Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Adem Morina dhe Sencar Karamuço marrin drejtimin e dy drejtorive në Prizren



Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar sot emërimet e dy drejtuesve të rinj në kabinetin komunal.

“Emërova sot Adem Morinën në pozitën e Drejtorit të Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, ndërsa Sencar Karamuçon Drejtor të Kadastrës dhe Gjeodezisë”, tha kryetari Totaj në postimin e tij në Facebook.

Ai gjithashtu bëri me dije se procesi i emërimeve për kompletimin e ekzekutivit do të përmbyllet së shpejti, duke siguruar vazhdimësinë e punës në interes të qytetarëve.

“Cikli i emërimeve për kompletimin e ekzekutivit pritet të përmbyllet së shpejti, në mënyrë që të vazhdohet me angazhim dhe përkushtim në realizimin e punëve të mira për Prizrenin tonë”, shtoi Totaj.

Ky hap vjen si pjesë e përpjekjeve të komunës për të përforcuar strukturat drejtuese dhe për të garantuar realizimin e projekteve zhvillimore në qytet. /Telegrafi/


Arrestimet në BKS, Prokuroria në Prizren në ora 14:00 jep detaje



Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se sot, më 8 janar 2026, Kryeprokurori Petrit Kryeziu, së bashku me përfaqësues të Policisë së Kosovës, do të mbajë një konferencë për media lidhur me aksionin e ndërmarrë ndaj keqpërdorimeve të dyshuara në Byronë Kosovare të Sigurimeve.

Konferenca do të zhvillohet në objektin e Prokurorisë Themelore në Prizren, kati i tretë, Salla e Takimeve, duke filluar nga ora 14:00.

“Qëllimi i konferencës është informimi i publikut për aksionin e ndërmarrë dhe masat që janë duke u marrë në këtë çështje”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë./Telegrafi/

Uji në zonat e Mitrovicës nuk është i pijshëm



KRU “Mitrovica” ka njoftuar qytetarët se impiantet e trajtimit të ujit kanë rifilluar funksionimin pas krijimit të kushteve të nevojshme.

“Pas ndërprerjes së operimit, impiantet e trajtimit të ujit tani janë në funksion, por deri në njoftimin e radhës, rekomandohet që uji të përdoret vetëm për nevoja higjienike dhe sanitare, jo për pije”, thuhet në njoftimin e KRU-së.

Qytetarët apelohet të respektojnë udhëzimet e institucionit për të shmangur çdo rrezik shëndetësor. /Telegrafi/


Komuna e Malishevës thotë se të gjitha rrugët janë pastruar nga bora



Komuna e Malishevës ka bërë të ditur se, përkundër reshjeve të borës gjatë natës së kaluar, të gjitha rrugët në territorin e saj janë të hapura dhe të qasshme për qarkullim, përfshirë edhe zonat malore.

Sipas njoftimit zyrtar, kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve janë angazhuar intensivisht në largimin e borës dhe hedhjen e kripës, për të siguruar qarkullim të lirë dhe të sigurt për qytetarët.

Kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati, ka vizituar disa fshatra në zonën e maleve të Berishës për të monitoruar punimet. Ai ka deklaruar:

“Komuna ka angazhuar kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve, të cilat po kryejnë punën e tyre me përkushtim. Sot kam përcjellë nga afër punimet në zonën e maleve të Berishës, për t’u siguruar që qytetarët të kenë qarkullim të sigurt dhe të pandërprerë”, ka deklaruar Kastrati.

Komuna u bën thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të pajisen me pajisje dimërore dhe të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes, për shkak të mundësisë së ngricave në rrugë. /Telegrafi/

Agjencia e Menaxhimit Emergjent jep detaje për situatën nga vërshimet në Kosovë



Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se situata e vërshimeve në Kosovë ka shënuar përmirësim pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës.

Sipas të dhënave zyrtare të marra nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe njësitë operative në terren, niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka filluar të bie dhe nuk paraqitet rrezik i menjëhershëm për vërshime të reja.

“Situata në shumicën e komunave është e menaxhueshme. Reshjet e borës dhe ngricat kanë shkaktuar vetëm vështirësi të lokalizuara në qarkullim rrugor”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.

Gjendja sipas rajoneve:

  • Prishtinë & rrethinë: Vërshime të lokalizuara në nënkalime dhe bllokime të disa rrugëve dytësore; situata mbetet nën kontroll.
  • Prizren: Intervenime minimale gjatë natës, kryesisht të natyrës teknike.
  • Mitrovicë: Situatë kryesisht e qetë; disa familje në Mitrovicën e Jugut janë evakuuar përkohësisht si masë sigurie.
  • Pejë: Dy intervenime të raportuara në Istog, përfshirë evakuimin e një familjeje; komunat e tjera me gjendje stabile.
  • Gjakovë & Gjilan: Gjendje e qetë dhe nën kontroll; niveli i ujit në lumenj ka filluar të bjerë.

Agjencia thekson se njësitë profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit janë të mobilizuar në të gjithë vendin dhe se sistemi i komunikimit emergjent 112 po monitoron situatën 24/7.

“Reshjet e borës dhe ngricat mund të shkaktojnë vështirësi në disa rrugë, disa prej të cilave mbeten të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut. Apelojmë te qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes”, thuhet më tej.

Po ashtu, Agjencia ka bashkëpunuar me KEK-un dhe KOSTT-in, duke ofruar pompa thithëse me kapacitet të lartë për largimin e ujit nga objektet e prekura.

“Institucionet përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë dhe do të ndërhyjnë sipas nevojës”, shtohet në njoftim. /Telegrafi/


Latifi nënshkruan vendimin për rritjen graduale të subvencionit për lindjet në Rahovec, deri në 750 euro



Komuna e Rahovecit ka njoftuar rritjen e shumës së subvencionimit për çdo lindje të realizuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, “Dr. Fahredin Hoti”.

Sot (08/01/2026), kryetari i komunës, Smajl Latifi, nënshkroi vendimet e para për subvencionimin e dy lindjeve.

“Nga janari i këtij viti, çdo lindje e realizuar në repartin e maternitetit të QKMF-së ‘Dr. Fahredin Hoti’ do të mbështetet me 600 euro, nga 500 euro sa ishte më parë”, bëri të ditur Komuna përmes një postimi në Facebook.

Latifi gjithashtu bëri të ditur se subvencionimi do të rritet gradualisht deri në përfundim të mandatit.

“Në përputhje me zotimin e dhënë, subvencionimi për lindjet do të arrijë në 750 euro”, thuhet më tej.

Ky vendim vjen si pjesë e angazhimit të Komunës për të mbështetur familjet dhe për të inkurajuar rritjen e numrit të lindjeve në komunë. /Telegrafi/


Dëme nga vërshimet në Drenas, Komuna ndërmerr veprime për normalizimin e situatës



Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të hënës dhe të martës kanë shkaktuar vërshime në komunën e Drenasit, duke dëmtuar prona private, biznese dhe prona publike.

Komuna e Drenasit bën të ditur se Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencat, së bashku me institucionet tjera komunale, kanë qenë vazhdimisht në terren për të lehtësuar situatën dhe për të reduktuar dëmet.

“Vërshimet kanë përfshirë hapësira të tëra në komunën tonë. Në veçanti, është vështirësuar qarkullimi i qytetarëve dhe janë dëmtuar rëndë ‘Lokalet e reja’ te Stacioni i Autobusëve. Intervenimet kanë përfshirë largimin e ujit nga gypat e kanalizimit dhe pengesat që kanë krijuar bllokime", bëri të ditur Komuna përmes një postimi në Facebook.

Sipas njoftimit, niveli i ujit në disa zona ka qenë më i lartë se sa është regjistruar më parë, ndërsa mbingarkimi i gypave të ujërave atmosferikë ka paraqitur shqetësim shtesë.

“Kyçjet e ujërave atmosferikë në gypat e kanalizimit të ekonomive familjare dhe objekteve kolektive do të trajtohen me prioritet”, theksohet në njoftim.

Komuna gjithashtu njofton se së shpejti do të emërohet Komisioni për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë për të arritur përfundime meritore.

“Me prioritet do të ndërmarrim të gjitha masat për zvogëlimin e rrezikut nga vërshimet dhe për parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/


Komuna e Kamenicës njofton për gjendjen e rrugëve



Komuna e Kamenicës ka bërë të ditur se aktualisht të gjitha rrugët në territorin e saj janë të hapura dhe të qasshme për qarkullim.

Sipas Drejtorisë për Shërbime Publike, Ambient dhe Inspektorat, ekipet janë në terren me kapacitete të plota, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të parandaluar bllokimin e rrugëve dhe për të siguruar qarkullim të sigurt.

“Jemi në terren me gjithë kapacitetin tonë dhe po monitorojmë rrugët për çdo situatë që mund të rrezikojë qarkullimin”, thanë nga Drejtoria për Shërbime Publike.

Komuna i bën apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes, për shkak të rrezikut nga ngricat.

“Ju rekomandojmë të përshtatni shpejtësinë dhe sjelljen në rrugë sipas kushteve atmosferike dhe të jeni të kujdesshëm në çdo situatë”, shtuan nga Komuna e Kamenicës. /Telegrafi/


Pas reshjeve të borës, Kryetari i Shtimes: Qytetarët të adaptojnë lëvizjen ndaj kushteve atmosferike



Pas reshjeve të borës që përfshinë komunën gjatë natës, kompania e mirëmbajtjes së rrugëve ka nisur punën që në orët e hershme të mëngjesit për të siguruar qarkullim të rregullt dhe të sigurt.

Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, njoftoi për qytetarët se mirëmbajtja e rrugëve do të vijojë gjatë gjithë ditës.

“Pas reshjeve të mbrëmshme të borës, kompania e mirëmbajtjes është në terren që nga orët e hershme të mëngjesit dhe ka filluar pastrimin e rrugëve”, tha ai.

Aliu apeloi edhe tek qytetarët për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në rrugë: “Ju bëjmë thirrje për kujdes të shtuar në rrugë, veçanërisht gjatë vozitjes, duke iu përshtatur kushteve atmosferike”.

Qytetarët u rikujtuan se puna e ekipeve të mirëmbajtjes do të vazhdojë me kapacitete të plota, për të minimizuar rreziqet dhe vështirësitë në qarkullim. /Telegrafi/


Komuna e Kaçanikut nis pastrimin e rrugëve, apelon qytetarët për kujdes



Komuna e Kaçanikut ka angazhuar kompaninë e kontraktuar për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve pas reshjeve të borës, ndërsa punimet kanë nisur që në orët e hershme të mëngjesit.

Ekipet e pastrimit janë në terren dhe po punojnë për largimin e borës dhe sigurimin e qarkullimit normal në rrugët kryesore dhe dytësore.

Sipas Drejtorit të Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, Arian Teneqja, “të gjitha rrugët kryesore janë të pastruara dhe të qarkullueshme, ndërsa kërkohet kujdes i shtuar nga drejtuesit e automjeteve për shkak të ngricave eventuale”.

Komuna apelon tek qytetarët që të adaptojnë shpejtësinë dhe të respektojnë udhëzimet për siguri gjatë lëvizjes në rrugë. /Telegrafi/


Vazhdon pastrimi i segmenteve të bllokuar nga reshjet në Suharekë



Punëtorët e NPL Eko-Theranda kanë nisur punën që në orët e hershme të mëngjesit për pastrimin e rrugëve nga gurët dhe dheu i dalë si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit.

Ky angazhim, sipas drejtuesve të kompanisë, ka për qëllim rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e qarkullimit për të gjithë qytetarët.

“Qëllimi ynë është të sigurojmë që rrugët të jenë të kalueshme dhe të sigurt për qytetarët. Punëtorët tanë janë në terren që nga mëngjesi dhe po punojnë intensivisht për pastrimin e çdo segmenti të bllokuar”, thuhet në postimin e NPL Eko-Theranda në Facebook.

Njoftohet se punimet do të vazhdojnë deri në normalizimin e plotë të gjendjes në rrugë dhe qytetarët ftohen të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes deri në përfundimin e operacionit. /Telegrafi/


Drenasi përballet me borë dhe vërshime, komuna jep detaje për gjendjen e rrugëve



Komuna e Drenasit ka njoftuar se pas reshjeve të borës, kompania e kontraktuar për mirëmbajtjen dimërore ka nisur punën që në orët e hershme të mëngjesit për pastrimin e rrugëve dhe sigurimin e qarkullimit normal.

Sipas njoftimit zyrtar, ekipet komunale janë të angazhuara në terren dhe po punojnë intensivisht në pastrimin e borës në rrugët kryesore dhe dytësore të komunës.

“Ekipet janë në terren dhe po punojnë intensivisht për pastrimin e borës dhe sigurimin e qarkullimit normal në rrugët kryesore dhe dytësore”, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.

Nga komuna u është bërë thirrje vozitësve që të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të jenë të pajisur me pajisje dimërore, duke kërkuar kujdes të shtuar gjatë vozitjes.

“Vozitësit obligohen t’i kenë pajisjet dimërore dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes”, thekson njoftimi.

Aktualisht, sipas komunës, shumica e rrugëve janë të kalueshme. Megjithatë, dy segmente rrugore vazhdojnë të mbeten të bllokuara.

“Të gjitha rrugët janë të kalueshme, përveç rrugës për tek Guri i Plakës, në fshatin Çikatovë e Vjetër, si dhe rrugës për tek Kroi i Mbretit, në lagjen Bucolli, të cilat janë të pakalueshme si pasojë e reshjeve të shiut”, njofton Komuna e Drenasit.

Nga komuna kanë falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe kanë bërë të ditur se situata po monitorohet vazhdimisht. /Telegrafi/


Kurti thyen rekord me mbi 400 mijë vota, LVV-ja fiton mbi 51%



Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shënuar një rezultat historik në zgjedhjet parlamentare, duke kaluar shifrën prej 400 mijë votash individuale dhe duke u renditur si kandidati më i votuar ndonjëherë në Kosovë.

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 8 janar 2026, në orën 09:36, kreun i Lëvizjes Vetëvendosje ka grumbulluar gjithsej 401,241 vota, ndërsa partia që drejton ka siguruar shumicën absolute të votave, me 51.01 për qind apo 484,049 vota, pas numërimit të 100 për qind të vendvotimeve, gjithsej 2,836.

Duke shikuar nga historiku i zgjedhjeve në Kosovë, Kurti është bërë kandidati më i votuar, duke kaluar edhe presidentin historik, Ibrahim Rugova, që kishte marrë 359,851 vota në vitin 2001.

Kryetari i LVV-së ishte votuar në masë të madhe edhe më 9 shkurt 2025, ku kishte marrë 337.791 vota, ndërsa Glauk Konjufca ishte votuar në 315.300 sosh. Mbi 300 mijë vota kishte marrë edhe Vjosa Osmani, presidentja aktuale e vendit, saktësisht 300.756 sosh në vitin 2021.

Kur jemi tek partitë, pas Vetëvendosjes, renditja e subjekteve politike vijon me Partinë Demokratike e Kosovës, e cila ka marrë 20.24 për qind të votave, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.26 për qind, si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.50 për qind.

Bazuar në këto rezultate preliminare, shpërndarja e ulëseve në Kuvendin e Kosovës parasheh që LVV-ja të ketë 57 mandate, PDK-ja 22, LDK-ja 15, AAK-ja 6, ndërsa 20 ulëse u takojnë përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë.

Sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje, sipas KQZ-së, në procesin zgjedhor kanë marrë pjesë 45.03 për qind e votuesve, përkatësisht 900,330 qytetarë nga gjithsej 1,999,204 votues sa ishin të regjistruar në Listën Votuese brenda vendit. Ndërkohë, 77,086 qytetarë ishin të regjistruar për votim jashtë Kosovës.

Procesi zgjedhor brenda Kosovës është zhvilluar në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, përfshirë votimin e rregullt dhe atë me kusht. Ndërkaq, votimi jashtë vendit është organizuar më 27 dhjetor në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës, të vendosura në 18 shtete, ku të drejtë vote kanë pasur 19,187 votues të regjistruar. /Telegrafi/

Bora mbulon Prishtinën, situata më e qetë pas vërshimeve



Në orët e para të mëngjesit të ditë së sotme (08/01/2026) ka filluar të bie borë në Kosovë.

Kjo situatë ka ndihmuar shumë komuna në vendin tonë që po përballen me vërshime, pasi niveli i ujit ka filluar të bije.

Me vërshime u përball edhe komuna e Prishtinës, mirëpo që situata është dukshëm më e qetë se në ditët e kaluara.

Fotografi i Telegrafit, Ridvan Slivova ka sjell disa pamje se si duket situata sot në kryeqytet.

Nga pamje shihet se qytetarët janë dukë lëvizur normalisht, por që autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar nga ngricat.

Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se kanë marrë të gjitha masat që të gjitha rrugët dhe trotuaret të jenë të pastruara, për të ofruar më shumë siguri. /Telegrafi/




Komuna e Skenderajt apelon për kujdes të shtuar për shkak të temperaturave nën zero



Komuna e Skenderajt u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, për shkak të parashikimeve meteorologjike që tregojnë rënie të temperaturave nën zero.

“Për shkak të parashikimeve meteorologjike që tregojnë se temperaturat do të zbresin nën zero, Komuna e Skenderajt u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, për aq sa është e mundur, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit”, thuhet në njoftimin e komunës.

Sipas njoftimit, kompanitë e kontraktuara nga Komuna do të jenë në gatishmëri të plotë për mirëmbajtjen e rrugëve, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion.

“Kompanitë e kontraktuara nga Komuna do të jenë në terren dhe në gatishmëri të plotë për mirëmbajtjen e rrugëve, duke bërë kriposjen dhe hedhjen e zhavorrit”, theksohet më tej.

Megjithatë, autoritetet komunale kërkojnë që qytetarët të vazhdojnë të tregojnë kujdes maksimal, veçanërisht në zonat ku ekziston rreziku i rrëshqitjes.

“Përkundër këtyre masave, kërkojmë nga qytetarët që të kenë kujdes maksimal, veçanërisht gjatë vozitjes dhe ecjes në zona me mundësi rrëshqitjeje”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/


Bllokohet qarkullimi te rrethi i Stadiumit të Qytetit në Istog për shkak të grumbullimit të ujit



Komuna e Istogut ka njoftuar se për shkak të reshjeve të shiut dhe grumbullimit të ujit, rrethi te Stadiumi i Qytetit është aktualisht i bllokuar për qarkullim.

“Për shkak të reshjeve të shiut dhe grumbullimit të ujit, rrethi te Stadiumi i Qytetit aktualisht është i bllokuar për qarkullim”, thuhet në njoftimin e komunës.

Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin këtë zonë dhe të shfrytëzojnë rrugë alternative deri në normalizimin e situatës.

“Ju lutemi të shmangni këtë zonë dhe të përdorni rrugë alternative deri në normalizimin e gjendjes”, theksohet më tej në njoftim.

Sipas Komunës së Istogut, ekipet përkatëse janë në terren dhe po e monitorojnë situatën nga afër, me qëllim të rikthimit sa më të shpejtë të qarkullimit normal. /Telegrafi/


Komuna e Obiliqit apelon për kujdes të shtuar për shkak të rrugëve të ngrira dhe të rrëshqitshme



Komuna e Obiliqit ka njoftuar qytetarët se, si pasojë e reshjeve intensive të borës dhe temperaturave të ulëta, të gjitha rrugët në territorin e komunës janë të ngrira dhe të rrëshqitshme, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve.

“Në territorin e komunës sonë, për shkak të reshjeve intensive të borës dhe temperaturave të ulëta, rrugët janë të ngrira dhe të rrëshqitshme, çka po e vështirëson qarkullimin”, thuhet në njoftimin e komunës.

Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, të përdorin pajisje dimërore dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.

Sipas njoftimit, ekipet kompetente komunale janë në terren dhe po punojnë në pastrimin e rrugëve, si dhe në trajtimin e tyre me materiale kundër ngrirjes.

“Ekipet janë në terren dhe po ndërhyjnë vazhdimisht për pastrimin dhe trajtimin e rrugëve”, thuhet më tej.

Komuna ka bërë të ditur se për çdo emergjencë apo problem, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës ose zyrtarët përgjegjës të shërbimeve komunale.

Në njoftim janë publikuar edhe kontaktet direkte të zyrtarëve komunalë: Valon Svirca, Drejtor i DSHPE-së (044 990 239), Sami Haziri, Shef i Emergjencave (044 402 842) dhe Hamit Mjeku, Shef i Shërbimeve Publike (044 770 775). /Telegrafi/


Komuna e Fushë Kosovës shpërndan ndihma për familjet në nevojë në zonat e prekura



Komuna e Fushë Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkësisë Islame të Fushë Kosovës, ka siguruar 65 pako ushqimore, ujë dhe batanije për familjet në nevojë, si pjesë e përpjekjeve për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga situata e krijuar pas reshjeve të shiut.

“Komuna e Fushë Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkësisë Islame të Fushë Kosovës, ka arritur të sigurojë 65 pako ushqimore, ujë dhe batanije për familjet në nevojë”, thuhet në njoftimin e komunës.

Sipas këtij njoftimi, shpërndarja e ndihmave po vazhdon në fshatrat Graboc i Poshtëm, Pomozotin, Henc dhe Miradi e Epërme.

Komuna ka falënderuar të gjithë kontribuuesit për angazhimin humanitar, duke theksuar se “ky është një angazhim i përbashkët humanitar, në shërbim të qytetarëve”.

Po ashtu, autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin zonat e përmbytura dhe të raportojnë çdo situatë që paraqet rrezik për sigurinë publike.

“Institucionet e Komunës së Fushë Kosovës janë në gatishmëri të plotë për monitorim dhe ndërhyrje sipas nevojës”, theksohet më tej, duke shtuar se komuna mbetet e përkushtuar që përmes veprimeve konkrete dhe reagimit të shpejtë institucional të jetë pranë qytetarëve në këtë situatë emergjente. /Telegrafi/


Rruga Graboc i Epërm – Drenas e pakalueshme për shkak të daljes nga shtrati të lumit Drenica



Komuna e Obiliqit ka njoftuar qytetarët për situatën e vështirë në rrugën që lidh fshatin Graboc i Epërm me Drenasin, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Drenica në segmentin rrugor Guri i Plakës.

“Rruga është e pakalueshme dhe qarkullimi është i rrezikuar”, thuhet në njoftimin e komunës, ku qytetarët ftohen të përdorin rrugë alternative deri në përmirësimin e gjendjes.

Institucionet përkatëse janë në terren dhe po e monitorojnë situatën, duke ndërmarrë të gjitha masat për të mbajtur nën kontroll rrezikun për qytetarët.

“Luten qytetarët të shfrytëzojnë rrugë alternative deri në përmirësimin e gjendjes”, theksohet në njoftim.

Komuna falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në këtë situatë. /Telegrafi/


Komuna e Shtimes apelon qytetarët për kujdes për shkak të reshjeve



Komuna e Shtimes ka lëshuar një njoftim për qytetarët lidhur me reshjet e dendura që kanë përfshirë rajonin dhe që pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

“Situata aktualisht në komunën tonë është jashtë rrezikut, por kërkohet vigjilencë e vazhdueshme,” thuhet në njoftimin e komunës.

Autoritetet lokale apelojnë që qytetarët të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, të shmangin zonat e përmbytura dhe të raportojnë çdo situatë që mund të rrezikojë sigurinë publike.

“Apelojmë te qytetarët që gjatë lëvizjes të tregojnë kujdes të shtuar dhe të informojnë autoritetet për çdo rrezik të mundshëm,” theksohet në njoftim.

Për raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë:

  • Zjarrfikësit: 193
  • Policinë: 192
  • Emergjencat: 112
  • Drejtorinë për Shërbime Publike: +383 44 172 839

Institucionet e Komunës së Shtimes janë në gatishmëri të plotë për monitorim dhe ndërhyrje sipas nevojës.

❌