Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 January 2026Main stream

Evakuohet familja bashkë me qenushin në Vlorë

8 January 2026 at 15:54

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe Policia e Shtetit po vazhdojnë operacionin e transportit të banorëve në zonat e rrethuara nga uji në Novoselë drejt konviktit të qytetit të Vlorës.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndau pamje nga puna e strukturave të Emergjencave Civile në terren në Novoselë. Nga pamjet vihet re se strukturat kanë evakuuar, edhe një familje bashkë me qenin e tyre.

Familja mbeti e izoluar në banesë për shkak të rritjes së nivelit të ujit, i cili përmbyti rrugët dhe oborret përreth. Në ndihmë u angazhuan forcat e Emergjencave Civile, Policia dhe shërbimi zjarrfikës, të cilët ndërhynë me mjete lundruese për të nxjerrë anëtarët e familjes dhe katërputroshin e tyre.

Autoritetet lokale në Vlorë, apelojnë për kujdes të shtuar dhe shmangie të lëvizjeve në zonat e rrezikuara nga përmbytjet, ndërsa strukturat e emergjencave vijojnë të jenë në gatishmëri për çdo situatë të mundshme.

/e.i/r.e/a.f/

The post Evakuohet familja bashkë me qenushin në Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Organizohet turneu “Futsal Junior”

8 January 2026 at 14:41

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Nga data 16 janar deri në 1 shkurt, në Parkun Olimpik “Feti Borova” në kryeqytet do të zhvillohet “Futsal Junior”, një aktivitet futbolli për fëmijët.

Ky aktivitet zhvillohet nga Federata e Futbollit, Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë dhe Agjencia e Parqeve Rekreative (APR).

FSHF njofton se turneu do të zhvillohet në Parkun Olimpik “Feti Borova” dhe është i vlefshëm për grup-moshat U-9, U-11 dhe U-13.

Ky aktivitet synon të promovojë futbollin e sallës, futbollin e moshave, të inkurajojë pjesëmarrjen aktive të fëmijëve dhe të mbështesë organizimin e turneve si një element kyç në rritjen dhe zhvillimin e futbollit në Shqipëri.

Sipas FSHF-së, gjatë turneut, çdo ekip do të zhvillojë nga 4 deri në 6 ndeshje. Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë, si organizatore e aktivitetit, do të garantojë për çdo ndeshje arbitra, delegatë, staf mjekësor, si edhe mjetet didaktike të nevojshme për mbarëvajtjen e aktivitetit.

Turneu do të zhvillohet në Parkun Olimpik “Feti Borova” sipas këtij kalendari:

16 deri më 18 janar: ekipet e moshës U-13

23 deri më 25 janar: ekipet e moshës U-11

30 janar deri më 1 shkurt: ekipet e moshës U-9

/e.i/r.e/a.f/

The post Organizohet turneu “Futsal Junior” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Urdhërohet evakuimi i menjëhershëm i banorëve në Sukth dhe Katundin e Ri

8 January 2026 at 12:38

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes dhe bashkia e Durrësit urdhëruan evakuimin e menjëhershëm të banorëve në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri.

Në zbatim Ligjit “Për Mbrojtjen Civile”, Planin Kombëtar të Emergjencave Civile dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile, si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të njësisë administrative Sukth dhe Katund i Ri, bashkia Durrës.

Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut dhe strukturat e Emergjencave Civile në bashki.

Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.

Në njoftim thuhet se prioritet në procesin e evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zona të izoluara.

Bashkia Durrës njofton se rransporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga mjetet e Bashkisë, shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) dhe Forcat e Armatosura.

Menaxhimi i strehimit dhe asistencës për qytetarët e evakuuar do të realizohet nga Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Njësitë e kujdesit shëndetësor dhe trukturat e shërbimeve sociale, sipas nevojës.

Sipas Bashkisë, në kuadër të këtij procesi do të sigurohet regjistrimi i të evakuuarve, në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm, administrimi i nevojave bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe ndihmën mjekësore dhe ofrimi i informacionit periodik për statusin e situatës dhe masat në vijim.

Ky njoftim ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë.

Për çdo situatë emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë numrin e emergjencave.

/e.i/a.f/r.e/

The post Urdhërohet evakuimi i menjëhershëm i banorëve në Sukth dhe Katundin e Ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kompleksi “Shefqet Lamçja” në Elbasan drejt standardeve moderne

8 January 2026 at 10:30

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Kompleksi sportiv “Shefqet Lamçja” në Elbasan është drejt përfundimit dhe pritet të ofrojë kushte funksionale dhe bashkëkohore për sportistët.

FSHF bën me dije se punimet për rikonstruksionin e fushës me bar natyral në kompleksin sportiv “Shefqet Lamçja” po shkojnë drejt fazës përmbyllëse. Tashmë ka përfunduar ndërtimi i bazamentit si edhe janë realizuar punimet për sistemin modern të drenazhimit, depos së ujit dhe sistemin e vaditjes.

Sipas FSHF-së, muaji mars konsiderohet periudha më e përshtatshme për hedhjen e farës dhe mbjelljen e barit natyral, çka do t’i japë fushës formën përfundimtare.

Paralelisht me rikonstruksionin e fushës, bashkia Elbasan ka investuar në përmirësimin e ambienteve të kompleksit, përfshirë dhomat e zhveshjes, të cilat tashmë ofrojnë kushte më funksionale dhe bashkëkohore për sportistët.

“Ky investim është pjesë e një strategjie më të gjerë të zhvillimit të infrastrukturës sportive në vend, ku po punohet njëkohësisht në disa terrene futbolli, si në ndërtimin e impianteve të reja ashtu edhe në modernizimin e atyre ekzistuese. Qëllimi është krijimi i kushteve sa më cilësore për futbollistët dhe zhvillimin e mëtejshëm të futbollit shqiptar”, thuhet në njoftim.

/e.i/r.e/a.f/

The post Kompleksi “Shefqet Lamçja” në Elbasan drejt standardeve moderne appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MSHMS: Mjekët dhe infermierët në shërbim të qytetarëve edhe gjatë orëve të natës

8 January 2026 at 09:00

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Reshjet e dendura të shiut dhe përkeqësimi i motit, kanë vënë në gatishmëri strukturat shëndetësore në të gjithë vendin.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në një njoftim zyrtar bën me dije, se mjekët dhe infermierët kanë qenë gjatë orëve të natës në shërbim të qytetarëve, në zonat e prekura nga kushtet e vështira të motit.

Sipas MSHMS, strukturat shëndetësore në të gjithë vendin kanë marrë masat e nevojshme për të garantuar shërbim shëndetësor të pandërprerë dhe të sigurt për qytetarët.

MSHMS njofton se janë marrë të gjitha masat, si aktivizim i plotë i shërbimit të urgjencës, forcim i koordinimit operacional me OSHKSH-në, pushtetin vendor dhe strukturat e emergjencave, monitorim i situatës çdo 3 orë dhe kontroll i vazhdueshëm i infrastrukturës si dhe verifikim i rezervave kritike: medikamente, materiale mjekësore, ujë të pijshëm, karburant për gjeneratorë dhe pajisje emergjente.

Më tej, MSHMS cilëson se ekipet shëndetësore dhe strukturat e emergjencës në të gjithë vendin janë të angazhuar me përkushtim, profesionalizëm dhe gatishmëri 24/7, duke garantuar kujdes e mbështetje pa ndërprerje.

/e.i/

The post MSHMS: Mjekët dhe infermierët në shërbim të qytetarëve edhe gjatë orëve të natës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 7 January 2026Main stream

Riparohet ura në fshatin Bleran të Shkodrës, dalin nga izolimi 600 banorë të dy fshatrave

7 January 2026 at 14:46

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Pas dëmtimit për shkak të motit të keq dhe reshjeve të dendura të shiut, ura prej hekuri në Bleran të Shkodrës, është riparuar në kohë rekord.

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci tha se nga dëmtimi i kësaj ure mbetën të izoluara dy fshatra me rreth 600 banorë, duke shkaktuar vështirësi serioze në lëvizje dhe duke bllokuar aksesin drejt varrezave të fshatit.

Beci tha se falë reagimit të menjëhershëm dhe bashkëpunimit institucional me Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Prefektura e Qarkut Shkodër, nën koordinimin e drejtorit të përgjithshëm Haki Çako, nisi puna për vendosjen e një ure prej hekuri, një zgjidhje e qëndrueshme për zonën.

Ndërhyrja po kryhet me profesionalizëm të lartë nga Batalioni Xhenio i Forcave të Armatosura, duke rikthyer qarkullimin normal për komunitetin e prekur.

“Pavarësisht ditëve me reshje intensive dhe prurje maksimale, situata është menaxhuar me përgjegjësi, duke pasur minimumin e problematikave në territor”, tha Beci.

Reshjet e dendura të shiut dhe moti i keq kanë sjellë problematika në infrastrukturë dhe përmbytje në disa qarqe të vendit.

/e.i/a.f/r.e/

The post Riparohet ura në fshatin Bleran të Shkodrës, dalin nga izolimi 600 banorë të dy fshatrave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Organizohet për herë të parë Festivali i Shkencës për gjimnazistët

7 January 2026 at 14:43

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro bëri me dije sot, se për herë të parë në Shqipëri do të organizohet Festivali i Shkencës.

Gjatë një takimi maratonë me drejtuesit e shkollave të DRAP Tiranë në Ministrinë e Arsimit, Kumbaro tha se ka nisur puna për të sjellë një event krejt të ri, një festival kombëtar kushtuar teknologjisë, shkencës dhe inovacionit për të gjitha shkollat e mesme publike.

“Faza e parë nis shumë shpejt, ndaj përgatituni të shihni nga afër gjeni të vegjël, eksperimente, ide të bukura dhe projekte që tregojnë sa shumë talent ka në bankat e shkollave tona”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro shtoi se puna në Ministrinë e Arsimit, në Agjencinë e Kurrikulave dhe Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar ka filluar që në muajin nëntor.

“E kemi gati programin. Po fillon një garë shumë e bukur në shkencat natyrore: fizikë, kimi, teknologji, informacion, ku praktikisht kemi parë që kemi shumë talente dhe të rinj që janë gati për të marrë pjesë në një garë të nivelit kombëtar. Në këtë garë duam të përfshijmë universitetet, sektorin privat që të na mbështesë në një aktivitet ku garuesit do të jenë gjimnazistët tanë”, tha Kumbaro.

/e.i/r.e/a.f/

The post Organizohet për herë të parë Festivali i Shkencës për gjimnazistët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spahia: SPAK të hetojë shkeljet e konstatuara nga KLSH në shëndetësi

7 January 2026 at 12:30

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Kryetari i Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia u shpreh sot se raporti i fundit i KLSH-së ka konstatuar shkelje të rënda në sistemin shëndetësor në vend.

Në një deklaratë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit, Spahia tha se “raportet e KLSH-së, auditimet e brendshme dhe raportet ndërkombëtare prej vitesh faktojnë se sistemi shëndetësor është ndër sektorët ku vidhet më shumë nga kjo mazhorancë e korruptuar”.

“Raporti i fundit mbi Fondin e Sigurimeve Shëndetësore nxjerr në pah shkelje flagrante financiare, manipulime kontrolli dhe mungesë të listës së barnave, rimbursime të pajustifikuara, mungesë barnash jetike për pacientët dhe moszbatim kontratash që kanë prodhuar miliona lekë dëm ekonomik”, tha Spahia.

Sipas Spahisë, bëhet fjalë për diferenca të pajustifikuara financiare, për barna të skaduara që kanë qarkulluar, për farmaci pa barna alternative apo cilësore për tejkalim buxheti, për miliona lekë penalitet që duhet të ishin aplikuar po nuk janë aplikuar kurrë.

“Të gjitha këto janë të dokumentuara nuk janë thashetheme, akuza politike, por janë fakte zyrtare. Raporti ngre alarmin se në depot farmaceutike të spitaleve si QSUT, Elbasan, Durrës, Shkodër e Korçë nga auditimi për një numër barnash mungon dokumentimi i datës së skadencës. Vetëm në QSUT për 26 barna vetëm për 14 prej tyre janë alternativë e vetme dhe 12 prej tyre alternativë e parë. Situatë e ngjashme edhe në spitalet rajonale, ku mbi 31 barna të marra së bashku si alternativë e vetme nuk ka pasur disponibilitet”, vijoi Spahia.

Spahia nënvizoi se “ky është korrupsion, klientelizëm dhe kapje e shtetit. Kjo është arsyeja pse shqiptarët sot përballen me spitale të rrënuara, mungesë mjekësh dhe barna të skaduara dhe me shpenzime të papërballueshme për kurimin e tyre”.

“Shqiptarët paguajnë mbi 60% para nga xhepi për kurimin e tyre. Realiteti nuk mund të sfumohet me propagandë. Kjo qeveri prej 13 vitesh nuk ka pasur qëllim reformimin e sistemit shëndetësor, por vetëm vjedhje. Ne kërkojmë, nisjen e menjëhershme nga SPAK të hetimeve si dhe nga prokuroria për të gjitha shkeljet, falsifikimet dhe dëmet e konstatuara në këtë raport. Këto janë vepra penale! Ne kërkojmë shkarkimin dhe ndjekjen penale të FSDKSH dhe atyre që kanë mbyllur sytë përpara skadencave dhe inventarëve”, tha Spahia.

/e.i/r.e/a.f/

The post Spahia: SPAK të hetojë shkeljet e konstatuara nga KLSH në shëndetësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jani: 304 persona të evakuar në qarkun Durrës, strukturat në gatishmëri në terren

7 January 2026 at 10:24

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Reshjet e dendura të shiut kanë vazhduar dhe gjatë natës, duke sjellë përkeqësim të situatës për shkak të motit të keq në Durrës.

Prefekti i qytetit bregdetar, Emilian Jani tha sot për ATSH-në, se të gjithë strukturat vendore, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Emergjencat Civile janë të shpërndara në terren për të monitoruar situatën.

“Deri mbrëmë në orët e vona të natës, janë evakuar disa persona. Numri i individëve që janë evakuuar deri tani është rreth 304 persona. Ata janë sistemuar në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme dhe në godinat e Ministrisë së Mbrojtjes. Zonat më problematike janë ato të ish-NISH Tulla dhe zona e ish-Kënetës. Po mbikëqyrim çdo situatë dhe jemi pranë çdo familjeje”, tha Jani.

Ndërkohë, bëhet me dije se uji është tërhequr nga akset rrugore kryesore në qytet, duke i bërë ato të kalueshme për qytetarët dhe makinat.

/e.i/a.f/r.e/

The post Jani: 304 persona të evakuar në qarkun Durrës, strukturat në gatishmëri në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Shkodër, nivelet e ujit në lumenj nën kuotat e rrezikut për përmbytje

6 January 2026 at 16:00

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Reshjet intensive kanë rritur prurjet e lumenjve në qarkun e Shkodrës, por deri tani nuk raportohen problematika.

Prefektura e qarkut Shkodër në një deklaratë për shtyp, informoi sot se deri në këto momente nuk janë konstatuar problematika në kanalet kulluese, argjinaturat dhe digën e rezervuarit Shtodër.

Sipas prefekturës, nivelet e ujit në lumenjtë Buna, Drin, Kir dhe Gjadër janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje. Hidrovoret e Velipojës, Vilunit dhe Cas janë në funksion me nga 5 pompa secili dhe janë në gatishmëri për funksionim me kapacitet të plotë, në rast nevoje. Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës në terren dhe janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment.

Në territorin e bashkisë Vau i Dejës janë regjistruar reshje shiu me intensitet të lartë. Në fshatin Hoten është raportuar një banesë me prani uji, ku banorëve u është dhënë ndihma e menjëhershme nga grupi i Emergjencave Civile. Situata po monitorohet në vijimësi nga strukturat përkatëse.

Sipas prefektit, në territorin e bashkisë Malësi e Madhe kanë vijuar reshjet e shiut me intensitet mesatar gjatë gjithë natës dhe në orët në vijim. Fshati Flakë vijon të jetë i bllokuar si pasojë e prurjeve të përroit. Në zonat Rrazë dhe Veshtë është konstatuar prezencë uji, por pa rrezik për banesat. Po punohet për furnizimin me energji elektrike në zonën e Kelmendit. Gjithashtu po punohet për hapjen e rrugës pranë lumit në zonën e Dragovojës.

Në territorin e bashkisë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh në disa rrugë rurale. Deri në këto momente nuk raportohen dëme në njerëz apo banesa.

Në territorin e bashkisë Shkodër janë regjistruar reshje shiu me intensitet të lartë. Grupi i Emergjencave Civile po kryen inspektime në terren dhe është në monitorim të afërt të çdo situate emergjente.

Në njoftim thuhet se në kaskadën e Drinit, prurjet aktuale natyrore arrijnë vlerën 3500 m³/s, duke reflektuar një situatë hidrike të qëndrueshme.

Nivelet e liqeneve paraqiten si më poshtë:

Fierza: 281,2 m;

Koman: 174,2 m;

Vau i Dejës: 75 m.

Shkarkimet aktuale nga hidrocentralet janë të kontrolluara dhe të qëndrueshme: HEC Vau i Dejës 700 m³/s dhe HEC Koman 700 m³/s. Deri tani nuk raportohen problematika.

Prefekti i Qarkut Shkodër vijon ndjekjen nga afër të situatës në koordinimin me të gjitha strukturat vendore e qendrore për menaxhimin e emergjencave.

/e.i/r.e/a.f/

The post Shkodër, nivelet e ujit në lumenj nën kuotat e rrezikut për përmbytje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti i keq, bashkia Tiranë: Grupet e punës në terren, në shërbim të përforcuar

6 January 2026 at 10:57

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Reshjet e dendura të shiut dhe moti i keq kanë përfshirë vendin prej disa orësh.

Burime zyrtare pranë bashkisë Tiranë, bëjnë me dije për ATSH-në se situata nuk paraqet rrezikshmëri në kryeqytet.

Të njëjtat burime shprehen se deri në orën 10:00 të paradites së sotme, në shërbimin zjarrfikës nuk ka mbërritur asnjë telefonatë emergjence.

Bashkia njofton se grupet e punës kanë kaluar në shërbim të përforcuar në terren, për të ndjekur nga afër situatën në çdo lagje dhe rrugë të kryeqytetit.

/e.i/r.e/a.f/

The post Moti i keq, bashkia Tiranë: Grupet e punës në terren, në shërbim të përforcuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shërbimi shëndetësor në banesë, afro 200 mijë vizita gjatë 2025-ës

6 January 2026 at 10:46

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Shërbimet e Kujdesit Shëndetësor në Banesë vazhdojnë në të gjithë vendin, duke u ardhur në ndihmë të moshuarve dhe pacientëve kronikë që e kanë të vështirë të paraqiten në qendrat shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën të ditur se shërbimi i kontrollit shëndetësor në banesë po garanton ndjekje të vazhdueshme për pacientët në nevojë.

Sipas MSHMS, ky shërbim vjen falë angazhimit të 3142 mjekëve dhe infermierëve në 356 qendra shëndetësore në të gjithë vendin.

MSHMS njofton se vetëm gjatë vitit 2025 janë realizuar 198.358 vizita në banesë, duke përmirësuar aksesin dhe cilësinë e shërbimit shëndetësor.

Fuqizimi i këtij modeli të kujdesit në komunitet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale është kthyer në një realitet të prekshëm për mijëra qytetarë në të gjithë vendin, veçanërisht për ata që përballen me sëmundje kronike apo vështirësi në lëvizje.

Ky program po shtrihet në 36 Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe 356 qendra shëndetësore.

/e.i/r.e/a.f/

The post Shërbimi shëndetësor në banesë, afro 200 mijë vizita gjatë 2025-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti i keq në Shkodër, Duda: Vështirësi në qarkullim, strukturat në terren

6 January 2026 at 09:58

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë sjellë vështirësi në qarkullim në Shkodër dhe zonat përreth qytetit.

Prefektja e Shkodrës, Holta Duda tha sot në një prononcim për ATSH-në se situata nuk paraqet aq rrezikshmëri, sa për të nisur evakuimin e familjeve.

“Për momentin jam në Malësi të Madhe dhe po lëvizim në drejtim të Vaut të Dejës. Jemi në terren prej mëngjesit herët, me të gjitha strukturat vendore dhe ato të emergjencës për të parë nga afër situatën. Nuk ka rrezik për evakuim familjesh. Në rast të rrezikshmërisë të lartë, autoritetet janë të gjitha në koordinim për monitorim të çdo situate”, tha ajo.

Në një njoftim të Prefekturës Shkodër, lidhur me situatën nga moti i keq bëhet me dije se hidrovoret furnizohen pa ndërprerje. Prej ditës së djeshme, si pasojë e rritjes së prurjeve në kaskadën e Drinit, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës, me një sasi aktuale prej 700 m³/sekondë.

Komisioni i Emergjencave civile i Qarkut është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për monitorimin e situatës dhe, deri më tani, nuk është evidentuar asnjë problematikë.

Prurjet nga përrenj në lumenj janë shtuar në sasi të konsiderueshme, por deri tani nuk janë konstatuar probleme në kanale kullimi, argjinatura. Niveli ujit nga Ura Vjetër e Bunës është poshtë kuotës së rrezikut.

Lumenjtë Drin, Kir dhe Gjadër kanë shtuar prurje, por niveli është poshtë kuotës së rrezikut për përmbytje.

Edhe Rezervuari i Shkodrës është poshtë kuotave të rrezikut për përmbytje.

Hidrovoret Vilun e Cas janë në funksion me nga pesë pompa e në gatishmëri për funksionim me kapacitet të plotë.

Bashkia Malësi e Madhe

Gjatë gjithë natës kanë vijuar reshje shiu me intensitet mesatar, të cilat vazhdojnë edhe aktualisht.

Deri në këto momente nuk raportohen raste problematike.

Fshati Flakë vijon të jetë i bllokuar si pasojë e prurjeve të Përroit.

Raportohen probleme me furnizimin me energji elektrike në disa zona të bashkisë Malësi e Madhe, konkretisht në Kelmend e Shkrel.

Bashkia Vau i Dejës

Vazhdojnë reshjet e shiut me intensitet të lartë.

Lumi Gjadër ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar rritje të nivelit të ujit në lagjen “Kapedani”.

Bashkia Fushë-Arrëz

Në territorin e kësaj bashkie janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh në disa rrugë rurale.

DRV Shkodër

Sipas informacioneve nga kontraktorët e mirëmbajtjes së akseve që administrohen nga DRV Shkodër nuk ka problematika në qarkullimin rrugor.

OSHEE Shkodër

Për momentin rezulton pa energji elektrike zona e Postribës, e cila për pak kohë pritet të vendoset në punë dhe në Kelmend po punohet për rikthimin e energjisë.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci njoftoi se që prej ditës së djeshme, si pasojë e rritjes së prurjeve në kaskadën e Drinit, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës.

“Aktualisht po shkarkohet një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit, shkarkime këto të monitoruara dhe të menaxhuara nga specialistët e hidrocentraleve”, tha Beci.

Beci bën me dije se bashkia Shkodër është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e çdo rreziku të mundshëm për zonat e territorit të bashkisë, ndërsa deri në këto momente nuk është evidentuar asnjë problematikë.

/e.i/a.f/r.e/

The post Moti i keq në Shkodër, Duda: Vështirësi në qarkullim, strukturat në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti i keq në Lezhë, bashkia apel qytetarëve për kujdes

5 January 2026 at 13:53

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Moti i keq me reshje shiu ka përfshirë qarkun e Lezhës.

Bashkia Lezhë informoi sot qytetarët, se duke nisur nga dita e nesërme priten reshje më të dendura shiu, me intensitet të lartë deri ditën e mërkurë.

Bashkia kërkon që qytetarët të tregojë kujdes maksimal për shkak të kësaj situate.

Sipas njoftimit zyrtar të IGJEO, sot pasdite dhe nesër priten reshje me intensitet të lartë, kryesisht në veri dhe jug të vendit. Në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Bashkia Lezhë bën me dije se grupet e punës do të jenë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo problematikë që mund të paraqitet.

/e.i/r.e/a.f/

The post Moti i keq në Lezhë, bashkia apel qytetarëve për kujdes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga familje ushtarakësh, te bashkimi me vëllanë: Mesazhet e kadetëve të rinj

5 January 2026 at 12:52

TIRANË, 5 janar /ATSH/ 387 rekrutë, kadetë dhe studentë të rinj, janë zyrtarisht pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Fuqia luftarake e Forcave të Armatosura bazohet në kapitalin njerëzor, disiplinën dhe gatishmërinë operacionale, të mbështetura nga programi strategjik “Mbrojtja 2030”.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu përcolli sot mesazhet e disa prej kadetëve të rinj, pas ceremonisë së betimit, duke ndarë eksperiencën personale të tyre me uniformën e ushtarakut.

Kolonel Arjan Osmani, njëherësh pedagog në akademinë e FA shprehet se betimi është akti më solemn në jetën e ushtarakut që i përgatit ata për rrugëtimin e gjatë në radhët e Forcave të Armatosura.

Vilson Demko, kadet i Forcave të Armatosura, tha se ceremonia e betimit të ushtarakut për të është një emocion shumë i veçantë.

“Kam vendosur të jem pjesë e FA sepse më pëlqen rregulli dhe disiplina, gjithashtu dua t’i shërbej vendit tim”, tha ai.

Ndërsa, kadet Jugedia Çibaku u shpreh se momenti i betimit para shqiptarëve, të cilëve ka zgjedhur t’u shërbejë me uniformën e ushtarakut, mbetet një moment i veçantë. Çibaku tha se është ndjerë gjithnjë pjesë e ushtrisë, duke u rritur me frymë ushtarake, për shkak të të atit.

Kadet Matias Qasolli tha në mesazhin e tij se vjen nga një familje ushtarakësh.

“Kur mamaja ime bën kursin e radhës, vij dhe e takoj ndonjëherë. Ajo është një epror jo i drejtpërdrejtë sipas rregullores që kemi mësuar, por jam i detyruar ta nderoj. Është një ndjesi e çuditshme. Kur vijmë në shtëpi duket sikur s’ka ndodhur asgjë”, tha ai.

Kristina Ndreca, kadet e Forcave të Armatosura, tha se në këtë akademi ka hyrë së bashku me të vëllanë. Ndreca tha se ka qenë e pandarë me të vëllanë, që nga klasa e parë.

“Edhe në bankë kemi qenë bashkë. Jo, nuk do ndahemi as në Forcat e Armatosura do vazhdojmë gjithë rrugën bashkë”, tha Ndreca.

Në ceremoninë e betimit të kadetëve të rinj pak ditë më parë, të pranishëm ishin Presidenti Bajram Begaj dhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu. Forcat e Armatosura operojnë si një strukturë moderne, ndërvepruese me aleatët dhe e aftë të përballojë kërcënime ushtarake dhe kibernetike.

/e.i/r.e/a.f/

The post Nga familje ushtarakësh, te bashkimi me vëllanë: Mesazhet e kadetëve të rinj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sako për ATSH: Investimet që po e transformojnë Durrësin në qytet turistik evropian

3 January 2026 at 09:21

TIRANË, 3 janar/ATSH/ Nga menaxhimi i territorit dhe investimet infrastrukturore, te përballimi i fluksit turistik dhe përmirësimi i shërbimeve publike, Durrësi mbetet një hapësirë ku vendimmarrja lokale ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve.

Kryebashkiakja e qytetit bregdetar, Emiriana Sako, ndan në një intervistë për ATSH-në, vizionin e saj për drejtimin e qytetit, prioritetet e institucionit që ajo drejton dhe politikat e ndjekura për një zhvillim të qëndrueshëm.

Në një bisedë që prek dimensionin ekonomik, social dhe urban, Sako flet për projektet strategjike në zbatim, sfidat e administrimit të një qyteti të madh si Durrësi, dhe përgjegjësinë për shërbime cilësore për komunitetin.

Sako u shpreh se prioritetet janë të ndërtuara mbi vizionin për ta shndërruar Durrësin në një qytet modern, dhe plotësisht të harmonizuar me standardet bashkëkohore dhe një qytet turistik evropian. Në thelb të këtij vizioni qëndrojnë disa shtylla kryesore si zhvillimi ekonomik dhe fuqizimi i bizneseve lokale, turizëm gjithëvjetor, fuqizimi dhe integrim i të rinjve në ekonominë e qytetit, mbështetje sociale për familjet në nevojë, një qytet modern, të qëndrueshëm dhe me standarde bashkëkohore.

“Durrësi është një qytet me potencial të jashtëzakonshëm urban, ekonomik dhe social, dhe kjo na motivon çdo ditë të punojmë më fort për ta zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme. Sot, situata urbane paraqet një përzierje progresi dhe sfidash. Ne kemi realizuar ndërhyrje të rëndësishme në infrastrukturë dhe kemi rikualifikuar disa zona që kishin nevojë për vëmendje. Po realizojmë projekte të rëndësishme infrastrukturore që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës, forcimin e lidhjeve brenda qytetit dhe rritjen e hapësirave publike”, tha Sako.

“Në aspektin social, jemi të fokusuar te rritja e shërbimeve komunitare, përfshirja e të rinjve dhe mbështetja e shtresave në nevojë. Gjithsej janë 400 familje që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike. Ne kemi 7 qendra që ofrojnë shërbime ditore, shërbime të specializuara dhe qendra multifunksionale për moshën e tretë, për fëmijë etj. Janë mesatarisht 1700 qytetarë çdo vit që marrin shërbime nga të gjitha këto qendra”, shtoi ajo.

Sipas Sakos, Durrësi është qendra e investimeve strategjike kombëtare, një destinacion për investitorët e huaj, sidomos në aspektin e investimeve infrastrukturore, industriale, turistike dhe kulturore.

Sako u shpreh se aktualisht po zhvillohen projekte të rëndësishme, me rëndësi strategjike për infrastrukturën dhe qarkullimin rrugor si, dy unazat e qytetit: unaza Spital-Currila dhe ajo Spitallë-Currila, përfundimi i shëtitores së plazhit, duke filluar nga Ura e Dajlanit deri tek Konvaleshenca, rikonstruksioni i pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”, rikonstruksioni i “Mauzoleut të Dëshmorëve” etj.

Durrësi, si qyteti i dytë më i madh pas Tiranës, po merr gjithnjë e më shumë vëmendjen e Qeverisë në aspektin e investimeve dhe projekteve të ndryshme, si Akademia Sportive e Manchester City dhe akademia e Rafael Nadal.

Sipas Sakos, tërheqja e investimeve sportive vjen pasi Durrësi ofron një kombinim faktorësh strategjikë që pak zona të tjera në vend i kanë, si qyteti i dytë më i madh në Shqipëri dhe porta kryesore detare e vendit.

Sako e cilësoi Durrësin kryeqytet të turizmit dhe shpjegoi vizionin për rritjen e cilësisë së shërbimeve turistike si edhe promovimin e destinacioneve apo atraksioneve turistike. Sipas saj, edhe sezoni i fundit veror i tejkaloi pritshmëritë.

“Vitin e kaluar ishin mbi 1 milion turistë që e kanë vizituar qytetin tonë, ndërsa këtë vit duke parë fluksin e lartë mendojmë se ky numër mund të arrijë deri në 1 milion e 500 mijë vizitorë”, tha Sako.

Në Portin e Durrësit vetëm për 9-mujorin e vitit 2025 numërohen 403.554 hyrje në total, rreth 7% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Mbështetja vit pas viti e qeverisë së kryeministrit Rama me projekte madhore që e kanë transformuar dhe do të vijojnë ta transformojnë qytetin krijon një klimë të favorshme për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, që është motori ekonomik i Durrësit. Kemi filluar një investim të rëndësishëm siç është projekti i hyrjes së Durrësit e cila do të jetë një hyrje e denjë për një qytet turistik”, pohoi Sako.

Investime të tjera janë faza e dytë e shëtitores së plazhit, zgjerimi i brezit të rërës si dhe ndërtimi i dy unazave në qytet.

“Të tjera investime në infrastrukturë do të kryhen gjatë vitit 2026 me synim sektorin turistik. Durrësin e pret një zhvillim i mëtejshëm falë projekteve madhore si projekti i Marinës Turistike, projekti i Portit Tregtar në Porto Romano, projekti i Amfiteatrit dhe rivitalizimi i gjithë qendrës historike, rijetësimi i monumenteve të kulturës, akademia e Manchester City dhe ajo e tenisit Rafael Nadal”, vijoi ajo.

Ndërkaq, vetëm gjatë 10 muajve të vitit 2025, numri i vizitorëve vetëm në Amfiteatër dhe tek Torra Veneciane ishte 50.129 vizitorë, nga ku shënohet një rritje prej 39% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Sako informoi se bashkia ka ndërmarrë hartimin e Planit Vendor të Menaxhimit të Mbetjeve Urbane, në kuadër të angazhimit si anëtarë të Konventës së Bashkive të Ballkanit Perëndimor.

“Një risi e rëndësishme është procesi pilot i evadimit në burim, ku mbetjet zbrazen direkt nga koshat familjarë në disa lagje, me synimin për të rritur efikasitetin dhe për të eliminuar pikat problematike. Paralelisht, kryejmë kontroll të rregullt të pajisjeve dhe zëvendësim të kontejnerëve të dëmtuar, si dhe vendosje të koshave shtesë në zonat që e kërkojnë. Nëpërmjet këtyre masave dhe zbatimit të planit vendor, Durrësi po ndërton një sistem më efikas, më të pastër dhe më të orientuar drejt standardeve moderne të menaxhimit të mbetjeve, duke garantuar shërbim më cilësor për çdo lagje dhe çdo banor të qytetit”, tha Sako.

Kryetarja e bashkisë Durrës, në fund u shpreh se “vizioni ynë është të ndërtojmë një qytet modern, të qëndrueshëm dhe të drejtë për të gjithë”.

“Ne po investojmë në infrastrukturë më moderne, në hapësira publike më cilësore, në një urbanistikë që respekton historinë dhe mbron të ardhmen, shërbime më të mira, investime që sjellin zhvillim afatgjatë, si dhe në projekte që rrisin mirëqenien e qytetarëve”, përfundoi Sako.

Foto nga aktivitete ku e pranishme është edhe kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako
1 nga 10

/e.i/j.p/r.e/

The post Sako për ATSH: Investimet që po e transformojnë Durrësin në qytet turistik evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 200 mjete u bllokuan në rrugën drejt Koplikut, ndërhyn policia dhe mjetet borëpastruese

2 January 2026 at 21:02

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda informon se gjatë orëve të fundit janë marrë një numër i konsiderueshëm telefonatash nga qytetarë në sallën operative të Komisariatit të Policisë Shkodër, ku raportohet se disa familje, përfshirë edhe fëmijë, ndodhen të bllokuara në segmente të ndryshme rrugore.

Sipas Prefektes Shkodër, bllokimet janë evidentuar në akse të ndryshme rrugore, nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje në drejtim të qytetit të Koplikut.

“Aktualisht, në këtë aks rrugor po bien reshje breshëri të alternuara me dëborë dhe ka filluar formimi i ngricave, duke e vështirësuar ndjeshëm qarkullimin rrugor”, thuhet në njoftim.

Sipas raportimeve, mbi 200 mjete po tentojnë të lëvizin në drejtim të qytetit të Koplikut.

“Nga informacionet e fundit të administruara nga strukturat operacionale në terren informohemi se aksi rrugor Qafë Thore–Bogë është zhbllokuar dhe qarkullimi po vijon normalisht. Aksi rrugor Selcë–Qafë Berdelëcit paraqet probleme për shkak të ngricave të shumta, disa automjete janë kthyer në fshatin Tamarë”, vijon njoftimi.

Në njoftim thuhet se “lëvizja është rivendosur në sajë të ndërhyrjes në terren, ku ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore dhe mjetet borëpastruese, të cilat janë në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit rrugor”.

Prefektja Duda është në ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe ka kërkuar koordinim të menjëhershëm mes strukturave përgjegjëse për normalizimin e qarkullimit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Në këtë kuadër, apelohet për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin lëvizjet e panevojshme në akset problematike dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë. Në rast nevoje ose problematikash, qytetarët ftohen të komunikojnë menjëherë me Policinë e Shtetit ose shërbimet e emergjencave.

/e.i/r.e/

The post Mbi 200 mjete u bllokuan në rrugën drejt Koplikut, ndërhyn policia dhe mjetet borëpastruese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Strukturat në terren për të garantuar qarkullim dhe siguri

2 January 2026 at 20:55

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Reshjet e denduara të borës dhe shiut përfshinë sot zonat malore të vendit.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale, pamje nga puna në terren e strukturave përgjegjëse në veri të vendit për pastrimin nga bora dhe hedhjen e kripës në akset rrugore.

Rama thekson se këto struktura janë në gatishmëri maksimale në zonat malore.

“Pavarësisht kushteve atmosferike, strukturat përgjegjëse janë në terren për të garantuar qarkullim dhe siguri”, tha Rama.

ARRSH dhe Policia e Shtetit u bën apel drejtuesve të mjeteve që të përdorin goma dimri ose zinxhirë, të lëvizin me shpejtësi minimale në zonat me reshje dhe të respektojnë distancat e sigurisë.

/e.i/r.e/

The post Rama: Strukturat në terren për të garantuar qarkullim dhe siguri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ASHSH letër ngushëllimi për ndarjen nga jeta të akademik Nexhat Dacit

2 January 2026 at 14:55

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të akademik Nexhat Dacit, personalitet i shquar i shkencës, arsimit universitar dhe jetës institucionale e politike në Kosovë.

Në letrën e ngushëllimit drejtuar Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ASHSH shprehet se “akademik Nexhat Daci do të kujtohet për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shkencës së kimisë, për përkushtimin shumëvjeçar në formimin e brezave të rinj të studiuesve dhe pedagogëve si dhe për angazhimin e tij aktiv në ndërtimin dhe forcimin e institucioneve akademike dhe shtetërore të Kosovës”.

ASHSH thekson se veprimtaria e tij shkencore, e shoqëruar me përvojë të gjerë ndërkombëtare, ka kontribuar ndjeshëm në afirmimin e shkencës shqiptare në hapësirën akademike evropiane dhe më gjerë.

“Si anëtar e drejtues i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në periudhë të rëndësishme të historisë së saj, ai dha një kontribut të çmuar në konsolidimin e rolit të Akademisë si institucion kyç i mendimit shkencor dhe kulturor, duke nxitur bashkëpunimin ndërakademik, dialogun shkencor dhe ruajtjen e standardeve të larta akademike”, vijon letra.

“Në periudhën kur akademik Nexhat Daci ushtronte detyrën e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u konsoliduan marrëdhënie të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të materializuara përmes protokolleve të bashkëpunimit dhe nismave të përbashkëta shkencore, duke kontribuar në forcimin e lidhjeve ndërinstitucionale dhe në bashkërendimin e komunitetit shkencor shqiptar”, cilësohet në të.

Sipas ASHSH, gjatë angazhimit të tij në jetën politike dhe institucionale të Kosovës, përfshirë ushtrimin e funksionit të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, u shfaq si një figurë publike me cilësi të veçanta që e konsideronte dijen, përgjegjësinë institucionale dhe shërbimin ndaj shoqërisë si vlera të pandashme.

ASHSH thekson në letër se i shpreh në emër të Asamblesë së ASHSH-së, solidaritetin e plotë Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ngushëllimet më të ndiera familjes së akademik Nexhat Dacit, si dhe gjithë bashkëpunëtorëve dhe kolegëve të tij.

/e.i/r.e/

The post ASHSH letër ngushëllimi për ndarjen nga jeta të akademik Nexhat Dacit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta e fermerëve grekë, nesër bllokohet për tri orë aksi Kakavijë-Janinë

2 January 2026 at 14:21

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Aksi rrugor Kakavijë-Janinë në kryqëzimin e fshatit Kallpaq do të jetë sërish i bllokuar ditën e nesërme për shkak të protestës së fermerëve grekë.

Policia Kufitare Kakavijë, bëri të ditur se “më datë 03.01.2026, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët”.

Sipas policisë, do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.

/e.i/r.e/

The post Protesta e fermerëve grekë, nesër bllokohet për tri orë aksi Kakavijë-Janinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌