Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 February 2026Main stream

Miratohet amnistia penale, lirohen 447 të burgosur, ulje dënimi për 853 të dënuar

6 February 2026 at 15:10

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari informoi se qeveria miratoi sot amnistinë penale.

Përmes një deklarate për mediat, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Lamallari tha se “447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm nga burgu dhe 853 të tjerë ulje dënimi. Mes tyre ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj. Numri real i përfituesve nga pushimi i ndjekjes penale është shumë më i lartë”.

“Në mbledhjen e sotme të qeverisë miratuam amnistinë penale, nismën që prezantuam rreth një muaj më parë dhe nga sot ky vendim depozitohet në Kuvend. Nga të dhënat më të fundit të rakorduara me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Provës si dhe Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se plot 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe 853 të tjerë ulje dënimi, ndërkohë nga Shërbimi i Provës amnistohen 5077 të dënuar me masa alternative”, tha Lamallari, ndërsa theksoi se duke filluar nga viti 2024 pushohet ndjekja penale për plot 14 mijë procedime për vepra të lehta.

“Përveçse një akt i qartë human dhe një mundësi e dytë për rehabilitim dhe riintegrim, ky është një hap konkret që ul presionin e popullimit të burgjeve dhe për të fokusuar drejtësinë aty ku rreziku shoqëror është real. Nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur që synon riintegimin dhe përdorimin më efikas të drejtësisë penale teksa ne po punojmë për të ulur përdorimin e panevojshëm të paraburgimit, në përputhje me shqetësimet e drejta të ngritura nga Këshilli i Evropës si dhe standardet evropiane”, u shpreh ministri Lamallari.

Ministri i Drejtësisë tha më tej se pret që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin pa vonesa, në mënyrë që amnistia të fillojë efektet e saj.

“Objektivi ynë ambicioz është të kemi një sistem që di të ndëshkojë fort kur duhet, por edhe të japë një shans për t’u rikthyer në shoqëri. Drejtësia nuk është vetëm ndëshkim, por edhe një mundësi e dytë e drejtuar nga humanizmi dhe rehabilitimi. Falënderoj të gjitha institucionet që kontribuuan në këtë proces dhe pres që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin sa më parë, në mënyrë që efektet pozitive të amnistisë të ndihen nga mijëra familje shqiptare”, deklaroi Ministri i Drejtësisë.

Nga kjo amnisi nuk përfitojnë subjektet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Projektligji i amnistisë do të depozitohet në Kuvend, ku do të nisë shqyrtimi në komisionet parlamentare dhe më pas kalon për miratim në seancë plenare.

/e.i/r.e/a.f/

The post Miratohet amnistia penale, lirohen 447 të burgosur, ulje dënimi për 853 të dënuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcat e Armatosura drejt standardeve të NATO-s, rritje pagash deri në 70% për nivelet bazë

6 February 2026 at 10:44

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot se modernizimi i Forcave të Armatosura, përmirësimi i kushteve për personelin dhe rritja e pagave mbeten prioritetet kryesore të qeverisë, me synimin për të arritur mesataren e NATO-s deri në vitin 2029.

Ministri Vengu nënvizoi se “forcimi i kapaciteteve njerëzore nuk lidhet vetëm me trajnimin dhe profesionalizimin e vazhdueshëm, por edhe me krijimin e kushteve dinjitoze për shërbimin në Forcat e Armatosura, përmes një politike të qëndrueshme rritjeje pagash që reflekton përgjegjësinë dhe sakrificën e ushtarakëve”.

Në këtë kuadër, Vengu bëri të ditur se pagat në Forcat e Armatosura do të vijojnë trajektoren e rritjes në vitet në vijim.

Vengu tha se “rritja do të jetë 60–70% për nivelet bazë, ndërsa për nivelet e larta të komandimit parashikohet një rritje prej 30–40%”.

Ministri theksoi se kjo politikë synon rritjen e motivimit, forcimin e qëndrueshmërisë së burimeve njerëzore dhe afrimin e standardeve të Shqipërisë me ato të vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Projektbuxheti i vitit 2026 parashikon një rritje të pagave për ushtarakët e Forcave të Armatosura, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe motivimin e efektivëve që shërbejnë në mbrojtjen e vendit.

/e.i/a.f/r.e/

The post Forcat e Armatosura drejt standardeve të NATO-s, rritje pagash deri në 70% për nivelet bazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 5 February 2026Main stream

Mot i keq nesër në Durrës, bashkia apel qytetarëve për kujdes

5 February 2026 at 21:57

TIRANË, 5 shkurt /ATSh/ Sipas të dhënave të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, ditën e nesërme Durrësi pritet të përballet me kushte të përkeqësuara atmosferike, të shoqëruara me reshje të dendura shiu, shtrëngata dhe erëra të forta.

Bashkia Durrës, në një njoftim paralajmëron se këto kushte mund të sjellin problematika në qarkullimin e mjeteve dhe në zonat urbane.

Bashkia u bën thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve dhe të marrin masa për sigurimin e objekteve në hapësirat e jashtme.

Bashkia e Durrësit informon se ndodhet në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate të mundshme.

Strukturat e ndërmarrjeve, shërbimet e emergjencave dhe Policia Bashkiake janë në terren dhe të angazhuara për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe familjeve të tyre në çdo situatë problematike të mundshme.

/e.i/j.p/

The post Mot i keq nesër në Durrës, bashkia apel qytetarëve për kujdes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ARRSH: Hapet qarkullimi në Qafë Thore, ekziston rreziku i riaktivizimit të ortekëve

5 February 2026 at 20:00

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njoftoi mbrëmjen e sotme se rruga në segmentin Qafë Thore-Theth është aktualisht e hapur.

Sipas ARRSH po vijon puna për pastrimin e borës, ndërkohë që kontraktori i mirëmbajtjes së rrugës ndodhet në terren me mjete dhe punëtorë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment nëse do të jetë e nevojshme.

ARRSH bën me dije se ndërkohë vijon monitorimi i situatës për shkak të rrezikut të mundshëm nga ortekët.

ARRSH thekson se “reshjet e borës po vazhdojnë dhe, nëse shtohen gjatë natës, ekziston rreziku i riaktivizimit të ortekëve”.

Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në këtë aks, duke ndjekur udhëzimet e strukturave përgjegjëse dhe duke respektuar rregullat e sigurisë rrugore.

Rruga Qafë Thore-Theth u bllokua sot paradite plotësisht si pasojë e rënies së ortekëve në zonën pranë tuneleve panoramike. Për shkak të rrezikut të lartë, qarkullimi u ndalua për të gjitha automjetet, përfshirë edhe mjetet borëpastruese.

/e.i/j.p/

The post ARRSH: Hapet qarkullimi në Qafë Thore, ekziston rreziku i riaktivizimit të ortekëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritja respektive e investimeve, AIDA memorandum mirëkuptimi me Spirit Slovenia

5 February 2026 at 17:27

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Në Forumin e Biznesit dhe Ekonomisë Shqipëri–Slloveni, i mbajtur ditën e sotme në Tiranë, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Forumi i Biznesit Shqipëri-Slloveni u organizua nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në bashkëpunim me SPIRIT Slovenia, Institute for Strategic Solutions (ISR) dhe ambasadën e Republikës së Sllovenisë në Tiranë, me fokus të veçantë në sektorët e ndërtimit, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT), industrisë ushqimore dhe të pijeve, inovacionit në bujqësi dhe turizmit.

Ky forum është një platformë kyçe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e partneriteteve të reja mes dy vendeve.

Sipas AIDA-s, Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar mes këtij institucioni dhe Spirit Slovenia ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit në drejtim të shkëmbimit të informacioneve, organizimit të aktiviteteve të përbashkëta dhe rritjes së investimeve në vendet respektive.

Gjatë forumit u mbajtën fjalime dhe prezantime nga zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, i cili ftoi bizneset sllovene të investojnë në Shqipëri, duke theksuar stabilitetin makroekonomik.

Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s, Laura Saro, prezantoi potencialin e investimeve dhe rolin e agjencisë si partner i investitorëve gjatë gjithë procesit, me procedura të digjitalizuara dhe mbështetje institucionale të vazhdueshme.

Ambasadori i Sllovenisë Jakob Štunf dhe Tine Kračun, CEO i Institute for Strategic Solutions, theksuan rëndësinë e momentit për marrëdhëniet ekonomike dypalëshe.

Ndërsa, Nataša Kos, përfaqësuese e SPIRIT Slovenia, gjatë fjalës së saj vendosi një fokus të veçantë te ekonomia sllovene, eksportet dhe inovacioni.

Forumi përfshiu dy panele diskutimi, “Më të Fortë së Bashku” dhe “Kur Tregjet Bashkohen”, shndërrim i sfidave globale në mundësi zhvillimi, me fokus te financat, sigurimet, logjistika, inovacioni dhe Inteligjenca Artificiale.

Forumi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik Shqipëri–Slloveni dhe mundësitë për zgjerim dhe investime afatgjata.

Në event morën pjesë përfaqësues institucionalë, liderë biznesi dhe investitorë nga Shqipëria dhe Sllovenia.

/e.i/j.p/

The post Rritja respektive e investimeve, AIDA memorandum mirëkuptimi me Spirit Slovenia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkodra bëhet gati për Karnavalet nga 9-15 shkurt

5 February 2026 at 16:54

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Prej datës 9 deri në 15 shkurt, Shkodra pritet të kthehet në kryeqendrën e festimeve të Karnavaleve, që tashmë janë kthyer në një traditë të përvitshme artistike.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci zhvilloi sot në bashki një takim me strukturat organizative të këtij aktiviteti, ku u diskutua programi i zgjeruar i organizimeve artistike dhe kulturore.

“Po hyjmë në javën e fundit të përgatitjeve për një festë që e tejkalon të zakonshmen, një javë e tërë magjie, ngjyrash dhe fantazie, ku Shkodra vishet me shpirtin e karnavaleve dhe pulson ndryshe”, tha Beci.

Beci shtoi se do të ketë “butafori artistike, karro alegorike, parada plot energji, personazhe groteske dhe të animuara që dalin nga imagjinata, video mapping që e shndërrojnë qytetin në skenë, koncerte, performanca dhe shumë surpriza të tjera që do ta mbajnë publikun në lëvizje, ditë e natë”.

Karnavalet synojnë të tërheqin jo vetëm banorët e qytetit, por edhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni.

Ky organizim ruan traditën e hershme të karnavaleve shkodrane, duke i dhënë qytetit një dimension më modern dhe spektakolar, me synimin për ta kthyer Shkodrën në një destinacion të rëndësishëm kulturor dhe turistik gjatë kësaj periudhe.

Aktivitetet pritet të zhvillohen gjatë ditëve deri në mbrëmje, duke e vendosur qytetin në qendër të atmosferës festive për një javë.

/e.i/j.p/

The post Shkodra bëhet gati për Karnavalet nga 9-15 shkurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Projekti TID në Durrës, protestë e banorëve para bashkisë

5 February 2026 at 16:41

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Banorët që preken nga projekti për Transformimin e Integruar të Durrësit (TID) i janë rikthyer protestave para bashkisë së qytetit, duke kërkuar transparencë dhe zgjidhje të qarta për strehimin dhe dëmshpërblimin e tyre.

Qytetarë të zonave që përfshihen në projekt u mblodhën në orët e paradites së sotme përpara bashkisë, ku shprehën shqetësimin për procesin e shpronësimeve dhe ecurinë e programit të rindërtimit urban. Ata deklaruan për mediet se ende nuk kanë marrë përgjigje mbi afatet, vlerësimin e pronave dhe alternativat e strehimit për familjet që duhet të largohen nga banesat e tyre.

Qytetarët kërkuan që vendimmarrja për projektin të jetë gjithëpërfshirëse dhe të garantojë trajtim të drejtë për çdo familje të prekur.

Në pankartat e mbajtura gjatë protestës, banorët kërkuan transparencë, informim të vazhdueshëm dhe respektim të të drejtave të pronës. Disa prej tyre paralajmëruan se protestat do të vijojnë nëse nuk do të ketë reagim konkret nga institucionet përgjegjëse.

Projekti për Transformimin e Integruar të Durrësit synon rigjenerimin urban të zonave të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne, por procesi i zbatimit ka hasur në kundërshti dhe shqetësime nga komuniteti lokal.

/e.i/j.p/

The post Projekti TID në Durrës, protestë e banorëve para bashkisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Jaka: Siguria ushqimore është siguri kombëtare, zero kompromis me cilësinë

4 February 2026 at 14:54

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka u shpreh sot se duhet krijuar besim te konsumatori shqiptar, duke mos pasur asnjë kompromis me sigurinë ushqimore.

Në aktivitetin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Jaka tha se “siguria ushqimore është siguri kombëtare”.

“Nëse i referohemi kësaj formule, rritet edhe shkalla e përgjegjësisë e secilit prej nesh, qoftë e politikbërjes, qoftë e operatorëve ekonomikë që janë në terren. Të përafrosh aktet nënligjore shqiptare me ato të BE-së është një detyrë e mbyllur tashmë përderisa 95% e popullit shqiptar e kërkon këtë gjë”, tha Jaka.

“Është e rëndësishme të bëhet një analizë në terren. Bujqësia dhe blegtoria janë ndër problemet më të mëdha që Shqipëria ka. Mund të ketë konkurrencë të pandershme, por ne duhet ta mbrojmë fermerin dhe produktet tona. Më shumë problematik është sektori i blegtorisë qoftë në industirnë e qumështit, mishit dhe nënprodukteve të tjera”, vijoi ai.

Jaka tha se çmimi i qumështit në Shqipëri është 50% më i shtrenjtë se në çdo vend tjetër të Ballkanit dhe Evropës.

“Që të krijomë besim te konsumatori shqiptar duhet të kemi institucione të përgjegjshme, laboratorë ekselentë që të mos kundërshtojmë përgjigjet që dalin nga laboratërët tanë dhe të mos kemi asnjë kompromis me sigurinë ushqimore”, theksoi Jaka.

/e.i/a.f/

The post Jaka: Siguria ushqimore është siguri kombëtare, zero kompromis me cilësinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: 20 milionë dollarë investim për ndërtimin e shtatë Pikave të Inspektimit Kufitar

4 February 2026 at 14:25

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian prioritetet dhe angazhimet e institucionit që ai drejton në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe shëndetit të bimëve, në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjatë fjalës së tij, ministri Salla theksoi se adresimi i rekomandimeve të Raportit të Komisionit Evropian 2025 në këto fusha përbën një komponent thelbësor të ecurisë së negociatave në kuadër të Grupkapitullit 5 dhe veçanërisht të Kapitullit 12. “Përmbushja e kërkesave në këtë kapitull nuk kufizohet vetëm në përafrimin e legjislacionit, por kërkon ndërtimin dhe funksionimin efektiv të një sistemi kontrolli të barasvlefshëm me atë të BE-së,” u shpreh ai.

Ministri vuri në dukje se siguria ushqimore lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e njeriut, besimin e konsumatorit dhe aftësinë e produkteve shqiptare për të hyrë dhe konkurruar në tregun evropian. Në këtë kuadër, ai theksoi se gjatë periudhës së fundit është punuar intensivisht për përmirësimin e kuadrit ligjor, forcimin e kontrollit zyrtar në të gjithë zinxhirin “nga ferma në tavolinë”, rritjen e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e infrastrukturës mbështetëse, si laboratorët dhe pikat e kontrollit kufitar.

Ministri Salla theksoi se përafrimi i legjislacionit mbetet një nga detyrat kryesore të procesit. Ai bëri të ditur se për vitin 2026 parashikohet miratimi i rreth 90 akteve nënligjore dhe 5 akteve zbatuese në fushën e sigurisë ushqimore, 31 akte nënligjore në fushën e veterinarisë për periudhën 2026–2027, si dhe 10 akte nënligjore në fushën fitosanitare gjatë vitit 2026.

Në fjalën e tij, ministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së Bashkimit Evropian dhe të qeverisë gjermane përmes projektit “EU for Food Safety”, i cili synon përgatitjen e Programit Kombëtar për përmirësimin e standardeve të operatorëve të biznesit ushqimor dhe përmirësimin e cilësisë së qumështit të papërpunuar.

Salla theksoi se përveç hartimit të akteve nënligjore, fokusi do të jetë edhe te forcimi i kontrolleve zyrtare të bazuara në risk, për produktet e importit, eksportit dhe prodhimit vendor, në mënyrë që standardet të zbatohen njësoj në të gjithë territorin.

Në këtë drejtim, ministri bëri të ditur se parashikohet një investim prej rreth 20 milionë dollarësh për ndërtimin e shtatë Pikave të Inspektimit Kufitar, si dhe për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale të AKU-së dhe ISUV-it, të cilat kanë rol kyç në procesin e integrimit evropian dhe kontrollin e importeve dhe eksporteve.

Në përmbyllje, ministri Salla theksoi se procesi i integrimit kërkon angazhim të përbashkët. “Sfida nuk është vetëm të miratojmë aktet sipas BE-së, por t’i zbatojmë ato në praktikë”, u shpreh ai, duke nënvizuar nevojën për më shumë standardizim, investime, trajnime dhe bashkëpunim të ngushtë me bizneset, fermerët dhe shoqatat.

“Ne do të vijojmë mbështetjen praktike për operatorët dhe fermerët, me qëllim forcimin e besimit dhe garantimin e sigurisë ushqimore për konsumatorin”, përfundoi ministri Salla.

/e.i/r.e/a.f/

The post Salla: 20 milionë dollarë investim për ndërtimin e shtatë Pikave të Inspektimit Kufitar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla për sigurinë ushqimore: 90 akte nënligjore për miratim në kuadër të integrimit në BE

4 February 2026 at 12:35

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla tha sot se standardet evropiane nuk duhet të shihen si pengesë, por si rrugë e përbashkët për të rritur tregun dhe cilësinë ushqimore.

Në aktivitetin e organizuar nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, ministri Salla tha se adresimi i rekomandimeve në raportin e Komisionit Evropian 2025 në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitarisë, përbën një komponent thelbësor në ecurinë e Shqipërisë në Grupkapitullin 5, Kapitulli 12.

“Përmbushja e kritereve në këtë kapitull nuk kufizon vetëm përafrimin e legjislacionit, por kërkon ndërtimin dhe funksionimin efektiv të një sistemi kontrolli të barasvlershëm me BE-në ku siguria ushqimore lidhet me shëndetin e njeriut, me besimin e konsumatorit te produktet që konsumojnë dhe me sigurinë dhe prodhimi shqiptar të hyjë dhe të kontribuojë në tregun evropian”, tha Salla.

Salla tha se ka një fokus të veçantë në forcimin e kontrollit zyrtar që të jetë më i mirorganizuar në gjithë zinxhirin, nga ferma në tavolinë, në rritjen e kapaciteteve, më shumë përgjegjësi me terrenin, përmirësim të infrastrukturës mbështetëse me laboratorë dhe kontrollin kufitar, sepse pa to nuk ka siguri ushqimore reale.

Sipas Sallës, në fazën aktuale të negociatave me BE-në, sfidat mbeten në përafrimin e legjislacionit, për të cilin është përgatitur një plan veprimi i detajuar për gjithë afatet ligjore për Kapitullin 12.

“Për vitin 2026 për sigurinë ushqimore kemi parashikuar të miratojmë 90 akte nënligjore plus 5 akte zbatuese, ndërsa për veterinarinë 31 akte nënligjore deri në vitin 2027, për fitosanitarinë parashikohet miratimi i 10 akteve nënligjore për vitin 2026. Me mbështetjen e BE-së dhe Gjermanisë kemi nisur programin E4FoodSafity, që do të ndihmojë të përgatisë programin kombëtar për përmirësimin e standardeve të operatorëve ushqimorë që prodhojnë produkte shtazore dhe programin për qumështin e papërpunuar”, theksoi ai.

Ministri Salla shtoi se, njëherësh janë 20 milionë dollarë në dispozicion për të mbështetur ngritjen e shtatë pikave të inspektimit kufitar, pasi janë një element i rëndësishëm në procesin e kontrollit të import-eksporteve dhe integrimit në BE.

/e.i/r.e/a.f/

The post Salla për sigurinë ushqimore: 90 akte nënligjore për miratim në kuadër të integrimit në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministria e Shëndetësisë: Nuk ka rritje të çmimeve të barnave, janë më të ulta se në vitin 2025

3 February 2026 at 14:24

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon qytetarët se nuk ka rritje të çmimeve të barnave për vitin 2026.

Në një njoftim publik, MShMS, thekson se “çmimet e ndryshuara janë krahasimisht më të ulta se në vitin 2025”.

Në bazë të kuadrit ligjor në fuqi, MShMS, bën me dije se data 31 dhjetor 2025 ka qenë afati i fundit për miratimin të çmimeve të barnave “CIF/EXW2026”, listë e cila i është përcjellë zyrtarisht Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSKDSh).

“FSDKSH, për miratimin e listës së barnave që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe masës së mbulimit të çmimit të tyre”, i ndryshuar, si hap të parë ka reflektuar me efekt të menjëhershëm uljen e çmimeve për barnat alternativë e vetme të Listës së Barnave të Rimbursueshme (LBR) në fuqi. Kjo praktikë është e ndjekur prej vitesh dhe është e njohur nga subjektet tregtare farmaceutike”, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se përmes Komisioni të Çmimit të Barnave, çdo vit miraton çmimin e barnave, bazuar në VKM “Për ngritjen dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit të Çmimit të Barnave”, e ndryshuar.

“Mbajtësit e autorizimit të tregtimit të barit në Shqipëri ose përfaqësuesi ligjor i autorizuar prej tij, brenda datës 31 tetor të çdo viti, deklarojnë me shkresë, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi, në zarf të mbyllur, pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, çmimet “CIF” në euro ose dollarë, për barnat e importit dhe çmimet EXW (ex-work) në lekë, për barnat e fabrikuara në vend, kur barnat janë të pajisura me autorizim për tregtim”, vijon njoftimi.

“Në rastet kur bari është në proces për t’u pajisur me autorizim për tregtim ose proces rinovimi të autorizimit për tregtim, mbajtësi i autorizimit për tregtim ose përfaqësuesi i tij ligjor i autorizuar prej tij kanë të drejtë të bëjnë deklarim të çmimit të barit por komisioni miraton çmimin e barit, pasi ai është pajisur me autorizimin për tregtim”, cilësohet në njoftim.

MShMS thekson se “çmimi i referencës për Shqipërinë” do të jetë çmimi më i ulët nga elementet si çmimi që aplikohet ndër pesë shtetet referente (Itali, Greqi, Serbi, Maqedoni dhe Kroaci); çmimi i tregtimit me pakicë të barit në vendin e origjinës dhe çmimi i barnave të importuara në Republikën e Shqipërisë, gjatë 12 muajve të fundit.

“Çmimi i barit gjenerik duhet të jetë deri në 80% të çmimit të barit origjinator, të regjistruar pranë Agjencisë. Nëse bari origjinator nuk është i regjistruar në Republikën e Shqipërisë, atëherë do të merret për bazë çmimi i tij në vendet e referencës dhe të origjinës. Barnat, për të cilat nuk është deklaruar çmim, brenda datës 31 tetor të vitit aktual, humbasin të drejtën për t’u përfshirë në listën e barnave të rimbursueshme për vitin pasardhës”, vijon njoftimi.

Sipas MSHMS, “Barnat të cilat janë në proces të pajisjes me autorizim ose rinovim autorizimi për tregtim dhe kanë deklaruar çmim brenda datës 31 tetor të vitit aktual, do të lejohen të aplikojnë për t’u përfshirë në listën e barnave të rimbursueshme, nëse bari pajiset me autorizim për tregtim deri në momentin e fillimit të procedurës së rishikimit të listës së barnave të rimbursueshme nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”.

/e.i/a.f/r.e/

The post Ministria e Shëndetësisë: Nuk ka rritje të çmimeve të barnave, janë më të ulta se në vitin 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Rritja e imazhit të Shqipërisë ndërkombëtarisht, themeli i punës dhe përpjekjeve tona

3 February 2026 at 12:40

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, në një konferencë me gazetarët, tha se sfidat e vitit që sapo ka nisur janë të jashtëzakonshme sepse të tilla janë pritshmëritë e qytetarëve dhe ambiciet e Qeverisë.

Gonxhja nënvizoi se në zbatim të programit të Qeverisjes Shqipëria 2030 për rritjen e ekosistemit të mikpritjes, së promovimit të vendit dhe identitetit tonë, të mirëmenaxhimit të pasurive publike, si bregu ujor, plazhet dhe destinacinet turistike mbrotjes së trashëgii kulturore, mbështetja e një kalendari spektakolar aktivitetesh mes traditës dhe modernes, dhe natyrës dhe itinierarit.

“Rritja e imazhit të Shqipërisë ndërkombëtarisht, e vizitueshme 365 ditë të vitit është themeli i punës dhe përpjekejve tona. Bashkimi i kulturës, rinsië dhe sportit flet qartë për sinergjinë organike dhe natyrshmërinë e sektorëve në organika dhe mision”, tha Gonxhja.

“Hartimi dhe përditësimi i strategjive sektoriale në koordinim mes tyre janë garancia e një akritekture të qendrueshme dhe afatgjatë. Lufta jonë parësore është që të kërkojmë përtej tavaneve buxhetore, jo vetëm sepse edhe në kohët të mira ato nuk mjaftojnë, por sepse Shqipëria duhet të shpikë shumëfish fonde nëse duam të kapim kohën e humbur, të shpëtojmë thesaret tona të rrezikuara, të maksimizojmë vlerën e aseteve tona historike në funksion të zhvillimit të komunitetece të turizmit dhe ekonomisë”, vijoi Gonxhja.

vijon…

/e.i/a.f/

The post Gonxhja: Rritja e imazhit të Shqipërisë ndërkombëtarisht, themeli i punës dhe përpjekjeve tona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gogu: Kontroll më i fortë për substancat me potencial abuzimi

3 February 2026 at 12:28

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu u ndal sot gjatë punimeve në Kuvend te diskutimet për projektligjin “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope””.

Gogu tha se ky projektligj i parë për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope nuk bën gjë tjetër veçse përditëson listën e tyre në zbatim të disa protokolleve ndërkombëtare.

“Është e vërtetë që dy projektligjet që sjell qeveria sot para jush janë në dukje teknike, por janë thelbësore për shkak se kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me mbylljen e hapësirave të tregut të paligjshëm të barnave narkotike dhe lëndëve psikotrope. Dhe lidhen drejtpërsëdrejti me shëndetin publik, me sigurinë, me shtetin e së drejtës dhe me standardet ndërkombëtare”, tha Gogu.

“Në thelb, projektligji i parë për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope nuk bën gjë tjetër veçse përditëson listën e tyre në zbatim të disa protokolleve ndërkombëtare. Dhe për ta thënë për specialistët e fushës që na ndjekin edhe më qartë, bëhet fjalë për përditësimin që ka bërë Komisioni për Lëndët Narkotike pranë Kombeve të Bashkuara në sesionin e 68-të, në zbatim të rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ku ka përfshirë në këtë listë tre grupe”, vijoi ai.

Gogu nënvizoi se “një kanabinoid gjysmësintetik që është heksahidrokanabinoli dhe që po shfaqet gjithnjë e më shumë si në tregjet komerciale, po ashtu edhe në tregjet e paligjshme. Carisoprodoli është një lëndë tjetër që është relaksues muskujsh, por që me veprim në sistemin nervor qendror ka një potencial abuzimi”.

“Por ky është një nga detyrimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe juve, që nga momenti që u larguat nga lulëzimi evropian ku e kishit integrimin në pjesën e parë të verbit tuaj politik, siç u thoshte dhe një kolege që kishit mes jush, dhe tani kemi hyrë në atë dimrin e vetmisë së madhe, ku ju mbyllin mikrofonat nëpër Evropë”, pohoi Gogu, ndërsa theksoi se me këtë projektligj mbrohet shëndeti publik, baza ligjore për institucionet ligjzbatuese bëhet më e qartë dhe më kontrolluese dhe harmonizohen standardet ndërkombëtare, duke e zhdukur zonën gri.

“Kurse projektligji i dytë, ai për kontrollin e këtyre lëndëve, merret me përkufizimet dhe i qartëson ato mirë dhe siguron forcimin dhe përditësimin e kontrollit ligjor për të mbyllur boshllëqet që krijohen nga prodhimi i këtyre lëndëve narkotike gjithmonë e më shumë në tregun botëror iu përgjigjet këtyre zhvillimeve dhe përputhet plotësisht me standardet e Bashkimit Evropian”, tha ai.

Ministri Gogu pohoi se me këto projektligje po forcohet kontrolli dhe po përditësohen direktivat e Bashkimit Evropian.

/e.i/a.f/r.e/

The post Gogu: Kontroll më i fortë për substancat me potencial abuzimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

32 mjekë dhe 312 infermierë të angazhuar në shërbimet onkologjike në spitale

3 February 2026 at 12:13

TIRANË, 3 shkurt/ATSh/ Shërbimi Onkologjik në Shqipëri përbën një hallkë të rëndësishme të sistemit shëndetësor, duke ofruar diagnostikim, trajtim dhe ndjekje për pacientët e prekur nga sëmundjet tumorale.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (MShMS) bën me dije se shërbimet onkologjike ofrohen në 8 spitale rajonale, si edhe nga Qendra Shëndetësore e Shërbimit Onkologjik në Banesë, Tiranë.

Sipas MShMS, këto struktura sigurojnë trajtim dhe ndjekje të vazhdueshme për pacientët, përmes shërbimeve të specializuara onkologjike, përfshirë kimioterapinë dhe kujdesin paliativ.

Në njoftimin e MShMS thuhet se “32 mjekë dhe 312 infermierë janë çdo ditë në gatishmëri ndaj nevojave të pacientëve, duke ofruar kujdes profesional, mbështetje, dhe ndjekje të personalizuar gjatë gjithë rrugëtimit të trajtimit”.

Ky shërbim ofron trajtime të specializuara si kimioterapia, radioterapia, terapitë hormonale, si dhe kujdesin paliativ për pacientët në stadet e avancuara të sëmundjes. Krahas kësaj, funksionojnë edhe shërbime mbështetëse si imazheria, anatomia patologjike dhe laboratorët e specializuar, të domosdoshëm për diagnostikim të saktë.

/e.i/a.f/r.e/

The post 32 mjekë dhe 312 infermierë të angazhuar në shërbimet onkologjike në spitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zhupa: Projektligji i PD-së në mbështetje të mësuesve, prej nëntorit në sirtarët e Kuvendit

3 February 2026 at 10:17

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, në një deklaratë të dhënë sot për mediet në ambientet e jashtme të Kuvendit, tha se Partia Demokratike ka hartuar një projektligj në mbështetje të mësuesve, i cili ndodhet në sirtarët e Kuvendit prej nëntorit të vitit të shkuar.

Zhupa nënvizoi se prej një viti e gjysmë mësuesve që kanë mbaruar përpara sistemit të Bolonjës, me një VKM nga ish-ministrja Ogerta Manastirliu iu hoq pagesa e kategorisë që nuk i cilëson ata më me arsim të lartë apo me master.

“Këtu filloi një problem shumë i madh për 11 172 mësues të sistemit parauniversitar në Shqipëri, të cilët nisën betejën me peticione e protesta. Këto kaluan në vesh të shurdhër. Unë atëherë kam qenë kryetare e Komisionit të Edukimit dhe kam bërë dëgjesa me ministren Manastirliu, e cila e ka mbrojtur me fanatizëm këtë vendim duke e konsideruar si barazi me punonjësit e administratës publike”, tha Zhupa.

Deputetja e PD-së, shtoi se Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese për ta shfuqizuar këtë VKM që ishte në kundërshtim me ligjin “Për arsimin parauniversitar”.

“Në Gjykatën Kushtetuese duke qenë e ishin 8 anëtarë është bërë ndarja 4 me 4 dhe nuk kanë arritur ta rrëzojnë këtë vendimmarrje të qeverisë”, vijoi ajo.

“Qeveria doli palë kundër mësuesve për t’iu hequr atyre këtë përfitim që kishin marrë ndër vite. Kur gjykata nuk arriti të marrë një vendim, unë kam vendosur t’i mbështes mësuesit me një projektligj të ri, të cilin e kam depozituar në 21 nëntor 2025 dhe që vazhdon të jetë në sirtarët e Kuvendit”, theksoi Zhupa, ndërsa shtoi se ky projektligj parashikon ndryshimin e ligjit të Arsimit të Lartë ku edhe mësuesit që kanë mbaruar përpara sistemit të Bolonjës të cilësohen të kualifikuar.

/e.i/a.f/r.e/

The post Zhupa: Projektligji i PD-së në mbështetje të mësuesve, prej nëntorit në sirtarët e Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KPA konfirmon në detyrë Aulona Bodon si ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë

3 February 2026 at 10:04

TIRANË, 3 shkurt/ATSh/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit la sot në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke konfirmuar Aulona Bodon, në detyrën e ndihmëses ligjore pranë Gjykatës së Lartë.

Në një njoftim për mediet, KPA bën me dije se me vota unanime është lënë në fuqi vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke rrëzuar kërkesën e Aulona Bodos për t’i njohur statusin e magjistratit dhe për t’u emëruar gjyqtare.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Sokol Çomo anëtarë vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 801, datë 19.09.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Aulona Bodo”, theksohet në njoftimin e KPA-së.

Bodo nuk ka qenë dakord me këtë pjesë të vendimmarrjes së KPK-së, dhe e ankimoi vendimin në Kolegjin e Apelimit, që po ashtu e ka rrëzuar kërkesën e saj për t’u emëruar gjyqtare.

/e.i/a.f/r.e/

The post KPA konfirmon në detyrë Aulona Bodon si ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pesë mjekë të rinj i bashkohen Spitalit Universitar të Traumës

3 February 2026 at 10:25

TIRANË, 3 shkurt/ATSh/ Spitalet publike dhe ato rajonale në vend po përforcohen me ekipe mjekësh dhe infermierësh të rinj, duke sjellë energjinë që i bashkohet profesionalizmit të stafeve ekzistuese.

Përfshirja e mjekëve dhe infermierëve të rinj vjen si një eksperiencë praktike që u krijon atyre kontakt të drejtpërdrejtë me problematikat e pacientëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se profesionistët e rinj të Spitalit Universitar të Traumës janë dr. Anri Gongo, dr. Emiljana Toslluku, dr. Fjoralba Lapi, dr. Argjend Kosiqi dhe dr. Darjo Horjeti.

Kryeministri Edi Rama, u shpreh sot në një postim në rrjetet sociale se një brez i ri mjekësh i është bashkuar ekipit të Spitalit Universitar të Traumës.

Më herët, një grup prej pesë infermierësh të rinj iu bashkua ekipit ekzistues në këtë strukturë spitalore në kryeqytet.

Me rihapjen në vitin 2015 të programit të specializimeve afatgjata në mjekësi, po zbatohet një model i qëndrueshëm për shpërndarjen e mjekëve në të gjithë vendin, duke forcuar shërbimet shëndetësore edhe në spitalet rajonale e bashkiake.

Përgjatë viteve të fundit MShMS ka zbatuar një mekanizëm transparent dhe meritokratik të portalit “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë” për punësimin e mjekëve dhe infermierëve.

Punësimi i mjekëve dhe infermierëve të rinj plotëson nevojat në specialitete të ndryshme në spitalet rajonale dhe bashkiake.

/e.i/r.e/ /a.g/

The post Pesë mjekë të rinj i bashkohen Spitalit Universitar të Traumës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcat Tokësore trajnim me Gardën Kombëtare të ShBA-së në “Call for Fire – Artillery”

2 February 2026 at 14:56

TIRANË, 2 shkurt/ATSh/ Efektivët e Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë të Forca Tokësore zhvilloi trajnimin “Call for Fire – Artillery”, në bashkëpunim me New Jersey National Guard, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, informoi se trajnimi synon rritjen e aftësive operacionale, ndërveprueshmërisë dhe përvetësimin e standardeve më të avancuara të NATO-s, duke forcuar më tej kapacitetet profesionale të Forcave të Armatosura.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën dhe u stërvitën mbi teknika bashkëkohore të komandimit, komunikimit dhe koordinimit në kushte reale operacionale, duke shkëmbyer përvojë profesionale me homologët amerikanë.

Trajnimi është një tjetër dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, si dhe të forcimit të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të sigurisë rajonale dhe kolektive.


/e.i/a.f/r.e/

The post Forcat Tokësore trajnim me Gardën Kombëtare të ShBA-së në “Call for Fire – Artillery” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkolla “Lef Sallata” në Vlorë hap dyert me kushte moderne për 650 nxënës dhe mësues

2 February 2026 at 12:13

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Nxënësit dhe mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Lef Sallata” në Vlorë nga dita e sotme i zhvillojnë orët mësimore në kushte më të mira dhe me infrastrukturë më moderne, pas rikonstruksionit të plotë të godinës.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro u shpreh se “për 650 nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Lef Sallata” në Vlorë, kjo javë nisi bukur me një shkollë krejt të re, të rilindur përmes projektit të Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Vlorë”.

Kumbaro nënvizoi se ky investim siguron kushte moderne me hapësira të bollshme, të konceptuara e të mobiluara në përputhje me standardet e mësimdhënies në epokën digjitale, por edhe frymëzuese për sporte, arte e plot veprimtari kreative.

Shkollës i janë shtuar mjedise të reja, duke shmangur mësimin me dy turne, ndërkohë që është pajisur me një sistem bashkëkohor të eficiencës së energjisë, terrene sportive e klasa të reja, si dhe nga janari do të kompletohet me laboratorë smart.


/e.i/r.e/a.f/

The post Shkolla “Lef Sallata” në Vlorë hap dyert me kushte moderne për 650 nxënës dhe mësues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Mozaiku i Tiranës nominohet për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026” nga ArchDaily

2 February 2026 at 10:50

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Revista prestigjioze e arkitekturës ArchDaily ka nominuar Mozaikun e Tiranës për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026”.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri me dije lajmin, ndërsa tha se ky monument është një ndërthurje mes ruajtjes së trashëgimisë arkeologjike dhe arkitekturës bashkëkohore.

Sipas Gonxhes, ky nominim e pozicionon Tiranën në skenën ndërkombëtare të arkitekturës si një shembull i dialogut mes historisë dhe së tashmes.

Mozaiku i Tiranës daton që prej shek. III dhe është zbuluar në vitet ’70 të shekullit të kaluar gjatë punimeve për ndërtimin e një blloku pallatesh.

Mozaiku i Tiranës është një hapësirë e re moderne që shërben si platformë për prezantimin e mozaikëve më të rëndësishëm, ndërsa po kthehet në një destinacion të rëndësishëm kulturor për Tiranën.

Në kushte optimale konservimi dhe përmes programeve edukative me fëmijët e të rinjtë, kjo hapësirë vjen si një dritare e re e interpretimit bashkëkohor të trashëgimisë sonë arkeologjike.

Kjo godinë, përpos historikut të saj, shërben edhe si pikë informacioni vizuale për të gjithë mozaikët që mbart nëntoka e pasur arkeologjike shqiptare.

/e.i/a.f/r.e/

The post Gonxhja: Mozaiku i Tiranës nominohet për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026” nga ArchDaily appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌