FOKUS – Organizata mbrojtëse amerikano-kanadeze dërgon avionë në Groenlandë
UASHINGTON, 20 janar /ATSH-DPA/- Avionë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja pritet të mbërrijnë së shpejti në një bazë ajrore në Groenlandë, tha dje Komanda e Mbrojtjes Hapësinore të Amerikës së Veriut (NORAD).
“Ky hap është rënë dakord me Danimarkën dhe qeveria e Groenlandës është informuar”, shkroi NORAD në X.
NORAD, një organizatë e përbashkët mbrojtëse amerikano-kanadeze përgjegjëse për monitorimin e ajrit dhe hapësirës, tha se avionët do të mbërrinin së shpejti në bazën ajrore ushtarake amerikane, Bazën Hapësinore “Pituffik”, në Groenlandë.
Avionët do të mbështesin aktivitetet afatgjata të NORAD-it, duke u bazuar në bashkëpunimin e qëndrueshëm të mbrojtjes midis Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, si dhe Mbretërisë së Danimarkës.
Njoftime të tilla nuk do të ishin të rëndësishme në rrethana normale.
Megjithatë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump pretendon të marrë kontrollin e ishullit Arktik të Groenlandës, i cili i përket Danimarkës, duke rritur frikën e një konflikti midis aleatëve dhe shkaktuar pasiguri për pjesën tjetër të NATO-s.
NORAD ka njoftuar se po kryen rregullisht misione për të mbrojtur Amerikën e Veriut. Komandanti i organizatës ka informuar si presidentin e SHBA-së, Donald Trump ashtu edhe kryeministrit kanadez, Mark Carney. //a.i/
The post FOKUS – Organizata mbrojtëse amerikano-kanadeze dërgon avionë në Groenlandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.