PRISHTINË, 14 janar /ATSh/ Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij pas humbjes në zgjedhjet e Kosovës. Vendimin e ka bërë publik përmes një statusi të gjatë, ku thekson se ky është akti më moral dhe më i përgjegjshëm që një kryetar partie mund të marrë.
Ai bëri të ditur se pas një diskutimi prej 5 orë e gjysmë me anëtarë dhe struktura të partisë, është arritur një qëndrim i përbashkët, që sipas tij pasqyron vullnetin e “shumicës dërmuese”.
Abdixhiku tha se nuk i shmanget përgjegjësisë dhe reflektimit, duke theksuar se vendimi tashmë nuk është më i tij, por i LDK-së.
“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së”, shkruan Abdixhiku.
Ai njoftoi se është thirrur Kuvendi i LDK-së, ku pritet të zhvillohet debat dhe të merren vendime “hapur”, duke shtuar se do ta respektojë çdo vendim që del nga Kuvendi.
“Dua ta them qartë; nuk jam i lidhur pas pozitës. Jam i lidhur pas shtëpisë. Dhe shtëpia ruhet me rregull, me dinjitet dhe me besim në anëtarësinë e saj dhe në secilën kërkesë të tyre. Më shumë se dorëheqja nuk ka çfarë të ofrojë një politikan. Eliminimet politike mund të jenë legjitime si aspiratë, por edhe për to vendos anëtarësia si tërësi, jo ne individualisht”, deklaroi Abdixhiku.
Pak më parë, Hykmete Bajrami deklaron se ka ofruar dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme, raporton KosovaPress.
Ajo po ashtu ka bërë të ditur se dje në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së ka kërkuar dhe dorëheqje të parevokushme dhe për Lumir Abdixhikun nga pozita e kryetarit të LDK-së, siç shprehet ajo “si standard i vendosur vetë nga LDK-ja”.
/KosovaPress/
The post Lumir Abdixhiku jep dorëheqjen si kryetar i LDK-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.