Resorti “Blue Borgo”: Banorët përplasen me policinë, punimet vijojnë
Projekti i kompanisë “Gener 2” për të kthyer një pjesë të bregdetit mes Shëngjinit dhe Velipojës në një resort luksoz me emrin “Blue Borgo” ka nxitur sërish përplasje me banorët e zonës.
Prej së hënës dhjetëra banorë të Baks-Rrjollit në Shkodër, të cilët pretendojnë se ndërtimi po bëhet duke shkelur mbi të drejtat e tyre për pronën, janë në protestë.
Ata kërkojnë që punimet të pezullohen deri në një vendim nga gjykata. Përplasja mes tyre, policisë dhe grupit të investitorëve vijon prej vitit të shkuar, kur edhe atëherë kompania provoi të niste punimet në zonë.
Nga njëra anë qëndron një leje ndërtimi e firmosur nga qeveria dhe një investitor strategjik. Nga ana tjetër, dhjetëra familje që pretendojnë se investimi po bëhet pa pëlqimin e tyre, mbi toka të grabitura përmes dokumentesh të falsifikuara.
Përplasja me policinë dhe përshkallëzimi i çështjes
Të martën, rreth 30-40 banorë u shoqëruan në komisariat pasi bllokuan rrugën Shëngjin-Velipojë dhe u përpoqën të ndalnin punimet. Protesta vijoi edhe sot, ngjashëm, me bllokim të rrugës çka u shoqërua sërish me përplasje me policinë.
Pas rreth një ore pritjeje për ambulancë, një prej protestuesve, i cili humbi ndjenjat, u transportua me urgjencë për në spital.
Banorët paralajmëruan se të enjten do të udhëtojnë drejt Tiranës për t’iu drejtuar Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, ku prej marsit të vitit të kaluar kanë depozituar një kallëzim për çështjen e pronësisë, pa marrë ende një përgjigje publike.
Paralelisht, në zonë, kompania “Gener 2” vijon punimet. Makineritë e saj kishin hapur trasenë e rrugës dytësore për në kantier. Kamionë dhe makineri të rënda po lëviznin dherat, teksa një grup punonjësish qëndronin në anë, përballë protestuesve.
Pas përplasjeve dhe sinjalizimeve të banorëve, buzë rrugës ishte vënë një tabelë, e cila pavarësisht se fliste për projektin, nuk shoqërohej me lejen e zbardhur dhe firmosur të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU).

Tabela tregonte se investimi përllogaritet në vlerën prej rreth 26.8 miliardë lekë (280 milionë euro) dhe se kompania “Gener 2” kishte marrë licencë zbatimi për projektin (NZ. 4586/34) më 16 shtator 2025. Kjo nënkupton se kompania kur provoi të hapte kantierin në mars 2025 nuk kishte licencë.
Në letër, KKTU e ka dhënë lejen e ndërtimit të resortit më 17 dhjetor 2024 – e zbardhur vetëm në janar 2026 në web-faqen e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit. Vendimi parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, përfshirë struktura hoteliere dhe sociale-kulturore.
Zona e zhvillimit parashikohet në rreth 146 hektarë mes “Ranës së Hedhun” dhe Rrjollit.
Sipas Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për projektin “Blue Borgo” qe zhvilluar konsultim publik në shtator 2024, në kuadër të procedurave për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM).
Konsultimi është pasqyruar në përmbledhjen jo-teknike të raportit mjedisor, ku projekti prezantohet si zhvillim turistik me ndikim të menaxhueshëm në mjedis.

Në dhjetor 2024, projekti ka përfituar statusin e investitorit strategjik për strukturë akomoduese me pesë yje, duke i hapur rrugë përparësive procedurale dhe mbështetjes institucionale. Megjithatë, referuar një korrespondence të Citizens.al me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), deri në maj 2025, “i vetmi projekt me status aktiv” ishte projekti “Dukagjini Resort” me subjekt “Dukagjini Group”.
Sidoqoftë, këto vendimmarrje janë marrë paralelisht me një konflikt të hapur pronësie në zonë, i cili po kundërshtohet nga banorët dhe është ende në proces gjyqësor, duke e kthyer projektin në një nga rastet më të debatuara të zhvillimit turistik të momentit për bregdetin në veri.
Konflikti i pronës: Ligjshmëri formale, konflikt real
Thelbi i përplasjes nuk lidhet vetëm me përmasën e projektit, por me pronësinë e tokës. Banorët pretendojnë se parcela të trashëguara prej dekadash janë regjistruar në emër të palëve të treta përmes dokumenteve të falsifikuara dhe më pas janë shitur te investitori.
Pikërisht kjo çështje është objekt i një procesi gjyqësor ende në zhvillim. Banorët kërkojnë që, në kushtet e një konflikti të hapur pronësie, punimet të ndalen deri në një vendim përfundimtar, për të shmangur një situatë të pakthyeshme.
Megjithatë, leja e ndërtimit nuk parashikon asnjë klauzolë pezullimi në rast kontestimi gjyqësor, duke e zhvendosur konfliktin nga salla e gjyqit në terren, mes banorëve dhe policisë.
Kompania “Gener 2” reagoi vitin e shkuar duke theksuar përmes një njoftimi për shtyp se “pretendimet janë spekulime” dhe se ajo garantonte se “gjatë gjithë procesit, nuk ka shkelur të drejtat e pronës së askujt”.
Sipas lejes, subjekti zhvillues i projektit është shoqëria “ABA Blue Borgo”, e themeluar në janar 2024. Por, ajo është pjesë e grupit “Gener 2”, në pronësi si aksioner kryesor të sipërmarrësit Bashkim Ulaj.

Dokumentet tregojnë ndryshime të shpeshta në strukturën e ortakëve dhe transferime kuotash gjatë viteve 2024-2025, një element që banorët e përdorin si argument shtesë për të shtuar pretendimet për abuzime të mundshme.
Rasti i Rrjollit ndjek një model të njohur në zhvillimet turistike të viteve të fundit: projekte të mëdha të miratuara në nivel qendror, mbi toka me histori të paqarta pronësie, ku banorët përballen përpara faktit të kryer.
Ndërsa shteti e konsideron projektin si investim strategjik, banorët mbeten përballë vetëm një alternative: Zhvendosjes së pretendimeve në rrafshin juridik, çka nënkupton largimin nga prona.
Në mungesë të një reagimi publik nga SPAK apo nga qeveria që ka miratuar lejen, përplasja duket se do të thellohet pasi asnjë prej banorëve nuk duket se do të tërhiqet.
Lexoni gjithashtu:
- Banorët e Rrjollit kundërshtojnë ndërtimin e resortit turistik
- Banorët e Rrjollit, në SPAK për të drejtën e pronës
The post Resorti “Blue Borgo”: Banorët përplasen me policinë, punimet vijojnë appeared first on Citizens.al.