Antikorrupsioni i një opozite me Berishën në krye, Ahmetajn aleat dhe deputetë të flakurit nga drejtësia
Nga Ardit Rada
Ka një hipokrizi të trashë që po shitet orët e fundit si shqetësim demokratik. Sa herë shumica parlamentare guxon të bëjë atë për të cilën është votuar, të bëj dhe zhbëjë ligje, opozita në vend shpërthen në ulërima sikur vendi po rrëshqet në diktaturë. Në realitet, kjo është thjesht demokracia. Partia Socialiste është shumicë legjitime dhe, si në çdo vend shumica nuk pyet opozitën për të qeverisur, por mban përgjegjësi për mënyrën si e bën. Ata që sot bërtasin nuk janë të shqetësuar për ligjin, por për humbjen e kontrollit mbi lojën që prej kohësh nuk dinë më ta luajnë.
Partia Demokratike ka vite që sillet sikur parlamenti është dekor dhe rruga është alternativë e tij. Në vend që të prodhojë nisma ligjore, amendamente, ide konkrete për shtetin që thotë se e do kaq shumë, ajo preferon organizime “party-sh” politike me molotovë, tym dhe poza heroike për kamera. Është si të thuash, një opozitë Instagrami ku ka shumë filtra dhe pak përmbajtje.
Ironia është se PD flet për ligje vetëm për t’i delegjitimuar ato, jo për t’i përmirësuar. Sepse përmirësimi kërkon punë, dije dhe durim; ndërsa kaosi është rruga më e thjeshtë sepse kërkon vetëm një çakmak.
Lufta e shpallur ndaj Belinda Ballukut, po paraqitet si betejë kundër vjedhjes, edhe pse ndaj ministres nuk ka asnjë akuzë për korrupsion. Fatkeqësisht, leximi real është shumë më banal: Një kalkulim elektoral kundër njeriut që e degjeneroi opozitën në qarkun e Fierit, pikërisht në momentin kur kjo opozitë mendonte se ishte më e fortë se kurrë. Dhe sot, lufta politike e PD lidhet me teorinë se nëse hiqet Balluku, dobësohet Edi Rama në zgjedhje. Pra, jo shtet, jo standarde, jo drejtësi; thjesht matematikë votash. Antikorrupsioni si slogan, por qëllimi I vërtetë mbetet pushteti.
Sepse po ta kishin realisht luftën kundër korrupsionit, PD nuk do të sillej sikur ka humbur kujtesën. Nuk do të mbante në krye Sali Berishën, të shpallur zyrtarisht të korruptuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk do t’i jepte Ilir Metës katër mandate të sigurta si shpërblim politik. Dhe sigurisht, nuk do të bënte aleancë me Arben Ahmetajn, nuk do të mbronte të arratisurin Adriatik Llalla, nuk do t’u jepte mandate deputeti të përjashtuarve nga Vettingu e kështu me radhë.
Kështu pra bie edhe maska morale. Nuk mund të predikosh pastërti politike me një listë liderësh e aleatësh të zhytyr kokë e këmbë në korrupsion. Nuk mund të shesësh moral kur biografia politike jote është një serial me shumë sezone dhe pak pendesë.
Shumica qeverisëse ka të drejtën dhe përgjegjësinë të qeverisë. Opozita ka detyrimin të kontrollojë, të propozojë dhe të sfidojë me ide të kopsitura në letra dhe jo deklarata para kamerave. Por mesa duket. kush nuk di të humbasë zgjedhje, nuk di as të bëjë opozitë. Dhe kush e përdor antikorrupsionin si parullë për të fshehur aleanca të kalbura, ka thjesht nostalgji pushteti të maskuara si moral politik.