Normal view
Kupa “franceze” e Afrikës/ Plot 107 lojtarë të lindur në vendin europian luajnë në turne
Këto janë pasojat e epokave koloniale, dhe kështu ka qenë për mijëra vjet.
Turneu i madh kontinential po luhet në Afrikë, veçse është Franca vendi që përfaqësohet me më shumë lojtarë.
Sipas statistikave, në Kupën e Kombeve të Afrikës ka plot 107 futbollistë të lindur pikërisht në tokën franceze. Ata janë të shpërndarë nëpër kombëtare të shteteve që dikur kanë qenë pjesë e Perandorisë së mbretërve Luigjë, të Napoleonit dhe deri në kohën e Republikave.
Flitet për shtete si Bregu I Fildishtë, Kameruni, Nigeri, Burkina Faso, Mali, Senegali që është finalist i Kupës, Çadi, Guinea etj.
Kaq e thellë është epërsia e Francës në këtë drejtim, saqë shtetet afrikane e ndjekin me shumë distancë.
Në të vërtetë, në Bregun e Fildishtë kanë lindur vetëm 29 lojtarë, në Afrikë të Jugut 28, në Egjipt 25 dhe në Nigeri 24. Gjithsesi, pavarësisht dominimit të vendlindjes franceze, të gjuhës frënge dhe të kulturësë Parisit, Lionit apo Marsejës, sërish favoritë për të fituar trofeun janë dy yje të Marokut që kanë lindur në Spanjë, si Brahim Diaz apo Ashraf Hakimi./abcnews.al
Marok-Senegal, finalja e Afrikës/ Përcaktohen dy skuadrat që do të luftojnë për titullin kampion
Ishin në prag të greminës, por mbijetuan. Futbollistët e kombëtares së Marokut mbajtën gjallë ëndrrën për të fituar Kupën e Kombeve të Afrikës, dhe për të bërë të lumtur tifozët e tyre, veçse kualifikimi në finale ishte një vepër dramatike.
Afërsisht 65 000 tifozë ishin ngjeshur në stadiumin kombëtar në Rabat, dhe ekipi vendas bëri gjithçka shumë mirë, edhe pse pati përballë një fuqi të kontinentit afrikan si Nigerinë. Epërsia e atyre që mbiquhen “luanët e Atlasit” ishte e plotë, madje e papritur deri në një shkallë të tillë.
Edhe pse nigerianët mbajtën topin paksa më shumë, Maroku lëshoi plot 16 gjuajtje drejt portës kundërshtare, nga të cilat 5 në kuadrat. Rivalët e mëdhenj ia dolën vetëm për dy gjuajtje, dhe vetëm një mes shtyllave. Gjithsesi, gola nuk pati dhe u deshën penalltitë pasi u luajtën edhe 30 minuta të shtesave.
Maroku gaboi vetëm një 11-metërsh, ndaj dy të rivalëve dhe shpreson të fitojë titullin e dytë në Kupën e Afrikës pasi ka pritur plot 50 vjet. Finalisti tjetër është Senegali. Edhe futbollistët e këtij ekipi quhen “luanët”, pikërisht “luanët e Terangës”, dhe ia dolën plotësisht me meritë ndaj Egjiptit.
Në një tjetër finale të parakohshme, senegalezët patën epërsi ndaj “Faraonëve” me yje të tillë si Mendi, Kulibali, Diuf, Diarra, Geje, Ndiaje, Xhekson apo Mane. Mohamed Salah, një nga liderët e Liverpulit dhe të Premier Ligës, do të mbetet pa trofe, ndërsa skuadra e tij u mposht nga një gol i vonshëm shënuar pikërisht nga ish-shoku I I tij tek të kuqtë, Sadio Mane.Minuta e 78-të ishte përcaktuese, ndërsa finalja do të luhet të dielën, dhe Maroku cilësohet favorit për titullin./abcnews.al
Arsenal nuk “fal” asgjë/ “Topçinjtë” mundën 2-3 Chelsea dhe shkojnë në finalen e Kupës
Arsenal nuk ka ndërmend të ndalet, ndërsa tifozët e tij ëndërrojnë në një sezon fantastik, ku skuadra e tyre është në garë për të gjithë trofetë e mundshëm. Pasi kryesojnë Premier League dhe u kualifikuan në fundjavë në Kupën e Federatës, “Topçinjtë” siguruan biletën për në finalen e Kupës së Ligës.
Të besuarit e Mikel Arteta triumfuan 3-2 në derbin londinez në fushën e Chelsea, ndërsa do të dikutojnë trofeun kundër Manchester City. Arsenal dominoi në “Stamford Bridge”, ndërsa mbylli pjesën e parë në epërsi falë golit të shpejtë të Ben Uajt që në minutën e shtatë.
Pas pushimit, sfida u bë më e luftuar dhe me spektakolare me raste të shumta në të dyja portat. Gjithsesi, më të mirën morën sërish “Topçinjtë” që dyfishuan shifrat me Gyokeres në minutën e 49-të.
Garnacho ktheu në lojë Chelsea, duke ngushtuar diferencën në të 57-ën. Por shpresat e Bluve të Londrës morën një tjetër goditje të rëndë, kur Zubimendi shënoi edhe golin e tretë për miqtë.
Vetëm në fund, Garnacho gjeti golin e dytë personal, por që kishte vlerë vetëm për statistika. Festa ishte e gjitha për Arsenal që konfirmon sezonin e shkëlqyer si dominues në futbollin anglez./abcnews.al
Sistemi spitalor/ Rama: Proces riformatimi, më shumë kujdes dinjitoz për çdo pacient kudo në vend
Për kryeministrin Edi Rama, Spitali Rajonal Memorial në Fier, Memorial është një shembull i mirë i autonomisë menaxheriale dhe financiare. Rama paralajmëroi nisjen e një procesi riformatimi që sipas tij synon më shumë efikasitet, menaxhim modern dhe kujdes dinjitoz për çdo pacient, kudo në vend.
“Fier – Spitali Rajonal Memorial është një shembull i mirë i autonomisë menaxheriale dhe financiare, ku organizimi më i mirë dhe përgjegjësia më e madhe po përkthehen në shërbime më cilësore për qytetarët.
Gjatë vizitës në këtë institucion, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, ndau vizionin për të ardhmen e sistemit spitalor rajonal.
Në vitin 2026 pritet të nisë një proces i thellë riformatimi, që synon më shumë efikasitet, menaxhim modern dhe kujdes dinjitoz për çdo pacient, kudo në vend”-shkruan Rama./abcnews.al
Inter, kampion i dimrit/ Zikaltërit mundin 1-0 një Lecce pa shqiptarë, kryesojnë në Itali
Nuk mund të quhet ende një arratisje. Jo vetëm sepse Milani nëse fiton sonte afrohet në vetëm tri pikë, por edhe sepse distancat në Serinë A nuk janë aspak të mëdha.
Sidoqoftë, Interi arriti një tjetër fitore duke bindur, ndonëse e pati përsëri shumë të vështirë.
Një Leçe me mungesa, në të cilën nuk luajtën Ylber Ramadani I pezulluar dhe Medon Berisha i dëmtuar, pra pa shqiptarë në fushë, rezistoi deri 12’ para fundit, edhe pse në “San Siro” u luajt praktikisht me një portë.
Epërsi e madhe, monolog zikaltër deri në mërzi, dhe Pio Espozito shënoi golin që vlejti fitoren. Me këtë rrjetë, Interi i trajnerit Kristian Kivu, është kampion I dimrit në Itali.
Boni, Barela dhe Luis Enrike provuan të shënonin më shumë, por puljezët ishin një fortesë. Napoli ndërkaq gaboi.Me trajnerin Antonio Konte në tribunë të pezulluar, të besuarit e tij nuk ia dolën të thyenin Parmën edhe pse u luajt në stadiumin “Maradona”.
Një sfidë tipike janari, me dimër jashtë fushe dhe brenda saj, me një gol të anuluar ndaj skocezit Mektominej për pozicion jashtë loje, dhe sulme pafund të napolitanëve.
Inter kryeson Serinë A pas 19 javësh me 46 pikë ndaj 40 të Milanit që luante sonte ndaj Komos, ndërsa Napoli ka mbetur pak më prapa me 39 pikë.
Historia e tatuazheve në Shqipëri, Lelaj: I pari rezulton në vitin 1928, studimi i Edith Durham
Në studion e Pas Mesnatë, studiuesit Olsi Lelaj, duke folur mbi në studimin e tij “Mishi dhe kocka mbi trupin, pushtetin dhe identitetin”, thotë se tatuazhi përfaqëson një nga format më të hershme të ndërhyrjes kulturore mbi trupin. Referencat më të hershme për tatuazhet në Shqipëri i gjejmë që në vitin 1928, në studimin e antropologes britanike Edith Durham. Ajo evidenton se tatuazhet e para rezultojnë të jenë bërë mbi trupin e grave, çka i jep kësaj praktike një dimension të fortë gjinor dhe social.
“Bulzat e para për librin kanë nisur me kureshtinë time në shtëpi, ku familjarë të mi kishin tatuazh të bërë gjatë periudhës kur kanë qenë ushtar, apo nxënës në shkollën Skënderbe dhe kjo ka qenë ngacmimi im i parë për studimin e tatuazhit që kthehet në një projekt kërkimor i imi vetjak. Ka qenë një lloj kureshtie specifike sepse lidhej me një lloj paradoksi dhe një lloj pikëpyetje kërkimore se si ka mundësi që në diktaturë, në kushte dhe institucione që janë aty për të korrigjuar trupin, lejohej të bëhej tatuazhi dhe kjo ka qenë një nga pikëpyetjet e mia. Mbi këtë premisë nis gjithë rrugëtimi për premisën e parë të kërkimit mbi linjën e tatuazhit në kulturën shqiptare, moderne por që do më shpjerë drejt tradicionales” – thotë ai, ndërsa shton se studimi nis me Edith Durham.
“Kjo ka qenë një tjetër ngacmim se si ka mundësi që në etnografinë shqiptare, tatuazhi do zerë një rol relativisht modest ose aspak. Dhe kjo ishte pjesë e kërkimit e cila më jep mundësinë të eksploroj punën e Durhamit, ajo fillimisht e nis me katolikët në Bosnje, ku modelet e tatuazhe janë shumë herë më komplekse”, tregon ai.
Fillesat lidhen me gratë katolike boshnjake, te cilat përdornin tatuazhin si shenjë identiteti dhe mbrojtjeje shpirtërore. Më pas, kjo dukuri u përhap në zonën e Shkodrës dhe, siç vëren etnografi Rrok Zojzi, gjurmë të saj janë gjetur edhe në jug të Shqipërisë. Simbolika fillestare ishte kryesisht pagane, mbi të cilën më vonë u mbivendosën fetë monoteiste, duke krijuar një ndërthurje unike mes besimit, traditës dhe trupit.
“Durham këtë bën, thotë në dukje ato na shfaqen sikur tregojnë religjionet monoteiste të krishtërimit, por në malësorët e Shqipërisë, përgjigjja që i jepet është kulti i Diellit dhe i Hënës, si kulte themelore.
Megjithatë, për një periudhë të gjatë, tatuazhi në Shqipëri u konsiderua devijancë shoqërore. Sipas Lelajt, kryesisht të burgosurit dhe ushtarët bënin tatuazhe, duke përdorur simbole si armë, zemra apo figura femrash gjysmë nudo. Këto imazhe shpesh ishin shprehje rebelimi, nostalgjie apo force, por edhe mënyra për të rikthyer kontrollin mbi trupin në kushte të kufizuara lirie.
Me kalimin e kohës, tatuazhi kaloi nga një praktikë e stigmatizuar në një formë arti të pranuar gjerësisht. Nga një akt individual dhe pothuajse i fshehtë, ai u bë masiv dhe publik mbi trup, duke reflektuar ndryshimet shoqërore dhe kulturore.
Në këtë kontekst, Lelaj ngre edhe një kritikë mbi përdorimin e gjuhës dhe simboleve: “Gjuha po përdoret si flamur i nacionalizmit, jo patriotizmit”, duke sugjeruar se edhe tatuazhi sot mund të shërbejë si mjet identitar i deformuar, nëse shkëputet nga kuptimi i tij kulturor./abcnews.al
Fillon zbatimi i Ligjit për komunikacionin dhe i Ligjit për të huajt në Kosovë
Në Kosovë, nga sonte në mesnatë, fillon zbatimi strikt i Ligjit për komunikacionin, sipas të cilit automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në vend më shumë se tre muaj ose mbi bazën e autorizimit.
Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Njëkohësisht, nis edhe zbatimi strikt i Ligjit për të huajt sa u përket dokumenteve personale.
Sipas tij, të gjithë ata që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, do të duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve.
Këto masa do të prekin kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë dhe që deri më tani kanë drejtuar automjete me targa të qyteteve në Serbi mbi bazën e autorizimit, ose nuk kanë pasur dokumente të Kosovës.
Zbatimi pa përjashtime i këtyre dy ligjeve ishte paraparë të fillonte më 1 nëntor të vitit të kaluar, por Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës e shtyu këtë afat deri në mesnatën e 15 janarit, 2026, për të mundësuar zhvillimin e një fushate informuese.
Këto masa të autoriteteve kosovare, megjithatë, po hasin në kritika nga komuniteti serb – sektori civil dhe përfaqësuesit politikë.
Si do të ndikojë Ligji për komunikacionin te komuniteti serb?
Nga Policia e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se drejtimi i automjeteve me targa të huaja mbi bazën e autorizimit është në kundërshtim me Ligjin për komunikacionin.
Megjithatë, deri më tani, kjo praktikë është toleruar për t’u dhënë qytetarëve kohë t’i ndërrojnë targat.
Veton Elshani theksoi se, nga 15 janari në mesnatë, policia do ta zbatojë ligjin në terren. Ai shtoi se drejtimi i automjeteve mbi bazën e autorizimit do të lejohet vetëm në raste emergjente, por me paralajmërim.
“Për shembull, nëse dikush shkon në spital, nuk do ta ndalojmë dhe nuk do ta konfiskojmë menjëherë automjetin. Por, nëse i njëjti person ndalohet përsëri në ditët në vazhdim, mund t’i shqiptohet gjobë deri në 200 euro”, shpjegoi ai.
Kosova ndaloi në fund të vitit 2022 qarkullimin e automjeteve me targa me akronimet e qyteteve të Serbisë.
Kjo masë shkaktoi daljen e disa serbëve nga institucionet e Kosovës dhe rriti tensionet në terren.
Disa nga pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, i regjistruan më pas automjetet e tyre me targa të Serbisë dhe i përdornin ato mbi bazën e autorizimit.
Në këtë autorizim përfshihen të dhënat e kartës së identitetit të drejtuesit të automjetit, e cila lëshohet nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë, por që Prishtina zyrtare nuk e njeh.
Si do të ndikojë Ligji për të huajt te komuniteti serb?
Ligji për të huajt mund t’i prekë pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente kosovare, por jetojnë, punojnë ose studiojnë në Kosovë.
Megjithatë, Elshani tha se ligji nuk do të zbatohet strikt për ata që jetojnë në Kosovë dhe që për ndonjë arsye nuk kanë dokumente kosovare.
“Ne nuk do t’i dëbojmë këta persona, nuk do t’i ndajmë nënat nga fëmijët apo baballarët nga fëmijët”, tha ai, duke shtuar se ligji do të zbatohet vetëm për ata që vijnë në Kosovë për turizëm, punë ose studime.
“Zbatimi do të bëhet gradualisht, nuk do të dëbohet askush menjëherë. Për shembull, nëse në orën 02:00 të mëngjesit policia takon dikë në rrugë dhe ai nuk ka dokumente kosovare, ai do të njoftohet që duhet të paraqitet në stacionin policor”, shpjegoi Elshani.
Në manualin “Udhëzuesi për hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e të huajve në Republikën e Kosovës”, i publikuar vitin e kaluar, shpjegohet procedura për marrjen e lejes për “qëndrim të përkohshëm, afatshkurtër ose të përhershëm”.
Vendimin për lëshimin e lejeve do ta marrë Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Në Mitrovicë të Veriut funksionon një universitet që punon brenda sistemit të Serbisë, ku studiojnë ose punojnë shtetas të Serbisë. Po ashtu, punonjës nga Serbia ka edhe në institucionet shëndetësore në mjediset me shumicë serbe dhe në disa institucione kulturore.
Megjithatë, autoritetet e Kosovës nuk i njohin këto organe serbe dhe kanë mbyllur shumicën e tyre, përveç institucioneve arsimore dhe shëndetësore.
Reagimet e sektorit civil dhe të politikanëve
Të dhëna të sakta zyrtare se sa serbë jetojnë në Kosovë dhe posedojnë dokumente kosovare, nuk ka, pasi pjesëtarët e këtij komuniteti, kryesisht në katër komunat e veriut, e bojkotuan regjistrimin e popullsisë në vitin 2024.
Megjithatë, një raport i organizatës joqeveritare Aktiv nga viti 2024, me titullin “Analiza e trendëve dhe qëndrimeve të komunitetit serb”, nxori në pah se mbi 93% e 503 të anketuarve kanë dokumente kosovare.
Grupi i organizatave serbe joqeveritare ka theksuar më herët se ekzistojnë mijëra serbë të Kosovës që nuk mund të marrin dokumente kosovare, pasi “regjistrimi civil i serbëve të Kosovës, si dhe i pjesëtarëve të tjerë të komuniteteve joshumicë, është penguar për një kohë të gjatë”.
Autoritetet kosovare, në periudhën nga nëntori 2024 deri në prill 2025, u mundësuan serbëve në Kosovë ta marrin shtetësinë “më vonë”, duke pasur parasysh se disa nuk mund t’i merrnin dokumentet kosovare për shkak se posedonin vetëm dëshmi të lindjes, të lëshuara nga institucionet serbe, të cilat Prishtina nuk i njeh.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – njoftoi më 14 janar se ka zhvilluar dhjetëra takime me përfaqësues ndërkombëtarë, lidhur me zbatimin e Ligjit për komunikacionin dhe Ligjit për të huajt, duke theksuar se ka hasur në mirëkuptim, por se nuk ka marrë përgjigje ndaj kërkesave të saj.
“Edhe gjatë ditëve të fundit, përfshirë edhe sot, kemi qenë në kontakt intensiv me përfaqësues ndërkombëtarë dhe kemi përcjellë shqetësimet e qytetarëve tanë, veçanërisht sa u përket pasojave të mundshme nga zbatimi eventual i këtyre vendimeve të dëmshme”, thuhet në reagim.
Lista Serbe u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që ta shtyjnë sërish zbatimin e këtyre “rregullave”, me qëllim që të gjendet një model i përshtatshëm.
Edhe politikanë të tjerë serbë reaguan ashpër ndaj këtyre masave.
Nenad Rashië, udhëheqës i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili fitoi një ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e fundit, deklaroi më 13 janar për transmetuesin publik kosovar se masat duhet të shtyhen përsëri, pasi “nuk jemi mjaftueshëm të përgatitur”.
Lëvizja Kombëtare Serbe e Millija Bishevacit, Iniciativa Qytetare “Rrënjët” e Ivan Vuçkoviçit dhe Iniciativa Qytetare “Veriu për të gjithë” e Marko Jakshiçit, iu drejtuan më 15 janar me një letër të hapur Qeverisë në detyrë të Kosovës, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, duke kërkuar reagim të menjëhershëm lidhur me zbatimin e Ligjit për komunikacionin dhe Ligjit për të huajt, me arsyetimin se këto masa do t’i prekin mijëra familje.
Këta përfaqësues politikë të serbëve në nivel lokal kërkuan, mes tjerash, shtyrjen e zbatimit të ligjeve të kontestuara, nisjen e dialogut me përfaqësuesit e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joshumicë, si dhe gjetjen e modaliteteve të përshtatshme dhe të zbatueshme që, siç thanë, do t’u sigurojnë qytetarëve një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit kërkoi që zgjidhja të gjendet përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Nga ana tjetër, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i cilësoi këto masa si “hapa të rinj përshkallëzues”.
Kjo zyrë paralajmëroi se, nëse Bashkimi Evropian dhe grupi i Quint-it nuk reagojnë, “Beogradi do të detyrohet të shqyrtojë një përgjigje politike dhe ligjore – adekuate ndaj këtyre shkeljeve drastike të të drejtave themelore të popullit serb përmes masave të reja të njëanshme dhe të dhunshme”./rel
“Ishte e tmerrshme”, banorët përshkruajnë skenat e tmerrit pas aksidentit hekurudhor në Tajlandë
Banorët e Ban Thanon Khot në Tajlandë janë mësuar me gjëmimin e trenave – hekurudha është një mjet kyç transporti që lidh këtë qytet të largët me qendrat e mëdha urbane.
Por të mërkurën, ky ritëm i zakonshëm u shndërrua në tragjedi.
“Zhurma ishte jashtëzakonisht e fortë. Një krismë e madhe, shkatërruese,” tha vullnetarja e një shkolle, Pitchaya Promenade. “Pashë një vinç blu që po rrëshqiste. Dukej sikur u bllokua për një çast dhe më pas u përmbys papritur.”
Vinçi i ndërtimit ishte shembur mbi një tren në lëvizje, duke vrarë të paktën 32 persona dhe duke plagosur 66 të tjerë. Shumica e viktimave ishin nxënës dhe punëtorë që udhëtonin për në shkollë apo në punë. Ministria e Shëndetësisë e Tajlandës njoftoi se tre persona rezultonin ende të zhdukur pas aksidentit.
Kur BBC mbërriti në vendngjarje në mbrëmje, ekipet e shpëtimit ende po nxirrnin trupa nga treni i shkatërruar. Disa pjesë të tij ishin shtypur plotësisht.
![]()
“Nëse do ta përshkruaja vizualisht dëmin, dukej si një lugë që futet në një copë torte,” tha Pitchaya, 32 vjeç, e trajnuar në ndihmë të parë, e cila arriti të ndihmonte disa nga të plagosurit.
“Kishte një grua të moshuar që varej përmbys nga një vagon… Një grua tjetër, me krahun e djathtë që dukej i thyer, po e mbante fort.”
Një nga vagonët mori flakë pas përplasjes, duke e vështirësuar edhe më shumë operacionin e shpëtimit. Ekipet e emergjencës përdorën vinça dhe mjete hidraulike prerëse për të nxjerrë pasagjerët e bllokuar në rrënoja.
“Njerëzit po bërtisnin ‘Ndihmë! Ndihmë!’ dhe tymi po fillonte të ngrihej,” tha pronarja e një restoranti, Penporn Pumjantuek, e cila punon rreth 100 metra larg vendit të ngjarjes. “Vaji nga treni po derdhej kudo.” Ajo tregon se ishte “e ndarë mes frikës dhe guximit”.
“Ende kam frikë kur e mendoj,” i tha ajo BBC Thai. “E mbaj mend atë moment, kur vrapova për t’i ndihmuar, ndërkohë që ende nuk kishte ardhur askush tjetër. Ata po qanin. Ishte e tmerrshme.”
Mes të plagosurve kishte një foshnjë njëvjeçare dhe një 85-vjeçar, ndërsa shtatë persona ndodhen në gjendje kritike, thanë autoritetet të mërkurën.
Suphann Imchantrik, një banor vendas, ishte mes atyre që ndihmuan foshnjën njëvjeçare. “Fëmija ende merrte frymë, por mezi,” tha 52-vjeçari.
“Pashë edhe të vdekurit… shtrirë aty. Kishte të plagosur. Gjithçka ishte aty, para syve tanë. Ishte një pamje zemërthyese.”
Vinçi i përfshirë në aksident po përdorej për ndërtimin e një hekurudhe ajrore, pjesë e një projekti prej 5.4 miliardë dollarësh amerikanë (4 miliardë paund), i mbështetur nga Kina, që synon të lidhë Bangkokun me Kinën jugperëndimore përmes Laosit./abcnews.al
Vora me stadium, Rama: Mund të presë edhe ndeshje kualifikuese të UEFA-s për klube
Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë mëngjes në rrjetet sociale pamje nga stadiumi i përfunduar e Vorës.
“Stadiumi i Vorës, një infrastrukturë e re që i shtohet futbollit shqiptar
Ekipi i Vorës do të luajë për herë të parë ndeshjet në shtëpi në Superiore, një moment historik për klubin dhe qytetin.
Kjo arenë moderne jo vetëm që përmbush standardet e kampionatit kombëtar, por krijon edhe mundësinë që në të ardhmen të presë ndeshje kualifikuese të UEFA-s për klube.” shkruan Rama.
Venezuela liron amerikanët/ DASH: Hap i duhur nga autoritetet e përkohshme të vendit
Venezuela ka filluar lirimin e shumë të burgosurve amerikane të ndaluar në të gjithë vendin. Një zyrtar i departamentit të shtetit e cilësoi këtë veprim një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur nga autoritetet e përkohshme të vendit.
Ky është rasti i parë që nga arrestimi i Nicolas Maduro, që Karaksi zyrtar liron të burgosur nga Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë Kombet e Bashkuara kanë thënë se se Venezuela deri më tani ka liruar vetëm rreth 50 persona nga më shumë se 800 të burgosurish politikë që besohet se mbahen në vend.
Lëvizja e fundit e presidentes së përkohshme Delcy Rodriguez sinjalizon një përpjekje për të fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, pavarësisht se strukturat që mbështesnin regjimin e Maduro, mbeten në vend edhe pas arrestimit të tij.
Lirimi i qytetarëve amerikanë vjen përpara një vizite në Shtëpinë e Bardhë të enjten nga María Corina Machado, udhëheqësja e opozitës dhe fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, e cila ka bërë përpjekjet e saj për të fituar mbështetjen e Trump.
Machado ka deklaruar se dëshiron t’ia transferojë Nobelin presidentit amerikan, si shenjë mirënjohjeje e popullit Venezuelian edhe pse komiteti norvegjez që ndan çmimin ka thënë se diçka e tillë është e pamundur.
Vetë Donald Trump ka thënë se do e pranonte me kënaqësi çmimin, pasi sipas tij e meriton për konfliktet që ka përfunduar.
Megjithatë pas rrëzimit të Maduro ai theksoi se Machado nuk mund të marrë pushtetin në Venezuelë, pasi nuk ka mbështetje nga qytetarët e vendit./abcnews.al
Skenë krimi… dhe dhimbjeje/ Një javë pas djegies, tregu ende jashtë funksioni
Është larguar tymi, por gjurmët e flakëve janë të pranishme edhe gjashtë ditë pas zjarrit.
Dy magazinat e tregut të ish uzinës “Dinamo” në lagjen “5 maji” në Tiranë vijon ti rrethojë shiriti i policisë.
Veshje, këpucë, orendi shtëpiake brenda dyqanve të shkrumbuara dëshmojnë për dëmin e shkaktuar.
Disa artikuj guzhine që nuk shërbejnë janë të vetmet produkte që i kanë mbetur familjes Gjini nga puna prej rreth tetë vitesh në këtë treg pas zjarrit të së enjtes së shkuar.
“E fundit ka ik nusja me gocën dhe kunata. E kam marrë vesh nga komshiu ngjti, jo nga këta të tregut që ka ra zjarr.” thotë ai.
Mundi i një jete i është shkrumbuar.
“Kam gjendje inventarin në shtet të deklaruara mbi 500 mln lekë, është gjithë jeta ime që kam punuar këtu, jo vetëm e imja, por e gruas, e njerëzve të mi” shton ai.
Biznesin tregon se nuk e ka pasur të siguruar.
“Pa siguruar, e kemi në kontratë që nuk merret përsipër as nga zjarri as nga gjë”- thotë ai.
Flakët që përfshinë tregun më tetë janar u përhapën me shpejtësi dhe dëmtuan rreth 120 biznese të cilët ushtronin aktivitetin këtu në këmbim të qerasë mujore.
Policia dyshon se zjarri u shkaktua nga një shkëndijë elektrike, por ngjarja pritet të sqarohet në fund të hetimeve, përfundim që presin ta mësojnë dhe ato tregtarë që po mundohen për tja rifilluar pas dëmit që pësuan./abcnews.al
Diplomacia parlamentare/ Peleshi në Romë, për integrimin
Roma ishte ndalesa e rradhës e kryeparlamentarit Niko Peleshi në turin e diplomacisë parlamentare për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kreu i Kuvendit u prit nga presidenti i Dhomës së Deputeteve të Parlamentit Italian, Lorenzo Fontana, i cili rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si në aspektin politik ashtu edhe në atë teknik, duke nënvizuar se Dhoma e Deputetëve do të vijojë të nxisë këtë mbështetje.
Fontana vlerësoi komunitetin shqiptar në vendin fqinj ndërsa nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar në fusha si mbrojtja, arsimi dhe turizmi. Në takim u vlerësua dhe zbatimi I marrëveshjes së pensioneve, ku deri më tani numërohen rreth 3500 aplikime.
Peleshi u ndal tek roli i Kuvendit në procesin e integrimit në BE- që mbetet destinacioni i vetëm për Ballkanin Perëndimor.
Shqipëria është në pritje të mbylljes së grupkapiitujve të anëtarësimit, me objektiv, përmbyllja e procesit teknik brenda 2027. Më pas do të nisë procesi politik ku Italia pritet të mos e kursejë mbështetjen për Shqipërinë, sic e konfirmoi dhe kryeministrja Meloni, në mbledhjen e parë të përbashket mes dy qeverive, nëntorin e vitit të kaluar./abcnews.al
Akuzohet në Itali, si pjesëtar i një organizate kriminale/ Kapet 23 vjecari në Fier
Akuzohet në Itali, si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike, kapet në Fier dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 23-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, bazuar në informacionet e siguruara nga bashkëpunimi me partnerët italianë, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Gjurmimi”, si rezultat i të cilit u kap në qytetin e Fierit dhe u arrestua provizorisht me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi: E. F., 23 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Riminit, Itali, në vitin 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për të finalizuar procedurën e ekstradimit të këtij shtetasi, në Itali.
Berisha, SPAK: Larg duart nga familja! Hetoni Kuvendin, por jo pasuritë e fëmijëve të mi
Hetimi i Rithemelimit nga Spak nuk e shqetëson aspak Sali Berishën.
“Është një hetim i mirëfilltë politik për Kuvendin e Rithemelimit, për të cilin unë nuk kam asnjë vërejtje. “- tha Berisha
Amnistimi qetësoi dhe lehtësoi Bardhin i cili erdhi në mbledhjen e doktorit me drejtuesit politik. Por për doktorin faji i mbetet kujt e spiunoi tek amerikanët. Si duket edhe për këtë ka zgjedhur të besojë Gazment Bardhin.
“Por di që në atë kohë, Lulzim Basha i dha Gabriel Eskobarit dhe Yuri Kim-it, një listë të bizneseve që po sponsorizonin Sali Berishën. Dhe ata filluan të therrasin një e nga një biznesmenë të cilët nuk kishin dhënë kurrë dhe nuk u kisha kërkuar kurrë një qindarkë. “- u shpreh ai.
Por nëse për PD. Doktori është i qetë, vija e tij e kuqe mbetet jo partia por familja. Aty SPAK e ka të ndaluar të afrohet.
“Ky hetim politik që bëhet nuk ka asnjë lidhje me asnjë hetim pasuror të Sali Berishës dhe fëmijëve të tij. Por fakti që aty nuk kanë çfarë të hëtojnë dhe duan ta lidhin me diçka që të gënjejnë, kjo është e dënueshme. Dëshmon se ata bëjnë një hetim politik. Hetimi pasuror i Sali Berishës dhe fëmijëve të tij, është bërë me lupë, është finalizuar dhe është dërguar me kohë në gjykatë. “- shtoi Berisha.
Por nëse ka ndryshuar dicka tek doktori muajin e fundit është qasja ndaj SPAK. Me drejtues të ri, nuk ka ndryshuar vetëm emri por edhe besimi.
“Do të cojme cdo padi ccdo provë, pa diskutim. Altin Troplini i ka konservuar për ca kohë, por ato mbetën aty. Mos kujtojë Rama e Troplini do shpëtojnë qoftë nga inceneratori, qoftë nga Durana.”-tha ai./abcnews.al
Ndoci: E vërteta sipas meje/ Sonte në ‘Real Story’, i arratisuri tregon versionin e tij
Familjarë të Altin Ndocit thonë se nuk e dinë se ku ndodhet i afërmi i tyre, por këmbëngulin në pafajësine e tij.
Sipas tyre Ndoci nuk është fajtor për akuzat që i bën media dhe SPAK, dhe fajësojnë Nuredin Dumanin se kërkon ta përfshijë në ngjarje ku ai nuk ka qenë kurrë pjesë.
Sonte në ora 20:00 në Real Story, për herë të parë avokatët e të arratisurit do flasin e do tentojnë të tregojnë versionin që vetë Ndoci ka për akuzat nën të cilat është vënë, dhe arsyet për të cilat ai u arratis për t’ju shmangur drejtësisë./abcnews.al
Monedha digjitale/ Sejko në Vjenë: BSH po ndjek qasje të kujdesshme
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në punimet e Forumit të Vendeve të Evropës Qendrore në Vjenë të Astrisë. Në fjalën e tij, Guvernatori u ndal në tre çështje kryesore: kthimin te bazat e politikës monetare dhe menaxhimin e goditjeve nga ana e ofertës; rolin e politikës monetare në mbështetjen e financimit të gjelbër; si dhe perspektivat e monedhës digjitale të bankës qendrore. Ai theksoi se Banka e Shqipërisë arriti të përballojë me sukses goditjet inflacioniste të viteve 2022–2023, duke siguruar një kosto të ulët për rritjen ekonomike .
Sa i përket monedhës digjitale, ai theksoi se Banka e Shqipërisë po ndjek një qasje të kujdesshme dhe të mirëanalizuar, duke vlerësuar kostot, përfitimet dhe parakushtet e nevojshme për një zbatim të suksesshëm, në një mjedis me zhvillime teknologjike.
Gjatë sesionit të pyetjeve dhe përgjigjeve, Guvernatori theksoi rëndësinë e faktorëve vendas në përcaktimin e politikës monetare, si dhe nevojën për mbrojtjen e pavarësisë së bankave qendrore. Ai nënvizoi se procesi i integrimit evropian forcon kornizën institucionale dhe besueshmërinë e Bankës së Shqipërisë, duke garantuar stabilitetin afatgjatë ekonomik të vendit./abcnews.al
Arratisja e Altin Ndocit/ Reagon Drejtoria e Burgjeve: Burgu i Durrësit nuk respektoi protokollin
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar një ditë pas arratisjes së Altin Ndocit nga spitali i Durrësit.
“Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.” thuhet në njoftim, ku theksohet edhe një herë se është pezulluar gjithë zinxhiri komandues i burgut të Durrësit, ndërsa janë ndaluar 8 persona të tjerë.
Deklarata e plotë:
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Spitalin Rajonal Durrës, më datë 13.01.2026, ku është arratisur i paraburgosuri Altin Ndoci, sqarojmë sa vijon:
Shtetasi Altin Ndoci ka qenë i akomoduar në IEVP Durrës që prej datës 20.05.2020, me masë sigurimi “arrest me burg”. Me vendimet Nr. 82, datë 21.07.2020; Nr. 42, datë 17.05.2022; dhe Nr. 86, datë 29.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj tij është caktuar masa e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale: vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, armëmbajtje pa leje, organizatë kriminale, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal, të parashikuara nga nenet 79/dh, 278/1, 28/1, 28/4, 333 dhe 334 të Kodit Penal.
Më datë 13.01.2026, i paraburgosuri ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili ka rekomanduar konsultë me mjek kirurg. Në vijim, nga strukturat përkatëse të IEVP Durrës (shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ai ligjor) janë hartuar aktet përkatëse dhe është planifikuar shoqërimi për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, sipas itinerarit: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP, brenda së njëjtës ditë.
I paraburgosuri është paraqitur në pavionin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 (dy) orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset.
Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.
Nisur nga të dhënat paraprake, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ, konkretisht:
• z. Indrit Cerloj – Drejtor i IEVP Durrës;
• z. Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;
• z. Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar);
• znj. Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;
• z. Aulon Quku – Kryeinfermier;
• z. Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• znj. Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve.
Referuar ngjarjes dhe veprimeve të ndërmarra Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është vendosur ndalimi i shtetasve të mëposhtëm:
• Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
• Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon me marrjen e të gjitha masave të nevojshme ligjore dhe administrative, si dhe me forcimin e protokolleve të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
Lebron i afrohet historisë/ Kapiteni i Lakers shkëlqen, Atlanta dorëzohet në Los Angeles
Nuk është se ka nevojë për shumë kulme të tjera. Lebron Xhejms vazhdon të luajë në NBA për të fituar titullin kampion për herë të pestë, e për t’iu afruar Majkëll Xhordanit, por gjithsesi pas 23 sezonesh në elitë rekordet vetëm shtohen.
Shënuesi më I mirë I të gjitha kohëve në basketbollin amerikan, dhe katër herë kampioni, ishte shumë pranë një tjetër arritjeje historike. Në fitoren e Lejkërsave ndaj Atlantës, ai iu afrua një tripëll dabëlli.
Shënoi 31 pikë, kapi 9 topa në tabela e shërbeu 10 asistë, e nëse do t’ia kishte dalë, do të ishte bërë më I vjetri në historinë e NBA-së me një tripëll dabëll.
Ky nder mbeti për legjendën tjetër, Karl Maloun, që e ka bërë tek Juta Xhaz në 2003 kur kishte moshën 40 vjeç e 127 ditë. Lebron i ka kaluar 41 vjeç që nga 30 dhjetori, por tripëll dabëll nuk realizon prej shkurtit 2025.
Falë kapitenit, dhe falë edhe yllit tjetër, Luka Doncic, Lejkërsat fituan thellësisht 141-116 ndaj Atlantës në Los Anxhelos, duke lënë pas tri humbje radhazi.
Xhejms nuk pritej që të luante, sepse me moshën që ka bën shumë pushim, por vendosi të sakrifikonte dhe deklaroi më pas se u ndje shumë mirë.
Skuadra nga Kalifornia është në vendin e pestë në Konferencën Perëndimore, me distancë nga Oklahoma që kryeson, por shumë pranë vendit të dytë që mbahet nga San Antonio
Sheikët, “çek të bardhë” për Messi/ Oferta e çmendur e Al Ittihad për yllin e futbollit botëror
Paratë nuk janë problem, por deri tani nuk kanë funksionuar për të realizuar ëndrrën e madhe të sheikëve për të bashkuar Lionel Messi me Cristiano Ronaldo në Arabinë Saudite.
Por kjo nuk do të thotë se ata kanë hequr dorë.
Konfimimi vjen nga Anmar Al Hail, presidenti i Al Ittihad, i cili është gati të bëjë gjithçka për të marrë shërbimet e “Pleshtit” argjentinas. Sheiku saudit nuk tërhiqet edhe pse në vitin 2023 mori një përgjigje negative nga Lionel Messi. Atëherë, sulmuesi ishte duke u larguart nga Paris SG, ndërsa mori një ofertë të çmendur, 400 milion euro në vit për tu tranferuar te Al Ittihad.
Messi zgjodhi më parë të transferohej te Inter Miami në SHBA, por Al Hail nuk është dorëzuar.
“Nëse Messi dëshiron të firmosë për Al Ittihad, unë do t’I jap një çek të bardhë dhe ai mund të shkruajë cfarë shifre të dojë dhe për sa kohë të dojë. Edhe për gjithë jetën”, ka thënë presidenti i klubit saudit për mediat në vend, ndërsa deklaratat e tij kanë bërë xhiron e të gjitha mediave botërore.
Një ofertë e padëgjuar më parë, që do të trondiste këdo, ndrësa edhe tani topi është në këmbët e Lionel Messi./abcnews.al