Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 17 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Protestë e “Shqipëria bëhet” te Kryeministria, Lapaj: Nuk ndalemi deri në largimin e Ramës

17 January 2026 at 19:55

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Partia “Shqipëria Bëhet” zhvilloi sot një protestë në sheshin para Kryeministrisë, ku kryetari i saj, Adriatik Lapaj, iu drejtua qytetarëve dhe aktivistëve me thirrjen për vijimin e qëndresës kundër qeverisë.

Në fjalën e tij, Lapaj theksoi se protesta është pjesë e një angazhimi disa-javor të qytetarëve, duke nënvizuar se qëndresa do të vazhdojë deri në ndryshimin e situatës politike në vend.

Ai deklaroi se, sipas tij, qeverisja aktuale nuk ka sjellë përmirësime reale për qytetarët, pavarësisht fondeve të mëdha të administruara ndër vite.

Lapaj u shpreh kritik ndaj mënyrës se si, sipas tij, janë përdorur fondet publike gjatë 12 viteve të fundit, duke ngritur pikëpyetje mbi investimet në shëndetësi, paga dhe shërbime publike.

Ai theksoi se qytetarët përballen me vështirësi ekonomike, mungesë shërbimesh dhe emigrim të lartë, ndërsa kërkoi llogaridhënie për përdorimin e buxhetit të shtetit.

Kryetari i “Shqipëria Bëhet” deklaroi gjithashtu se protestuesit nuk janë zmbrapsur nga kushtet e vështira atmosferike apo ndërhyrjet e forcave të rendit, duke e cilësuar këtë angazhim si një betejë për demokratizimin e vendit.

Protesta u zhvillua pa incidente dhe u shoqërua me thirrje për ndryshim politik dhe rritje të përgjegjshmërisë institucionale.

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka paralajmëruar vijimin e aksioneve të saj publike në ditët në vijim.

Në fund të protestë pati dhe përplasje me policinë, kur protestuesit ju afruan gardhit të vendosur nga unifirmat blu për ruajtjen e godinës në Këshillit të Ministrave dhe hodhën miell ndaj policëve.

/gj.m/a.f/

The post Protestë e “Shqipëria bëhet” te Kryeministria, Lapaj: Nuk ndalemi deri në largimin e Ramës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: Shqipëria mbështet angazhimin global për sigurinë ujore

17 January 2026 at 19:51

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, mori pjesë sot në Konferencën e Ministrave të Bujqësisë, të zhvilluar në kuadër të Forumit Global për Bujqësinë dhe Ushqimin (GFFA) 2026, me pjesëmarrjen e 61 ministrave të bujqësisë dhe 14 përfaqësuesve të lartë të organizatave ndërkombëtare.

Konferenca u fokusua në dialogun agro-politik mbi temën e këtij viti “Uji. Korrjet. E ardhmja jonë.”, duke vënë theksin në rëndësinë e sigurisë ujore për garantimin e sigurisë ushqimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor.

Gjatë punimeve të konferencës u miratua Komunikata Përfundimtare e GFFA 2026, e cila riafirmon mesazhin se pa ujë nuk ka ushqim dhe pa siguri ujore nuk mund të ketë siguri ushqimore.

Ministri Salla theksoi se Shqipëria mbështet plotësisht këtë angazhim dhe qasjen që e sheh bujqësinë si pjesë të zgjidhjes globale, përmes përdorimit të ujitjes inteligjente, zbatimit të praktikave që ruajnë tokën dhe burimet ujore, reduktimit të ndotjes dhe zhvillimit të bioekonomisë blu.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në GFFA 2026 vlerësohet si një mundësi për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e bujqësisë dhe ushqimit.

/gj.m/a.f/

The post Salla: Shqipëria mbështet angazhimin global për sigurinë ujore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Kryengritje paqësore deri në fitoren e PD

17 January 2026 at 19:25

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Laprakë se “askush nga jashtë nuk do vijë të na i zgjidhë problemet” dhe se “PD të përballet shesheve të Tiranës deri në fitore”.

Sipas Berishës “ka 3-4 muaj që çdo mesazh që vjen nga superfuqia numër një e botës, nga Shtetet e Bashkuara, është vetëm për kartelet e drogës. Vetëm për kartelet e drogës. Mesazhe të tilla ka marrë Maduro gjersa e çuan atje ku duhet. Merr presidenti i Kolumbisë, merr Rama i Shqipërisë”.

Berisha shton se qeveria është shndërruar në organizatë kriminale.

“Është faktuar se nuk njeh ligj, nuk njeh kushtetutë, nuk njeh normë, nuk njeh moral, nuk njeh standard”, tha Berisha..

“Të gjitha këto janë faktuar tani. Tani e drejta është në anën tonë. Guximi është në anën tonë.  Ne jemi në prag të fitores. Dhe ne një lloj siç përmbysëm një diktaturë në vitin ’90, siç përzumë me vota ata që erdhën me rebelim në vitin ’97, do t’i përzëmë nga pushteti, të hapim rrugën e votës së lirë të qytetarëve, e fitores së opozitës. Kjo protestë që organizojmë ne, është e një rëndësie të jashtëzakonshme.”, theksoi Berisha.

Berisha u shpreh se ka “besim se qytetarët e Tiranës do të jenë në krye të kësaj kryengritje paqësore që do fshijë nga faqja e dheut këtë regjim antishqiptar”.

“Ne do përballemi rrugëve të shesheve të Tiranës gjer në fitoren e Partisë Demokratike”, tha kreu i PD.

/gj.m/a.f/

The post Berisha: Kryengritje paqësore deri në fitoren e PD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KANADA – Kryeministri Carney pjesë e Bordit të Paqes për Gazën

17 January 2026 at 19:19

OTAVA, 17 janar /ATSH-AFP/ – Kryeministri kanadez Mark Carney është ftuar nga presidenti amerikan, Donald Trump për t’u bërë pjesë e një bordi që do të mbikëqyrë Gazën pas luftës, dhe ai ka vendosur ta pranojë këtë ofertë, sipas një ndihmësi të lartë qeveritar kanadez.

Trump e ka shpallur veten kryetar të Bordit të Paqes për Gazën dhe deri tani ka emëruar ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe senatorin amerikan Marco Rubio në rolet kryesore.

Ai ka ftuar gjithashtu udhëheqësit e Egjiptit, Turqisë dhe Argjentinës të marrin pjesë ne bord.

Bordi ka për qëllim të mbikëqyrë qeverisjen e përkohshme të Gazës, e cila ndodhet nën një armëpushim të brishtë që nga tetori i kaluar.

Ministri i Jashtëm egjiptian deklaroi se vendi po shqyrton ftesën, ndërsa Turqia ka konfirmuar pjesëmarrjen e ministrit të saj të Jashtëm, Hakan Fidan.

Në bord përfshihen gjithashtu dërguari special i Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner.

Qëllimi i bordit është të menaxhojë situatën politike dhe humanitare në Gaza pas konfliktit, duke synuar stabilizimin e rajonit./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post KANADA – Kryeministri Carney pjesë e Bordit të Paqes për Gazën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Instrumente që qytetari të ndajë të vërtetën nga gënjeshtra

17 January 2026 at 19:14

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot ndaj lajmeve të rreme, te cilat theksoi ai përhapen me shpejtësi alarmante dhe dëmi që shkaktojnë është real.

“Dje në mbledhjen e grupit parlamentar fola edhe për dezinformimin. Besoj se të gjithë biem dakord se duhen krijuar instrumente në duart e qytetarëve për të kuptuar të vërtetat, gjysëm të vërtetat dhe gënjeshtrat me bisht”, thekson Balla në një video-mesazh në rrjetet sociale.

“Gënjeshtra udhëton shpejt, por e vërteta mbërrin gjithmonë”, shprehet Balla teksa shton se, “në një kohë kur lajmet e rreme përhapen me shpejtësi alarmante, dëmi që ato shkaktojnë është real: keqinformim, zemërim dhe humbje besimi”.

Balla nënvizon se, “çdo klikim, çdo shpërndarje pa verifikim i jep forcë gënjeshtrës”.

“Prandaj, të ndalemi, të kontrollojmë burimin dhe të mendojmë kritikisht është një akt përgjegjësie qytetare”, thekson Balla.

Balla reagoi edhe ndaj kreut të PD, Sali Berisha. “Kishte dalë edhe bufi me sorrat me lajme të rreme prej mëngjesit, meqë dhe ai lajmi i mbrëmshëm kishte qenë i rremë”, tha Balla.

“Lajmet e rreme janë një problem shëndetësor i rëndë për shoqërinë dhe demokracinë të cilat duhen kuruar dhe gjetur ilaçe për tu trajtuar”, tha Balla.

Ky reagim vjen pas aludimeve të portaleve që një nga familjarët e tij kishte lidhje me call center-in që u bllokua nga SPAK.

/gj.m/

The post Balla: Instrumente që qytetari të ndajë të vërtetën nga gënjeshtra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet në Lezhë 558-vjetori i ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu

17 January 2026 at 18:56

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Bashkia e Lezhës ka përkujtuar sot 558-vjetorin e ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke nderuar figurën e prijësit legjendar të shqiptarëve.

Drejtues të Bashkisë së Lezhës zhvilluan homazhe në varrin e Heroit Kombëtar.

Në një mesazh në rrjetet sociale, Bashkia e Lezhës shpreh respekt dhe mirënjohje për Skënderbeun, i cili me trimëri, mençuri dhe sakrificë mbrojti lirinë, identitetin dhe dinjitetin e kombit shqiptar, duke u shndërruar në simbol të qëndresës dhe unitetit kombëtar.

Sipas Bashkisë, trashëgimia e Gjergj Kastriotit mbetet një burim i përhershëm frymëzimi për brezat, si dhe një thirrje për atdhedashuri, bashkim dhe përgjegjësi ndaj së ardhmes së vendit.

Sot shënohen 558 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-17 janar 1468).

Përkujtimi i kësaj date historike vlerësohet si një moment reflektimi dhe nderimi për figurën më përfaqësuese të historisë kombëtare shqiptare.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu hyri në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet për kohën.

Gjergj Kastrioti ndaloi ekspansionin osman drejt Evropës, duke fituar mirënjohjen e shteteve evropiane dhe të Papatit të Romës, që kur qe gjallë, dhe shumë më tepër pas vdekjes.

/gj.m/a.f/

The post Përkujtohet në Lezhë 558-vjetori i ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Trump fton Ramën në Bordin e Paqes, Kryeministri: Krenar për Shqipërinë

17 January 2026 at 19:28

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump e ka ftuar personalisht për të përfaqësuar Shqipërinë në bordin e paqes.

Rama thekson se, Bordi i Paqes është një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej presidentit Trump, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë.

“Shumë i nderuar nga ftesa personale e presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në bordin e paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

“Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të dinjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e padiskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të”, thekson Rama.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të enjten formimin e një “Bordi të Paqes” për Rripin e Gazës.

Pjesë e Bordit do të jenë edhe ish-kryeministri britanik, Tony Blair, sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, i dërguari special për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, ish-i dërguari special i OKB-së, Nickolay Mladenov, miliarderi Marc Rowan, presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga, dhe zëvendëskëshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA-së, Robert Gabriel.

/gj.m/a.f/

The post Trump fton Ramën në Bordin e Paqes, Kryeministri: Krenar për Shqipërinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump kërcënon me tarifa të reja Evropën për çështjen e Groenlandës

17 January 2026 at 18:46

UASHINGTON, 17 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, rriti më tej presionin mbi vendet evropiane të shtunën, duke i kërcënuar ato me tarifa deri në 25% që do të mbeten në fuqi derisa Uashingtoni të arrijë të blejë Groenlandën.

“Duke filluar nga 1 shkurti, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda do t’i nënshtrohen një tarife prej 10% për mallrat e tyre të dërguara në Shtetet e Bashkuara”, shkroi Donald Trump në rrjetin e tij Truth Social.

“Më 1 qershor 2026, tarifat do të rriten në 25%” dhe ato do të mbeten në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje për shitjen e plotë dhe totale të Groenlandës”, deklaroi ai.

Nëse ky përshkallëzim do të materializohej, kjo do të krijonte një situatë të paprecedentë tensioni për NATO-n, me një nga anëtarët e saj kryesorë që do të drejtohej në sanksione për të sekuestruar territorin që i përket njërit prej partnerëve të saj, një shteti sovran dhe demokratik.

Që kur u kthye në pushtet një vit më parë, Donald Trump ka përmendur rregullisht marrjen e kontrollit të ishullit të madh Arktik që i përket Danimarkës, një territor strategjik por me popullsi të pakët.

Ai ka pohuar se do ta sekuestrojë atë “në një mënyrë ose në një tjetër”, për t’iu kundërvënë, sipas tij, përparimeve ruse dhe kineze në Arktik.

Presidenti amerikan mbrojti kërcënimet duke argumentuar se vendet evropiane po “luanin këtë lojë shumë të rrezikshme” dhe “kanë marrë një rrezik që nuk është as i qëndrueshëm dhe as i zbatueshëm”.

“Prandaj, është e domosdoshme, për të mbrojtur paqen dhe sigurinë globale, të merren masa të forta për ta çuar këtë situatë potencialisht të rrezikshme në një fund të shpejtë dhe të qartë”, shtoi ai.

Presidenti nuk specifikoi bazën ligjore mbi të cilën kishte ndërmend të vendoste këto tarifa të reja.

Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump i ka bërë tarifat një gur themeli të politikës së tij ekonomike dhe diplomatike.

Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian arritën një marrëveshje këtë verë për të ulur tarifat e SHBA-së për shumicën e mallrave evropiane në 15%./  a.jor.

The post SHBA – Trump kërcënon me tarifa të reja Evropën për çështjen e Groenlandës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Për 13 vite, fondet publike janë abuzuar në mënyrë të paprecedentë

17 January 2026 at 18:45

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vijoi sot turin e “Foltores” në Laprakë, ku zhvilloi një bashkëbisedim  me qytetarë dhe simpatizantë të PD-së.

Në fjalën e tij, Berisha falënderoi mbështetësit për, angazhimin e vazhdueshëm ndaj Partisë Demokratike, duke theksuar se opozita po hyn në vitin e 13-të të përballjes me qeverinë aktuale.

“Ne hyjmë këtë janar në vitin e 13 të opozitës, në vitin e 13 të përballjes me një regjim në radhë të parë antishqiptar”, tha Berisha.

Gjatë bashkëbisedimit, Berisha kritikoi qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se politikat e ndjekura gjatë këtyre viteve kanë sjellë pasoja të rënda demografike dhe ekonomike për vendin.

Sipas tij, emigrimi masiv i shqiptarëve është një nga problematikat më serioze, ndërsa theksoi se një numër i madh qytetarësh kanë lënë vendin për shkak të kushteve ekonomike dhe sociale.

“Në 10 vite, përzuri nga Shqipëria me politikat që ndoqi, 1 milion e 99.000 shqiptarë vetëm në zonën e Shengenit.  Pa llogaritur qindra mijëra të tjerë në Shtetet e Bashkuara, Kanada, vendet e Amerikës Latine, vendet e Lindjes së Mesme dhe kudo tjetër”, tha Berisha.

Kreu i PD-së u ndal edhe te çështja e korrupsionit, duke deklaruar se, sipas tij, gjatë këtyre 13 viteve djersa dhe mundi i shqiptarëve janë përdorur për krijimin e pasurive private nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të qeverisë.

Berisha e krahasoi këtë qeverisje me periudhën e diktaturës, duke nënvizuar se, niveli i abuzimit me fondet publike ka qenë i paprecedentë.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për, shkatërrimin gradual të vlerave demokratike dhe të funksionimit të shoqërisë së lirë, duke përmendur edhe rolin e mediave, për të cilat u shpreh se një pjesë e tyre, sipas tij, nuk informojnë në mënyrë të paanshme opinionin publik.

“U përballët 13 vite me një regjim që në mënyrë të vendosur shkatërroi një nga një vlerat e sapo krijuara në këtë sistem demokratik”, tha Berisha.

/gj.m/

The post Berisha: Për 13 vite, fondet publike janë abuzuar në mënyrë të paprecedentë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Thesare 2 000-vjeçare zbulohet në një tempull antik në Evia

17 January 2026 at 18:34

ATHINË, 17 janar /ATSH/ – Në ishullin grek Evia, arkeologët kanë zbuluar një tempull 2 000-vjeçar pranë Tempullit të Amarysisë Artemis, që përmbante ar, bizhuteri dhe thesare të tjera të çmuara, sipas “The Independent”.

Tempulli, i ndërtuar mbi themele guri në tokë të lagur, daton nga shekulli VII para Krishtit  dhe është zbuluar nga një ekip prej 50 studiuesish.

Brenda tij, janë gjetur struktura të shumta që mund të kenë shërbyer si altare, përfshirë një altar të veçantë në formë patkoi, dhe shtresa të dendura hiri me kocka të djegura.

Artefaktet përfshijnë vazo korinthiane dhe atike, bizhuteri prej ari, argjendi dhe korali, si dhe figurina bronzi nga periudha gjeometrike që paraqesin dem dhe dhi.

Ministria greke e Kulturës njoftoi gjithashtu se janë gjetur mure të mëdha të Epokës së Bakrit, të cilat i përkasin sistemit të fortifikimit të një vendbanimi parahistorik.

Zbulimi tregon se ky kult kishte rrënjë që shtriheshin menjëherë pas përfundimit të periudhës mikenase. /Ad.Ab./

The post GREQI – Thesare 2 000-vjeçare zbulohet në një tempull antik në Evia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Kryengritje paqësore e qëndrueshme për krijimin e qeverisë teknike

17 January 2026 at 17:56

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot në një bashkëbisedim me qytetarët për zhvillimet politike, se mazhoranca ka vendosur të heqë edhe atë hapësirë minimale që ka opozita në parlament për të marrë fjalën për procedurë.

Duke iu referuar mbledhjes sv djeshme të grupit parlamentar të PS-së, Berisha tha “de facto po pushtohet parlamenti dhe po përdoret në një grusht shteti për të marrë pushtetin e drejtësisë”.

Tashmë, sipas tij, fjala është vetëm e qytetarëve.

“Fjala është e qytetarëve, të cilët duhet të ngrihen me forcën më të madhe dhe do ngrihen me forcën më të madhe për të shpëtuar Shqipërinë nga ky regjim që po vjedh me një shpejtësi të paimagjinueshme buxhetet, pronat publike dhe po largon çdo ditë e më shumë shqiptarët”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, PD dhe aleatët e saj bashkë me qytetarët janë të vendosur në një betejë përfundimtare për largimin e përfaqësuesve të narko-shtetit, vendosjen e një qeverie teknike me dy qëllime kryesore.

“Së pari, reformën zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve. Së dyti, reformën territoriale dhe zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Dhe natyrisht heqjen dorë nga çdo formë bllokimi të veprimeve, të urdhrave të sistemit të drejtësisë”, u shpreh Berisha.

I pyetur nga qytetarët për veprimet e ardhshme të opozitës, Berisha tha se PD beson se me një kryengritje paqësore të qëndrueshme, është plotësisht e mundur largimi i qeverisë nga pushteti.

“Një kryengritje e zgjatur, paqësore është jetike dhe vendimtare për fatin e Shqipërisë. Po bëjmë përgatitjet tona dhe besojmë se shumë shpejtë qytetarët, opozitarët do të jenë të gatshëm për këtë akt, proces, lëvizje”, tha Berisha.

Kreu i PD foli edhe për bashkëpunimin me partitë e reja të opozitës duke thënë se mbështet protestën e Lapajt.

The post Berisha: Kryengritje paqësore e qëndrueshme për krijimin e qeverisë teknike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – EASA: Rrezik i madh për fluturimet mbi hapësirën ajrore iraniane

17 January 2026 at 17:45

BERLIN, 17 janar /ATSH-DPA/ –  Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Europian (EASA) i bëri thirrje kompanive ajrore që të shmangin përkohësisht hapësirën ajrore iraniane, duke cituar “situatën aktuale dhe mundësinë e veprimeve ushtarake amerikane” atje.

EASA këshilloi operatorët e fluturimeve të tregojnë kujdes dhe të ndërmarrin plane rezervë për operacionet dhe itineraret brenda hapësirës ajrore të vendeve fqinj, veçanërisht aty ku ndodhen bazat ushtarake amerikane.

”Paralajmërimi, që do të qëndrojë në fuqi deri më 16 shkurt, fillimisht do të mbetet i vlefshëm për një muaj”, tha agjencia.

Që nga fillimi i protestave masive kundër sundimit autoritar të Republikës Islamike para më shumë se dy javësh, presidenti Donald Trump ka kërcënuar disa herë Iranin me ndërhyrje amerikane.

EASA njoftoi se forcat iraniane të mbrojtjes ajrore janë “në një gjendje të shtuar gatishmërie” për shkak të përshkallëzimit të situatës, duke shtuar se “aktualisht ka një rritje të mundësisë së identifikimit të gabuar” brenda hapësirës ajrore iraniane.

“Prania dhe përdorimi i mundshëm i një gamë të gjerë armësh dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore, së bashku me reagimet e paparashikueshme shtetërore dhe mundësinë e aktivizimit të sistemeve SAM, krijojnë një rrezik të lartë për fluturimet civile në të gjitha lartësitë dhe nivelet e fluturimit”, theksoi autoriteti në një njoftim.

Situata po monitorohet ngushtë për të vlerësuar nivelin e rrezikut.

Sipas raportimeve nga mediat amerikane, Uashingtoni po forcon aktualisht prezencën e tij ushtarake në Lindjen e Mesme, duke përfshirë vendosjen e aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln” dhe disa anije shoqëruese, por deri tani nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga Pentagoni. /Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS – EASA: Rrezik i madh për fluturimet mbi hapësirën ajrore iraniane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KËLN – Mario Draghi fiton çmimin ‘’Karli i Madh’’ për shërbimet ndaj Evropës

17 January 2026 at 17:12

KËLN, 17 janar /ATSH-DPA/ – Mario Draghi, ish-kryeministri italian dhe ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane, do të marrë çmimin prestigjioz ndërkombëtar ‘’Karli i Madh’’ për shërbimet ndaj unitetit evropian, thanë sot organizatorët.

Bordi i drejtorëve të çmimit vlerësoi 78-vjeçarin për “arritjen e gjërave të mëdha për Evropën me qëllim dhe vendosmëri të palëkundur”.

Bordi përmendi raportin e Draghit mbi konkurrueshmërinë evropiane, të botuar në vitin 2024 dhe të emëruar sipas tij.

Në të, ai paralajmëroi se Bashkimi Evropian duhet të bëhet urgjentisht më inovativ ose rrezikon të mbetet prapa fuqive të tjera ekonomike si Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

Draghi gjithashtu shprehu kohët e fundit zhgënjim për zbatimin e ngadaltë të rekomandimeve të tij, duke paralajmëruar se dobësitë po rriten.

Fituesit e mëparshëm të çmimit, të dhënë nga qyteti perëndimor gjerman i Aachenit që nga viti 1950, përfshijnë Winston Churchill, papa Françeskun dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e mori çmimin në vitin 2025.
Çmimi i ‘’Karlit të Madh’’ u themelua nga qytetarët e Aachen menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.

Ai mban emrin e Karlit të Madh (748-814), perandoria e të cilit shtrihej në një pjesë të madhe të Evropës Perëndimore./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post KËLN – Mario Draghi fiton çmimin ‘’Karli i Madh’’ për shërbimet ndaj Evropës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOPENHAGË – Ligjvënësit kundër planeve të Trump për Groenlandën

17 January 2026 at 16:33

KOPENHAGË, 17 janar /ATSH-DPA/ – Para protestave të planifikuara në Danimarkë dhe Grenlandë, një delegacion dypartiak i ligjvënësve amerikanë riafirmoi sot në një konferencë për shtyp në Kopenhagë kundërshtimin e tyre ndaj dëshirës së presidentit amerikan Donald Trump për të kontrolluar ishullin arktik.

“Groenlanda është pjesë e Danimarkës. Danimarka është aleatja jonë në NATO”, tha senatori demokrat Chris Coons.

“Në mendimin tim, kjo duhet të mbyllë këtë diskutim”, shtoi ai.

Presidenti Trump ka argumentuar herë pas here se kontrolli amerikan i Groenlandës është i nevojshëm për të parandaluar zgjerimin e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në rajon.

Grenlanda, një territor kryesisht autonom arktik, është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.

Ai së fundmi ka kërcënuar vendet që kundërshtojnë planet e tij me tarifa ndëshkuese.

Coons e përshkroi deklaratën e Trump si “jokonstruktive,” duke paralajmëruar se trajtimi aktual ndaj Danimarkës mund të shkaktojë dëme të qëndrueshme në marrëdhëniet bilaterale.

Senatori, që përfaqëson shtetin e Delaware, pyeti se si mund të besohet SHBA-ja nëse aleati i NATO-s, Danimarka, lihet në vështirësi?

Njëmbëdhjetë ligjvënësit, që udhëtuan drejt Danimarkës, thanë se planet e Trump do të hasin rezistencë edhe në SHBA, ndërsa vetëm dy prej tyre ishin nga Partia Republikane e Trump.

Disa vende evropiane të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe, po dërgojnë ekipe të vogla ushtarake për të vlerësuar aftësinë e NATO-s për të mbrojtur rajonin Arktik si pjesë e një misioni vëzhgimi të udhëhequr nga Danimarka./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post KOPENHAGË – Ligjvënësit kundër planeve të Trump për Groenlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Khamenei fajëson presidentin Trump për protestat dhe viktimat në vend

17 January 2026 at 15:57

TEHERAN, 17 janar /ATSH-DPA/ – Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei fajësoi sot presidentin amerikan Donald Trump për protestat kombëtare që kanë tronditur Iranin.

Duke iu drejtuar mbështetësve në Teheran, Khamenei tha se Trump ka ndërhyrë personalisht në trazirat dhe ka nxitur “kryengritësit” që të vazhdojnë demonstratat e tyre.

“Irani e shpall Trumpin përgjegjës për viktimat, dëmet dhe shpifjet që janë bërë kundër popullit iranian,”, shtoi ai sipas rrjetit ”Islamic Republic of Iran Broadcasting” (IRIB).

Protestat nisën më 28 dhjetor në Teheran si demonstrata nga pronarët e dyqaneve për rënien e fortë të vlerës së rialit iranian dhe përkeqësimin e kushteve ekonomike, përpara se të shndërroheshin në një kryengritje kombëtare kundër sistemit autoritar të Republikës Islamike.

Forcat e sigurisë reaguan me dhunë dhe grupet iraniane të të drejtave të njeriut raportojnë mbi 3 400 viktima që nga fillimi i trazirave.

Numrat e saktë janë të vështirë për t’u verifikuar për shkak të kufizimeve të mëdha në aksesin në internet.

Në ditët e fundit, demonstratat duket se janë qetësuar, megjithatë situata e saktë mbetet e paqartë për shkak të bllokadës së informacionit./   /Ad.Ab./  a.jor.

The post IRAN – Khamenei fajëson presidentin Trump për protestat dhe viktimat në vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis transformimi i shëtitores bregdetare të Durrësit me hapësira të reja rekreative dhe gjelbërimi

17 January 2026 at 15:31


TIRANË, 17 janar /ATSH/Në shëtitoren bregdetare të qytetit të Durrësit po vijojnë ndërhyrjet paralelisht me zgjerimin e brezit të ri ranor, me qëllim krijimin e një zone të re rekreative dhe gjelbërimi midis shëtitores dhe pjesës së rërës. Projekti synon transformimin e kësaj hapësire në një ambient multifunksional, ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore, sportive dhe rekreative për qytetarët dhe pushuesit.

Gjatë inspektimit në terren ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, si dhe Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, të cilët ndoqën nga afër ecurinë e punimeve dhe u njohën me detajet teknike të projektit

“Këtu investimi ka filluar paralelisht, si nga pjesa e fundit tek Kavalishenca, ashtu edhe nga pjesa e fillimit. Janë dy kompani të ndryshme që po punojnë. Mbushja është bërë nga vija e shëtitores rreth 75 metra deri tani. Ka qenë kjo periudha që ne kemi parë dhe materialin me projektuesin, nëse është sipas projektit apo jo”, – u shpreh kryebashkiakja e Durrësit.

Zona e ndërhyrjes shtrihet në një gjatësi prej rreth 2.1 kilometrash, nga pika e pistës deri në fund të segmentit të projektuar. Vija e re e bregdetit po ndërtohet sipas projektit të miratuar, duke krijuar pjerrësinë e nevojshme për pjesën e plazhit. Distanca nga shëtitorja deri te vija e re e bregdetit arrin në 100 metra, ndërsa mbushja ranore varion nga 30 deri në 50 metra.

“Jemi në fazën përfundimtare të lidhjes së kontratës për projektin e ri, i cili do të zgjerojë pjesën e shëtitores dhe do të krijojë një sërë facilitetesh dhe shërbimesh publike, kënde lojërash dhe hapësira sportive, duke e kthyer shëtitoren e Durrësit në një nga shëtitoret më të bukura”, – tha Dritan Agolli, drejtor i FSHZH.

Projekti parashikon gjithashtu mbjelljen e një numri të madh pemësh dhe krijimin e një brezi të gjelbër midis shëtitores dhe plazhit, duke rritur ndjeshëm cilësinë e hapësirave publike dhe përvojën e qytetarëve dhe turistëve.

“Tani do të bëhet e jashtëzakonshme. E para, do të ketë një sipërfaqe ranore fantastike. Pastaj, me të gjitha ndërhyrjet e reja dhe me pemët që do të mbillen, do të krijohet një brez i gjelbër shumë i bukur.” – theksoi Kryeministri Rama.

Synimi final i projektit është krijimi i një “ishulli gjelbërimi” mes shëtitores dhe brezit ranor, ku do të zhvillohen aktivitete sportive, kulturore dhe festive, duke ofruar më shumë hapësirë dhe shërbime për komunitetin dhe vizitorët e qytetit bregdetar.

/gj.m/a.f/

The post Nis transformimi i shëtitores bregdetare të Durrësit me hapësira të reja rekreative dhe gjelbërimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonzato: Bullizmi kibernetik kërcënim në rritje për fëmijët

17 January 2026 at 17:50

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka dhënë sot një mesazh kundër bullizmit kibernetik, duke e cilësuar atë si një kërcënim në rritje për fëmijët në Shqipëri dhe në të gjithë Europën.

Në deklaratën e tij, Gonzato theksoi se bullizmi kibernetik ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor të fëmijëve dhe në ndjenjën e tyre të sigurisë, duke krijuar pasoja serioze në zhvillimin dhe mirëqenien e tyre.

Sipas ambasadorit të BE-së, mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në hapësirën digjitale nuk mund të mbështetet vetëm te ligjet, por kërkon angazhim të përbashkët të të gjithë aktorëve të shoqërisë.

“Prindërit, shkollat, institucionet dhe shoqëria në tërësi duhet të veprojnë së bashku për të garantuar sigurinë e fëmijëve online”, u shpreh Gonzato.

Ai nënvizoi se politikat më të forta dhe dialogu i hapur janë elementë kyç për parandalimin e bullizmit online dhe për krijimin e një mjedisi digjital më të sigurt për fëmijët, duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe bashkëpunimit në nivel kombëtar dhe europian.

/gj.m/a.f/

The post Gonzato: Bullizmi kibernetik kërcënim në rritje për fëmijët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Protesta masive në Danimarkë dhe Groenlandë kundër planeve amerikane për ishullin arktik

17 January 2026 at 15:18

KOPENHAGË, 17 janar /ATSH-AFP/ – Demonstrata të mëdha pritet të zhvillohen sot në Danimarkë dhe Groenlandë, në shenjë proteste kundër deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me marrjen nën kontroll të ishullit arktik.

Sipas organizatorëve, protestat synojnë të dërgojnë një mesazh të qartë kundër çdo ideje që cenon sovranitetin e Groenlandës dhe të drejtën e banorëve të saj për vetëvendosje.

Mijëra persona kanë njoftuar në rrjetet sociale se do të marrin pjesë në marshime dhe tubime të organizuara nga shoqata groenlandeze në qytete të ndryshme daneze.

Protestat janë planifikuar të mbahen në Kopenhagë, Aarhus, Aalborg dhe Odense, si dhe në kryeqytetin e Gorenlandës, Nuuk.

Organizatorët theksojnë se qëllimi i tyre është mbrojtja e demokracisë, respektimi i të drejtave të popullit groenlandez dhe kundërshtimi i çdo presioni të jashtëm politik./ /Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS – Protesta masive në Danimarkë dhe Groenlandë kundër planeve amerikane për ishullin arktik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritje e tarrifave të ujit në Kosovë

17 January 2026 at 15:16

PRISHTINË, 17 janar/ATSh/ Qytetarët dhe bizneset në Kosovë po përballen me një valë shtrenjtimesh të ujit për periudhën 2026-2028. Drejtori i Departamentit të Tarifave, Refik Ramaj, paralajmëron rritje deri 39 për qind për familjet dhe 29 për qind për konsumatorët jo-shtëpiak, ndërsa për ujërat e ndotura rritja shkon deri 25 për qind. Rritja vjen pas shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Ramaj në një intervistë për KosovaPress, thekson se rritja e tarifave është e ndikuar nga disa faktorë kryesorë, siç është shtrenjtimi i energjisë elektrike, zvogëlimi i normës së subvencionimit dhe inflacioni.

“Tarifat e vjetra për konsumatorë shtëpiak kanë qenë 0.38 centë, kurse tani do të ketë një rritje. Për procesin tarifor 2026-2028 do të ketë një rritje prej 39 për qind për amvisëri, ndërkaq 29 për qind për konsumatorët jo shtëpiak. Mesatarja e rritjes konsumatorë shtëpiak dhe jo-shtëpiak është 34 për qind. Tarifat për ujërat e ndotura, sektori shtëpiak 25 për qind, po ashtu edhe ai jo-shtëpiak, mesatarja natyrisht 25 për qind. Çfarë ka ndikuar në këtë rritje prej 34 për qind, së pari ka ndikuar rritja enorme e energjisë elektrike, e cila është 150 për qind apo 2.5 herë është rritur. Siç është e ditur në bazë të kalkulimeve tona, pjesëmarrja e energjisë elektrike në strukturën e shpenzimeve operative është 20 për qind, kur kjo shumëzohet me 150 me këtë rritjen, del 30 për qind. 30 për qind është rritja vetëm për energji elektrike….Faktori i dytë është zvogëlimi i normës ndër subvencionimit…Faktori i tretë është inflacioni”, thekson Ramaj.

Duke folur për tarifat sipas qyteteve, Ramaj tha se në Prishtinë çmimi për ujë ka kaluar nga 0.45 në 0.63 euro, ndërsa për ujërat e ndotura nga 0.08 në 0.12 euro.

“Në Prishtinë ka qenë 0.45 për ujë, tash është 0.63. Për ujerat e ndotura ka qenë 0.08, është bërë 0.12, Prizreni ka qenë 0.40 është bërë 0.56, për ujërat e ndotura  0.15, është bërë 0.19. Peja ka qenë 0.28 për ujë, është bërë 0.39…Gjakova ka qenë 0.39 tash është 0.53…_(Për biznese)për Prizrenin për biznese është 0. 42, nga 0.32, për Pejën ka qenë 0.39, tash 0.51, për Mitrovicën ka qenë 0.55, 0.69, Gjakova ka qenë 0.55 tash 0.67… Kompanitë me aplikacionin tarifor kanë ardhë me kërkesa shumë më të lartë, disa kanë kërkuar 100 për qind rritjen e tarifave, disa më pak, por ne kemi aplikuar norma shkencore, kritere profesionale, kemi ardhe deri tek kjo strukturë”, shprehet ai.

Kryetari i Shoqatës së Konsumatorit, Selatin Kaçaniku thotë se shtrenjetimi i tarifave të ujit do të ketë ndikim të madh tek konsumatoret. Sipas tij, jeta e qytetareve vetëm sa vazhdon të rendohet.

Ndërkaq, kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, paralajmëron se rritja e tarifave rëndon mbi sektorin hotelier dhe turistik, që ende po përpiqet të rimëkëmbet nga pasojat e pandemisë. Madje, nuk përjashton edhe mundësinë e mbylljes se disa bizneseve.

/KosovaPress/

The post Rritje e tarrifave të ujit në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zeka: Kosova të tregojë seriozitet për dialogun me SHBA-në, të përmirësojë klimën e biznesit

17 January 2026 at 15:12

PRISHTINË, 17 janar/ATSh/ Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, kërkon nga qeveria e Kosovës të tregojë seriozitet të plotë në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të ndërmarrë masa konkrete për të përmirësuar klimën e biznesit, përndryshe siç thotë ai, vendi rrezikon të humbasë mundësi strategjike dhe ekonomike.

Në një intervistë për KosovaPress, Zeka vlerëson se vendimet e pakoordinuara dhe vonesat në politikë kanë sjellë tensione të brendshme dhe kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet me aleatët strategjikë. Ai thekson se vetëm një qeveri e përkushtuar dhe serioze mund të avancojë dialogun strategjik dhe të përfitojë nga mundësitë për tregti dhe investime.

Por ky seriozitet, sipas tij, ka munguar shumë përgjatë viteve të fundit.

Zeka gjithashtu u ndal tek marrëveshjet tregtare dhe tarifat doganore. Ai vlerëson heqjen e tarifave në gusht të vitit të kaluar, derisa thekson se kjo hap mundësi për rritje të shkëmbimeve tregtare dhe për promovimin e produkteve amerikane në Kosovë.

Zeka, megjithkëtë dyshon se vonesa e këtij vendimi, tash mund t’i kushtojë Kosovës.

Përfaqësuesi i bizneseve amerikane në Kosovë, foli edhe për pasojat e krizave politike dhe mungesës së qeverisë së re në vitin 2025, duke pohuar se kjo ka ndikuar keq në rritjen ekonomike dhe në pasigurinë juridike, nga të cilat janë afektuatr drejtpërdrejt bizneset dhe konsumatorët.

Shqetësimin më të madh, Zeka e ka për raportin negativ midis eksportit dhe importit. Ai përmendi idenë e Odës për mbështetje të ndërmarrjeve prodhuese dhe startup-eve për të zvogëluar deficitin tregtar dhe për të krijuar vende të reja pune, por që sipas tij, nuk u zbatua nga qeveria e kaluar.

Ndërkohë, problem për operimin e bizneseve është edhe shtrenjtimi i tarifave të energjisë elektrike, si edhe nxitimi për liberalizimin e tregut në këtë fushë. .

Zeka e nënvizon sektorin e energjisë, si njërin nga sektorët e anashkaluar nga qeveria, ani se ka potencial të madh për zhvillim.

eka thekson se Kosova duhet të dëshmoj sundim të plotë të ligjit dhe të ofrojë klimë stabile për investitorët. Kjo, duke zatuar ligjet dhe politikat që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe investimet strategjike.

/Kosovapress/

The post Zeka: Kosova të tregojë seriozitet për dialogun me SHBA-në, të përmirësojë klimën e biznesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌