Megjithëse forcat iraniane po shtypin protestat dhe po vrasin protestues anembanë vendit, autoritetet iraniane vazhdojnë ta mbajnë presidentin amerikan përgjegjës për viktimat.
Ayatollah Ali Khamenei, lideri suprem i Iranit, ka deklaruar se e mban Donald Trump përgjegjës për “viktimat, dëmet dhe shpifjet që ka drejtuar ndaj kombit iranian” gjatë protestave të fundit.
Kjo deklaratë vjen përmes mesazhit të parë në rrjetet sociale në gjuhën persiane që nga 12 janari, duke rikthyer vëmendjen tek roli i jashtëm që, sipas tij, ka ndikuar në trazirat e brendshme të Iranit.
— (@)
Khamenei ka akuzuar më parë protestuesit se vepronin në përputhje me interesat e “terroristëve të huaj”, duke përfshirë liderin aktual amerikan, dhe i ka konsideruar veprimet e tyre si përpjekje për të minuar stabilitetin dhe sigurinë kombëtare të vendit.
Lideri suprem iranian thekson rëndësinë e ruajtjes së unitetit kombëtar dhe shpreh shqetësimin për ndikimin e jashtëm në çështjet e brendshme të Iranit.
Ky mesazh reflekton tensionet e vazhdueshme midis Teheranit dhe Shteteve të Bashkuara dhe thekson retorikën e ashpër të Khameneit ndaj figurave politike perëndimore, të cilat ai i sheh si kërcënim për sovranitetin iranian.
Ndryshe, Trump kishte paralajmëruar se do ta pësonin shumë keq udhëheqësit iranianë, nëse do të vazhdonin t'i vrisnin protestuesit. /Telegrafi/
Gjatë funeralit të Maryam dhe Majid Salehi Siavashani, një çift i ri që u vra gjatë protestave në Iran, në varrezat Behesht Zahra në Teheran më 11 janar, u dëgjuan thirrje të fuqishme kundër udhëheqësit suprem, Ali Khamenei.
Një nga këngët më të përsëritura nga pjesëmarrësit ishte “vdekje Khameneit”, duke reflektuar zemërimin e qytetarëve ndaj represionit shtetëror dhe dhunës së ushtruar gjatë protestave.
Protestat, që shpërthyen si përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe situatës së vështirë ekonomike, kanë sjellë një valë zemërimi dhe solidariteti në shumë qytete të Iranit.
Videot e dërguara në Iran International treguan atmosferën e tensionuar në funeral, ku miq dhe familjarë nderonin jetën e çiftit të ri, ndërsa u shpreh një kërkesë e qartë për drejtësi dhe përfundimin e shtypjes ndaj qytetarëve.
Kjo ngjarje ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, duke treguar guximin e qytetarëve iranianë që përballen me frikën dhe dhunën për të kërkuar liri dhe të drejta themelore, dhe pasqyron dhimbjen e thellë të familjarëve që humbën të dashurit e tyre në një moment tragjik.
Ndryshe, qytetarët iranianë po protestojnë shkaku i kushteve të këqija ekonomike dhe sociale. /Telegrafi/
Jafar Panahi, regjisori i filmit fitues të Palmës së Artë, Ishte thjesht një aksident[Yek tasādof-e sāde], thotë se udhëheqësit iranianë duan ta shkatërrojnë vendin.
Nga: Philip Oltermann / The Guardian (titulli: Khamenei regime will not be able to keep control of Iran, says dissenting film-maker) Përkthimi: Telegrafi.com
Pas shtypjes së dhunshme të valës më të fundit të protestave, regjimi i Khameneit nuk do të jetë në gjendje të mbajë kontrollin mbi shoqërinë iraniane, ka parashikuar një nga kineastët kryesorë të vendit.
“Është e pamundur që kjo qeveri të mbajë veten në këtë situatë”, tha për Guardian, regjisori Jafar Panahi. “Edhe ata e dinë këtë. E dinë që do të jetë e pamundur të sundojnë mbi njerëzit. Ndoshta qëllimi i tyre i vetëm tani është ta çojnë vendin në prag të kolapsit të plotë dhe të përpiqen ta shkatërrojnë”.
Protestat e shkaktuara nga ekonomia e dobët kanë përfshirë Iranin që nga fundi i dhjetorit dhe janë përballur me goditje vdekjeprurëse nga forcat e sigurisë gjatë fundjavës, me raporte për më shumë se 2 500 njerëz të vrarë.
Ndërprerja e internetit të premten e kaluar, që bllokoi 95-99 përqind të rrjetit të komunikimit të vendit, ishte “shenjë se një masakër shumë e madhe po vinte”, tha Panahi. “Por, ne kurrë nuk parashikuam që shtypja do të kishte përmasa dhe shifra të tilla”.
Panahi, 65 vjeç, foli për Guardian-in nga ShBA-ja, ku ai po promovon filmin e tij më të fundit, Ishte thjesht një aksident. Vitin e kaluar, ai filmi fitoi Palmën e Artë në festivalin e filmit në Kanë dhe është një pretendent kryesor për Oskar më 2026 në kategorinë e filmit artistik ndërkombëtar.
Pjesërisht triler hakmarrjeje, pjesërisht komedi e zezë, konkurrimi francez për çmimin e Akademisë ndjek një grup ish-të burgosurish politikë iranianë që përpiqen të vendosin nëse do të marrin hak ndaj një burri për të cilin ata besojnë se i ka torturuar ata në burg.
“Ajo që kam paraqitur në këtë film është se kur cikli i dhunës vazhdon, atëherë bëhet shumë e vështirë për ta ndaluar atë”, tha Panahi. “Për fat të keq, për shkak të egërsisë që po kryhet nga shteti, frika është se ky cikël i dhunës do të vazhdojë”.
Në dhjetor, regjisori u dënua me një vit burg në mungesë për akuza për krijimin e propagandës kundër sistemit politik, por ai ka shpallur synimin e tij për t’u kthyer në vend.
Ai është burgosur dy herë, për protestimin kundër ndalimit të dy kineastëve kolegë që kishin qenë kritikë ndaj autoriteteve në vitin 2022, dhe për mbështetjen e protestave kundër qeverisë në vitin 2010.
Panahi tha se ndërsa kolapsi i qeverisë së udhëhequr nga udhëheqësi klerik, Ajatollah Ali Khamenei, ishte i pashmangshëm pas shtypjeve të përgjakshme të fundit, koha e tij ishte e pamundur për t’u parashikuar.
“Regjimi do të bjerë, 100 përqind”, tha Panahi. “Kjo është ajo që u ka ndodhur qeverive diktatoriale në të gjithë historinë. Kur do të bjerë, askush këtë nuk e di. Ne duam që të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur, në minutat e ardhshëm, por ka shumë faktorë që duhet të bashkohen që kjo të ndodhë”.
Ai paralajmëroi qeveritë perëndimore për përfshirjen me regjimin klerikal si akterë racionalë. “Në diktatura të tjera rreth botës, do të shihni që do të ketë të paktën disa njerëz që do të veprojnë duke u bazuar në racionalitet dhe që nuk do ta lejojnë që të arrijë në këtë pikë”, tha ai, duke folur përmes përkthyeses së tij Sheida Dayani. “Por, për fat të keq, në këtë sistem nuk ka racionalitet. Gjithçka për të cilën ata mund të mendojnë është shtypja dhe si të qëndrojnë në pushtet edhe vetëm një ditë më shumë. Gjëja e fundit për të cilën ata po mendojnë janë njerëzit”.
Disa protesta kundër regjimit, në Iran dhe mes diasporës iraniane në Evropë dhe ShBA, kanë bërë thirrje për kthimin e Reza Pahlavit, djalit të mërguar të shahut të fundit të Iranit. Pahlavi, i cili jeton në Uashington, babai i ndjerë i të cilit sundoi Iranin si një monark autokrat nga viti 1941 deri më 1979, ka bërë thirrje që njerëzit të dalin në rrugë.
Panahi e pranoi që thirrjet për kthimin e djalit të shahut ishin “zëri që po del [nga protestat], me të vërtetë”. Megjithatë, ai shtoi: “Siç ka thënë vetë Reza Pahlavi, pas tranzicionit duhet të ketë një referendum në Iran, dhe atëherë njerëzit do të vendosin çfarë lloj qeverie duan dhe kë duan që t’i sundojë ata. Gjatë kësaj periudhe të tranzicionit, duhet të gjithë të jemi të bashkuar”.
I pyetur nëse Pahlavit mund t’i besohet mbikëqyrja e tranzicionit post-regjim, ai tha se kjo i takon popullit të Iranit për të vendosur. “Qoftë nëse biem ose jo në pajtim me Pahlavin, ajo që dimë është se shumica dërrmuese e popullsisë së Iranit duan që regjimi aktual të largohet”. /Telegrafi/
Nga: Douglas Murray / New York Post Përkthimi: Telegrafi.com
Për 46 vjet me radhë, Qeveria Islamike Revolucionare ka torturuar popullin e Iranit. Që nga momenti kur Ajatollah Khomeini u kthye nga ekzili në Paris, ai arriti të hedh njërën nga kulturat më të mëdha të botës në një epokë të re të errësirës.
Që nga viti 1979, ky regjim ka masakruar dhe ekzekutuar kundërshtarët e vet të brendshëm politikë. Ka varur publikisht njerëzit e dënuar për “krime kundër moralit”, përfshirë edhe ata të dënuar për “krimin” e të qenit homoseksual. Ka sponsorizuar terrorizmin në të gjithë Lindjen e Mesme, në Evropë dhe në Amerikë.
Ky regjim ka qenë fuqia më e madhe kolonialiste dhe imperialiste në Lindjen e Mesme. Dhe, ka tentuar të vrasë një president amerikan, një sekretar Shteti amerikan dhe një këshilltar për siguri kombëtare të ShBA-së - ndër të tjerë - në tokën amerikane.
Duke i pasur parasysh këto, mund të mendohej se do të kishte marshime kundër ajatollahëve, për disa javë në qytetet perëndimore. Por, nuk ndodhi kështu. Kur njerëzit iranianë u ngritën më parë (si në Revolucionin e Gjelbër të vitit 2009), e bënë këtë të vetëm. Atëherë, presidenti Obama nuk bëri asgjë për të mbështetur lëvizjen pro-demokracisë në Iran. Ai thjesht u zmbraps dhe lejoi që gratë protestuese të qëlloheshin në kokë nga milicia e ndyrë Basixh dhe forcat e tjera qeveritare.
Dekada dobësie
Çfarë është ndryshe këtë herë?
Dy gjëra. Së pari është shkalla e protestave kundër regjimit brenda Iranit. Gjatë ditëve të fundit, qeveria iraniane ka ndërprerë internetin në përpjekje për të ndaluar popullin nga koordinimi. Por, populli trim iranian po del në rrugë me qindra-mijëra. Ata kanë rrëzuar simbolet e regjimit dhe kanë sulmuar ndërtesat e tij. Kjo tashmë është më e madhe se çdo kryengritje e mëparshme.
Gjëja e dytë që është ndryshe këtë herë është se Donald Trumpi është në Shtëpinë e Bardhë.
Në vitin 1979, kur ndodhi Revolucioni Iranian, një lloj tjetër presidenti ndodhej në Zyrën Ovale. Jimmy Carter jo vetëm që lejoi që revolucioni të ndodhte, por në mënyrë poshtëruese dështoi të lirojë 66 amerikanët që u morën peng nga forcat që kishin përmbysur Shahun.
Ishte kohë e një dobësie të tmerrshme në politikën e jashtme amerikane. Ajatollahët e dinin këtë - dhe e shfrytëzuan. Po ashtu, ata e dinin se Obama nuk do të bënte asgjë në vitin 2009, për të mbështetur protestuesit pro-perëndimorë, pro-amerikanë që dolën në rrugët e Iranit.
Mbase ishte e pashmangshme që udhëheqja amerikane të ishte kaq e dobët. Mbi të gjitha, që nga nisja e Revolucionit Iranian më 1979, ngjarja u keqkuptua në një pjesë të madhe të Perëndimit.
Për shembull, intelektuali i njohur i së majtës, Michel Foucault - ende një nga “idiotët” më të cituar në akademinë amerikane - pretendonte se Khomeini do të sillte një revolucion shpirtëror në Iran që do t’i eliminonte ato “mëkate” të tmerrshme perëndimore - si kapitalizmi dhe materializmi.
New York Times botoi një artikull që thoshte se përshkrimi i Ajatollah Khomeinit “si fanatik dhe bartës i paragjykimeve të ashpra, sigurisht dhe fatmirësisht duket i pavërtetë”. Ndërsa revista Foreign Affairs shkroi se “Republika Islamike e Khomeinit pritet të ketë një doktrinë të drejtësisë sociale në qendër të saj; sipas të gjithë treguesve, ai do të jetë fleksibil në interpretimin e Kuranit”.
Të gjitha këto opinione dhe shumë të tjera ranë poshtë. Khomeini dhe pasardhësi i tij, Ajatollah Khamenei, ishin dhe janë fanatikë. Ata masakruan në burgjet iraniane me qindra kundërshtarë të tyre të majtë dhe sindikalistë. Ata detyruan një shoqëri liberale të bëhej një vend ku të gjitha gratë do të duhej të mbulonin kokën. “Policia e moralit” e tyre patrullonte vendin duke kërkuar gratë të mund t’i arrestonin dhe rrihnin. Ata rrëmbyen, përdhunuan, torturuan dhe vranë studentët që i kundërshtonin. Dhe, Perëndimi, gjatë gjithë kohës, nuk bëri asgjë.
Opsionet e Trumpit
Natyrisht, pyetja prej shumë vitesh ishte “çfarë mund të bëjmë”?
Njëra përgjigje - e dhënë nga liderë të dobët në ShBA dhe Evropë - ishte të përpiqeshim ta pranonin Revolucionin Iranian. Por, regjimi në Iran nuk donte të ishte pjesë e të njëjtës botë si ne. Ata donin të vazhdonin të thërrisnin “Vdekje Amerikës. Ata donin të vazhdonin të premtonin shkatërrimin e Amerikës dhe të pjesën më të madhe të Perëndimit. Donin ta mbanin revolucionin e tyre islamik fundamentalist dhe ta zgjeronin atë në gjithë rajonin dhe më pas në botë.
Tani që populli trim i Iranit është në rrugë, është koha e duhur për t’u treguar atyre se këtë herë nuk janë të vetëm.
Nuk është vetëm në interesin më të mirë të rajonit, por në interesin më të mirë të botës që qeveria më e madhe terroriste në botë të bjerë.
Por, si mund të arrihet kjo?
Presidenti Trump tashmë ka dhënë një paralajmërim të qartë ndaj Ajatollahut. Pamjet që janë kontrabanduar jashtë Iranit ofrojnë dëshmi të mijëra qytetarëve iranianë të cilët regjimi tashmë i ka masakruar. Kërcënimi i regjimit për të nisur ekzekutimet publike të protestuesve solli një reagim të ashpër nga presidenti Trump, i cili paralajmëroi se nëse kjo do të ndodhte, Amerika do të ndërhynte.
Megjithatë, siç kanë treguar disa informacione nga qarqet kundër Trumpit, ekziston një frikë e thellë në Uashington dhe në kryeqytete të tjera që ka origjinën që nga Afganistani dhe Iraku.
Rregulli në atë kohë ishte ai i vjetri i [shitores] “Pottery Barn”: “Nëse e thyen, e jotja është”.
Por, siç mund të shihet nga veprimi i guximshëm i Trumpit në Venezuelë, ai vepron ndryshe.
Politika e tij është se ndonjëherë gjërat janë veçse të thyera dhe ti duhet të bësh ndërhyrje minimale për t’i rregulluar ato. Ose, t’ua lejosh vetë njerëzve të vendit t’i rregullojnë ato.
ShBA-ja mund të ndihmojë aktivistët dhe aleatët brenda Iranit për të goditur qendrat kryesore të regjimit të terrorit. Ne mund të godasim selitë e Gardës Revolucionare Iraniane dhe të milicisë Basixh që po bëjnë luftë kundër popullit iranian.
Amerika gjithashtu mund të ndihmojë njerëzit brenda Iranit që të kenë cak ata që janë përgjegjës për terrorin.
Duke vepruar kështu, mund të tregojmë se njerëzit që duan lirinë në Iran kanë një mik në Shtetet e Bashkuara. Dhe se ata që vrasin popullin e vet dhe përhapin terror në të gjithë botën, nuk do të mbeten të pandëshkuar.
Presidenti Trump ka një mundësi historike. Ai mund të ndihmojë në përfundimin e makthit gjysmë-shekullor të Iranit dhe të kompensojë 46 vjetët me dështime në politikën e jashtme. Duke e bërë këtë, do të dëshmojë se - ndryshe nga paraardhësit e tij - ai është presidenti që qëndroi në krah të lirisë përballë terrorit. /Telegrafi/
Nga: Michael Goodwin / New York Post Përkthimi: Telegrafi.com
Fuqia amerikane mund të shfaqet në mënyra të ndryshme, ashtu siç e përshkroi mjeshtërisht Teddy Roosevelt me thënien e tij të famshme: “Fli qetë, por mbaje pranë një shkop të madh”.
Thënë të vërtetën, Donald Trumpi kurrë nuk ka qenë adhurues i artikulimit të prajshëm, por komentet e tij të së martës mbi trazirat në Iran ishin gjithsesi afër kësaj - për momentin.
Në një postim të jashtëzakonshëm në platformën Truth Social, drejtuar “Patriotëve iranianë”, presidenti i nxiti: “VAZHDONI PROTESTONI – MERRINI INSTITUCIONET TUAJA!!!”
Më pas, ai vazhdoi me atë që duket si një premtim për të përdorur Shkopin e Madh, duke thënë:
“Mbajini mend emrat e vrasësve dhe të dhunuesve. Ata do të paguajnë një çmim të madh”.
Ai shtoi se kishte anuluar të gjitha takimet me drejtuesit e regjimit, “derisa të ndalet masakra”, dhe e përmbylli me një frazë të fortë: “NDIHMA PO VJEN.”
Por, çfarë lloj ndihme? Dhe, kur futet në veprim Shkopi i Madh? Mungesa e detajeve është e qëllimshme, sepse i jep presidentit mundësinë të rrisë presionin, ndërkohë që ruan fleksibilitetin për të negociuar - ose për të përdorur ushtrinë nëse gjithçka tjetër dështon.
Kështu, kjo deklaratë mund të lexohet si paralajmërim i fundit që vjen pas raporteve se mullahët e çmendur kishin ndryshuar taktikat e tyre në terren - me pasoja shumë të përgjakshme.
Thuhet se urdhrat për “të qëlluar për të vrarë” kanë sjellë më shumë vdekje, me rreth tre mijë civilë të vrarë nga forcat qeveritare. Sipas dëshmive të raportuara nga mediat, trupat ishin urdhëruar të ekzekutojnë protestues të paarmatosur dhe të qëllojnë mbi civilë të rastësishëm në rrugë, madje edhe mbi ata që nuk protestonin.
Doni ndryshon tonin
Rritja dramatike e përdorimit të forcës duket se e detyroi Trumpin të ndryshojë tonin dhe të shtojë të martën një kërcënim të mundshëm për ndërhyrje ushtarake.
Gjuha e tij përfaqësonte një kthesë të qartë drejt ashpërsisë krahasuar me të hënën, kur ai ishte përqendruar më shumë te presioni ekonomik, duke kërcënuar me vendosjen e tarifave 25 përqind ndaj çdo vendi që do të vazhdonte tregtinë me Teheranin.
Kjo në fakt do të thotë embargo, sepse pak vende, mos asnjë, do të pranonin marrëveshjen e tillë.
Gjithashtu, embargoja do të nxitë edhe më tej pakënaqësitë e protestuesve, duke pasur parasysh se ishte kryesisht kriza ekonomike - përfshirë kolapsin e monedhës iraniane - që ndezi trazirat në fund të dhjetorit të kaluar.
Sipas ABC News, që atëherë protesta pati në 187 qytete në të gjitha 31 provincat e Iranit.
Ndërkohë, kursi i këmbimit vijon të bjerë dhe të hënën arriti në nivel të jashtëzakonshëm prej 1.45 milion rialë për një dollar amerikan. Norma e inflacionit në dhjetor u mat në 42.5 përqind.
Për të qenë të qartë, Shtëpia e Bardhë prej ditësh bëri me dije se presidenti po peshon përdorimin e veprimeve ushtarake, si reagim ndaj shtypjes së ashpër. Por, në vend të zmbrapsjes, mullahët shtuan sulmet dhe po ashtu ndalën internetin për ta mbajtur botën në errësirë për ngjarjet.
Gazeta The Wall Street Journal raportoi se shërbimi Starlink i Elon Musku u bllokua nga qeveria për të penguar civilët për të shpërndarë video të protestave në rritje dhe shtypjes brutale.
Përkundër përshkallëzimit të ngjarjeve, përdorimi i ushtrisë amerikane për të sjellë ndryshimin e regjimit do të ishte shumë i rrezikshëm
Rrethanat tani janë shumë të ndryshme nga gjendja në qershorin e kaluar, kur Trumpi përdori fuqinë ushtarake amerikane kundër Iranit. Në atë rast, ajo u kufizua vetëm në koordinim me Izraelin dhe përdorimin e disa bombarduesve amerikanë B‑2, për të goditur tri nga objektet bërthamore të vendit me bomba të mëdha që shkatërrojnë bunkerët.
Ai veprim erdhi pasi bisedimet me mullahët rreth këtyre objekteve nuk dhanë rezultat, dhe dukej si një paralajmërim, por edhe një ftesë për Iranin për të hyrë në negociata serioze për të ndaluar programin e tij bërthamor.
Gjatë gjithë kohës, Trumpi bëri çmos që të bëhej e qartë se ai dëshironte të arrinte marrëveshje, duke ia ngarkuar këtë detyrë këshilltarit të afërt, Steve Witkoff. Por, pavarësisht deklaratave plot shpresë të presidentit dhe takimeve të shumta, Ajatollah Khamenei e hodhi poshtë ofertën e presidentit dhe vazhdoi të kërcënonte Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.
Kjo la në fuqi sanksionet e rrepta ndaj naftës dhe sistemit bankar. Që atëherë, ekonomia iraniane ka ngecur dhe raportet e shumta flasin për mungesa të energjisë elektrike dhe ujit të pastër, gjë që ka kontribuar në rënien ekonomike dhe dëshpërimin publik.
Për më tepër, kapja e udhëheqësit venezuelas Nicolás Maduro nga Trumpi hoqi aleatin kryesor të Iranit në Hemisferën Perëndimore dhe preu më thellë të ardhurat e mullahëve nga kontrabanda e naftës dhe armëve.
Anëtarët e Hezbollahut, grupit terrorist të financuar nga Irani me bazë në Liban, gjithashtu ngritën baza në Karakas, gjë që shqetësoi Uashingtonin.
Megjithatë, regjimi islamist iranian ka përballuar trazira të mëparshme dhe nuk ka asnjë garanci se trazirat aktuale nënkuptojnë se ai është i destinuar të bjerë.
Një ndryshim i mundshëm, këtë herë, është se përhapja e protestave në të gjithë vendin ka bërë që disa vëzhgues të besojnë se kryengritja përbën kërcënim real për kontrollin klerikal dhe rregullat e rrepta për sjelljen dhe veshjen publike, sidomos për gratë dhe vajzat.
Megjithatë, kjo nuk është arsye bindëse që ShBA-ja të angazhohet në ndryshim regjimi, gjë që nuk do të ishte aspak e lehtë.
Përvoja në Irak ende i përndjek edhe luftënxitësit amerikanë, dhe vetë Trumpi e ka quajtur pushtimin e Irakut, nën udhëheqjen e George W. Bushit, si luftë idiote që i kushtoi Amerikës shumë, si në gjak ashtu edhe në thesar.
Rrota e historisë po kthehet rreth e rrotull tani, me Trumpin që përballet me paralajmërime se një përfundim po aq tragjik mund të ndodhë nëse ai ndihmon në rrëzimin e ajatollahut.
Mes skeptikëve është edhe Jon Hoffman, një studiues në Institutin “Cato”, i cili beson se misioni i tillë do të kthehej si bumerang.
“Sulmi ndaj Iranit rrezikon përfshirjen e Uashingtonit në këtë trazirë të brendshme pa një qëllim të qartë përfundimtar, si dhe rrezikimin e trupave amerikane të stacionuara në gjithë Lindjen e Mesme”, tha Hoffman në një deklaratë.
Çështjet e brendshme
Ai theksoi se “politikat luftënxitëse të ShBA-së ndaj Iranit, historikisht fuqizuan elementët më të fortë” dhe se veprimi ushtarak “rrezikon të zhvendos temën nga pakënaqësitë e arsyeshme të iranianëve ndaj regjimit te kundërshtarët e tij ndërkombëtarë”, pra Izraeli dhe ShBA-ja.
“Tentimi për të përvetësuar opozitën e brendshme në Iran rrezikon ta dëmtojë atë”, shtoi ai dhe pohoi se “qasja pragmatike, pa ndërhyrje direkte, duhet të udhëheqë politikën amerikane në ditët në vijim.”
Për më tepër, me Uashingtonin gjithnjë e më shumë të përqendruar te zgjedhjet e mesit të mandatit, Trumpi përballet me kontroversa të brendshme, siç është shtypja e ICE-së [agjencia e emigracionit], dhe - kryesorja - shifrat e këqija të opinionit publik mbi qasjen ndaj ekonomisë.
Një mesatare e sondazheve e publikuar nga Real Clear Politics tregon se 41 përqind e të anketuarve miratojnë politikat dhe veprimet ekonomike të tij, ndërsa 56 përqind nuk i miratojnë.
Në këtë sfond, dhe me ngjarjet në Venezuelë që ende janë të paqarta, përfshirja ushtarake në Iran ndoshta nuk do të ishte popullore në shtëpi.
Kjo nuk do të thotë se ShBA‑ja duhet t’ia kthejë shpinën shtypjes brutale të regjimit. Por, realiteti politik është se presidenti nuk mund të ia lejojë vetes të largohet shumë larg apo për shumë kohë nga çështjet ekonomike dhe sociale të banorëve amerikanë. /Telegrafi/
Autoritetet iraniane ndërprenë aksesin në internet dhe linjat telefonike në Teheran dhe qytete të tjera të enjten, por pavarësisht bllokadës pothuajse të plotë të komunikimit, udhëheqësi suprem Ajatollah Ali Khamenei vazhdoi të postonte pa pengesa në rrjete sociale.
Khamenei i quajti protestuesit "një grup njerëzish të vendosur për shkatërrim" dhe kritikoi presidentin e SHBA-së Donald Trump në lidhje me Xu.
Ai postoi 12 herë vetëm të premten.
Si është e mundur kjo në një vend që është pothuajse plotësisht i shkëputur nga interneti për qytetarët e tij?
Përgjigja u shpjegua nga Doug Madory, drejtor i analizës së internetit në firmën e inteligjencës së rrjetit Kentik, e cila studion ndërprerjet e internetit.
"Irani është teknikisht i lidhur me internetin, edhe nëse askush atje nuk mund të komunikojë", tha Madory.
"Ata thjesht e fikën, edhe pse janë të lidhur”, shtoi ai.
Sipas tij, regjimi ka kontroll të plotë dhe mund t'u japë akses në mënyrë selektive individëve të zgjedhur.
"Ata mund ta bënin këtë për çdo person ose për çdo lidhje specifike interneti”, vuri në dukje ai. /Telegrafi/
Kjo tendencë mes grave iraniane tani është e pakapërcyeshme.
Gratë iraniane po ndezin cigare duke përdorur fotografi të djegura të Liderit të Lartë, Ali Khamenei.
Kjo nuk është thjesht për të tërhequr vëmendje, raportojnë mediat e huaja.
This trend among Iranian women is now unstoppable
Iranian women are lighting cigarettes from burning photos of Supreme Leader Ali Khamenei.
This isn’t shock value. It’s a blunt political gesture — open contempt for a regime that has spent decades controlling women’s bodies,… pic.twitter.com/TxqCkWLy8j — NEXTA (@nexta_tv) January 10, 2026
Është një veprim politik i hapur - një përçmim i drejtpërdrejtë për një regjim që ka shpenzuar dekada duke kontrolluar trupin, veshjen, sjelljen dhe jetën e grave.
Ndërkohë, gratë e Francës qëndrojnë në solidaritet me koleget iraniane.
Aktivistët feministe të djathta franceze nga “Collectif Nemesis” riprodhojnë këtë tendencë virale të grave iraniane që ndezin cigaret e tyre me fotografi të Khameneit.
Ndryshe, protestat kësaj radhe në shtetin iranian nuk kanë të bëjnë shkaku i të drejtave të grave apo religjionit, por për arsye ekonomike. /Telegrafi/
Regjimi islamik i Iranit duket se po lëkundet. Në javët e fundit, qindra mijëra protestues kanë dalë në rrugë për të shprehur zemërimin e tyre ndaj përkeqësimit të kushteve ekonomike - të shkaktuara nga sanksionet ndërkombëtare - të cilat kanë bërë që monedha e tyre të bjerë ndjeshëm dhe çmimet e mallrave elementarë të rriten në mënyrë të vrullshme.
Të paktën 38 protestues që kërkonin ndryshimin e regjimit, janë vrarë deri më tani në përplasje të dhunshme me policinë, dhe 2.200 janë arrestuar. Përballë asaj që po kthehet shpejt në një nga sfidat më të mëdha ndonjëherë për Iranin dhe udhëheqjen e tij klerikale, ajatollahët - në një moment të rrallë dobësie - ndalën internetin, teksa ndërtesat qeveritare në Teheran u vunë në zjarr.
Sigurisht, Republika Islamike ka mbijetuar edhe më parë valë protestash. Në vitin 2009, akuzat për manipulim zgjedhor shkaktuan protesta masive në rrugë dhe një reagim jashtëzakonisht brutal nga forcat e sigurisë së Ajatollah Khameneit. Në vitin 2022, më shumë se 500 persona u raportuan të vrarë gjatë protestave pas vdekjes në paraburgim të një gruaje të re, Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar për refuzimin për të vënë në kokë shaminë e detyrueshme.
Por, këtë herë, ndjesia është ndryshe.
Sidomos pas luftës me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara në qershorin e vitit të kaluar, një revolucion kulturor mes njerëzve të lindur pas vitit 1979 solli braktisjen e shamisë së detyrueshme nga shumë gra - jo të gjitha të reja - në qytetet e mëdha. Është një shenjë e dukshme e dobësimit të kontrollit të regjimit islamik.
Përveç protestave të dhunshme në rrugë në pjesën më të madhe të vendit - tashmë në ditën e tyre të 13-të - rënia dramatike në frekuentimin e xhamive të zakonshme, në gjithë Iranin, mund të shihet gjithashtu si simptomë e refuzimit të gjerë të Islamit “zyrtar” - një lloj greve e heshtur.
Në të kaluarën, çmimi i lartë i naftës i jepte regjimit islamik burime për t’i mbajtur në besnikëri forcat e tij të sigurisë dhe pjesët kryesore të popullsisë. Sanksionet nënkuptojnë që paratë po shterojnë. Edhe mbështetja gjithashtu. Në qytetin Abadan, njësitë policore të regjimit hodhën armët dhe iu bashkuan protestuesve.
Khamenei foli në faljen e së premtes, por duke iu drejtuar një salle të mbyllur lutjeje me besnikë të përzgjedhur me kujdes, vështirë se do të përballej me një moment çausheskian. (Në dhjetor 1989, udhëheqësi komunist i Rumanisë thirri një miting masiv për të treguar qëndrueshmërinë e regjimit. Gjashtë javë pas rrëzimit të Murit të Berlinit, gjërat u përkeqësuan ...)
Duke parë mënyrën se si ra Shahu në 1979, një ngjarje që çoi në themelimin e Republikës Islamike, është e rëndësishme të kujtojmë se, përveç protestave masive në rrugë, ishin grevat e punëtorëve të naftës dhe tregtarëve në pazaret e Teheranit që paralizuan jetën ekonomike.
Rënia e Murit të Berlinit në nëntor 1989, që shkaktoi ndryshime të mëdha politike dhe ekonomike në gjithë Evropën e ndarë, dhe revolucionet kryesisht pa gjak në shtetet e bllokut sovjetik që ajo solli, nuk janë precedentë për mënyrën se si mund të zhvillohet një revolucion iranian. Një krahasim më i mirë mund të jetë sulmi mbi Bastijën më 1789.
Ashtu si Revolucioni Francez, për të qenë vërtet epokal, çdo revoltë e suksesshme do të ndodhë kundër një regjimi ideologjik të krijuar brenda vendit, sesa ndaj njërit të imponuar nga jashtë, siç ishte regjim komunist i varur nga Kremlini. Ky revolucion iranian tashmë i ka të gjitha ato shenja dalluese.
Teksa Mariana, personifikimi i Republikës Franceze - ajo që mishëron Lirinë, Barazinë, Vëllazërinë - mban një shami të kuqe në pikturën e famshme të Delacroix, që përkujton Revolucionin e Korrikut të vitit 1830, gratë trime të Iranit, në një shfaqje mahnitëse të sfidës ndaj fesë, kanë qenë të zëna duke e hedhur poshtë të tyren [shaminë].
Për çdo figurë të regjimit që tani ikën nga Irani, jugu i Libanit i kontrolluar nga Hezbollahu është më i mundshëm sesa Moska si vendstrehim i preferuar. Por, dhjetëra mijëra zbatues të urryer të regjimit në nivel rruge, nuk do të kenë ku të ikin nëse trazirat vazhdojnë. Prandaj, ata po godasin tani - por, shumë lehtë mund të përballen me drejtësi të rrugës nëse regjimi shembet.
Një spastrimi brutal - që pasqyron ekzekutimet në Bastijë, dhe të shtënat e linçimet në fillim të vitit 1979, ndonëse të trashëgimtarëve të drejtësisë së turmës iraniane - është i mundshëm. Shpërbërja e regjimit mund të sjellë shpërbërje rajonale, veçanërisht në zonat e pakicave etnike, si rajonet kurde në Perëndim ose në Balokistan në Juglindje.
Një paqëndrueshmëri e tillë mund të zbutet nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nxitojnë të heqin sanksionet ndaj një Irani të ri dhe të ofrojnë përfitime të shpejta ekonomike. Por, Amerika dhe Izraeli gjithashtu do të kërkojnë një fund të çdo programi bërthamor.
Tash për tash, duhet të shpresojmë për një Iran paqësor dhe demokratik - sido që të përfundojë në librat e historisë. /Telegrafi/
Miliona njerëz në Iran janë bashkuar rreth shpresës për të shkatërruar Republikën Islamike dhe për të larguar udhëheqësin e saj, Ayatollah Khamenei. Simbolet e shtetit janë dëmtuar ose djegur, dhe tani duket se shumë nuk kanë më frikë nga regjimi. Ajo që filloi dy javë më parë si demonstrata të tregtarëve për gjendjen e ekonomisë – me inflacionin në Iran që po rritej dhe monedhën që po shkërmoqej…
TEHERAN, 9 janar /ATSH-AA/ – Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, paralajmëroi sot protestuesit kundër “bashkëpunimit me të huajt”, duke dënuar presidentin amerikan Donald Trump për, siç tha, shfrytëzimin e pakënaqësive publike.
“Nuk mund ta toleroj bashkëpunimin me të huajt”, tha Khamenei në një fjalim publik.
“Nëse jeni agjent që bashkëpunon me të huajt, do të refuzoheni menjëherë nga populli iranian dhe regjimi iranian”, shtoi ai.
“Duart e tij janë të njollosura me gjakun e iranianëve. E megjithatë, pretendon se është në anën e popullit iranian. Ai është i papërgjegjshëm. Nuk i interesojnë civilët”, shtoi ai duke sulmuar Trumpin.
“Ata, protestuesit, mund ta besojnë atë. Ata djegin koshat e mbeturinave vetëm për t’ia bërë qejfin atij”, theksoi Khamenei.
Ai tha se presidenti amerikan duhet të përqendrohet te problemet në vendin e tij.
Këto deklarata vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme në Iran, teksa protestat për shkak të pakënaqësive ekonomike dhe sociale kanë vazhduar në pjesë të ndryshme të vendit. /os/
Protestues të shumtë kanë marshuar nëpër kryeqytetin e Iranit dhe qytete të tjera.
Protestuesit bënë thirrje për rrëzimin e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, dhe kthimin e Reza Pahlavi.
Ishte dita e 12-të radhazi e trazirave që janë shkaktuar nga pakënaqësia për rënien e monedhës iraniane përballë dollarit dhe janë përhapur në më shumë se 100 qytete dhe qyteza në të 31 provincat e Iranit, sipas grupeve të të drejtave të njeriut.
Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA ka thënë se të paktën 34 protestues – pesë prej tyre fëmijë – dhe tetë personel sigurie janë vrarë, dhe se 2,270 protestues të tjerë janë arrestuar.
Protestat antiqeveritare në Iran janë përhapur në më shumë se 40 qytete, përfshirë zona tradicionalisht besnike ndaj regjimit, duke shënuar sfidën më të madhe ndaj establishmentit klerikal të vendit që nga viti 2022. Një analizë e BBC Verify dhe BBC Persian ka zbuluar se trazirat kanë shpërthyer në të paktën 17 nga 31 provincat e Iranit, me raporte për protesta në 11 provinca të tjera.
“Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, duket se ka një plan për t’u larguar nga vendi nëse forcat e sigurisë nuk arrijnë të shuajnë protestat ose nuk i binden më urdhrave të tij”, kështu thuhet në një raport të inteligjencës, citon “The Times”.
Në këtë raport, sipas The Times, 86-vjeçari Khamenei po planifikon të largohet nga Teherani me një rreth të ngushtë prej deri në 20 personash, përfshirë djalin e tij Mojtaba Khamenei, i cili shihet si një pasardhës i mundshëm.
Plani do të aktivizohet nëse shihet se ushtria dhe forcat e sigurisë po dezertojnë apo refuzojnë të zbatojnë urdhra.
Një ish-zyrtar i inteligjencës izraelite tha se destinacioni më i mundshëm i arratisjes do të ishte Moska, duke vënë në dukje se Khamenei mban marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe shpreh admirim për Vladimir Putinin.
Plani, sipas të njëjtave burime, bazohet në precedentin e arratisjes së ish-presidentit sirian Bashar al-Assad.
Lideri Suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, ka përgatitur një plan emergjence për t’u larguar nga vendi, në rast se forcat e sigurisë dështojnë të shtypin protestat e fundit që kanë përfshirë Republikën Islamike. Ky informacion vjen nga një raport i shërbimeve sekrete, cituar nga The Times, i cili thekson se 86-vjeçari Khamenei synon të largohet nga Teherani. Plani parashikon që Khamenei të…
Donald Trump ka kërcënuar se do ta godasë Iranin “shumë fort” nëse autoritetet vazhdojnë shtypjen e ashpër të protestave që kanë hyrë në javën e dytë.
Të paktën 20 persona, përfshirë të paktën një anëtar të forcave të sigurisë së Iranit, janë vrarë pas protestave që janë përhapur në të gjithë vendin nga kryeqyteti, Teherani.
Dhe deri të hënën, thuhet se demonstratat kanë ndodhur në mbi 220 qytete dhe qyteza në 26 nga 31 provincat e Iranit - duke rezultuar në arrestimin e gati 1,000 personave.
Kështu, një natë më parë, Trump tha se do të ndërmerrte veprime nëse vdiste ndonjë protestues tjetër, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Duke folur në bordin e Air Force One, ai tha pa dhënë hollësi: “Po e ndjekim nga afër. Nëse fillojnë të vrasin njerëz siç kanë bërë në të kaluarën, mendoj se do të goditen shumë rëndë nga Shtetet e Bashkuara”.
Kërcënimi duket se e ka trembur udhëheqësin e Iranit, Ajatollah Khamenei, i cili thuhet se ka një plan rezervë për t’u larguar nga vendi në Moskë nëse forcat e tij të sigurisë nuk arrijnë të “shtypin” protestat gjithnjë e në rritje.
Gazeta “The Times” raportoi se 86-vjeçari po planifikon të largohet me deri në 20 ndihmës dhe anëtarë të familjes së tij, nëse ushtria dhe forcat e tij të sigurisë dezertojnë ose dështojnë të shuajnë demonstratat.
Një burim inteligjence i tha gazetës: “Plani B” është për Khamenein dhe rrethin e tij shumë të ngushtë të bashkëpunëtorëve dhe familjes, përfshirë djalin e tij dhe trashëgimtarin e dukshëm të nominuar, Mojtaba”.
Ata shtuan se Khamenei tashmë ka hedhur themelet e nevojshme për t'u larguar nga vendi, të cilat përfshinin “mbledhjen e aseteve, pronave jashtë vendit dhe parave të gatshme për të lehtësuar kalimin e tyre të sigurt”.
Khamenei është ende i tronditur nga lufta 12-ditore e nisur nga Izraeli në qershor, e cila pa Shtetet e Bashkuara të bombardonin vendet bërthamore në Iran.
Presioni ekonomik, i cili është intensifikuar që nga shtatori kur Kombet e Bashkuara rivendosën sanksionet ndaj vendit për shkak të programit të tij atomik, e ka vënë monedhën rial të Iranit në një rënie të lirë, duke u tregtuar tani me rreth 1.4 milion për 1 dollar.
Rënia e rialit ka çuar në një krizë ekonomike në zgjerim në Iran. Çmimet janë rritur për mishin, orizin dhe produktet e tjera bazë të tryezës. Kombi ka luftuar me një normë vjetore inflacioni prej rreth 40 përqind.
Në dhjetor, Irani prezantoi një nivel të ri çmimesh dhe Teherani mund të kërkojë rritje më të mëdha të çmimeve në të ardhmen, pasi qeveria tani do të rishikojë çmimet çdo tre muaj.
Protestat filluan së pari me tregtarët në Teheran përpara se të përhapeshin. Ndërsa fillimisht u përqendruan në çështjet ekonomike, demonstratat shpejt panë protestuesit të brohorisnin edhe deklarata antiqeveritare. /Telegrafi/
Efektet zinxhire po ndihen tashmë në të gjithë Evropën Lindore dhe në Lindjen e Mesme.
Nga: Hamish de Bretton-Gordon / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com
Operacioni “Vendosmëria Absolute” [Operation Absolute Resolve] - kapja e guximshme nga ana ShBA-së e presidentit venezuelas, Nicolás Maduro - është një kujtesë e qartë për fuqinë e jashtëzakonshme dhe të veçantë që i është vënë në dispozicion presidentit Trump, kur ai vendos ta përdorë atë. Çdo diktator, despot dhe regjim rebel e ka marrë mesazhin: asnjë tiran nuk është jashtë cakut nëse ShBA-ja vendos të veprojë.
Kjo ndodhi pas operacionit të shpejtë të vitit të kaluar për çmontimin e programit bërthamor të Iranit, që ishte në zhvillim e sipër, një veprim që vazhdon të ketë jehonë si në Teheran ashtu edhe në Moskë. Në atë fushatë, aeroplanët amerikanë dhe izraelitë depërtuan me lehtësi në hapësirën ajrore iraniane, duke shmangur ose shkatërruar sistemet e mbrojtjes ajrore S-300 - të furnizuara nga Rusia - që supozohej të pengonin një qasje të tillë. Cak nuk ishte vetëm infrastruktura, por ambicia strategjike e Iranit për të riafirmuar veten si një fuqi dominuese rajonale - tashmë e dëmtuar nga çmontimi i forcave përfaqësuese të Teheranit nga Izraeli: Hezbollahu, Hamasi dhe Lëvizja Huti.
Me Iranin që tani përballet me pakënaqësi të shtuara të brendshme - të nxitura nga kolapsi ekonomik dhe dekadat e shtypjes - kërcënimet publike të Trumpit për të mbështetur protestuesit do të jenë thellësisht shqetësuese për ajatollahët. Shumë vëzhgues me përvojë besojnë se regjimi po jeton me kohë të huazuar. Dhe, me Trumpin që ndihet i fuqizuar nga suksesi i operacionit në Venezuelë, nuk do të ishte mendim i zgjuar të supozohej se Irani nuk është më në shënjestër.
Edhe Moska do të ndjek këto zhvillime me shqetësim të shtuar. Trumpi e ka bërë të qartë se marrëveshja e paqes për Ukrainën është praktikisht gati dhe se vetëm Rusia - dhe personalisht Putini - pengon arritjen e saj. Reagimi gjithnjë e më i dëshpëruar i Kremlinit, në internet, sugjeron se ky mesazh ka prekur në cak. Ashtu si në Iran, popullsia ruse po bëhet gjithnjë e më e pakënaqur, po gërryhet gjithnjë e më shumë besimi në një tirani të korruptuar dhe ekonomikisht shkatërrimtare.
A kanë të drejtë ajatollahët, Putini dhe autokratët e tjerë të shqetësohen? Po, pa asnjë dyshim. Shkalla, saktësia dhe guximi i operacionit “Vendosmëria Absolute” janë pothuajse të paprecedentë. Bota vështroi me mosbesim teksa forcat speciale amerikane hynë në dhomën e gjumit të Maduros dhe brenda 24 orëve e dorëzuan atë në një gjykatë amerikane. Implikimi është i qartë: nëse Uashingtoni mund ta bëjë këtë në Karakas, atëherë Moska dhe Teherani nuk mund të supozojnë se janë imunë.
Ky operacion ishte në planifikim për muaj, në mos vite. Ai kërkoi një gamë të gjerë të kapaciteteve ushtarake amerikane - detare, ajrore, kibernetike dhe të inteligjencës - të ekzekutuara me siguri të jashtëzakonshme operacionale. Një prani e konsiderueshme detare u vendos në Karaibet jugore, mbështetur nga angazhimet e inteligjencës që përfshinin përgjimet elektronike, burimet njerëzore dhe ndoshta infiltrimet e thella brenda shtetit të Venezuelës. Rreth 150 aeroplanë - luftarakë, bombardues dhe transportues - formuan shtyllën kurrizore të operacionit, duke çuar Forcat Delta - ekuivalentin amerikan të SAS-it britanik - drejtpërdrejt në objektiv. Disa nyje kyçe ushtarake u neutralizuan njëkohësisht për të arritur suksesin, duke kujtuar kompleksitetin dhe koordinimin që u pa gjatë sulmit ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
Forcat Delta u modeluan sipas SAS-it, në kohën kur u themeluan, dhe me shumë mundësi është e vërtetë të thuhet se ushtarët e SAS-it janë po aq të aftë sa ata të Delta-s. Në fakt, ndoshta është e vërtetë të thuhet se një numër jo i vogël vendesh kanë njësi speciale operacionale të nivelit më të lartë [Tier One] që janë po aq të mira, ose afërsisht të mira.
Ajo që vendet e tjera si Britania nuk kanë, është fuqia ajrore e dislokueshme, burimet e inteligjencës, infrastruktura strategjike dhe aftësitë për transport dhe futje që vendosën Forcat Delta në kështjellën e Maduros me pothuajse asnjë paralajmërim. Forcat Delta ishin thjesht maja e një shtize të madhe amerikane: dhe kjo shtizë është më unike se vetë Delta-t të cilët, pa dyshim, janë jashtëzakonisht të aftë.
Maduro nuk ishte i pakujdesshëm. Me një shpërblim prej 50 milionë dollarësh mbi kokën e tij, me siguri të shtuar personale dhe një ushtri të konsiderueshme në dispozicion, ai megjithatë rezultoi i pafuqishëm.
Pasi kam kaluar një kohë në këtë zonë të Amerikës së Jugut dhe kam familjarët që ende jetojnë në rajon, mund të dëshmoj se sa i vështirë do të ishte planifikimi dhe zbatimi i një operacioni të tillë në mes të rrjeteve kriminale, korrupsionit dhe pasigurisë së përhapur. Fakti se ShBA-ja e realizoi me kaq pastërti, kjo vetëm e përforcon mesazhin.
Efekti zinxhir tashmë po ndihet në të gjithë Evropën Lindore dhe në Lindjen e Mesme. Kjo është një fuqi ushtarake e atij niveli të cilin edhe Kina do ta kishte të vështirë ta përballonte, dhe përtej çdo gjëje që Putini do mund të shpresonte të arrinte.
Çfarë nënkupton kjo? Shpresa është që presidenti Trump tani ta përdorë këtë peshë për të detyruar Moskën të pranojë një paqe të vërtetë në Ukrainë. Dobësimi i ndikimit të keq të Iranit dhe çlirimi i popullit të tij nga tirania është gjithashtu një objektiv i denjë, por për Evropën, ndalimi i agresionit rus duhet të jetë prioriteti.
Bravo ushtrisë amerikane. Por, Evropa, dhe mbi të gjitha Ukraina, nuk duhen harruar. /Telegrafi/
TEHERAN, 3 janar /ATSH-DPA/ – Udhëheqësi Suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei ka reaguar për herë të parë ndaj trazirave që kanë përfshirë vendin gjatë shtatë ditëve të fundit dhe ka bërë thirrje për masa të rrepta kundër “rebelëve”.
“Protestat e tregtarëve për zhvlerësimin e monedhës kombëtare dhe kurset e paqëndrueshme të këmbimit janë të justifikuara, por rebelët duhet të vendosen në vendin e tyre”, tha Khamenei në televizionin shtetëror.
”E papranueshme të shfrytëzoheshin protestat civile për të nxitur trazira politike”, shtoi ai duke pretenduar se pas trazirave qëndronin forcat e brendshme dhe të jashtme të Iranit.
”Këto veprime do të kundërshtoheshin me vendosmëri”, tha ai.
Ajo që filloi në Teheran si një protestë kundër vështirësive ekonomike dhe inflacionit astronomik të dielën e kaluar u zgjerua shpejt në trazira mbarëkombëtare, me demonstruesit që u kthyen kundër udhëheqjes islamike dhe Khameneit në veçanti.
Disa njerëz janë vrarë në përleshje me forcat e sigurisë dhe besohet se shumë protestues janë arrestuar.
Sipas kushtetutës, ajatollahu 86-vjeçar ka fjalën e fundit në të gjitha çështjet strategjike dhe për këtë arsye konsiderohet si udhëheqësi politik i padiskutueshëm i vendit.
Prandaj, kritikat e demonstruesve drejtohen kryesisht ndaj tij.
Demonstruesit akuzojnë Khamenein se e ka çuar vendin në izolim ndërkombëtar – dhe kështu në krizën më të keqe ekonomike në historinë e tij – përmes politikave të tij pakompromis.
Ata gjithashtu fajësojnë udhëheqësin suprem për ndarjen e burimeve financiare të vendit për milicitë antiizraelite në vend të popullsisë iraniane./ a.jor.
Për dekada me radhë, reagimi i zakonshëm i ajatollahëve të Iranit, kur përballeshin me protesta kundër qeverisë, ka qenë përdorimi i forcës brutale. Kështu ia dolën të shtypnin Revolucionin e Gjelbër të vitit 2009, i cili çoi në vrasjen dhe torturimin e mijëra protestuesve iranianë; kjo ia dha fundin kryengritjes më serioze popullore që Republika Islamike kishte përjetuar që nga revolucioni iranian i vitit 1979.
Së fundmi, taktika të ngjashme u përdorën pas shpërthimit të protestave mbarëkombëtare në vitin 2022 - pas vdekjes në paraburgim të një vajze 22-vjeçare kurdo-iraniane, e arrestuar për shkeljen relativisht të padëmshme të mosmbajtjes së hixhabit. Qindra persona humbën jetën - përfshirë edhe fëmijë - ndërsa autoritetet iraniane vepruan me shpejtësi për të shtypur pakënaqësinë.
Dhe, duke gjykuar nga reagimi i regjimit ndaj shpërthimit më të fundit të protestave kundër qeverisë, ajatollahët po përpiqen të përdorin të njëjtat taktika për të riafirmuar autoritetin e tyre - me raportime që tashmë flasin për disa viktima në mbarë vendin.
Dallimi thelbësor është se, kësaj radhe, aftësia e regjimit për të mbrojtur veten është seriozisht e komprometuar nga dobësia e natyrshme e pozitës në të cilën ndodhet.
Pasi u poshtërua gjatë luftës 12-ditore të verës së kaluar me Izraelin - që përfundoi me shkatërrimin e elementëve kyç të infrastrukturës bërthamore dhe ushtarake - gjendja e regjimit është përkeqësuar nga kolapsi dramatik ekonomik që ndodhi pas përfundimit të armiqësive.
Me inflacionin që tashmë arrin në 50 për qind dhe me vendin që vuan nga papunësia e përhapur te të rinjtë, rënia drastike e vlerës së rialit - monedhës kombëtare - e ka vendosur ekonominë iraniane praktikisht në gjendje mbijetese.
Me qeverinë që ballafaqohet me vështirësi për të përballuar ndikimin e sanksioneve ndëshkuese, të vendosura për shkak të aktiviteteve bërthamore të Iranit, rënia prej 40 për qind e vlerës së rialit - që nga lufta me Izraelin - ka vënë shumë tregtarë dhe biznesmenë para falimentimit.
Pra, nuk është për t'u habitur që protestat fillestare nisën në Pazarin e Madh të Teheranit, ku tregtarët - dikur të pasur të klasës së mesme, familjet e lidhura ngushtë me rrjetet tregtare që përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomisë iraniane - u bashkuan me studentët e pakënaqur për të shprehur zemërimin ndaj paaftësisë ekonomike të regjimit.
Me vendin që ende vuan nga thatësira e përhapur, për të cilën shumë iranianë besojnë se është rezultat i viteve të tëra pa investime në infrastrukturën kritike, paaftësia e ajatollahëve për të ofruar madje edhe standardet më bazike të jetesës për qytetarët, ka nxitur pakënaqësi të përgjithshme në gjithë vendin.
Iranianët janë gjithashtu të tërbuar nga shumat e mëdha që regjimi ka shpërdoruar për të financuar grupe të ndryshme terroriste në Lindjen e Mesme, si Hezbollahu në Liban dhe Hamasi në Gazë, në vend që të përqendrohet në nevojat e popullit iranian.
Zemërimi në rritje ndaj gjendjes së vendit ka çuar në shumë thirrje, nga protestuesit, për ndryshim regjimi dhe për t’i dhënë fund përfshirjes së Iranit në aventura të jashtme - të dështuara dhe të kushtueshme. Thirrjet si “vdekje diktatorit” dhe “vdekje Khameneit” janë shoqëruar me britma si “Jo Gazës, jo Libanit, jeta ime le të jetë sakrificë për Iranin”. Në pjesë të tjera të vendit, madje janë dëgjuar edhe brohoritje në mbështetje të Shahut të mëparshëm - me spektatorë në një ndeshje futbolli në Isfahan që thërrisnin: “Reza Shah, prehu në paqe”.
Shenjë ogurzeza për ajatollahët është gjithashtu edhe shfaqja e çarjeve në strukturën e regjimit, me presidentin e prirur drejt reformave, Masoud Pezeshkian, që ka argumentuar se qeveria duhet të dëgjojë kërkesat e protestuesve.
Pezeshkiani më pas ka urdhëruar qeverinë që të dëgjojë “kërkesat legjitime” të protestuesve, me zyrtarë të qeverisë që thonë se do të krijohet “një mekanizëm dialogu” për të zhvilluar bisedime me udhëheqësit e lëvizjes protestuese.
“Jetesa e popullit është shqetësimi im i përditshëm”, ka shkruar Pezeshkian në një postim në X.
Qëndrimi më i moderuar i presidentit përbën një kontrast të fortë me qasjen e pamëshirshme që zakonisht ndjek Udhëheqësi Suprem, Ali Khamenei, dhe mbështetësit e tij në Gardën Revolucionare, kur përballen me shfaqje të mëdha pakënaqësie publike.
Në një diktaturë teokratike si Irani, mjafton që një fraksion të dalë nga rreshti që e gjithë struktura të shembet. /Telegrafi/
Ministria e Inteligjencës e Iranit ka lëshuar një paralajmërim zyrtar mbi përpjekjet e kombeve të huaja, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, për të vrarë Udhëheqësin Suprem, Ali Khamenei, dhe për të destabilizuar vendin. Sipas agjencisë së lajmeve ISNA, Ministri i Inteligjencës, Esmail Khatib, deklaroi se “armiku kërkon të synojë udhëheqësin suprem, ndonjëherë me përpjekje për vrasje…
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, ka thënë se Teherani do të shqyrtojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara vetëm nëse ajo ndryshon politikën e saj në rajon, përfshirë mbështetjen për Izraelin.
"Nëse ata braktisin plotësisht mbështetjen për regjimin sionist, tërheqin bazat e tyre ushtarake nga këtu (rajoni) dhe përmbahen nga ndërhyrja në këtë rajon, atëherë ai (bashkëpunimi) mund të merret në konsideratë", ka thënë Khamenei të hënën.
Deklaratat erdhën gjatë një takimi me studentët në Teheran që shënoi përvjetorin e marrjes së kontrollit të ambasadës amerikane në vitin 1979 pas Revolucionit Iranian, i cili rrëzoi Shahun e mbështetur nga Perëndimi, Mohammad Reza Pahlavi.
Në mesin e qershorit, Izraeli nisi një sulm ajror të paparë kundër Iranit, duke shkaktuar një luftë në të cilën SHBA-të u bashkuan shkurtimisht me sulme në centralet bërthamore iraniane dhe vranë 935 njerëz në Iran dhe 24 në Izrael.
Lufta 12-ditore me Izraelin shkaktoi një përgjigje iraniane me sulme me raketa dhe dronë, duke prishur bisedimet bërthamore midis Teheranit dhe Uashingtonit, të cilat kishin filluar në prill.
Një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA-të dhe Katari ka qenë në fuqi midis Iranit dhe Izraelit që nga 24 qershori.
"Nëse vendi bëhet i fortë dhe armiku e kupton se përballja me këtë komb të fortë nuk do të sjellë fitim, por do të sjellë humbje, vendi me siguri do të fitojë imunitet", shtoi Khamenei.
Irani ka qenë i tronditur nga sanksionet ndërkombëtare për vite me radhë, veçanërisht pasi Shtetet e Bashkuara në vitin 2018 u tërhoqën nga një marrëveshje bërthamore dhe rivendosën sanksionet.
Në shtator, Kombet e Bashkuara rivendosën sanksionet sipas të ashtuquajturit mekanizëm "kthimi në kohë" pasi Britania, Franca dhe Gjermania nxitën procesin.
Të dielën, Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha në një intervistë me Al Jazeera se Teherani mbeti "i gatshëm të hyjë në negociata" me Uashingtonin, por vetëm për programin e tij bërthamor, duke përjashtuar çdo bisedë mbi aftësitë e tij raketore.
Ai shtoi se bisedimet mund të rifillojnë "sa herë që amerikanët të jenë të gatshëm të negociojnë në kushte të barabarta dhe bazuar në interesa të ndërsjella. Me sa duket, ata nuk po nxitojnë. As ne nuk po nxitojmë". /Telegrafi/