Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 24 December 2025Main stream

Energji në kurriz të komuniteteve; mbi 200 hidrocentrale private në 15 vjet

24 December 2025 at 17:07

Shfrytëzimi i burimeve ujore për prodhim energjie elektrike ka qenë një nga të paktat politika të pandryshuara gjatë dekadës së fundit në Shqipëri.

Premtimet për të frenuar ndërtimin e hidrocentraleve, sidomos në zonat e mbrojtura, janë kaluar me një valë kontratash, projektesh të zvarritura dhe përplasjesh me komunitetet.

Citizens sjell një hartë të plotë të shpërndarjes së hidrocentraleve që u ndërtuan në 15 vitet e fundit.

Kush fiton dhe kush humbet nga ndërtimi i tyre? Përvoja tregon se komunitetet përreth digave nuk fitojnë gjë, përkundrazi.

Qeveritë ndërrohen, hidrocentralet vazhdojnë

Ndërsa qeveria e Kryeministrit Edi Rama, në pushtet prej vitit 2013, vazhdon ta paraqesë zhvillimin e hidrocentraleve si politikë të qëndrueshme energjitike, bilanci real mbetet i paqartë.

Pasi mori pushtetin, Rama e konsideroi “korrupsion shkatërrimtar” prirjen e qeverisë së shkuar të drejtuar nga Sali Berisha (2005-2013) për dhënien e lejeve të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura. 

Ai tha se në këto zona ishin dhënë 113 leje, prej të cilave theksoi se 55 “nuk kanë për të filluar punë” si zotim i tij se “politika me hidrocentralet” do të ndryshonte.

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) raportonte asokohe se vendi kishte 80 hidrocentrale private (2013) me kapacitet të përgjithshëm rreth 240 megavat (MW).

Pas kësaj, qeveria Rama shqyrtoi 103 kontrata koncesionare në një proces të gjatë, pas së cilit në vitin 2019 deklaroi anulimin e 27 prej tyre, që parashikonin ndërtimin e 80 HEC-eve.

Në këtë periudhë (2019) ERE raportonte për shumfishim të hidrocentraleve private: 197 me fuqi 827 MW.

Qeveria doli me gjykimin e përgjithshëm se hidrocentralet e vegjël ishin të padobishëm në aspektin energjetik dhe të dëmshëm në raport me mjedisin dhe komunitetet.

Makineritë të bllokuara në anën e lumit të Lusës, Kurdari/Citizens.al

“Nuk do ketë më në Shqipëri, leje për asnjë HEC nën 2 MW dhe nuk do lejohet më kurrë që në emër të prodhimit të energjisë të preken zona me rëndësi nga pikëpamja natyrore dhe turistike, apo komunitete, duke arritur deri në pikën që tubat e HEC-it të futen në burimin e ujit,” u zotua Rama asokohe.

Por koha tregoi se ky zotim nuk u mbajt. Qeveria vijoi të jepte leje për HEC-et e vogla, madje ajo ndërhyri edhe në ligjin e zonave të mbrotjura duke i tkurrur edhe territoret e parqeve kombëtare në favor të dhënies së burimeve ujore për HEC-e.

Rastet konkrete janë HEC-et në Zall-Gjoçaj apo dhe në Kurdari ku “HEC Doma” po ndërtohet pavarësisht kontestimeve të komunitetit dhe faktit se ka një kapacitet prej më pak se 2 MW.

ERE raportoi në vitin 2024 për 238 hidrocentrale private të prodhimit të energjisë.

Një rritje me 41 HEC-e (17.2%) krahasuar me vitin 2019 kur qeveria u zotua për qasje të kontrolluar, 158 HEC-e (66.3%) prej vitit 2013 kur socialistët morën pushtetin.

Më shumë se gjysma e këtyre impianteve (58%; 138 HEC-e) prodhojnë energji minimale (me kapacitete 2 ose më pak se 2 MW), dhe janë ndërtuar pavarësisht dëmeve ndaj mjedisit, burimeve ujore dhe komuniteteve.

Rrjeti i hidrocentraleve në Shqipëri

Në 15 vitet e fundit, ndërtimi i hidrocentraleve në Shqipëri është shtrirë në gjithë territorin. Kjo ka prekur shumicën e bashkive duke krijuar një rrjet të dendur tubash dhe digash në rrjedhat e lumenjve kryesorë të vendit.

Sipas të dhënave të siguruara nga Citizens.al nga 61 bashkitë e vendit, gjatë kësaj periudhe u vunë në punë 211 hidrocentrale, ndërkohë 24 të tjerë janë në proces ndërtimi.

Ky zgjerim ka ndodhur përmes kontratave të lidhura në periudha të ndryshme, shpesh edhe një dekadë më parë, që vijojnë të mbahen aktive pavarësisht zvarritjeve, proceseve gjyqësore apo kundërshtimit nga komunitetet lokale.

Ndërkohë, shpërndarja e hidrocentraleve nuk është e njëtrajtshme.

Bashki si Librazhdi (21), Dibra (19), Korça (15), Maliqi (15), Skrapari (13), Mirdita (12) dhe Klosi (12) përqendrojnë numrin më të lartë të hidrocentraleve në funksion, ndërsa në disa prej tyre vijojnë projekte të reja, shpesh të shoqëruara me protesta dhe konflikte ligjore.

Ndryshe, 30 bashki të tjera nuk kanë pasur zhvillime hidrocentralesh gjatë kësaj periudhe kryesisht për shkak të mungesës së burimeve ujore të qëndrueshme, duke nxjerrë në pah varësinë e modelit energjetik nga lumenjtë malorë.

Shtrirja e hidrocentraleve në Shqipëri/Citizens.al

Megjithatë në zona të ndryshme si Kukësi (13), Fushë-Arrëzi (10), Mati (8) dhe Tepelena (5) janë raportuar për projekte në proces. Shumica e këtyre projekteve janë kontestuar, veçanërisht në bashkinë Tepelenë, ku prej vitit 2017 ka nisur njëproces gjyqësor kundër ndërtimit të një HEC-i në lumin e Nivicës.

Të dhënat që ofrojnë autoritetet publike janë shpesh kontradiktore, megjithatë, ato tregojnë se qasja për ndërtimin e hidrocentraleve mbetet e pandryshuar që prej vitit 2010 dhe se ndërtimi i HEC-eve ka vijuar edhe pas premtimeve për ndalimin e lejeve të reja ndërsa roli i bashkive mbetet kryesisht administrativ, pa ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen.

Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), tha për Citizens.al se aktualisht janë mbi 150 projekte HEC-esh në procedura për “plotësim dokumentacioni” apo “marrje lejesh”. Kjo agjenci, në këtë pikë, mban të arkivuar si projekte në proces edhe rastet e rrëzuara me vendime gjykatash apo vendosjes së lumenjve në zona të mbrojtura, si për shembull: Kalivaçi, Shushica dhe Poçemi.

Në mungesë të një vlerësimi të plotë kombëtar për ndikimin mjedisor dhe social të këtij modeli zhvillimi, rrjeti i hidrocentraleve është konsoliduar tashmë si një realitet i pakthyeshëm, duke u shoqëruar me pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë afatgjatë të burimeve ujore dhe marrëdhënien mes investimeve private, komuniteteve lokale dhe interesit publik.

Kaçinari: “Uji në tuba” dhe një komunitet në revoltë

Në Kaçinar të Mirditës, tensioni i mbledhur ndër vite shpërtheu në fundin e muajit mars në një protestë të mirëfilltë. Qindra banorë nga fshatrat përreth, por dhe diaspora u mblodhën për të kundërshtuar ndërtimin e katër hidrocentraleve të koncesionarit “Shpërdhaza-Energji”.

Komuniteti i Mirditës në protestë kundër HEC-eve/Citizens.al

Banorët e konsiderojnë cenim kryesor për jetën e tyre futjen në tuba e disa prej përrenjve malorë, të cilët historikisht janë përdorur nga fshatrat.

Rruga e vështirë drejt Qafës së Vorres, rreth 40 minuta larg nga Rrësheni, ku u zhvillua protesta, tregonte njëkohësisht degradimin e territorit dhe tensionin e autoriteteve: postblloqe policore, kontrolle makinash dhe prezencë e pajustifikuar efektivësh.

“Këtu këtë popull e kanë grabitur,” përshkroi revoltën Arben Gega, një prej protestuesve, “por kur s’na ka bërë turku të ikim, këta jo se jo, nuk do t’ia arrijnë!”.

Gjok Beqiri, nga fshati Simon, tregoi se projekti prek shtatë fshatra me mbi 3,000 familje.

Kabina e rojeve dhe kamerat e sigurisë të vendosura përreth kantierit kishin krijuar një ambient të denjë për zonë ushtarake, ndërsa banorët, në mungesë informacioni dhe të vënë përballë faktit të kryer, ngritën dyshimet se dokumentacioni i kompanisë nuk është i rregullt.

Këtë shqetësim ndanë për Citizens.al disa prej tyre, të cilët thanë se nuk ishin njoftuar kurrë për dëgjesa publike, pavarësisht pretendimeve të kompanisë.

Në muajin prill, makineritë e kompanisë “Shpërdhaza-Energji” hynë në pyllin aty pranë, një zonë me një peizazh të larmishëm buzë rrugës, për të cilën banorët druajnë se mund të vuajë pasoja nga hidrocentralet.

Pasi konstatuan pemët e para të rrëzuara nga punimet ata organizuan protesta të tjera, një prej së cilës edhe në Tiranë, para ministrisë së Infrastrukturës.

Kryetari i fshatit Simon, Gjergj Deda, ngriti dyshimet se punimet po kryheshin pa lejet e nevojshme “sepse kërkonin dhe shoqëroheshin nga policia çdo ditë”.

Për komunitetin, uji është thelbi i jetesës: mullinjtë, tokat dhe historinë e tyre. “Vllaut s’ia fal, jo më të huajit,” kanë theksuar disa prej tyre.

Ndaj ata i janë drejtuar drejtësisë. Në shtator, Gjykata e Lezhës vendosi t’ia kalojë çështjen Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) duke shpallur moskompetencë.

Komuniteti i Mirditës në protestë kundër HEC-eve/Citizens.al

Ndërsa në 16 dhjetor, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi t’ia delegojë çështjen Gjykatës së Lartë, e cila do të përcaktojë gjykatën kompetente për shqyrtimin e kallëzimit të bërë nga 13 banorë të Kaçinarit, kallëzim i kryer prej 25 nëntor-it 2019.

Kurdaria: Një verë e nxehtë kundër HEC-it “Doma”

Në Kurdari të Matit, vera shënoi nisjen e punimeve për HEC-in “Doma”, një projekt i “Global Interprise Group” që pritet të shfrytëzojë lumin e Lusës dhe të hapë një trase të re rruge prej 4.4 km.

Për banorët, ky projekt vjen në një kohë kur ata vuajnë për ujë, pavarësisht investimeve në ujësjellës.

Erind Saliaj, administrator i Njësisë Administrative Suç, shpjegoi për Citizens.al se pesë fshatrat e zonës – Kurdari, Skënderaj, Kurqelaj, Suç dhe Kujtim – nuk kanë furnizim të rregullt dhe se ndërtimi i një hidrocentrali është “absurd” në këto kushte.

Tregues për situatën ishte gjendja në kafenenë më popullore të fshatit, e cila shërbente vetëm ujë të ambalazhuar, teksa çezma e oborrit të saj ishte tharë.

Procesi i dëgjesave publike ka qenë pika kryesore e tensioneve në këtë çështje, e cila është shoqëruar me protesta dhe përplasje me kompaninë.

Një ekskavator dhe furgon me gomë të çarë qëndronin të braktisur në fund të trasesë së hapur si dëshmi e përplasjeve. Ato ruheshin nga një kamerë, e cila për ironi furnizohej me panel diellor.

Sipas banorëve, dëgjesa e parë, e vitit 2018, tregoi se shumica ishin kundër hidrocentraleve, por ndryshe, në procesverbal u paraqit si shprehje dakordësie.

Rexhep Kuleni, një nga zërat më të fortë të komunitetit, tha se ky veprim përbën shkelje penale, për të cilën duhet gjetur përgjegjësia.

Ai kujton dëgjesën e dytë të mbajtur në vitin 2020, kur rreth 500 banorë u mblodhën dhe kërkuan që përfaqësuesi i kompanisë që interesohej për hidrocentralin të largohej.

Komuniteti i Kurdarisë në protestë kundër HEC-eve/Citizens.al

Por pavarësisht kundërshtive dhe premtimeve se nuk do të rikthehej në zonë, koncesionari u shfaq sërish, duke marrë firma në mënyrë të veçuar, pa pjesëmarrje lajmëruar të komunitetit apo autoriteteve.

“Marrin ca firma në mënyrë abuzive, ku një pjesë e madhe nuk e dinë çfarë kanë firmosur,” tha Kuleni, sipas së cilit në këto dëgjesa nuk ka pasur përfaqësues të bashkisë.

Banorët thonë se mungon transparenca, të dhënat, dhe mbi të gjitha mungon uji. Për ta, hidrocentrali është kërcënim ekzistencial dhe social, jo një projekt energjetik.

Zona, e njohur dhe si “hambari i Matit” për prodhimet bujqësore është zotuar se nuk do ta lërë projektin e hidrocentralit që të zbatohet duke vijuar ndalimin e makinerive t’i bashkohen kantierit.

“Nuk do ta lëmë, me firma të vjedhura, me firma të blera, populli nuk pranon,” theksoi Enver Dava, tokat e të cilit bien krah trasesë së hidrocentralit.

Më 22 tetor 2025, duke marrë parasysh tensionin mes banorëve dhe përfaqësuesve të firmës ndërtuese të hidrocentralit një grup pune nga AKBN-ja mbërriti në terren.

Në procesverbalin e mbajtur u konstatua hapje e trasesë për të pasur akses për punimet për hidrocentralin.

“Në momentin e monitorimit shoqëria nuk po arrinte dot të kryente punimet ndërtimore”, thuhet në procesverbalin e mbajtur nga grupi i punës së AKBN-së.

Paralelisht, banorët e kanë adresuar kundërshtinë e tyre edhe në rrugë gjyqësore. Në tetor, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë nuk i ndali punimet, ndërsa deri në një vendim në themel të çështjes, por pavarësisht kësaj banorët mbeten me shpresë për një vendim të drejtë.

Zall-Gjoçaj: HEC-et u ndërtuan, por beteja kundër tyre vazhdon

Në Zall-Gjoçaj, hidrocentralet “Sekë” dhe “Zais” morën formë mes polemikave, por qëndresa e komunitetit atje vijon prej më shumë se shtatë vitesh.

Reportazhet e emisionit “Opinion” nga Blendi Fevziu dhe portali Lexo.al nga Flogert Muça, promovuan me kërshëri gjatë muajve shtator-tetor investimet në hidrocentralet e Zall-Gjoçajt.

Materialet u përpoqën t’i jepnin një dimension tjetër investimit privat të sipërmarrësit italian Fabio Scuero. Sipas tyre tre HEC-et e ngritura në basenin e Urakës me kapacitet 30 MË, janë shoqëruar me investime për një rrjet ujësjellësi për 17 fshatra dhe rreth 90 km rrugë.

Por reportazhet ngjallën zemëratën e banorëve të Zall-Gjoçajt, të cilët prej vitit 2018 kanë protestuar kundër HEC-eve.

Në një deklaratë të përbashkët aktivistët e cilësuan atë reklamë duke kujtuar se Zall-Gjoçaj është bërë simbol rezistence pikërisht sepse HEC-et u ndërtuan brenda Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, një zonë e mbrojtur që u tkurr me një vendim të qeverisë në vitin 2022 për t’i hapur rrugë projektit të HEC-it “Zais”.

Prej vitesh, banorë si Abdi Toçi, Dhimitër Koleci dhe Adem Gjokolaj kanë protestuar, kallëzuar zyrtarë publikë dhe kanë çuar çështjen e Zall-Gjoçajt në disa procese gjyqësore.

Në tetor, Gjykata Administrative e Apelit la në fuqi vendimin që legjitimonte ndërtimin e HEC-eve, duke rrëzuar padinë për shfuqizimin e kontratave dhe akteve administrative.

Avokati i tyre, Franc Terihati, tha për Citizens.al se çështja do të shkojë në Gjykatën e Lartë, ndërsa Koleci tha se një padi tjetër po hetohet nga SPAK, dhe një padi penale mbetet e hapur për dëmet e shkaktuara gjatë punimeve, nga prishja e kanalit të ujit e deri te hedhja e inertëve në varreza.

Ndërkohë, kompania ka paditur vetë aktivistë e banorë për shpifje, gjë që komuniteti e sheh si formë presioni për të heshtur rezistencën.

Solidariteti i aktivistëve për tre banorët e paditur nga Seka Hydropower/Citizens.al

Në terren, pasojat sipas banorëve janë të prekshme: uji është i gjithi në tuba, burimet e fshatit janë shteruar dhe lumi nuk ka më prurjen e mëparshme. Banorët thonë se gjatë verës nuk kishin ujë as për të fikur zjarret, ndërsa bagëtia dhe bletët kanë pësuar dëme të pakthyeshme.

Për Zall-Gjoçajn, beteja nuk ka të bëjë vetëm me një projekt energjetik, por me të drejtën për të ekzistuar brenda peizazhit të tyre.

Edhe pse hidrocentralet u ndërtuan, çështjet ligjore, pasojat mjedisore dhe mosbesimi ndaj institucioneve vazhdojnë ta mbajnë fshatin në një konflikt të hapur me modelin kombëtar të zhvillimit hidroenergjetik.

Lufaj njësoj si Zall-Gjoçajt përballë thatësirës

Në Lufaj të Mirditës, banorët përballen me të njëjtin model të ndërtimit të hidrocentraleve – devijim burimesh ujore pa transparencë dhe pa dëgjesa me komunitetin.

Në korrik ata protestuan kundër kompanisë “Seka Hydropoëer”, me pretendimin se ajo nuk respektonte kontratën e shfrytëzimit të burimeve ujore të zonës duke mos lëshuar rrjedhë për nevojat e tyre.

Zona me një peizazh të mrekullueshëm, nuk ndihmohej aspak nga rruga, e cila ishte në gjendje të amortizuar. Devijimi i prurjeve kishte ulur ndjeshëm burimet duke detyruar disa familje të merrnin ujë gjetkë me mjete të improvizuara.

Banorët thanë për Citizens.al se ata kishin qenë kundër ndërtimit të HEC-ve që para vitit 2017, por që zëri i tyre nuk ishte dëgjuar.

“As nuk na ka pyetur njeri, as nuk kemi qenë dakord,” tha Agron Kaçarri, banor.

Lufaj e lidh drejtpërdrejt fatin e saj me Zall-Gjoçajt, ku hidrocentralet u ndërtuan brenda Parkut Kombëtar të Lurës dhe Malit të Dejës, duke sjellë konflikt të gjatë me komunitetin, ndërhyrje policore dhe pasoja të pakthyera në ekosistem.

“Energji e gjelbër” me kosto të errët

Modeli i hidrocentraleve në Shqipëri është shitur si “një model i gjelbër”, por në realitet ka sjellë dëme të pakthyeshme ekologjike dhe ekonomike në nivele lokale, por edhe kombëtare.

Biologu Olsi Nika, i cili drejton organizatën mjedisore “Eco Albania”, thekson për Citizens.al se shumë projekte hidroenergjetike janë miratuar mbi leje të diskutueshme dhe pa analiza të plota të ndikimit, duke krijuar një zinxhir pasojash që shkon nga shpyllëzimi te shkatërrimi i habitateve ujore.

Sipas tij, devijimi i ujërave, rezervuarët e mëdhenj, ndotja, ndryshimi i temperaturës dhe oksigjenit kanë çuar në humbje speciesh, eutrofikim dhe homogjenizim të biodiversitetit – një proces që shumë zona nuk e rikuperojnë kurrë.

Rast konkret përmendet trofta apo dhe peshq të tjerë migratorë, të cilët nuk arrijnë zonat e shumimit për shkak të devijimeve të lumit apo dhe vetë impianteve hidroenergjetike.

Studimi për Zall-Gjoçajn i biologut Melitjan Nezaj nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) e konkretizon problemin.

Paraqitje grafike e botimit shkencor për Zall-Gjoçajn/Citizens.al

Me lënien e një sasie minimale të ujit ekologjik, shtrati i lumit thahet pak qindra metra larg veprave të marrjes.

“Në shtratin tashmë pa ujë kanë nisur të shfaqen bimë të mjediseve të thata, një shenjë e qartë e mungesës afatgjatë të ujit,” thekson Nezaj.

Kjo ka zhdukur faunën nënujore, ka degraduar bimësinë dhe ka goditur bujqësinë e banorëve, të cilët varen nga uji për prodhim dhe blegtori.

Ndërtimet kanë lënë pas inertë, kanale të dëmtuara dhe masa rehabilituese të dështuara, shpesh me bimësi jovendase dhe vendkalime peshqish që nuk funksionojnë.

Të dy ekspertët vlerësojnë se këto dëme nuk janë thjesht teknike, por strukturore: një model zhvillimi që shpërfill ligjin dhe zonat e mbrojtura, mungesën e konsultimeve, ndikimet afatgjata dhe transparencën.

“Shumë komunitete,” thekson Nika, “mësuan për projektet e HEC-eve vetëm kur kishin nisur punimet”.

Konfliktet për ujërat janë bërë tipike nga Rapuni te Kaçinari, Kurdaria, Zall-Gjoçaj e Lufaj duke treguar se përfitimet i shkojnë pak aktorëve, ndërsa kostoja bie mbi komunitete dhe ekosisteme të cenueshme.

Ata që fitojnë nga ky model mbeten disa kompani, disa prej të cilave me kapitale të huaja. Ndërsa komunitetet humbasin të tjera burime dhe mundësi zhvillimi duke pasur një arsye më shumë për t’u larguar.

Në plan më të gjerë, ekspertët argumentojnë se hidrocentralet e vogla me fuqi të ulët kanë efikasitet të diskutueshëm dhe shpesh gjurmë të larta karboni, përfshirë prodhimin e metanit nga rezervuarët.

Për biologun Nika, energjia hidroelektrike në Shqipëri duhet parë si “me karbon të ulët, por me ndikim të lartë”, ndërsa zhvillimi i qëndrueshëm kërkon orientim te burimet që nuk fragmentojnë lumenjtë: kryesisht energjia diellore dhe ajo e erës.

The post Energji në kurriz të komuniteteve; mbi 200 hidrocentrale private në 15 vjet appeared first on Citizens.al.

Before yesterdayMain stream

Hamza nga ICK: Qeveria ime do të mbështesë fuqishëm ekonominë digjitale dhe inovatorët

22 December 2025 at 15:34


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar sot Innovation Centre Kosovo (ICK), duke theksuar rolin kyç që teknologjia dhe inovacioni po luajnë në ndërtimin e ekonomisë së re të vendit.

Gjatë vizitës, Hamza u njoh nga afër me punën e vajzave dhe djemve të sektorit të teknologjisë, të cilët po zhvillojnë zgjidhje inovative në fusha si Inteligjenca Artificiale, siguria kibernetike dhe printimi 3D.

Ai bëri të ditur se edhe vetë fushata e tij zgjedhore po përdor teknologji të avancuara, si dëshmi konkrete e orientimit drejt së ardhmes.

“Një pjesë e fushatës sime është duke u gjeneruar me Inteligjencë Artificiale, si dëshmi e vizionit dhe përkushtimit tonë për inovacionin dhe të ardhmen”, theksoi Hamza.

Kandidati për Kryeministër nënvizoi se mbështetja për sektorin e dijes dhe inovacionit do të jetë prioritet i qeverisjes së tij.

“Si kryeministër, do të punoj që Kosova të bëhet një shtet i dijes, me ekonomi digjitale të zhvilluar dhe mbështetje të vazhdueshme për inovatorët tanë”, u shpreh Hamza.

Sipas tij, investimi në teknologji, inovacion dhe të rinjtë kreativë është çelësi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për krijimin e vendeve të reja të punës me vlerë të shtuar për Kosovën.


Shpallen fituesit e Maratonës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2025

22 December 2025 at 14:03

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka përmbyllur Maratonën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2025, një iniciativë që u zhvillua përgjatë disa muajve, me qëllim identifikimin e talenteve të reja në nivel kombëtar.

AKSK njofton se maratona u organizua në tre kategori kryesore: Maratona për Universitetet dhe Shkollat Profesionale, Maratona për Vajzat dhe Gratë, si dhe Maratona Speciale për personat me nevoja të veçanta, duke reflektuar një qasje të gjerë dhe gjithëpërfshirëse. Formati i kësaj nisme ngjalli interes të lartë, me mbi 1000 aplikantë, prej të cilëve më shumë se 500 konkurrentë u përzgjodhën për të marrë pjesë aktive në fazat konkurruese.

Sipas AKSK, pjesëmarrësit u testuan përmes sfidave teknike të nivelit profesional, të implementuara dhe të administruara përmes platformës SimSpace, e financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Sfidat përfshinë analiza, menaxhim incidentesh, simulime proaktive, si dhe zgjidhje skenarësh me kompleksitet të lartë.

Në aktivitetin e finales së maratonës, organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, theksoi se Maratona Kombëtare e Sigurisë Kibernetike është një format që bashkon studentë të universiteteve, vajza dhe gra, si dhe persona me aftësi të kufizuara.

Ai nënvizoi se kjo maratonë shërben si një mekanizëm konkret për identifikimin e talenteve dhe ndërtimin e kapaciteteve profesionale, të domosdoshme për mbrojtjen e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit në vend, si dhe për zhvillimin e sigurt të shërbimeve digjitale në vend.

Fituesit e Maratonës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2025

Maratona për vajzat dhe gratë:

Vendi I: Ana Kaci

Vendi II: Adriana Roci

Vendi III: Irva Dafa

Maratona për studentët:

Vendi I: Earta Joca

Vendi II: Sidrit Zela

Vendi III: Orgito Leka

Vendi III: Firdeus Dikelari

Vendi III: Asim Lecini

Vendi III: Emanuel Dervishi

Vendi III: Abdurrahman Sejta

Vendi III: Arkel Lahi

Maratona speciale për persona me aftësi të kufizuara:

Vendi I: Dorina Olldashi

Vendi II: Erblin Karaj

Vendi III: Alvaro Dunja

Maratona për Universitetet:

Vendi I: Akademia e Forcave të Armatosura

Vendi II: Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit

Vendi III: Universiteti “Neë York”

/e.i/a.f/

The post Shpallen fituesit e Maratonës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE sinjal politik për lehtësimin e rregullave mbi inxhinierinë gjenetike

19 December 2025 at 16:55

BRUKSEL, 19 dhjetor /ATSH-DPA/ – Vendet e Bashkimit Evropian kanë dhënë sinjalin politik për lehtësimin e rregullave mbi inxhinierinë gjenetike, duke hapur rrugën që disa ushqime të modifikuara gjenetikisht të shiten në supermarkete pa etiketim të veçantë.

Në një takim të përfaqësuesve të përhershëm të BE-së në Bruksel u arrit mbështetja e nevojshme, edhe pse Gjermania dhe tetë vende të tjera nuk e mbështetën propozimin.

Danimarka, e cila mban presidencën e radhës të BE-së, e cilësoi marrëveshjen si një hap të madh për rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor dhe ushqimor evropian. Sipas Kopenhagës, fermerët do të përfitojnë mjete të reja dhe të sigurta për të konkurruar globalisht, ndërsa bujqësia pritet të bëhet më e qëndrueshme dhe më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike.

Vendimi ka shkaktuar reagime të forta në Gjermani. Ministri gjerman i Mjedisit, Carsten Schneider, e quajti këtë zhvillim një “gabim serioz”, duke paralajmëruar se, nëse Parlamenti Evropian nuk e korrigjon, Berlini do të përpiqet të kufizojë dëmet.,

“Produktet pa organizma të modifikuar gjenetikisht duhet të mbeten të mundshme dhe të përballueshme, ndërsa zinxhirët e furnizimit duhet të garantojnë dallimin mes produkteve GMO dhe atyre pa GMO”, tha ai.

Sipas kompromisit të arritur më herët mes Parlamentit Evropian dhe shteteve anëtare, në të ardhmen do të ketë dy kategori të inxhinierisë gjenetike. Produktet me ndërhyrje më të vogla në gjenom do të lejohen në treg pa testime dhe etiketim të veçantë, ndërsa për ndërhyrjet më të thella do të vazhdojnë të zbatohen rregulla shumë më të rrepta.

Kjo do të thotë se konsumatorët nuk do ta kenë më të lehtë të dallojnë nëse një ushqim është modifikuar gjenetikisht.

Organizatat e konsumatorëve e kanë kritikuar ashpër këtë qasje. Federata Gjermane e Organizatave të Konsumatorëve e cilësoi vendimin si një “zhgënjim të hidhur”, ndërsa Foodwatch e quajti një dhuratë për lobin bujqësor. Megjithatë, etiketat “Pa Inxhinieri Gjenetike” dhe bujqësia organike pritet të mbeten garanci për produkte pa GMO, edhe pse do të tolerohet një prani “teknikisht e pashmangshme”.

Hapat e radhës përfshijnë votimin në Komisionin e Mjedisit të Parlamentit Evropian në janar, përpara miratimit përfundimtar nga Parlamenti dhe shtetet anëtare. Ndërkohë, debatet vazhdojnë mes atyre që shohin potencial të madh – si zhvillimi i kulturave më rezistente ndaj sëmundjeve dhe klimës – dhe kritikëve që paralajmërojnë për rreziqe ndaj ekosistemeve dhe përhapje të pakontrolluar të bimëve të modifikuara në natyrë. /Ad.Ab./

The post BRUKSEL – BE sinjal politik për lehtësimin e rregullave mbi inxhinierinë gjenetike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKSK: Rriten rastet e dhunës online, të miturit grupi më i rrezikuar

13 December 2025 at 11:00

TIRANË, 13 dhjetor/ATSH/ Në epokën digjitale, ku komunikimi zhvillohet me shpejtësi marramendëse dhe rrjetet sociale janë bërë pjesë e pandashme e jetës sonë, dhuna online është kthyer në një fenomen shqetësues që po prek gjithnjë e më shumë qytetarët shqiptarë, veçanërisht të rinjtë.

Në kuadër të fushatës së “16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, institucionet shtetërore dhe në mënyrë të veçantë Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), kanë marrë një rol të rëndësishëm në përballjen me këtë sfidë të re, duke ndërtuar mekanizma të mbrojtjes, raportimit dhe ndërgjegjësimit publik.

Floreta Faber, zëvendësdrejtoresha e AKSK-së, tha për ATSH-në se “dhuna online përkufizohet si çdo formë agresioni, kërcënimi apo ofendimi që ndodh përmes internetit dhe platformave digjitale”.

“Në Shqipëri, format më të përhapura janë bullizmi kibernetik, shantazhi digjital, mashtrimet me identitete të rreme dhe gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale. Këto forma janë bërë pjesë e përditshmërisë digjitale, shpesh duke kaluar pa u vënë re, derisa pasojat e tyre prekin rëndë jetën e individëve, sidomos të miturve. Shoqëria shqiptare po tregon një ndjeshmëri në rritje ndaj këtij fenomeni, por reagimi mbetet ende i kufizuar. Shumë raste të dhunës online nuk raportohen, për shkak të frikës, turpit apo mungesës së besimit tek institucionet. Megjithatë, fushatat e ndërgjegjësimit të zhvilluara nga AKSK dhe Ministria e Arsimit kanë ndihmuar në rritjen e raportimeve dhe në krijimin e një kulture të re përgjegjësie digjitale”, tha Faber.

Sipas Faber, “të miturit janë grup-mosha më e rrezikuar dhe janë më të ekspozuar ndaj bullizmit kibernetik, pasi janë përdoruesit më aktivë të rrjeteve sociale dhe shpesh nuk kanë njohuritë e duhura për mbrojtjen e të dhënave personale”.

“Sipas të dhënave të AKSK dhe Policisë së Shtetit për vitin 2025, janë regjistruar mbi 1200 raste të bullizmit kibernetik, nga të cilat 35 për qind kanë pasur si viktima të mitur, rreth 20 për qind e rasteve lidhen me publikimin e materialeve personale pa pëlqim, ndërsa vetëm 40 për qind e tyre janë raportuar zyrtarisht. Këto shifra tregojnë një rritje të dukshme të raportimeve, por edhe të vetë fenomenit”, tha ajo.

Faber tha se trajtimi i një denoncimi për dhunë kibernetike ndjek një procedurë të qartë institucionale.

“Fillimisht, viktima ose prindi bën raportimin pranë Policisë së Shtetit ose përmes portalit të AKSK: https://aksk.gov.al/raporto-3/. Më pas, ekspertët kryejnë verifikimin teknik për të identifikuar burimin e sulmit apo llogarinë anonime. Në rastet kur konstatohet shkelje ligjore, njoftohen institucionet përgjegjëse dhe hapet çështja penale. Paralelisht, përfshihen edhe strukturat e mbrojtjes së fëmijëve dhe psikologët shkollorë, për të garantuar mbështetje emocionale dhe sociale për viktimën”, u shpreh Faber.

Zëvendësdrejtoresha e AKSK-së, theksoi më tej se “në aspektin ligjor, Shqipëria ka bërë hapa përpara në përfshirjen e krimeve kompjuterike në Kodin Penal, por ende mungon një nen specifik që të trajtojë bullizmin kibernetik ndaj të miturve. AKSK ka propozuar ndryshime ligjore që do të parashikojnë dënime më të qarta për shpërndarjen e materialeve personale dhe për përdorimin e identiteteve të rreme me qëllim abuzimi. Kjo është një nevojë urgjente, pasi realiteti digjital po ecën më shpejt se ligji”.

“Një rol të rëndësishëm në këtë luftë ka edhe shkolla. Ministria e Arsimit ka nxjerrë udhëzime të posaçme që detyrojnë institucionet arsimore të kenë një koordinator për sigurinë digjitale, si dhe të trajnojnë mësuesit për identifikimin e rasteve të bullizmit online. Edukimi për përdorimin e sigurt të internetit është integruar në lëndët e teknologjisë dhe qytetarisë, me synimin për të ndërtuar një kulturë mbrojtjeje që fillon që në bankat e shkollës”, vijoi ajo.

“Ndikimi i dhunës online në shëndetin mendor është i thellë. Psikologët raportojnë raste gjithnjë e më të shpeshta të ankthit, depresionit, izolimit social dhe uljes së vetëvlerësimit te fëmijët që janë viktima të bullizmit digjital. Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave paralajmëruese, si ndryshime të papritura në sjellje, refuzim për të përdorur telefonin apo rrjetet sociale, nervozizëm pas përdorimit të internetit dhe humbje interesi për aktivitetet e zakonshme. Këto sinjale mund të jenë tregues të qartë të një përvoje traumatike online”, shtoi Faber.

Për të përforcuar mbrojtjen e fëmijëve, AKSK ka ofruar platformën “Raporto”, që mundëson raportimin anonim të rasteve të dhunës online.

Faber nënvizoi se “të dhënat më të fundit tregojnë që gjatë periudhës janar-shtator në këtë platformë janë raportuar 184 raste të përmbajtjeve keqdashëse online. Rreth 69 për qind e personave të prekur nga këto përmbajtje keqdashëse online ishin të mitur, nën 18 vjeç”.

“Ndërsa vajzat dhe gratë përbënin 73 për qind të viktimave të këtyre përmbajtjeve të paligjshme. Gjithashtu, janë zhvilluar fushata kombëtare, të cilat synojnë ndërgjegjësimin e nxënësve, prindërve dhe mësuesve për rreziqet e botës digjitale. Sipas sondazheve të fundit, mbi 60 për qind e të rinjve shqiptarë kanë dëgjuar për këto fushata, por vetëm 35 për qind deklarojnë se kanë ndryshuar sjelljen e tyre online, çka tregon se ndërgjegjësimi duhet të shoqërohet me edukim praktik dhe të vazhdueshëm”, theksoi ajo.

Faber u shpreh se dhuna online është një sfidë që kërkon përgjigje të koordinuar nga të gjitha nivelet e shoqërisë.

“Qeveria shqiptare, përmes AKSK dhe institucioneve të tjera, ka hedhur themelet e një sistemi të mbrojtjes digjitale, por puna duhet të thellohet për të krijuar një mjedis virtual të sigurt për çdo fëmijë dhe qytetar. Vetëm përmes bashkëpunimit mes shtetit, shkollës dhe familjes mund të ndërtohet një kulturë e re digjitale, ku teknologjia të jetë mjet zhvillimi dhe jo burim frike apo abuzimi”, përfundoi Faber.

/e.i/a.f/r.e/

The post AKSK: Rriten rastet e dhunës online, të miturit grupi më i rrezikuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërhyrjet estetike mund të shkaktojnë bllokim të enëve të gjakut, verbëri…

By: Rovena
12 December 2025 at 21:48

Ndërhyrjet estetike dhe injeksionet në fytyrë janë kthyer në një trend masiv vitet e fundit, por bashkë me popullaritetin është rritur edhe rreziku.

Ekspertët paralajmërojnë se këto procedura, që shpesh duken të thjeshta dhe të sigurta, mund të shkaktojnë komplikacione serioze, përfshirë bllokimin e arterieve që çon në deformime të fytyrës dhe madje verbëri. Ky paralajmërim vjen pas një studimi ndërkombëtar, ku përmes ekografisë u analizuan 100 raste komplikacionesh të shkaktuara nga këto injeksioni/ ndërhyrje estetike.

Sipas studimit, klinikat duhet të kryejnë ekografi para çdo injeksioni në fytyrë, me qëllim identifikimin e enëve të gjakut dhe shmangien e dëmtimit të tyre. Udhëheqësja e kërkimit, Dr. Rosa Sigrist nga Universiteti i São Paulo-s në Brazil, tha se edhe pse të rralla, rastet e “okluzionit vaskular”, kur mbushësi injektohet në ose pranë arterieve  mund të rezultojnë fatale për indet e fytyrës.

“Komplikacionet e tilla mund të shkaktojnë nekrozë, deformime të fytyrës, verbëri dhe në raste ekstreme goditje në tru”, deklaroi Dr. Sigrist. Ajo shtoi se zonat rreth hundës janë veçanërisht të rrezikshme, pasi enët e gjakut komunikojnë me struktura shumë delikate të kokës.

Studimi u zhvillua midis majit 2022 dhe prillit 2025 në disa qendra ndërkombëtare radiologjie dhe dermatologjie në Brazil, Kolumbi, Kili, Holandë dhe SHBA. Rezultatet do të prezantohen këtë javë në takimin vjetor të Shoqatës Radiologjike të Amerikës së Veriut.

Nga analiza me ekografi, studiuesit zbuluan se në gati gjysmën e rasteve kishte mungesë qarkullimi në enët e vogla të gjakut të fytyrës, ndërsa në një të tretën e rasteve nuk kishte qarkullim as në enë më të mëdha. Sipas Dr. Sigrist, përdorimi i ekografisë si gjatë planifikimit ashtu edhe gjatë trajtimit të komplikacioneve lejon injektimin e saktë të ilaçit për shpërbërjen e mbushësit, duke ulur nevojën për doza të mëdha.

Edhe Shoqata Britanike e Kirurgëve Plastikë Estetikë (BAAPS) mbështet përdorimin e ekografisë, ndonëse thekson se ende nuk konsiderohet standard i detyrueshëm në klinikat estetike. Presidentja e shoqatës, Nora Nugent, tha se hartëzimi i enëve të gjakut para trajtimit rrit ndjeshëm sigurinë e pacientëve dhe se profesionistët e pakualifikuar përbëjnë rrezik të madh.

Ndërkohë, qeveria britanike ka paralajmëruar masa të reja për rregullimin e procedurave estetike. Sipas propozimeve, procedurat me rrezik të lartë, përfshirë “Brazilian butt lift”, do të kryhen vetëm nga profesionistë të kualifikuar. Klinikat që ofrojnë mbushës dhe botoks do të kenë detyrimin të plotësojnë standarde të reja licencimi. Konsultimi publik për këto ndryshime pritet të hapet në fillim të vitit 2026, ndërsa vendimi final do t’i takojë Parlamentit britanik.

Dhuna digjitale ndaj grave në rritje, ligji shqiptar nuk flet për të

10 December 2025 at 16:08

Katër në dhjetë gra përballen me dhunë online dhe shumë prej tyre ndihen të pasigurta, kështu thonë të dhënat e grumbulluara nga UN Women, i cili ka nxjerrë në pah rrezikun që hasin gratë në Shqipëri përmes teknologjisë.

Sipas të dhënave të analizuara janë 1,804 raportime dhune në policinë e shtetit përmes teknologjisë ku ndër më të shpeshtat ishin keqpërdorimi i telefonit (36%) dhe përndjekja (33%).

Nga rastet rezultoi se gratë janë 1.3 herë më të ekspozuara ndaj dhunës online kryesisht te keqpërdorimi dhe dhunimi i privatësisë. Format të tjera të shpeshta të dhunës së hasur online ishin: zhvatja, bullizimi, gjuha e urrejtjes etj.

Statistikat shqetësuese

  • 83.1% e përdoruesve të internetit raportojnë rritje të dhunës online ndaj vajzave dhe grave.
  • 23.4% e grave që përjetuan dhunë online patën pasoja psikologjike; 45.3% e tyre u ndjenë të pasigurta.
  • 90% e dhunës online kryhet nga burra 15-44 vjeç; 66% e tyre jetojnë në zona urbane.
  • 70% e rasteve të dhunës online u hasën përmes platformës TikTok.

Dhuna online, pjesë e realitetit

Fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” këtë vit u fokusua te dhuna online. Zhvillimi i mjeteve të komunikimit ka transferuar dhunën nga “offline”“online”, duke e bërë këtë hapësirë një terren të rrezikshëm për gratë.

Sipas organizatave në Shqipëri, dhuna digjitale, veçanërisht ndaj grave, po rritet me shpejtësi, duke sjellë pasoja të rënda psikologjike dhe sociale.

“Në Linjën e Këshillimit ndeshim më shpesh raste ngacmimi dhe kërcënimesh online përmes rrjeteve sociale dhe aplikacioneve si WhatsApp, Telegram apo Signal”, tha për Citizens.al Ejnxhi Pepa nga Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza.

Pepa thotë se format më të përhapura përfshijnë përndjekjen digjitale, shantazhin me materiale intime, shpërndarjen pa pëlqim të imazheve, manipulimet “deepfake”, fyerjet dhe sulmet ndaj reputacionit, pa lënë mënjanë edhe hapjen e profileve të rreme, që sipas saj janë kthyer në raste të zakonshme.

Ajo thotë se tashmë këto lloje sulmesh po shënjestrojnë dhe aktivistë apo mbrojtës të të drejtave të njeriut.

“Këto forma të dhunës digjitale shpesh lidhen drejtpërdrejt me dhunën ‘offline’ dhe e përforcojnë atë”, shtoi Pepa.

Rritje e raportimeve, sfida institucionale

Nga janari në nëntor 2025, Ministria e Brendshme ka regjistruar 439 raste dhune kibernetike me 600 postime online, 73% prej të cilave u raportuan vetëm në Tiranë. Ndërkohë, gjatë dy viteve të fundit (2024-2025), linja 116-117 raportoi për 705 gra dhe vajza që kanë kërkuar ndihmë për dhunë digjitale.

“Tendenca ka qenë në rritje për disa vite, por veçanërisht kohët e fundit kemi marrë shumë më tepër raste të përndjekjes online, shantazhit dhe shpërndarjes së imazheve intime,” tha Ejnxhi Pepa.

Megjithatë, trajtimi institucional mbetet problematik.

“Shumë gra dhe vajza e kanë pezulluar denoncimin për shkak të pengesave proceduriale. Kërkesa nga gjykatat për adresën fizike të dhunuesit online është absurde kur agresorët përdorin profile anonime”, argumenton Ines Leskaj nga AWEN duke nxjerrë në pah të metën kryesore të sistemit.

Gratë nga komunitetet e margjinalizuara, vajzat me aftësi të kufizuara, komuniteti LGBTIQ+ dhe gratë në zonat rurale janë më të ekspozuara ndaj kësaj dhune.

Sipas Altin Hazizaj, drejtues i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), i cili menaxhon edhe Qendrën Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri (ISigurt.al), grupmosha më e prekur është ajo e adoleshencës dhe rinisë së hershme, si për djemtë ashtu edhe për vajzat.

“Por çka të bën përshtypje është se gjatë 3 viteve të fundit është rritur edhe numri i ankesave nga zonja në moshë më të madhe plus 40 apo 50 vjeç”, shprehet Hazizaj, duke shtuar se kjo situatë flet për shtrirjen e gjerë të internetit dhe nivelin e pamjaftueshëm të aftësive dixhitale në mosha më të mëdha.

Pranë ISigurt.al gjatë vitit 2024 thuajse 60% e të gjitha ankesave të raportuara kanë të bëjnë me një formë të dhunës me bazë gjinore.

“70-80 përqind e viktimave online janë vajza dhe gra të reja, ndonëse ato jo gjithnjë preferojnë të raportojnë vetë, por nëpërmjet një të njohuri, shoku apo shoqeje apo mësuesi”, tha për Citizens.al Altin Hazizaj, drejtuesi i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA).

Rastet e raportuara në këtë platformë janë shtuar pas pandemisë së Covid-19.

“Në vitin 2023 ne trajtuam diku tek 300 ankesa, ndërsa në vitin 2024 ato u rriten tek 409 raste të regjistruara. Këtë vit vetëm në gjashtë muajt e parë ne kemi trajtuar më shumë se 400 incidente kibernetike”, sjell në vëmendje Altin Hazizaj.

Boshllëqe ligjore dhe nevoja për reforma

Shqipëria nuk ka ende një përkufizim ligjor për dhunën online. Ejnxhi Pepa thotë se përgjithësisht organizatat dhe institucionet i referohen përkufizimit të ekspertëve ndërkombëtarë të Këshillit të Evropës në veprimtarinë kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (GREVIO).

Por brenda dhjetorit pritet të kalojë në Kuvend drafti i ligjit “Për parandalimin dhe mbrojtjen ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, i cili përfshin për herë të parë edhe dhunën digjitale.

“Ligji do ta përkufizojë si çdo veprim që kryhet ose rëndohet përmes teknologjisë dhe cenon të drejtat e viktimës”, thekson Ejnxhi Pepa.

Sipas draftit paraprak, dhuna online përfshihet në Nenin 10 ku flitet për “dhunën e lehtësuar nga teknologjia”. Ky nen e përcakton dhunën e lehtësuar nga teknologjia si çdo veprim që kryhet përmes mjeteve digjitale pa pëlqim dhe që shkakton dëm fizik, emocional apo social.

Ai përfshin gjuhën e urrejtjes, shpërndarjen e imazheve intime pa pëlqim, përndjekjen dhe ngacmimin digjital. Në thelb, neni synon të mbrojtje nga abuzimet online që cenojnë sigurinë dhe dinjitetin.

Pepa dhe Leskaj mendojnë njësoj se strukturat ekzistuese për krimet kibernetike janë të pamjaftueshme në Shqipëri.

“Zvarritja dhe mbivendosja e çështjeve në polici dhe prokurori ngadalësojnë së tepërmi marrjen e masave,” vëren Leskaj teksa tregon se aktualisht krimet kibernetike mundet të denoncohen dhe ndiqen në prokurori, por rezultatet e tyre vonojnë.

Nga ana tjetër, Pepa citon monitorime të GREVIO-s, sipas së cilave strukturat shqiptare nuk janë të trajnuara për dimensionin gjinor dhe kjo qasje ende nuk është integruar me mekanizmat e mbrojtjes nga dhuna.

Ajo shton se Shqipërisë i mungojnë edhe protokollet e unifikuara për trajtimin e rasteve të dhunës digjitale dhe po kështu infrastruktura teknike për ruajtjen dhe sigurimin e provave.

“Këto boshllëqe synohen të përmirësohen me ndryshimet e fundme të legjislacionit”, shprehet Leskaj duke iu referuar ligjit të ri.

Por sipas Pepës po aq urgjente janë edhe fushatat e ndërgjegjësimit, pasi ka prirje për të mos i raportuar rastet.

“Nënraportimi mbetet shumë i lartë. Në nivel vendor, Mekanizmat e Koordinuar të Mbrojtjes nga Dhuna duhet të forcohen për të garantuar një reagim të shpejtë, të unifikuar dhe të ndjeshëm gjinor për çdo rast”, përfundon ajo.

Altin Hazizaj shprehet se kuadri ligjor ka nevojë të forcohet sa më shpejt dhe se duhen ligje sipas modelit të BE-së dhe jo “modeleve që krijohen ndonjëherë nga halli në Shqipëri”.

“Mungesa e shumë krimeve që ndodhin në hapësirën kibernetike në Kodin Penal e bën mbrojtjen e viktimave të vështirë”, thekson më tej Hazizaj.

Hazizaj shprehet se vitin e ardhshëm Shqipëria duhet të zbatojë një nga aktet më të rëndesishme të BE-së, ligjin e shërbimeve digjitale (DSA).

“Kjo do te na zgjidhte edhe problemin e dytë kryesor, përgjegjësinë që kanë të gjitha platformat online, faqet, profilet etj., për të respektuar të drejtat bazë të çdo individi edhe në hapësirën kibernetike”, përfundon Hazizaj.

Lexoni gjithashtu:

The post Dhuna digjitale ndaj grave në rritje, ligji shqiptar nuk flet për të appeared first on Citizens.al.

Guvernatori Ismaili prezanton zhvillimet ekonomike të Kosovës në Bankën Qendrore të Estonisë

5 December 2025 at 17:12


Delegacioni i Bankës Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka realizuar një vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Estonisë (Eesti Pank) dhe në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare të Estonisë (Finantsinspektsioon), me synim forcimin e bashkëpunimit institucional, shkëmbimin e përvojave dhe thellimin e bashkëpunimit në fushat kryesore brenda mandateve të institucioneve.

Delegacioni i BQK-së, i udhëhequr nga Guvernatori z. Ahmet Ismaili së bashku me anëtarë të ekipit menaxhues, u mirëprit në Bankën Qendrore të Estonisë nga Guvernatori z. Madis Müller dhe Zëvendësguvernatori z. Ülo Kaasik. Vizita filloi me një takim të nivelit të lartë mes Guvernatorit Ismaili dhe Guvernatorit Müller, gjatë të cilit pala ai paraqiti rolin, kornizën operacionale dhe prioritetet strategjike të Eesti Pank. Guvernatori Ismaili me pas bëri një prezantim gjithëpërfshirës mbi zhvillimet makroekonomike në Kosovës dhe Ballkanin Perëndimor, duke theksuar zhvillimet e fundit në sektorin financiar, iniciativat kryesore reformuese dhe avancimin e Kosovës drejt përafrimit me standardet evropiane rregullatore dhe mbikëqyrëse.

Pas diskutimeve të nivelit të lartë, ekipet teknike nga të dy institucionet vazhduan me sesione të detajuara mbi analizën e skenarëve dhe projeksionet makroekonomike, kornizat e mbikëqyrjes makroprudenciale, qasjet për monitorimin e rrezikut dhe përdorimin e instrumenteve mbikëqyrëse. Ata diskutuan gjithashtu raportimin e të dhënave dhe menaxhimin e cilësisë, veçanërisht qasjen në të dhëna të cilësisë së lartë nga bankat, si dhe strategjitë e komunikimit në kontekstin e mandateve të bankave qendrore. Këto shkëmbime u mundësuan të dy institucioneve ndarjen e qasjeve metodologjike dhe identifikimin e fushave ku bashkëpunimi i mëtejshëm mund të sjellë vlerë të shtuar.

Në kuadër të vizitës, delegacioni i BQK-së u takua me edhe z. Andres Kurgpõld, anëtar i Bordit Menaxhues të Autoritetit të Mbikëqyrës Financiare. Takimi ofroi mundësi për të shkëmbyer pikëpamje mbi strukturën dhe performancën e tregut financiar, zhvillimet e fundit mbikëqyrëse dhe sfidat e reja. Guvernatori Ismaili paraqiti informata mbi sektorin financiar të Kosovës, duke theksuar stabilitetin, avancimet rregullatore dhe prioritetet aktuale. Diskutimet adresuan gjithashtu kornizat mbikëqyrëse dhe rregullatore, zhvillimet në ekosistemin e pagesave dhe rreziqet e reja të lidhura me digjitalizimi dhe sigurinë kibernetike.

Në nivel teknik, ekspertët e BQK-së dhe ata të Autoritetit të Mbikëqyrës Financiare zhvilluan diskutime mbi sektorin financiar dhe kornizat e tij analitike, qasjet ndaj sjelljes në treg dhe mbrojtjes së konsumatorit, si dhe strukturën e mbikëqyrjes mikroprudenciale, përfshirë mbikëqyrjen bankare dhe proceset e përmbylljes bankare.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohjen më të lartë për Bankën e Estonisë për organizimin e takimeve dhe mikpritjen e ngrohtë gjatë gjithë vizitës. Njëkohësisht falënderon Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare të Estonisë për takimet e vlefshme dhe të dobishme gjatë diskutimeve. BQK angazhohet për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta për të promovuar stabilitetin financiar dhe cilësinë e mbikëqyrjes sipas standardeve evropiane.


Ndërtesa pa klas energjie, detyrimet për certifikim mbeten në letër

5 December 2025 at 12:21

Autore: Ola Mitre | Citizens.al

Shqipëria ka miratuar prej vitesh kuadrin ligjor për certifikatën e performancës energjetike të ndërtesave, por ky dokument mbetet thuajse i panjohur për qytetarët dhe tregun imobiliar.

Pavarësisht se certifikimi është detyrim ligjor prej vitit 2016, mungon një regjistër publik që të tregojë cilësinë energjetike të godinave. Asnjë transaksion shitjeje apo qiraje nuk lejohet të kryhet pa certifikatën në fjalë, por në praktikë dokumenti përdoret vetëm për të kaluar procedurat e lejeve të ndërtimit.

Çfarë është certifikata e performancës energjetike?

Certifikata e performancës energjetike vlerëson sa energji konsumon një ndërtesë për ndriçim, ngrohje, ftohje, ventilim, ujë të ngrohtë dhe pajisje elektroshtëpiake.

Ajo lëshohet nga ekspertë të licencuar të energjisë, auditues, në bazë të një metodologjie të miratuar që klasifikon sistemin elektrik të ndërtesave në shkallë nga më efikasi (A+) te më pak efikasi (G).

Certifikata depozitohet më pas Agjencinë e Eficiencës së Energjisë (AEE) jo më vonë se 3 ditë nga lëshimi i saj.

Ky raport certifikues është një tregues cilësor për ndërtesat dhe prej vitit 2016 detyrim për çdo objekt të ri apo ekzistues që i nënshtrohet një rinovimi të thellë.

Megjithatë, të dhënat tregojnë se për godinat ekzistuese, para vitit 2021, nuk është lëshuar asnjë certifikatë.

Sistemi, i nisur prej vitit 2016, duket se funksionon vetëm në fazën e aplikimit për leje ndërtimi, ndërsa më pas dokumenti “arkivohet” në AEE dhe nuk është publikisht i aksesueshëm.

Rëndësia e certifikatës së performancës energjetike

Të dhënat tregojnë se ndërtesat rezidenciale, publike dhe tregtare, janë konsumatori më i madh i energjisë në Shqipëri me 37.08%.

Sipas draft-Planit Kombëtar për Rinovimin e Ndërtesave, në vitin 2023, Shqipëria numëronte 632,936 banesa, 71.2% e të cilave ishin të banuara. Paralelisht janë dhe 9,492 ndërtesa publike dhe 85,098 ndërtesa shërbimesh tregtare.

“Krahas numrit të madh, shumica e stokut janë të vjetëruara, të paizoluara dhe nuk përmbushin as standardet minimale të eficiencës energjetike dhe komoditetit të jetesës në to,” thotë eksperti i mjedisit, Kristi Bashmili.

“Nëse ndërtesat janë të paizoluara, përdorin pajisje joefikase, apo përdorin energji jo të pastër, kjo përkthehet në ndotje më të lartë të ajrit, konsum të tepërt të energjisë, kosto më të mëdha për qytetarët dhe ndikim negativ në shëndetin e popullatës,” shton ai.

Shumë studime tregojnë se një banesë me eficiencë të lartë energjisë, që përfshin ndër të tjera termo-izolimin dhe dritaret me dopioxham, mund të reduktojë 50-70% faturën e energjisë.

Megjithatë, në vendin tonë edhe kur kryhet një rinovim banese, sipas parimeve të eficiencës së energjisë, askush nuk vërteton cilësinë e ndërhyrjes.

“Shpesh dëgjojmë që fasadat e ndërtesave izolohen nga pas, del dikush dhe thotë ‘U kursye 50% energji’. Po a u kursye vërtet 50%?! Askush nuk e di. Këtë gjë e mat vetëm certifikata,” thotë eksperti i eficiencës së energjisë, Gjergji Simaku.

AEE tha për Citizens.al se deri më sot janë certifikuar mbi 150,000 njësi ndërtesash të reja dhe se kjo punë ka nisur të zbatohet “që prej vitit 2021”.

Simaku konfirmoi se sistemi i certifikimit “u ngroh” në momentin kur certifikata u vendos si kusht për marrjen e lejes së ndërtimit.

Çdo ndërtues u detyrua ta paraqiste dokumentin si pjesë të dosjes së lejes, duke prodhuar kështu dhjetëra mijëra certifikata që ekzistojnë për të kaluar filtrat burokratikë.

“Kemi 150 mijë certifikata, sepse çdo leje ndërtimi kërkon një të tillë, por gjendja nuk mbaron këtu. A është certifikata kaq e vlefshme dhe kaq popullore?! Ne përpara se të blejmë një makinë e shikojmë ‘sa harxhon’, por asnjëri nga ne nuk orientohet në një ndërtesë të re përmes certifikatës dhe këtu qëndron problemi,” analizon Simaku. 

Edhe më shqetësuese është situata për godinat ekzistuese përpara vitit 2021, pasi aktualisht nuk është lëshuar asnjë certifikatë e tillë.

AEE nuk dha përgjigje se kur pritet të fillojë ky proces, që sipas ekspertëve nuk duhet të jetë thjesht dokument formal, por standard i domosdoshëm për të garantuar cilësi dhe ulje të konsumit të energjisë në sektorin e ndërtesave.

“Ligji i vitit 2016, qe një ogur i mirë dhe shpresuam se situata do të ndryshonte. Në fakt solli disa aspekte pozitive, por vetë institucionet nuk patën vullnet për ta çuar përpara,” thotë Bashmili.

“Tani, jemi përpara një ndryshimi thelbësor të ligjit, pa pasur raport të cilësisë mbi zbatueshmërinë e të parit, çka mund të sjellë pasiguri dhe mosbesim në zbatimin dhe forcën e ligjit,” vijon ai.

Ilustrim grafik/Citizens.al

Tregu imobiliar

Në tregun imobiliar, certifikata energjetike është një mjet i rëndësishëm transparence. Në Bashkimin Evropian, një apartament me klasë energjetike “A” ose “B” ka vlerë më të lartë, sepse blerësit e dinë që do të kenë kosto të ulët operative. Por, në Shqipëri nuk veprohet kështu.

“Jemi pjesë e rrjetit evropian dhe në Evropë është ‘big deal’, ndërsa në Shqipëri ndërgjegjësimi është shumë i ulët edhe ndërmjet atyre që tregtojnë pasuritë e paluajtshme,” thotë Reinaldo Pipiria, kryetar i Shoqatës Kombëtare të Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë. 

“Patjetër që shqetësohem që të jetë ndërtim i mirë, cilësor, izolim akustik, termik, kondicionimi. Këto i duam, por gjithmonë në Shqipëri nuk themi dot a e ke të certifikuar? A ma vërteton dot?,” shton ai. 

Në fakt, ligji në Shqipëri kërkon që kur ndërtesat ose njësitë e ndërtesave ndërtohen, shiten ose jepen me qira, certifikata duhet t’i dorëzohet çdo blerësi ose qiramarrësi.

“Bëjmë pafund shitje të apartamenteve të reja, por asnjëherë nuk ka qenë si temë ‘Shiko se nuk e ka certifikatën!’. Asnjë diskutim nuk është bërë që a ekziston kjo, është plus, është minus, nuk është diskutuar asnjëherë,” thotë Pipiria.

Ai sjell gjithashtu në vëmendje modelin që ndiqet jashtë vendit, në momentin që dikush dëshiron të blejë banesë.

“Në rastin e Evropës dhe Amerikës, blerësi ka të drejtë të inspektojë pasurinë e paluajtshme me një inspektues profesionist dhe ai nxjerr pikat e forta dhe pikat e dobëta të shtëpisë. Ne nuk kryejmë as inspektimin e pronës, nuk kërkojmë as certifikatë për atë gjë që deklarojmë se i kemi të investuara,” thotë ai.

Përballë kësaj situate, aktualisht, nuk ekziston një databazë publike, që të tregojë klasën energjetike të godinave. Legjislacioni kërkon ngritjen e saj, por të dhënat mund të aksesohen vetëm pas kërkesës në AEE.

“Duhet të ekzistojë një databazë kombëtare, ashtu siç ekziston në Itali apo në vende të tjera dhe duhen marrë shembuj konkretë nga vende të BE-së,” thotë Simaku.

“Të paktën të dimë të kopjojmë dhe të dimë të adoptojmë mënyrën e dhënies së certifikatave. Gjërat nuk duhen bërë vetëm për të folur, por duhen bërë realisht dhe në mënyrë masive në të gjithë vendin,” thekson ai. 

Edhe për Bashmilin ka nevojë për ndërmarrjen e masave, për të përfituar nga efektet që sjell eficienca e energjisë në ndërtesa. Sipas tij, rritja e performancës energjetike dhe përdorimi i materialeve e pajisjeve cilësore ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e mjediseve të brendshme të ndërtesave.

“Kështu zvogëlohet ndotja e ajrit të brendshëm, zhurmat dhe përmirësohet cilësinë e jetës. Pra, është jetike si në drejtim të kursimit të energjisë, rritjes së komoditetit por edhe në drejtim të mbrojtjes së burimeve natyrore,” shpjegon ai.

Ndërkohë, Pipiria kërkon ndërmarrjen e një fushate ndërgjegjësimi, por edhe më shumë përgjegjësi nga institucionet. 

“Në momentin që ne do të jemi pjesë e BE-së, barra e axhendës apo tranzicionit të gjelbër është shumë e madhe dhe nuk e di sesi do t’i gjejmë ato miliardat. Ndaj, jam ‘pro’ ndërgjegjësimit, certifikimit dhe rritjes së perfomancës, por duhet të jetë e shoqëruar me politikë fiskale incentivuese dhe me mjete financiare të aksesueshme,” përfundon ai.

Lexoni gjithashtu:

The post Ndërtesa pa klas energjie, detyrimet për certifikim mbeten në letër appeared first on Citizens.al.

Ndryshimi revolucionar i rregullave ndalon një nga padrejtësitë më të mëdha në atletikë

5 December 2025 at 09:56


Shoqata Ndërkombëtare e Federatave të Atletikës (IAAF) ka vendosur të adresojë një nga problemet e vjetra në atletikën e ambienteve të mbyllura. Ajo po prezanton një ndryshim revolucionar për finalet e 400 metrave.

Vendimi u mor nga Këshilli Botëror në një takim në Monako dhe pritet të ndryshojë formatin e garës në Kampionatin Botëror të Sallave të Mbyllura.

Pistat 1 dhe 2 nuk do të përdoren më në garat individuale të finales së 400 metrave në salla të mbyllura.

Arsyeja është se kthesat e mprehta i vendosin vrapuesit në një pozicion të pabarabartë. Këto pista do të vazhdojnë të përdoren në stafetat 4x400 metra, pasi disavantazhi konsiderohet më pak i theksuar.

Ky ndryshim do të aplikohet në Kampionatin Botëror të Sallave të Mbyllura në muajin mars.

Pasi u morën në konsideratë tre opsione për një format të ri final, u zgjodh një finale me dy gara. Në vend të një finaleje me tetë vrapues, do të ketë dy gara me katër atletët më të mirë secila.

Fituesit e medaljeve do të përcaktohen nga tre kohët më të mira të përgjithshme nga të dyja garat.

Ky sistem i ri do të aplikohet për herë të parë vitin e ardhshëm në Kampionatin Botëror të Sallave të Mbyllura në Torun të Polonisë, nga 20 deri më 22 mars. /Telegrafi/

Qeveria ngre ekipin e emergjencave kibernetike, thirrje për ekspertë privatë. Kushtet e forta për rekrutim

By: redi
3 December 2025 at 19:52

Përballë kërcënimeve në rritje nga sulmet digjitale, qeveria ”Rama 4” ka zyrtarizuar ngritjen e një strukture speciale të reagimit të shpejtë. Me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, është miratuar krijimi i Ekipit të Përgjigjes ndaj Emergjencave dhe Krizës së Sigurisë Kibernetike (CERT), një njësi “Ad Hoc” që do të aktivizohet sa herë vendi të përballet me rreziqe madhore kibernetike.

Source

Ngrihet Ekipi i Përgjigjes ndaj Emergjencave dhe Krizës së Sigurisë Kibernetike

3 December 2025 at 18:58

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për ngritjen e Ekipit të Përgjigjes ndaj Emergjencave dhe Krizës së Sigurisë Kibernetike (CERT), një strukturë ad hoc që do të veprojë pranë Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK).

CERT-i do të jetë përgjegjëse për trajtimin në kohë dhe me eficiencë të emergjencave dhe të krizës së sigurisë kibernetike në vend.

Ekipi do të kryesohet nga AKSK dhe do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve të tjera shtetërore, përfshirë Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes, SHISH, Policinë e Shtetit, AKEP dhe AKSHI, si dhe nga ekspertë të sigurisë kibernetike, IT-së dhe teknologjive operative (OT).

Përzgjedhja e ekspertëve do të kryhet përmes një procedure të hapur, njëmujore, ku kandidatët duhet të plotësojnë kriteret profesionale, përfshirë të paktën 7 vite përvojë si dhe të zotërojnë njohuri të thelluara në fushën e sigurisë kibernetike dhe të teknologjisë së informacionit.

Sipas vendimit të qeverisë, CERT-i mblidhet nga AKSK-ja në rast emergjence dhe krize kibernetike për hartimin e planit të masave, menaxhimin dhe zgjidhjen e emergjencës e të krizës kibernetike.

Vendimi parashikon edhe mundësinë e angazhimit të ekspertëve shtesë nga institucione të tjera publike, sipas nevojës së situatës.

Lexo këtu vendimin e plotë.

/m.q/a.f/r.e/

The post Ngrihet Ekipi i Përgjigjes ndaj Emergjencave dhe Krizës së Sigurisë Kibernetike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Atletika shpall më të mirët e vitit 2025

2 December 2025 at 10:59

Nga Gazeta Si – Kampionët e Botës, Mondo Duplantis dhe Sydney McLaughlin-Levrone u shpallën Atletët e Vitit 2025 në Monaco të dielën që lamë pas.

Ylli suedez i kërcimit me shkop, Duplantis, dhe sensacioni amerikan i sprintit, McLaughlin-Levrone, ishin fituesit e “World Athletics Awards 2025”.

Një mbrëmje që kurorëzoi 6 atletë në 3 kategori – pista, fushë dhe jashtë stadiumit – përpara se të konfirmoheshin dy fituesit absolutë.

Para se të zyrtarizoheshin atletët botërorë të vitit, Duplantis u shpall si “Sportisti i Vitit” për meshkuj në kategorinë e fushës, ndërsa McLaughlin-Levrone si “Sportistja e Vitit” për femra në kategorinë e pistës.

Maria Perez nga Spanja dhe Sabastian Sawe nga Kenia u konfirmuan si atletët e Vitit në eventet jashtë stadiumit.

Emmanuel Wanyonyi (Kenia) mori çmimin si “Atleti i Vitit” në pistë dhe Nicola Olyslagers (Australi) u vlerësua si “Atletja e Vitit” në fushë.

Atletët e Vitit 2025 sipas “World Athletics”
– Atletja e Vitit për femra: Sydney McLaughlin-Levrone (SHBA)
– Atleti i Vitit për meshkuj: Mondo Duplantis (SUE)
– Atletja e pistave: Sydney McLaughlin-Levrone (SHBA)
– Atletja e fushës: Nicola Olyslagers (AUS)
– Atletja jashtë stadiumit: Maria Perez (SPA)
– Atleti i pistës: Emmanuel Wanyonyi (KEN)
– Atleti i fushës: Mondo Duplantis (SUE)
– Atleti jashtë stadiumit: Sabastian Sawe (KEN)
– Atletja e re e Vitit: Zhang Jiale (KIN)
– Atleti i ri i Vitit: Edmund Serem (KEN)

The post Atletika shpall më të mirët e vitit 2025 appeared first on Gazeta Si.

Teknologji të reja të mbrojtjes kibernetike për AKSK nga ambasada amerikane

1 December 2025 at 10:13

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka përfituar pajisje të reja të avancuara për mbrojtjen e rrjetit, të cilat iu dorëzuan nga zëvendësshefja e misionit të SHBA në detyrë, Kathryn Hammond, si pjesë e mbështetjes së fortë të qeverisë amerikane për forcimin e kapaciteteve kibernetike të Shqipërisë.

Dorëzimi i pajisjeve teknologjike u realizua muajin e kaluar dhe përbën një hap të rëndësishëm në rritjen e sigurisë kibernetike kombëtare, në një kohë kur kërcënimet digjitale janë bërë gjithnjë e më të shpeshta dhe më të sofistikuara.

Ambasada e SHBA në një postim në rrjetet sociale theksoi se siguria kibernetike është një përbërës thelbësor i sigurisë kombëtare dhe i forcimit të mbrojtjes sonë të përbashkët ndaj kërcënimeve kibernetike keqdashëse.

“Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura që kanë mbështetur Shqipërinë në forcimin e mbrojtjes së saj kibernetike, duke çuar përpara sigurinë rajonale dhe atë të NATO-s”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane në Tiranë. /j.p/

1 nga 4

The post Teknologji të reja të mbrojtjes kibernetike për AKSK nga ambasada amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia paralajmëron për e-maila të rremë që qarkullojnë në emër të saj

28 November 2025 at 22:31


Policia e Kosovës ka njoftuar opinionin publik se në qarkullim po shpërndahen përmes e-mail-it disa informacione jozyrtare dhe të rreme, të cilat paraqiten kinse si dokumente të lëshuara nga zyrtarë të lartë të institucionit.

Në deklaratën zyrtare thuhet se e-mail-et, të emërtuara si “THIRRJE GJYQËSORE”, përmbajnë “numër referues të dosjeve të lëshuara kinse nga stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovë, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Interpoli”. Policia thekson qartë se këto “NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës”.

Sipas njoftimit, bëhet fjalë për e-mail-e dhe dokumente të falsifikuara “për përdorim me qëllime të caktuara”.

PK ka bërë të ditur se është duke kryer hetime intensive në bashkëpunim me organet e drejtësisë, me qëllim të “hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale”, duke angazhuar njësitet kompetente policore.

Policia fton qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve të tilla dhe u bën thirrje që çdo e-mail apo dokument të dyshimtë ta adresojnë në adresën zyrtare info@kosovopolice.com për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.


BM – Realizohet terapia e parë gjenetike në botë mbi sindromën Hunter

25 November 2025 at 15:33

LONDËR, 25 nëntor /ATSH/ – Një djalë trevjeçar i ka habitur mjekët me përparimin e tij, pasi u bë personi i parë në botë me sindromën Hunter që merr një terapi gjenetike inovative, shkruan BBC.

Sëmundja shkakton dëmtime progresive në trup dhe tru.

Për shkak të një gjeni të dëmtuar, para trajtimit, Oliver Chu nuk ishte në gjendje të prodhonte një enzimë thelbësore për mbajtjen e qelizave të shëndetshme.

Në një rast të parë në botë, stafi mjekësor është përpjekur ta përgjysmojë sëmundjen, duke ndryshuar qelizat e Oliverit duke përdorur terapi gjenetike.

Prindërit e Oliverit, Jingru dhe Ricky, thonë se diagnoza e të dy djemve të tyre erdhi si një tronditje e madhe.

Skyler, vëllai më i madh i Oliverit, gjithashtu vuan nga kjo gjendje, megjithëse sfidat e tij të hershme të zhvillimit fillimisht iu atribuuan lindjes gjatë periudhës së Covid-it.

“Kur mëson për sindromën Hunter, mjeku të thotë të mos kërkosh në internet,” kujton Ricky.

Hematologia pediatër Claire Horgan shpjegoi se gjaku i tij kaloi nëpër një makinë për të mbledhur qeliza staminale specifike, të cilat më pas u modifikuan gjenetikisht./  /os/

The post BM – Realizohet terapia e parë gjenetike në botë mbi sindromën Hunter appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KLP rrëzon kërkesën e ILD-së për masë ndaj prokurores së Sarandës

25 November 2025 at 15:26

Këshilli i Lartë i Prokurorisë rrëzoi të martën një kërkesë të ILD-së për masë disiplinore ndaj prokurores Besiana Sadikaj. KLP nuk gjeti shkelje në sjelljen e prokurores Sadikaj dhe rrëzoi si të paprovuara pretendimet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë se ajo kishte cenuar etikën. Hetimi disiplinor ndaj prokurores Sadikaj u fillua bazuar në ankesat […]

The post KLP rrëzon kërkesën e ILD-së për masë ndaj prokurores së Sarandës appeared first on Reporter.al.

Arrestohet një 29-vjeçar, akuzohet për përhapje të materialeve pornografike me të mitur

14 November 2025 at 11:11

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike njoftoi të enjten se ka arrestuar një shtetas 29-vjeçar, banues në Tiranë, me akuzën e veprës penale “Pornografia me të mitur”. “Pas informacioneve të ardhura nga autoritetet policore gjermane dhe nga EUROPOL-i, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, ka kryer […]

The post Arrestohet një 29-vjeçar, akuzohet për përhapje të materialeve pornografike me të mitur appeared first on Reporter.al.

IPKO mbyll me sukses edicionin e tretë të Konferencës së Sigurisë Kibernetike –Inovacion, Partneritet dhe Qëndrueshmëri Digjitale në qendër të vëmendjes

By: IPKO
13 November 2025 at 17:57


IPKO Telecommunications, në bashkëpunim me Telekom Slovenije, organizoi me sukses Konferencën e Tretë të Sigurisë Kibernetike, duke e kthyer Prishtinën në epiqendër të diskutimeve rajonale për të ardhmen e sigurisë digjitale.
Ngjarja, e mbajtur më 12 nëntor 2025, mblodhi mbi 450 pjesëmarrës, përfaqësues nga institucione, kompani teknologjike, banka, universitete dhe organizata ndërkombëtare, duke e bërë këtë edicion më të madhin dhe më gjithëpërfshirësin deri më tani.

Këtë vit, konferenca solli një format të ri dhe më interaktiv, që bashkoi ekspertizën, inovacionin dhe partneritetin në një ambient ku dialogu profesional u ndërthur me demonstrime reale të teknologjive më të avancuara.
Një risi e veçantë ishte Cybersecurity Exhibition, ku partnerët strategjikë të IPKO-s Check Point, CyberArk, UpGuard, Whalebone, ShieldIoT/MasterCard dhe Detenta prezantuan produktet dhe zgjidhjet më të reja për mbrojtjen e të dhënave, infrastrukturave dhe transaksioneve digjitale.

Në fjalimin e hapjes, Kryeshefi Ekzekutiv i IPKO Telecommunications, z. András Páli, theksoi se siguria kibernetike është bërë një nga shtyllat themelore të zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit kombëtar:

“Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, siguria kibernetike nuk është më një zgjedhje — është domosdoshmëri. Vetëm përmes partneritetit, besimit dhe inovacionit të përbashkët mund të ndërtojmë një të ardhme digjitale të qëndrueshme për Kosovën dhe rajonin. IPKO do të vazhdojë të udhëheqë këtë platformë si një urë e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë kibernetike. Kjo konferencë nuk është vetëm një ngjarje, është një angazhim i përbashkët për të mbrojtur dhe fuqizuar të ardhmen digjitale të Kosovës,” u shpreh Páli.

Gjatë ditës, konferenca solli prezantime nga liderë globalë të industrisë, përfshirë Metod Platiše nga Telekom Slovenije dhe Marko Ostanek nga Check Point, të cilët ndanë trendet më të fundit dhe praktikat më efektive për parandalimin e sulmeve dhe forcimin e rezistencës digjitale të organizatave.

Pas sesioneve të para, pjesëmarrësit patën mundësinë të eksploronin zonën ekspozuese të partnerëve, ku u prezantuan zgjidhje inovative në fushën e sigurisë së rrjeteve, cloud-it dhe mbrojtjes së të dhënave.

Kjo pjesë e konferencës solli në një vend teknologjitë më të avancuara, ekspertizën ndërkombëtare dhe praktikat më efektive të industrisë, duke e shndërruar ngjarjen në një hub të vërtetë të inovacionit dhe bashkëpunimit profesional në fushën e sigurisë kibernetike.

Pika qendrore e ngjarjes ishte paneli i diskutimit kryesor, me temën “Siguria kibernetike si shtyllë e qëndrueshmërisë kombëtare dhe zhvillimit digjital”, i moderuar nga Valon Canhasi, me pjesëmarrjen e:

  • z. András Páli, CEO i IPKO Telecommunications
  • z. Ejup Maqedonci, Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës (në detyrë)
  • Prof. Blerim Rexha, Universiteti i Prishtinës, FIEK
  • z. Elvin Mala, Udhëheqës i Divizionit për Mbikëqyrjen e Sistemeve të TI-së, BQK
  • z. Vladislav Gurman, Zëvendëspresident në Whalebone

Diskutimi solli perspektiva të thelluara mbi rolin e bashkëpunimit ndërinstitucional, ngritjen e kapaciteteve kombëtare dhe ndërtimin e kulturës së vetëdijes kibernetike si faktor kyç për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e teknologjik.

Në përmbyllje, z. Noam Segev nga MasterCard prezantoi inovacionet më të fundit të kompanisë në sigurinë e pagesave dhe mbrojtjen e të dhënave financiare, duke theksuar rëndësinë e integrimit të inteligjencës artificiale në sistemet moderne të mbrojtjes.

IPKO është operatori lider i telekomunikacionit dhe teknologjisë në Kosovë. Me fokus në inovacion, cilësi dhe siguri digjitale, IPKO ofron zgjidhje dhe shërbime të avancuara të sigurisë kibernetike për biznese dhe institucione, duke mbështetur mbrojtjen e të dhënave, rrjeteve dhe infrastrukturës kritike. Përmes investimeve strategjike dhe partneriteteve ndërkombëtare, IPKO po ndërton një ekosistem digjital më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm për të ardhmen e Kosovës dhe rajonit.

Dogana ndalon produkte kozmetike të padeklaruara në Merdarë

11 November 2025 at 19:03


Një sasi e konsiderueshme produktesh kozmetike të padeklaruara është bllokuar sot në pikën kufitare Merdarë, gjatë kontrollit të detajuar të një automjeti nga zyrtarët doganorë.

Për këto produkte nuk është paraqitur asnjë dokumentacion përcjellës, ndërsa vlera e përgjithshme e mallrave të identifikuara vlerësohet të jetë rreth 1,600 euro, përcjell Telegrafi.

Mallrat janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave përkatëse, ndërsa ndaj personit të përfshirë është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizës së Kosovës.

Dogana e Kosovës ka theksuar se vazhdon angazhimin për të parandaluar hyrjen e produkteve të pasigurta dhe të padeklaruara në treg, duke siguruar respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e konsumatorëve. /Telegrafi/


❌
❌