Banorët e Rrjollit përpara SPAK: “Kërkojmë pronat tona”
Pas tre ditësh përplasje të dhunshme me policinë kundër zhvillimit të resortit “Blue Borgo” në zonën mes Shëngjinit dhe Velipojës, banorët e Rrjollit u mblodhën sot para Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ku kërkuan ndërhyrjen e drejtësisë për të zgjidhur konfliktin e pronësisë së tokave ku po zhvillohet projekti.
Njësoj si rreth një vit më parë ata protestuan me pankarta para së njëjtës godinë, me të njëjtën kërkesë: Pezullimin e punimeve dhe hetimin e dokumentacionit që i kaloi pronësinë kompanisë “Gener 2”, të cilin ata e konsiderojnë të bërë me falsifikime.
Një vit më pas, sipas banorëve dhe avokatëve të tyre, nuk ka asnjë informacion nëse janë kryer veprime konkrete hetimore. Pas protestës së sotme, avokati Ndue Pjetra tha se SPAK ia ka deleguar çështjen Gjykatës dhe Prokurorisë së Shkodrës.
“Proces i zvarritur qëllimisht”
Avokati i banorëve, Ndue Pjetra, i tha Citizens.al se zvarritja e deritanishme e procesit ka qenë e qëllimshme. Sipas tij, kjo i jep kohë Fatmir Shpellzës, të dyshuar për falsifikim dokumentesh pronësie, “të rregullojë aktet”.
Pjetra kërkoi përfshirjen e Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), për të verifikuar nëse kompania “Gener 2”, që po punon në terren, po vepron në përputhje me ligjin.
“Nëse rezulton se gjithçka është në rregull, banorët do të tërhiqen nga kauza,” tha ai teksa shtoi se ata kanë depozituar një padi civile në Gjykatën e Shkodrës për prishje të pronësisë dhe njohje të saj në favor të banorëve, të cilët pretendojnë se e zotërojnë prej rreth 100 vitesh.
Prek Molla, banor i zonës, tha se të hënën, më 9 shkurt, ata do të paraqiten në institucionet e drejtësisë në Shkodër me qëllim që të kërkohet pezullimi i punimeve deri në një vendimmarrje përfundimtare.
Avokati Klodian Reçi ngriti shqetësimin për mungesën e kontrolleve institucionale. Ai paralelizoi reagimin e shpejtë të IKMT-së ndaj ndërtimeve të vogla dhe private me mungesën e verifikimeve për një projekt që shtrihet në rreth 146 hektarë nga një investitor strategjik “nuk shkon as për verifikime”.
Protesta u mbështet edhe nga përfaqësues të partive opozitare, përfshirë “Lëvizja Bashkë” dhe “Mundësia”. Ata ishin të pranishëm edhe në protestën e zhvilluar një ditë më parë në Rrjoll, ku pati edhe një person të lënduar.
“Me firmën e saj, Belinda Balluku po u shkatërron jetën njerëzve,” deklaroi Redi Muçi para SPAK-ut duke e cilësuar konfliktin si pjesë të një problemi të zgjatur 35-vjeçar të pronësisë në Shqipëri.
Barbara Doda nga partia “Mundësia”, shprehu mbështetjen për banorët.
Projekti i “Gener 2” parashikon një investim prej 280 milionë eurosh për ngritjen e 33 strukturave akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, përfshirë struktura hoteliere dhe sociale-kulturore.
Zona e zhvillimit parashikohet në rreth 146 hektarë me distancë rreth 2 kilometra larg monumentit natyror “Rana e Hedhun”. Ajo bën pjesë në nënzonën 1b të “Peizazhit të mbrojtur Lumi i Bunës-Velipojë”.
Në këtë nënzonë zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes mjedisore, e cila synon ruajtjen e biodiversitetit, duke lejuar aktivitete tradicionale, ekonomike dhe turistike, për sa kohë nuk cenojnë objektivat e mbrojtjes.
Me ndryshimet e Ligjit për Zonat e Mbrojtura, në vitin 2024, u përfshi edhe koncepti i “turizmit të ekselencës” i cili parashikon struktura akomoduese me standarde të larta arkitektonike dhe mjedisore.
Kështu, sipas nenit 33 të ligjit të rishikuar, tashmë lejohet zhvillimi i strukturave turistike 5-yje dhe infrastrukturës mbështetëse, edhe brenda zonave të mbrojtura.

Në këtë kontekst, një vlerësim i bërë nga AKM ka dalë në përfundimin se projekti “Blue Borgo” nuk bie në kundërshtim me legjislacionin për zonat e mbrojtura.
Në një reagim publik më 5 shkurt, kompania “Gener 2” deklaroi se projekti “Blue Borgo”, i zhvilluar nga kompania tjetër pjesë e grupit “Aba Blue Borgo” (Aba Holding), është në përputhje të plotë me të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Sipas kompanisë, nga faza e konceptimit deri në marrjen e lejes përfundimtare të ndërtimit në dhjetor 2025, janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore. “Gener 2” thotë se janë zhvilluar dëgjesa publike dhe se nuk është cenuar asnjë e drejtë pronësie.
Kompania i cilëson të pabazuara dhe dezinformuese pretendimet për paligjshmëri. Ajo shprehet e vendosur ta vijojë projektin brenda afateve, duke e konsideruar projektin një stacion të rëndësishëm turistik për zonën.
Prej më shumë se një viti, konflikti mes banorëve që pretendojnë pronësinë e tokave dhe kompanisë që ka marrë lejen e ndërtimit mbetet pezull. Asnjë institucion i drejtësisë nuk ka dhënë ende një vendim përfundimtar.
“Kur do t’u vijë radha këtyre çështjeve?” pyeti avokati Reçi, “Kur të kenë vdekur dhe ato që kanë qenë para tyre, apo vetëm pasi resortet të jenë ndërtuar dhe të mos zhbëhen më?”
Lexoni gjithashtu:
- Resorti “Blue Borgo”: Banorët përplasen me policinë, punimet vijojnë
- Banorët e Rrjollit, në SPAK për të drejtën e pronës
The post Banorët e Rrjollit përpara SPAK: “Kërkojmë pronat tona” appeared first on Citizens.al.