Nga 9 janari fillon procesi i aplikimit për dëmet e shkaktuara nga vërshimet në Skenderaj
Komuna e Skenderajt ka njoftuar fillimin e procesit të aplikimit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit, për ekonomitë familjare dhe bizneset e prekura.
Sipas njoftimit zyrtar të publikuar në Facebook, aplikimet do të fillojnë më 9 janar, ndërsa qytetarët e prekur ftohen që brenda afatit të caktuar të paraqesin kërkesat e tyre pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve.
“Komuna e Skenderajt njofton të gjithë qytetarët se nga data 9 janar fillon procesi i aplikimit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në ekonomitë familjare dhe biznese, si pasojë e dëmtimeve të evidentuara nga vërshimet”, thuhet në njoftim.
Për aplikim, qytetarët duhet të dorëzojnë të dhënat personale, kopjen e letërnjoftimit, konfirmimin e llogarisë bankare, fotografi që dëshmojnë dëmet e shkaktuara, si dhe çdo dokument shtesë që vërteton pronësinë apo dëmin e pësuar.
Afati për dorëzimin e kërkesave është tetë ditë pune nga data e publikimit të njoftimit, ndërsa aplikimet dorëzohen personalisht në sportelin numër 13, në objektin e Komunës së Skenderajt.
Nga Komuna bëjnë të ditur se për informata shtesë, qytetarët mund t’u drejtohen zyrave komunale gjatë orarit zyrtar të punës. /Telegrafi/
