Viti 2025: Shqipëria si kantier ndërtimi, kulla dhe leje pa kriter
Vala intensive e ndërtimit me kulla të larta, ndërtesa voluminoze dhe shpesh të paarsyeshme nga ana urbane vijoi edhe përgjatë vitit 2025, kryesisht në Tiranë dhe bregdet.
Zhvillimet e fundit treguan një prirje të qartë: projektet po shoqërohen me aktivitet të fortë propagandistik nga ana e qeverisë, e cila kërkon t’i legjitimojë ato përmes një festivali ndërkombëtar arkitekture.
Si përgjigje, Citizens.al ndërtoi rubrikën “Tirana Vertikale”, me një seri hulumtimesh që nxorën në pah përjashtimin e interesit publik nga procesi i zhvillimit urban.
Kullat që po ndryshojnë Tiranën
Edhe këtë vit, projektet e kullave nuk u ndalën, duke sfiduar edhe më tej kriteret e vendosura në planet urbanistike.
Citizens.al analizoi Masterplanin e Qendrës së Tiranës, një konkurs i shtyrë privatisht nga sipërmarrësi Astrit Veliaj, që nxori fitues projektin e studios franceze l’AUC për zhvillimin me kulla shumëkatëshe në zonën e ish-Cirkut të Tiranës, pas Muzeut Kombëtar.

Projekti me rreth 5 kulla deri në 60 kate, parashikohet të shtrihet në mbi 17,000 m2 truall, ku aktualisht ndodhen rreth 35 ndërtesa, përfshirë katër pallate deri në 9 kate, si dhe godinat publike të Teatrit Metropol dhe “Info-Point”-i i bashkisë.
Vizioni i këtij masterplani vijoi atë të hasur edhe në anën jugperëndimore me kulla të larta deri 71 kate te projekti i “Grand Park Skyline”.
Citizens.al solli një hartë ku pasqyrohet “transformimi brutal” me kulla i Tiranës. Nga ku rezultoi se në rreth 10 vite qeveria shqyrtoi, ose miratoi rreth 140 ndërtesa ku gjysma e tyre kishte lartësi 24 deri në 100 kate dhe shumica e vendimeve ende nuk janë zbardhur për publikun.
Në një artikull analitik të qershorit, Citizens.al identifikoi 10 gjigandë betoni që dominojnë kryeqytetin, duke shfaqur njëfarë gare të pakontrolluar ku limiti i lartësisë tashmë është vetëm qielli.
Volumet e reja duket se po ngrihen pa asnjë kujdes për impaktin mjedisor dhe social, shembulli konkret u pa te projekti i 17 kullave në liqenin e Farkës.
Kjo garë, u kërkua të legjitimohej nga qeveria në festivalin ndërkombëtar të arkitekturës “Bukë dhe Zemër”, për të cilin Citizens.al mbajti një qasje kritike. Në këtë festival u prezantua hapur vizioni për ta zgjeruar idenë e kullave edhe në qytete të tjera si Durrësi, Vlora, Shkodra, Saranda etj.
Përjashtimi po bëhet normë
Asnjë zonë në Tiranë nuk e ka përcjellë më shumë se ish-Blloku tensionin midis interesit të zhvillimit dhe tejkalimit të planeve urbanistike.
Në rubrikën “Tirana Vertikale” theksuam sesi të paktën 13 projekte kullash i thyen kriteret e planit urbanistik duke u kthyer më pas në normë për zonën, e cila nuk lejonte ndërtime të larta.
Ky transformim u bë në kuadër të interesit tregtar për densifikim masiv shpesh mbi kërkesat për hapësira komunitare, qasje publike dhe trashëgimi urbane.
Zhvillimet e tilla bëhen pa transparencë, larg vëmendjes së mediave tradicionale dhe në kurriz të banorëve që jetojnë aty.
Hulumtimi rreth transformimit të zonës së ish-Gardës së Republikës, premtuar për t’u bërë park për qytetarët, tregoi qartë sesi lakmia për kulla i dha formë një projekti abuziv, që nisi si hotel 14 katësh e më pas përfitoi leje të re për një godinë 35 kate: Platinium Tower.
Por nëse në këtë rast u përfitua leje e re “në gropë të vjetër”, në rastin e ish-hotelit Sheraton, rezultoi krejt ndryshe.
Citizens.al tregoi se grupi Kastrati përfitoi trajtim të veçantë duke nisur dhe vijuar pa leje ndërtimi zgjerimin me 6 kulla të kompleksit Mak-Albania.
Punimet nisën në vitin 2019, teksa kompania i përfitoi lejet në vitin 2021. Autoritetet u mjaftuan me argumentin se “nuk ka pasur ankesa”. Ndryshe, për qytetarët e thjeshtë ndërtimi pa leje ka qenë një përndjekje e vazhdueshme me fushata të shpeshta të qeverisë.
Projekti sekret i vilës qeveritare “No. Red”
Në fund të vitit Citizens.al ekspozoi rastin më simbolik të shpërdorimit të fondeve publike për hir të estetikës dhe shijes së hollë të rrethit të afërt të arkitektëve të qeverisë: Vila Nr. 5, ose ndryshe “Villa Number Red”.
E gjendur në një prej kodrave të parkut të liqenit, ajo u rikonstruktua me tenderë të mbyllur, për 6 milionë euro. Projekti u bë nga një studio e huaj, por pavarësisht kësaj u kontraktua një studio lokale.
Ndërkohë, 5 muaj pas përdorimit të parë të saj, pikërisht në festivalin “Bukë dhe Zemër”, vila nuk duroi dot as shirat e parë të vjeshtës: çatia futi ujë.
Në vilën në fjalë u prezantua edhe transformimi i festivalit në një fondacion, kalim për të cilin agjencitë qeveritare AZHT dhe AKPT refuzuan të japin informacione.
Ky transformim, nisur nga fakti se edicioni i parë i festivalit u shoqërua me mungesë transparence për kostot dhe fondet, nxit dyshime për një përpjekje për t’i fshehur faturat e nevojshme për edicionin e dytë të “Bukë dhe Zemër”, parashikuar për t’u mbajtur qershorin e vitit 2026.
Kështu, në një kontekst ku planet urbanistike shkelen ose ndryshohen me ritme të atilla saqë të duket se i përgjigjen më shumë interesave private sesa rregullave të qëndrueshme, ku gara për kulla merr bekimin nga Kryeministri në procedura aspak transparente, dhe ku hapësirat historike e natyrore cenohen pa konsultim me publikun, zhvillimi urban nuk është më vetëm një sfidë arkitektonike, por një sfidë e mirëqeverisjes dhe e vlerave të përbashkëta.
Përpjekja për ta devijuar këtë diskutim vetëm te ana estetike dhe fakti se projektet po i bëjnë arkitektë të huaj është vetëm propagandë që synon ta legjitimojë këtë prirje.
Qytetet nuk janë thjesht estetikë betoni, renderë 3D në prezantime apo një vilë luksoze majë një kodre. Ato janë peizazhe, hapësira, histori dhe mbi të gjitha njerëz që jetojnë, punojnë dhe ndërtojnë përditshmërinë e tyre brenda këtij territori.
The post Viti 2025: Shqipëria si kantier ndërtimi, kulla dhe leje pa kriter appeared first on Citizens.al.