TIRANË, 22 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot opozitës gjatë seancës plenare, ku tha se ai nuk tallet asnjëherë me “fitoret” e tyre.
“Tani, më e mira do të kishte qenë që për një herë të vetme të pushonte avazi i të gjitha herëve dhe pse kjo e sotmja është një herë e ndryshme nga shumë herë për këtë vend dhe për këtë Kuvend. Po si duket humbësit kronikë nuk duan ta humbasin as këtë rast për të bërë të vetmen gjë që dinë të bëjnë më mirë se kushdo tjetër në botë, të humbin, të humbin përsëri rastin, duke vazhduar t’i bindin shqiptarët se nuk vlejnë për asgjë tjetër përveç se për të përfaqësuar dhe mishëruar humbjen në të gjitha format dhe në të gjitha dimensionet e saj”, tha Rama.
“Është vërtetë për të ardhur keq po të mendosh se sot në fakt ju kishit mundësinë të deklaronit fitoren. Fitoren tuaj më domethënëse sepse në fakt, si gjithmonë, ju prapë fituat. Ju fituat sepse për muaj me radhë thatë që Amerika do të më bënte mua gjyqin e ëndërruar prej jush për t’ju kthyer ju në ato karrige, ku nuk do ktheheni kurrë po s’dolët nga poshtë karriges ku qëndrojnë hijerënda të ndenjurat e stërgjyshit tuaj”, pohoi Rama.
Duke iu drejtuar opozitës, Rama tha se ata paralajmëruan popullin se Kryeministri i Shqipërisë do të thirrej në Amerikë në datën 20 janar.
“Por, ky ishte lapsus për t’u paraqitur në Prokurorinë Federale. Madje ju e vulosët fitoren kur festuat rrëmbimin me forcë të Maduros nga shtëpia e tij në Karakas dhe iu thatë shqiptarëve se ajo ishte vetëm një provë gjenerale e ushtrisë amerikane për rrëmbimin e Ramaduros nga ajo zyra në Kryeministri – që e keni fiksim 12 vjet – dhe mblidheni si qindra Romeo të dëshpëruar për një Xhulietë të vetme”, pohoi ai.
Rama tha në Kuvend, se opozita paralajmëroi popullin shqiptar që ShBA do t’i bënin atij gjyqin.
“Sot ju do votoni të vërtetën e madhe që unë nuk do ta detyroj ushtrinë amerikane t’i bashkohet protestës suaj nga tarraca e Kryeministrisë se do të dorëzohem vetë, paqësisht, në duart e autoriteteve ligjzbatuese amerikane që do të vijnë në aeroport në Uashington dhe do më marrin me eskortë për të më çuar në Shtëpinë e Bardhë si anëtar i Bordit të Paqes”, tha Rama.
“Ka vetëm një nuancë në dështimin tuaj. Ju prisnit të fitonit me helikopterët e ushtrisë amerikane dhe nuk e prisnit që unë do dorëzohesha vetë. Kjo është fitorja juaj! Fituat edhe këtë herë dhe falë jush që mbushët dynjanë duke thënë se nuk ka ftesë; kur doli ftesa, thatë po këtë e ka gjithë bota; tani thoni, nuk je te Bordi”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama tha se ka një organigramë në mënyrën sesi strukturohen grupet ndërkombëtare.
“Rëndësi ka që do të ngrini kartonin, me votën tuaj do miratoni Bordin e Paqes dhe mua si përfaqësues i Bordit të Paqes në Shtëpinë e Bardhë”, pohoi Rama.
/e.i/a.f/r.e/
The post Rama – opozitës: Me votën tuaj do të shkoj në Shtëpinë e Bardhë si anëtar i Bordit të Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.