TIRANË, 16 JANAR /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, njëherësh kryetare e komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, deklaroi sot se fjalori i ri i gjuhës shqipe përgatitur nga Akademia e Shkencave paraqet shqetësime serioze për mungesë profesionalizmi.
Sipas saj “atje gjenden lehtësisht gafa, diskriminim, mospërputhje me përkufizimet e termave sipas ligjeve etj”.
“Gjuha është themeli i kulturës kombëtare. Fjalori i një gjuhe nuk është thjesht një listë fjalësh, por akt kulturor, shkencor dhe kombëtar. Pikërisht për këtë arsye, fjalori i gjuhës shqipe duhet të jetë i saktë, i përgjegjshëm dhe në përputhje me zhvillimin bashkëkohor të shoqërisë”, nënvizoi Zhupa.
Zhupa theksoi se fjalori i ri i hedhur në konsultim publik ka gafa dhe qëndrime të cilat nuk mund të anashkalohen dhe janë tejet problematike.
Zhupa bëri të ditur se do të kërkojë një seancë dëgjimore me Akademinë e Shkencave që të japë shpjegime profesionale në lidhje me mënyrën e hartimit.
“Është interesi publik, për aq kohë sa bëhet fjalë për fjalor zyrtar, të bërë me fonde publike dhe element thelbësor i identitetit kombëtar. Kjo seancë dëgjimore nuk do trajtohet aspak si politike, por si çështje kulturore dhe kombëtare. Gjuha shqipe meriton seriozitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë institucionale dhe një diskutim serioz”, nënvizon ajo.
Gjithashtu Zhupa solli edhe disa shembuj që sipas saj, janë qartësisht shfaqje e një pune jo cilësore dhe problematike në shumë nivele duke përmendur futjen e fjalës “abandonim” në fjalorin shqip-shqip apo fjalës “onlajn”
“Përkufizimi thellësisht diskriminues i fjalëve “djalë” dhe “vajzë”. Në fjalorin e ri, “djalë” përshkruhet me nota pozitive: trim, i urtë, shtyllë e shtëpisë, shpresë. Ndërsa “vajzë” shoqërohet me një sërë përkufizimesh negative, fyese dhe moralisht paragjykuese”, theksoi ndër të tjera Zhupa.
Sipas saj “fjalori nuk mund të jetë as ideologjik, as paragjykues, as i pakujdesshëm ndaj historisë gjuhësore dhe identitare. Ai formëson mendimin, edukon brezat dhe përcakton se çfarë konsiderohet “shqip e saktë””.
/m.q/j.p/
The post Zhupa: Akademia e Shkencave do thirret në dëgjesë mbi fjalorin e ri të gjuhës shqipe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.