Liqeni i Shkodrës, atraksion edhe në dimër për sportet ujore dhe hiking
TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Liqeni i Shkodrës, i konsideruar si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit, vijon të zgjojë kureshtjen e turistëve vendas e të huaj.
Për të pasionuarit e sporteve ujore, hiking, por edhe për vëzhgimin e shpendëve, ky liqen ofron kushtet e duhura për të provuar një eksperiencë të paharrueshme.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamjet e këtij liqeni këtë fund dhjetori, të mbushur me kajakë, kanoe e mjete pedaluese ujore, ndërsa vizitorët shijojnë një ditë ndryshe.
Liqeni i Shkodrës ofron mundësi argëtimi për të gjithë turistët që dëshirojnë të shijojnë turizmin aktiv.
Ai është liqeni më i madh në gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Ekosistemi i liqenit ushqen faunën dhe florën e pasur dhe unike, duke e shndërruar atë në një qendër të rëndësishme biodiversiteti në Evropë.
Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra, ndërsa në skajin juglindor të tij shtrihet qyteti i Shkodrës, nga i cili ka marrë edhe emrin.
/m.m/a.f/
The post Liqeni i Shkodrës, atraksion edhe në dimër për sportet ujore dhe hiking appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.