Dekriminalizimi i shpifjes, si fund i dialogut media-qeveri
Kuvendi i dha fund dialogut me median, kur me forcën e kartonit shumica socialiste rrëzoi, javën e shkuar, në komisionin e ligjeve një paketë ndryshimesh ligjore, përmes ndërhyrjeve në Kodin Penal, të propozuar nga gazetarët dhe grupet e shoqërisë civile, që synonin “dekriminalizimin e shpifjes”. Përgjatë ditës së sotme Kuvendi do të miratojë në seancë plenare variantin e qeverisë, i cili u kritikua menjëherë nga komuniteti mediatik, si dekriminalizim jo i plotë. Kështu, si pasojë e nenit 120 të Kodit Penal, lënë në fuqi, aktivistët, apo të tjerë pjesëmarrës në debatin publik që ngrenë çështje të interesit të përgjithshëm, apo që kritikojnë politikat e qeverisë dhe punën e autoriteteve publike, mund të vijojnë të përballen më padi penale për shpifje.
Disa organizata të shoqërisë civile janë deklaruar për dekriminalizimin e plotë të shpifjes, duke argumentuar se dënimi penal nuk përbën një masë proporcionale për mbrojtjen e reputacionit dhe se kriminalizimi i shpifjes frenon lirinë e shprehjes dhe cenon sigurinë e individëve në një shoqëri demokratike.
Por kjo përplasje ndikon edhe mbi një tjetër rrethanë: për natyrën e vërtetë të dialogut mes qeverisë dhe gazetarëve që operon, strukturalisht, qysh prej janarit të shkuar me mbështetjen e ndërkombëtarëve e që udhëhiqet nga Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, në koordinim me Departamentin e Gazetarisë dhe të Komunikimit
Ajo tregoi se “aleanca” mes autoritetit dhe medias me qëllim rregullimin e kësaj të fundit nuk është e natyrshme dhe se një utopi e tillë nuk duhet ushqyer.
Kështu, rreth një vit më parë, qeveria dhe komuniteti i gazetarëve u përfshinë në takime të organizuara për të përmirësuar legjislacionin për lirinë e shprehjes, transparencës dhe pronësisë së medias. Takimet fituan reputacionin e një platforme të besueshme diskutimi, rezultati i së cilës, në formën e rekomandimeve të përbashkëta e të konsultuara mes palëve, iu dorëzuan Kuvendit të Shqipërisë nëntorin e shkuar.
Por, çka nisi si bashkëpunim me energji të mirë mbaroi javën e shkuar në sallën e Komisionit të Ligjeve dhe Administratës Publike, kur drafti i parë i ndryshimeve, që kishte të bënte me dekriminalizimin e shpifjes – një aspiratë e kahershme për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të gazetarëve – u rrëzua e bashkë me të edhe fryma e bashkëpunimit.
Në vijim, qeveria ofroi një draft dekriminalizimi të sajën (i pakonsultuar), i cili pritet të kalojë gjatë ditës së sotme në seancë plenare, në një sallë që kontrollohet nga një shumicë e cilësuar socialiste. Një shumicë, e cila, qoftë edhe vetëm për shkak se në prag të integrimit mbi të janë drejtuar të gjithë prozhektorët e Brukselit, duke u treguar e butë, do të mundej të pranohej më lehtësisht. Por, më shumë se demonstrim force, kemi të bëjmë me “thyerje” pa asnjë argument, pa asnjë justifikim. Është e kuptueshme se në mungesë të tyre ajo që mund të ofrojë Kuvendi mbetet “dhuna” e kartonit.
Po çfarë do të ndodhë me rekomandimet e tjera në vijim? Shpresat për marrjen në konsideratë janë të pakta. Për momentin situata është paralizuese dhe fryma e dialogut ka rënë. Duket se “Platforma” nuk u kujdes më për to, pas dorëzimit në Kuvend. Kuvendi caktoi ekspertë, të cilët do të merrnin përsipër përshtatjen e rekomandimeve, por mori të njëjtët që kishin kontribuar edhe në Platformë, duke i vënë nën varësinë e Kuvendit, çka krijoi mbivendosje.
Mbivendosja u zgjerua me përfshirjen e disa organizatave të tjera për vlerësimin e rekomandimeve, duke evidentuar një ndarje në komunitetin e gazetarëve. Do të ishte më e dobishme që në këtë fazë ekspertiza t’i shërbente përmirësimit të teknikës legjislative e jo mbishkrimit të rekomandimeve. Nga ana tjetër nuk është e qartë se kush i cakton prioritetet dhe afatet për përmbushjen e rekomandimeve dhe në këtë pikë roli i “Platformës” është i zbehtë. Në muajt e ardhshëm pritet trajtimi i padive SLAPP (Strategic lawsuit against public-participation), hartimi i një ligji të posaçëm për shpifjen dhe fyerjen, nën procedura civile dhe ndryshimi i ligjit për “mediat audiovizive”. Por rekomandimet shkojnë përtej.
Prej tre muajsh, ato qëndrojnë mbi tryezën e komisionit të të drejtave të njeriut në Kuvendin Shqipërisë, nën kujdesin dhe përgjegjësinë e deputeteve bashkë-drejtuese të tij: Jorida Tabaku (PD) dhe Iris Luarasi (PS). Por pritshmëritë për një mbështetje të suksesshme të rekomandimeve ranë javën e shkuar, me rrëzimin e propozimeve për dekriminalizimin e shpifjes. Znj Tabaku i prezantoi si nismë personale (të konsultuara edhe me grupet e interesit, por pa përmendur punën dhe kontributin e Fakultetit), ndërsa znj. Luarasi abstenoi miratimin e propozimeve në komision.
Akoma më befasues është fakti se edhe mendimi i ekspertëve të kontraktuar nuk u mor parasysh gjatë diskutimeve në Komision. Paketa për dekriminalizimin e shpifjes iu propozua Kuvendit nga znj. Tabaku në 12 nëntor, kur rekomandimet sapo ishin depozituar. Por ndryshimet e propozuara nuk ndryshuan as në fund, ndonëse përgjatë dy muajve në vazhdim, organizatat dhe ekspertët ofruan sugjerime dhe mendime të ndryshme, Nisur nga ky fakt, mund të ngrihet një pyetje: kujt i takojnë propozimet e 12 nëntorit, të njëjtat që iu prezantuan Komisionit javën e shkuar?
Ndonëse kjo dilemë reflekton paqëndrueshmërinë e Platformës, çka na ndihmon për të kuptuar se çfarë duhet ndrequr në të ardhmen, një gjë mbetet serioze: ndërhyrja e qeverisë, përmes një drafti alternativ ndryshimesh. A rrezikojnë rekomandimet e tjera të pësojnë njëjtin fat?
Në fillim të procesit, Gonzato dhe Rama garantuan se nuk do të kishte përplasje, por dialog. Duket, se të paktën njëri nga të dy ka ndryshuar mendje. Nëse kjo është vërtet arsyeja, kujt i shërben sot platforma e dialogut? Duke qenë e shpërfillur nga qeveria, e përdorur nga Kuvendi, me fare pak mundësi për të ndryshuar klimën e nxehtë mediatike, qoftë edhe pas një pune një-vjeçare diskutimi mes palëve, a nuk do të ishte më e moralshme që platforma të mbetej jashtë këtij operacioni që fuqizon vetëm pushtetin?
Në fund të fundit, pse duhet të jemi ne ata u japim këtë pushtet?
The post Dekriminalizimi i shpifjes, si fund i dialogut media-qeveri appeared first on Citizens.al.










