vora që ndodhet jashtë zonës së ftohtë.

Ndërsa, ndeshja Vllaznia-Egnatia përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të Vllaznisë.

Aksioni spektakolar i finalizuar nga Kallaku në minutën e 27-të, do të vuloste fitoren e Vllaznisë. Shkodranët u mbrojtën me kujdes duke mbajtur sa më larg portës së tyre rrogozhinasit, të cilët u ndalën para portës shkodrane në disa raste gjatë ndeshjes.

Sot u luajt dhe sfida mes Tiranës dhe Bylisit në Ballsh, ku bardheblutë triumfuan me rezultatin 1-0.

/e.i/r.e/a.f/

The post Superliga, Vllaznia mund Egnatian, barazim mes Elbasanit e Flamurtarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vakancat në Gjykatën Kushtetuese, KED cakton relatorët

14 January 2026 at 17:30

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) me përbërjen e re të zgjedhur me short nga Presidenti i Republikës, zhvilloi mbledhjen e tij të parë në ambientet e Gjykatës së Lartë.

KED vlerësoi se, me konstituimin e tij, duhet të angazhohet menjëherë për të përmbushur të gjitha kompetencat dhe detyrimet që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji, të cilat lidhen me verifikimin, vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për pozicionet vakante për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Këshilli realizoi procedurat e shortit elektronik për caktimin e anëtarëve relatorë për vendet vakante të cilat janë aktualisht në proces shqyrtimi pranë KED.

Në mbledhjen e KED, u caktua që vendi vakant në Gjykatën Kushtetuese, i shpallur nga organi i emërtesës Presidenti i Republikës, më datë 30.10.2025 të ketë relatore Afërdita Ndoin për kandidatët: Arta Vorpsi, Brunilda Bara, Genci Gjonçaj.

KED caktoi relator Alfred Progonati për kandidatët: Lulzim Hamitaj, Jordan Daci, Naureda Llagami, Roland Ilia.

Gjithashtu, në mbledhje u caktua relatore Ornela Naqellari për kandidatët: Alaudin Mala dhe Alban Toro.

Për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, i rishpallur nga organi i emërtesës Kuvendi i Shqipërisë, më datë 10.12.2025 relatore u caktua Afërdita Ndoi për kandidatët: Arta Vorpsi dhe Genci Gjonçaj.

KED caktoi relatore Klodiana Veizin për kandidatët: Fatmira Luli, Helena Papa, Lulzim Karini.

Njëherësh, KED caktoi relator Alfred Progonatin për kandidatët: Jordan Daci, Lulzim Hamitaj, Naureda Llagami, Roland Ilia.

KED theksoi në njoftim se krahas angazhimit maksimal të këtij këshilli, shpejtësia e procesit të verifikimit, besueshmëria dhe integriteti i tij varet gjithashtu edhe nga kontrolli dhe informacionet që duhet të dërgohen nga institucionet publike e subjektet private, të cilat, sipas dispozitave ligjore, duhet t’i kthejnë përgjigjet në kohën më të shpejtë të mundshme, me informacione të plota dhe të sakta në shërbim të realizimit me sukses të misionit kushtetues e ligjor të KED.

Nga mbledhja e KED
1 nga 3

/e.i/a.f/r.e/

The post Vakancat në Gjykatën Kushtetuese, KED cakton relatorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Masa urgjente për forcimin e kontrollit dhe rritjen e sigurisë në burgje

14 January 2026 at 17:24

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal i Durrësit, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari thirri sot në një takim të posaçëm drejtuesit e të gjitha institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale në vend.

Lamallari tha se pas shkarkimit të drejtorit të IEVP Durrës pas ngjarjes së rëndë dhe pezullimit të menjëhershëm të të gjithë zinxhirit përgjegjës, ka kërkuar masa urgjente për forcimin e kontrollit, rritjen e sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve të paligjshme nëpër burgje.

“Kërkova nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të bëjë një vlerësim të parametrave të sigurisë dhe rishpërndarjes së IEVP Durrës, duke konsideruar transferimin e të dënuarve apo paraburgosurve me rrezikshmëri në burgje të sigurisë së lartë”, tha Lamallari.

Ministri i Drejtësisë u shpreh e ka urdhëruar Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve të shpeshtojë kontrollet në të gjitha IEVP-të e vendit, për të parandaluar çdo tentativë të mundshme për cenim të sigurisë.

“Siguria në burgje është një prioritet absolut dhe nuk do të tolerohet asnjë formë neglizhence apo shkeljeje e procedurave standarde”, vijoi Lamallari.

“Çdo tentativë për të sfiduar rendin, sigurinë dhe autoritetin e ligjit nëpër burgje cenon gjithashtu sigurinë publike, besimin dhe bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese dhe institucionet e drejtësisë. Në çdo rast përgjegjësit do të përballen ligjërisht pa kompromis dhe pa humbur kohë me pasojat e veprimeve të tyre”, tha ministri Lamallari.

Në vijim të ngjarjes së një dite më parë, pas një analize nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm është shkarkuar i gjithë zinxhiri komandues në IEVP Durrës.

Për këtë ngjarje, janë arrestuar edhe tetë punonjës të Policisë së Burgjeve në Durrës.


/e.i/r.e/a.f/

The post Lamallari: Masa urgjente për forcimin e kontrollit dhe rritjen e sigurisë në burgje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arratisja e Ndocit, pezullohet zinxhiri komandues i Burgjeve të Durrësit

13 January 2026 at 16:58

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se zinxhiri komandues i Burgjeve të Durrësit është pezulluar sot pas ngjarjes, ku u arratis i paraburgosuri Altin Ndoci.

Më herët, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se i paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore.

Në njoftim, cilësohet se të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.

“Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali”, theksohet në njoftim.

Drejtoria e Burgjeve thekson se strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

/e.i/j.p/

The post Arratisja e Ndocit, pezullohet zinxhiri komandues i Burgjeve të Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

I paraburgosuri Altin Doci u arratis nga Spitali i Durrësit, ishte për vizita mjekësore

13 January 2026 at 13:53

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton se i paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.

Në njoftim, cilësohet se pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali.

Drejtoria e Burgjeve thekson se strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

/e.i/j.p/

The post I paraburgosuri Altin Doci u arratis nga Spitali i Durrësit, ishte për vizita mjekësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

113-vjetori i themelimit, Proda: Policia, tashmë partner i besueshëm i angazhuar në skuadra hetimore ndërkombëtare

13 January 2026 at 11:46

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda u shpreh sot se ky institucion qëndron në këmbë përballë sfidave të shumta ndër vite.

Në aktivitetin e organizuar në Hotel International, me rastin e 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, ku të pranishëm ishin edhe drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, kreu i BKH-së, Joni Keta, e të tjerë përfaqësues të lartë, Proda tha se 13 janari është një ditë historike dhe jetike për vendin tonë sepse pa rend nuk ka liri dhe pa siguri nuk ka të ardhme.

“Kjo e vërtetë e thjeshtë ka udhëhequr misionin e Policisë së Shtetit që nga dita kur plaku i mençur, kryeministri i saj kohe Ismail Qemali vendosi krijimin e Policisë së Shtetit, e cila përgjatë rrugëtimit të saj ka qenë gur themeli i rendit, i ligjit, stabilitetit shoqëror por edhe simbol i bashkimit kombëtar”, tha Proda.

Proda tha se Policia shqiptare ka ecur krah për krah me historinë e vendit, ka përballuar sfida të mëdha, dhe momente vendimtare por duke ruajtur me fanatizëm misionin e mbrojtjes së jetës, pronës dhe sigurisë së qytetarëve.

“Misioni i saj është simbol sakrifice, guximi dhe përkushtimi ku çdo uniformë flet për një detyrë, çdo emblemë për një frymë dhe çdo veprim për një premtim të patundur ndaj shoqërisë. Gjatë 113 viteve, 231 punonjës të policisë ranë dëshmorë pasi dhanë gjithçka duke vendosur jetën e tyre mbi çdo rrezik për të mbrojtur qytetarët dhe ligjit. Në këtë rrugëtim 113-vjeçar kanë kontribuuar gjenerata të tëra dhe sot gjejmë rastin të shprehim mirënjohjen për veteranët e policisë, ata janë thesari i përvojës dhe burim frymëzimi i profesionalizmit për brezat e rinj”, tha Proda.

Sipas Prodës, viti 2025 tregoi fuqinë dhe vendosmërinë e Policisë në operacione të suksesshme kundër grupeve kriminale, luftë të pandërprerë ndaj kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, zbardhje të ngjarjeve kriminale, ulje të kriminalitetit, përballim të suksesshëm të sezonit turistik dhe të aktiviteteve me famë ndërkombëtare, si dhe zhvillim të Akademisë së Sigurisë si një qendër moderne dhe konkurruese për të rinjtë.

“Të gjitha këto janë dëshmi se Policia e Shtetit nuk stepet, nuk thyhet dhe nuk ndalon kurrë. Ajo zhvillohet, trajnohet dhe punon çdo ditë më mirë, për qytetarin dhe ligjin. Përpos kësaj, organizata jonë nuk është perfekte, ashtu si dhe ne nuk jemi të tillë. Të gjithë ne jemi në sfidë të përditshme, sfidë me veten, sfidë me standardet, sfidë me pritshmëritë, për të mësuar nga gabimet dhe për t’u përmirësuar”, vijoi ai.

Proda nënvizoi se çdo operacion, çdo mision dhe çdo angazhim është provë se ligji nuk është thjesht një normë, por një realitet i prekshëm për qytetarët.

“Rezultatet e vitit të kaluar tregojnë se bashkëpunimi dhe koordinimi me partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë janë baza e suksesit tonë. Policia e Shtetit është tashmë një partner i besueshëm dhe i barabartë, e angazhuar në skuadra hetimore dhe operacione të përbashkëta kundër krimit të organizuar dhe krimeve globale, në funksion të rritjes së sigurisë kombëtare, rajonale dhe më gjerë”, tha Proda.

Drejtuesi i Policisë së Shtetit shtoi se profesionalizmi dhe besueshmëria e Policisë së Shtetit, përgjatë vitit 2025, u vlerësuan me çmime dhe tituj nga partnerët ndërkombëtarë.

“Ne jemi ajo që bëjmë dhe jo ajo që flitet për ne, nëpërmjet sulmeve dhe përbaltjes së padrejtë ndaj kontributit të mijëra burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që sakrifikojnë çdo ditë për të mirën e përgjithshme”, përfundoi Proda.

/e.i/j.p/

The post 113-vjetori i themelimit, Proda: Policia, tashmë partner i besueshëm i angazhuar në skuadra hetimore ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tafaj: Moti i ftohtë ndikon tek pacientët me sëmundje zemre, ja si të kujdesen

13 January 2026 at 09:46

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Temperaturat e ulta dhe i ftohti rrisin ngarkesën mbi zemër dhe mund të përkeqësojnë sëmundjet kardiake.

Mjekët kardiologë flasin për kujdes të shtuar në këto ditë të ftohta dimri për pacientët me sëmundje zemre, për mjekim rregullisht dhe shmangien e ekspozimit të zgjatur në të ftohtë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ndau sot një videomesazh të Dr.Ermir Tafajt, mjek kardiolog pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, i cili jep disa këshilla për këta pacientë, por edhe për personat e shëndetshëm.

Tafaj shprehet se “moti i ftohtë dhe temperaturat e ulëta ndikojnë në gjendjen e arterieve koronorare”.

“Kemi dy kategori njerëzish, ata që mjekohen për sëmundje të zemrës dhe pacientët e shëndetshëm. Pacientët të cilët kanë probleme me enët e zemrës duhet patjetër të jenë më të kujdesshëm në temperaturat e ulëta. Duhet të marrin mjekimin e rregullt, duhet të kenë veshur disa shtresa në momentin që janë temperaturat e ulëta”, tha Tafaj.

Sipas Dr.Tafajt, në vendet me borë këto pacientë bëjnë një lloj sforcimi të shtuar duke marrë lopatat për të hequr borën në segmente të caktuara, çka mund të shfaqë edhe te pacientët që nuk kanë qenë në dijeni më përpara episode të dhimbjes së gjoksit.

“Edhe pacientët të cilët janë të shëndetshëm dhe nuk kanë qenë në dijeni që mund të kenë pasur ose jo ngushtim të enëve koronare kuptojnë që i ftohti dhe sforcimi në të ftohtë shfaq klinikën e dhimbjes së gjoksit. Duhet me patjetër të jenë të kujdesshëm të dy grupet e popullatave, si ato që kanë probleme me enët e zemrës dhe ato që janë të shëndetshëm”, tha mjeku.

“Një dhimbje shtrënguese e cila mund të përhapet majtas-djathtas gjoksit, që mund të marrë krahun e majtë ose të dy, ose mund të përhapet mbrapa shpatullave. Një dhimbje që mund të hapet dhe pushon kur ne futemi në ambient të ngrohta ose kur ndalojmë sforcimin. Këto dhimbje janë një alarm i kuq që duhet të shkohet drejt mjekut”, vijoi Tafaj.

Mjeku kardiolog u ndal edhe te simptomat e një tjetër goditjeje në zemër, siç është infarkti akut i miokardit.

“Një emergjencë e cila nuk pret. Sa më shpejt të shkojmë në urgjencë, aq më i madh do të jetë përfitimi që do të ketë muskuli i zemrës”, përfundoi Tafaj.

/e.i/j.p/

The post Tafaj: Moti i ftohtë ndikon tek pacientët me sëmundje zemre, ja si të kujdesen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bie niveli i ujërave në zonat e prekura nga reshjet në Shkodër, 800 ha tokë ende nën ujë

13 January 2026 at 09:37

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Bashkia e Shkodrës në përditësimin e situatës për shkak të reshjeve të shiut dhe motit të keq të ditëve të fundit, njoftoi se nga monitorimi i vazhdueshëm gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, situata hidrologjike në territorin e bashkisë Shkodër paraqitet më e përmirësuar krahasuar me ditën e djeshme, me ulje të niveleve të ujit në zonat e prekura.

Në zonën Obot, është konstatuar rënie e nivelit të ujit. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 100 cm, nga 110 cm që ishte një ditë më parë, duke shënuar ulje rreth 10 cm. Aksi vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Mjetet e bashkisë Shkodër dhe strukturave mbështetëse qëndrojnë edhe sot në Obot, në gatishmëri të plotë për çdo nevojë dhe për garantimin e aksesit dhe ndihmës ndaj banorëve. Varkat janë të pranishme edhe sot në terren, për të garantuar transportin dhe ndërhyrjen në rast nevoje.

Bashkia Shkodër njofton se gjatë ditës së djeshme është realizuar furnizimi i banorëve me 1 kamion.

Në Obot ka banesa me prezencë uji në oborre, ndërsa deri në këto momente nuk ka raportime për prezencë uji në brendësi të banesave.

Në Njësinë Administrative Dajç, në zonën Urrelat – Shirq, është konstatuar ulje e nivelit të ujit rreth 10 cm krahasuar me ditën e djeshme. Vijon të ketë prezencë uji në kanalet kulluese të tokave bujqësore, por pa depërtim në banesa.

Sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji është në Dajç rreth 80 hektarë, Velipojë rreth 120 hektarë, Ana e Malit rreth 550 hektarë, Bërdicë rreth 50 hektarë.

Bashkia Shkodër njofton se totali i sipërfaqes në ujë është 800 hektarë.

Situata paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim, ndërsa monitorimi në terren vijon pa ndërprerje nga strukturat përgjegjëse. /e.i/j.p/

The post Bie niveli i ujërave në zonat e prekura nga reshjet në Shkodër, 800 ha tokë ende nën ujë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌