SHBA – Trump paralajmëron se nuk ka kthim pas për çështjen e Groenlandës
UASHINGTON, 20 janar /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump e ka dyfishuar presionin për aneksimin e Groenlandës, duke argumentuar se nuk kishte “kthim pas” në ambiciet e tij pavarësisht reagimit global, sipas “Time”.
Disa udhëheqës botërorë dënuan dje vendimin e presidentit Trump për të vendosur tarifa ndaj aleatëve evropianë derisa Danimarka të binte dakord për te shitur ishullin SHBA-së.
Trump tha se kishte zhvilluar një bisedë “shumë të mirë” me shefin e NATO-s Mark Rutte dhe zbuloi planet për një takim të ardhshëm për të diskutuar përshkallëzimin e mosmarrëveshjes.
“Unë rashë dakord për një takim në Davos të Zvicrës. Siç ua shpreha të gjithëve, shumë qartë, Groenlanda është e domosdoshme për sigurinë kombëtare dhe botërore. Nuk mund të ketë kthim pas – për këtë”, tha Trump, duke shtuar se SHBA-ja ishte e vetmja fuqi që mund të siguronte paqen në të gjithë botën dhe se kjo bëhej përmes forcës.
Detajet e mëtejshme të takimit të ardhshëm nuk u bënë të ditura, megjithëse Trump do të mbajë neser një fjalim në Forumin Ekonomik Botëror 2026 në Davos-Klosters.
Groenlanda dhe Danimarka kanë thënë vazhdimisht se ishulli Arktik nuk është në shitje.
“Nëse duhet të zgjedhim midis SHBA-së dhe Danimarkës këtu dhe tani, ne zgjedhim Danimarkën”, tha kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, javën e kaluar.
Megjithatë, Trump nuk ka treguar shenja tërheqjeje dhe, në një veprim që ka shqetësuar udhëheqësit në të gjithë globin, Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës ushtarake për të aneksuar territorin.
Pozicionimi i Groenlandës midis SHBA-së, Rusisë dhe Evropës e bën atë një aset të fortë gjeopolitik.
“Nuk mund të mbështetemi te Danimarka për të mbrojtur ishullin nga interesat ruse dhe kineze”, tha Trump.
Disa vende evropiane javën e kaluar, mes një përpjekjeje të aleatëve të NATO-s për të forcuar sigurinë e ishullit, u zotuan të dërgonin trupa në Groenlandë për manovrat ushtarake.
Trump u përgjigj duke thënë se do të vendoste një tarifë prej 10% për Danimarkën, Norvegjinë, Suedinë, Francën, Gjermaninë, Holandën, Finlandën dhe Britaninë e Madhe duke filluar nga 1 shkurti – për çdo produkt të dërguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Ai tha se tarifa do të rritej në 25% më 1 qershor. //a.i/
The post SHBA – Trump paralajmëron se nuk ka kthim pas për çështjen e Groenlandës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.