Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Durmishi: Qeveria nuk është kundër rritjes së pagës minimale, do të respektojmë vendimin për të cilin do të bien dakord sindikatat dhe punëdhënësit

24 December 2025 at 20:02


Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi tha sot se shporta qeveritare e konsumit nuk do të publikohet në janar, siç u paralajmërua disa ditë më parë, ai shtoi se edhe rritja e pagës minimale nuk mund të bëhet aktualisht pasi kompanitë kanë pasur produktivitet të ulët.

"Nuk ka asnjë mundësi për rritje intervenuese të pagës minimale, pasi produktiviteti është i ulët dhe kompanitë nuk do ta përballojnë. Për festat nuk do të ketë masa, sepse çmimet e ushqimit nuk janë rritur, deklaroi Durmishi.

Ai tha se metodologjia e re për shportën qeveritare të konsumit është e gatshme, u është dorëzuar sindikatave dhe punëdhënësve që para zgjedhjeve dhe tani po presin vërejtje prej tyre.

“A kanë kritika, a kanë propozime, a pajtohen apo jo. Ajo metodologji është gjithëpërfshirëse, bazohet në institucione relevante, ku nuk e konteston shportën minimale sindikale të sindikatave, por ne kemi bërë një metodologji më konkrete, e cila më saktë do të tregojë sa është një shpenzim, një shportë mesatare e konsumit për një familje, familje katëranëtarëshe”, tha Besar Durmishi.
Ministri Durmishi tha se nuk do të ketë Shportë të Vitit të Ri, as masa për kufizimin e çmimeve, sepse çmimet nuk janë rritur.
“Ne, kur kishte sjellje devijuese nga ana e tregtarëve, sollëm masa që ishin zgjidhje afatshkurtra. Kështu që, diçka e tillë deri më tani, ja edhe para dy ditësh dhe sot jam në kontakt me drejtorin e Inspektoratit të Tregut, deri më tani nuk kemi informacione se ka diçka të tillë apo sjellje devijuese ose rritje të çmimeve, konkretisht për ato produkte që përdoren më shumë gjatë festave”, deklaroi Durmishi.

Ai edhe një herë e përsëriti qëndrimin se Qeveria nuk është kundër rritjes së pagës minimale dhe do të respektojë gjithçka që do të bien dakord sindikatat dhe punëdhënësit.

Miratohet në qeveri, nga 1 janari paga minimale në Shqipëri 518 euro

19 December 2025 at 21:04


Këshilli i Ministrave në Shqipëri gjatë mbledhjes së kësaj të premte ka miratuar disa vendime.

Mes vendimeve të miratuara është edhe ajo për pagën minimale.

Sipas vendimit të Qeverisë së Shqipërisë, paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj do të jetë 50,000 lekë (518 euro).

Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026./Euronews Albania

Vendimet e mbledhjes së qeverisë/ Rritet paga minimale në 50 mijë lekë, hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm

By: M C
19 December 2025 at 18:11

Vendimi për rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë, hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi, është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj.

Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026.

NJOFTIMI

Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije vendimet e miratuara në mbledhjen e sotme të qeverisë datë 19.12.2025 Paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 (njëqind e shtatëdhjetë e katër) orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026.

Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 169 850 000 (njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë milionë e tetëqind e pesëdhjetë mijë) lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit të njësive individuale të banimit në Bashkinë Durrës.

Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 5 314 932,40 (pesë milionë e treqind e katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e dy presje dyzet) lekë pa TVSH, për financimin e riforcimit të banesave individuale për ata individë, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë, që rezultojnë me shkallë dëmi DS4 e që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni, në bazë të aktekspertizave të thelluara, në Bashkinë Shijak.

Efekti financiar në masën 5 314 932,40 (pesë milionë e treqind e katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e dy presje dyzet) lekë përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2025, dhe i transferohet Bashkisë Shijak në formën e transfertës së pakushtëzuar.

Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Klos të disa zonave;
Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Vau i Dejës të disa zonave;

Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këtë zonë janë:

a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.

The post Vendimet e mbledhjes së qeverisë/ Rritet paga minimale në 50 mijë lekë, hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm appeared first on Albeu.com.

Qeveria miraton rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë

19 December 2025 at 17:45

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Qeveria miratoi sot rritjen e pagës minimale mujore, duke e çuar atë nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë, si pjesë e angazhimeve të ndërmarra ndaj qytetarëve dhe punëmarrësve.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se, vendimi prek rreth 307 850 punonjës të regjistruar në sektorin publik dhe privat dhe synon mbrojtjen e nivelit të jetesës, fuqizimin e kapitalit njerëzor dhe përmirësimin e standardit të jetesës për mijëra familje shqiptare.

Sipas saj, rritja e pagës minimale pritet të ketë ndikim pozitiv edhe në uljen e informalitetit në tregun e punës, si dhe në forcimin e respektimit të kontratave ligjore dhe të të drejtave të punonjësve.

“Njëkohësisht, rritja e pagës minimale ndihmon në uljen e informalitetit në tregun e punës dhe në forcimin e respektimit të kontratave ligjore. Ekonomia rritet kur puna vlerësohet dhe dinjiteti i punonjësve vendoset në qendër të politikave publike”, deklaroi Ibrahimaj.
1 nga 2
/j.p/r.e/

The post Qeveria miraton rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hidrocentrale pa kufi: Ballkani “hambar” i HEC-eve të vogla

11 December 2025 at 17:10

Hidrocentralet konsiderohen “burim i gjelbër” energjie për shkak të emetimeve të ulëta të karbonit, por ndikimet e tyre në natyrë dhe komunitetet lokale janë kthyer në shqetësime serioze.

Rritja e projekteve në Ballkan

Ballkani, me burime ujore të shumta, është kthyer në një “hambar” hidrocentralesh të vogla, zakonisht me kapacitete deri në 2MW.

Sipas një monitorimi të organizatave mjedisore EuroNatur dhe RiverWatch, numri i hidrocentraleve është rritur ndjeshëm në Ballkan. Kështu deri në vitin 2024 numëroheshin mbi 5,000 projekte hidrocentralesh.

Nga numri i përgjithshëm, 1,836 janë në punë, 94 në ndërtim dhe pjesa tjetër: 3,188 ende në letër.

Rreth 92% e hidrocentraleve janë më të vogla se 10MW, që prodhojnë energji minimale, por shkaktojnë dëme të pakthyeshme në lumenj dhe komunitete lokale”.

Organizatat mjedisore thonë se gati gjysma e projekteve ndodhen brenda zonave të mbrojtura, duke qenë në kundërshti me qëllimin pse këto zona janë të mbrojtura.

Që nga viti 2022, 110 hidrocentrale të reja kanë nisur punë, duke shkatërruar rreth 1,100 kilometra rrjedhë lumenjsh.

Vendet më të prekura nga “shkatërrimi”

Sipas raportit të EuroNatur dhe RiverWatch, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria dhe Serbia janë “pikat e nxehta” të ndërtimit të digave. Greqia dhe Kroacia duket se po zgjerojnë gjithashtu projektet.

Në Shqipëri, numërohen 27 kantiere dhe 346 projekte në fazë planifikimi. Disa nga më shqetësueset gjenden përgjatë lumit Shkumbin “pa asnjë degë të mbetur pa digë” dhe në Parkun Kombëtar të Shebenikut.

Po aq shqetësues mbetet lumi Devoll. Digat e Banjës dhe Moglicës e kanë transformuar pjesën e sipërme të lumit në një seri rezervuarësh, duke prishur lidhjen gjatësore dhe ekosistemin e rrjedhës poshtë.

Kapaciteti i instaluar i hidrocentraleve në Shqipëri arrin rreth 1,450 MW dhe përbën mbi 90% të energjisë së vendit, duke u mbështetur kryesisht në kaskadat e lumenjve.

Në Bosnjë e Hercegovinë, digat të shumta kërcënojnë lumenjtë kryesorë, si Neretva dhe Drina e Sipërme.

“Më shumë se 50 HEC-e, në shkallë të vogël dhe të madhe, kërcënojnë të gjithë rrjetin lumor – Neretvën dhe çdo degë të saj”, thuhet në raport.

Krahasim i përgjithshëm midis viteve (2012-2024) Burimi: EuroNatur/River Watch


Kosova raportohet të ketë 83 hidrocentrale të planifikuara dhe 8 në proces ndërtimi. Disa HEC-e janë mbyllur për shkak të problemeve me licencimet.

“Shqetësim i madh është zonimi i Parkut Kombëtar të Malit të Sharrit për shkak të përjashtimit të luginave të mëdha të lumenjve, siç është lumi Lepenc”, thuhet në raport.

Serbia raportohet të ketë 803 projekte të planifikuara dhe 22 në ndërtim, ajo konsiderohet e dyta për nga numri i lartë i projekteve, ndërsa Maqedonia e Veriut 165 projekte të planifikuara dhe 7 në ndërtim.

Sipas raportit, ndërtimi i hidrocentraleve të vogla dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut janë të ngadalta, mirëpo ka projekte të shumta dhe të qëndrueshme.

Në Mal të Zi janë 93 projekte të planifikuara dhe 2 në ndërtim. Shumë HEC-e gjenden brenda zonave të mbrojtura, përfshirë parqet kombëtare dhe vendet Natura 2000.

Raporti thekson se në vendet ballkanike të BE-së ku përfshihet Greqia, Bullgaria, Kroacia dhe Sllovenia, thuajse gjysma e projekteve (1,611; 49%) janë planifikuar ose ndërtuar brenda zonave të mbrojtura ekzistuese (242 në Parqe Kombëtare; 569 në zona Natura 2000).

HEC-et në zona të mbrojtura Burimi: EuroNatur/River Watch

Hidrocentralet dhe lufta e komuniteteve në Shqipëri

Në Shqipëri, sipas të dhënave të mbledhura edhe nga EuroNatur dhe Riverwatch, projektet e hidrocentraleve kanë shkaktuar përplasje midis komuniteteve dhe ndërtuesve.

Në 2019 dhe 2020, Kryeministri Edi Rama pranoi se HEC-et e vogla shpesh janë të padobishme dhe dëmtojnë komunitetet sikurse dhe ekosistemin.

“Ato funksionojnë si shushunja që thithin gjakun e organizmit të vendit, duke lënë toka pa ujë dhe komunitete pa mundësi të punojnë tokën,” do të shprehej Rama.

Megjithatë, ndërtimet vazhduan, duke evidentuar tensionet midis energjisë së gjelbër dhe mbrojtjes së lumenjve dhe jetës lokale.

Raste të shpeshta të raportuara nga Citizens.al kanë dëshmuar për përplasje dhe qëndresë nga komunitetet lokale.

Shembull konkret mbeten zona si ajo e Zall-Gjoçajt në Lurë, Kaçinarit në Mirditë dhe Kurdarisë në Mat, ku banorët janë organizuar në protesta duke kundërshtuar prej vitesh ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve.

Lexo gjithashtu:

The post Hidrocentrale pa kufi: Ballkani “hambar” i HEC-eve të vogla appeared first on Citizens.al.

Kurti: Nga muaji i ardhshëm paga minimale bëhet 425 euro bruto

9 December 2025 at 14:20

PRISHTINË, 9 dhjetor /ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se paga minimale nga muaji i ardhshëm do të bëhet 425 euro bruto, nga 350 euro që është aktualisht.

Kurti përmes një postimi në Facebook tha se nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë, ku paga minimale do të bëhet 500 euro.

Ai tha se nga rritja e pagës minimale do të përfitojnë 150 mijë punëtorë të sektorit privat.

Kurti thotë se para qeverisjes së tij paga minimale ishte 130/170 euro që ishte e pandryshuar për më shumë se një dekadë.

Postimi i plotë:

Nga muaji i ardhshëm paga minimale bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash. Kurse nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro, siç edhe e kemi paraparë me vendimin që kemi marrë si Qeveri.

Rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë nga kjo rritje.

Pagën minimale e gjetëm 130/170 euro, të pandryshuar për më shumë një dekadë, dhe brenda një mandati po e rrisim për të tretën herë.

/KosovaPress//r.e/

The post Kurti: Nga muaji i ardhshëm paga minimale bëhet 425 euro bruto appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti: Nga janari paga minimale 425 euro bruto, kurse nga 1 korriku 500 euro

9 December 2025 at 13:25


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se nga muaji i ardhshëm paga minimale bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash.

Këtë e bëri të ditur Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ku ndër të tjera ka shkruar se nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro.

Kurti tha se rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë nga kjo rritje.

“Pagën minimale e gjetëm 130/170 euro, të pandryshuar për më shumë një dekadë, dhe brenda një mandati po e rrisim për të tretën herë”, ka shkruar Kurti. /Telegrafi/


Bytyqi: Paga minimale duhet të rritet

5 December 2025 at 22:40


Fatmir Bytyqi, deputet i LSDM-së, në emisionin “Biznis21” në TV21 theksoi rëndësinë e rritjes së pagës minimale në vend.

Ai tha se qeveria duhet të ndërhyjë me mekanizma korrekt që të mbrojë punëtorët dhe bizneset.

“Po, paga minimale duhet të rritet. Edhe bizneset kanë theksuar se është seriozisht e nevojshme të rritet paga minimale, në mënyrë që të mbahen punëtorët në vend dhe të sigurohet stabilitet për njerëzit që janë thelbësorë për kompanitë. Qeveria duhet të ndërhyjë përmes modeleve të ndryshme, të cilat janë të njohura dhe të aplikuara në mbarë botën, sepse nuk mund të mbrohet vetëm njëra palë – biznesi. Edhe punëtorët duhet të jenë të mbrojtur”, deklaroi Bytyqi.

Ai shtoi se vizioni i tij është që çdo punëtor të marrë një pagë dinjitoze, duke theksuar se rritja e pagës minimale nga 9.000 në 23.000 denarë në të kaluarën është shembull i politikave të tilla: “Besoj se çdo punëtor meriton një pagë të denjë.”

VLEN: Nga muaji mars i vitit 2026, paga minimale do të jetë 26.400 denarë

14 November 2025 at 20:00


Koalicioni VLEN përmes një komunikate për media thonë se tani fillon epoka e re ekonomike, paga minimale shkon në 26.400 denarë.

Nga VLEN thonë se paga minimale nga muaji mars do të rritet për 2000 denarë, dhe e njejta do të jetë 26,400 denarë.

Reagimi i plotë:

"Pas një fitoreje plebishitare në zgjedhjet lokale, ku qytetarët shqiptarë në çdo komunë bënë të qartë besimin e tyre te VLEN, ne po e kthejmë menjëherë këtë besim në punë konkrete dhe rezultate të prekshme. Sot, koalicioni VLEN njofton një lajm që prek drejtpërdrejt mijëra familje: Paga minimale do të rritet me rreth 2.000 denarë në mars 2026, duke arritur në 26.400 denarë neto. Kjo falë dhe përkushtimit maksimal të Ministrit të Ekonomisë, Besar Durmishi, dhe kjo është vetëm fillimi i reformave që po sjellim në ekonominë e vendit.Kjo rritje është dëshmia më e fortë se qeverisja e VLEN nuk njeh pritje, nuk njeh vonesa dhe nuk njeh justifikime. Premtimet tona po kthehen në vendime, e vendimet po kthehen në benefite të prekshme për qytetarët.Standardi jetësor i punëtorëve është prioriteti ynë. Dinjiteti i çdo familjeje është përgjegjësi e jonë. Ne po ndërtojmë një ekonomi ku puna shpërblehet drejt, ku të rinjtë shohin perspektivë dhe ku të gjithë ndihen të mbrojtur.VLEN do të vazhdojë me vendime të guximshme dhe politika të qarta në shërbim të qytetarëve, sepse besimi që na dhatë më 19 tetor po e kthejmë në punë, zhvillim dhe dinjitet. Kjo është qeverisja që ndjehet në jetën e qytetarëve”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Rama: Paga minimale, 500 euro nga 1 janari 2026

14 November 2025 at 18:25

TIRANË, 14 nëntor/ATSH/Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se paga minimale në Shqipëri do të shkojë në 500 euro duke filluar nga 1 janari 2026.

Gjatë një takimi me banorët e Njësisë nr. 2 në Tiranë, ku prezantoi projektbuxhetin për vitin 2026, Rama theksoi se rritja e pagës minimale është një angazhim i marrë para se Partia Socialiste të fitonte mandatin e katërt qeverisës.

“Do të jetë një rritje siç e kemi thënë para se të merrnim besimin dhe 83 mandatet për të qeverisur edhe 4 vite të tjera, që brenda mandatit tonë të katërt paga minimale të arrijë në 700 euro. Kjo vlen si për sektorin publik, ashtu edhe për sektorin privat”, u shpreh Rama.

Sipas kreut të qeverisë, rritja e pagës minimale nuk do të kufizohet vetëm në administratën publike, pasi ligji i ri do të përcaktojë se nuk do të ketë pagë nën 500 euro në asnjë sektor. /j.p/

The post Rama: Paga minimale, 500 euro nga 1 janari 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Paga minimale 500 €, qeveria përgjysmon ndihmën e premtuar ndaj biznesit 

14 November 2025 at 15:25
Esmeralda Topi

Në një nga daljet e tij të fundit në rrjetet sociale mbi buxhetin e vitit të ardhshëm, kryeministri Edi Rama reklamoi rritjen e pagës minimale në 500 euro nga viti 2026 dhe kujtoi edhe një premtim të bërë gjatë fushatës elektorale për bizneset, që preken direkt nga ky vendim.

“Siç e kemi premtuar qeveria do të subvencionojë për një periudhë nëntë mujore me 90 milionë euro edhe shtesën e kostos të sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat”, deklaroi Rama më 5 nëntor. 

Në fakt, premtimi fillestar për subvencionimin e bizneseve ishte për një periudhë 18 mujore. Gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, Rama u kishte premtuar sipërmarrësve këtë lehtësi për një vit e gjysmë.

“Sipërmarrësit do të jenë detyruar të rrisin pagën minimale, por ne do t’u japim një lehtësi që gjatë 18 muajve pas pagës së parë, shteti atyre nuk do t’u kërkojë asnjë detyrim tatimor mbi shtesën prej 100 eurosh”, premtoi Rama më 29 mars. 

Goditje për biznesin

Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, paralajmëron rritje të vështirësive për bizneset pas përgjysmimit të periudhës së subvencionit. Ai thekson se periudha 18-mujore ishte e domosdoshme për të amortizuar ndikimin e rritjes së pagës minimale.

“Afati 18 muaj ishte si një amortizator që biznesi të përshtasë kostot e tija dhe çmimet e shitjes me këtë rritje të detyruar. Veçanërisht kjo është shumë e ndjeshme për bizneset prodhuese dhe ato eksportuese,” thotë Zusi. 

Sipas tij, përgjysmimi i periudhës e detyron biznesin të përballojë gjithë barrën në kohë më të shkurtër dhe rrit rrezikun për ulje prodhimi dhe presion mbi eksportet.

“Ulja në 9 muaj, shto këtu edhe rënien e pandalshme të euros që e rrit në tërësi koston e pagës së punonjesit duke i shtuar pas 9 muajsh edhe gjithë barrën fiskale që e shoqëron këtë rritje çfarë do prodhojë tjetër veçse rënie të mëtejshme të prodhimit vendas e veçanërisht vazhdimin e trendit rënës të eksporteve të viteve të fundit”, argumenton ai. 

Aktualisht të dhënat e Eurostat tregojnë se paga minimale në Shqipëri llogaritet 408 euro (45,540 lekë). Pavarësisht rritjeve graduale të dekadës së fundit, vendi mbetet i fundit në rajon dhe në Evropë, si në vlerë nominale, ashtu edhe në standardin e fuqisë blerëse. 

Burimi: Eurostat

Edhe kur merret në konsideratë fuqia blerëse, Shqipëria renditet e fundit në Evropë. Çmimet e ushqimeve, energjisë dhe qirave janë ndër më të lartat në rajon, ndërsa të ardhurat minimale nuk mjaftojnë për të përballuar kostot bazë të jetesës.

Përfundim

Mbështetja për biznesin pas rritjes së pagës minimale pritet të realizohet pjesërisht por jo në përputhje me premtimin fillestar. 

Nisur nga këto të dhëna, premtimin e kryeministrit Edi Rama se ‘qeveria do të subvencionojë për një periudhë nëntë mujore me 90 milionë euro edhe shtesën e kostos të sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat’ e kategorizojmë pjesërisht të mbajtur, pasi fillimisht qeveria u angazhua për një periudhë 18- mujore

The post Paga minimale 500 €, qeveria përgjysmon ndihmën e premtuar ndaj biznesit  appeared first on Faktoje.al.

Paga minimale është dyfishuar por Shqipëria mbetet e fundit në rajon

5 November 2025 at 13:40

“Paga minimale është dyfishuar. Në hyrje të vitit që po troket do të jetë 500 euro, s’kemi pse të mos e pranojmë”, deklaroi Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, tetor 2025.

Deklarata u bë në një dalje publike, ku ministrja theksoi se rritja e pagës minimale është një prej arritjeve kryesore të qeverisë, duke e konsideruar si tregues të suksesit ekonomik të vendit. 

Ana tjetër e medaljes

Por të dhënat më të fundit të Eurostat (korrik 2025), tregojnë se paga minimale në Shqipëri është rreth 408 euro (45,540 lekë). Pavarësisht rritjeve graduale të dekadës së fundit, vendi mbetet i fundit në rajon dhe në Evropë, si në vlerë nominale, ashtu edhe në standardin e fuqisë blerëse. 

➡ Burimi: Eurostat 

Mali i Zi mban vendin e parë me 670 euro, më tej vjen Serbia me 618 euro dhe Maqedonia e Veriut me 584 euro.

Po ashtu, sipas Eurostat, paga minimale në vendet e BE-së varion nga 551 € në muaj në Bullgari deri në 2 704 € në muaj në Luksemburg.

Edhe kur merret në konsideratë fuqia blerëse, Shqipëria renditet e fundit në Evropë. Çmimet e ushqimeve, energjisë dhe qirave janë ndër më të lartat në rajon, ndërsa të ardhurat minimale nuk mjaftojnë për të përballuar kostot bazë të jetesës.

Kjo tregon se “dyfishimi” i pagës minimale, ndonëse real në terma nominalë (nga 24 mijë lekë në 2015 në 45,540 lekë në 2025), nuk përkthehet në përmirësim real të standardit të jetesës.

Propagandë dhe premtim i përsëritur

Deklarata e ministres vjen disa muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku paga minimale u përdor si kartë elektorale.

Në nisje të fushatës, kryeministri Edi Rama kishte shpallur premtimin për rritjen e pagës minimale në 500 euro, që sipas tij do të miratohej në qershor të 2025 dhe do të hynte në fuqi nga janari 2026.

Në qershor do ta bëjmë pagën minimale 500 euro dhe do të hyjë në efekt nga janari i 2026-ës,”  deklaroi Rama në prill 2025, pak para zgjedhjeve, duke shtuar se kjo rritje nuk do të rëndonte mbi biznesin.

Por një verifikim i Faktoje tregoi se vendimi për rritjen e pagës minimale nuk u miratua në qershor sikurse u premtua. 

Kjo nuk ishte hera e parë që rritja e pagës minimale përdorej si mjet propagande. Edhe në zgjedhjet vendore të 2023, kryeministri premtoi se paga minimale do të shkonte në 450 euro, premtim që nuk u mbajt.

Përfundim

Është e vërtetë që paga minimale në Shqipëri është dyfishuar nominalisht në dekadën e fundit,  nga 24 mijë lekë në 2015 në mbi 45 mijë lekë në 2025. Por kjo rritje nuk ka ndryshuar renditjen e vendit, i cili vijon të mbetet i fundit në rajon dhe në Evropë, si për nivelin e pagës minimale, ashtu edhe për fuqinë blerëse.

Nisur nga këto të dhëna, deklaratën e ministres Delina Ibrahimaj, do ta kategorizojmë si gjysmë të vërtetë. 

The post Paga minimale është dyfishuar por Shqipëria mbetet e fundit në rajon appeared first on Faktoje.al.

Kryeministri Rama: Nga 1 janari paga minimale 500 euro. Brenda mandati shkon në 700 euro

By: lindita
5 November 2025 at 10:49

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije në një komunikim ne rrjetet se nga janari 2026 paga minimale do të shkojë 500 euro, ndërsa brenda këtij mandati qeverisës do të bëhet 700 euro. “Përshëndetje, sot me kostum se për pak marrim në dorëzim progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë dhe kemi konferencë. Padyshim që pjesën e luanit të buxhetit 2026 e zënë pensionistët për të cilët e…

Source

IKD: Qeveria në detyrë mori një sërë vendimesh të kundërligjshme dhe elektorale

31 October 2025 at 14:52


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kontestuar dhe kundërshtuar miratimin e vendimeve nga Qeveria në detyrë.

IKD thekson se këto vendime janë miratuar nga një përbërje e qeverisë që sipas Gjykatës Supreme është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe Ligjin.

“Për më tepër, vendimet e nxjerra në pritje të para mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe me mundësi të mëdha edhe para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, IKD i konsideron si vendime elektorale.

IKD në asnjë rrethanë nuk është kundër rritjes së pagave, pensioneve apo shtesave për kategori të caktuara. Për më tepër, në kohën kur vendi po përballet me një shkallë të lartë inflacioni, çështja e drejtësisë sociale do duhej të merrte një fokus të shtuar institucional. Megjithatë, këto çështje duhet të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Ligjin dhe jo këto vendime të merren në kontekst elektoral”, thuhet në reagim.

Sipas Institutit në një situatë të rënduar ekonomike dhe një klimë të përgjithshme zhgënjimi, është e lehtë të arsyetohet çdo veprim që duket se sjell përfitim të menjëhershëm, përkundër mos respektimit të ligjeve dhe procedurave.

“Por, ligjet dhe procedurat ekzistojnë pikërisht për t’i mbrojtur qytetarët nga abuzimi i pushtetit. Kur ato shkelen për qëllime politike, sot mund të duket se fitojmë diçka, por nesër humbim sigurinë, drejtësinë dhe barazinë para ligjit. Prandaj, mbrojtja e procedurës është mbrojtje ligjit, institucioneve dhe vetë interesave të qytetarëve.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, anëtarët e Qeverisë të cilët janë certifikuar si deputetë tanimë kanë humbur mandatin e tyre si anëtarë të Qeverisë, për shkak të papajtueshmërisë në mbajtjen e njëkohësisht të të dy pozitave, asaj të anëtarit të qeverisë dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Thënë më ndryshe, të gjithë anëtarët e qeverisë, të cilët janë certifikuar si deputet, nuk janë më anëtarë të qeverisë dhe nuk kanë asnjë kompetencë për të marrë asnjë vendim. Për këtë arsye, të njëjtit kanë uzurpuar zyrat e Qeverisë dhe rrjedhimisht të gjitha këto vendime, në mungesë të kompetencës, janë të kundërligjshme”, thuhet në reagim.

Sipas IKD-së, në mbledhjen e së premtes, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës fillimisht miratoi Projektligjin për Ndarjet Buxhetore për Vitin 2025 (Buxhetin) dhe se ky vendim bie ndesh me Ligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ligj ky i miratuar nga kjo Qeveri dhe aprovuar nga Kuvendi në kohën kur kjo Qeveri kishte shumicën në Kuvend.

“Kundërligjshmëria nuk përfundon këtu. Në votimin e buxhetit u përfshi edhe ajo që pagesa për përvojën e punës të rritet nga 0.25% në 0.5%. Fillimisht, duhet theksuar se në të kaluarën, pagesa për përvojën e punës ka qenë 0.5%. Ligji për Pagat në Sektorin Publik, miratuar nga kjo Qeveri, e kishte ulur në 0.25%. Për këtë, Gjykata Kushtetuese gjeti shkelje, duke urdhëruar Kuvendin që, deri më 1 gusht 2024, të bëjë ndryshimet e nevojshme në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Kjo Qeveri dhe Kuvendi i kaluar shkelën afatin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese, duke mos respektuar aktgjykimin e saj dhe duke mos bërë ndryshimin e Ligjit. Për shkak të kësaj, tanimë Gjykatat janë vërshuar me lëndë nga qytetarët të cilët kërkojnë realizimin e të drejtës së tyre.

Ndërsa, në takimin e së premtes, Qeveria e Republikës së Kosovës vendosi që këtë ta përfshijë në buxhet, përkundër faktit se kjo duhet të bëhet me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kështu, edhe në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit”, thuhet tutje.

Sipas IKD-së, e tillë është edhe çështja e pagës së trembëdhjetë.

“Kjo çështje nuk mund të rregullohet me një vendim qeveritar, por kërkohen ndryshime sistematike në Ligjet bazike. Adresimi i kësaj çështje përmes një vendimi qeveritar është një vendim juridikisht i pavlerë. Për më tepër, një vendimi të tillë do të duhej t’i paraprinte një analizë e thellë ekonomike, në kuptim të implikimeve që mund të ketë. Kjo duhet të shikohet në prizmin e aspektit të drejtësisë sociale, ku nuk duhet barazuar zyrtarët shtetëror me të hyra me mijëra euro, me zyrtarët me paga të ulëta. Sipas këtij vendimi, të dy kategoritë do të marrin pagën e 13-të. Në anën tjetër, analiza do duhej të përfshinte edhe inkuadrimin e sektorit privat në këtë masë. Për këtë arsye, përpos se i kundërligjshëm, ky vendim është edhe konceptualisht i gabuar dhe rrezikon të prekë edhe shkelje të së drejtës për trajtim të barabartë.

Sa i përket vendimit të për rritjen e pagës minimale, është i pasaktë deklarimi i z. Hekuran Murati në lidhje me atë se vendimi është marrë në mungesë të një propozimi nga Këshilli Ekonomik dhe Social. Aktualisht, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk e ka funksionalizuar këtë Këshill, andaj s’kishte se si të vinte një propozim i tillë”, thekson IKD.

Sipas Institutit vendimet e tjera të Qeverisë, që kanë të bëjnë me rritjen e pensioneve dhe rritjen e shtesave për fëmijë, në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe në kohën kur paralajmërohen zgjedhje të reja qendrore, janë vendime haptazi elektorale.

“Vet Kryeministri në detyrë Kurti thoshte se nuk rrit pagat në prag të fushatave, sikurse qeveritë paraprake”, thuhet ndër të tjera. /Telegrafi/

Qeveria vendos rritjen e pagës minimale në dy faza gjatë vitit 2026

31 October 2025 at 10:34


Në mbledhjen e mbajtur të premten, Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim për rritjen e pagës minimale, duke e ndarë këtë proces në dy faza gjatë vitit 2026.

Sipas Ministrit në detyrë të Financave, nga 1 janari i vitit të ardhshëm paga minimale do të shkojë në 425 euro, ndërsa nga 1 korriku 2026 do të arrijë në 500 euro, raporton Telegrafi.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi se kur Qeveria e tij kishte ardhur në pushtet, paga minimale ishte midis 130 dhe 170 euro. “E rritëm më parë në 264 euro, pastaj në 350 euro, dhe tani e rrisim në dy shkallë: 425 euro nga janari dhe 500 euro nga korriku i vitit të ardhshëm”, tha Kurti.

Ky vendim synon përmirësimin e standardit të qytetarëve dhe rritjen e fuqisë blerëse të punëtorëve në vend, duke u bërë një hap i rëndësishëm drejt stabilizimit ekonomik dhe mbështetjes sociale. /Telegrafi/

Paga minimale, reagon DhTIK: Takimi ishte konsultativ, nuk është marr asnjë vendim

30 October 2025 at 14:10


Dhoma e Tregtisë dhe Indutrisë Kosovë ka theksuar sot në takimin e thirrur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, nuk është marrë asnjë vendim rreth nivelit të pagës minimale.

DhTIK thekson se takimi ka qenë konsultues dhe palët pjesëmarrëse kanë dhënë mendimet e tyre dhe propozimet rreth kësaj çështje.

“DhTIK nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por ka kërkuar që një vendim i tillë duhet të merret vetëm atëherë kur Kosova të ketë institucione funksionale dhe fuqiplota, të bëhet një analizë e thelluar e gjendjes ekonomike, dhe propozimi për pagën minimale të vijë përmes Këshillit Ekonomiko-Social, e jo përmes Ministrisë së Financave”, thuhet në njoftim.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë tutje thekson se marrja e vendimit ad-hoc vetëm sa do të vështirësoj situatën ekonomike dhe ku më të dëmtuarit do të jenë qytetarët. /Telegrafi/

Azemi pas takimit me Muratin: U pajtuam që nga janari paga minimale të jetë 500 euro

30 October 2025 at 13:33


Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, pas takimit me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se është arritur pajtueshmëri që paga minimale të jetë 500 euro.

Azemi tha se, nëse gjithçka shkon sipas planit, kjo pagë do të fillojë të zbatohet nga janari i vitit të ardhshëm.

“Në takimin e sotëm është diskutuar lidhur për pagën minimale. Normal që ne si udhëheqës i sindikatës së punëtorëve kemi kërkuar që kjo pagë minimale të jetë 600 euro. Unë e kam pa pëlqimin e njerëzve kompetentë, qeverisë në detyrë që vlerësimi i tyre të jetë 500 euro. E kam pyetur decidivisht se nëse gjithçka shkon mirë kur mendoni të fillojë së implementuari”, ka thënë Azemi.

Sipas tij, propozimi për rritjen e shumës në 600 euro nuk është hedhur poshtë plotësisht, pasi është paralajmëruar se për këtë do të ketë diskutime të mëtejshme me palët përkatëse.

Ndërsa Kushtrim Ahmeti nga Dhomat e Tregtisë ka thënë se takimi me Muratin ishte konsultativ e ku thotë të kenë kërkuar që ky proces të shtyhet deri të bëhet një Qeveri të plotë dhe një Kuvend funksional.

“Nuk jemi kundër rritjes së pagës por momentumi dhe situata politike me të cilën po përballet vendi nuk është e favorshme. Ne i kërkuam ministrit, Hekuran Murati që ky proces të shtyhet derisa të ketë një Qeveri fuqiplotë dhe një Kuvend funksional. Dhe të kemi një analizë të thuktë të situatës aktuale ekonomike të cilën e ka vendi. D.m.th duke marrë të gjithë faktorët para se të dilet me propozime”, ka thënë ai.

Ahmeti po ashtu tha se një tjetër kërkesë është që të funksionalizohet Këshilli Ekonomiko-Social i cili vazhdon të mos jetë funksional.

“Të shkojë ky proces i vendosjes së pagës minimale përmes Këshillit Ekonomik-Social siç është bërë përherë, përjashto herën e fundit, ku ne nuk jemi pyetur fare. Ne kërkuam që ky proces të ketë një përfaqësim më të gjerë”, tha ndër të tjera Ahmeti. /Telegrafi/

Oda Ekonomike e Kosovës: Dialogu me komunitetin e biznesit nuk mund të zëvendësohet me takime formale

30 October 2025 at 12:01


Oda Ekonomike e Kosovës njofton opinionin publik se nuk ka qenë pjesë e takimit të thirrur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për çështjen e rritjes së pagës minimale, takim i planifikuar për të enjten, më 30 tetor, nga ora 10:00.

OEK thekson se në katër vitet e fundit nuk ka pasur asnjë dialog të mirëfilltë e gjithëpërfshirës ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit të biznesit, ndonëse një proces i tillë është thelbësor për adresimin e sfidave ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

“Gjatë kësaj periudhe, bizneset janë përballur me një sërë vendimesh të njëanshme, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e tregut dhe klimën e investimeve”, thuhet në reagim.

Kryetari i OEK-ut, z. Lulzim Rafuna, ka theksuar se proceset që prekin bizneset, siç është edhe çështja e pagës minimale, kërkojnë qasje serioze, analiza të mirëfillta dhe konsultim të gjerë me sektorin privat.

“Oda Ekonomike e Kosovës është pjesë e Këshillit Ekonomiko-Social me dy anëtarë dhe gjithmonë ka qenë e gatshme për dialog të hapur e konstruktiv. Megjithatë, një qeverisje legjitime dhe e votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës duhet të tregojë përgjegjësi institucionale, duke dëgjuar dhe përfshirë partnerët ekonomikë në proceset e vendimmarrjes”, ka deklaruar Rafuna.

OEK rithekson se nuk e sheh të arsyeshme të bëhet pjesë e asnjë fushate politike, por do të vazhdojë të angazhohet për takime të nivelit të lartë, me qëllim fuqizimin e bizneseve, stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin e vendit. /Telegrafi/

Azemi para takimit me Muratin: Paga minimale në sektorin privat duhet të jetë 600 euro

30 October 2025 at 10:02


Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Privat, Jusuf Azemi, ka folur para takimit të sotëm që pritet të zhvillohet me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ku do të diskutohet çështja e rritjes së pagës minimale.

“Ne do të marrim pjesë në këtë takim. Nuk dimë asgjë, dimë vetëm se do të bisedohet për pagën minimale. A do të jenë akterët kryesorë, nuk e di,” ka thënë Azemi.

Ai ka theksuar se qëndrimi i sindikatës, i cili është mbajtur edhe ndaj Ministrisë së Financave dhe Kryeministrisë që nga marsi i këtij viti, është se paga minimale e punëtorëve në sektorin privat duhet të jetë 600 euro.

“Qeveria mund të marrë vendim për 500 euro, ne e vlerësojmë edhe këtë lëvizje, por ne ia lëmë vetit dyert hapur sepse normalisht që të gjitha ato kompani që nuk përkrahin këtë pagë kemi të drejtën e grevave,” ka shtuar Azemi.

Sipas tij, një analizë e bazuar në shportën e një familjeje katër anëtarëshe tregon se një anëtar i familjes ka nevojë për rreth 2.80 euro brenda ditës për ushqim, transport, cigare, shkollim etj.

“Sa mund të kryej punë një person me 2.80 euro brenda ditës, mund ta vlerësojë secili për vete,” ka thënë Azemi.

Ndryshe, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e drejtuar nga Hekuran Murati ka ftuar përfaqësuesit e institucioneve dhe shoqatave të ndryshme në një takim të rëndësishëm për të diskutuar rreth çështjes së rritjes së pagës minimale në vend.

Telegrafi ka siguruar emailin që u është dërguar nga Ministria e Financave, ku thuhet se takimi do të zhvillohet sot në orën 10:00. /Telegrafi/

Ministria e Financave sot mban takim për rritjen e pagës minimale

30 October 2025 at 07:37


Sot Ministria e Financave do të zhvillojë një takim për rritjen e pagës minimale.

Ky takim zhvillohet në ora 10:00 në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Ndryshe, kryeministri në detyrë Albin Kurti, të dielën më 26 tetor në seancën ku dështoi formimi i qeverisë, gjatë prezantimit të vendimeve që do të marrin si qeveri në javën e parë përmendi edhe rritjen e pagës minimale në 500 euro që prek një pjesë të madhe të punëtorëve në sektorin privat.

Në gusht të vitit 2024 Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për rritjen e pagës minimale në 350 euro për punëtorët e të gjitha moshave.

E në realitetin e përditshëm, qytetarët po përballen me një barrë ekonomike gjithnjë e më të rëndë.

Çmimet e produkteve ushqimore janë rritur ndjeshëm, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për familjet shqiptare të mbulojnë nevojat bazë të përditshme.

Nga buka dhe qumështi, te frutat dhe perimet, çdo artikull në shportën e përditshme ka shënuar rritje.

Kjo situatë po thellon pasigurinë ekonomike dhe po prek veçanërisht shtresat e mesme dhe të ulëta të shoqërisë.

Në fillim të muajit edhe Agjencia e Statistikave njoftoi se në gusht çmimet ishin për 4.5 për qind më të larta krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu kishte deklaruar për Telegrafin se inflacioni po e bën çdo ditë e më shumë të vështirë jetën në Kosovë.

"Është vërtetë që agjenda politike në Kosovë është duke e ngulfatur sektorin privat dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Vetë fakti që kemi masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian dhe nuk ka projekte të cilat mund të jenë infuzion për mbështetje për zhvillim ekonomik, për mbështetje të sektorit privat është një situatë e vërtetë shqetësuese”, ishte shprehur ai.

Gërxhaliu po ashtu theksoi se edhe mungesa e institucioneve e ka bërë që të rëndohet edhe më shumë situate ekonomike. /Telegrafi/

❌
❌