TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë në bashkëpunim me projektin “Matra” të qeverisë së Mbretërisë së Holandës organizuan sot takimin e nivelit të lartë me institucione të drejtësisë për të folur mbi çështje të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së gjyqësorit.
Në fjalën e tij kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi tha se vendi ka ecur përpara në fushën e drejtësisë, por ende nuk ka arritur që të fitojë plotësisht besimin e qytetarëve.
“Mungesa e besimit publik është plaga jonë më e madhe”, u shpreh Sadushi, i cili bëri një analizë të ecurisë së reformës në drejtësi.
“Reforma në drejtësi është në një fazë delikate. Institucionet e drejtësisë janë funksionale, por nëse qytetari shqiptar nuk e ndien se gjykata është vendi ku merr drejtësi, atëherë e gjithë kjo mbetet e paplotë”, tha kreu i GJL-së.
Duke folur për Vetting-un, Sadushi tha se ishte hapi më i guximshëm dhe i domosdoshëm i reformës, por nuk është certifikatë e përjetshme pastërtie.
“Përkundrazi, kalimi i vetting-ut është vetëm pika e nisjes për një standard të ri: gjyqtarët dhe prokurorët duhet të dëshmojnë çdo ditë me vendime, me sjellje dhe me qëndrime se janë të denjë për besimin që u është dhënë”, tha ai.
Sadushi shtoi se nëse sistemi ynë do të mbetet peng i masave emergjente, atëherë nuk do të arrijmë kurrë të ndërtojmë një drejtësi që qëndron mbi themele të forta.
Kreu i Gjykatës së Lartë u shpreh më tej se llogaridhënia është themeli mbi të cilin qëndron gjyqësori.
“Nëse Gjykata e Lartë nuk mban të ndezur dritën e përgjegjshmërisë, nuk mund të presim që i gjithë gjyqësori të ndriçojë”, tha Sadushi.
Sadushi tha se Gjykata e Lartë ka treguar rezultate të prekshme: në uljen e ndjeshme të numrit të çështjeve të prapambetura, në rritjen e cilësisë së vendimmarrjes përmes njësimit dhe konsolidimit të praktikës gjyqësore dhe vendosjes së standardeve më të qarta për sistemin.
Megjithatë ai nënvizoi se duhet të pranohen edhe mangësitë, të cilat lidhen me vonesat në gjykim, apo me vendime jo përherë konsistente.
“Kjo është sfida jonë e vërtetë: që Gjykata e Lartë të mos shihet thjesht si organ që zgjidh çështje, por si një model që orienton gjithë sistemin”, tha Sadushi.
Sadushi u ndal më tej edhe tek institucione të tjera të drejtësisë.
“Sistemi ka nevojë që shkeljet të hetohen, por ILD nuk duhet të mbetet vetëm një organ ndëshkimi. Po aq i rëndësishëm është roli i tij parandalues dhe edukues: të ofrojë udhëzime mbi standardet etike, të nxjerrë mësime nga praktika disiplinore dhe të krijojë hapësira reflektimi për gjyqtarët e rinj”, tha Sadushi.
Kreu i GJL-së shtoi më tej se nuk i shmangen kritikës as Këshilli i Lartë Gjyqësor, as Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
“Me shumicë magjistratë në përbërje, këto organe duhet të marrin më shumë përgjegjësi si qeverisës të vërtetë të drejtësisë. Ritmi i ngadaltë në procedurat e promovimit, ngritjes në detyrë dhe lëvizjes paralele ka sjellë pasiguri dhe pengesa në punën e gjykatave, ndaj kërkohet vendimmarrje më e shpejtë dhe transparente”, tha Sadushi.
Sa i takon SPAK dhe gjykatave të posaçme, Sadushi u shpreh se “ato kanë fituar respektin e publikut dhe qytetarët, i shohin si shpresën konkrete të reformës”.
“Por ky respekt nuk është garanci e përhershme: ai duhet fituar çdo ditë, me hetime të paanshme, gjykime të shpejta dhe vendime të argumentuara. Në këtë sfond, edhe prokuroria e zakonshme nuk mund të mbetet në hije. Ajo është porta e parë e drejtësisë për qytetarët dhe aty matet çdo ditë besimi real tek shteti i së drejtës. Pa një prokurori funksionale dhe të besueshme, as suksesi i SPAK-ut nuk mund të ketë efekt të plotë”, shtoi Sadushi.
Sipas kreut të GJL-së “vetëm nëse Gjykata e Lartë, Këshillat, ILD, SPAK, gjykatat e posaçme dhe Shkolla e Magjistraturës ecin së bashku, reforma bëhet realitet. Nëse secili sheh vetëm detyrën e vet të ngushtë, reforma mbetet letër”.
Ai u shpreh se “kemi përgjegjësinë të ndërtojmë një drejtësi ndryshe, që nuk fshihet, por del hapur, që nuk hesht, por flet me guxim, që nuk pajtohet me presionin, por qëndron mbi të, që nuk është vetëm për juristët, por mbi të gjitha për qytetarët”.
“Vetëm kështu do të fitojmë besimin e publikut dhe respektin e Europës. Prandaj le ta shohim këtë projekt jo vetëm si një nismë teknike, por si një mundësi për të ndërtuar atë që mungon më shumë: një drejtësi që jo vetëm jepet, por që edhe besohet, jo vetëm e pavarur, por edhe e përgjegjshme, jo vetëm formale, por edhe morale, jo konformiste, por e ndershme dhe vizionare. Vetëm kështu sakrificat e reformës do të kthehen në trashëgimi. Një trashëgimi e fortë dhe e qëndrueshme për brezat që vijnë”, tha Sadushi.
/m.q/r.e/
The post Sadushi: KLP dhe KLGJ të marrin më shumë përgjegjësi si qeverisës të vërtetë të drejtësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.