Rama: PS, betejë qytetare dhe vullnetare kundër plastikës
TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama theksoi sot në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, se Partia Socialiste do të angazhohet në një betejë qytetare dhe vullnetare kundër plastikës.
“Fjala kyçe e fundit është “koordinimi””, u shpreh Rama, duke shtuar se kjo është përgjegjësi e drejtuesve, por çdo individ duhet të kontribuojë duke përfshirë të tjerët ose duke u përfshirë vetë në procese të përbashkëta.
Kryeministri vuri në dukje nevojën për një angazhim të përbashkët të PS dhe grupit parlamentar në një nismë kombëtare kundër ndotjes nga plastika, duke u fokusuar te shishet dhe qeset plastike.
“Është koha që të rindizen të gjithë motorët dhe paralelisht grupi parlamentar, së bashku me partinë, të angazhohemi dhe në nismën e madhe kombëtare kundër ndotjes, çka është një problem shumë i madh dhe çka nuk ka asnjë zgjidhje tjetër përveçse vetëdijesimit të të gjithëve që shishet plastike dhe qeset plastike nuk mund të hidhen rrugëve, sepse ndodh ajo që ndodhi”, tha Rama.
Ai rikujtoi situata të fundit në Shkozet dhe Gjirokastër, ku përkundër përpjekjeve të administratës lokale, mbeturinat plastike vazhduan të krijojnë probleme.
“Ne i kemi të evidentuara, sepse i ndjek Ministria e Bujqësisë, sepse nuk është më koha kur nuk pastrohej asgjë në Shqipëri dhe përmbytej e gjithë Shqipëria nga një shi vere, i kemi ndërtuar që në nëntor, të gjitha ato pika kanë qenë të pastruara, por prurjet janë kaq të mëdha sa ato mbushen menjëherë”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se, ky problem nuk zgjidhet me gjoba apo inspektime, por me ndërgjegjësimin e të gjithëve dhe shtoi se, Partia Socialiste do të angazhohet në një betejë qytetare dhe vullnetare kundër plastikës.
“Kjo nuk bëhet me polici, kjo nuk bëhet me inspektime, kjo nuk bëhet me gjoba, kjo bëhet me vetëdijesim, kështu që Partia Socialiste do të angazhohet e gjitha në një betejë qytetare dhe vullnetare kundër plastikës, kundër shisheve plastike, kundër qeseve plastike”, tha Rama.
/gj.m/a.f/r.e/
The post Rama: PS, betejë qytetare dhe vullnetare kundër plastikës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
