105 vjet Batalioni i Xhenios, Vengu: Forca që përgjigjet gjithnjë e para
TIRANË, 20 janar /ATSH/ U shënua sot me ceremoni solemne 105-vjetori i themelimit të Batalionit të Xhenios, një nga armët më të rëndësishme dhe më të specializuara të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Në aktivitet mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, së bashku me drejtues të lartë ushtarakë, ish-komandantë të forcës xheniere, ushtarakë në rezervë dhe në lirim.
Në fjalën e tij, ministri Vengu vlerësoi kontributin historik dhe aktual të Batalionit të Xhenios në mbështetje të sigurisë kombëtare, zhvillimit të infrastrukturës dhe përballimit të emergjencave civile.
Ai theksoi se përvjetori nuk është vetëm një moment festiv, por edhe një reflektim mbi nevojën për rritje të vazhdueshme të kapaciteteve profesionale dhe teknike të kësaj force.
“Thelbi i këtij përvjetori ka të bëjë me nevojën e një force gjithmonë për t’u specializuar gjithnjë e më shumë dhe për të treguar jo vetëm aftësi luftimi, por edhe aftësi administrimi të rrezikut në kushte paqeje dhe në detyra civile”, u shpreh ministri Vengu.
Ministri theksoi se reparti xhenier ka qenë dhe mbetet një nga komponentët më të angazhuar të Forcave të Armatosura, i pranishëm në vijën e parë si në misionet ndërkombëtare, ashtu edhe në situata emergjente brenda vendit, duke dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë për komunitetet.
“Reparti xhenier është gjithnjë ai që përgjigjet i pari, asnjëherë nuk thotë jo dhe shkon aty ku e kërkon detyra dhe atdheu, veçanërisht në emergjencat civile, ku profesionalizmi dhe përkushtimi juaj janë vlerësuar nga të gjithë”, deklaroi ministri i Mbrojtjes.
Duke u ndalur te perspektiva e së ardhmes, ministri Vengu nënvizoi se forcimi i repartit xhenier me mjete, pajisje dhe teknologji moderne mbetet një objektiv i qartë i Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe qeverisë shqiptare, në funksion të rritjes së sigurisë së komuniteteve dhe qëndrueshmërisë së vendit.
Batalioni i Xhenios mbetet sot një element kyç i një ushtrie moderne, ku kapaciteti teknik dhe aftësitë inxhinierike janë po aq të rëndësishme sa aftësitë luftarake, duke i dhënë Forcave të Armatosura një dimension të qartë rindërtimi dhe ripërtëritjeje në shërbim të Shqipërisë.
Gjithashtu sot në ambientet e repartit të Regjimentit të Mbështetjes me Luftim, me rastin e 105-vjetori të krijimit të Armës së Artilerisë Tokësore, u mbajt një ceremoni zyrtare për të kujtuar historinë, profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj misionit luftarak të kësaj arme.
Ceremonia dhe Dita e Hapur dëshmuan se kjo armë mbetet një shtyllë e sigurisë, duke bashkuar traditën me modernizimin, përmes kapaciteteve të reja dhe vizionit për të ardhmen.
Artileria Tokësore ka qenë dhe mbetet garanci e fuqisë, gatishmërisë dhe mbështetjes vendimtare për Forcën Tokësore sot, nesër dhe për brezat që vijnë.
/gj.m/j.p/
The post 105 vjet Batalioni i Xhenios, Vengu: Forca që përgjigjet gjithnjë e para appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.