KOPENHAGË, 2 tetor /ATSH/- Në përfundim të samitit të liderëve evropianë në Kopenhagë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian që të tregojnë “vullnet të fortë politik” për të vepruar ndaj agresionit rus dhe për të garantuar sigurinë e kontinentit., sipas “The Guardian”.
Ai theksoi se Evropa nuk duhet të presë më për “ndryshime të favorshme”, por të ndërmarrë hapa të qartë për shkëputje të plotë nga Rusia në çdo aspekt ekonomik dhe energjetik.
“Sa më pak lidhje me Rusinë, aq më e sigurt është jeta në Evropë”, deklaroi Zelensky, duke shtuar se Rusia po intensifikon veprimet e saj destruktive dhe destabilizuese në rajon.
Sipas presidentit ukrainas, mbështetja ndaj Ukrainës nuk është vetëm një çështje solidariteti, por një nevojë për vetëmbrojtje të Evropës.
“Çdo armë, çdo euro dhe çdo sanksion që dobëson Rusinë është një hap drejt paqes dhe sigurisë për të gjithë kontinentin”, tha ai, duke falënderuar vendet që i kanë qëndruar krah Ukrainës, por duke kërkuar më shumë angazhim praktik nga disa qeveri që, sipas tij, hezitojnë ende.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen theksoi se Rusia “po teston Evropën më shumë se kurrë më parë”, përmes provokimeve ushtarake, sulmeve kibernetike dhe përdorimit të migrantëve si mjet presioni politik.
Ajo paralajmëroi se çdo vonesë në furnizimet ushtarake për Kievin do të ketë pasoja serioze për sigurinë evropiane. “Ne duhet të bëjmë më shumë, dhe më shpejt. Çdo ndihmë për Ukrainën është një investim direkt në sigurinë ton”, tha Frederiksen, duke shtuar se është koha për më shumë njësi armatimi dhe më shumë sanksione kundër Moskës.
Një temë e nxehtë në samit ishte qëndrimi i Hungarisë, e cila ka kundërshtuar disa vendime të BE-së për Ukrainën. Frederiksen deklaroi se “nuk është e pranueshme që një vend i vetëm të bllokojë aspiratat e një kombi që lufton për liri”. Ajo nënkuptoi se procesi i anëtarësimit të Ukrainës në BE duhet të vazhdojë edhe nëse Budapesti refuzon të bashkohet me shumicën.
Zelenskyy, nga ana e tij, e lidhi qëndrimin e kryeministrit hungarez Viktor Orbán me politikën e brendshme dhe zgjedhjet e ardhshme në Hungari. “Nuk është e mençur që për interesa elektorale të pengohet një komb prej 40 milionë banorësh që po mbron kufijtë e Evropës”, tha ai. Sipas tij, kjo sjellje i shërben vetëm Kremlinit.
Nga Moska, Ministria e Jashtme ruse reagoi duke thënë se “nuk ka një luftë të ftohtë, por një konflikt të zjarrtë” midis Rusisë dhe Perëndimit.
Zëdhënësja Maria Zakharova akuzoi NATO-n dhe BE-në për “provokime të qëllimshme” dhe për rritje të buxheteve ushtarake që “forcojnë ndarjen dhe rrezikun e konfrontimit të drejtpërdrejtë”.
Presidenti francez Emmanuel Macron, i pranishëm në samit, kërkoi më shumë “paparashikueshmëri strategjike” nga Evropa dhe paralajmëroi se çdo dron rus që shkel hapësirën ajrore të BE-së “mund të shkatërrohet menjëherë”. Ai bëri thirrje që të përshpejtohet miratimi i paketës së 19-të të sanksioneve ndaj Rusisë, e cila do të përfshijë kufizime të reja mbi sektorin e energjisë dhe bankat ruse.
Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz njoftoi se liderët e BE-së do të marrin një vendim përfundimtar për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën në fund të tetorit.
“Ekziston një vendosmëri e madhe që Rusia të paguajë për dëmet që ka shkaktuar”, tha ai, duke theksuar se përdorimi i aseteve të ngrira do të shërbejë si burim i qëndrueshëm për rindërtimin e Ukrainës.
Samiti i Kopenhagës përfundoi me një mesazh të qartë; “Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar dhe e vendosur përballë agresionit rus, duke e bërë të qartë se siguria e kontinentit është e pandashme nga fati i Ukrainës”. /Ad.Ab./
The post KOPENHAGË – Zelensky: Evropa duhet të tregojë vullnet politik dhe të shkëputet plotësisht nga Rusia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.