Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 1 January 2026Main stream

Rikthime, muzikë, skandale dhe tragjedi që tronditën publikun - ngjarjet që shënuan vitin 2025 në showbizin shqiptar

1 January 2026 at 20:09


Viti 2025 ka qenë një vit i paharrueshëm për shoubizin shqiptar, një vit që përmbledh ngjarje të forta, emocione të jashtëzakonshme dhe momente që tronditën publikun.

Estrada shqiptare nuk ka qenë kurrë kaq dinamike, duke lëvizur nga periudha të qeta dhe përgatitjeje deri te skandale të papritura, performanca të mëdha dhe tragjedi personale që kanë lënë gjurmë të thella.

Artistët shqiptarë treguan edhe një herë se jeta e tyre profesionale dhe private janë të ndërlidhura dhe shpesh gjenerojnë lajm, debat dhe polemikë.

Muajt e parë të vitit kaluan në heshtje, duke shërbyer si periudhë përgatitore për sezonin e verës, ku shumica e artistëve punuan pas skenave në projekte të reja muzikore dhe koncerte.

Por qetësia u ndërpre në prill me rikthimin e Feronit Shabanit - Feros në muzikë, pas dy vitesh pauzë për t’u përkushtuar fesë islame.

- YouTube www.youtube.com

Kënga e tij e rikthimit “A pe sheh” solli një mesazh të qartë dhe të diskutueshëm për ish-partneren Arbenita Ismajli, me të cilën ka një vajzë.

Pas kësaj, u hapën përplasje të shumta në rrjetet sociale, ku Fero akuzoi se ish-partnerja i kishte mohuar të drejtën për të parë vajzën, duke theksuar se ndodhej jashtë Kosovës.

Fero dhe Arbenita IsmajliFoto: Norik Uka

Situata u komplikua më tej me lëshimin e një urdhërarresti ndërkombëtar për Arbenitën, për moszbatimin e vendimeve të gjykatës për takimet e vajzës me babanë biologjik.

Kjo ngjarje ngjalli diskutime të gjera në media dhe rrjete sociale, duke u kthyer në një nga temat më të ndjekura të vitit.

Në maj, vëmendja u përqendrua tek Eurovisioni, një nga ngjarjet më të mëdha të muzikës.

Shqipëria u përfaqësua nga grupi Shkodra Elektronike, Beatriçen dhe Kolën me “Zjerrm”, të cilët arritën të renditeshin në vendin e tetë, duke sjellë krenari dhe emocione për publikun shqiptar.

- YouTube www.youtube.com

Fitues i edicionit u shpall Austria, e cila do të organizojë Eurovisionin e vitit 2026.

Vera e 2025 ishte e ngarkuar me projekte muzikore, koncerte dhe festivale.

Gushti shënoi kulmin e sezonit me “Sunny Hill Festival”, ngjarja më e madhe kulturore në vend, ku performuan artistët më të njohur shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Dua Lipa solli një performancë të zjarrtë për fansat në Kosovë, ndërsa Shawn Mendes u prezantua për herë të parë në skenën vendore, duke krijuar atmosferë euforike dhe duke mbledhur mijëra spektatorë.

Festivali u kthye në një pikë qendrore të verës dhe një dëshmi të fuqisë së tregut shqiptar.

Megjithatë, vera nuk solli vetëm kënaqësi dhe muzikë.

Një tragjedi e madhe preku publikun shqiptar: vëllai i Gjestit humbi jetën në një aksident me motoçikletë.

Gjesti me të vëllanë tashmë të ndjerë

Humbja e një djali të ri, vetëm 15-vjeç, ishte një goditje e rëndë për artistin dhe familjen e tij.

Në skenën e polemikave, Mozzik u përfshi në një debat të madh për orën e tij luksoze Richard Mill, të cilën pretendoi se e bleu vetë për ditëlindje.

Ora u bllokua nga Dogana e Kosovës dhe rezultoi se ishte false, duke nxitur spekulime për detyrimet e reperit ndaj ATK-së, të cilat arrinin në rreth 500 mijë euro - gjegjësisht para dy viteve.

Mozzik bëri një reagim duke treguar se e gjitha ishte një lloj inskenimi, e madje duke hedhur akuza për Lëvizjen Vetëvendosje, për shkak të preferencave të tij në politikë.

MozzikFoto: Instagram

Në aspektin e performancave muzikore, Alban Skënderaj vazhdoi të dëshmojë profesionalizmin e tij duke mbajtur katër netë koncert me projektin “Motiv”, gjersa mblodhi rreth 20 mijë spektatorë në Prishtinë.

Dafina Zeqiri gjithashtu përmbylli vitin me dy netë koncert “Supernova”, më 25 dhe 26 dhjetor.

Viti 2025 shënoi edhe humbje të rëndësishme në skenën kulturore shqiptare.

Aktori i madh Enver Petrovci, këngëtari Shpat Kasapi dhe Shemsi Krasniqi – Shemi, u ndanë nga jeta, duke lënë pas veprimtari që kanë lënë gjurmë të thella në artin dhe kulturën shqiptare.

Humbjet e tyre tronditën publikun dhe mediat, duke rikujtuar rëndësinë e trashëgimisë artistike që ata lënë pas.

Enver PetrovciFoto: Avni Selmani

Si përfundim, viti i kaluar në shoubizin shqiptar ka qenë një kombinim i pasionit, skandaleve, rikthimeve dhe tragjedive personale.

Nga qetësia e muajve të parë, te polemikat, performancat madhështore, lidhjet e përfolura dhe humbjet që lënë një boshllëk të madh, estrada shqiptare tregoi një vit të jashtëzakonshëm, të mbushur me ngjarje që do të mbeten në kujtesën e publikut për shumë kohë. /Telegrafi/

Shemsi Krasniqi - ShemiFoto: Facebook

Before yesterdayMain stream

Alis fiton Festivalin e 64-të, do përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision

By: Elva
21 December 2025 at 08:14

Alis është shpallur fitues i Festivalit të 64-të të Këngës në RTSH, me këngën “Nan”. Në vendin e dytë u rendit Inis Neziri me këngën “Ta Kam Fal”, ndërsa çmimin e tretë e fitoi Sheila me “Zemra e Tokës”. Pas përmbylljes së festivalit, Alis do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2026, që do […]

The post Alis fiton Festivalin e 64-të, do përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision appeared first on BoldNews.al.

Alis fiton Fest 64, “Nân” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026

21 December 2025 at 01:43


Këngëtari Shkodran, Alis, me këngën “Nân” ka rrëmbyer çmimin e parë të Festivalit të 64 të Këngës në RTSH, duke fituar si zemrat e publikut, ashtu edhe vlerësimin maksimal të jurisë.

Ky sukses i siguron artistit të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision 2026, që do të zhvillohet në Vjenë, Austri.

Performanca e Alis u veçua për potencën vokale të jashtëzakonshme, interpretimin unik dhe një mesazh universal për dashurinë, duke e bërë këngën “Nân” të prekë publikun në mënyrë të veçantë.

Fest 64/YouTube

Emocioni dhe energjia që Alis transmetoi në skenë krijuan një moment të paharrueshëm të natës finale, i shoqëruar me ovacione dhe duartrokitje të gjata.

Çmimi i parë iu dorëzua Alis nga kryetari i jurisë së Festivalit të Këngës, Ramë Lahaj. Në total, Alis grumbulloi 152 pikë nga kombinimi i votave të publikut dhe pikëve të jurisë.

Fest 64/YouTube

Në vendin e dytë u rendit Inis Neziri me 102 pikë, ndërsa Sheila u pozicionua në vendin e tretë me 93 pikë.

Sipas vlerësimit të jurisë profesionale, Alis u rendit në vendin e parë, Sheila në vendin e dytë dhe Vedat Ademi në vendin e tretë. Formula e votimit për përcaktimin e fituesit ishte 50% pikët e jurisë dhe 50% votat e publikut, duke garantuar një rezultat të balancuar dhe transparent.

Momenti i marrjes së kupës ishte tejet emocional për Alis. Artisti u përlot në skenë, puthi trofeun dhe, si dhuratë për publikun, interpretoi edhe një herë këngën fituese, duke ngrohur zemrat e të pranishmëve dhe duke mbyllur festivalin me një atmosferë të fuqishme emocionale.

Fitorja e Alis konfirmon edhe një herë rëndësinë e Festivalit të Këngës si gara më prestigjioze muzikore në vend, që promovon talentet shqiptare dhe i jep mundësinë një artisti të shndërrohet në ambasador të muzikës shqiptare në skenën më të madhe evropiane. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

- YouTube www.youtube.com




Shqipëria sot zgjedh përfaqësuesin për Eurovision

20 December 2025 at 13:18


Sot mbahet nata finale e Festivalit të Këngës në RTSH, ku 23 këngëtarë finalistë do të ngjiten në skenë për të garuar për vendin e parë.

Emocionet janë në kulm, ndërsa publiku dhe juria do të vendosin se kush do të triumfojë në këtë edicion të festivalit.

Televotimi për 23 këngët është hapur që nga mbrëmë dhe mund të votoni nga Shqipëria dhe Kosova.

Fituesi i natës së sotme do të ketë nderin të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision, i cili do të mbahet në maj të vitit 2026 në Vjenë. Ky fakt e bën edhe më të rëndësishme dhe të ndjekur finalen, pasi çdo performancë mund të jetë vendimtare.

Këtë vit, festivali është karakterizuar nga një larmi e madhe këngësh dhe stilesh muzikore, me artistë që kanë spikatur dhe kanë mahnitur publikun me performanca të fuqishme dhe interpretim skenik.

Kujtojmë se në maj të vitit 2025, Shqipëria u përfaqësua në Eurovision nga grupi Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, e cila u prit shumë mirë nga publiku. Kënga arriti të fitojë popullaritet të gjerë mes fansave të Eurovisionit falë stilit të saj unik dhe identitetit të veçantë muzikor.

Shërbimi publik austriak njoftoi se flamujt palestinezë dhe të vendeve të tjera do të lejohen në Eurovision

17 December 2025 at 09:42


Transmetuesi pritës i “Eurovision Song Contest” të ardhshëm, televizioni publik austriak ORF, nuk do të ndalojë valëvitjen e flamurit palestinez nga publiku dhe as nuk do të mbulojë me zëra fishkëllimat gjatë performancës së Izraelit, siç ka ndodhur në disa edicione të mëparshme, thanë organizatorët të martën.

Edicioni i 70-të i konkursit, që do të mbahet në muajin maj, do të ketë vetëm 35 këngë pjesëmarrëse, numri më i ulët i pjesëmarrësve që nga viti 2003, pasi pesë transmetues kombëtarë – përfshirë ata të Spanjës, Irlandës dhe Holandës – kanë njoftuar se do ta bojkotojnë festivalin në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit.

Ajo që zakonisht është një festë e diversitetit kombëtar, muzikës pop dhe spektaklit ekstravagant, është përfshirë këtë herë në tensione diplomatike, me vendet bojkotuese që shprehen se do të ishte e papranueshme të merrnin pjesë, duke pasur parasysh numrin e madh të civilëve të vrarë në Gaza si pasojë e kundërpërgjigjes së Izraelit ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.

“Ne do të lejojmë të gjithë flamujt zyrtarë që ekzistojnë në botë, për sa kohë që ata janë në përputhje me ligjin dhe plotësojnë kritere të caktuara – si madhësia dhe rreziqet e sigurisë”, tha producenti ekzekutiv i festivalit, Michael Kroen, gjatë një konference për shtyp të organizuar nga ORF.

“Ne nuk do ta zbukurojmë realitetin dhe as nuk do të shmangim shfaqjen e asaj që po ndodh, sepse detyra jonë është të tregojmë gjërat ashtu siç janë”, shtoi Kroen.

Sot nis Festivali i Këngës në RTSH

17 December 2025 at 08:48


Festivali i Këngës në RTSH nis zyrtarisht sonte dhe do të vijojë përgjatë netëve të ardhshme, më 18, 19 dhe 20 dhjetor.

Edicioni i sivjetmë sjell në skenë një numër të madh artistësh të talentuar, të cilët do të prezantojnë krijimet e tyre më të reja, duke e kthyer festivalin në një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore të vitit në vend.

I karakterizuar nga një larmi e madhe stilesh dhe zhanresh muzikore, ky edicion i premton publikut një eksperiencë të pasur dhe dinamike artistike.


Gjatë dy netëve të para, publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë për herë të parë ‘live’ këngët garuese, të cilat do të vlerësohen përgjatë festivalit.

Nata finale është e rezervuar për shpalljen e fituesit i cili do të përfaqësojë më pas Shqipërinë në Eurovision.

Një nga të ftuarit specialë të këtij edicioni të Festivalit të Këngës në RTHS është Tommy Cash, përfaqësuesi i Estonisë në edicionin e sivjetmë të Eurovisionit.

Ai u shndërrua në një sensacion të vërtetë të festivalit në muajin maj me këngën “Espresso Macchiato”, duke fituar zemrat e publikut. Artisti pritet të ngjitet në skenë në natën finale të 20 dhjetorit.

Krijuesi i hitit “Espresso Macchiato”, Tommy Cash do të performojë në Festivalin e Këngës në RTSH

16 December 2025 at 19:04


Festivali i Këngës në RTSH nis zyrtarisht më 17 dhjetor, një garë që do të zhvillohet për katër net radhazi, deri më 20 dhjetor, kur do të shpallet edhe fituesi, i cili njëkohësisht do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision.

Stafi organizator ka zbuluar tashmë disa detaje nga edicioni i këtij viti, duke konfirmuar edhe një të ftuar special.

Është bërë e ditur se në skenën e Festivalit të Këngës do të ngjitet Tommy Cash, përfaqësuesi i Estonisë në edicionin e sivjetmë të Eurovisionit.


Krijuesi i hitit “Espresso Macchiato” do të performojë në natën finale të festivalit, ku pritet të sjellë një spektakël të veçantë.

Tommy Cash ka qenë një nga sensacionet e këtij edicioni të Eurovisionit, me këngën e tij që u kthye në hit ndërkombëtar.

“Tashmë është zyrtare. Tommy Cash është i ftuari special në natën finale të Fest 64 në RTSH në 20 Dhjetor 2025. Këngëtari i hitit ‘Espresso Macchiato’ pritet të ndezë skenën mbrëmjene finales së Festivalit të Këngës”, ka shkruar stafi i FiK.

35 vende do të marrin pjesë në Eurovision 2026

15 December 2025 at 12:30


Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) ka shpallur zyrtarisht 35 vendet që do të marrin pjesë në Festivalin Evropian të Këngës Eurovision 2026, i cili do të mbahet në Vjenë të Austrisë.

Transmetuesit anëtarë të EBU-së kishin afat deri në mesin e dhjetorit 2025 për të paraqitur aplikimet e tyre zyrtare për të garuar në Eurovision 2026.

Pesë nga këto vende janë parakualifikuar direkt për Finalen e Madhe, e cila do të zhvillohet më 16 maj 2026: Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar – si dhe vendi pritës, Austria.

Vendet e tjera do të garojnë në njërën nga dy gjysmëfinalet, të planifikuara më 12 dhe 14 maj 2026. Shorti i gjysmëfinales pritet të hidhet më 12 janar 2026.

Ky shpallje nga EBU vjen si një moment i rëndësishëm për fansat e Eurovision-it, të cilët tashmë mund të fillojnë të ndjekin garën dhe të përgatiten për spektaklin e madh në Vjenë. /Telegrafi/


Franca fiton ”Junior Eurovision”, Shqipëria shkëlqen në vendin e 6-të

By: redi
13 December 2025 at 19:29

Franca ka fituar festivalin ”Junior Eurovision 2025”, kurse Shqipëria e përfaqësuar nga Kroni Pula me këngën ”Fruta Perime” doli në vendin e 6-të. Kroni arriti të ngrejë peshë sallën me spektatorë. Energjia e saj vokale dhe skenike u prit me duartrokitje të forta, ndërsa në plate nuk munguan as flamujt kuqezi që valëviteshin në mbështetje të saj. E veshur me plot stil dhe e shoqëruar nga katër…

Source

Fituesi i Eurovisionit të vitit 1994 vendosi gjithashtu ta kthejë çmimin për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit

13 December 2025 at 14:47


Charlie McGettigan, këngëtari irlandez i cili së bashku me Paul Harrington fituan Festivalin e Këngës në Eurovision në vitin 1994, ka njoftuar se do ta kthejë trofeun e tij në shenjë proteste kundër pjesëmarrjes së vazhdueshme të Izraelit në këtë konkurs muzikor.

Me këtë veprim simbolik, ai donte të tregonte mbështetje për fituesin e Eurovisionit të vitit të kaluar, këngëtarin zviceran Nemo, i cili gjithashtu vendosi ta kthente trofeun për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision 2026.

McGettigan tha në një video të postuar në rrjetet sociale se planifikon t’ia dërgojë trofeun e tij Bashkimit Evropian të Transmetimeve (EBU), i cili organizon Konkursin e Këngës në Eurovision. Ai theksoi se Nemo e kontaktoi atë në internet për të shpjeguar vendimin për ta kthyer trofeun për vitin 2024.

“Ata dukeshin të sinqertë dhe shumë inteligjentë, e shprehën mirë pikëpamjen e tyre, dhe kështu në mbështetje të Nemos, dua t’ia kthej trofeun tim EBU-së”, tha ndër të tjera Harrington.

Ai shtoi se, meqenëse fitorja ishte në vitin 1994, aktualisht nuk është në gjendje ta gjejë trofeun origjinal: "Fatkeqësisht, fitorja jonë ndodhi në vitin 1994 dhe nuk mund ta gjej trofeun që fituam atëherë, por nëse e gjej, do ta kthej edhe timin. Faleminderit që më dëgjuat", tha ai.

Vendimi i McGettigan vjen në kontekstin e një polemike më të gjerë rreth përfshirjes së Izraelit në Festivalin e Këngës në Eurovision. Pasi konfirmuan se Izraeli do të vazhdojë të marrë pjesë në konkurs, transmetuesit nga pesë vende: Islanda, Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Spanja - njoftuan tërheqjen e tyre nga konkursi në vitin 2026. /Telegrafi/

A është Portugalia gjithashtu në prag të heqjes dorë nga Eurovisioni? Pjesëmarrësit e konkursit kombëtar njoftuan bojkotin

13 December 2025 at 11:10


Pas lajmit se Islanda i është bashkuar Irlandës, Spanjës, Holandës dhe Sllovenisë në bojkotimin e Festivalit të Këngës Eurovision 2026, 17 artistët portugezë që marrin pjesë në konkursin kombëtar Festival da Cancao kanë njoftuar se do të refuzojnë të përfaqësojnë Portugalinë nëse fitojnë.

Pjesëmarrësit në konkursin e brendshëm për përzgjedhjen e përfaqësuesve publikuan një deklaratë ku protestonin kundër pjesëmarrjes së Izraelit në konkurs.

Nënshkruesit janë Cristina Branco, Bateu Matou, Rita Dias, DjoDje, Beatriz Bronze (Evaya), Francisco Fontes, Goncalo Gomes, Ines Sousa, Jorge Goncalves (e), Marquise, Nunca Mates o Mandarim dhe Pedro Fernandes.

"Me fjalë dhe këngë, ne veprojmë brenda mundësive që na janë dhënë. Ne nuk pranojmë bashkëpunim në shkeljen e të drejtave të njeriut", thanë ata.

— (@)

Përveç kësaj, ata shtuan: “Pavarësisht ndalimit të pjesëmarrjes së Rusisë në Eurovision 2022 për arsye politike (pushtimi i Ukrainës), u habitëm kur pamë se i njëjti qëndrim nuk u mor ndaj Izraelit, i cili, sipas Kombeve të Bashkuara, po kryen gjenocid kundër palestinezëve në Gaza”.

Transmetuesi portugez RTP lëshoi një deklaratë në përgjigje të fjalëve të artistit, duke deklaruar: "Pavarësisht vendimit të artistëve që nënshkruan deklaratën, RTP do të organizojë Festivalin da Cancao dhe konfirmon pjesëmarrjen e saj në Festivalin e Këngës Eurovision 2026".

Salvador Sobral, i vetmi artist portugez që fitoi Festivalin e Këngës në Eurovision, kritikoi qëndrimin e RTP-së në një video në rrjetet sociale, duke e akuzuar transmetuesin portugez për "frikacakëri politike".

Protesta arriti edhe tek publiku portugez, i cili filloi një peticion duke kërkuar tërheqjen e menjëhershme të Portugalisë nga Festivali i Këngës në Eurovision.

Dokumenti, i cili është nënshkruar tashmë nga më shumë se 22,000 njerëz, thekson se vota e RTP-së në favor të pjesëmarrjes së Izraelit "e vendos Portugalinë në anën e gabuar të historisë". /Telegrafi/

Ish-përfaqësuesja e Izraelit në Eurovision: Ne jemi një vend që përpiqet për paqe, nuk kemi sulmuar askënd

12 December 2025 at 17:12


Këngëtarja izraelite Noa Kirel, e cila përfaqësoi këtë vend në Festivalin e Këngës në Eurovision në vitin 2023, deklaroi se vendimi i vendeve që vendosën të tërhiqen nga ky konkurs është antisemit. Ai gjithashtu pretendon se politika nuk ka vend atje.

Gjatë një paraqitjeje si e ftuar në emisionin e BBC-së “This World Tonight”, ajo foli për vendet që vendosën të tërhiqeshin nga Festivali i Këngës në Eurovision për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit - Irlanda, Spanja, Holanda, Islanda dhe Sllovenia.

"Sinqerisht, jam thellësisht e zhgënjyer nga ky vendim sepse Eurosong është një urë, jo një mur. Thelbi i këtij konkursi është lidhja e zemrave përmes muzikës. Fatkeqësisht, disa vende lejojnë që politika ta prishë argëtimin. Izraeli nuk theu asnjë rregull të Eurosong. Izraeli është një vend që përpiqet për paqe. Më 7 tetor, Izraeli nuk sulmoi askënd", tha ajo.

Ajo pohon më tej se Izraeli është sulmuar brutalisht në një mënyrë të paparë më parë dhe se familje të tëra janë vrarë, përfshirë fëmijë.

"Civilët u rrëmbyen. Izraeli e mbrojti veten siç do të bënte çdo komb tjetër. Ato vende zgjedhin të shohin të kundërtën, të injorojnë realitetin dhe të bojkotojnë Izraelin. Ky është antisemitizëm. Pra, mendoj se bojkotimi i Izraelit në frontet politike nuk është vetëm një fyerje për ne, por edhe një fyerje për gjithçka që përfaqëson Festivali i Këngës në Eurovision", tha ajo.

Ajo tha gjithashtu se mendon që politika nuk ka vend në këtë konkurs muzikor.

"Izraeli e mbrojti veten siç do të bënte çdo komb tjetër. Konkursi i Këngës në Eurovision ka të bëjë me lidhjen e njerëzve, pavarësisht nga politika, feja apo kufijtë. Ky është thelbi i Konkursit të Këngës në Eurovision. Pra, mendoj se duhet ta lëmë mënjanë këtë dhe të përqendrohemi te muzika", deklaroi ajo. /Telegrafi/

Nemo kthen trofeun e Eurovisionit në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit në 2026

11 December 2025 at 19:21


Fituesi i mëparshëm i Eurovisionit, Nemo, ka njoftuar se do të kthejë trofeun e tij te EBU (European Broadcasting Union) në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit në Konkursin e Këngës 2026.

Në një postim në Instagram, Nemo tha se edhe pse është “shumë mirënjohës për komunitetin rreth këtij konkursi”, ata “nuk ndihen më se ky trofe u takon”.

Artisti argumentoi se pjesëmarrja e Izraelit, gjatë periudhës që Komisioni Ndërkombëtar i Pavarur i OKB-së ka përshkruar si gjenocid, është në kundërshtim me vlerat e Eurovisionit si uniteti, përfshirja dhe dinjiteti për të gjithë.

Lajmi vjen pas takimit të Asamblesë së Përgjithshme të EBU-së, ku shumica e anëtarëve konsideruan të panevojshme votimin mbi pjesëmarrjen e Izraelit.

Pas kësaj, Irlanda, Spanja, Sllovenia, Holanda dhe Islanda njoftuan se nuk do të marrin pjesë ose nuk do të transmetojnë Konkursin.

Nemo shtoi se Eurovisioni shpesh është përdorur për “të zbutur imazhin e një shteti të akuzuar për veprime të rënda”, duke ruajtur pretendimin e neutralitetit politik.

Ata vendosën të kthejnë trofeun në zyrat e EBU-së në Gjenevë “me një mesazh të qartë: Jetoni sipas vlerave që deklaroni”.

Nemo - The Code (LIVE) | Switzerland🇨🇭| Grand Final | Eurovision 2024 www.youtube.com

Disa konkurrentë të tjerë të Eurovision 2024 shprehën mbështetjen e tyre për Nemo në rrjetet sociale, duke e përshkruar si të qëndrojë “në anën e duhur të historisë”. /Telegrafi/

Islanda bëhet shteti i pestë që heq dorë nga Eurovisioni, shkaku i pjesëmarrjes së Izraelit

10 December 2025 at 18:45


Islanda ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Eurovision Song Contest 2026, duke iu bashkuar vendimit të Spanjës, Irlandës, Sllovenisë dhe Holandës për bojkot, pas konfirmimit zyrtar të pjesëmarrjes së Izraelit javën e kaluar.

Në një deklaratë të publikuar pas mbledhjes së bordit të radiotelevizionit publik islandez RÚV, u tha: “Shërbimi Kombëtar i Transmetimit në Islandë (RÚV) ka vendosur të mos marrë pjesë në Eurovision, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Vjenë, Austri”.

Sipas RÚV, përfshirja e transmetuesit izraelit KAN ka shkaktuar “ndarje të theksuar mes anëtarëve të Unionit Europian të Transmetuesve (EBU) dhe opinionit të gjerë publik”.

Ky vendim erdhi vetëm pak orë para afatit të fundit për konfirmimin e pjesëmarrjes në edicionin jubilar të 70-vjetorit të festivalit, që do të mbahet në maj. Islanda ishte vendi i fundit që kishte mbetur pa njoftuar një vendim përfundimtar, shkruan BBC.

VÆB - RÓA (LIVE) | Iceland 🇮🇸 | Grand Final | Eurovision 2025 youtu.be

Prania e Izraelit në Eurovision ka shkaktuar tensione të vazhdueshme, sidomos për shkak të luftës në Gaza dhe shqetësimeve për procesin e votimit dhe fushatat publike. Madje janë bërë akuza se qeveria izraelite ka tentuar të ndikojë votën publike në edicionin e këtij viti.

Javën e kaluar, gjatë një samiti të EBU-së, u miratuan masa të reja për të mbrojtur integritetin e procesit të votimit. Pas këtyre ndryshimeve, shumica e vendeve konfirmuan pjesëmarrjen në 'Eurovision 2026'.

Megjithatë, RÚV tha se, pavarësisht se masat adresonin një pjesë të shqetësimeve, ende kishte “dyshime nëse rregullimet e reja do të ishin tërësisht të kënaqshme”.

Transmetuesi publik shtoi se ka ngritur vazhdimisht shqetësimet e tij, duke theksuar se shumë grupe të rëndësishme islandeze — përfshirë organizatat e artistëve dhe vetë publiku - ishin kundër pjesëmarrjes.

“RÚV gjithashtu kishte kërkuar nga EBU-ja që të përjashtonte KAN nga konkursi, duke u bazuar në raste të ngjashme nga e kaluara”.

Sipas deklaratës, kjo situatë komplekse ka dëmtuar tashmë reputacionin e Eurovision-it dhe të vetë EBU-së, duke e bërë të domosdoshme gjetjen e një zgjidhjeje për të gjitha palët.

Në Islandë, opinioni publik dhe reagimet pas samitit të EBU-së krijuan bindjen se pjesëmarrja e vendit në Eurovision 2026 “nuk do të sillte as gëzim e as paqe”.

“Prandaj, RÚV ka vendosur t’i njoftojë sot EBU-në se nuk do të marrë pjesë në Eurovision vitin e ardhshëm”.

Bordi i RÚV kishte miratuar më herët një rekomandim për t’i kërkuar EBU-së që të përjashtonte Izraelin nga konkursi.

Raportet thonë se Islanda ka qenë mes shtatë vendeve që kërkuan votim të veçantë për pjesëmarrjen e Izraelit në takimin e përgjithshëm të EBU-së javën e kaluar. Kjo kërkesë u refuzua, dhe pjesëmarrja e Izraelit u lidh me një votim mbi rregullat e reja të votimit dhe fushatës.

Sipas një transkripti të mbledhjes së së enjtes të siguruar nga KAN, drejtori ekzekutiv i transmetuesit, Golan Yochpaz, kritikoi vendet që po përpiqeshin ta përjashtonin Izraelin: “Përpjekja për të larguar KAN nga konkursi mund të kuptohet vetëm si një bojkot kulturor. Ndoshta sot fillon me Izraelin, por askush nuk e di se ku mund të përfundojë apo kë të tjerë mund të dëmtojë”.

“A është ky vërtet imazhi me të cilin duam të mbahet mend konkursi në 70-vjetorin e tij?”.

Izraeli merr pjesë në Eurovision që nga viti 1973, pasi KAN - transmetuesi i tij publik - është anëtar i EBU-së që organizon konkursin. Ai ka fituar katër herë, së fundmi në vitin 2018, dhe mori vendin e dytë në edicionin e vitit 2025.

Ndërkohë Islanda, megjithëse shumë herë favoriti i publikut, nuk ka arritur të fitojë asnjëherë, por ka zënë vendin e dytë më 1999 dhe 2009. /Telegrafi/

Austria do të vazhdojë me organizimin e Eurovisionit pavarësisht ndikimit financiar të bojkotit nga disa shtete për shkak të Izraelit

6 December 2025 at 15:45


Austria ka njoftuar se do të vazhdojë me planet për të organizuar Eurovision 2026 në Vjenë, pavarësisht se buxheti i saj u godit nga bojkoti i katër vendeve lidhur me pjesëmarrjen e Izraelit dhe luftën në Gaza.

Në një mbledhje në Gjenevë, transmetuesit kombëtarë që bëjnë pjesë në European Broadcasting Union (EBU) dhanë dritën jeshile për pjesëmarrjen e Izraelit në edicionin e 70-të të festivalit, shkruan The Guardian.

Si reagim, transmetuesit nga Spanja, Irlanda, Sllovenia dhe Holanda njoftuan se do të bojkotojnë ngjarjen më të madhe të muzikës live në botë, duke refuzuar të transmetojnë gjysmëfinalet dhe finalen, si dhe duke mos dërguar pjesëmarrësit e tyre.

Edhe pse Spanja është një nga vendet e “pesë më të mëdhatë” në Eurovision për nga kontributet financiare, transmetuesi austriak ORF tha se ngjarja do të zhvillohet në maj të 2026-s, sipas planit.

“Shfaqja nuk do të vuajë aspak”, tha drejtori i përgjithshëm i ORF, Roland Weissmann, duke shtuar se vendet që janë tërhequr ende kanë kohë deri në mes-dhjetor për të ndryshuar mendim.

“Sigurisht, do të ishte një barrë financiare nëse disa vende nuk do të merrnin pjesë, por ne këtë e kishim parashikuar… dhe kjo kryesisht ndikon tek EBU, i cili e ka marrë parasysh këtë në buxhetin e tij”, shtoi Weissmann. “Nuk shoh që kjo të jetë problem në Vjenë, dhe edhe nëse ka pak më pak pjesëmarrës, do të mund ta kompensojmë”.

Austria, së bashku me Gjermaninë, ishin ndër vendet që dolën më fuqishëm në favor të pjesëmarrjes së Izraelit para asamblesë së përgjithshme të EBU-së të enjten.

Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, e përshëndeti vendimin, duke thënë se Izraeli “tradicionalisht” i përket konkursit të këngës. Politikania kristiandemokrate u bëri thirrje vendeve që bojkotojnë të rishikojnë qëndrimin e tyre, duke shtuar: “Kultura gjithmonë duhet të ketë diçka që lidh njerëzit… ky forum nuk duhet përdorur për të zgjidhur dallimet politike”.

Foto: Lisa O’Carroll

Asambleja e përgjithshme e EBU-së të enjten nuk mbajti votim mbi pjesëmarrjen e Izraelit. Transmetuesit votuan vetëm për të miratuar rregulla të reja që synojnë të ndalojnë qeveritë dhe palët e treta të promovojnë në mënyrë të tepruar këngët për të ndikuar votuesit.

“Një shumicë e madhe e anëtarëve ra dakord se nuk kishte nevojë për një votim tjetër mbi pjesëmarrjen dhe se Eurovision 2026 duhet të vazhdojë sipas planit, me masat shtesë të sigurisë të vendosura”, tha EBU në një deklaratë.

Kjo “shumicë e madhe” përbëhej nga 65% e delegatëve që votuan në favor të ndryshimeve, pa diskutime të mëtejshme mbi pjesëmarrjen e Izraelit, ndërsa 23% votuan kundër dhe 10% abstenuan.

Disa vende shprehën shqetësime për metodat e promovimit të tepruar pasi Izraeli renditej i pari nga vota e publikut në konkursin e majit, por renditej i dyti kur u morën parasysh votat e jurisë. Në Irlandë, transmetuesi RTÉ kërkoi një auditim të votës publike.

RTÉ tha të enjten se do të ishte “e papranueshme” të merrnin pjesë në Eurovision 2026 nëse Izraeli do të marrë pjesë, për shkak të “humbjeve të tmerrshme të jetëve dhe krizës humanitare” në Gaza.

Transmetuesi slloven RTV SLO njoftoi se do ta bojkotojë konkursin “në emër të 20,000 fëmijëve që vdiqën në Gaza”.

Nga vendet që bojkotuan, Holanda kishte marrë pjesë në edicionin e parë të Eurovisionit në 1956. Irlanda ndan rekordin me Suedinë për më shumë fitore në Eurovision, me shtatë të tilla.

Kryeministri i Irlandës, Micheál Martin, tha të premten se e kupton plotësisht tërheqjen e vendit të tij nga konkursi, duke e përshkruar si një “akt solidariteti”.

Derisa tani, nuk ka vende të tjera që i janë bashkuar bojkotit. Transmetuesi kombëtar i Suedisë, SVT, konfirmoi të premten se do të marrë pjesë në Eurovision 2026, pas spekulimeve se mund të tërhiqej për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.

“Rregullat e reja parashohin, ndër të tjera, që qeveritë të heqin dorë nga fushatat, të ketë më pak vota për çdo pjesëmarrës dhe që juritë profesionale të rikthehen në gjysmëfinale”, tha SVT.

“Siguria teknike gjithashtu po forcohet për të shmangur manipulimin e votave. Kjo – së bashku me rezultatin e votimit – është në përputhje me kushtet që SVT ka vendosur për pjesëmarrjen në Eurovision: mbështetje të gjerë evropiane dhe një konkurrencë sa më apolitike”.

Vendet nordike, përfshirë Finlandën, Norvegjinë, Danimarkën dhe Islandën, shprehën mbështetje për ndryshimet në votimin publik të EBU-së të enjten.

Transmetuesi islandez RUV, i cili më parë kishte rezervuar të drejtën për të mos marrë pjesë, tha se do ta shqyrtojë pozicionin e tij në një mbledhje bordi të mërkurën.

BBC ka kohë deri në pranverë për të vendosur nëse do të marrë pjesë, pasi po organizon procesin e përzgjedhjes përmes industrisë së muzikës dhe jo një votimi publik. /Telegrafi/

Si e siguroi Izraeli Eurovisionin përmes presionit diplomatik, presidenti i vendit ftoi personalisht partnerët ndërkombëtarë

5 December 2025 at 18:48


Pas Asamblesë së Përgjithshme të djeshme të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU), qëndrimi i Izraelit në Festivalin e Këngës në Eurovision u sigurua dhe, siç raporton Ynetnews.com, ata arritën ta arrinin këtë me një fushatë diplomatike disamujore që u zhvillua kryesisht prapa skenave.

Të enjten, zyrtarët izraelitë e përshkruan qëndrimin në garë si një "përpjekje të koordinuar që përfshin drejtuesit e transmetuesit publik KAN, këshilltarët qeveritarë dhe rezidencën presidenciale për të parandaluar përjashtimin e vendit".

Drejtori Ekzekutiv i KAN, Golan Yokhpaz, dhe avokatja Ayala Mizrahi, të cilët u morën me strategjinë ligjore gjatë dy viteve të përpjekjeve në rritje për bojkot, udhëhoqën delegacionin izraelit në Gjenevë. Të dy lobuan drejtpërdrejt tek anëtarët e EBU-së, me qëllim parandalimin e kalimit të asamblesë në një votim detyrues që Izraeli kishte frikë se mund ta humbiste.

Presidenti Isaac Herzog formoi një ekip të posaçëm në rezidencën e tij për të koordinuar kontaktet diplomatike, i bindur se dëbimi mund të shndërrohej në një goditje më të gjerë politike për Izraelin në Evropë.

Zyrtarët izraelitë thanë se Herzog personalisht u kërkoi partnerëve ndërkombëtarë të kundërshtonin votimin për largimin e Izraelit dhe në vend të kësaj të mbështesnin reformat që do të ulnin tensionet brenda EBU-së.

Këto reforma — duke përfshirë kufizimet në përfshirjen e qeverisë në promovimin e këngëve dhe përshtatjet në rregullat e votimit të jurisë dhe audiencës — u interpretuan gjerësisht si kompromise që synonin adresimin e ankesave të kritikëve të Izraelit, duke e mbajtur Izraelin në konkurs.

Një zyrtar i lartë i EBU-së, duke folur në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të komentonte publikisht, i tha Ynetnews.com se organizata tani përballet me një "sfidë të madhe", duke treguar një valë anulimesh (Spanja, Irlanda, Holanda dhe Sllovenia) dhe dëmtim të reputacionit.

Ju kujtojmë se në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) në Gjenevë, nuk u votua konkretisht për pjesëmarrjen e Izraelit, por u votua nëse Asambleja e Përgjithshme duhet ta mbajë Festivalin e Këngës në Eurovision sipas skenarit të planifikuar aktualisht. U votua një skenar sipas të cilit edhe Izraeli do të jetë pjesë e konkursit. /Telegrafi/

Sllovenia dhe Irlanda tërhiqen nga Eurovision për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit: Kjo është e papranueshme

5 December 2025 at 07:20


Sllovenia dhe Irlanda iu bashkuan vendeve që nuk do të marrin pjesë në 'Eurovision 2026', pasi Izraelit iu lejua të merrte pjesë në këtë konkurs muzikor.

RTV Slovenia, së bashku me Spanjën, Malin e Zi, Holandën, Turqinë, Algjerinë dhe Islandën, kërkuan një votim të fshehtë në lidhje me pjesëmarrjen e Izraelit në Festivalin e Këngës në Eurovision, por ai nuk u mbajt.

Të pranishmit në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) në Gjenevë nuk votuan konkretisht për pjesëmarrjen e Izraelit, por votuan nëse Asambleja e Përgjithshme duhet ta mbajë Konkursin e Këngës në Eurovision sipas skenarit të planifikuar aktualisht. U votua një skenar sipas të cilit edhe Izraeli do të jetë pjesë e konkursit.

Përfaqësuesja e Izraelit në 'Eurovision 2025' (Foto: Fabrice COFFRINI / AFP)

"Sllovenia definitivisht nuk do të marrë pjesë. As spanjollët, holandezët dhe irlandezët definitivisht nuk do të marrin pjesë", tha për TV Slovenia, Natalija Gorščak, presidente e Bordit të Drejtorëve të RTV Slovenia.

Transmetuesi irlandez RTÉ ka lëshuar një deklaratë ku njofton vendimin e tij për të bojkotuar Eurovisionin e vitit të ardhshëm, duke deklaruar se nuk do ta transmetojë konkursin.

"RTÉ beson se përfshirja e Irlandës mbetet e papranueshme duke pasur parasysh humbjen e tmerrshme të jetëve në Gaza dhe krizën humanitare që vazhdon të kërcënojë jetën e kaq shumë civilëve. RTÉ mbetet thellësisht e shqetësuar për vrasjen e synuar të gazetarëve në Gaza gjatë konfliktit dhe mohimin e vazhdueshëm të aksesit të gazetarëve ndërkombëtarë në territor", tha ai.

Holanda dhe Spanja më parë deklaruan se gjithashtu nuk do të garonin në Festivalin e Këngës në Eurovision për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit. /Telegrafi/

MUZIKË – Disa vende bojkotojnë Eurovisionin, pasi Izraeli lejohet të konkurrojë

4 December 2025 at 19:06

MADRID, 4 dhjetor /ATSH/ – Irlanda, Spanja dhe Holanda do të bojkotojnë Festivalin e Këngës në Eurovision të vitit të ardhshëm, pasi Izraelit iu lejua të garonte.

Ato ishin midis një numri vendesh që kishin kërkuar përjashtimin e Izraelit për shkak të humbjeve humanitare të luftës në Gaza dhe akuzave për praktika të padrejta votimi.

Pavarësisht thirrjeve për një votim mbi pjesëmarrjen e Izraelit, anëtarët në vend të kësaj miratuan një sërë rregullash të reja që synonin të mbronin integritetin e konkursit.

Në një deklaratë, transmetuesi holandez ”Avrotros” tha se “pjesëmarrja në rrethanat aktuale është e papajtueshme me vlerat publike që janë thelbësore për ne”.

Transmetuesi spanjoll RTVE shtoi se ”bordi i drejtorëve të RTVE ra dakord shtatorin e kaluar që Spanja do të tërhiqej nga Eurovision nëse Izraeli do të ishte pjesë e tij”.

“Kjo tërheqje do të thotë gjithashtu se RTVE nuk do të transmetojë finalen e Eurovision 2026… as gjysmëfinalet paraprake”, shtoi ai.

RTVE kishte udhëhequr thirrjet për shkarkimin e Izraelit dhe kërkoi një votim të fshehtë mbi pjesëmarrjen e tij.

Sipas transmetuesit, organizatorët “e mohuan kërkesën e RTVE-së”, duke shtuar se “ky vendim rrit mosbesimin e RTVE-së ndaj organizimit të festivalit dhe konfirmon presionin politik që e rrethon atë”.

Transmetues të tjerë, përfshirë Slloveninë dhe Islandën, pritet gjithashtu të tërhiqen nga konkursi./ a.jor.

The post MUZIKË – Disa vende bojkotojnë Eurovisionin, pasi Izraeli lejohet të konkurrojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Izraeli mbetet në Eurovision, në shenjë revolte tërhiqen 3 shtete

By: redi
4 December 2025 at 19:04

Irlanda, Spanja dhe Holanda do të bojkotojnë Festivalin e ardhshëm Evropian të Këngës, pasi organizatorët vendosën t’i lejojnë Izraelit pjesëmarrjen. Këto shtete ishin në mesin e vendeve që kërkuan përjashtimin e Izraelit, për shkak të kostos humanitare të luftës në Gaza dhe akuzave për parregullsi në procesin e votimit. Pavarësisht thirrjeve për të mbajtur votim mbi pjesëmarrjen e Izraelit…

Source

EBU merr vendimin: Izraeli mbetet në Eurovision - në shenjë revolte tërhiqen Spanja, Holanda dhe Irlanda

4 December 2025 at 18:33


Irlanda, Spanja dhe Holanda kanë njoftuar se do të bojkotojnë Festivalin e ardhshëm Evropian të Këngës, pasi organizatorët vendosën t’i lejojnë Izraelit pjesëmarrjen.

Këto shtete ishin në mesin e vendeve që kërkuan përjashtimin e Izraelit, për shkak të kostos humanitare të luftës në Gaza dhe akuzave për parregullsi në procesin e votimit, shkruan BBC.

Pavarësisht thirrjeve për të mbajtur votim mbi pjesëmarrjen e Izraelit, anëtarët në vend të kësaj miratuan një set të ri rregullash, të cilat synojnë të mbrojnë integritetin e festivalit.

Në një deklaratë, transmetuesi holandez Avrotros theksoi se “pjesëmarrja në rrethana të tilla është e papajtueshme me vlerat publike që ne i konsiderojmë thelbësore”.

Ndërkohë, televizioni spanjoll RTVE u shpreh: “Bordi drejtues i RTVE ka vendosur që nga shtatori i kaluar se Spanja do të tërhiqet nga Eurovisioni nëse Izraeli është pjesë e tij”.

“Kjo tërheqje nënkupton gjithashtu se RTVE nuk do të transmetojë finalen e Eurovisionit 2026… as gjysmëfinalet paraprake”.

RTVE ishte një nga iniciatorët e kërkesës për përjashtimin e Izraelit dhe kërkoi që votimi të mbahej me votim të fshehtë.

Sipas transmetuesit, organizatorët “refuzuan kërkesën e RTVE-së”, duke shtuar: “Kjo vendimmarrje e rrit mosbesimin e RTVE ndaj organizimit të festivalit dhe konfirmon presionet politike që e rrethojnë atë”.

Edhe transmetues të tjerë, përfshirë Slloveninë dhe Islandën, pritet të tërhiqen nga gara. /Telegrafi/

❌
❌