TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni deklaroi sot se në progresraportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, reformat për administratën publike vlerësohen objektivisht me progres në gjashtë shtyllat e saj me rezultate të matshme.
Në prezantimin sot në Kuvend të veprimtarisë vjetore të Departamentit të Administratës Publike, për vitin 2024, Pirdeni u shpreh se, “veçanërisht KE ka evidentuar plotësimin e kuadrit strategjik të reformës me dy strategji kyçe, përkatësisht atë për antikorrupsionin dhe strategjinë e dedikuar për reformën në administratën publike deri në vitin 2030, shtrirjen e planeve të integritetit në mënyrë kapilare në të gjithë qeverisjen qendrore, si dhe menaxhimin e qëndrueshëm fiskal në vend”.
Pirdeni tha se, “ky vlerësim i Komisionit është pika me e rëndësishme e referencës për çdo institucion që mbart përgjegjësi në procesin e pandërprerë të reformës, përfshirë DAP-in”.
Ministrja nënvizoi se, reforma është tashmë e përshirë drejtpërdrejt si pjesë e grup-kapitujve “Themeloret”, që përcaktojnë ritmin dhe cilësinë e të gjithë procesit të anëtarësimit në BE.
Pirdeni shtoi se, “2024-a ka qenë një vit tejet i rëndësishëm për DAP-in, për konsolidimin e reformës dhe për shndërrimin e saj nga një proces i mirëplanifikuar në një proces të maturuar tashmë”.
Kjo, vijoi Pirdeni, “u bë e mundur gjithashtu, përmes krijimit të portofolit të dedikuar ministror për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, vendim që në fillim të vitit 2024 i dha reformës peshën politike, institucionale dhe funksionale të nevojshme për t’u trajtuar si prioritet qeveritar dhe kombëtar”.
Pirdeni evidentoi vlerësimin e OECD/SIGMA që në raportin e publikuar në dhjetor 2024, e pozicionoi Shqipërinë si vendin me performancën më të lartë në rajon në shumicën e 32 indikatorëve të matur, veçanërisht në hartimin dhe koordinimin e politikave, në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe shërbimin civil, në qeverisjen digjitale dhe menaxhimin e financave publike.
Gjithashtu, theksoi Pirdeni, “SIGMA vlerëson gjithashtu se, “sistemi i rekrutimit dhe menaxhimit të Shërbimit Civil në Shqipëri vlerësohet i pjekur dhe i qëndrueshëm”.
Ministrja nënvizoi se ndërhyrja më e thellë strukturore që ka kontribuuar në këtë pjekuri ka qenë reforma radikale e pagave, e iniciuar në vitin 2023 dhe vijuar në 2024-ën dhe më tej. Ajo ka sjellë një rritje mesatare nga 35-64%, në varësi të kategorive të pagave dhe e ka çuar pagën mesatare në administratë në rreth 100 mijë lekë, pothuajse dyfishi i vitit 2013”.
Kjo reformë, theksoi Pirdeni, “është vlerësuar pozitivisht nga Komisioni Evropian, jo vetëm për rritjen nominale të pagave, por edhe sepse shoqërohet me një model të drejtë karriere, shpërblimesh dhe vjetërsie, falë rritjes së indeksit të shkallës së komprimimit të pagës dhe peshës së elementit të vjetërsisë në pagën totale”.
Ministrja theksoi se në kuadër të kësaj reforme përgjatë vitit 2024 janë zbatuar rritje pagash për disa sisteme karriere me peshë të lartë publike.
“Për rreth 36 mijë punonjës mësimorë dhe të tjerë jomësimorë në sistemin arsimor parauniversitar, pagat u rritën me mesatarisht nga 23% deri në 53%. Për rreth 20 mijë punonjës të sistemit shëndetësor rritja mesatare ka qenë nga 25% për mjekët, ose rritje në vlerë prej 20 mijë lekësh të reja në muaj për mjekët e përgjithshëm si dhe rritje mesare prej 32% për infermierët ose rritje në masën 15 mijë lekë të reja në muaj për ta”, tha Pirdeni.
Ministrja shtoi se, “për rreth 6 mijë ushtarakë të Forcave të Armatosura pati një rritje nga 7-22% për gradë, për rreth 3500 punonjës policie, pati rritje të pagës për gradë mesatarisht 15,12%. për rreth 1500 punonjës të Gardës së Republikës rritja e pagës për gradë u shënua nga 12,9 deri në 34,6%. Për rreth 1200 punonjës të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi paga për gradë u rrit nga 6,5 deri në 30,4%”.
Po ashtu, shtoi Pirdeni, “reforma tërësore e sistemit të pagave u shtri dhe në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore duke barazuar tashmë njëherë e mirë pagat e atyre me ato të klasës përkatëse korresponduese për administratën shtetërore. Kjo e çoi rritjen e pagave nga 15% deri në 241% në varësi të bashkive”.
Pirdeni nënvizoi se, “me projektbuxhetin e vitit 2026 qeveria synon parashikon indeksimin e pagave të administratës publike sikurse kërkohet dhe nga ligji për kompetencën e pagave si dhe parashikon gjithashtu një rritje të pagës minimale me 10 mijë lekë të reja nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë të reja, që përkthehet në një rritje 25% për një kategori të konsiderueshme të punonjësve të administratës me paga aktualisht më të ulëta”.
Ministrja nënvizoi se, kjo është një politikë e re pagash që e kombinuar me rritjen e përgjithshme si rezultat i rritjes së pagës minimale për të gjithë i shton gati 100 milionë euro qysh në vitin e parë 2026 shumës që mandati i katërt do të vërë në dispozicion të rritjes së fuqisë blerëse të të gjitha kategorive shoqërore.
Pirdeni shtoi se, “10 600 punonjës shërbimi, sanitarë, shoferë, teknikë, protokollistë, arkivistë, magazinierë do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj, me një vlerë në rritje gati 25%”.
“Për specialistë të administratës publike rritja do të jetë 5 mijë lekë të reja. Mësuesit do të përfitojnë pagë 3 mijë lekë të reja më shumë në muaj. Dhe për herë të parë në sektorin e shëndetësisë, përveç indeksimit do të fillojë dhe llogaritja e vjetërsisë në punë”, tha Pirdeni.
“Kjo do të thotë se si mesatare për mjekët e përgjithshëm nga 131 700 lekë, paga do të shkojë në 143 500 lekë në muaj. Për mjekët në spitale nga 174 mijë lekë në 186 mijë lekë në muaj. Për infermierët nga 87 mijë lekë në 92.500 lekë në muaj”, tha Pirdeni.
Po ashtu, Pirdeni theksoi se, “edhe për punonjësit e Policisë së Shtetit, përveç indeksimit, do të ketë rritje për vjetërsinë në punë, e cila për gradat më të ulëta përkthehet në një rritje mesatare me 5 mijë lekë të reja në muaj”.
“E thënë ndryshe, për një punonjës me vjetërsi mesatare 15 vjet, sipas gradave, pagat rriten si më poshtë: Për inspektorët e thjeshtë nga 80.500 lekë të reja në 84.500 lekë të reja, plus shtesa për kushtet e punës dhe ushqimit, që e çon pagën mesatarisht në 100 mijë lekë të reja. Për komisarët nga 105 mijë në 110.600. Dhe për drejtuesit e thjeshtë, nga 130.500, paga do të shkojë 141.450 lekë të reja, që me shtesën dhe me ushqimin bëhet mesatarisht 156.450 lekë”, u shpreh Pirdeni.
/gj.m/a.f/r.e/
The post Pirdeni: Paga minimale 50 mijë lekë në 2026-ën, rritje pagash në administratë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.