Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Hajdari: Reforma në inspektime mbron biznesin e ndershëm

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Kryeinspektori i përgjithshëm i Inspektoratit Qendror, Shkëlqim Hajdari vlerësoi sot finalizimin e reformës ligjore në fushën e inspektimeve, e cila prek drejtpërdrejt raportin mes shtetit, biznesit dhe ligjit.

Në një postim në rrjetet sociale, Hajdari theksoi se paligjshmëria, korrupsioni, subjektivizmi dhe barra e padrejtë ndaj biznesit te ndershëm, do të marrë fund.

“Rezultatet e kësaj reforme janë 5 masat e para administrative, të shfuqizuara në komisionin e shqyrtimit të ankesave, bazuar në ligj, objektivitet e transparencë, me përfaqësues në komision nga Inspektorati i Përgjithshëm, Inspektorati Qendror që ka vendosur gjobën, Ministria e linjës, si dhe përfaqësues nga shoqatat e biznesit.
Tani e tutje kujdes, sepse paligjshmëria, korrupsioni, subjektivizmi dhe barra e padrejtë ndaj biznesit të ndershëm, do të marrë fund”, tha Hajdari.
Hajdari shprehu mirënjohjen për të gjithë stafin e Inspektoratit të Përgjithshëm dhe institucionet e tjera të përfshira në këtë reformë të cilën e cilësoi “të lodhshme, e të vështirë, por vizionare sipas standardeve më të mira të inspektimeve në BE.
1 nga 5

 

/k.s/a.f/r.e/

The post Hajdari: Reforma në inspektime mbron biznesin e ndershëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pas përmbytjeve, rruga e Gjatit në Gjirokastër e kalueshme

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Reshjet intensive të ditëve të fundit janë ndërprerë, ndërsa puna për sistemimin e dëmeve vijon pa ndërprerje edhe në Gjirokastër, si në të gjithë vendin.

Kryebashkiaku Flamur Golemi deklaron se strukturat bashkiake janë të angazhuara maksimalisht për rikthimin e normalitetit në zonat e prekura.

Sipas tij, ndërhyrjet po kryhen me durim dhe përkushtim, duke përdorur të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike, kudo ku ka nevojë. “Reshjet intensive ikën, por ne s’e ndalim punën për të sistemuar gjithçka të dëmtuar. Me durim e përkushtim e me të gjitha kapacitetet që kemi po ndërhyjmë kudo ku ka nevojë. Lajm i mirë që sot bëmë të kalueshme edhe rrugën e Gjatit”, shprehet Golemi.

Bashkia Gjirokastër garanton se monitorimi i situatës do të jetë i vazhdueshëm dhe çdo problematikë do të trajtohet në kohë.

/e.i/a.f/r.e/

The post Pas përmbytjeve, rruga e Gjatit në Gjirokastër e kalueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Qeveria u mbijeton dy mocioneve mosbesimi

PARIS, 14 janar /ATSH-DPA/ – Qeveria franceze u ka mbijetuar dy mocioneve të mosbesimit.

Vetëm 256 dhe 142 nga 577 anëtarët e Asamblesë Kombëtare franceze i hoqën besimin qeverisë në dy votimet e zhvilluara sot.

Partia nacionaliste e ekstremit të djathtë e Marine Le Pen dhe partia e majtë ”La France Insoumise” (LFI) kishin kërkuar secila mocion mosbesimi kundër qeverisë së kryeministrit Sébastien Lecornu për shkak të pakënaqësisë mbi marrëveshjen tregtare BE-Mercosur.

Në këtë mënyrë, ata gjithashtu kritikuan fort presidentin Emmanuel Macron, megjithëse posti i tij nuk ishte në lojë në këto votime.

Marrëveshja e planifikuar e Bashkimit Evropian për tregti të lirë me katër vende të Amerikës së Jugut, Brazilin, Argjentinën, Uruguajin dhe Paraguajin, ka qenë në negociata që nga viti 1999.

Sipas Komisionit Evropian, zona e re e tregtisë së lirë, me më shumë se 700 milionë banorë, do të ishte më e madhja e këtij lloji në botë.

LFI akuzon Macron dhe qeverinë se nuk kanë kundërshtuar mjaftueshëm marrëveshjen.

Nacionalistët e ekstremit të djathtë ankohen se interesat e Francës nuk janë përfaqësuar në mënyrë të duhur.

Qeveria qendrore gjithashtu i ka mbijetuar dy mocioneve të tjera mosbesimi, të paraqitura nga LFI dhe nacionalistët menjëherë pasi mori detyrën në tetor.

Në atë kohë, megjithatë, vota ishte më e ngushtë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FRANCË – Qeveria u mbijeton dy mocioneve mosbesimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mesfushori Qëndrim Ismajli firmos për KF Teuta

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Qëndrim Ismajli është bashkuar me skuadrën e Teutës. Ky lajm është bërë i ditur nga klubi, nëpërmjet një njoftimi për mediet.

Klubi i Futbollit Teuta njofton se mesfushori Qëndrim Ismajli është zyrtarisht futbollisti më i ri i kësaj skuadre.

Sipas njoftimit, 26-vjeçari i bashkohet Teutës nga KF Tirana, ku me paraqitjet e tij ka spikatur si një nga lojtarët më të dalluar të kampionatit, duke treguar cilësi, eksperiencë dhe stabilitet në repartin e mesfushës.

Ismajli ka luajtur me ekipe si Gjilani, KF Dardana dhe Flamurtari. Eksperienca me Tiranën ka qenë aventura e parë në Shqipëri, ndërsa tani është bashkuar me fanellën e “Teutës”.

/e.i/a.f/r.e/

The post Mesfushori Qëndrim Ismajli firmos për KF Teuta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani pas takimit me Sørensen: Kosova gati për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas takimit me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, duke theksuar se Kosova është e gatshme për kapitullin e radhës në rrugën evropiane, atë të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Në një reagim pas takimit, Osmani u shpreh se dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe në trajtimin e barabartë të palëve, duke nënvizuar njëkohësisht shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjeve nga ana e Serbisë.

“Tani që janë hequr masat e padrejta, do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë evropianë për të ecur me vendosmëri drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, deklaroi Osmani.
Pas takimeve në Prishtinë, Sørensen do të udhëtojë drejt Beogradit për takime me udhëheqës të Serbisë.

Vizita e tij në Kosovë vjen në një kohë kur vendi është në pritje të themelimit të institucioneve të reja shtetërore pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit – të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.

/a.f/r.e/

The post Osmani pas takimit me Sørensen: Kosova gati për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shijak, 43 banesa të dëmtuara nga përmbytjet e reshjeve të fundit

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Bashkia Shijak ka përfunduar procesin e konstatimit dhe vlerësimit të dëmeve në banesat e përmbytura, si pasojë e reshjeve të fundit.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana, përmes një reagimi publik, ku ai thekson se strukturat përkatëse të bashkisë janë angazhuar që në momentet e para, duke iu gjendur pranë banorëve dhe duke shkuar derë më derë për të evidentuar dhe vlerësuar dëmet.

Sipas të dhënave 43 banesa në të gjitha njësitë administrative të bashkisë Shijak janë konstatuar dhe vlerësuar nga grupet e punës.

Ndërkohë që nesër mbledhja e këshillit bashkiak do të transmetohet drejtpërdrejt, për t’i hapur rrugë procedurave të dëmshpërblimit për qytetarët e prekur.

Kryebashkiaku Arbana tha se “të gjithë qytetarët e dëmtuar do të përfitojnë dëmshpërblim sipas vlerësimeve të kryera”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të sigurojnë pronat e tyre ndaj çdo fatkeqësie natyrore, si tërmete, përmbytje apo zjarre, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së pasurive të tyre.

/k.s/a.f/r.e/

The post Shijak, 43 banesa të dëmtuara nga përmbytjet e reshjeve të fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Vrasjet në Iran morën fund

UASHINGTON, 14 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump pohoi sot se “vrasjet kanë mbaruar në Iran”.

Ai theksoi se autoritetet “nuk kishin plane” për të ekzekutuar protestuesit, vërejtje që duket se e shtyjnë mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake amerikane.

“Na është thënë se vrasjet në Iran kanë mbaruar. Ato kanë mbaruar”, tha presidenti amerikan.

”Nuk janë planifikuar ekzekutime”, shtoi ai dhe duke siguruar se kishte informacionin e tij “nga një burim i mirinformuar”./  a.jor.

The post SHBA – Trump: Vrasjet në Iran morën fund appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Fermerët  bien dakord për takim me kryeministrin Mitsotakis pas protestave në rrugë

ATHINË, 14 janar /ATSH-ANA/- Fermerët ranë sot dakord për një takim midis kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe një komiteti të fermerëve, gjatë një takimi të Komitetit Panhelenik të Bllokadave Rrugore që u zhvillua në Palamas, pranë Karditsës në Tesali, Greqi.

Komiteti do të përbëhet nga 25 përfaqësues të shoqatave të fermerëve dhe pesë vëzhgues, ndërsa data e takimit do të shpallet së shpejti.

”Pas takimit, fermerët protestues vendosën të qëndrojnë në bllokadat rrugore duke nisur nga e enjtja në mëngjes”, sipas presidentit të Federatës së Bashkuar të Shoqatave Bujqësore të Karditsës, Kostas Tzellas.

Ndërkohë, në deklaratat e tij, presidenti i Federatës së Larissës, Rizos Maroudas, dënoi veprimet për dëmtimin e traktorëve./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post GREQI – Fermerët  bien dakord për takim me kryeministrin Mitsotakis pas protestave në rrugë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Gjermania pjesë e misionit evropian të zbulimit ushtarak në Groenlandë

BERLIN, 14 janar /ATSH-AFP/ – Berlini njoftoi sot se do të dërgojë trupa për të marrë pjesë në një mision zbulimi në Groenlandë nga e enjtja deri të shtunën, me vende të tjera evropiane për të mbështetur Danimarkën, e cila kërcënohet me një ofensivë nga Shtetet e Bashkuara.

“Objektivi është të shqyrtohen kushtet kornizë për kontribute të mundshme ushtarake për të mbështetur Danimarkën në sigurimin e sigurisë në rajon, për shembull, në fushën e aftësive të mbikëqyrjes detare”, tha Ministria gjermane e Mbrojtjes në një deklaratë.

”Ne do të dërgojmë një ekip zbulimi prej 13 anëtarësh nga Bundeswehr-i, forcat e armatosura gjermane, në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës, të enjten”, shtonte deklarata./ a.jor.

The post BERLIN – Gjermania pjesë e misionit evropian të zbulimit ushtarak në Groenlandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Witkoff dhe Kushner synojnë një takim me Putin për paqen në Ukrainë

UASHINGTON, 14 janar /ATSH/ – I dërguari  i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, po përpiqen të bëjnë një udhëtim në Moskë për të takuar presidentin rus Vladimir Putin, sipas Reuters.

Takimi do të shërbente për të paraqitur propozimet e fundit për paqe për luftën në Ukrainë.

Takimi mund të ndodhë këtë muaj, por planet nuk janë përfundimtare dhe data mund të shtyhet, sidomos për shkak të trazirave në Iran.

Shtëpia e Bardhë ka thënë për aktualisht nuk ka ndonjë takim zyrtar të caktuar në agjendë.

Sipas raportit, zyrtarët amerikanë do t’ia paraqesin presidentit Putinit draftin e fundit të propozimeve për paqe, i cili përfshin edhe garanci sigurie nga SHBA-ja  dhe Evropa për çdo marrëveshje të mundshme.

Bisedimet pritet të prekin edhe rindërtimin e Ukrainës pas luftës.

Në përgjithësi, bisedimet ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por informacioni i disponueshëm tregon një përpjekje të re diplomatike për të avancuar një marrëveshje paqeje midis SHBA‑së dhe Rusisë për luftën në Ukrainë./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

 

The post SHBA – Witkoff dhe Kushner synojnë një takim me Putin për paqen në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Danimarka: Asnjë marrëveshje me SHBA-në pas bisedimeve për Groenlandën

UASHINGTON, 14 janar /ATSH-DPA/ – Danimarka dhe SHBA-ja kanë një mosmarrëveshje themelore mbi të ardhmen e Groenlandës dhe nuk ka patëm asnjë zgjidhje, tha sot ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, pas një takimi me zyrtarë të lartë amerikanë në Uashington.

Takimi me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe zëvendëspresidentin JD Vance pasoi presionin e vazhdueshëm nga Shtëpia e Bardhë për të marrë në zotërim Groenlandën për arsye sigurie.

“Ka një mosmarrëveshje themelore”,  u shpreh Rasmussen për gazetarët.

Në bisedime mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Groenlandës.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur dëshirën e tij për të marrë Groenlandën, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka thënë se të gjitha opsionet janë të hapura, përfshirë një blerje ose veprime ushtarake.

“NATO bëhet shumë më e fuqishme dhe efektive me Groenlandën në duart e Shteteve të Bashkuara  Çdo gjë më pak se kaq është e papranueshme”, shkroi Trump në platformën Truth Social, duke përmendur rreziqet që vijnë nga Rusia dhe Kina.

Danimarka, që zotëron këtë ishull semi-autonom arktik të pasur me minerale, po rrit menjëherë praninë ushtarake në dhe rreth Grenlandës.

Shteti i BE-së është anëtar i NATO-s, ashtu si SHBA-ja.

Danimarka ka vënë në dyshim të ardhmen e NATO-s nëse SHBA vazhdon me kërcënimet e saj ushtarake.

Edhe Suedia dhe Norvegjia kanë dërguar personel ushtarak në Groenlandë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Danimarka: Asnjë marrëveshje me SHBA-në pas bisedimeve për Groenlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lumir Abdixhiku jep dorëheqjen si kryetar i LDK-së

PRISHTINË, 14 janar /ATSh/ Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij pas humbjes në zgjedhjet e Kosovës. Vendimin e ka bërë publik përmes një statusi të gjatë, ku thekson se ky është akti më moral dhe më i përgjegjshëm që një kryetar partie mund të marrë.

Ai bëri të ditur se pas një diskutimi prej 5 orë e gjysmë me anëtarë dhe struktura të partisë, është arritur një qëndrim i përbashkët, që sipas tij pasqyron vullnetin e “shumicës dërmuese”.

Abdixhiku tha se nuk i shmanget përgjegjësisë dhe reflektimit, duke theksuar se vendimi tashmë nuk është më i tij, por i LDK-së.

“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së”, shkruan Abdixhiku.

Ai njoftoi se është thirrur Kuvendi i LDK-së, ku pritet të zhvillohet debat dhe të merren vendime “hapur”, duke shtuar se do ta respektojë çdo vendim që del nga Kuvendi.

“Dua ta them qartë; nuk jam i lidhur pas pozitës. Jam i lidhur pas shtëpisë. Dhe shtëpia ruhet me rregull, me dinjitet dhe me besim në anëtarësinë e saj dhe në secilën kërkesë të tyre. Më shumë se dorëheqja nuk ka çfarë të ofrojë një politikan. Eliminimet politike mund të jenë legjitime si aspiratë, por edhe për to vendos anëtarësia si tërësi, jo ne individualisht”, deklaroi Abdixhiku.

Pak më parë, Hykmete Bajrami deklaron se ka ofruar dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme, raporton KosovaPress.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se dje në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së ka kërkuar dhe dorëheqje të parevokushme dhe për Lumir Abdixhikun nga pozita e kryetarit të LDK-së, siç shprehet ajo “si standard i vendosur vetë nga LDK-ja”.


/KosovaPress/

The post Lumir Abdixhiku jep dorëheqjen si kryetar i LDK-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ARrSh: Rruga e Thethit e hapur për qarkullim, pas mbylljes për shkak të ortekëve

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Rruga e Thethit është aktualisht e hapur për qarkullimin e mjeteve, pas një mbylljeje të përkohshme për shkak të rrezikut nga ortekët.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARrSh) bën me dije se ky aks është tashmë i kalueshëm për automjetet.

ARrSh njoftoi sot se pas reshjeve të dendura të borës, në një segment me gjatësi rreth 550 metra, ishte prezent rreziku i ortekëve nga lartësitë e shpateve. Ky rrezik shtohet gjatë orëve të mesditës me diell, kur fillon procesi i shkrirjes së borës.

Për këtë arsye, gjatë ditëve me mot të kthjellët dhe për arsye sigurie, ARrSh thekson se do të ketë mbyllje provizore të qarkullimit deri në orët kur temperaturat ulen dhe bora ngrin sërish.

Sipas ARrSh-së, qarkullimi gjatë intervaleve me rrezik do të realizohet me asistencën e punonjësve të kompanisë së mirëmbajtjes, e cila është e pranishme në terren në çdo moment.

Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e vazhdueshëm të situatës dhe do të informojnë qytetarët për çdo zhvillim të mëtejshëm.

/e.i/r.e/a.f/

The post ARrSh: Rruga e Thethit e hapur për qarkullim, pas mbylljes për shkak të ortekëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – SHBA mund të sulmojë Iranin brenda 24 orëve

LONDËR, 14 janar /ATSH/ – Presidenti amerikan, Donald Trump duket se ka marrë vendim  për një sulm ushtarak ndaj Iranit, me veprime që mund të ndodhin brenda 24 orëve të ardhshme, sipas Reuters.

Dy zyrtarë evropianë i thanë agjencisë së lajmeve se ndërhyrja ushtarake e SHBA-së dukej e mundshme, me njëri prej tyre që shtoi se mund të ndodhte brenda një dite.

Një zyrtar izraelit gjithashtu tha se dukej se Trump kishte vendosur të ndërhynte, megjithëse nuk ishte bërë e qartë as për masivitetin dhe as për kohën e ndonjë sulmi.

Ndërkohë, sipas ANSA-s, ministri i Jasht[m italian, Antonio Tajani po zhvillon një takim në Dhomën e Krizave të Ministrisë së Jashtme me zyrtarë nga Ministria italiane e Mbrojtjes dhe Sigurisë, ambasadorin italian në Teheran dhe ambasadorë nga kryeqytetet kryesore të përfshira në krizën aktuale në Iran.

Ministria e Jashtme italiane, sipas një deklarate, konfirmon rekomandimin e saj për qytetarët italianë që të largohen nga Irani nëse janë në gjendje ta bëjnë këtë./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post LONDËR – SHBA mund të sulmojë Iranin brenda 24 orëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Superliga, Vllaznia mund Egnatian, barazim mes Elbasanit e Flamurtarit

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Dy ndeshjet e tjera të luajtura sot të vlefshme për Javën e 19-të të Superiores, janë mbyllur njëra në barazim dhe tjetra me triumfin e skuadrës së Vllaznisë.

Elbasani-Flamurtari u luajt në “Elbasan Arena” dhe u mbyll me rezultatin barazim 1-1.

Elbasani dominoi ndeshjen deri në minutën e 80-të. Goli i verdhebluve erdhi nga penalltia me Diallon në minutën e 73-të, ndërsa në minutën e 80-të Oshafi vendosi baraspeshën për vlonjatët.

Në përfundim të 19 javëve, Elbasani mban vendin e dytë me 3 pikë më pak se Egnatia kryesuese. Flamurtari ndërkohë renditet i parafundit, teksa numëron 4 pikë më pak se Vora që ndodhet jashtë zonës së ftohtë.

Ndërsa, ndeshja Vllaznia-Egnatia përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të Vllaznisë.

Aksioni spektakolar i finalizuar nga Kallaku në minutën e 27-të, do të vuloste fitoren e Vllaznisë. Shkodranët u mbrojtën me kujdes duke mbajtur sa më larg portës së tyre rrogozhinasit, të cilët u ndalën para portës shkodrane në disa raste gjatë ndeshjes.

Sot u luajt dhe sfida mes Tiranës dhe Bylisit në Ballsh, ku bardheblutë triumfuan me rezultatin 1-0.

/e.i/r.e/a.f/

The post Superliga, Vllaznia mund Egnatian, barazim mes Elbasanit e Flamurtarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Programi i detyrave në shkolla po sjell rezultate konkrete tek nxënësit

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Shkollat 9-vjeçare në Berat pas procesit mësimor ofrojnë për nxënësit e fillores programin e kryerjes së detyrave të shtëpisë.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale theksoi se ky model po jep rezultate konkrete në përvetësimin më të mirë të dijeve nga ana e nxënësve.

“Në shkollat e Beratit, programi i bërjes së detyrave që në klasë nën vëmendjen e drejtpërdrejtë të mësuesve me qëllimin për të përvetësuar më mirë dijet, për të lehtësuar ngarkesën e prindërve, si edhe për të ndërtuar marrëdhënie më të mira shkollë-prindër-komunitet nën frymën e një bashkëpunimi të frytshëm dhe arsimi gjithëpërfshirës, po vazhdon me sukses duke ndërtuar një shembull pozitiv të kësaj nisme”, tha Rama.

Ky program i ndihmon nxënësit jo vetëm që të bëjnë detyrat e shtëpisë nën kujdesin dhe mbështetjen e mësuesve, por sjell më shumë përparim në dije dhe mbështet aftësitë e tyre shoqërore, fizike dhe intelektuale përmes pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme pas procesit mësimor.

1 nga 5

/k.s/r.e/a.f/

The post Rama: Programi i detyrave në shkolla po sjell rezultate konkrete tek nxënësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ernest Muçi e nis vitin me dy gola, Trabzonspor mposht Istanbulspor

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Futbollisti i Kombëtares, Ernest Muçi shënoi sot një dygolësh dhe dhuroi një asist në fitoren 6-1 të arritur nga Trabzonspor ndaj Istanbulspor AS.

Muçi ka treguar edhe njëherë se po kalon një formë të mirë këtë sezon, duke nisur vitin sportiv me dy gola, të cilët i hapën rrugën fitores së Trabzonspor në sfidën e javës së 2-të të Kupës së Turqisë, Grupi A.

Muçi gjeti golin në minutën e 41-të për të barazuar rezultatin 1-1. Në pjesën e dytë të sfidës, Muçi dhuroi një asist në minutën e 57-të dhe shënoi sërish në minutën e 61′, duke vendosur rezultatin 3-1 për Trabzonin. Më pas, ekipi shënoi edhe tri gola të tjerë, duke çuar rezultatin përfundimtar në 6-1.

/a.f/r.e/

The post Ernest Muçi e nis vitin me dy gola, Trabzonspor mposht Istanbulspor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Komisioni i BE-së përballet me një votë të re mosbesimi

BRUKSEL, 14 janar /ATSH-DPA/ – Komisioni i BE-së, i udhëhequr nga Ursula von der Leyen do të përballet edhe një herë me një votë mosbesimi në Parlamentin Evropian.

Sipas burimeve pranë çështjes presidentja e Parlamentit, Roberta Metsola, ka njoftuar për këtë udhëheqësit e grupeve parlamentare.

Debati dhe votimi do të zhvillohen gjatë seancës parlamentare të javës së ardhshme në Strasbourg.

Kjo është e katërta kërkesë për mosbesim ndaj von der Leyen dhe ekipit të saj brenda rreth gjashtë muajve.

Kërkesa e fundit është paraqitur nga grupi i djathtë “Patriotët për Evropën”, i cili ka kritikuar von der Leyen dhe ekipin e saj kryesisht për marrëveshjen tregtare me shtetet e Amerikës së Jugut të Mercosur, përfshirë Brazilin, Argjentinën, Uruguajin dhe Paraguajin.

Anëtarët e këtij grupi përfshijnë ligjvënës të BE-së nga krahu i djathtë i politikanes franceze Marine Le Pen dhe partia e kryeministrit hungarez Viktor Orban.

Për t’u diskutuar dhe vendosur për votim në Parlamentin Evropian, një kërkesë për mosbesim duhet të mbështetet nga të paktën një e dhjeta e 719 ligjvënësve./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post BRUKSEL – Komisioni i BE-së përballet me një votë të re mosbesimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama në Abu Dhabi: Synojmë t’i shërbejmë Europës me energji të gjelbër

TIRANË, 14 janar/ATSh-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se deri në fund të vitit 2028 Shqipëria do të jetë plotësisht vend sovran në prodhimin e energjisë elektrike duke mos importuar më energji.

Kryeministri Edi Rama ishte sot i ftuar në panelin e samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm që po zhvillon punimet në Abu-Dabi (Abu Dhabi), nën kujdesin e veçantë të presidentit sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Duke folur mbi investimet në fushën e energjisë, Rama u shpreh se ne “jemi me fat, sepse kemi burime hidrike dhe jemi një vend 100% me energji të ripërtëritshme”.

“Këtu jemi te niveli më i lartë në renditje. Por energjia nga burimet ujore do të thotë se ne varemi nga natyra, ndaj na duhet t’i drejtohemi importit”, tha Rama.

Ndaj sipas tij, dekadën e fundit është investuar shumë në energjinë diellore dhe të erës.

“Ne duam të krijojmë një portofol burimesh të ekuilibruara në mënyrë të tillë që ne të mos kemi më nevojë t’i drejtohemi importit dhe të jemi plotësisht sovran duke pasur 100% energji të gjelbër. Plani po ecën mirë dhe besojmë se në fund të 2028 do të jemi plotësisht sovran nuk do të blejmë më energji nga jashtë”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin strategjik me Emiratet e Bashkuara Arabe në fushën e energjisë. Ai solli në vëmendje marrëveshjen tripalëshe me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë. “Ne synojmë që përmes kabllit ndërlidhës me Italinë t’i shërbejmë Europës me energji të gjelbër dhe bashkë me miqtë tanë arabë të bëjmë para për t’ia shitur Europës. Është më shumë se 1 miliard”, shtoi Rama.

/j.p/r.e/

The post Rama në Abu Dhabi: Synojmë t’i shërbejmë Europës me energji të gjelbër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Hetimi i SPAK për Kuvendin e Rithemelimit politik, nuk lidhet me hetimin pasuror

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi si politik hetimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) lidhur me Kuvendin e Rithemelimit të vitit 2021, të mbajtur në stadiumin “Air Albania”, ku u shkarkua kryetari i atëhershëm i PD-së, Lulzim Basha.

Në një konferencë për mediet, Berisha u shpreh se ky hetim nuk ka asnjë lidhje me hetimin pasuror ndaj tij dhe familjarëve, i cili sipas tij është mbyllur dhe është dërguar në gjykatë.

“Hetimi pasuror është bërë me lupë, është finalizuar dhe është dërguar në gjykatë. Hetimi për Kuvendin e Rithemelimit është një hetim i mirëfilltë politik dhe nuk ka asnjë lidhje me çështjen pasurore”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se është i hapur ndaj çdo hetimi dhe se prokuroria duhet të veprojë e lirë, por shtoi se përpjekja për të lidhur dy çështje të ndryshme është, sipas tij, mashtruese.

Berisha deklaroi se çdo financim për Kuvendin e Rithemelimit është deklaruar dhe se nuk ka pasur asgjë të fshehur. Sipas tij, aktiviteti është financuar nga deputetë dhe aktivistë të Partisë Demokratike, ndërsa çmimi i stadiumit është publik dhe i deklaruar nga institucionet përkatëse.

“Çdo financim është deklaruar. Personat që kanë kontribuar e kanë deklaruar atë sapo janë pyetur. Nuk ka asgjë të fshehur”, u shpreh Berisha.

Ai e cilësoi si dezinformim lajmin se hetimi për Kuvendin po zhvillohet në kuadër të hetimit pasuror ndaj tij, duke theksuar se kjo çështje tashmë ndodhet në proces gjyqësor.

/m.q/j.p/

The post Berisha: Hetimi i SPAK për Kuvendin e Rithemelimit politik, nuk lidhet me hetimin pasuror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌