Përmbytjet në Durrës nxisin protesta, kërkohet shpallja e emergjencës
Qytetarë dhe aktivistë të Lëvizjes Bashkë protestuan të premten para Bashkisë së Durrësit, duke kërkuar përgjegjësi për përmbytjet masive që goditën qytetin këtë javë.
Me pankarta dhe thirrje si “Oligarkë mbi ujë, qytetarë nën ujë!” protestuesit akuzuan institucionet për neglizhencë, dështim dhe afera korruptive.
Përmbytjet e fundit e gjetën Durrësin të papërgatitur. Lagje të tëra u mbuluan nga uji, ndërsa qindra familje u detyruan të largohen nga banesat duke u vendosur përkohësisht në hotele private, një zgjidhje e ndërmarrë nga qeveria edhe në periudhën e tërmetit të 26 nëntorit 2019 apo dhe gjatë pandemisë.
Banorët e zonave të prekura thonë se kjo është hera e dytë brenda një sezoni dimëror që përmbyten. Sipas tyre, reshjet nuk ishin të pazakonta për qytetin, por përmbytjet ndodhën kryesisht prej abuzimeve me tenderët e pastrimeve dhe rregullimit të kanaleve kulluese.
“Kemi parë shira shumë më të mëdha se kaq,” tha Vladimir Agalliu, banor i lagjes 15 në Spitallë. “Por nuk kemi pasur kurrë këto përmbytje,” shtoi ai.
Aktivistët theksuan se problemi nuk lidhet me motin, por me infrastrukturën dhe keq-qeverisjen. Sipas tyre, sistemi i kullimit është i amortizuar, i mbingarkuar dhe devijuar qëllimisht për të përkrahur koncesionin e portit në Porto Romano.
Në këtë kontekst, Lëvizja Bashkë akuzoi sërish Bashkinë e Durrësit dhe kompaninë koncesionare të portit të ri – e zotëruar nga grupi Kastrati – për mbylljen e kanaleve të kullimit.
Sipas tyre, kanalet e kodrës së Durrësit janë bllokuar për t’i lehtësuar punën koncesionit.
Ky proces, sipas protestuesve, ka rritur presionin mbi hidrovorin dhe ka përkeqësuar përmbytjet. Ata kërkuan për këtë hetim të plotë për projektin e portit, kanaleve të devijuara dhe ndikimin e tyre në qytet.
Autoritetet nuk kanë reaguar publikisht ndaj këtyre akuzave, teksa grupi Kastrati ka mohuar për Citizens.al të ketë lidhje me përmbytjen.
As Bashkia dhe as institucionet qendrore nuk kanë dhënë shpjegime zyrtare.
Banorët e lagjeve të përmbytura përshkruan një situatë kaotike. Disa prej tyre mundën të marrin ndihma vetëm pas mesnatës të së hënës.
Sadete Ymeri, banore e lagjes Iliria në zonën e plazhit, tregoi se u shpërngul nga banesa rreth orës 02:30. Ajo u dërgua në një hotel vetëm me rrobat e trupit pasi gjatë ditës nuk kishte mundur të merrte asnjë ndihmë.
“Ne nuk dimë çfarë do të bëhet,” tha ajo teksa tregoi me telefon përmbytjen e shtëpisë së saj dhe tramuën e zgjimit me ujin nën këmbë dhe frikën se mos i ndodhte ndonjë gjë fëmijëve.
Aktivistët e Lëvizjes Bashkë theksuan se përmbytjet nuk mund të justifikohen si fatkeqësi natyrore. Sipas tyre, dëmi është institucional dhe i parandalueshëm.
Për këtë ata bënë thirrje për shpalljen e emergjencës kombëtare. Sipas tyre, situata kërkon vendime formale dhe jo deklarata politike.
“Emergjenca nuk shpallet me fjalë,” theksoi urbanisti Artan Kacani nga Lëvizja Bashkë. “Ajo shpallet me firmë, me vulë dhe me përgjegjësi penale,” shtoi ai.
Protestuesit kërkuan gjithashtu dëmshpërblim real për familjet e prekura. Ata thanë se qytetarët nuk mund të përballojnë të vetëm pasojat e krizës.
Një viktimë nga përmbytjet
Protesta u shoqërua edhe me kërkesa për hetim të vdekjes së një punonjësi të ndërmarrjes komunale. Sipas aktivistëve, ai humbi jetën gjatë ditëve të përmbytjeve. Rasti është nën hetim nga Prokuroria e Durrësit.
Hetimi përfshin shkaqet e vdekjes dhe përgjegjësitë institucionale për situatën e krijuar.
Prokuroria njoftoi të enjten se ka nisur gjithashtu verifikimet për shkaqet dhe pasojat e përmbytjeve.
Fokusi është te infrastruktura, mirëmbajtja dhe veprimet e institucioneve vendore. Deri tani, Bashkia e Durrësit nuk ka dhënë një përgjigje të detajuar për akuzat e ngritura nga qytetarët, aktivistët e shoqërisë civile por edhe partitë e opozitës.
Banorët dhe aktivistët thonë se mungesa e transparencës po rrit mosbesimin. Për ta, përmbytjet janë simptomë e një modeli zhvillimi që favorizon ndërtimin mbi sigurinë.
Një model që, sipas tyre, po e kthen krizën në normalitet. Ndërsa hetimet vijojnë, banorët kërkojnë përgjigje dhe garanci.
Pyetja mbetet nëse përmbytjet e Durrësit, një qytet që nuk ka harruar ende plagët e lëna pas nga tërmeti i 2019, do të trajtohen si alarm serioz apo si një tjetër episod i harrueshëm sezonal.
Kjo ishte protesta e tretë pas të paktën dy të tjerave që u zhvilluan pasditen e së enjtes para bashkisë. Ndërkohë dy protesta të tjera janë thirrur gjithashtu edhe të premten.
Lexoni gjithashtu:
- Përmbytjet nxjerrin në pah krizën me emergjencat dhe zhvillimin urban
- As Veliera, as tenderët publikë, s’e shpëtuan Durrësin nga përmbytjet
- Shqipëria përballë krizave klimatike pa sistem të besueshëm monitorimi
The post Përmbytjet në Durrës nxisin protesta, kërkohet shpallja e emergjencës appeared first on Citizens.al.
