Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 15 January 2026Main stream

Gjykata e Lartë rikthen çështjen Zarka për rishqyrtim në Apel

15 January 2026 at 21:18

Gjykata e Lartë vendosi të enjten, më 15 janar, prishjen e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me çështjen penale ndaj ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, i akuzuar për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në çështjen “Toyota Auris”. Vendimi erdhi pas rekursit të ushtruar nga […]

The post Gjykata e Lartë rikthen çështjen Zarka për rishqyrtim në Apel appeared first on Reporter.al.

“Toyota Yaris” – Gjykata e Lartë prish vendimin për Aurel Zarkën, kthehet në Apelin e GJKKO për rigjykim

By: D Marku
15 January 2026 at 20:41

Gjykata e Lartë ka vendosur të prishë vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO, për ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, duke e rikthyer çështjen për rigjykim nga një trup gjykues i ri.

Zarka, i cili u shpall fajtor më parë për korrupsion dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm, kishte marrë një dënim prej 2 vitesh e 8 muaj burg, në gjykimin e shkurtuar të shkallës së parë.

Ai kishte ankimuar vendimin, duke kërkuar rishqyrtim të provave dhe procedurave gjyqësore.

Vendimi i Gjykatës së Lartë prish vendimin e mëparshëm dhe e kthen çështjen në Apelin e GJKKO për rigjykim me trupë tjetër gjykuese, duke hapur rrugën për shqyrtim të plotë të provave dhe argumenteve të paraqitura.

The post “Toyota Yaris” – Gjykata e Lartë prish vendimin për Aurel Zarkën, kthehet në Apelin e GJKKO për rigjykim appeared first on Albeu.com.

Marjeta Përlala emërohet në krye të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit

15 January 2026 at 18:59

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Këshilli i Ministrave emëroi sot Marjeta Përlalën në postin e drejtores së përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit është një institucion qendror publik në varësi të ministrit të Mjedisit, që ushtron juridiksionin e vet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, përmes zyrës qendrore dhe katër Agjencive Rajonale të Mjedisit.

AKM-ja ka për mision mbrojtjen, ruajtjen dhe përmirësimin e mjedisit si një pasuri jetike për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, parandalimin dhe pakësimin e rreziqeve ndaj jetës e shëndetit të njeriut.

Po ashtu, ajo sigurohet për përdorimin e matur dhe racional të natyrës e të burimeve të saj në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

/m.m/r.e/a.f/

The post Marjeta Përlala emërohet në krye të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pastrim i vijës bregdetare në Velipojë nga mbetjet e ardhura nga vërshimi i lumenjve

15 January 2026 at 13:48

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Punonjës të shërbimeve publike janë angazhuar për largimin e mbetjeve në plazhin e Velipojës.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci ndau foto nga ky aksion në bregdetin e Velipojës, ndërsa tha se fundjava do e gjejë këtë plazh gati për pushuesit edhe në dimër.

Për shkak të motit të keq të ditëve të fundit dhe si pasojë e vërshimit të lumenjve, në bregdetin e Velipojës kanë dalë mbetje të ndryshme. Ndaj, punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të bashkisë Shkodër, janë angazhuar për pastrimin e këtij bregdeti dhe rikthimin në gjendjen e duhur.

Aksionet për pastrimin dhe mbajtjen pastër të vijës bregdetare do të intensifikohen gjatë muajve në vijim, në prag të sezonit veror, për të garantuar një vijë bregdetare të pastër dhe mikpritëse për qytetarët vendas dhe turistët e huaj.


/e.i/

The post Pastrim i vijës bregdetare në Velipojë nga mbetjet e ardhura nga vërshimi i lumenjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ligji i ri për gjuetinë: mes pretendimeve për mbrojtje dhe rrezikut të abuzimeve

15 January 2026 at 13:24

Nga Genti Kromidha- Ligji i ri për gjuetinë në Shqipëri, i miratuar në dhjetor 2025, rikthen aktivitetin e gjuetisë pas një moratoriumi 12-vjeçar, duke pretenduar masa të rrepta për mbrojtjen e biodiversitetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ai e konsideron faunën e egër pasuri kombëtare dhe vendos mekanizma për monitorim e kontroll, por ekziston frika se gjuetia mund të kthehet në presion mbi speciet e rrezikuara, për shkak të mungesës së burimeve të mjaftueshme institucionale për zbatimin e ligjit në terren.

Procedurat e lejeve dhe kriteret e moshës synojnë ta bëjnë aktivitetin më të kontrollueshëm, ndërsa gjobat e larta dhe monitorimi institucional janë menduar si garanci kundër abuzimeve. Megjithatë, organizatat mjedisore nuk kanë reaguar fuqishëm ndaj miratimit të ligjit, duke e parë kryesisht si një hap pozitiv drejt kontrollit të gjuetisë, pa u ndalur në problematikat e dispozitave specifike.

Genti Kromidha, drejtor i Institutit për ruajtjen e natyrës në Shqipëri.

Çështja më kritike e ligjit është përcaktimi dhe menaxhimi i zonave të gjuetisë. Ligji ngarkon bashkitë me përgjegjësinë e përcaktimit të zonave, megjithëse dihet se ato nuk kanë mjetet dhe burimet e nevojshme për ta kryer këtë proces si duhet. Menaxhimi i zonës së gjuetisë i besohet një menaxheri të përzgjedhur me tender, i cili ka kompetenca të plota, përfshirë hartimin e planit vjetor të përdorimit të faunës së egër. Ky rol i gjerë i menaxherit, i orientuar drejt biznesit, ngre shqetësime mbi saktësinë e inventarit të llojeve dhe rrezikun e manipulimeve, sidomos kur ligji lejon gjuetinë vetëm deri në 10 për qind të shtesës natyrale të popullatës së një lloji.

Ligji përcakton gjithashtu që qiraja e zonës së gjuetisë të llogaritet mbi bazën e vlerës së gjuetisë vjetore, duke e lidhur drejtpërdrejt me inventarizimin e kafshëve të egra. Por, në mungesë të menaxherit, nuk është e qartë kush e kryen inventarin, duke lënë hapësirë për pasaktësi dhe abuzime. Për më tepër, menaxheri përcakton edhe tarifat për përdorimin e zonës, duke i bazuar në planin e biznesit që i ka siguruar menaxhimin.

Dispozitat kalimtare e ngarkojnë qeverisjen vendore me të gjitha përgjegjësitë e menaxherit deri në përzgjedhjen e tij, duke krijuar mbingarkesë dhe konfuzion. Njëkohësisht, ligji përcakton se gjuetia nuk mund të ushtrohet në asnjë zonë pa miratimin e planit vjetor të përdorimit të zonës së gjuetisë, i cili duhet të hartohet nga bashkitë. Kjo ose e bën të pamundur hapjen e gjuetisë, duke zgjatur moratoriumin me pengesa ligjore, ose krijon hapësira të gjera për abuzime.

Si përfundim, ligji i ri për gjuetinë, ndonëse paraqitet si një instrument modern për menaxhimin e faunës së egër, në praktikë ngre më shumë pikëpyetje sesa zgjidhje. Ngarkimi i bashkive me detyra që tejkalojnë kapacitetet e tyre, fuqizimi i menaxherit privat me kompetenca të gjera dhe paqartësitë mbi inventarizimin e faunës krijojnë një terren të pasigurt për zbatimin e ligjit. Pa transparencë, pa burime të mjaftueshme dhe pa mekanizma të fortë kontrolli, ky ligj rrezikon të kthehet në një burim abuzimesh dhe të minojë përpjekjet e deritanishme për mbrojtjen e biodiversitetit në Shqipëri.

Një rrugëdalje e arsyeshme për të adresuar mangësitë e ligjit aktual për gjuetinë do të ishte zgjatja e ndalimit të gjuetisë për një periudhë 2–3 vjeçare. Kjo do të krijonte hapësirën e nevojshme për të organizuar një sistem të ndërlikuar, për të hartuar aktet nënligjore që mungojnë, për të përgatitur një program kombëtar të gjuetisë dhe për të përcaktuar qartë zonat ku ajo mund të zhvillohet. Në të njëjtën kohë, kjo periudhë do të shërbente për trajnimin dhe forcimin e kapaciteteve të stafeve lokale, duke garantuar zbatimin korrekt dhe të qëndrueshëm të ligjit, në përputhje me standardet e mbrojtjes së biodiversitetit dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.

*Genti Kromidha është drejtori i Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri

The post Ligji i ri për gjuetinë: mes pretendimeve për mbrojtje dhe rrezikut të abuzimeve appeared first on Gazeta Si.

VIDEO/ Transportonte me automjet 60 kilogramë kanabis, Tiranë, arrestohet 52-vjeçari

By: Rovena
15 January 2026 at 08:53

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Cargo”, duke goditur një tjetër rast të trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.

U arrestua në flagrancë shtetasi 52-vjeçari A. M., banues në Krujë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Luz, Fushë-Krujë, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin që drejtohej nga 52-vjeçari, ku u gjetën 6 thasë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale 60 kilogramë.

Sipas hetimeve paraprake, droga, me një vlerë të përafërt rreth 60 mijë euro, dyshohet se do të shpërndahej në doza të vogla në qytetin e Krujës dhe në Tiranë.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe 1 telefon celular. Ndërkohë, policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme ligjore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Moti sot i qëndrueshëm, pasdite priten vranësira

15 January 2026 at 07:30

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU) njofton se vendi ynë do të ndikohet sot nga kushte të qëndrueshme atmosferike.

Moti parashikohet i kthjellët me vranësira të pakta kalimtare deri në orët e mesditës. Pas mesditës pritet shtim gradual i vranësirave mesatare deri të dendura në pjesën më të madhe të territorit.

Era do të fryjë nga verilindja në juglindje me shpejtësi mesatare rreth 6 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore pritet të arrijë deri në 9 m/s. Deti do të ketë valëzim 1–2 ballë.

/a.f/

 

The post Moti sot i qëndrueshëm, pasdite priten vranësira appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Minneapolis në alarm: Agjent federal qëllon një burrë, shpërthejnë protestat

By: nik
15 January 2026 at 05:56

Një oficer federal ka qëlluar një burrë në këmbë gjatë një operacioni zbatimi në veri të Minneapolis, duke shkaktuar protesta në një qytet ende në tension pas vrasjes së Renee Nicole Good nga një agjent federal javën e kaluar. Të shtënat ndodhën rreth orës 19:00 me orën lokale, sipas dëshmitarëve. Qindra protestues u mblodhën në vendngjarje të mërkurën mbrëma, duke u përballur me agjentët që…

Source

Before yesterdayMain stream

Tirana fiton në Ballsh ndaj Bylisit, Nuhiu merr suksesin e parë

14 January 2026 at 15:38

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Tirana e ka nisur vitin 2026 me fitore në kampionatin e Kategorisë Superiore.

Bardheblutë triumfuan 0-1 në transfertë ndaj Bylisit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të, të zhvilluar në stadiumin “Adush Muça”.

Takimi u karakterizua nga lojë e luftuar, me raste për të dyja skuadrat, por pjesa e parë u mbyll pa gola. Në fraksionin e dytë, Tirana gjeti avantazhin pas një penalltie të fituar nga Redon Xhixha. Nga pika e bardhë, Rafael u tregua i saktë, duke shënuar golin e vetëm të takimit.

Skuadra kryeqytetase administroi avantazhin deri në fund, duke siguruar tre pikë të rëndësishme. Kjo ishte fitorja e parë për trajnerin Ardian Nuhiu në drejtimin e Tiranës.

Pas këtij suksesi, Tirana mbetet në vendin e fundit të renditjes me 13 pikë, duke vijuar luftën për mbijetesë. Bylisi, me pesë pikë më shumë, renditet në vendin e tetë të klasifikimit.

/gj.m/j.p/

The post Tirana fiton në Ballsh ndaj Bylisit, Nuhiu merr suksesin e parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tentoi të kalonte kufirin ilegalisht, ndalohet 30-vjeçari grek në Kapshticë

By: armand
14 January 2026 at 15:13

Policia ka nisur hetimin për një 30-vjeçar grek. Ai u ndalua nga policia kufitare, pasi po tentonte të kalonte kufirin ilegalisht. Ndërkohë gjatë kontrollit të automjetit të tij, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi kanabis. “Shërbimet e Policisë Kufitare Kapshticë, gjatë kontrolleve të imtësishme, të kryera në bazë të analizës së riskut, […]

The post Tentoi të kalonte kufirin ilegalisht, ndalohet 30-vjeçari grek në Kapshticë appeared first on BoldNews.al.

Censi i shpendëve ujorë 2026, 102 specialistë të angazhuar në 34 vendnumërime

13 January 2026 at 17:10

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Në kuadër të Censit Ndërkombëtar të Shpendëve Ujorë Dimërorë 2026, në Shqipëri janë angazhuar 102 specialistë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), si dhe 17 ekspertë të fushës, të cilët do të marrin pjesë në monitorimin e shpendëve ujorë në 34 vendnumërime në të gjithë territorin e vendit.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj theksoi se Censi Ndërkombëtar i Shpendëve të Ujit përbën një nga proceset më të rëndësishme shkencore për monitorimin dhe ruajtjen e biodiversitetit.

“Prej vitit 1967, ky census mbledh çdo vit të dhëna të çmuara për biodiversitetin, falë mijëra vëzhguesve në mbarë botën”, u shpreh ministri Jaupaj.

Ai nënvizoi se përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Shqipëria i bashkohet edhe këtë vit këtij monitorimi ndërkombëtar, i cili do të zhvillohet më 17-18 janar, me qëllim mbledhjen dhe raportimin e të dhënave të sakta mbi popullatat e shpendëve ujorë dhe gjendjen e ekosistemeve ujore.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, të dhënat e mbledhura gjatë censusit shërbejnë si bazë shkencore për hartimin e politikave të mbrojtjes së natyrës dhe menaxhimin e qëndrueshëm të zonave ujore dhe ligatinore në vend.

Censi Dimëror i Shpendëve Ujorë realizohet çdo vit në bashkëpunim me institucione shtetërore, ekspertë të biodiversitetit dhe vëzhgues të specializuar, duke kontribuar në ruajtjen afatgjatë të shpendëve të ujit dhe habitateve të tyre natyrore.

/r.e/a.f/

The post Censi i shpendëve ujorë 2026, 102 specialistë të angazhuar në 34 vendnumërime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Siria arreston një “celulë terroriste të ISIS”

13 January 2026 at 17:30

Ministria e Brendshme e Sirisë tha se forcat e sigurisë kanë arrestuar një celulë të ISIS (DEASH) në periferi të Damaskut.

“Një celulë terroriste e ISIS u arrestua në qytetin Jadidat al-Shibani në Luginën Barada, në periferi të Damaskut”, tha një burim i ministrisë për Agjencinë Arabe Siriane të Lajmeve (SANA).

Më 13 dhjetor, tre amerikanë, përfshirë dy ushtarakë dhe një civil, u vranë dhe tre trupa amerikane u plagosën në një pritë të ISIS-it në qytetin qendror të Palmirës, ​​sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM).

Siria u bashkua zyrtarisht me koalicionin ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja kundër ISIS-it më 12 nëntor. Koalicioni u formua në vitin 2014 dhe ka kryer operacione ushtarake kundër grupit terrorist në Siri dhe Irak, megjithëse Damasku zyrtar nuk ishte më parë anëtar.

Administrata e re siriane ka punuar për të forcuar kushtet e sigurisë në të gjithë vendin që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assadit në fund të vitit 2024.

PARIS – Fermerët francezë protestojnë kundër marrëveshjes BE-Mercosur

13 January 2026 at 15:34

PARIS, 13 janar /ATSH-DPA/- Qindra fermerë francezë drejtuan sot traktorët e tyre drejt parlamentit për të protestuar kundër marrëveshjes tregtare të BE-së me katër vende të Amerikës së Jugut që pritet të nënshkruhet në fundjavë.

Fermerët thanë se marrëveshja BE-Mercosur do të ndikonte në tregjet evropiane me importe të lira bujqësore, duke kërcënuar jetesën e tyre.

Traktorët u drejtuan drejt qendrës së Parisit përpara se të rreshtoheshin para ndërtesës së Asamblesë Kombëtare.

Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian i dhanë dritën jeshile të premten, nënshkrimit të marrëveshjes tregtare të vonuar prej kohësh me Brazilin, Argjentinën, Uruguain dhe Paraguain. Franca votoi kundër paktit.

Marrëveshja është planifikuar të nënshkruhet të shtunën në Paraguai.

Qeveria franceze është përpjekur të lehtësojë tensionet me masa lehtësuese, pasi kjo është hera e dytë brenda një jave që traktorët rreshtohen në Paris.

Ministrja franceze e Bujqësisë, Annie Genevard tha se Kabineti po punonte për mbështetje shtesë për sektorin, pasi njoftoi së fundmi një ndihmë me vlerë 300 milionë euro.

Fermerët gjithashtu kanë shprehur zhgënjimin për atë – që ata e përshkruajnë – si burokraci të tepruar dhe rregullore tepër të rrepta mjedisore. //a.i/

The post PARIS – Fermerët francezë protestojnë kundër marrëveshjes BE-Mercosur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pas 10 viteve, Barcelona arrin rekordin prej 10 fitoreve radhazi

13 January 2026 at 15:43


Me fitoren ndaj Real Madridit në Superkupën e Spanjës, Barcelona tani ka fituar 10 fitore radhazi, duke barazuar një seri rekord që ishte nën drejtimin e Luis Enriques në vitin 2016.

Fitorja në Superkupën e Spanjës kundër Real Madridit me rezultat 3-2 i lejoi Barçës të fitonte trofeun e parë të sezonit dhe të barazonte rekordin e vjetër prej një dekade.

Skuadra e Hansi Flick ka regjistruar serinë më të gjatë të fitoreve në muajt e fundit që nga koha kur Luis Enrique ishte trajner i Blaugranave.

Barça have now won 10 games in a row 🥵https://t.co/BLzaRRmFQf
— FC Barcelona (@FCBarcelona) January 13, 2026

Fitore pas fitoreje

Blaugranët janë në formën e tyre më të mirë të sezonit. Pas disa muajve në fillim të sezonit me ulje-ngritje, Barça është rikthyer në formë pas humbjes kundër Chelseat në Ligën e Kampionëve.

Që nga ajo ditë në Stamford Bridge, skuadra ka arritur një seri prej 10 fitoresh radhazi, duke përfshirë fitoret në shtëpi ndaj Atletico Madrid (3-1) dhe jashtë fushe ndaj Real Betis (5-3) dhe Villarreal (2-0).

Një fitore në derbin katalanas 2-0 jashtë fushe ndaj Espanyol dhe një fitore 3-2 në finalen e Superkupës së El Clasico në Arabinë Saudite janë momente të tjera kulmore të kësaj serie të shkëlqyer në të cilën ndodhet skuadra e Hansi Flick aktualisht.

Katalunasit gjithashtu fituan edhe ndaj Athletic Bilbao, Guadalajara, Osasuna, Eintracht Frankfurt dhe Alaves.

Statistikat e Luis Enriques

Skuadra e Barcelonës që arriti shifra dyshifrore për sa i përket fitoreve të njëpasnjëshme ishte skuadra e trajnuar nga Luis Enrique midis prillit 2016 dhe gushtit të të njëjtit vit.

Nëse Barça mund ta mposhtë Racing Santander në Copa del Rey në ndeshjen e tyre të radhës, atëherë ata do të barazojnë një tjetër seri nën drejtimin e trajnerit të PSG-së, kur ai e udhëhoqi Barcën drejt 11 fitoreve radhazi në janar dhe shkurt të vitit 2015. /Telegrafi/

Shqipëria performon në gjysmëfinalen e dytë në Eurovision 2026

13 January 2026 at 11:43


Formacioni i Gjysmëfinaleve të Konkursit të 70-të të Këngës në Eurovision është përcaktuar përmes një shorti zyrtar, i cili u zhvillua në Rathaus të Vjenës, qytetin pritës të këtij edicioni jubilar.

Nga 35 transmetues pjesëmarrës, 30 vende mësuan pozicionet e tyre në këtë garë; dy Gjysmëfinalet: 15 në Gjysmëfinalen e Parë dhe 15 në Gjysmëfinalen e Dytë.

Para shortit, vendet u ndanë në pesë grupe bazuar në modelet historike të votimit, të përllogaritura nga partneri zyrtar i votimit të Eurovision-it, 'Once', me qëllim një shpërndarje sa më të balancuar.

Foto: YouTube

Gjysmëfinalet do të zhvillohen më 12 dhe 14 maj, ndërsa rendi i saktë i performancave do të përcaktohet deri në fund të muajit mars.

Dhjetë vendet më të votuara nga secila Gjysmëfinale do të kualifikohen për Finalen e Madhe të 16 majit, ku do t’u bashkohen pesë shteteve të kualifikuara automatikisht.

Rezultatet e shortit të Gjysmëfinaleve janë si më poshtë:

GJYSMËFINALJA E PARË (12 MAJ):


Gjeorgjia (GPB)


Portugalia (RTP)


Kroacia (HRT)


Suedia (SVT)


Finlanda (YLE)


Moldavia (TRM)


Greqia (ERT)


Mali i Zi (RTCH)


Estonia (ERR)


San Marino (RTV)


Polonia (TVP)


Belgjika (RTBF)


Lituania (LRT)


Serbia (RTS)


Izraeli (KAN)


GJYSMËFINALJA E DYTË (14 MAJ):


Armenia (AMPTV)


Rumania (TVR)


Zvicra (SRG SSR)


Azerbajxhani (İctimai)


Luksemburgu (RTL)


Bullgaria (BNT)


Çekia (CT)


Shqipëria (RTSH)


Danimarka (DR)


Qipro (CyBC)


Norvegjia (NRK)


Malta (PBS)


Australia (SBS)


Ukraina (Suspilne)


Letonia (LSM)


Pas kombinimit të votave të publikut dhe jurisë, 10 shtetet më të mira nga secila Gjysmëfinale do të kualifikohen për t’iu bashkuar 5 shteteve të kualifikuara automatikisht në Finalen e Madhe të shtunën, më 16 maj.

Franca (FTV), Gjermania (ARD/SëR), Italia (Rai), Mbretëria e Bashkuar (BBC) dhe fituesja e vitit të kaluar Austria (ORF) kualifikohen automatikisht për Finalen e Madhe.

Megjithatë, secili prej tyre është i detyruar të transmetojë dhe të votojë në një nga Gjysmëfinalet.

- YouTube www.youtube.com

Duhet theksuar që Alis me këngën "Nan" do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026. /Telegrafi/

Mot i kthjellët, ngrica të forta në rrugë

13 January 2026 at 07:30

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e martë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet me kthjellime si dhe alternime vranësirash mesatare dhe hera-herës deri të dendura në pjesën më të madhe të territorit.

Në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes përgjatë zonave luginore prezencë e mjegullës së dendur, si dhe ngrica të forta përgjatë akseve rrugore si rezultat temperaturave në vlera negative.

Era do të fryjë me drejtim juglindje-jugperëndim me shpejtësi mesatare 4 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe lugina era me shpejtësi deri në 8 m/sek, shoqëruar me dallgëzim në dete të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 0/10 Diell re
Kukës -4/4 Diell re
Lezhë 1/11 Diell re
Dibër -6/2 Diell re
Durrës 4/12 Diell re
Tiranë 1/13 Diell re
Elbasan -1/12 Diell re
Berat -1/13 Diell pak re
Vlorë 2/12 Diell pak re
Korçë -6/3 Diell pak re
Gjirokastër -2/11 Diell pak re
Sarandë 4/13 Diell pak re

/r.e/

The post Mot i kthjellët, ngrica të forta në rrugë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kur temperaturat bien, besimi rritet: Arctic Diesel vetëm nga EXFIS

By: EXFIS
12 January 2026 at 16:21


Në dimrat e ashpër, kur temperaturat bien nën zero dhe kushtet rrugore bëhen sfiduese, cilësia e karburantit nuk është më luks, por domosdoshmëri.

Pikërisht për këtë arsye, EXFIS prej shumë vitesh ka sjellë në treg Arctic Diesel, një karburant i avancuar i dizajnuar për të garantuar funksionim të sigurt të motorëve edhe në temperaturat më të ulëta.

Arctic Diesel është formulë speciale dizeli, e përshtatur për klimë ekstreme deri në –28°C , që parandalon ngrirjen e karburantit dhe bllokimin e filtrave një nga problemet më të shpeshta gjatë dimrit.

Ky produkt siguron ndezje më të lehtë të motorit, djegie stabile dhe mbrojtje afatgjatë të sistemit të furnizimit me karburant.

Ajo që e bën këtë produkt edhe më tërheqës për konsumatorët është fakti se Arctic Diesel ofrohet pa kosto shtesë, duke u integruar si standard dimëror në furnizimin e EXFIS.

Përfitimet kryesore të Arctic Diesel:

  • Rezistencë e garantuar deri në -28°C
  • Ndezje e sigurt e motorit në temperatura ekstreme
  • Parandalim i kristalizimit të parafinës dhe bllokimit të filtrave
  • Ndezje më e sigurt e motorit, edhe në mëngjeset më të ftohta
  • Pa kosto shtesë për konsumatorin

Me përvojë të gjatë në furnizimin me karburant, EXFIS vazhdon të ofrojë zgjidhje të besueshme për drejtuesit e automjeteve dhe bizneset që kërkojnë siguri dhe efikasitet gjatë gjithë sezonit dimëror.

Arctic Diesel është zgjidhja ideale për shoferët që nuk duan kompromis në performancë, pavarësisht kushteve atmosferike.

Sepse dimri nuk fal por karburanti i duhur bën dallimin.

Ashton Kutcher dhe Mila Kunis në tapetin e kuq për herë të parë që nga viti 2023, duke pozuar për fotografët

12 January 2026 at 16:00


Ashton Kutcher dhe Mila Kunis u shfaqën së bashku në ndarjen e çmimeve Golden Globe 2026 në Los Angeles, ku tërhoqën vëmendjen në tapetin e kuq.

Çifti pozoi për fotografët në një humor të relaksuar. Mila Kunis veshi një fustan të zi e të bardhë pa rripa nga Carolina Herrera për këtë rast. Ajo e kompletoi stilin e saj me bizhuteri Boucheron dhe taka Aquazzura. Ashton Kutcher u shfaq me një kostum të zi.

Kjo ishte paraqitja e tyre e parë së bashku në tapetin e kuq që nga viti 2023, kur morën pjesë në edicionin e nëntë vjetor të ndarjes së çmimeve Breakthrough.

Në korrik, Kutcher dhe Kunis festuan 10-vjetorin e martesës me një udhëtim në Venecia. Ata u fotografuan duke hipur në një jaht, të dy të veshur me veshje të përditshme, verore blu dhe të bardha.

Kujtojmë se Kutcher dhe Kunis janë në lidhje që nga viti 2012, pasi u takuan në vitin 1998 në sheshxhirimin e "That '70s Show". Ata u martuan më 4 korrik 2015, në një ceremoni të mbajtur në Secret Garden në Parrish Ranch në Oak Glen, Kaliforni.

Kutcher dhe Kunis kanë dy fëmijë, vajzën Wyatt (11) dhe djalin Dimitri (9), dhe kanë theksuar vazhdimisht se duan të mbrojnë privatësinë e tyre.

Përplasja e injorancës

12 January 2026 at 16:00


Etiketa si “Islami” dhe “Perëndimi” shërbejnë vetëm për të na ngatërruar në një realiteti të çrregullt.

Nga: Edward W. Said / The Nation (22 tetor 2001)
Përkthimi: Agron Shala

Artikulli i Samuel Huntingtonit, Përplasja e qytetërimeve? u shfaq në botimin e verës 1993 të [revistës] Foreign Affairs, ku menjëherë tërhoqi vëmendje dhe reagim befasues. Meqenëse artikulli synonte t’u ofronte amerikanëve një tezë origjinale rreth “një faze të re” në politikën botërore - pas përfundimit të Luftës së Ftohtë - konceptet e argumentit të Huntingtonit dukeshin goxha të mëdha, të guximshme, madje vizionare. Ai kishte ashiqare në shënjestër rivalët nga radhët e vendimmarrësve të politikës, teoricienët si Francis Fukuyama - me idetë e tij për “fundin e historisë” - si dhe legjionet që kishin çmuar fillimin e globalizmit, tribalizmit dhe shpërbërjen e shtetit. Por, ata, sipas tij, kishin kuptuar vetëm disa aspekte të kësaj periudhe të re. Ai ishte gati të shpallte “aspektin vendimtar, madje qendror” të asaj se çfarë “politika globale ka gjasa të jetë në vitet që vijnë”. Pa hezitim, ai shtoi:

Hipoteza ime është se burimi themelor i konfliktit në këtë botë të re nuk do të jetë kryesisht ideologjik apo ekonomik. Ndarjet e mëdha mes njerëzimit dhe burimi dominues i konfliktit do të jenë kulturor. Shtetet kombëtare do të mbeten akterët më të fuqishëm në çështjet botërore, por konfliktet kryesore të politikës globale do të ndodhin midis kombeve dhe grupeve të qytetërimeve të ndryshme. Përplasja e qytetërimeve do të dominojë politikën globale. Vijat ndarëse mes qytetërimeve do të jenë vijat e betejës të së ardhmes.

Lexo po ashtu:
- Samuel P. Huntington: Në Kosovë ka mundur shumë lehtë të ndodhë përplasja e civilizimeve ...
- Edward Said: Zgjidhja (izraelite-palestineze) me një shtet
- Mbi rëndësinë e madhe të “Çështjes së Palestinës” të Edward Saidit
- Ku gabon bota kur merret me "civilizimin"?
- Çfarë është bota myslimane?

Pjesa më e madhe e argumentit, në faqet që pasuan, mbështetej në një ide të paqartë të një gjëje të cilën Huntingtoni e quajti “identitet qytetërimi” dhe “ndërveprimet mes shtatë apo tetë [sic.] qytetërimeve kryesore”, nga të cilat konflikti mes dy prej tyre, Islamit dhe Perëndimit, merr pjesën më të madhe të vëmendjes së tij. Në këtë lloj mendimi luftarak, ai mbështetet shumë te një artikull i vitit 1990 nga orientalisti veteran Bernard Lewis, ngjyrimet ideologjike të të cilit janë të qarta që në titullin e tij: Rrënjët e zemërimit mysliman. Në të dy artikujt, personifikimi i entiteteve të mëdha të quajtura “Perëndim” dhe “Islam” pohohet me papërgjegjshmëri, thuajse çështjet tepër të ndërlikuara - si identiteti dhe kultura - të ekzistonin në një botë si film vizatimor, ku Popaji dhe Blutoja rrahin njëri-tjetrin pa mëshirë, me një boksier gjithmonë e më të virtytshëm që merr epërsi mbi kundërshtarin e tij. Sigurisht që as Huntingtoni dhe as Lewisi nuk kanë shumë kohë për të humbur me dinamikat e brendshme dhe pluralitetin e çdo qytetërimi, apo me faktin se gara më e madhe në shumicën e kulturave moderne ka të bëjë me përkufizimin ose interpretimin e vetë asaj kulture, apo me mundësinë e pakëndshme se një pjesë e madhe e këtij diskutimi përbëhet ashiqare nga demagogjia dhe injoranca në pretendimin për të folur në emër të një feje apo qytetërimi të tërë. Jo, Perëndimi është Perëndim dhe Islami është Islam.

Sfida për politikanët perëndimorë, sipas Huntingtonit, është të sigurohen që Perëndimi të forcohet dhe të përballojë gjithë të tjerët, veçanërisht Islamin. Më shqetësues është supozimi i Huntingtonit se perspektiva e tij - ajo e një vrojtuesi që sheh gjithë botën nga një pozicion jashtë lidhjeve të zakonshme apo lojaliteteve të fshehta - është ajo e duhura, sikur gjithë të tjerët po sorollaten për të gjetur përgjigjet që ai tashmë i kishte gjetur. Në fakt, Huntingtoni është ideolog, dikush që dëshiron t’i shndërrojë “qytetërimet” dhe “identitetet” në atë që nuk janë: entitete të mbyllura, të izoluar nga rrymat dhe kundër-rrymat e panumërta që gjallërojnë historinë njerëzore, dhe që ndër shekuj e kanë bërë të mundur që kjo histori të mos përmbajë vetëm luftëra fetare dhe pushtime perandorake, por edhe shkëmbime, ndërveprime dhe ndarje përvojash. Kjo histori, shumë më pak e dukshme, neglizhohet në nxitimin për të nxjerr në pah luftën qesharake të ngjeshur dhe të kufizuar për të cilën “përplasja e qytetërimeve” pohon se është realitet. Kur botoi librin me të njëjtin titull në vitin 1996, Huntingtoni u përpoq t’i jepte argumentit të tij pak më shumë finesë dhe shumë më tepër shënime në fund të faqes; por, gjithçka që arriti të bënte ishte të ngatërronte vetveten dhe të tregonte se çfarë shkrimtari i ngathët dhe mendimtar pa elegancë ishte ai.

Paradigma bazë e “Perëndimit kundër të tjerëve” (opozicioni i riformuluar i Luftës së Ftohtë) mbeti e paprekur, dhe kjo është ajo që ka vazhduar, shpesh në mënyrë të fshehtë dhe të nënkuptuar në diskutimet që prej ngjarjeve të tmerrshme të 11 Shtatorit [2001]. Sulmi vetëvrasës i planifikuar me kujdes dhe i tmerrshëm, i motivuar në mënyrë patologjike, si dhe masakra në masë e kryer nga një grup i vogël militantësh të çmendur, është kthyer në provë të tezës së Huntingtonit. Në vend që të shihet për çfarë është - kapja e ideve të mëdha (po e përdor këtë fjalë lirshëm) nga një bandë e vogël fanatikësh të marrë për qëllime kriminale - figurat ndërkombëtare, nga ish-kryeministrja pakistaneze Benazir Bhutto deri te kryeministri italian Silvio Berlusconi, kanë folur në mënyrë dogmatike rreth problemeve të Islamit, dhe në rastin e këtij të fundit, kanë përdorur idetë e Huntingtonit për të ligjëruar mbi epërsinë e Perëndimit, se si “ne” kemi Mozartin dhe Michelangelon dhe ata jo. (Berlusconi më pas ka dhënë një falje të vakët për fyerjen ndaj “Islamit.”)

Por, përse të mos shihen, në vend të kësaj paralele për Osama bin Ladenin dhe ndjekësit e tij - megjithëse më pak spektakolare në shkatërrimet e tyre - kultet si Davidianët e Degës [Branch Davidians], ose dishepujt e pastorit Jim Jones në Guajanë, apo E Vërteta Supreme e Aumit [Aum Shinrikyo] e Japonisë? Edhe e përjavshmja, zakonisht serioze britanike, The Economist, në numrin e saj të datës 22-28 shtator, nuk i rezistoi dot tundimit për të bërë përgjithësime të mëdha, duke e lavdëruar Huntingtonin tej mase për vëzhgimet e tij “të rrepta dhe gjithëpërfshirëse, por sidoqoftë të mprehta” për Islamin. “Sot”, thotë revista me një solemnitet të pahijshëm, Huntingtoni shkruan se “rreth një miliard myslimanë të botës janë të bindur për epërsinë e kulturës së tyre dhe të fiksuar pas inferioritetit të fuqisë së tyre”. A bëri ai sondazh me 100 indonezianë, 200 marokenë, 500 egjiptianë dhe 50 boshnjakë? Edhe nëse po, çfarë lloj mostre është kjo?

Të panumërta janë editorialet në çdo gazetë dhe revistë të rëndësishme amerikane dhe evropiane që shtojnë gjëra në këtë fjalor të gjigantizmit dhe apokalipsit - çdo përdorim i të cilit është dukshëm i menduar jo për të ndriçuar, por për të ndezur pasionin e indinjuar të lexuesit si anëtar i “Perëndimit” dhe çfarë duhet të bëjmë. Retorika çërçilliane përdoret në mënyrë të papërshtatshme nga luftëtarët e vetëshpallur në luftën e Perëndimit, dhe veçanërisht të Amerikës, kundër urrejtësve, shkatërruesve, rrënuesve të saj, me vëmendje minimale ndaj historive të ndërlikuara që kundërshtojnë një reduktim të tillë dhe që janë përhapur nga një territor në tjetrin, duke kapërcyer kufijtë që supozohet të na ndajnë të gjithëve në kampe të armatosura.

Ky është problemi me etiketa të pahijshme, si Islami dhe Perëndimi: ato çojnë në rrugë të gabuar dhe e ngatërrojnë mendjen e cila po përpiqet të kuptojë një realitet të çrregullt që nuk mund të kufizohet apo të lidhet aq lehtë. Më kujtohet që ndërpreva një burrë i cili, pas një ligjërate që kisha mbajtur në një universitet në Bregun Perëndimor në vitin 1994, u ngrit nga auditori dhe filloi të sulmonte idetë e mia si “Perëndimore”, në kontrast me ato të rrepta islamike që ai përkrahte. “Pse po vesh kostum dhe kravatë”? - ishte kundërpërgjigja e parë që më erdhi në mendje. “Edhe ato janë perëndimore”. Ai u ul me një buzëqeshje të sikletshme në fytyrë, por unë e kujtova atë episod kur nisën të dalin informacionet për terroristët e 11 Shtatorit: se si ata kishin zotëruar të gjitha detajet teknike të nevojshme për të shkaktuar të keqen e tyre vrastare ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë, Pentagonit dhe aeroplanëve që kishin marrë nën kontroll. Ku e vë njeriu vijën ndarëse mes teknologjisë “perëndimore” dhe, siç deklaroi Berlusconi, paaftësisë së “Islamit” për të qenë pjesë e “modernitetit”?

Sigurisht që kjo nuk mund të bëhet lehtë. Sa të papërshtatshme janë në përgjithësi etiketimet, përgjithësimet dhe pohimet kulturore. Në një nivel të caktuar, për shembull, pasionet primitive dhe njohuria e sofistikuar ndërthuren në mënyra që hedhin poshtë një kufi të fortifikuar jo vetëm mes “Perëndimit” dhe “Islamit”, por edhe mes të kaluarës dhe të tashmes, nesh dhe atyre, për të mos përmendur vetë konceptet e identitetit dhe kombësisë për të cilat ekziston një mosmarrëveshje dhe debat i pafund. Një vendim i njëanshëm për të vizatuar vija mbi rërë, për të ndërmarrë kryqëzata, për të kundërvënë të keqen e tyre me të mirën tonë, për të çrrënjosur terrorizmin dhe, në fjalorin nihilist të Paul Wolfowitzit, për të zhdukur kombet plotësisht, nuk i bën entitetet e supozuara më të lehta për t’u parë; përkundrazi, kjo tregon se sa më e thjeshtë është të bëhen deklarata luftënxitëse me qëllim për të mobilizuar pasionet kolektive sesa të reflektohet, të analizohet, të sqarohet se me çfarë po merremi në realitet - ndërlidhja e panumërt e jetës “tonë” e po ashtu edhe “të tyre”.

Në një seri të jashtëzakonshme prej tre artikujsh të botuar midis janarit dhe marsit 1999 në Dawn, në të përjavshmen më të respektuar të Pakistanit, Eqbal Ahmadi i ndjerë, duke shkruar për një audiencë myslimane, analizoi atë që ai i quajti rrënjët e së djathtës fetare, duke u shprehur shumë ashpër për shtrembërimet e Islamit nga absolutistët dhe tiranët fanatikë, obsesioni i të cilëve - për të rregulluar sjelljen personale - promovon “një rend islamik të reduktuar në një kod penal, të zhveshur nga humanizmi, estetika, kërkimi intelektual dhe përkushtimi shpirtëror”. Dhe, kjo “përfshin një pohim absolut të një aspekti të vetëm, përgjithësisht të shkëputur nga konteksti i fesë dhe një shpërfillje të plotë të një tjetri. Ky fenomen e shtrembëron fenë, e ul vlerën e traditës dhe e shtrembëron procesin politik kudo që shfaqet”. Si një shembull i kohës, i kësaj rrënimi, Ahmadi fillimisht paraqet kuptimin e pasur, të ndërlikuar dhe pluralist të fjalës xhihad, dhe pastaj tregon se në kufizimin e tanishëm të kësaj fjale, në një luftë pa dallim kundër armiqve të supozuar, është e pamundur “të njihet Islami - feja, shoqëria, kultura, historia apo politika - ashtu siç është jetuar dhe përjetuar nga myslimanët ndër shekuj”. Islamistët modernë, përfundon Ahmadi, janë “të interesuar për pushtet, jo për shpirtin; për mobilizimin e njerëzve për qëllime politike, dhe jo për ndarjen dhe lehtësimin e vuajtjeve dhe aspiratave të tyre. Agjenda e tyre politike është shumë e kufizuar në kohë”. Ajo që ka përkeqësuar më tej situatën është se shtrembërimet e ngjashme dhe fanatizmi fetar ndodhin edhe në universet e diskursit, “hebraike” dhe “të krishtera”.

Ishte [Joseph] Conradi, më fuqishëm nga ç’mund ta kishte imagjinuar ndonjë nga lexuesit e tij në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ai që kuptoi se dallimet mes Londrës së qytetëruar dhe “zemrës së errësirës” shemben shpejt në situata ekstreme, dhe se kulmet e qytetërimit evropian mund të bien menjëherë në praktikat më barbare - pa përgatitje apo kalim tranzicioni. Dhe, po, Conradi ishte ai që tek Agjenti sekret [The Secret Agent, 1907] përshkroi afinitetin e terrorizmit për abstraksione si “shkenca e pastër” (dhe për rrjedhojë për “Islamin” ose “Perëndimin”), si edhe degradimin përfundimtar moral të terroristit.

Sepse, ekzistojnë lidhje më të ngushta midis qytetërimeve që në dukje janë në luftë, sesa shumica prej nesh do të donte të besonte; si Freudi ashtu edhe Nietzsche treguan se qarkullimi përtej kufijve të ruajtur me kujdes, madje të kontrolluar, ndodh shpeshherë me lehtësi të frikshme. Por, më pas, idetë e tilla fluide, plot paqartësi dhe skepticizëm ndaj nocioneve te të cilat mbështetemi, mezi na ofrojnë udhëzime të përshtatshme dhe praktike për situata si ajo me të cilën përballemi tani. Prandaj, këtu burojnë urdhrat inkurajues për betejë (një kryqëzatë, e mira kundër së keqes, liria kundër frikës etj.) që nxirren nga pretendimi i Huntingtonit për kundërshtinë midis Islamit dhe Perëndimit, prej të cilit diskursi zyrtar formuloi fjalorin e tij në ditët e para pas sulmeve të 11 Shtatorit. Që atëherë ka pasur një ulje të dukshme të intensitetit në këtë diskurs, por duke gjykuar nga përmasa e qëndrueshme e gjuhës së urrejtjes dhe e veprimeve, plus raportet për përpjekje të zbatimit të ligjit kundrejt arabëve, myslimanëve dhe indianëve në mbarë vendin, paradigma vazhdon të jetë e pranishme.

Një arsye tjetër për vazhdimësinë e saj është prania në rritje e myslimanëve, në të gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Mendoni për popullatat e sotme të Francës, Italisë, Gjermanisë, Spanjës, Britanisë, Amerikës, madje edhe të Suedisë, dhe duhet të pranoni se Islami nuk është më në periferi të Perëndimit, por në qendër të tij. Por, çfarë ka kërcënuese në atë prani? Ngulitur në kulturën kolektive janë kujtimet e pushtimeve të para të mëdha arabo-islame, të cilat nisën në shekullin e shtatë dhe të cilat, siç shkruan historiani i shquar belg Henri Pirenne në librin e tij të shquar Muhamedi dhe Karli i Madh [Mohammed and Charlemagne, 1939], shkatërruan njëherë e përgjithmonë unitetin e lashtë të Mesdheut, shuan sintezën kristiano-romake dhe i dhanë jetë një qytetërimi të ri të dominuar nga fuqitë e Veriut (Gjermania dhe Franca karolinge), misioni i të cilave ishte, dukej se po thoshte ai, të rifillonin mbrojtjen e “Perëndimit” kundër armiqve të tij historiko-kulturorë. Mjerisht, ajo që Pirenne la jashtë është se në krijimin e kësaj vije të re mbrojtjeje, Perëndimi u mbështet mbi humanizmin, shkencën, filozofinë, sociologjinë dhe historiografinë e Islamit, i cili tashmë ishte vendosur ndërmjet botës së Karlit të Madh dhe antikitetit klasik. Islami ka qenë pjesë që në fillim, siç u detyrua të pranojë edhe Dante, armiku i madh i Muhamedit, kur e vendosi Profetin në vetë zemrën e Ferrit të tij.

Pastaj është trashëgimia e vazhdueshme e vetë monoteizmit, e feve abrahamike - siç i quajti me vend Louis Massignon. Duke filluar me judaizmin dhe krishterimin, secila është pasuese e përndjekur nga ajo që parapriu; për myslimanët, Islami e përmbush dhe e përmbyll linjën e profecisë. Ende nuk ekziston një histori e denjë apo ajo që demistifikon garën shumëpalëshe midis këtyre tre ndjekësve - asnjëri prej tyre, në asnjë mënyrë, një kamp i vetëm dhe i bashkuar - më xhelozë prej të gjithë zotave, ndonëse konvergjenca e përgjakshme moderne në Palestinë ofron një shembull të pasur laik të asaj që ka qenë kaq tragjikisht e papajtueshme rreth tyre. Pra, nuk është për t’u habitur që myslimanët dhe të krishterët flasin lehtësisht për kryqëzata dhe xhihade, të dyja duke e anashkaluar praninë judaike me një moskokëçarje shpeshherë madhështore. Një axhendë e tillë, thotë Eqbal Ahmad, është “shumë ngushëllues për burrat dhe gratë që kanë mbetur në mes të kalimit, ndërmjet ujërave të thellë të traditës dhe modernitetit”.

Por, të gjithë ne po notojmë në ato ujëra, perëndimorë dhe myslimanë dhe të tjerë njësoj. Dhe, meqenëse këto ujëra janë pjesë e oqeanit të historisë, është e kotë përpjekja për t’i lëruar apo ndarë me barriera. Këto janë kohë të tensionuara, por është më mirë të mendojmë në aspekte të komuniteteve me pushtet dhe pa pushtet, të politikës laike të arsyes dhe injorancës, dhe të parimeve universale të drejtësisë dhe padrejtësisë, sesa të humbim në kërkim të abstraksioneve të mëdha që mund të japin një kënaqësi të çastit, por pak vetëdije apo analizë informuese. Teza e “Përplasjes së qytetërimeve” është një mashtrim si “Lufta e botëve”, më e përshtatshme për të forcuar krenarinë personale mbrojtëse sesa për të kuptuar në mënyrë kritike ndërvarësinë e çuditshme të kohës sonë. /Telegrafi/

E hënë 12 janar, mot i ftohtë me diell

12 January 2026 at 07:30

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ndikohet ditën e hënë nga kushte atmosferike të qëndrueshme dhe të ftohta.

Moti pritet me kthjellime dhe vranësira kalimtare. Në orët e mëngjesit prezencë e mjegullës së dendur kryesisht përgjatë zonave luginore dhe prezencë të ngricave të forta përgjatë akseve rrugore.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare deri në 7m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet deri 18 m/s, shoqëruar me dallgëzim 3-5 ballë.

Temperaturat parashikohen:

Shkodër -2/6 Diell pak re

Kukës -10/-2 Diell pak re

Lezhë -3/5 Diell pak re

Dibër -11/2 Diell pak re

Durrës 0/9 Diell

Tiranë -2/9 Diell

Elbasan -5/8 Diell pak re

Berat -3/9 Diell

Vlorë 0/9 Diell

Korçë -11/3 Diell pak re

Gjirokastër -5/7 Diell

Sarandë 0/9 Diell

The post E hënë 12 janar, mot i ftohtë me diell appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌